nga Vigan F. Fanda
Na ishte një kohë një zakon shqiptar kur burrat e mençur e trima mbanin mustaqe e pinin kaçak nëpër oda. Kanë qenë burra pa shkollë po kanë ditur të kujdesen për ardhmërinë e fëmijëve të tyre, për aq sa kanë pasur hapësirë veprimi… Pikërisht këtë dua ta ndërlidh me kohën e tashme, kur në shtetin e djegur dashurie e sikleti për të ardhmen tonë, vendin e burrave të urtë me mustaqe e kanë zënë baballarët e kombit, që nga pamja duken si meshkuj, po jo dhe nga “tabiatet”, sepse kopeas përgjunjen para shtikllave të një kryepoliceje me pajme burri, të gatshme për shfarrosje “terroristësh”…
Ka vite që raportohet, për çdo ditë të Zotit, për operacione të urdhëruara nga ministresha “jonë”, që ka disiplinuar me dresura animale prijësit tanë. Duke i analizuar ngjarjet në mënyrë kronologjike shihet ashiqare se në fakt, sot e gjithë ditën, vazhdon të ndodhë ajo që ndodhi dhe dje… Urdhërat e ministreshës dhe të sejmenëve të saj të dëgjueshëm shqipfolës shndërrohen sakaq në bastisje të egra të “mbrojtësve tanë” me maska, pas të cilave mbeten dollapë të thyer, çilima të shkyer, dysheme e tavane të shkulur vandalisht dhe sy të tmerruar fëmijësh, grashë e pleqsh të sëmurë…, që e shohin për së gjalli natën e vorrit të xhehenemit pa pikën e fajit. Dhe, çuditërisht, pushtetarët shqiptarë, pa dallim partie, vazhdojnë të ndërtojnë bashkëjetesën me kolegët e tyre ministra e drejtorë, sikur në këso rastesh ndodh sefaja, jo hataja. Kështu ndodhi pardje në Bit Pazar, kështu ndodhi dje në Brodec, kështu ndodh dhe sot në Radushë, kështu do të ndodhë dhe nesër në ndonjë skaj të harruar shqiptarie, ku sërish do lidhen në një shtizë flamujt e dhelprës dhe gomarit dhe sërish do vazhdojë bashkëjetesa dhe dashuria e njëkahshme jona për bijtë e vetëm të Zotit, kojshitë tanë – sllavët.





Ligji garanton shqyrtimin nga kushdo të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave