Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq, Dushko Peroviq dhe Nenad Popoviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq nga Serbia./REL
Zelensky: Pasi ndezi luftën në Gaza, Rusia përgatit luftë në Ballkan
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, shkruan “Novinite”.
“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.
“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.
Sipas tij, Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime.
“Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani atë ndihmë dhe vëmendje për shumë vende, pastaj ka shumë sfida, shumë sfida humanitare. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi për të treguar se ka diçka që nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve. Të shpallen zgjedhjet jokushtetuese. Të rrëzohet sërish qeveria aktuale. Të rrëzohet qeveria pro-evropiane”, ka thënë Zelensky.
Fjalët e Zelenskyt mund të jenë të vërteta. Vetë presidenti i etnitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, prej kohësh synon dhe i ka deklaruar planet shkëputëse që do të çonin në destabilizim të Bosnjës dhe gjithë rajonit. Udhëtimet e tij gjithnjë e më të shpeshta në Moskë tregojnë se ka mbështetje për politikat e tij. Përveç lojës me integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës, Dodiku së fundmi përmendi edhe Malin e Zi.
“Serbët në këtë shekull duhet të formojnë një shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Srpska dhe Mali i Zi”, ka thënë Dodik.
Në fund të shtatorit pati një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës parandaluan sulmin dhe konfiskuan një arsenal të tërë armësh. Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pjesëtarët e grupit paraushtarak serb që sulmuan në Banjskë kishin për qëllim aneksimin e veriut.
Abbas i gatshëm të marrë qeverinë në Gaza pas përfundimit të luftës
Abbas i gatshëm të marrë qeverinë në Gaza pas përfundimit të luftës
Shefi i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se pasi të përfundojë lufta midis Hamasit dhe Izraelit, autoriteti i tij do të ishte i gatshëm të rimarrë kontrollin mbi Gazën si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete, njoftoi agjencia e lajmeve.
“Ne do të marrim të gjithë përgjegjësinë si pjesë e një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse”, tha Abbas, duke iu referuar formimit të një shteti të pavarur palestinez, i cili do të përfshijë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor, si dhe Rripin e Gazës.
Qeveria aktuale fetare e krahut të djathtë të Izraelit dhe shumica e anëtarëve të saj, megjithatë, e kundërshtojnë këtë zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez.
Disa ministra izraelitë të ekstremit të djathtë mbështesin aneksimin e Bregut Perëndimor dhe madje edhe të Rripit të Gazës.
Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, duke detyruar lëvizjen Fatah të Abbasit, e cila ruan kontrollin mbi zonat palestineze në Bregun Perëndimor.
Pas masakrave të Hamasit të 7 tetorit, Izraeli dëshiron të shkatërrojë kapacitetet qeveritare dhe ushtarake të Hamasit.
Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që Autoriteti Palestinez të përfshihet në diskutimet për të ardhmen e Rripit të Gazës pas luftës.
Amerikanët prezentojnë bombarduesin B-21 Raider me vlerë 750 milionë dollarë
Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ngritur në ajër bombarduesin e tyre më të ri, B-21 Raider. Ai ka zhvilluar testet mbi Kaliforni ditën e premte, ku është fotografuar edhe nga qytetarë të thjeshtë. Më pas, këto testime janë konfirmuar edhe nga zyrtarët e Forcave Ajrore.
Vitin e ardhshëm, SHBA ka parashikuar që të shtojë në flotën e saj minimumi 100 avion B-21 Raider, të cilët sipas kompanisë që i prodhon, Northrop Grumman, secili prej tyre do të kushtojë rreth 750 milionë dollarë.
Fotot e video e fundit shfaqin avionin e ri luftarak me një pamje unike. “Siç është konfirmuar edhe nga Forcat Ajrore të SHBA-së, B-21 Raider po kryen testet e fluturimit. Këto teste të kombinuara mes ekspertëve të Northrop Grumman dhe personelit të Forcave Ajrore, do ta na çojnë në një hap tjetër drejt rritjes së aftësive operacionale”, tha Northrop Grumman.
Bombarduesi B-21 Raider u prezantua për publikun në një ceremoni të mbajtur në Kaliforni në dhjetorin e vitit të kaluar. Avioni i ri është pjesë e përpjekjeve të Pentagonit për të modernizuar armatimin bërthamor që përfshin raketa balistike bërthamore dhe mbushjet bërthamore të lëshuara nga nëndetëset. Me këtë Pentagoni po zhvendoset nga fushatat kundër terrorizmit të dekadave të fundit për t’u përballur me modernizimin e shpejtë ushtarak të Kinës.
Në to do vendosen armë bërthamore ose bomba konvencionale dhe mund të përdoren me ose pa ekuipazh njerëzor. Avioni i ri u prodhua brenda shtatë vjetësh nga dhënia e kontratës ndërsa prodhime të tjera luftarake përfshirë anijet kanë marrë dekada. B-21 Raider e ka marrë emrin nga sulmet ajrore mbi kryeqytetin japonez, Tokio në vitin 1942 të njohur si “Doolittle Raid”. Ai është pak më i vogël se ‘B-2’ për të rritur rrezen e tij.
Në tetor të vitit 2001, pilotët e avionit të vjetër bombardues ‘B-2’ vendosën një rekord të ri kur fluturuan 44 orë rresht për të hedhur bombat e para mbi Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit.
Humanizmi i munguar i shteteve muslimane, Pakistani dëbon 1.7 milionë refugjat afgan në krahët e talibanëve në Afganistan
Autobusët, kamionët dhe qendrat e paraburgimit janë gati ndërsa policia pakistaneze arreston afganët dhe shkatërron shtëpitë e tyre.
Me dhunë policore, afganët janë larguar me shumicë nga shtëpitë e tyre në Pakistan ditët e fundit.
Ata janë dërguar drejt kufirit me Afganistanin, sepse 1.7 milionë afganë pa vendqëndrim të ligjshëm, më 3 tetor iu dha 28 ditë kohë për t’u larguar nga Pakistani.
-Atyre u erdhi papritur ideja të na përzënë. Unë jetoj në Pakistan për 22 vjet. Unë kam lindur këtu, thotë Wusutullah, një shtetas afgan në Karaçi, për agjencinë e lajmeve AP.
Në total, ka më shumë se katër milionë refugjatë afganë në Pakistan.
Pas një rritje të mprehtë si në numrin ashtu edhe në shkallën e vdekjeve të sulmeve terroriste në Pakistan, për të cilat qeveria e vendit fajëson grupet afgane, civilëve afganë pa dokumente u është dhënë afat deri sonte që të largohen vullnetarisht ose të largohen me dhunë.
Por edhe para afatit, autoritetet po bënin arrestime masive, duke i transferuar në qendrat e dëbimit dhe duke shkatërruar shtëpitë e afganëve për t’i penguar ata të ktheheshin.
Nuk kam qenë kurrë në Afganistan Shumë prej të prekurve nuk kanë qenë kurrë në Afganistan sepse kanë lindur nga refugjatë që erdhën në Pakistan gjatë luftës së Bashkimit Sovjetik në vitet 1980 ose gjatë sundimit të parë taleban në vitet 1990.
-Nuk kemi qenë kurrë në Afganistan, thotë 25-vjeçari Rizwan Khan për Reuters.
-Ne do të bëhemi të huaj për popullatën, dhe ata janë të panjohur për ne. Nuk kemi shtëpi në fshatin tonë stërgjyshëror, thotë ai.
Tre breza të familjes së Abdullahut, gjithsej 22 persona, kanë marrë me qira një kamion për t’i përzënë ata nga shtëpia që ata ndërtuan vetë në provincën Punjab në Afganistan.
Erdha këtu kur filloi lufta ruse dhe fillova të punoj në një furrë tullash, thotë Abdullah për BBC.
Ai thotë se familja në fakt ka karta identiteti që tregojnë se lejohen të jenë në Pakistan, por pavarësisht kësaj policia kontrolloi shtëpinë e tij dhe arrestoi djemtë e tij.
Kështu që tani ata po lëvizin përgjatë rrugëve të mbipopulluara drejt kufirit midis autobusëve të mbushur plot dhe kamionëve të tjerë me të gjitha gjërat e tyre të grumbulluara së bashku nën një pëlhurë gomuar në shtrat.
-Nuk kemi asgjë, thotë gruaja e Abdullahut me lot.
-Nuk kemi bërë asgjë të keqe. Dikur punonim dhe ushqenim familjen.
“Dëbimi më i madh i paligjshëm masiv” Që nga urdhri i daljes nga Pakistani, numri i kalimeve kufitare ditore është rritur nga 300 në ditë në 10,000, thotë menaxherja e programit të Këshillit Danez për Refugjatët në Afganistan, Giulia Canali.
-Ata u larguan nga frika dhe erdhën në Afganistan nga frika e dëbimit. Ata flasin për arrestime, ngacmime dhe poshtërime në Pakistan dhe në udhëtimin për në Afganistan, thotë Giulia Canali nga Kabuli.
Një valë pakistaneze e dëbimeve në vitin 2016 ishte, sipas organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch, “deportimi më i madh i paligjshëm masiv i refugjatëve” në historinë e fundit dhe çoi në largimin e 600,000 njerëzve.
Shtatzënia e rëndë në zonën e rrezikut Disa nga afganët që tani kërcënohen me deportim ndodhen vetëm në Pakistan sepse presin të evakuohen në Evropë.
Marzia mësoi anglisht në Këshillin Britanik në Afganistan dhe për këtë arsye ka frikë për jetën e saj nën sundimin taleban.
Për tetë muaj ajo ka pritur për një vizë për në Britani, e cila ka premtuar se do t’u japë azil afganëve që kanë punuar për organizatat britanike.
Tani ajo është shtatzënë dhe viza e saj pakistaneze ka skaduar, thotë ajo për BBC.
Prandaj ajo është në rrezik dëbimi dhe i është thënë të mos e lërë adresën e saj për shkak të rrezikut për t’u zbuluar dhe arrestuar.
-Është e pamundur që unë të lind një fëmijë në dhomën time të hotelit. Nuk ka ndihma dhe askush që të më ndihmojë, thotë ajo.
-Ne kemi punuar për ta, tani është koha që ata të na ndihmojnë, thotë ajo për shtetin britanik.
Sipas Ministrisë së Brendshme pakistaneze, më shumë se 140,000 afganë janë larguar nga Pakistani për në Afganistan gjatë ditëve të fundit. Kjo ka ndodhur pavarësisht protestave të regjimit taleban në Afganistan, i cili ka kërkuar më shumë kohë për të përgatitur pritjen.
Një grup i përbërë nga 16 senatorë francezë, shumica e tyre të lidhur me partinë politike Republikanët (LR), prezantoi një projekt-ligj, të udhëhequr nga senatori Stéphane Le Rudulier, që synonte ta bënte anti-zionizmin një vepër penale. Senatori Le Rudulier argumenton se rritja e antisemitizmit është e lidhur me urrejtjen ndaj Izraelit.
Projektligji i propozuar, i cili u dorëzua për lexim të parë në Senat, përfshin dënime për vepra të ndryshme që lidhen me anti-zionizmin. Ai kërkon të ndëshkojë ata që mohojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit me një vit burgim dhe 45 mijë euro gjobë.
Ata që fyejnë shtetin e Izraelit do të përballen me dy vjet burgim dhe një gjobë prej 75 mijë eurosh, ndërsa ata që provokojnë drejtpërdrejt urrejtje ose dhunë ndaj Shtetit të Izraelit me pesë vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë.
“Me 16 senatorë kërkojmë kriminalizimin e anti-sionizmit. Shpërthimi i antisemitizmit ushqehet nga urrejtja ndaj Izraelit, hunda e rreme e urrejtjes së hebrenjve Anti-sionizmi mund t’i ekspozojë autorët e tij deri në 5 vjet burg dhe një gjobë prej 75,000 euro”, tha Le Rudulier në X.
Senatori Le Rudulier ka bërë thirrje gjithashtu për shpërbërjen e La France Insoumise, si dhe partitë që kanë mbrojtur terrorizmin dhe Hamasin, për të cilat ai thotë se bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe shfarosjen e hebrenjve.
Në një letër drejtuar Élisabeth Borne, senatori denoncon praninë e asaj që ai e quan “kolona e pestë e terrorizmit palestinez në Francë” dhe bën thirrje për shpërbërjen e disa grupeve politike të akuzuara për mbrojtjen e terrorizmit.
Disa komentues politikë kanë thënë se ka pasur një rritje të ngatërrimit të anti-zionizmit dhe antisemitizmit. Richard Wagman, presidenti i nderit i Unionit Hebre Francez për Paqe (UJFP), ka kritikuar ngatërresën, duke theksuar se antisemitizmi është një formë e diskriminimit dhe urrejtjes racore, ndërsa sionizmi dhe anti-sionizmi janë ide politike.
Gjermania ndalon Hamasin dhe grupin pro-palestinez
Sipas Reuters, Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, deklaron se të gjitha aktivitetet e Hamasit në vend do të ndalohen në të ardhmen.
Ndalimi vlen edhe për grupin pro-palestinez Samidoun, krahu gjerman i të cilit do të shpërbëhet.
Lidhur me Hamasin, sot kam ndaluar plotësisht të gjitha aktivitetet e një grupi terrorist qëllimi i të cilit është shkatërrimi i shtetit të Izraelit, thotë në një deklaratë ministrja e Brendshme Nancy Faeser.
Mousa Marzouk: Nuk është detyra jonë ti mbrojmë civilët, por e OKBsë
Terroristët e Hamasit nuk kujdesen për fatin e civilëve palestinezë, siç dëshmojnë tani deklaratat e fundit të një prej liderëve të organizatës. Në një intervistë për kanalin rus “Russia Today”, Mousa Abu Marzouk shpjegoi se sistemet e tuneleve nëntokësore në Rripin e Gazës u ndërtuan kryesisht për të mbrojtur ata vetë dhe jo popullsinë e pambrojtur.
Marzouk, një anëtar i “byrosë politike”, i pyetur pse udhëheqësit e Hamasit kishin ndërtuar qindra kilometra tunele, por jo bunkerë tha: “Ne i ndërtuam tunelet sepse nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për t’u mbrojtur prej tyre. Këto tunele duhet të na mbrojnë nga avionët. Ne do të luftojmë jashtë tuneleve.”
Pastaj Marzouk me ftohtësi dhe me cinizëm e zhvendos përgjegjësinë për popullsinë civile të pambrojtur në Perëndim:
“Të gjithë e dinë se 75 për qind e njerëzve në Rripin e Gazës janë refugjatë dhe se është detyra e Kombeve të Bashkuara t’i mbrojë ata. Sipas Konventës së Gjenevës, është përgjegjësi e fuqisë pushtuese t’u ofrojë atyre të gjitha shërbimet gjatë kohës që janë nën okupim.”
Me fjalë të tjera, Marzouk shpjegon numrin e lartë të viktimave civile vetëm si rezultat i sulmeve ajrore izraelite dhe “mosveprimit” perëndimor. Që nga fillimi i sulmeve ajrore të synuara, Izraeli është përpjekur të mbajë sa më të ulët numrin e viktimave civile.
Vetë Hamasi nuk bën asgjë për të mbrojtur popullsinë, përkundrazi: terroristët përdorin bashkatdhetarët e tyre si mburoja njerëzore për të mbajtur të paprekur infrastrukturën e tyre terroriste dhe për të qëndruar vetë gjallë.
Për ta bërë këtë, për shembull, ata ngritën depot e tyre të armëve nën shkolla, kopshte dhe spitale – madje edhe shumë afër objekteve të OKB-së.
Ndërsa Izraeli vazhdimisht i paralajmëron banorët e Rripit verior të Gazës që të largohen nga zona në jug, dëshmitarët okularë vunë re se si Hamasi i ndaloi njerëzit që ta bënin këtë dhe i ktheu në veri.
Hamasi përdor imazhet e viktimave civile për të mbjellë përçarje në Perëndim dhe për të rritur presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund operacioneve të tij ushtarake. Nëse kjo nuk mjafton, atëherë terroristët thjesht po manipulojnë.
Ndërkohë, dërgesat e ndihmave të OKB-së po arrijnë çdo ditë në Rripin e Gazës – së fundmi, 33 kamionë që transportonin ujë, ushqime dhe furnizime mjekësore kaluan pikën kufitare në Rafah të dielën. Është “dorëzimi më i madh i ndihmave humanitare që nga 21 tetori“, tha Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare (Ocha).
Gjithsej 117 kamionë që transportonin ndihma nga Egjipti kanë arritur në Rripin e Gazës që nga përshkallëzimi i fundit. Përpara se Izraeli të mbyllte territorin palestinez, rreth 500 kamionë të tillë hynin në Rripin e Gazës çdo ditë.
Një zyrtar i qeverisë amerikane tha të dielën se Izraeli ishte i përgatitur të lejonte 100 kamionë që transportonin ndihma të hynin në Rripin e Gazës çdo ditë. Ocha mirëpriti dërgesat e fundit, por përsëriti nevojën për ndihmë “shumë më të madhe”. Në veçanti, nevojiten pajisje mjekësore, ujë, kanalizime dhe karburant, tha ai.
Izraeli ka bllokuar të gjitha dërgesat e karburantit me arsyetimin se Hamasi do t’i përdorte ato për të prodhuar armë dhe eksplozivë.
Ministrja Federale e Brendshme Nancy Faeser (SPD) ka njoftuar tani se ndalimet e aktivitetit kundër Hamasit islamik dhe rrjetit pro-palestinez Samidoun, të cilat u shpallën nga kancelari Olaf Scholz javë më parë, do të zbatohen “për disa ditë”.
Qëndroi 16 vjet në burg gabimisht, vritet 3 vjet pasi u lirua
Leonard Allen Cure kaloi 16 vjet në burg për shkak të një dënimi të gabuar, ku më pas u shpall i pafajshëm. Të hënën, një oficer policie në shtetin amerikan të Georgias e vrau, tre vjet pasi u lirua, shkruan BBC. Ai u qëllua pasi policia i ndaloi veturën. Autoritetet pretendojnë se 53-vjeçari ka sulmuar policinë. Pasi është qëlluar me armë ka ndërhyrë ambulanca, por nuk i ka mbijetuar plagëve. “Vetëm ta imagjinoni se si është të dish që djali yt është i pafajshëm dhe ta shikosh duke u dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas ai lirohet dhe të thuhet se u vra nga një oficer”, ka thënë Seth Miller, avokati që përfaqësoi Curen gjatë gjyqit sa ishte në burg.
Vetura e tij u ndalua teksa ecte në autostradën që lidh shtetet e Georgias dhe Floridas. Ai doli nga automjeti dhe kur i thanë se do të arrestohej, nuk i zbatoi kërkesat e policisë. Pasi oficeri përdori elektroshokun, Cure e sulmoi atë. Oficeri përdori sërish elektroshokun dhe më pas e goditi me shkop. Më pas nxori armën dhe e ka qëlluar. Policia nuk ka dhënë detaje se përse duhej arrestuar Cure. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2004 për grabitje të armatosur dhe sulm në Florida. U lirua nga burgu në vitin 2020 pasi u shpall i pafajshëm. U pagua 817 mijë dollarë si kompensim pasi qëndroi në burg i pafajshëm.
Von der Leyen në Beograd: Njohja de facto e Kosovës nënkupton zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi në Beograd se njohja de facto e pavarësisë së Kosovës në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.
“Për çfarë bëhet fjalë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumentave dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, tha Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur një pyetjeje që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë.
Von der Leyen theksoi se kjo do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që, siç theksoi ajo, është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane. Zyrtarja evropiane shtoi se sulmi në Banjskë është krejtësisht i papranueshëm dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
Ajo i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë propozimin evropian për draftin e asociacionit dhe Kosovës ta zbatojë atë.
Në anën tjetër, Vuçiç ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë edhe para presidentes së Komisionit Evropian. “E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiç.