Ejup BERISHA
Temperaturat shumë të larta e ekstreme që u shënuan dhe po shënohen këtyre ditëve në Ballkan kanë vështirësuar ndjeshëm mbarëvajtjen e jetës së përditshme normale të njerëzve që jetojnë në këto troje. Kjo është e arsyeshme pasi që ç’do gjë ekstreme gjithmonë shkakton frikë e panik në mesin e njerëzve. Në këto rrethana dikush do të ketë menduar ta gjej fajtorin për këtë situatë meteorologjike që po mbretëron tek ne e më gjerë në rajon. E di se politikanët fajtorin për këtë do ta kërkonin në mesin e forcave politike kundërshtare. Opozita te garniturat qeveritare dhe anasjelltas. Ekologjistët fajtorin do ta gjenin te pakujdesia e subjekteve të pandërgjegjshme afariste dhe fizike të cilat me disa veprime të pamatura nuk mbajnë llogari për ruajtjen e mjedisit dhe ambientit jetësor. Njerëzit e fesë do të thonin se kjo është punë e zotit këtu nuk kemi çka diskutojmë pasi që kur dhe çka do i madhi zot ajo edhe do të ndodh.





