Agron Jashari: DHELPRAT VDESIN VETËM
Vetmia i shoqëron dhelprat në momentin që vdesin, s`bashku me jehonën e mëkateve të tyre që pandërprer godet muret e asaj pak ndërgjegje që i ka mbetur – ishin fjalët që dikur, shpesh i përdortë im gjysh.
– Po pse vdesin dhelprat o gjysh? – e pyesja unë.
– Vdesin o bir vdesin – mu përgjigj ai – dhe turpi dhe tmerri i shoqëron në çastet e fundit.
– Dëgjo zogu i gjyshit – më tha një herë – do jetosh gjatë e do shohësh shumë. Asnjëherë mos lejo që dyshimi të të bëhet brejtës e helm i jetës tënde, por asnjëherë mos e hidh krejtësisht prapa krahëve. Ki kujdes jo rralle do të bie që të hasesh në dhelpra, mos i shko pas, mos bjer në grackën e tyre, kanë lajka shumë, të tundojnë, buzëqeshin tepër ëmbël edhe pse në zemër kanë helmin, bëjnë sikur qajnë me lot nga dhimbja e malli e në shpirt e kanë grackën gati, ta shtrëngojnë dorën fort e të përulen përpara vetëm që të qohen më pas kundër teje të egërsuar. Ato as nuk kanë gjini, as moshe, as racë, shumë shpejt ngrihen por edhe shumë shpejt bien . Edhe diçka, mos i urre tepër dhe mos mendo shumë për to se do bëhesh edhe ti ashtu, e po u bere ashtu do të vdesësh vetëm.
Atë kohe me mendjen e një fëmije, thoja se gjyshi flet përçart, se e ka nga pleqëria. “Hajde gjysh hajde”- thoja duke u tallur, po si buzëqeshkan dhelprat, po pse kanë gishtërinj ato të ta shtrëngojnë dorën, po ku qajnë ato dhe vazhdoja me talljet e mia.
Koha eci shpejt e mua më mësoi shumë gjera. Në jetë shumë herë më ra të takoja në dhelpra, ishin të vogla dhe i shmangesha e nuk harxhoja kohe të merresha me to, por kur në pranvere u përhap lajmi për vdekjen e dhelprës se thinjur, spontanisht diçka më shtyri të mendoje për jetën dhe vdekjen e saj.
Dhelpra e thinjur qysh si e vogël kishte filluar me dredhitë dhe pabesit e veta, drejtësia dhe mirësia nuk ekzistonin në fjalorin e saj. Gjaku dhe vetëm gjaku e kënaqnin atë. Kur u rrit mblodhi rreth vetës dhelprat e vogla, bindi sojin e vet që t’i shkoj pas, veshi një vello qengji dhe u nis në rrugën e saj për të zhdukur gjithçka që si takon dhelprave dhe që s’ishte dhelpër.
Me parullën ,,Bota i takon dhelprave,, dhe ,,Të mëshirshmit, vdesin të mjerë”, ajo beri një milion e një të zeza, e lau token me gjak, e shkrumboi dhe i dha erë baroti. Sa herë që derdhtë gjak të njomë a shkrumbonte një vend të ri, shkonte para pasqyrës, e sodiste vetën me një kënaqësi të sëmurë dhe i thoshte ,,Je e madhe, je shumë e madhe’’. Kishte filluar të mendoj se është e përjetshme, e pazëvendësueshme, kishte filluar të besoj se është perëndi.
Kur fliste para sojit të vet dhe para kopilëve të vet që ishin pjellë e kurvërive të saj, i premtonte se shumë shpejt bota do të marr frymë si do ajo, do të lëviz si i thotë ajo dhe do mendojë ashtu si dëshiron ajo.
Koha e dredhive të saj nuk zgjati aq sa ajo mendonte, maska i ra papritur, u zbulua dhe lajmi për mizoritë e saj morri dhen.
Gjuetaret e mirë nuk e duruan këtë padrejtësi. E rrethuan strofullin e saj. Ajo kërcënohej se nuk do të dal e gjallë nga aty. Kopilët e saj që ajo i kishte rritur duke i ushqyer me gjak të pa fajshmish, për ta shpëtuar kokën e tyre, e nxuarren atë me dhunë nga skrofulla ku ishte mbyllur dhe ia dorëzuan gjuetarëve të mirë. Ata nuk e vranë, e mbyllen në qarkun me grila dhe s’donin ta dënonin pa e ballafaquar me viktimat e saj.
Edhe pse në fillim mundohej të mbahej, jeta e tillë po e çmendte fare. Ishte mësuar të vras, të djeg, të shkatërroj e s’mund ta pranonte se asnjëherë më s’do mund të bënte gjëra të tilla. Tradhtia e dhelprave të vogla ia dërrmoi vetëbesimin dhe krenarinë e saj rebele. Dita-ditës qarku i saj me grila po behej më i vogël, aq i vogël sa filloi të frymoj me vështirësi, i behej se diçka po e shtrëngonte në fyt. Kishte filluar të fliste me vetë, bërtiste duke thënë se prapa lëkurës se saj fshihet një zemër e but, se me keni mbyll pa faj, se ju jeni vrasës e se unë do t’ju mposht, pastaj heshtë dhe zhytej në mendime e pas përsëri fillonte të dërdëlliste.
Ndonjëherë në mesnatën e vonshme mundohej të zbriste shkalleve teposhtë shpirtit të vet, por nuk arrinte ta bënte ketë, hasi në uturimat e zogjve që kishte vrarë me duart e veta, në mallkimet e nënave, në flaket e çerdheve të ndërtuara me shumë mund e që ajo kishte djegur për një çast, nuk bënte asnjë hap më tutje se e zinte frika, kishte frika nga ato që kishte bërë, dhe mbylltë sytë me duar, por e tëre jeta e vet i shfaqej përpara syve si në ekran, e kapta kriza dhe duke goditur fuqishëm me shputa grilat e kafazit,duke u munduar të bindte botën për pafajësinë e vet bërtiste duke thënë se është pafaj, se unë i kam bërë nder atyre që kam vrarë por i bëhej se dëgjonte të qeshura përbuzëse, nuk e bindtë dot askënd, madje nuk arrinte dot ta binte as atë që ajo me shpirt dëshironte ta bindtë, vetën e saj, sepse zëri që i fliste nga brenda i tregonte asaj fytyrën e saj të vërtet.
Vetmia, urrejtja e botës ndaj saj dhe e saj ndaj botës e kishte lodhur, e kishte fishkur e kishte molisur. Thinjat e saj që dikur i mbante të krehura me kujdes i ishin shprishur dhe pleshtat banonin brenda tyre. Fytyra i ishte zbehur dhe sytë i ishin futur thellë në gropa. E zgjebosur dhe duke lëshuar një kundërmim të fort urine në mesnatën e një pranvere ajo po e shihte fundin e vet, po e ndjente se po vdiste. Shumë gjak kishte pire, asnjëherë nuk ishte ngopur dhe tash po vdiste shumë e uritur.
E përvëluar nga etja për dashuri, me dëshirën e përflaktë që ta kishte edhe dike tjetër afër përveç pleshtave, me turp e frikë për ato që kishte bërë, dhe me ankthin e tmerrshëm ku po shkon, e dërrmuar, e përjargur, e shastisur, dhelpra e thinjur nguli sytë në njërin nga grilat e kafazit dhe frymoi për të fundit herë.
Askush nuk ndjeu dhembje për vdekjen e saj, askush nuk e donte që ngordhësira e saj të varrosej në token e tyre, as soji i vet. Kishin frik mos i ndjek ndonjë mallkim.
Për t’ia varrosur trupin nuk shkuan as soji i vet, as kopilët e vet, të vetmet që ia mbuluan trupin me dhe ishin pesë apo gjashtë dhelpra të rrudhura e të kërrusura që kishin ardhur jo nga dhimbja për të dhe as nga dashuria, por ankthi torturues për fundin e vet.
Tani e di se gjyshi kishte të drejtë. Dhelprat vdesin vetëm.
Agron JASHARI -ADONISS
