Gurët në veshka cilësohen si një ndër komplikacionet më të shpeshta që rëndojnë shëndetin e shqiptarëve.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se si duhet të kujdesemi për të mbajtur sa më larg komplikacionet që vijnë si rezultat i formimit të gurëve në veshka. Çdo ditë organizmi ynë ka nevojë për eliminimin e toksinave (helmeve) dhe mbeturinave që krijohen nga jetesa dhe ushqyerja jonë e përditshme. Në këtë proces të domosdoshëm jetësor, veshkat janë organi më i rëndësishëm i trupit të njeriut. Ato përbëjnë filtrin e gjakut nga mbeturinat. Gjithashtu ato janë edhe rregullatori i bilancit elektrolitik të organizmit tonë. Kur urina grumbullohet në veshka, ajo filtrohet dhe përmes dy tubave të ngushtë (një për secilën veshkë dhe të quajtur ureteri) derdhet në vezikë (fshikëza e urinës). Kur vezika mbushet plot, ajo boshatiset dhe derdhet jashtë nëpërmjet një tubi tjetër më të trashë dhe që quhet uretra. Shpesh, me urinën eliminohen kristale kimike duke filluar nga përmasat e kokrrizave të rërës, të cilat me kalimin e kohës zhvillohen në gurë me përmasa të ndryshme që formohen në veshka ose në rrugët urinare.
Pse krijohen gurët në veshka?
Gurët në veshka krijohen kur urina përmban me shumicë substanca të caktuara. Këto substanca mund të krijojnë kristale të vogla, të cilat me kalimin e kohës bashkohen dhe bëhen gurë. Faktori më i madh i rrezikut për formimin e gurëve është dehidrimi (humbja dhe mosmarrja e sasisë së duhur të lëngjeve. Prandaj pirja e lëngjeve është e rëndësishme për të shmangur dehidrimin. Mbajtja e urinës e holluar shmang pikërisht bashkimin e kristaleve të vogla dhe formimin e gurëve. Si udhëzues për këtë shërben gjithmonë ngjyra e urinës. Urina e qartë është në rregull kurse urina e verdhë ose e errët tregon përqendrim të lartë dhe është shenjë për marrjen e më shumë lëngjeve, sidomos në stinën e verës kur dehidrimi është më i shprehur si rezultat i avullimit apo djersitjes nga vapa e madhe. Rekomandohet pirja e lëngjeve (6-8 gota ujë në ditë ose edhe lëngje të tjera) për të pasur prodhimin e sasisë së duhur të urinës dhe me përqendrimin e duhur. Gurët në veshka janë ndër afeksionet të shpeshta të aparatit urinar. Shpesh ato kanë edhe karakter familjar. Si fenomen vërehet më shpesh në meshkuj se në femra dhe shfaqen kryesisht rreth moshës 20-30 vjeç. Formimi i gurëve favorizohet edhe nga patologji të shumta të zorrëve, procedurat e kimioterapisë, patologji të aparatit urinar, sëmundje të tjera, mënyra e jetesës, mënyra e ushqyerjes e shumë faktorë të tjerë. Rreth 80 për qind e gurëve në veshka janë të përbërë nga kalçiumi dhe minerale të tjera, zakonisht një kombinim i kalçiumit me oksalate, prandaj edhe në shumicën e rasteve rregullimet në dietë janë të domosdoshme për të ndihmuar në parandalimin e formimit të gurëve në vazhdimësi apo në përsëritjen e tyre.
Cilat janë simptomat klinike te pacientët që vuajnë nga kjo patologji?
Kemi parë njerëz që vuajnë nga gurët në veshka të përjetojnë dhimbje të pabesueshme. Gurët zakonisht formohen në veshka, por ata mund të zhvillohen kudo në traktin urinar. Kur gurët janë mjaft të vegjël ata mund të kalojnë pa u vënë re dhe të eliminohen nëpërmjet urinimit. Ndërsa kur përmasat janë të konsiderueshme, lëvizja e tyre përmes traktit urinar bëhet e dhimbshme, kjo për shkak edhe të formës së tyre të çrregullt e me cepa që shkakton dhimbje dhe gërvishtje gjatë kalimit të tyre nëpër rrugët urinare.
Në disa raste, gurët të cilët janë të lokalizuar në veshka, janë të ngulitur e të pozicionuar mirë e nuk mund të lëvizin prej aty. Në këto raste kërkohet ndërhyrje mjekësore nëpërmjet operacioneve ose nëpërmjet thërrmimit të tyre me aparatura të posaçme
Gurët në veshka nuk prodhojnë simptoma klinike derisa ata fillojnë të lëvizin në tubat urinarë përmes të cilëve urina derdhet në fshikëz. Dhimbjet e lëvizjes së gurëve në veshka janë tipike, të mprehta, të forta sikur të zë ngërçi. Dhimbjet shpesh përhapen si valë, ashtu sikundër guri lëviz nëpër traktin urinar. Guri në varësi të përmasave mund të ngeci gjatë kalimit nëpër këto rrugë dhe të bllokojë rrjedhjen e urinës. Kur gurët bllokojnë rrjedhjen e urinës, atëherë shkaktohet ënjtje e veshkave duke provokuar kështu dhimbje të rënda. Dhimbja përfshin ijet, mesin apo edhe zonën gjenitale. Gjithashtu pacientët mund të kenë ethe, të përziera, të vjella, dhimbje në fund të barkut etj. Shumë shpesh lëvizja e gurëve shoqërohet me infeksion urinar gjatë të cilit kemi urinim të shpeshtë e me djegie, urinim me gjak (nga gërvishtjet që shkakton guri nga lëvizjet nëpër traktin urinar), temperaturë, dobësi të përgjithshme etj.
Si vihet diagnoza dhe çfarë rekomandohet?
Për diagnozën në radhë të parë orientohemi nga shenjat klinike që përmendëm më lart, e që janë mjaft tipike. Pastaj si fillim kërkojmë një ekzaminim të urinës dhe në qoftë se izolojmë copëza të gurit kërkojmë ekzaminimin kimik të tij. Mjaft rëndësi ka një ekzaminim ekografik për të parë pozicionimin e gurit në veshka dhe për të përcaktuar terapinë që do të ndiqet. Çdo pacient ka individualitetin e vet në varësi të cilit mjeku përcakton terapinë specifike. E rëndësishme për pacientët është që të dinë se mënyra e jetesës dhe mënyra e ushqyerjes mund të ndihmojnë në parandalimin e formimit të tyre si edhe në shpërndarjen e tyre. Duke qenë se gurët janë të llojeve të ndryshme, është e rëndësishme përcaktimi i përbërjes së tyre dhe ndryshimet në dietën e përditshme ushqimore. Duke qenë se rreth 80 për qind e gurëve kanë në përbërjen e tyre kalçiumin dhe oksalatet, do të rekomandohej që këta pacientë nuk duhet të përdorin në dietën e tyre të përditshme më shumë se 50mg oksalate. Organizmi ynë përmban vetë oksalate, por sasia e tyre mund të rritet nëpërmjet ushqimeve të cilat konsiderohen si burim i oksalateve. Ndër perimet shumë te pasura me oksalate përmendim spinaqin, panxharin, bamjet, majdanosin. Mesatarisht të pasura janë selinoja, fasulet, kungulli i verës, etj. Ndër frutat përmendim manaferrat, boronicën, luleshtrydhen, kivi, rrushi, fiqtë, kumbullat, arrat, bajamet, kikirikët, fara lulëkuqeje, kakao, çokollatë, piperi, çaj i zi etj.
Vlen të theksojmë se vitamina C ndihmon në prodhimin dhe thithjen më mirë të oksalateve në zorrë. Gjithashtu fibrat, që përbëjnë pjesën e patretshme të ushqimeve që përdorim (ato që organizmi eliminon me feçe) ndihmojnë në zvogëlimin e kalçiumit në urinë. Ato lidhen me kalçiumin në zorrë, duke zvogëluar kohën e qëndrimit të substancave ushqimore në zorrë dhe njëkohësisht duke përshpejtuar eliminimin. Këto fibra gjenden me shumicë në elb, thekër dhe oriz, produkte këto të cilat rekomandohen të përdoren në këto raste. Ashtu siç e theksuam edhe më sipër këtyre pacientëve u rekomandohet përdorimi i lëngjeve, sidomos në stinën e verës.