Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e ka gjetur kabinetin me borxhe dhe porosi që sipas tij janë të dyshimta dhe të paarsyeshme. Paraardhësi i tij, Krenar Lloga ka zhdukur dokumentin e klasifikuar të Misionit Vlerësues të KE-së. Për këtë Filkov thotë se ka hetim dhe do të vërtetohet se ku ka përfunduar. Ai shpalosi edhe porositë e ombrellave, bluzave dhe shisheve të cilat janë arsyetuar, ndërsa tha se Lloga ka blerë telefona celular me vlera marramendëse nga çmimi real në treg, ndërsa në porosi ka përfshirë edhe skuterë elektrik. Filkov tha se nevoja e këtyre porosive nuk është arsyetuar dhe mungon evidenca, aq më tepër sa sipas tij, pajisjet nuk janë kthyer.

“Mora detyrën pa pranim-dorëzim nga paraardhësi im dhe kabinet i zbrazur pa mëshirë, por me gjëra të sapo porositura si: ombrella, bluza, çanta, shishe dhe gjëra të tjera secila prej tyre nga 200 copë dhe faturë e papaguar prej 956 mijë denarë për të njëjtat. Hasa në resurse të zbrazura financiare. Nuk ka evidencë për marrjen dhe shfrytëzimin e telefonave celular, laptopa dhe skuter elektrik. Kjo dëshmon për mëvetësimin e ministrisë nga paraardhësi im”, deklaroi Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Në muajin nëntor do të fillojnë debatet publike për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Mbi ndryshimet në Kodin Penal, po kërkohen modalitete se si do të mund të përfshihen dispozita me fuqi retroaktive.

“Mbi Këshillin Gjyqësor e dini se gjatë muajit që pason do të fillojmë me debatet publike për Ligjin mbi Këshillin Gjyqësor. Momentalisht do të shkojmë me grup të ri pune. Akoma punohet gjetjen e zgjidhjes me të mirë. Nuk diskutohet ajo që neve duam ta bëjmë rreth Kodit Penal. Ajo për të cilën duhet të diskutohet është se ligji nuk lejon zbatimin retroaktiv dhe neve duhet të fokusohemi këtu për të gjetur zgjidhjen e duhur se si të ketë përgjegjësi për atë që është bërë deri tani”, tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Filkov deklaroi se në përpunim është edhe ligji që do të rregullon pensionimin e gjykatësve dhe se kufiri i propozuar është paraparë 67 vjeç. /Alsat.mk

Shpërndaje artikullin në: