Kushtetuta e shtetit unitar të Maqedonisë pasqyron në mënyrë më besnike ambalazhin e produkteve që zihen në kuzhinën antishqiptare të Shkupit. Opinioni publik, që përcjell me shqetësime të mëdha tensionet e vazhdueshme ndëretnike që gjeneron kjo kuzhinë, ka hapur debatin rreth domosdoshmërisë së ndryshimeve të Kushtetutës.
Përballë kësaj domosdoshmërie, si domosdoshmëri e kohës për të ndërprerë degradimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike, ruajtësit e status quo-së, valëvisin flamurin ideologjik të unitarizmit të kamufluar me sintagmën se gjoja « nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike ».
Kjo sintagmë u përsërit me cinizëm të paparë edhe nga përfaqësues të lartë të BDI-së në debatin e organizuar nga Alsat-M lidhur me temën « Federalizimi – kërcënim politik apo perspektivë reale për Maqedoninë? .. ».