Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, duke u treguar me 18.40 për një dollar amerikan.

Kjo situatë vjen pasi Banka Qendrore e Turqisë e ka ulur normën e interesit – për herë të dytë brenda muajit – pavarësisht inflacionit të lartë.

Banka në Ankara ka thënë përmes një deklarate se “do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet” derisa të arrihet synimi i Qeverisë për inflacion 5 për qind.

Inflacioni turk ka rrëshqitur në mbi 80 për qind në gusht, sipas statistikave zyrtare.

Grupet e pavarura kërkimore besojnë se inflacioni brenda shtetit është dyfish më i madh sesa në shifrat zyrtare.

Banka Qendrore nuk e ka rritur normën e interesit prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimet e Bankës janë në linjë me teorinë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan që normat e ulëta të interesit, do të ndikojnë në ulje të inflacionit.

Sasitë e mëdha të importit që paguhen në dollarë kanë pasur ndikim të rëndë në kompanitë e vogla dhe ato të mesme në Turqi prej mesit të vitit 2018, kur lira është përballur me rënie të lirë.

Nga Michael Rubin “19 Forty Five”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë më shumë në mbrojtje të rendit liberal dhe mposhtjes së fashizmit sesa çdo udhëheqës që nga koha e kryeministrit britanik Winston Churchill në Luftën e Dytë Botërore. Burrat, gratë dhe fëmijët ukrainas kanë paguar një çmim shumë të lartë për këtë.

Në dallim nga shumë njerëz në Perëndim, që janë relativisht larg nga konflikti dhe kërcënimi ekzistencial, ukrainasit e kuptojnë shumë mirë koston e lirisë. Ndërsa administrata e presidentit amerikan Joe Biden është e unifikuar në mbështetje të ukrainasve në momentin që ata kanë më shumë nevojë se kurrë, e bënë këtë gjë me vonesë, duke vërtetuar disi batutën ironike të Churchillit: “Amerikanët bëjnë gjithmonë gjënë e duhur, por vetëm pasi në fillim kanë provuar gjithçka tjetër.”

Ukrainasit do të triumfojnë në këtë luftë, madje edhe nëse presidenti rus Vladimir Putin, mund të përdorë nga dëshpërimi armët bërthamore taktike. Për ta shmangur skenarin e fundit, shumë diplomatë perëndimorë mund të kërkojnë kompromis: ta lejojmë Rusinë të mbajë Krimenë apo disa pjesë të vetë-quajturave Republika Popullore të Donetsk dhe Luhansk, të grabitura gjatë agresionit të mëparshëm të Rusisë.

Por ky do të ishte një gabimi rëndë, pasi do të dërgonte mesazhin se agresioni ka pak kosto, dhe do të inkurajonte agresorët e ardhshëm që të angazhohen në të njëjtat taktika, siç po i përdor më butë Kina në Detin e Kinës Jugore, Azerbajxhani në Kaukaz apo Turqia përgjatë kufijve të saj në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje.

Kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është real. Putini është produkt i Bashkimit Sovjetik, ndaj është e shumë rëndësishme të kuptohen ndikimet e tij. Pasi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Polonisë, intelektuali dhe studiuesi Radek Sikorski de-klasifikoi skenarët sovjetikë që përfshinin përdorimin e armëve bërthamore në një luftë tokësore në Evropë.

Ato tregonin për turpin e Moskës, se udhëheqësit sovjetikë ishin të gatshëm të sakrifikonin polakët për të fituar. Putin ka të ngjarë që t’i konsiderojë ukrainasit rusisht-folës në Donetsk dhe Luhansk, si mish për top për të marshuar në territorin e ndotur nga rrezatimi radioaktiv, nëse ai do të përdorë armë bërthamore me rreze të kufizuar.

Përgjigja e saktë e Perëndimit ndaj një skenari të tillë, është që të mos i dorëzohemi frikës, dhe të vazhdojmë me strategjinë tonë parandaluese, si tani ashtu edhe në të ardhmen. Fakti që Bashkimi Sovjetik dhe pasardhësi i tij Rusia i kanë viktimizuar në mënyrë të përsëritur ukrainasit, vetëm e shton detyrimin për të vazhduar me këtë qasje.

Udhëheqësit sovjetikë vranë qëllimisht 4 milionë ukrainas gjatë Holodomorit, një gjenocid që i parapriu Holokaustit nazist. Fakti që presidenti amerikan George H.W Bush u përpoq më pas që t`u impononte ukrainasve të vazhdonin të ishin pjesë e të njëjtit shtet me torturuesit e tyre, mbetet një njollë e errët në trashëgiminë e presidentit të ndjerë.

Ndërkohë Perëndimi nuk mund të injorojë as faktin që përpara luftës aktuale, Rusia nkishte pushtuar pjesë të mëdha të territorit ukrainas. Fakti që Putini e bëri këtë pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme, i jep çdo qeverie të ardhshme në Kiev të gjitha arsyet të ketë frikë nga premtimet e Moskës, por edhe Uashingtonit.

Ukraina e pasluftës do të kërkojë arkitekturë të re të sigurisë, në mënyrë që Kievi të mos ketë nevojë që ta vendosë kurrë sigurinë e tij në mirëbesimin e vendeve fqinjë dhe partnerëve. Ndërsa Ukraina nuk ishte deri në fillim të këtij viti një kandidate serioze për t’u anëtarësuar në NATO, pavarësisht akuzave të izolacionistëve amerikanë dhe apologjetëve të Rusisë, ajo duhet të bëhet tani pjesë e aleancës, madje në mënyrë të përshpejtuar.

Pasi sot Ukraina do të sillte në NATO më shumë aftësi dhe kontribute se sa shumë anëtarë të tjerë të NATO-s. Madje NATO mund të përdorë një pjesë të frymës së jashtëzakonshme luftarake që kanë demonstruar ukrainasit. Në stërvitjet e ndryshme, forcat e NATO-s mund të përdorin udhëzimet e oficerëve ukrainas që kanë tashmë shumë përvojë në betejë.

Përvojat e ushtarakëve në Ukrainë, duhet shndërrohen në udhëzime për trajtimin e oficerëve të ardhshëm të NATO-s, nga Calgary në Kharkiv dhe nga Oslo në Odessa. Pentagoni duhet të zhvendosë ekipet e veta luftarake jo vetëm në Poloni dhe Rumani, por edhe në Ukrainë.

Megjithatë as anëtarësimi në NATO i Ukrainës, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të penguar sulmet e ardhshme të Rusisë. Tek e fundit, Putini ose pasardhësit e tij mund të synojnë që ta paralizojnë nga brenda aleancën e sigurisë, duke përdorur lidhjet e saj (dhe ndoshta nëpërmjet ryshfetit të drejtpërdrejtë) në shtete si Turqia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Përkundrazi, është gjithashtu koha që ukrainasit të lejohen ta fuqizojnë veten e tyre. Kjo nënkupton një rishqyrtim të qasjes së Kievit ndaj armëve bërthamore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara inkurajuan Ukrainën, së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, që të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore.

Siç e ka vënë në dukje opozitari rus dhe mjeshtri botëror i shahut Garry Kasparov, kjo lëvizje e fuqizoi shumë Rusinë në krahasim me shtetet e tjera ish-sovjetike, dhe tregon zbrazëtinë e ankesave të Kremlinit se Perëndimi e poshtëroi Rusinë pas rënies së BRSS.

Vetë Putini i dha fund premtimit të pas Luftës së Ftohtë, se Rusia do të qëndronte e vetme në krye të shumë shteteve ish-sovjetike, por nuk do t’i kërcënonte ato. Po ashtu ai shkeli angazhimet e Rusisë ndaj sovranitetit të Ukrainës të marra në Memorandumin e Budapestit. Perëndimi nuk duhet të lejojë që Moska ta na bëjë sërish budallenj. Qëllimi i Perëndimit duhet të jetë rivendosja e parandalimit bërthamor në Ukrainës, dhe vendosja e armëve bërthamore nën kontrollin e Ukrainës.

Kjo nuk do të rrezikonte ndonjë luftë bërthamore; Përkundrazi, mungesa e një mjeti të tillë parandalues nga ana e Ukrainës, është arsyeja pse kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia është bërë një shqetësim kaq i madh.

Ka ardhur koha për ta përshtatur strategjinë e dikurshme të parandalimit me botën në të cilën jetojmë, dhe jo me parametrat të cilat janë diskutuar dikur nga dëshira apo frika. Pas një gjenocidi të udhëhequr nga sovjetikët dhe dy luftërave të agresionit rus në Ukrainë, është koha t’i jepet kuptim shprehjes “kurrë më”. Edhe nëse kjo është në kurriz të praktikës së vjetër të mospërhapjes së armëve bërthamore.

Shënim:Dr.Michael Rubin është anëtar i think-tankut “American Enterprise Institute”, dhe ekspert mbi çështjet e diplomacisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar të premten pamje nga zhvarrimi që po u bëhet trupave në një varr masiv të gjetur pranë qytetit të Izium-it.

Në një tekst që shoqëronte fotografinë në kanalin e tij Telegram, Zelensky shkroi: “E gjithë bota duhet ta shohë këtë. Një botë në të cilën nuk duhet të ketë mizori dhe terrorizëm. Por e gjithë kjo është atje. Dhe emri i saj është Rusi.”

“Më shumë se 400 trupa u gjetën në vendin e varrimit masiv në Izium. Me shenja torturash, fëmijë, të vrarë si rezultat i sulmeve me raketa, luftëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës,” tha Zelensky.

Rusia lë vetëm vdekje dhe vuajtje pas,” vazhdoi ai, përpara se të zotohej: “Nuk do të ikni. Nuk do të fshiheni. Ndëshkimi do të jetë me të drejtë i tmerrshëm.”

Ndërsa zhvarrosja vazhdon, është e paqartë se si ka vdekur secila viktimë dhe kur. Dhjetëra civilë dhe ushtarë u vranë në bombardimet njëjavore të Izium nga forcat ruse në mars dhe prill.

Një ekip i CNN në vend tha se varret që panë ishin kryesisht individësh, disa të shënuar vetëm me numra dhe të tjerë me emra të plotë dhe detaje të tjera.

Dy anije luftarake amerikane po kalojnë nëpër ngushticën e Tajvanit, ka njoftuar Marina amerikane.

Ky është operacioni i parë i tillë që ndodh që kur tensionet midis Tajvanit dhe Kinës u rritën pas një vizite të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan në fillim të këtij muaji. Kina reagoi duke mbajtur stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë në zonë.

SHBA dhe marina e tjera perëndimore kanë lundruar në mënyrë rutinore përmes ngushticës vitet e fundit, shkruan BBC

Uashingtoni thotë se dy kryqëzorët me raketa të drejtuara – USS Antietam dhe USS Chancellorsville – po demonstrojnë lirinë e lundrimit nëpër ujërat ndërkombëtare.

Pekini i sheh veprime të tilla si provokuese dhe pohon se ishulli i Tajvanit është një pjesë integrale e territorit kinez.

Të dielën, ushtria e saj tha se po monitoronte përparimin e dy anijeve, duke mbajtur një gatishmëri të lartë dhe ishte e gatshme të mposhtte çdo provokim, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Marina amerikane tha në një deklaratë se tranziti përmes ngushticës së Tajvanit demonstroi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.

“Këto anije kaluan tranzit përmes një korridori në ngushticën që është përtej detit territorial të çdo shteti bregdetar”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se anijet po lundronin në drejtim të jugut dhe se forcat e saj po vëzhgonin, por se situata ishte normale.

Tajvani është i vetëqeverisur, por Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur me të cilën do të bashkohet përfundimisht, me forcë nëse është e nevojshme. Tajvani është bërë një tjetër pikë e nxehtë mes Uashingtonit dhe Pekinit në vitet e fundit, me SHBA-në që ecin në një litar të ngushtë diplomatik për këtë çështje.

SHBA i përmbahet politikës “Një Kinë” – një gur themeli i marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve që njeh vetëm një qeveri kineze – dhe ka lidhje formale me Pekinin dhe jo me Tajvanin.

Por ajo gjithashtu mban një marrëdhënie të fortë jozyrtare me ishullin. Kjo përfshin shitjen e armëve për Tajvanin për t’u mbrojtur.

Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të dobëta? Kina e sheh ishullin e vetëqeverisur si pjesë të territorit të saj dhe këmbëngul se duhet të bashkohet me kontinentin, me forcë nëse është e nevojshme.

Si qeveriset Tajvani? Ishulli ka kushtetutën e tij, udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300,000 trupa aktive në forcat e tij të armatosura.

Kush e njeh Tajvanin? Vetëm disa vende e njohin Tajvanin. Shumica e njohin qeverinë kineze në Pekin. SHBA nuk ka lidhje zyrtare me Tajvanin, por ka një ligj që i kërkon t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur. /abcnews.al

Ndihma e re e SHBA-së për Kievin, 3 miliardët jo vetëm për luftën aktuale

Pentagoni ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, gjithashtu më e madhja deri më tani. Vlera e saj shjon në rreth 3 miliardë dollarë.

Dorëzimi i ri i qeverisë amerikane përfshin gjashtë sisteme raketore të avancuara anti-ajrore NASAMS, një numër ende të panjohur sistemesh anti-drone të quajtur VAMPIRE, si dhe ngarkesa me municion artilerie, radar dhe materiale të tjera, shkruan The Drive.

Transferimet e planifikuara të armëve dhe pajisjeve ushtarake pritet të bëhen gjatë disa viteve. Amerikanët theksojnë se fokusi i tyre është zhvillimi i ushtrisë ukrainase në planin afatgjatë, pavarësisht se si mund të zhvillohet konflikti me Rusinë.

Vlera totale e ndihmës është 2.98 miliardë dollarë dhe do të shpërndahet përmes Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI). Është një mekanizëm i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën që u krijua përpara fillimit të pushtimit rus.

Duhet të theksohet se ai është i ndarë nga dorëzimi i armëve dhe materialeve të tjera të miratuara nga Presidenti Joe Biden përmes Autoritetit të tërheqjes presidenciale.

Përkatësisht, tërheqjet e tilla të aksioneve përfshijnë transferimin e artikujve nga inventari ushtarak amerikan, ndërsa USAI financon blerjen direkte të armëve të reja dhe pajisjeve të tjera, si dhe trajnimin e ushtarëve, mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake dhe shërbime të tjera të ngjashme për Ukrainën.

“Kjo paketë do t’i mundësojë Ukrainës të përvetësojë sisteme të mbrojtjes kundërajrore, sisteme artilerie dhe municione, sisteme drone kundërajrore dhe radarë në mënyrë që të mund të vazhdojë procesin e zhvillimit ushtarak,” tha Presidenti i SHBA Joe Biden kur uroi ukrainasit për Ditën e Pavarësisë.

Çfarë lloj arme?

NASAMS është një sistem norvegjeze-amerikan i mbrojtjes ajrore me rreze të mesme dhe të gjatë. Është gjithashtu sistemi i parë nga i cili raketat AIM-120 AMRAAM (ajër-ajër) janë gjuajtur nga toka.

Gjithsej tetë sisteme, aq sa do të ofrojnë amerikanët, duhet t’u ofrojnë ukrainasve mbrojtje të shkëlqyer kundër avionëve, raketave dhe dronëve. Për më tepër, sistemi NASAMS, i zhvilluar së bashku nga kontraktori amerikan i mbrojtjes Raytheon dhe firma norvegjeze Kongsberg, është thjesht më modern dhe më efektiv se sa sistemet ekzistuese të raketave tokë-ajër me rreze të shkurtër dhe të mesme të Ukrainës që datojnë që nga epoka sovjetike.

Ajo që mbetet e paqartë është se si do të konfigurohen sistemet NASAMS. Për shembull, disa variante të NASAMS janë montuar në Humvees ose automjete të tjera të ngjashme të ngarkesave të blinduara. Të njëjtat pyetje vlejnë edhe për municionet që SHBA-ja është zotuar të dërgojë me këto sisteme.

“Vampiri” misterioz

Interesant është edhe i ashtuquajturi “Vampir”, një sistem për të luftuar dronët. Armët e ngjashme nuk janë përfshirë në paketat e mëparshme të ndihmës ushtarake amerikane. Në fillim, nuk ishte as e qartë se çfarë ishte në të vërtetë ky sistem. Në raportet e para gabimisht shkruhej se bëhej fjalë për një dron tjetër.

Përkatësisht, për shkak të ngjashmërisë në emër, këto sisteme janë zëvendësuar me Project Vampire, një program i Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e mjeteve ajrore pa pilot që lëshohen nga një anije.

L3Harris, një kompani private nga SHBA që merret me teknologjinë e mbrojtjes dhe bashkëpunon me Pentagonin, më pas konfirmoi për portalin Breaking Defense se “Vampiri” misterioz është një version i ri i sistemit të pajisjeve raketore të paletizuara të automjeteve-Agnostic Modular ISR (akronimi VAMPIRE ).

Portalet ushtarake amerikane përgjithësisht bien dakord në vlerësimin se, edhe nëse nesër arrihet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, rreziku i konflikteve të reja do të mbetet në një nivel jashtëzakonisht të lartë.

Me këtë në mendje, amerikanët thonë se ushtria ukrainase tani duhet të planifikojë se si të rindërtojë dhe modernizojë veten në epokën e pas konfliktit. Kjo paketë e fundit, thonë ata, është hapi i parë drejt modernizimit të ushtrisë ukrainase. /tesheshi.com/

CNN

Sipas një raporti sekret të NATO –s, Rusia po tërheq të gjithë avionët e saj luftarakë nga gadishulli i Krimesë.

Kjo lëvizje e Rusisë vjen pas shpërthimeve dhe sulmeve të njëpasnjëshme ndaj objekteve ushtarake, depove të municioneve dhe madje edhe selisë së vetë Flotës së Detit të Zi.

Dhjetë avionë luftarakë, gjashtë luftarakë SU-35C dhe katër MIIG-31BM, janë tërhequr tashmë nga baza ajrore Belbek në Krime në bazat në Rusinë kontinentale.

Lëvizja e avionit ka për qëllim “të parandalojë Rusinë nga humbjet e mundshme të mëtejshme nga sulmet ukrainase”, thekson raporti, duke vënë në dukje se “dronet ukrainase janë të vështira për t’u identifikuar si objektiva për sistemet ruse të mbrojtjes ajrore”.

Nëntë avionë luftarakë rusë u shkatërruan në një sulm në bazën ajrore Suki të Krimesë në gusht për të pasuar një seri shpërthimesh në depo municionesh, ku më i fundit ishte një sulm me dron që synonte selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol. Largimi i luftëtarëve nga Krimea pranë vijës së frontit mund ta bëjë më të vështirë për Rusinë përdorimin e tyre në operacionet në Ukrainë.

Sipas raportit të NATO-s, baza ajrore Belbek , e cila ndodhet afër Sevastopolit, është baza kryesore ajrore nga e cila ofrohet mbështetje për operacionet ruse në Ukrainën jugore dhe në Detin e Zi.  Sulmet e fundit e kanë kthyer gadishullin e Krimesë nga një fortesë e sigurt ruse në një fushë beteje të re në luftë.

Shumë vende po largohen nga Rusia, por njëra po afrohet më shumë: Turqia. Turistët dhe emigrantët rusë po derdhen në Stamboll dhe në vendpushimet bregdetare të vendit, duke rrëmbyer me mijëra prona. Rusia po ndihmon për të financuar një central bërthamor që kushton 20 miliardë dollarë në Akkuyu, në jug. Ndërsa shumë vende kanë shkurtuar eksportet në Rusi që nga pushtimi i saj në Ukrainë, Turqia është rritur me 60% në terma dollarë. Firmat perëndimore, të kufizuara nga sanksionet, duket se po përdorin Turqinë si ndërmjetës për të eksportuar në Rusi.

Politika e çuditshme monetare e Turqisë është një arsye pse vendi është kaq i prirur për paratë ruse. Pavarësisht rritjes së inflacionit në 80%, më 18 gusht banka qendrore e Turqisë uli normën e saj të interesit nga 14% në 13%—përgjigja e kundërt me atë që do të rekomandonte çdo ekonomist i arsyeshëm. Rexhep Tajip Erdogan, presidenti i Turqisë, dëshiron më pak kosto të huamarrjes në mënyrë që të frenojë ekonominë dhe kështu të përmirësojë shanset e tij në zgjedhjet verën e ardhshme. Por politika e lirshme monetare ka bërë që lira të bjerë. Ajo ka humbur tre të katërtat e vlerës së saj kundrejt dollarit që nga viti 2018, dhe një monedhë më e dobët shton vështirësitë e inflacionit të Turqisë duke rritur akoma më shumë koston e importeve.

Hyni në lojën kundër sanksioneve. Turqia ka nevojë të dëshpëruar për monedhat e huaja për të blerë lira në tregjet financiare, duke mbështetur kështu vlerën e monedhës pa rritur normat. Banka qendrore ka shpenzuar ndoshta dhjetëra miliarda dollarë në këtë mënyrë muajt e fundit. Rusia është duke notuar në valutë të fortë nga eksportet e hidrokarbureve dhe nuk ka miq dhe mallra të huaja. Eksportet turke në Rusi ndihmojnë në forcimin e rezervave valutore të zotit Erdogan, pasi eksportuesit tani duhet të shkëmbejnë disa nga të ardhurat e tyre të huaja me qeverinë për monedhën vendase. Pra, sanksionet dhe politika monetare e çmendur janë dy anët e së njëjtës medalje.

Politikanët amerikanë kanë sinjalizuar shqetësimin e tyre për strategjinë e Turqisë. Analistët paralajmërojnë se rrezikon sanksione dytësore. Por zoti Erdogan i sheh paratë si më të rëndësishme sesa marrëdhëniet e ngrohta me Perëndimin. “Ai ka një zgjedhje për të fituar,” thotë Timothy Ash nga BlueBay Asset Management. “Ai do ta çojë atë në kufi”.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga The Economist

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov e ka bërë një listë të arsenalit të armëve që thotë se i duhen Ukrainës për t’i çliruar territoret e pushtuara nga Rusia dhe “për ta arritur fitoren e plotë”.

Furnizimi me sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme të artilerisë MLRS, tanke, avionë luftarakë e raketa kundër anijeve janë disa nga kërkesat e Ukrainës për vendet e NATO-s.

“Për ta arritur fitoren e plotë mbi agresorin dhe çlirimin e territoreve të Ukrainës na duhen armë. Armë moderne. Një numër i madh i armëve të rënda moderne”, ka shkruar Reznikov në Twitter.

“Falenderoj të gjithë partnerët tanë për ndihmën e tyre ushtarake. Ne kemi besim se do të vazhdojë. #ArmatoseniUkrainënTani”, ka shtuar ai. 

Sistem të artilerisë MLRS

Ishte përballja e vetme televizive e dy kundërshtarëve në prag të balotazhit presidencial të së dielës, dhe Macron e shfrytëzoi sa mundi për të nxjerrë në dritë të keqe nacionalisten Le Pen.

Për gati tre orë, kandidatët për kreun e e Elizesë u përplasën për çështje si kostot e jetesës, Rusia, ndryshimet klimatike dhe emigracioni.

Le Pen kundërshtoi sanksionet mbi gazin dhe naftën ruse, duke thënë se një masë e tillë do t’i bëjë më shumë dëm Francës se sa Rusisë.

E ashpër replika e Macron që akuzoi rivalen nacionaliste se varet nga pushteti rus. Ai citoi një hua prej 9 milionë eurosh nga një investitor rus për Le Pen.

“Ju vareni nga pushteti rus, ju vareni nga Putin. Ju morët një kredi nga një bankë ruse në vitin 2015. Ajo flet me bankierin e saj në Rusi, dhe jo me liderët e tjerë botërore”, tha Macron.

Ndërsa Le Pen u përgjigj: “Ai e di shumë mirë se unë jam një grua e lirë dhe e pavarur. Mbroj Francën dhe francezët sepse jam patriote, këtë e kam treguar”.

Megjithatë gjatë debatit me Macron, Le Pen shprehu solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe tha se agresioni rus në këtë shtet është i papranueshëm.

Dy kandidatët u përplasën gjithashtu për çështjen e emigracionit dhe lidhur me dëshirën e Le Pen për t’u hequr grave myslimane të drejtën e mbajtjes së shamive.

“Dua të ndaloj hixhabin në hapësirat publike. Dua ta them në mënyrën më të qartë, ajo është një uniformë e imponuar nga islamikët”, tha Le Pen.

“Ajo që shqetëson në deklaratat e tuaja është rruga që zgjedh. Nga pyetja për shaminë kalon tek terrorizmi dhe më pas tek Islamizmi dhe të huajt. Ju krijoni konfuzion lidhur me problemet”, shtoi Macron.

Sipas një sondazhi të institutit Elabe, ishte Macron fituesi i debatit televiziv, me një diferencë të theksuar prej 59 me 39 për qind. Macron, i cili fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rezulton të jetë në avantazh ne prag të balotazhit, por miliona votues janë ende të pavendosur./A2CNN

Peruja filloi të djegë më shumë se 10 tonelata drogë të kapur nga dhjetori 2021 deri në mars 2022. Presidenti Pedro Castillo, si dhe Charles Sewall, drejtori i seksionit kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjit të Ambasadës së SHBA-së, ishin të pranishëm në operacionin e djegies në Lima.

Autoritetet peruane thanë në një deklaratë se më shumë se 6.2 tonelata bazë kokaine do të digjen, si dhe më shumë se 4.6 tonë hidroklorur kokaine.

Llojet e tjera të drogës, të sekuestruara nga dhjetori deri në mars, që gjithashtu do të digjen, përfshijnë 5 tonelata marihuanë dhe 7 të tjera derivate amfetamine.

Sipas autoriteteve, gjethet e kokës përdoren kryesisht për të prodhuar, nëpërmjet një procesi kimik hidroklorurin e kokainës që nxirret jashtë vendit me avionë të vegjël në Bolivi dhe Brazil ose në anije që shkojnë nga Paqësori në Evropë.