Të gjitha analizat, të gjitha faktet dhe të gjitha përgjigjet na nxjerrin një përfundim, se shqiptarët në IRJM jetojnë si në kohën e Rankoviqit.

Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Një prej pyetjeve më të shpeshta, dhe më konkrete është edhe pyetja se si jetojnë shqiptarët në IRJM?
Të gjitha analizat, të gjitha faktet dhe të gjitha përgjigjet na nxjerrin një përfundim, se shqiptarët në IRJM jetojnë si në kohën e Rankoviqit. 
Shqiptarët e kanë të freskët terrorin shtetëror jugosllav të kohës së Rankoviqit, marrëveshjet sekrete për spastrimin etnik të shqiptarëve, arrestimin e intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare shqiptare, presioni politik, proceset e montuara politike, vrasja e udhëheqësve shqiptarë, dëbimi i popullatës shqiptare për në Turqi dhe vendet tjera evropiane, konfiskimi i pasurisë së shqiptarëve dhe kolonizimi i fshatrave dhe vendbanimeve shqiptare me kolonë serbë, maqedonë dhe malazezë, ndryshimi dhe përdhosja e gjuhës dhe simboleve kombëtare, bllokimi ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve etj.
Të gjitha këto krime që i përshkruam në kohën e ministrit të punëve të Brendshme te ish- Jugosllavisë A. Rankoviqit në vitet 60-ta të shekullit të kaluar, janë duke i përjetuar shqiptarët autoktonë në IRJM.
Ja disa prej projekteve rankoviqiane që realizohen ngadalë, por gjithnjë dhe më gjerë mbi shqiptarët në IRJM:
1. Individë dhe grupe të organizuara shtetërore, duke iu premtuar shqiptarëve viza dhe punë në Belgjikë dhe në shtetet tjera perëndimore, nëpërmjet disa agjencive turistike heshturazi dëbojnë me mijëra dhe mijëra shqiptare nga trevat etnike shqiptare, dhe në anën tjetër qeveria e IRJM-së e gjendur para presionit ndërkombëtar akuzon gjoja agjencitë turistike “për mashtrimin e qytetarëve”,
2. Njësitë speciale të inspektoratit financiar iu bien në qafë firmave private shqiptare duke i dënuar me dënime drakonike në para apo duke ua mbyllur edhe dyqanet,
3. Fshatrat e shqiptarëve kanë mbetur të izoluara pa kurrfarë ndihme në bujqësi dhe blegtori, si dhe në shumë raste edhe ua kanë marrë qumështin firmat sllavo-maqedone dhe nuk ua kanë paguar fshatarëve shqiptarë,
4. Largimi i shqiptarëve nga puna pa kurrfarë arsyetimi,
5. Arrestimi në vazhdimësi i veprimtarëve të çështjes kombëtare si dhe i ish-luftëtarëve të UÇK-së,
6. Në shkollat fillore nxënësit shqiptarë përballen me kushte shumë të rënda mësimi, në shkollat e mesme një numër i madh i nxënësve shqiptarë përballen me mosregjistrimin, kurse në Universitet përballen me kushte dhe pagesa të ndryshme, të cilat janë të papërballueshme për shqiptarët,
7. Afër 90% të numrit të papunëve në IRJM e përbëjnë shqiptarët,
8. Të gjitha kërkesat e shqiptarëve në shkallët e gjyqësisë përfundojnë me përgjigje negative,
9. Të gjitha ligjet që fabrikohen në kuzhinat e qeverisë së IRJM-së kanë për bazë projektimin e ideve në shërbim të politikës antishqiptare,
10. Historia e kohës që mban kryqin e IRJM-së nuk mban mend që qeveritë e Shkupit si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen kanë projektuar një vendim në dobi të kërkesave shqiptare,
11. Në vazhdimësi shqiptarët përballen me ndërhyrjen e njësiteve policore dhe paramilitare sllavo-maqedone në pronën dhe shtëpitë e shqiptarëve.
12. Në vazhdimësi shqiptarët përballen me kurdisjen e proceseve të montuara politike,
13. Maltretimi psikologjik i mërgimtarëve shqiptarë me dokumentet personale, si dhe zyrat e shërbimit civil janë shndërruar në kuzhinat terrorit psikologjik mbi shqiptarët,
14. Mohimi i nënshtetësisë, falsifikimi i regjistrimit të popullsisë dhe i pronës i nxjerr shqiptarët si ardhacakë dhe jo autoktonë,
15. Kurdisjet politike ndaj veprimtarëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së, edhe pse të amnistuar me ligj, i nxjerr ata para arrestimeve të reja, para grackave politike e deri në ekzekutime në pikë të ditës dhe në prag të shtëpisë,
16. Proceset e montuara politike si ai i Sopotit, Vaksicës, Tanushës, Bit-Pazarit, Brodecit dhe dhjetëra dhe dhjetëra procese të tjera politike të cilat janë projektuar në zyrat e qeverisë sllavo-maqedone dhe janë zbatuar mizorisht mbi shqiptarët e pafajshëm, duke lënë me dhjetëra shqiptarë të vrarë e të plagosur si dhe me dhjetëra të tjerë të arrestuar dhe të dënuar me dhjetëra e dhjetëra vjet burg apo edhe me burg të përjetshëm.
Të gjitha këto dhe shumë pamje tjera gjenocidiale mbi shqiptarët na përkujtojnë padyshim kohën e terrorit shtetëror rankoviqian mbi shqiptarët.
Por kjo kohë ka një emër tjetër Koha e Gruevskit dhe liktorëve të tij, të cilët nëpërmjet projekteve antishqiptare arrijnë të dëmtojnë rëndë popullin shqiptar, duke i shkaktuar shumë plagë, si dhe duke e shkaktuar një tragjedi të re ndaj popullit autoktonë shqiptarë.
Por si koha e Rankoviqit edhe koha e Gruevskit ka një emërues të përbashkët spastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Por, duke e pasur parasysh vitalitetin kombëtar të popullit shqiptar, jam më se i bindur se si koha e Rankoviqit ashtu edhe koha e Gruevskit do të shkaktoj shumë plagë, por nuk do të arrij të gjunjëzoj popullin liridashës shqiptar.