TIRANË- Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, në përfundim të akt-ekspertimeve të tre të vrarëve, kanë arritur në konkluzionin se të tre janë qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 mm. Sipas këtyre të dhënave të siguruara nga burimet pranë Mjekësisë Ligjore dhe raporteve që tashmë janë administruar në dosjen hetimore, mësohet se të tre viktimat janë vrarë nga armë zjarri në vende të ndryshme në një afat të ngushtë kohorë mes tyre. I pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Hekuran Deda nga Dibra, i cili ndodhej rreth 10 metra nga porta hyrëse e kryeministrisë, hipur në dy tavolina të vendosura nga televizionet private për të pasqyruar demonstratën. Viktima Deda ka qenë duke zbritur nga tavolinat, ku plumbi e ka qëlluar në anën e majtë të kokës, mes veshit dhe ballit, duke i shkaktuar një plagë tejshpuese dhe vdekjeprurëse.
Plumbi që ka qëlluar Dedën, ka goditur edhe një gazetar të televizionit ABC duke i shkaktuar plagosjen në dorë. Viktima Deda, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore ka gjetur vdekjen nga një plumb i kalibrit 9 mm.
Më pas, vetëm pak sekonda nga vrasja e Dedës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ziver Veizi nga Gjirokastra, i cili ndodhej rreth tre metra nga porta hyrëse e kryeministrisë në bulevard. Sipas raportit të mjeko-ligjorëve, viktima Veizi ka marrë një plumb në kraharor, në anën e djathtë ballore. “Plumbi që ka sjell vdekjen e tij, është i kalibrit 9 mm”, – thuhet në raportin e prokurorisë.