Dua Lipa ka shënuar edhe një sukses tjetër duke shkruar kështu historinë. Këngëtarja shqiptare me albumin e saj ‘Dua Lipa’ ka thyer rekordin si albumi më i dëgjuar nga një artiste.

Me këtë rast, Dua ka lënë prapa këngëtaren më të dëgjuar në botë, Taylor Swift.

Albumi ‘Dua Lipa’ ka mbi 9.5 miliardë dëgjime në platformat si Spaotify dhe Youtube.

Dua më 24 janar publikoi këngën ‘Swan Song’ të shoqëruar edhe me videoklip. Kjo këngë do të jetë edhe kolonë zanore e filmit “Alita: Battle Angel”, i cili do ta ketë premierën më 14 shkurt të këtij viti.

Përveç kësaj kënge, këngëtarja nga Kosova është duke punuar intensivisht për albumin e saj të dytë që dëshiron ta publikojë për fansat sa më parë që është e mundur.

Ministri i Tregtisë dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Ljajiç ka folur së fundmi për efektin negativ që pati taksa 100% e vendosur nga qeveria kosovare ndaj mallrave serbe, në ekonominë e vendit të tij.

Ai tha se dëmet aktuale në ekonominë serbe janë rreth 66.2 milionë euro, por nëse Prishtina së shpejti nuk heq taksën, dëmet do të shumëfishohen.

Si saktësoi ai nga importi i përgjithshëm nga vendet e CEFTA-së, Serbia në Kosovë ka marr pjesë me 60%, ndërkohë tani është rritur importi nga Sllovenia për 123%, Greqia 114%, Shqipëria 60% dhe Maqedonia 40%.

Serbia në dhjetor të 2017 ka marrë pjesë me 15,7% ndërsa në dhjetor 2018 vetëm me 1,7% në importet e Kosovës”, deklaroi Ljajiç.

Ljajiç shprehu hapur frikën se “lojtarët tjerë” do të marrin tregun e Kosovës, të cilin deri para vendimit të qeverisë Haradinaj, e kishte Serbia.

Nëse sot do të hiqej taksa, një pjesë e prodhuesve do të kthehej në Serbi, por nëse ajo zgjat, kjo nuk do të ketë efekt sepse lojtarët tjerë do të marrin atë hapësirë dhe dëmet do të jenë shumëfish më të mëdha“, ka thënë Ljajiç.

Kërkimet për sulmuesin Emiliano Sala vazhdojnë ende, tashmë në mënyrë private.01

Për lojtarin argjentinas nuk ka asnjë gjurmë që prej ditës së hënë, kur avioni privat me të cilin po udhëtonte u zhduk në ngushticën e La Manshit, ndërkohë që po udhëtonte nga Franca për në Angli.

Lojtari sapo kishte nënshkruar me skuadrën e Cardiff (luante me Nantën), fanellë të cilën nuk e veshi asnjëherë.

Në nder të lojtarit, Federata Angleze e Futbollit vendosi që në ndeshjet e Kupës (FA Cup), skuadrat të luanin me një shirit të zi në krah. Por në ndeshjen Everton-Millwall nuk është respektuar kjo kërkesë.

Të dyja ekipet kanë refuzuar të mbajnë shiritin e zi në krah, pasi sipas tyre nuk ka ende asnjë komunikim zyrtar për vdekjen e futbollistit. Sipas tyre, ata shpresojnë në gjetjen e lojtarit.

Një video që është filmuar në Poloni ka ndezur alarmin për mishin që konsumohet në të gjithë Europën, përfshirë edhe Shqipërinë, pasi tregon se lopët jashtëzakonisht të sëmura janë kontrabanduar në një thertore dhe shiten pa inspektim dhe vulë veterinare.

Gazetarët e “Superwizjer”, një program televiziv hetues polak transmetuan në kanalin e lajmeve TVN24, pamjet nga thertorja polake, pasi një prej gazetarëve i infiltruar që punoi fshehurazi në thertore për pothuajse tre javë, siguroi videon.

Polonia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit të BE, me produkte që gjenden edhe në tregun shqiptar, ndaj pamjet nga thertorja në rajonin qendror polak të Mazovisë janë kthyer në shqetësim madhor, pasi duket qartë se lopët janë aq të sëmura sa nuk janë në gjendje të dalin duke u zvarritur nga kamionët dhe në thertore përdoret një çikrik, me litarë të lidhur rreth brirëve apo këmbëve të tyre për t’i ngritur ose tërhequr.

Sipas “The Guardian” masakra e lopëve të sëmura duket të ndodhë gjatë natës pa asnjë zyrtarë veterinar në vend, një tjetër kundërvajtje e standardeve themelore. Punëtorët në thertore duket se heqin prova nga kufomat si plagët e presionit të gjakut dhe tumoreve që tregojnë se lopët kanë qenë të sëmura dhe të shtrira për ditë të tëra.

Ekspertët që kanë parë videon thonë se kjo ngre mundësinë e rreziqeve serioze të shëndetit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë polake të veprojë shpejt për të njoftuar të gjitha shtetet e tjera evropiane.

Chris Elliott, profesor i sigurisë ushqimore në Universitetin e Queen në Belfast dhe themelues i Institutit për Sigurinë Globale të Ushqimit, i cili udhëhoqi rishikimin e pavarur të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për sistemet ushqimore pas skandalit të kalorësisë 2013, i tha Guardian: “Nëse ka ndonjë dëshmi se ky mish ka dalë nga Polonia, atëherë do të ketë potencial për një vigjilencë të sigurisë në mbarë Evropën, me përfshirjen e shumë agjencive rregullatore dhe potencialisht forcave policore nga e gjithë Evropa”.

Në 2017, sipas shifrave më të fundit të UN Comtrade, Polonia eksportuar më shumë se 415 milion kg mish viçi, me vlerë më shumë se 1.5 miliardë dollarë. Shifrat e HMRC për atë vit tregojnë se Britania e Madhe, një nga tregjet më të mëdha të Polonisë për mish, bleu 16 milion kg viçi (të freskët, të ngrirë dhe të brendshmet), me vlerë 64 milionë dollarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka deklasifikuar informacione që më parë kategorizoheshin si sekrete, duke zgjuar kureshtjen mbi dorëshkrimet dhe informacionet personale të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, raporton Ora News në një kronikë të transmetuar në edicionin informativ.

Interesi ka qenë maksimal nga studiues dhe gazetarë, të cilët kanë “shpërthyer” dyert e Arkivit.

Ditari i Enver Hoxhës përmban pasazhe, në të cilat shkruan për takimet që organizonte në qytete të ndryshme të vendit.

Gazetarja që ka përgatitur kronikën thotë se në faqen 13 Enver Hoxha shkruan: “Të mos mendojmë se gjetkë nuk ka fara të mira, bile shumë më të mira se këto që kemi ne“.

Sipas drejtuesve të Arkivës së shpejti nuk do të ketë më informacione sekrete për kohën dhe personazhet e komunizmit.

Këtë vit do të deklasifikohen dokumentet e vitit 1994, vitin pasardhës 1995.

Rreth 48 mijë dosje janë të aksesueshme për studiuesit, ndërsa shumë të tjera janë të 

Udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro hodhi poshtë të dielën kërkesat ndërkombëtare për të shpallur zgjedhje të parakohëshme, ndërsa kriza politike në vendin e tij thellohet, ditë pasi udhëheqësi i opozitës e shpalli veten president të përkohshëm.

Në një intervistë për CNN-in turk që u transmetua të dielën, Maduro e hodhi poshtë ultimatumin e disa vendeve evropiane për të mbajtur zgjedhje brenda tetë ditësh ose përndryshe do njihnin si president kreun e opozitës, Juan Guaido.

Duhet ta tërheqin ultimatumin. Askush nuk mund të na japë ultimatum“, tha Maduro në intervistën e dubluar në turqisht nga spanjishtja.

Të shtunën, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mbështeste popullin e Venezuelës dhe të njohë qeverinë e përkohshme të Juan Guaidosë.

Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara tha në një takimi të Këshillit të Sigurimit të të shtunën se gjendja humanitare në Venezuelë duhet të adresohet menjëherë.

Ne jemi këtu për t’i nxitur të gjitha vendet që të mbështesin aspiratat demokratike të popullit venezuelian, ndërsa ai përpiqet të çlirojnë veten nga shteti i paligjshëm mafioz i Presidentit Maduro. Situata humanitare kërkon veprim tani. Ajo kërkon veprim sot”.

Sekretari Pompeo akuzoi Rusinë dhe Kinën se po përpiqen “të përkrahin Maduro-n, ndërkohë që ai është në ditët e tij të fundit”, por shtoi se asnjë vend nuk ka bërë më shumë për të mbështetur “gjendjen e ankthit të popullit venezuelian” sesa Kuba.

Kina dhe Rusia po mbështesin një regjim të dështuar me shpresën e rimëkëmbjes së miliarda dollarëve në investime dhe asistencë famëkeqe të bërë gjatë viteve. Për vite me radhë, bandat e sigurimit dhe inteligjencës kubane të ftuara në Venezuelë nga vetë Maduro dhe njerëzit rreth tij kanë mbështetur këtë regjim të paligjshëm“.

Disa qeveri evropiane, përfshirë Britaninë, Spanjën, Gjermaninë dhe Francën, thanë të shtunën se do ta njohin 35-vjeçarin Guaido si president nëse nuk do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme brenda tetë ditëve.

Shtetet e Bashkuara kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Zoti Pompeo u shoqërua në takim nga i dërguari i posaçëm i sapoemëruar për Venezuelën, Elliott Abrams.

“The Indipendent” i  ka kushtuar këtë të dielë një artikull të gjatë Shqipërisë dhe problemeve të saj me trafikimin e lëndëve narkotike.

Borzou Daragahi, një korrespondent i gazetës që prej vitit 2002 kryesisht ka mbuluar çështjet e Lindjes së Mesme, Afrikës, por dhe Europës shkruan se Gangsterët shqiptarë konsiderohen si trafikantët më të mëdhenj në botë për keroinën, kokainën apo kanbisin. “Zyrtarët amerikanë  dhe ata europianë e kanë cilësuar Shqipërinë si furnizuesin e madh të kanabisit në Europë e njëkohësisht edhe si një pikë e rëndësishme tranziti për keroinën dhe kokainën. Bazuar në vlerën monetare të drogës së kapur, ka vlerësime se vetëm marijuana gjeneron 4 miliardë dollarë, gjysma e GDP-së së Shqipërisë”, shkruan gazetari.

Në reportazhin e tij, ai citon emra, ndërsa i referohet njëkohësisht edhe shumë zyrtarëve, që nuk kanë dashur të identifikohen.

Zyrtarët e rojës bregdetare, të cilët kërkuan që emrat e tyre të mos përmenden, thonë se duhet te jenë të kujdesshëm. Trafikantët janë shpesh të armatosur, edhe pse nuk i kanë përdorur kundër rojave bregdetare”, shkruan ai.

Më tej, artikulli vijon:

“Vitet 2015 – 2016 ishin të tmerrshëm,” thotë një zyrtar i lartë i rojës bregdetare. “Ishte Kolumbi”.

Në artikullin e publikuar pasditen e së dielës nga gazeta britanike, thuhet gjithashtu se sipas zyrtarëve shqiptarë, vetëm 10% e drogës që qarkullon brenda dhe jashtë vendit, arrin të kapet, ndërkohë që gazetari citon një diplomat të huaj perëndimor i thotë se ky numër nuk shkon më shumë se 5%, duke u lënë trafikantëve një pasuri të madhe, që lëviz nga Roterdami në Izmir.

Trafikantët e sofistikuar janë bërë aq të fuqishëm, sa që kanë lidhje në të gjithë botën”, thotë Alfonc Rakaj, një studiues mbi çështjet e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Është Kolumbia e Europës”, thotë një diplomat perëndimor. “Është prodhuesi dhe shpërndarësi i drogës në Europe. Është një narko shtet dhe ata do të humbasin shumë para duke dalë nga trafiku për të hyrë në BE”, thuhet në artikull.

Duke cituar sërish zyrtarë të BE, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur në reportazh thuhet gjithashtu se Shqipëria nuk është më një vend kultivimi, por është bërë një qendër investimesh, shpërndarjeje dhe rekrutimi.

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar duket se opozita i është rikthyer normalisht punëve të Kuvendit.

Në mbledhjen e grupit të PD-së të mbajtur mëngjesin e sotëm u vendos që deputetët të marrin pjesë në komisionet parlamentare.

Kjo u reflektua në komisionin e Ekonomisë, i cili tashmë drejtohet nga ish- ministri Arben Ahmetaj, pasi Erjon Braçe mori detyrën e zv.kryeministrit.

Po ashtu deputetët ishin të pranishëm edhe në Komisionin për Edukimin dhe Median ku kërkuan shfuqizimin e plotë të ligjit për arsimin e lartë

Nga Bardhyl Mahmuti-Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit veprimet që përbëjnë gjenocidin “kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose fetar, si të tillë”.

Në datën 27 janar bota përkujton ditën e çlirimit të Kampit famëkeq të Përqendrimit në Auschwitz (Aushvic). Ky kamp përqendrimi u shndërrua në sinonim të gjenocidit nazist kundër popullit hebre, sepse në të u zhvendosën me tren mbi një milion pjesëtarë të këtij populli, shumica dërmuese e të cilëve u vranë.
Në këtë përvjetor po veçoj vetëm disa aspekte që lidhen me krimin e gjenocidit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjykatat ndërkombëtare dhe të shteteve veç e veç ndoqën dhe ndëshkuan regjimin që kreu gjenocid dhe zinxhirin komandues nga kreu i shtetit e deri te kriminelët që ekzekutuan krimin më të shëmtuar që njeh e drejta penale ndërkombëtare. 
Ky ndëshkim duhej të përcillte mesazhin se bota nuk do të tolerojë përsëritjen e krimeve të kësaj natyre. Në funksion të këtij mesazhi u miratua Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. 
Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përcakton se cilat akte hyjnë në këtë kategori krimi. Për arsye se një numër i politikanëve, gazetarëve dhe atyre që marrin fjalën në rastet e përkujtimit të akteve gjeocidare në Kosovë përdorin terminologji joadekuate, e shoh të udhës që të ndalem shkurtimisht në këtë konventë, sepse kjo do të na mundësojë që të shohim mjetet e manipulimit që përdorin mohuesit e gjenocidit serb në Kosovë.
Ajo që më duket thelbësore të tërheq vëmendjen ka të bëjë me faktin se sipas kësaj konvente “që të kualifikohet si gjenocid, akti kriminal duhet të jetë kryer me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, si i tillë.” Pra, është pikërisht “QËLLIMI” që të SHKATËRROHET tërësisht ose pjesërisht grupi «SI I TILLË” ajo që e karakterizon gjenocidin dhe që e dallon nga krimet e tjera. (Neni II i Konventës).


Siç shihet, as termi “zhdukje” as termi “shfarosje”, terme që përdoret shpesh në hapësirën politike dhe mediatike të Kosovës, nuk hynë në definicionin e krimit të gjenocidit. “Shfarosja” si nocion hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, që paraqesin krime të një shkalle më ulët në krahasim me krimin e gjenocidit. Prandaj, ata që përdorin nga padituria e tyre këtë term kur flitet për krimet serbe duhet ta dinë se përdorin një nocion që e ulë përgjegjësinë kriminale të shtetit serb.
Në këtë përkufizim nuk përcaktohet ASNJË NUMËR, ASNJË PËRQINDJE në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid. Në këtë kontekst po përmend studimin e Nicodème Ruhashyankikos, që u publikua si studim i Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së .


Në “Studimin e çështjes së parandalimit dhe ndëshkimit të krimit të gjenocidit» Ruhashyankiko thekson se “përkundër asaj që qëllimi i Konventës është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të gjenocidit të drejtuara kundër një numri të madh personash, asgjë nuk e ndalon që këto dispozita të interpretohen dhe të aplikohen në rastin e vrasjeve individuale. Edhe në rastet kur rezultati është VRASJA E NJË PERSONI TË VETËM, fakti se qëllimi i kriminelit është drejtuar kundër jetës së më shumë se një anëtari të grupit, nuk paraqet asnjë pengesë që dispozitat e Konventës të aplikohen edhe në këtë rast (…) 
Megjithatë, një pjesë e autorëve mendojnë se për ta cilësuar krimin si gjenocid atëherë një numër më i madh personash duhet të jenë goditur nga ky veprim. Sipas disa autorëve, që të cilësohet krimi si gjenocid, ata mendojnë se duhet të kemi “qindra apo mijëra viktima” gjatë aksioneve që kanë për qëllim shkatërrimin e një grupi si të tillë.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i “banalizojë” gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi. Manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit.
Kriminelët e regjimit të Beogradit dhe mohuesit e gjenocidit serb e dinë se nëse nuk arrihet të dëshmohet “qëllimi” për të shkatërruar tërësisht apo pjesërisht shqiptarët e Kosovës, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar krimin e Serbisë si gjenocid. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar “qëllimin” dhe fshehja e gjurmëve u shndërruan “në sistem të shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës… në sistem të shkatërrimit të bindjes lidhur me krimin dhe të futjes së dyshimit për vërte¬tësinë e krimit…”
Krahas vrasjeve që synonin shkatërrimin fizik të shqiptarëve të Kosovës, forcat serbe aplikuan edhe formën e “gjenocidit biolo¬gjik”. 
Në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, cenimi i integritetit fizik dhe mental të anëtarëve të një grupi nacional, etnik, racor apo religjioz përbën akt të gjenocidit. Sot askush nuk mund ta kontestojë faktin se dhunimi dhe dhuna seksuale mbi një femër përbën cenim të rëndë të integritetit fizik apo mental të personit të dhunuar. Dhunimet seksuale në Bosnje, në Kroaci dhe Kosovë u bënë si mjet bashkë¬kohor i luftës që kishte për qëllim “shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit. Aq më tepër kur ky keqtrajtim është bërë me atë qëllim.” Dhunimi dhe dhuna seksuale përbëjnë shkelje të konventës së lartpërmendur sepse dhunimi i shkakton viktimës traumatizëm dhe plagë të pashlyera psikologjike.
Duke u bazuar në faktin se dhunimi paraqet një cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mental të viktimës, Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën e cilësoi dhunimin si formë e gjeno¬cidit. Ndërsa, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nën ndikimin politik, hoqi cilësimin e këtyre krimeve si gjenocid.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutu-ve ndaj Tutcive si akte gjenocidi për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës. Të konsiderohen si krime lufte aktet e njëjta që forcat ushtarake dhe policore serbe bënë në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë dëshmon për një raport të caktuar të forcave politike dhe për presionin që iu bë Gjykatës Penale Ndër-kombëtare për ish-Jugosllavinë për të hequr akuzën për gjenocid.

Me një fjalë, krimet e kryera në Kosovë nuk kanë qenë jashtë kontrollit të strukturave politike, ushtarake dhe policore serbe, por ishin rezultat i një plani që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë dhe ndryshimin e strukturës së popullsisë së Kosovës. Të gjitha aktet e dhunës që forcat serbe kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës (vrasjet, plagosjet, keqtrajtimet, dhunimet seksuale, poshtërimet, cenimet e integritetit fizik dhe mental të tyre, dëbimit nga Kosova etj) kishin për qëllim të shkatërronin një pjesë të shqiptarëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Vrasja sistematike e civilëve të paarmatosur shqiptarë, vrasja e 1392 fëmijëve, e 1739 grave dhe e mijëra pleqve që nuk paraqisnin asnjë rrezik ushta¬rak, dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe zhdukja e 1657 kufomave civile dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.
Sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit.

Fluturimi i avionëve të natës mbi Tiranë lajmëronte nisjen e projektit për bazën ushtarake të aleancës në Kuçovë.

Fluturimet mund të cilësohen në mënyrë simbolike si edhe pikënisja e projektit prej 51 milionë eurosh që aleanca e NATO-s ka parashikuar të zbatojë në bazën ajrore shqiptare, e cila do të kthehet në bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, gjeneral Tod Wolters, erdhi në Tiranë për të lajmëruar nisjen e punës në këtë bazë: “Kuçova ka disa karakterisitka të veçanta. Është në një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike, që të lejon të bësh atë çfarë kemi menduar, përfshi këtu edhe klimën e mirë. Në bazën e Kuçovës do të ulen, do të ngrihen dhe do të stacionohen avionë luftarakë të NATO-s. Nga aty do të kryejmë edhe shërbime të tjera në shërbim të aleancës sonë, që përfshijnë edhe survejimin e hapësirës ajrore, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit, nëpërmjet aparaturave dhe pajisjeve që do të instalohen atje”.

Ndërsa për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, baza e NATO-s në Kuçovë do të jetë një siguri më tepër jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin: “Kuçova do të jetë bazë e NATO-s. Ky investim është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e vendit tonë, por edhe për rajonin. Aleanca Euroatlantike është zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë për Ballkanin”.

Punimet në bazën ajrore të Kuçovës pritet të nisin në fund të këtij viti dhe parashikojnë një kohëzgjatje deri në 5 vjet.