Ligji garanton shqyrtimin nga kushdo të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave
Kryeministri Berisha mbetet i hapur për të bërë çdo kompromis me Partinë Socialiste me vullnetin e palëkundur për të respektuar përcaktimet ligjore dhe kushtetuese të vendit. Duke iu përgjigjur interesit të medias rreth kësaj çështjeje, kreu i ekzekutivit shqiptar ka shprehur optimizmin se ekziston vullneti dhe vendosmëria që në mënyrë të padiskutueshme dhe në respekt të plotë me kuadrin ligjor e kushtetues të vendit, çdo force politike por edhe qytetarëve t’u jepet një përgjigje sa më dinjitoze. “Pa diskutim ka një vendosmëri dhe vullnet të padiskutueshëm që në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi, të cilat mundësojnë t’u jepet përgjigje dinjitoze çdo force politike dhe çdo qytetari të Shqipërisë, çdo gjë është e mundshme”, është shprehur kreu i qeverisë. I pyetur lidhur me mundësinë e gjetjes së një kompromisi të përbashkët brenda dy javësh, Berisha theksoi se pa asnjë lloj hezitimi qeveria në përputhje me atë çka ofron Kushtetuta e vendit do të jetë e gatshme të dialogojë për gjetjen e gjuhës së përbashkët me opozitën. Ndër të tjera, ai theksoi se përveç Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, është i gatshëm të lëshojë në çdo pikë. Berisha vlerësoi çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë vuri në dukje se ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër, të cilën ligji i njeh gjithkujt.


