“Kutitë do të hapen”. Te ky pohim politik, që mbërrin në Tiranë me garancitë e takimit të Strasburgut, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar dje atë që ai e ka konsideruar si sukses të kauzës për transparencë. Pa dhënë shumë hollësi rreth bisedimeve me Kryeministrin Sali Berisha dhe pa zbardhur momentet teknike të propozimeve dypalëshe, kreu i selisë rozë ka bërë të qartë se cilado qoftë ecuria e negociatave, perspektiva është e njohur. Dështimi i tyre eventual do të penalizonte Shqipërinë në procesin e integrimit, duke ricikluar lëvizjet e rrugës nga ana e opozitës, që në këtë fazë ka përgjegjësi të njëjtë me shumicën në pushtet, për sa i përket stabilitetit politik.

Rama: Materialet zgjedhore mjaftojnë për transparencën

“Le të jemi të kthjellët e të mos humbasim në labirintet e fjalëve. Hetimi kërkon akses dhe do të ketë akses për të hapur kutitë. Për sa i përket fletëve të votimit ka një diskutim për të përcaktuar qasjen ndaj tyre. Por ndërkohë, mekanizmi i Ruzhdies është lehtësisht i nxjerrshëm në dritë, pa fletët e votimit. Për fletët e votimit, nuk kemi pse ta fshehim, ka një debat dhe palët janë ende larg. Megjithatë, ne jemi të hapur për të gjetur një zgjidhje kompromisi edhe lidhur me këtë pikë, që mbetet një nyje për t’u zgjidhur”. Ky paragraf i fjalës së mbajtur dje nga Edi Rama, në bashkëbisedimin me gazetarët, zbardh plotësisht qëndrimin aktual politik të selisë rozë, rreth hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. I parë në kontekstin e angazhimit thuajse njëvjeçar të PS, ai jep përshtypjen se opozita ka bërë një tërheqje nga kërkesa e vet kategorike për hapje të kutive të fletëve të votimit. Dhe në fakt kjo është pranuar edhe nga Rama, i cili, gjithsesi, ka rikonfirmuar se për këtë çështje diskutimi do të vijojë në dy javët në vijim. Ripozicionimi pra rreth problemit të kutive, përbën ndoshta cedimin e PS për hir të kompromisit, që kësaj radhe, përpos aspektit politik, ndërlikohet edhe nga një situatë juridike e pafavorshme për të. “Do të ishte e udhës për hir të së vërtetës, që askush të mos e harrojë se vetëm deri para pak ditësh, kutitë ishin tabu. Sot, kjo tabu ka rënë dhe hapja e tyre tanimë është e pashmangshme”, është shprehur Rama, duke tërhequr vëmendjen tek ajo që shihet si fitorja e PS në Strasburg. Një përfitim që edhe pse e sjell opozitën në një tryezë negociatash shumë të rëndësishme, në pikëpamje të argumentit juridik ende nuk thotë gjë të re.

PS: Metodologji për procedurën e hetimit

Përfshirja e kërkesave të selisë rozë për transparencë ka kushtëzuar ndërkohë nevojën e ringritjes së komisionit hetimor parlamentar. Duke folur për këtë problem, Edi Rama ka lënë të kuptohet se rikonstituimi i tij është i nevojshëm për shkak të detyrave të reja që organi i ri pritet të ketë në funksion të hetimit. Për të inkuadruar pretendimin e selisë rozë në fushën e ligjit, ekspertët do të përgatisin një metodologji, që do të mundësojë përqasjen juridike ndaj problemit të kutive. Thënë më thjesht, opozita ka gjasë të riformulojë kërkesat e veta, pa hequr dorë nga thelbi apo objekti i tyre. “Hapja e kutive është një garanci për transparencën, por përcaktimi i një metodologjie strikte dhe angazhimi për respektimin e kësaj metodologjie nga palët, është po kaq me rëndësi, sepse eksperienca tregon që komisionet hetimore rëndom degjenerojnë në një hiç që thjesht neverit publikun. Ne nuk do të lejojmë që ky komision të ketë fatin e komisioneve pararendës”, ka deklaruar Rama lidhur me këtë çështje. Në kërkim të konsensusit duket se selia rozë po i kushton rëndësi aspektit teknik që, nëse sillet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, neutralizon argumentin e deritanishëm të shumicës. Kjo mbetet ndoshta detyra kryesore për sa kohë që faktori ndërkombëtar ka zgjidhur problemin e vullnetit politik, i cili jashtë presionit të tij e nxori krizën në rrugë.