Prishtinë, 23 maj – Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të ketë marrë mesazh historik në Turqi sa u përket njohjeve që do t’i bëhen shtetit të Kosovës nga disa vende të fuqishme.
Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se mesazhe ka marrë drejtpërdrejt nga liderët e Pakistanit, Katarit, Greqisë, Kuvajtit, Azerbajxhanit e Kazakistanit, me të cilët ka mundur të diskutonte në distancë, pas telefonatave që atyre ua ka bërë kryeministri turk, Recep Tayyp Erdogan. Dhe krahas këtyre ka theksuar të jetë mbërritur një qëndrim i ri edhe nga tri vende që kategorikisht kanë mohuar mundësinë e njohjes – Brazili, Argjentina dhe Kili, shkruan në numrin e sotshëm gazeta Koha Ditore.
“Kryeministri Erdogan, pas bisedës që e zhvillonim në zyrën e tij, një bisedë kjo shumë miqësore, një bisedë mund të them më tepër se miqësore, shumë vëllazërore, është angazhuar edhe personalisht që për Kosovën të vijnë edhe njohje të reja”, ka thënë të shtunën pasdite kryeministri Thaçi, me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga vizita treditore në Turqi. “Prandaj, edhe kemi kontaktuar drejtpërdrejt edhe presidentët dhe kryeministrat e vendeve përkatëse: të Pakistanit, Katarit, Greqisë, Kuvajtit, Azerbajxhanit, Kazakistanit, por është hapur një perspektivë e një mirëkuptimi për statusin e Kosovës edhe në relacionet e reja me Brazilin, me Argjentinën, me Kilin, por edhe me disa vende me të cilat do të punohet në ditët dhe javët e ardhshme, para prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e edhe menjëherë pas prezantimit të këtij opinioni”, ka shtuar ai.
Kryeministri ka theksuar se përbën mesazh historik fakti që ka pasur mirëkuptim jashtëzakonisht inkurajues në mbështetje të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, këtë radhë mbështetja e të gjitha shteteve me të cilat është vënë kontakt ka qenë shumë e drejtpërdrejtë. Mirëpo, nuk ka qenë në gjendje të saktësojë se kur ato do të marrin vendimin për njohje. Ka thënë se kjo do të varet nga vetë vendet përkatëse dhe interesat nacionale të tyre.
Vizitën në Turqi e ka kualifikuar si ndër më të rëndësishmet. Ajo ishte organizuar me ftesë të kryeministrit Erdogan, i cili ka vënë në dispozicion një aeroplan special me të cilin udhëton vetë, për ta kthyer delegacionin në Kosovë.
Kryeministri Thaçi në vizitën zyrtare në Turqi ka qenë i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë, Lutfi Zharku, ministri i Mjedisit, Mahir Yakcilar, dhe ministri i Bujqësisë, Blerand  Stavileci.
Ministrat kanë nënshkruar marrëveshje me homologët e tyre, ndërsa kryeministri është pritur edhe nga presidenti turk, Abdullah Gul.
Sipas Thaçit, vizita ka vlerë shumëdimensionale.
“Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar edhe katër marrëveshje ndërshtetërore, ndërministrore, marrëveshje në mes Ministrisë së Transporteve, të Arsimit, të Ambientit. Gjithashtu edhe në sferën e agrikulturës”, ka bërë të ditur kreu i Qeverisë. “Të gjitha këto janë marrëveshje që do të rezultojnë me hapa konkretë të bashkëpunimit, në kuptimin edhe kuadrovik, edhe profesional, por edhe të mbështetjes konkrete në realizimin e projekteve të përbashkëta, por në veçanti të shfrytëzimit më të mirë të eksperiencës turke edhe në Republikën e Kosovës”.
Midis temave të tjerave kryeministri ka përmendur çështjen e hapjes së Universitetit të Prizrenit. Ai ka theksuar t’i jetë konfirmuar përkrahje dhe mbështetja e plotë për ta funksionalizuar sa më shpejt hapjen e këtij bartësi të arsimit të lartë publik, i cili, pos në gjuhën shqipe, do të ofrojë studime edhe në gjuhën turke dhe në atë boshnjake.
Po kështu, Thaçi ka thënë t’i jetë premtuar mbështetje për thellimin dhe avancimin më afirmativ të mundshëm të raporteve diplomatike, ekonomike, të sigurisë, mbrojtjes, arsimit, kulturës e të ambientit