Familja Arifi, nga fshati Bardhosh i Prishtinës, u ka dërguar letër institucioneve të Kosovës, duke kërkuar zbardhjen e fatit të birit të tyre, Nexhatit, i cili kishte hyrë në Maqedoni, përmes vendkalimit Bllacë, më 31 janar të këtij viti, dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Ata kërkojnë që t’u bëhet presion autoriteteve maqedonase ta sqarojnë rastin, pasi dyshojnë se ai mund të jetë rrëmbyer nga policia e këtij shteti. Sahit Arifi, babai i Nexhatit, tha sot se para dy ditësh ishte takuar me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, të cilët i kanë thënë se nuk i dinë hollësitë për fatin e tij, por supozojnë se djali i tyre është gjallë. “Shtatëmbëdhjetë ditë pas rrëmbimit, në një park në qendër të Shkupit ata e kanë qitur veturën, dy pasaportat, dy telefonat celularë, llaptopin, orën e dorës e një xhaketë. Vetura nuk ka pasur kurrfarë shenjash të dhunës”, tha Arifi.