Faik MUSTAFA

Diçka po vlon , mund të përzihen kapuçat, sikur i ndihet era barotit, mund të krisë, janë këto disa nga pëshpëritjet që më së shumti dëgjohen nëpër ndeje të ndryshme. Prej nga këto konstatime ? Kujt i duhet krijimi i panikut? Mbase pjesërisht, në krijimin e kësaj atmosfere të zymtë, përmes informatave që i kanë sjellë si:Konfiskohet arsenal i armëve ,konflikt i armatosur mes policisë-grupit të armatosur , Komunikatë e UÇK-së, nëpërkëmbje e lirive dhe të drejtave më elementare,aktivizimi i ndërkombëtarëve për ringjalljen (jetësimin) e Marrëveshjes së Ohrit si garantë të saj etj. kanë krijuar mjetet e informimit publik e kuptueshme , vend për brengosje e shqetësim ka. Megjithatë , të mendohet se zgjidhja e tyre mund të bëhet vetëm me luftë , nuk i lejohet askujt . Me shpërbërjen e ish Jugosllavisë komuniste , me krijimin e shtatë shteteve të pavarura, me përcaktimin e tyre për sistem të ri demokratik, sidomos pas mposhtjes definitive të ambicieve të sëmura nacionaliste e shoviniste të kasapit të fundit të Ballkanit (i cili vdiq në burgun ndërkombëtar të Hagës) fjala luftë , përfundimisht është e tejkaluar. Luftë do të thotë, ndeshje e ashpër ndërmjet sistemesh , klasash, grupesh shoqërore e partish kundërshtare, por më, jo me armë. Si Maqedonia po dhe i tërë rajoni , ka përfaqësuar mënyrën e re të organizimit. Synimi i parë dhe i fundit është bashkëngjitja Evropës së qytetëruar e pa kufi. Për arritjen e kësaj, paraprakisht duhen të përmbushen disa kritere. Do të thotë, luftë po, për mënjanimin , parandalimin, çrrënjosjen dhe asgjësimin e dukurive të shëmtuara që i pengojnë proceset që shpijnë përpara me mjete demokratike.

Përndryshe, është e njohur (thotë një filozof) se revolucionet , luftërat, zakonisht i organizojnë njerëzit e mençur , e realizojnë dhe e zhvillojnë trimat, por që të shumtën e rasteve , frytet i vjelin matrapazët. Këtë më së miri e dëshmon lufta e vitit 2001. Nga zullumi i shtresuar me vite, me të dalë UÇK-ja në skenë pjesa dërmuese e popullatës ato i përkrahu pa hamendje , moralisht dhe materialisht. Nuk u kursye as gjaku i bijve tanë më mirë, të bindur se ai nuk u derdh kot për së koti. Nuk ishte e rastit as fitorja në zgjedhjet e vitit 2002. Zgjedhësit i besuan kapitalit të luftës. Por , ç’ndodhi? Populli , emocionet , euforinë, do ta paguaj shtrenjtë. Më kot u prit që proceset të marrin të mbarën, më kot u shpresua se së paku Marrëveshja e Ohrit ( qe xx s’ishte më e mira) të jetësohet.

 Udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, do të shndërrohen në integristë të atillë sa me të ulur në fotele të buta , në vetura luksoze, sa çel e mshel sytë ndryshuan. Me apo pa vetëdije, për interesa të ngushta , do të shndërrohen në kukulla besnike të Cërvenkovskit e Gruevskit. Në emër të gjakut të derdhur , kapitalit të luftës , do të fillojë lufta “e ashpër ” për materializimin e tyre. Kryekomandanti ,gjenerali o komandantë të tjerë, nisën të reumbetojnë për të bërat e tyre “heroike”, duke i fshehur synimet e vërteta të luftës, duke shkelur mbi vlerat e saj, në emër të çyshtjes “kombëtare” për atdheun e shtrenjtë –Maqedoninë.Për këto “sakrifica” e kuptueshme , nuk mungon shpërblimi . Disa, e kthen shtetësinë e humbur për “veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit” , do të hiqen nga lista e zezë, për të shëtitur ç’lirë ngado që të duan , do të ndryshojnë mënyrën e jetesës përmes beneficioneve të shumta. P o me pozitën e shqiptarëve në këto hapësira ç”u bë ? Jo që nuk vendnumëroi, por u degradua më zi se në ish sistemin sllavo-komunist.

Në këtë kohë politika antishqiptare do të marrë hov. Do të nisë më ndryshimin e Kushtetutës , me çka do të bastardohet Marrëveshja e Ohrit (si e vetmja fitore e luftës), sillen një varg ligjesh diskriminuese që nga revidimi i listave zgjedhore , Ligji për natalitet , maqedonishtja nga klasa e parë , Ligji mbi gjuhët, diskriminimi në ndarjen e buxhetit, enciklopedia, Ligji për amnisti. Do të ndodhë Sopoti, do të ndodhë burgosja e ish luftëtarëve me e pa arsye, lënia e veterinarëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve në mëshirën e kohës, Shkupi 2014 ose thënë me troç , shqiptarët do të zhvishen nga e drejta të jenë hisedarë të barabartë në ekonomi, kulturë, arsim,sport, shëndetësi, punësim dhe lëmi të tjera. Kush është fajtor?

Cërvenkovski, Gruevski a ndonjë tjetër?! Ata mes veti zhvillojnë luftë të ashpër për pushtet, për qeverisjen e vendit , por kur janë në pyetje shqiptarët dhe kërkesat e tyre, veprojnë si një . Për këtë ka një varg shembujsh. Mu për këtë ndodhi lufta e vitit 2001, e cila , nga këndvështrimi i sotëm, e ka humbur kuptimin , meqë vlerat e vërteta të saj u shkelën nga ata që e udhëhoqën. Prandaj dhe shtrohet pyetja, kujt i duhet edhe një luftë? Lufta çlirimtare dhe kombëtare në këto hapësira mund të jetë vetëm edhe një mashtrim. Lufta sot , sipas një strategu ushtarak, mund të bëhet për karrierë,ideologji apo urrejtje patologjike.

Lufta kryesore e shqiptarëve duhet të jetë vetëdijesimi i tyre që të mos shkojë më si Muça pas Daisë. Mos të mashtrohen nga premtimet boshe , të demagogëve, komandantëve gjeneralëve, hajdutëve,vrasësve, pakurrizorëve, servilëve, harbutëve, të cilët, duke u shërbyer fëlçitë e tyre të fuqishme , janë në gjendje të zezën ta bëjnë të bardhë, të keqen të mirë. Kalitës të fatit duhet të jemi vet. Traseja për në Evropë është e hapur . Duhet vetëm të përpiqemi që në vendin e duhur të vijmë njerëz të duhur që kombëtaren e njerëzoren , nuk e këmbejnë për interesa të ngushta. Prej Cërvenkovskave, Gruevskave e sojit e sorollopit të tyre, kemi ditur të mbrohemi përherë, por fatkeqësisht, prej vetes jo.