Nga Adnan Aliti

Në vitin 2025, Maqedonia e Veriut, si një vend që ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, ka arritur të tërheqë vetëm 221 milionë euro investime të huaja.
Ndërkohë, Kroacia, një vend anëtar i BE-së dhe pjesë e ish-Jugosllavisë, ka siguruar plot 54 miliardë euro investime vetëm gjatë këtij viti.
Kjo do të thotë se Kroacia ka tërhequr rreth 244,4 herë më shumë investime sesa Maqedonia e Veriut.
Ky hendek i jashtëzakonshëm nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por pasqyra e një realiteti të dhimbshëm. Ai tregon çmimin që qytetarët paguajnë me mirëqenien e tyre, duke jetuar në varfëri, me paga të ulëta dhe me mungesë mundësish, si rezultat i politikave të gabuara dhe mungesës së reformave, duke votuar prej dekadash qeveri që i largojnë gjithnjë e më shumë nga rruga evropiane.
Pasojat e kësaj gjendjeje shihen qartë edhe nga këto dy të dhëna tronditëse.
Sipas informatave zyrtare, nga 1 janari 2007 deri më 17 qershor 2025, janë lëshuar 216,594 pasaporta bullgare për qytetarë të Maqedonisë së Veriut që kanë kërkuar shtetësinë bullgare, kryesisht për të përfituar të drejtat dhe liritë që ofron anëtarësimi në BE.
Ndërkohë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, 172,900 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut jetojnë jashtë vendit, duke u shpërngulur për një jetë më të mirë dhe për mundësi që vendi i tyre nuk ua ofron dot.
Këto shifra janë dëshmi e qartë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut e shohin BE-në si destinacionin e vetëm të shpresës, duke u larguar masivisht nga vendi.
Por, në vend që udhëheqësit e vendit të punojnë për të afruar Maqedoninë me BE-në, ata vazhdimisht e zhvendosin vendin në drejtim të kundërt.
Është shumë paradoksale që, në vend që të thellojnë bashkëpunimin me Kroacinë dhe Slloveninë, vende që, ashtu si Maqedonia, dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë dhe sot përfaqësojnë shembuj të shkëlqyer të reformave dhe integrimit në BE, pushtetarët zgjedhin të afrohen me shtete jo-demokratike të rajonit.
Në ato vende ku mbizotëron frika dhe shtypja, ku burgosen liderë opozitarë, gazetarë dhe intelektualë që guxojnë të kritikojnë pushtetin, ku mediat kontrollohen dhe zërat e lirë heshten me dhunë.
Nuk thellohet bashkëpunimi me ato vende ku qytetarët e tyre të lodhur nga korrupsioni dhe padrejtësia, dalin masovikisht në rrugë duke protestuar për të rrëzuar regjimet autoritare të tyre dhe për të fituar lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e tyre themelore.
E vërteta është shumë e thjeshtë, me këtë mentalitet dhe me këto politika, Maqedonia nuk do të ecë kurrë përpara.
Në vend që të frymëzohet nga përpjekjet për liri dhe nga suksesi i fqinjëve që kanë zgjedhur rrugën evropiane, udhëheqësit tanë zgjedhin të mbyllin sytë dhe të vazhdojnë rrugën e gabuar, duke e larguar edhe më shumë vendin dhe qytetarët nga ëndrra e integrimit në BE.

Shpërndaje artikullin në: