Nga Bedri Islami

Esse të shkurtra

1.

Këto ditë ishte përvjetori i vdekjes së Fan Nolit. Më i ndrituri i të ndriturve dhe më i dituri i të diturve.

Pak kush u kujtua për Nolin? Shteti, jo që jo, megjithëse jemi Republikë dhe ai ishte ithtar i madh i Republikës!

Noli është Marathanomak i përjetshëm, më i shquari i lajmësve të lirisë!

Noli nuk ishte ushtar, ai ishte luftëtar dhe ka dallim të madh mes nocionit të parë dhe të dytë!

Ishte aq i madh,  sa ne turpërohemi në heshtjen ndaj tij.

Ai ishte njeriu i të vërtetës, ne na pëlqen mashtrimi dhe e pavërteta!

Lufta e guximi i tij kanë bërë punë të mëdha!

E pse, atëherë, nuk kemi më nevojë për dishepujt të tillë?

Mos e flakni kurrë heroin nga shpirti juaj!

Ne kemi flakur atë dhe vrapojmë të hipim në piedestalin e tij!

Të mjerët ne!

2.

Ata që e kanë njohur poezinë lirike të Ndre Mjedës e kanë të vështirë të përfytyrojnë mendimtarin e madh ulur në një bahçe të fshatit të vogël Kukël, pranë Shkodrës, ku shkoi më shumë se gjysmën e jetës së tij.

Shtatvogël, flokërënë, me duart që i lëviznin vazhdimisht, ndjente të njëjtin ngazëllim si pas parmendës, ashtu edhe kur përkthente Gëten!

Bilbili i Mjedës , në poezinë lirike shqipe, është njëjtë si pëllumbi i tretë i Noas që sinjalizoi rikthimin e jetës!

3.

Me përmendë emrin e Whitmanit është njëjtë si të thërrasësh një simbol të gjenisë së pakufishme, të thirrjes titanike, gati in koherente, që vet përfaqëson klithmat e shpirtit, dhe, për fat, i agimit të Amerikës.

Në Shqipëri vetëm një poet ka shtatin e tij vigan ,megjithëse në pamje i brishtë, i kujdesshëm, sqimatar, sa që të duket se ke të bësh me një dendy të viteve 30 të shekullit të shkuar.

Migjeni!

4.

Despotizmi dhe tirania i katandis kombet në humbjen e shpirtit.

Nuk ka gjë më të shurdhër, më të heshtur, më të pashpresë dhe më të egër se sa humbja e shpirtit.

Çudia më e madhe është se kur vdesin tiranët, popujt qajnë!

5.

Velaskez dhe Françesko Goja janë dy piktorët më të mëdhenj të Spanjës në të gjitha kohërat!

Të parin e duan më shumë në Spanjë, të dytin e respektojnë më shumë jashtë Spanjës!

I pari ka përgatitur të dytin

Më janë dukur si Gjon Pagëzori dhe Jezus Krishti.

Historia e Spanjës së bukur, joshëse, triumfuese, pak don kishoteske, nuk shpjegohet ndryshe pa Velaskez.

Historia e Spanjës kryengritëse, rebele, dashuruese nuk shpjegohet dot pa Francesko Goja!

Por e kishte të vështirë të ishte profet në vendlindjen e tij! Profetizoi përmes pikturës.

Këtij të fundit, në Shqipëri, i ngjan vetëm Abdurrahim Buza!

6.

Adem Demaçi tashmë nuk është më.  Ai ishte një ndërgjegje e pastër dhe në shpirtin e tij sundonte absolutja!

Çuditërisht burgu i gjatë, 28 vite, e bëri më tolerant. Ishte njeri pa vese dhe nuk mund të zemëroheshe kurrë me të.

Ai e adhuronte nga larg furtunën.

E ndolli atë dhe , kur ajo erdhi, e bëri edhe më të pranueshme.

Në vetvete ishte një çlirues, zemërbutë, që nuk e kishte për turp të pranonte se, “ Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë”.

Të vdekurit nuk e gjykojnë dot…

7.

Dy poetë më çlodhin edhe pas një udhëtimi të gjatë apo një ditë të rrëmbyer nga mjegullat. Esenini dhe Jorgo Bllaci.

Janë dy poetë që i duan të gjithë për nga sinqeriteti, tingëllimi i pazakontë, rrjedha e bukurisë hënore.

Kanë vuajtur si pak të tjerë dhe kanë qenë të lumtur si pak kush!

Është njerëzorja kundër barbarisë!

8.

Atdheu është AKT BESIMI. Ai ndriçon shpirtrat e mëdha dhe verbon shpirtrat e egër!

Shqiptari, në përgjithësi, nuk u beson rrethanave, thuajse gjatë gjithë jetës së tij ai ka qenë më me dëshirë një individ , jo një nënshtetas.

Të jesh shqiptar do të thotë ta ndjesh këtë gjë.

9.

Është e habitshme, dy libra më shkaktojnë dhimbje trupore. “Idioti” i Dostojevskit dhe “ Nëpunësi i pallatit të Ëndrrave” i Kadaresë.

Nuk e di pse më ndodh kështu: veçse , sa herë që dora ime zgjatet drejt këtyre librave kam një ngurrim dhe stepje.

Më duket se kam Asgjënë dhe Gjithësinë para vetes, ndërsa qëndroj i mbyllur në një llambë, që nuk është magjike, por ka një dritë të zbehtë.

10.

Disa vite më parë, në Detin e Veriut, hodha në valët e tij një gonxhe trëndafili të bardhë!

Kur erdha në Shkodër, motra ime , në oborrin e shtëpisë së vjetër, kishte mbjellë , mes luleve të tjera, një trëndafil!

Kishte çelur vetëm një gonxhe!

E bardhë!

Malli i motrës!

11.

Poeti i madh francez, Viktor Hygo ka një varg të jashtëzakonshëm për nga bukuria dhe figura e mahnitshme.

Ai shkruan ” Kuçedra univers që përdredh trupin e mbushur me yje”.

I ka thënë të gjitha në një varg dhe përfytyrimi ynë mbetet i pafuqishëm për të shkuar deri në fund. Ai mbetet diku.

Në përngjasim të tij, çka ndodh me mendjet gjeniale, Shekspiri shkruan se, ” Zgjedhën e yjeve të kobshëm le ta hedhë poshtë trupi ynë i lodhur nga bota”.

Dy gjuhë të mëdha që jetojnë të ripërtërira te poetët e mëdhenj.

12.

Vegim

Më është shfaqur rrugica e ngushtë drejt shtëpisë sime dhe marsi me lotët e fundit të dimrit. U zgjuan befas nga ardhja jote.

“Çfarë bën aq larg, të thashë, nën atë shi trëndafilash të bardhë?”

Kisha droje të zgjas dorën.

Mos ikën!

Vegimet vijnë befas, e , po kaq befas ikin.

13.

Të gjithë e pranojnë se, pasi lexoi poezitë e Sergej Eseninit, shkrimtari i shquar, Maksim Gorki qau me dënesë. Lotët rridhnin në vargjet e këtij arrakati me zë kumbues, që kishte lindur për poezi dhe që ndjeu disfatën shpirtërore.

Shpesh herë kam menduar , ndoshta miturisht, a qau me dënesë Maksim Gorki kur mësoi vetëvrasjen e poetit, në dhomën e një hoteli modern, dhe, nëse ka ndodhur kjo, përse askush nuk e ka shkruar?

Esenini nuk u bë poet, ai kishte lindur poet dhe, si ndodh me të tillët, ata janë lehtësisht të vdekshëm dhe përjetësisht të pavdekshëm.

Esenini kishte thirrur dikur , ” Oh Zot, fanitu!”, por në çastin e fundit ai ishte i braktisur nga të gjithë. Çasti ishte i shkurtër, lavdia vazhdon!

Nuk e di nëse qau Maksim Gorki kur mësoi vdekjen e poetit!

E gjitha kjo më kujton ” Vdekjen e Nositit” të lirikut më të madh të gjuhës shqipe, dashuronjësit të krisur, Lazgush Poradeci.

14.

Këtu e shumë vite të shkuara, duhet të ketë qenë vera e vitit 2000, kur isha në Spanjë me Nënën time, më ndodhi një ngjarje e rëndësishme : pashë për herë të parë pikturat e çuditshme të El Greco-s.

Nuk shqitesha dot prej tyre, megjithëse më shkaktonin një ndjenjë ankthi.

Piktura e tij të bënte të ndjeje veten të pranishëm në atë që ishte për shfaqur aty, e , megjithëse të ndjellte dëshirën të ikje sa më larg, nuk mundeshe dot. Të dukej sikur këmbët të ishin mbërthyer para tablove të mëdha të tij, të cilat , në portretet e gjithçka tjetër, nuk kishin përmasat e zakonshme. fytyrat më dukeshin më të zgjatura, bebëza e syrit kishte një dimension tjetër, të dukej sikur ishte gjithçka në lëvizje, deri në atë përngjasim, sa të sillte zemërimin e papërmbajtur, shprehjen mahnitëse të vuajtjes njerëzore, atë çast të vrundullit dhe të pafuqisë.

Dy vite më parë shkova përsëri, renda drejt galerisë ku kisha parë fillimisht El Gregon, ndoshta me mungesë frymëmarrje shkova drejt vendit ku ishin pikturat e tij, por, befas, çudi e madhe, asgjë nuk regëtinte si më parë.

Lufta në Kosovë kishte kohë që kishte mbaruar!

Është e vështirë në vjeshtën e jetës të kuptosh agun e saj!

15.

Në njërin nga studimet e tij, Jorge Luis Borges shkruan se për të krishterin, jeta dhe vdekja e Krishtit janë ngjarja qendrore e historisë së botës; shekujt e mëparshëm e përgatitën, të mëvonshmit e pasqyrojnë.

Para se Adami të formohej nga pluhuri i dheut, para se të botë të ndaheshin ujërat, ATI e dinte se i BIRI duhej të vdiste mbi kryq dhe, si teatër të asaj vdekje të ardhshme, krijoi tokën dhe qiejt.

Në fakt, Krishti vdiq nga një vdekje e vullnetshme!

Ai vetë ka pohuar se ” Askush s’ma heq jetën, unë e jap jetën” (Gjoni, 10:18).

Ndoshta , hekuri u krijua për gozhdët, gjembat për kurorën, gjaku e uji për plagën, Jeruzalemi si një amfiteatër i madh dhe vetë kodra e Golgotës ishte krijuar si një skenë madhore, ku do të ishte prania e një vdekje të paralajmëruar.

Po, trëndafili i bardhë për kë është krijuar?

Burimi i artikullit/ Gazeta Dita

https://gazetadita.al/po-trendafili-i-bardhe-per-ke-eshte-krijuar/?fbclid=IwY2xjawFSJg9leHRuA2FlbQIxMQABHQql6ukMbLr1DUQSHx2LIdJF7Vx4qcGBUHQqNAnmJvNjQfyrLRm3OA0-Bw_aem_ETC0SV-8IG1G8d8IaNzKCA

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Në një kontekst shoqëror, ku sindromi i Fregolit ka prekur një numër të konsiderueshëm njerëzish, janë plotësisht të kuptueshme të gjitha llojet e reagimeve ndaj shkrimeve që nuk përputhen me bindjen e krijuar, se kundërshtari i tyre politik, Edi Rama, është transformuar në shtatore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe që nga Hora e Arbëreshëvet përtej detit i persekuton… Rrjedhimisht, edhe reagimet ndaj shkrimit tim për këtë vepër artistike i kam parë në këtë kontekst.

Nga pakënaqësitë që ka shkaktuar shkrimi im i titulluar “Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe sindromi i Fregolit”, kam përzgjedhur reagimin e Dritan Goxhajt, për arsye se shkrimi i tij nxjerr në pah disa simptoma të kësaj sëmundjeje mendore.

Që të kuptohet në tërësi prekja e tij nga sindromi i Fregolit, po sqaroj lexuesit që nuk janë në dijeni, se më 31 korrik të vitit 2023, ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, u arrestua padrejtësisht nga autoritetet e Shqipërisë, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Fatmirësisht, Gjykata e Apelit e Tiranës refuzoi ekstradimin e tij në Hagë dhe, pas shumë presioneve dhe vuajtjeve që përjetoi ai dhe familja e tij, më në fund u lirua.

Duke pasur parasysh këtë të dhënë, kur lexova reagimin e tij, m’u kujtua një miku im, që kishte reaguar ndaj atyre, që prapa çdo gjëje shihnin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës. Për arsye se nuk dëshiroj ta përfshij në këtë polemikë, po e parafrazoj reagimin e mikut tim B.H.: “Reagimet e atyre që në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut shohin fytyrën e Edi Ramës, më kujtuan kohën kur pushtuesit serbë na kishin ndaluar të presim dru në pyjet tona, për t’u ngrohur në dimrin e acartë. Nga frika se mund të zbuloheshim, kur futeshim “ilegalisht” në pyll çdo lis na dukej si fytyra e rojtarit të pyllit”.

Prandaj simptomat paranojake që dalin në pah në reagimin kundër shtatores së realizuar nga artisti Gëzim Muriqi, rrjedhimisht edhe replika e Dritan Goxhajt kundër shkrimit tim, janë të kuptueshme: gjithkund shohin fytyrën, zërin, dorën dhe hijen e “persekutorit të tyre”!

Një karakteristikë e të prekurve nga sëmundja mendore e sindromit të Fregolit, është vjellja kundër atyre që nuk e interpretojnë realitetin sipas psikozës së tyre. Ankthi që i kaplon nga paranoja e “persekutorit”, që i ndjek dhe që shfaqet gjithandej për t’i torturuar, u bllokon kapacitetin e trurit për të menduar në mënyrë konstruktive dhe u shkakton një jashtëqitje nga goja të asaj që kanë në bark! Me një fjalë, si pasojë e “kapsllëkut” në kokë, shpërthejnë në logorre (diarre e fjalëve)!

Në kuadër të kësaj logorreje, Dritan Goxhaj i referohet “psikologjisë së aviacionit” dhe, nëpërmjet saj, dëshiron të shpjegojë “llogjikën” që kam përdorur “si mekanizëm mbrojtës” për “të justifikuar aktin si për veten time, ku kam qenë pjesëmarrës në këtë ceremoni, i ftuar nga vetë autori i shtatores, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë”.

Për hir të korrektësisë ndaj lexuesve, po sqaroj se për pjesëmarrjen në manifestimin madhështor të inaugurimit të shtatores në fjalë nuk kam pasur ftesë personale as nga autori i shtatores, siç shpif Dritan Goxhaj, as nga shoqata “Hora e Skënderbeut”, që organizoi mbledhjen e mjeteve financiare për realizimin e kësaj shtatoreje, dhe as nga nikoqiri i këtij manifestimi, kryetari i bashkisë Hora e Arbëreshëvet. Së bashku me bashkëshorten time kemi shkuar privatisht si shqiptarë, pasi u informuam nga mediet për organizimin e këtij manifestimi të organizuar në mënyrë të përkryer.

Mirëpo, të gjithë “shokët” dhe bashkëveprimtarët me të cilët kemi vepruar në kuadër të “lëvizjes politike ‘ilegale’- LPK-së”, e dinë fare mirë se, edhe në rast se do të kisha qenë i ftuar nga artisti Gëzim Muriqi, të cilin nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar asnjëherë përpara se të realizonte skulpturën e mrekullueshme të shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nuk do të heshtja për ngjashmëritë eventuale të pamjes së shtatores së Heroit Kombëtar me të ndonjë personaliteti politik. Unë kam folur dhe ngritur zërin edhe në kohën kur në trojet shqiptare nën Jugosllavi, siç thuhet në Kosovë, “pasuli numërohej kokërr për kokërr”, e jo sot, ku e drejta për të shprehur mendimin i ka mundësuar lloj-lloj mushke të livadhisë si t’ia dojë qejfi.

Në vend që të lëshohet për së rrafshi dhe të shohë iluzionin e provokuar nga paranoja e të persekutuarit, Dritan Goxhaj ngjitet në qiell dhe harron se psikologjia e aviacionit, si drejtim i psikologjisë së aplikueshme, ka për qëllim të sensibilizojë pilotët për rreziqet që ndërlidhen me iluzionet që shfaqen si rezultat i ndërveprimit kompleks të fizikës, perceptimit njerëzor dhe teknologjisë, kur ata lundrojnë në qiell. Fatkeqësisht, edhe kur “zbret në tokë”, paranoja e pengon Dritan Goxhajn të lirohet nga “fjalët në hava”.

Ai harron kontekstin kohor dhe hapësinor ku ndodhet dhe nxjerr nga arsenali paranojak kërcënimin si “mekanizëm mbrojtës, duke vringëlluar Kodin Penal: “Në Republikën e Shqipërisë ka një nen në Kodin Penal që mbron cenimin e simboleve dhe emblemave kombëtare, dhe duke qenë se ju, por edhe të gjithë ne, e konsiderojmë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun si Emblemë Kombëtare, çdo lloj simboli që nuk puqet me historiografinë e kohës dhe të Shqipërisë është cenim i kësaj embleme”! “Dhe shoku Bardhyl – vazhdon Dritan Goxhaj, – është marrë vetëm me ujkun, duke anashkaluar total yllin e Davidid në mburojën e Skënderbeut. Në asnjë riprodhim të sajin dhe as në versionin e saj origjinal nuk mban kjo mburojë një yll mbi kokat e shqiponjës. Edhe në këtë rast është tentuar të cënohet jo pa qëllim flamuri ynë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”.

Mbetet e paqartë nëse Dritan Goxhaj kërcënon me nenin 268 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1977, që sanksiononte masat ndëshkuese me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj, për ata që cenonin simbolet kombëtare, në mesin e së cilave edhe flamurin kombëtar. Në rast se i referohet këtij kodi penal, atëherë Dritan Goxhaj, që konsideron se “flamuri ynë kombëtar është flamuri i Skënderbeut”, duhet ta ketë të vështirë të argumentojë se çfarë kërkonte ylli i kuq komunist me pesë cepa mbi shqiponjën e zezë dykrenore, sepse ky kod penal mbronte flamurin e përkufizuar me nenit 108 të Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të vitit 1976, ku flamuri ynë kombëtar “paraqet një fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, mbi të cilën është një yll i kuq me pesë cepa, qëndisur rreth e rrotull në ngjyrë ari”. Ndërkaq, nëse u referohet kodeve penale pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, ato sanksiononin cenimin e flamurit të përkufizuar në nenin 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të miratuar me referendum në vitin 1998, ku “flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes”.

Dritan Goxhaj do ta ketë të vështirë të sqarojë gjithashtu se, përveç ngjyrës së zezë, çfarë ka të përbashkët shqiponja e flamurit kombëtar të ngritur më 28 nëntor 1912, me shqiponjat e flamurit të periudhës komuniste dhe asaj postkomuniste. Sidoqoftë, uroj të mos i shpallë të dënueshme me “kodin e tij penal”, për shkak se nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiponjën e bardhë ose ngjyrë bronzi të vulave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, apo me yllin gjashtëcepash mbi shqiponjën dykrenore të vulës së Gjegj Kastriotit-Skënderbeut dhe ujkun nën kthetrat e shqiponjës në vulën e dytë të Heroit Kombëtar

Simbolet kombëtare janë rezultat i raportit të forcave në një kontekst të caktuar shoqëror dhe historik dhe duhet të vlerësohen në përputhje me rrethanat përkatëse. Ndërkaq, prezantimi artistik i simboleve është e drejtë ekskluzive e artistëve, pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqen apo nuk i pëlqen. Dritan Goxhaj duhet ta dijë se koha e diktateve të “llogjikës” së Andrei Zhdanovit, që veprat artistike të bëhen në përputhje me shijen dhe pikëpamjet ideo-estetike të Generalisimusit, ka perënduar përgjithmonë. As përdorimi i fjalës “shok”, as transkriptimi fonetik në variantin sllav “llogjikë” për fjalën “logjikë”, dhe as ëndrrat e tyre nostalgjike për të kaluarën nuk mund ta kthejë rrotën e historisë prapa! Ka vdekur njëherë e përgjithmonë periudha e “llogjikës” së diktatit dhe e kërcënimeve me kode penale ndaj artistëve!

Nëse Dritan Goxhaj dhe njerëzit e së njëjtë “llogjikë” nuk shohin simbolikën e lëkurës së ujkut të rrjepur mbi supin e shtatores së skulpturuar nga Gëzim Muriqi si një ndër elementet që paraqesin origjinalitetin e prezantimit artistik të figurës emblematike kombëtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por shohin Edi Ramën me lëkurën e dhelpërakut në shpatullat e tij, është mirë t’i drejtohen Doktorit dhe të gjejnë “shërim” të përbashkët nga epidemia e sindromit të Fregolit!

Sa më përket mua, asnjë element artistik në realizimin e Gëzim Muriqit nuk cenon Emblemën tonë Kombëtare! Përkundrazi! Origjinaliteti i punës së artistit e nxjerr figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga “llogjika” e moçme e perceptimit uniform dhe e mishëron me gjeneratat e reja!

Madje edhe në rast se Gëzim Muriqi do të kishte vënë nën këmbën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut puplat e ndonjë huti, nuk do ta cenonte aspak Heroin Kombëtar, por do t’i jepte një dimension artistik, që do ta ndërlidhte me aktualitetin që po kalojmë si shoqëri, ku lloj-lloj HUTI i jep të drejtë vetes të përdhosë një vepër artistike!

P.S.

Fatkeqësisht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ka lënë ndonjë sqarim a porosi për Dritan Goxhajn, për arsyet e vendosjes së yllit me gjashtë cepa në njërën vulë dhe ujkun nën kthetrat e shqiponjës në vulën tjetër! Kjo do t’i kishte mundësuar “shokut” Dritan t’i jepte përgjigje fëmijës së tij 7-vjeçar” për këto çështje. Sa për arbëreshët, nuk kemi përse të brengosemi: ata e bartën në shpirt figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe ua përcollën brez pas brezi edhe shqiptarëve të trojeve të tjera etnike.

Histeria paranojake që ka kapluar të sëmurët mendorë nga sindromi i Fregolit më kujtuan një barsoletë të viteve ‘90-të, të asaj kohe kur polarizimi ndërmjet Sali Berishës dhe Fatos Nanos kishte arritur kulmin.

“- Doktor, kanë vrarë Fatosin!”

“- E ka vrarë Nano!”, u përgjigj Doktori!

Me kaq i jap fund çështjes që lidhen me shtatoren e madhërishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi.

Kryetarja e Këshillit Nacional Shqiptar në Pazarin e Ri në Sanxhak, Amina Nuraj përmes një letre publike i është përgjigjur kryetarit të Bashkësisë Muslimane në Serbi, Mevlud Dudiq, i cili përmes një fjalimi në një manifestim në Preshevë propagandonte se ju nuk jeni shqiptar , por musliman, s”ka shqiptar dhe se përmes medreseve e fakultetit islam do bëj islamizinin e kësaj treve shqiptare, përcjell INA.

Ja përgjigja publike e Nuraj  ndaj Mevlud Dudiqit, kryetarit të Bashkësisë Muslimane të Serbisë:

Në Kur’anin famëlartë është shkruar: “O ju njerëz, Në ju krijuam nga një burrë dhe një grua dhe ju kemi bërë komb dhe fise që të njiheni.”

Unë po ju shkruaj shqip sepse e di që ju flisni shqip si çdo Sanxhakli.
Nëse je një besimtar i tillë, pse nuk i respekton fjalët nga Kur’ani? Sepse vetë Kur’ani thotë se ata na krijuan dhe na ndanë në kombë dhe fisë.
Por duket se ju nuk e keni lexuar as librin tuaj të shenjtë. Islami si Islam është një feja i pastër që i jep të drejtën të gjithëve për gjithçka, por ju ekstremistët e bëtë ashtu siç dëshironit.

E dini z. Dudiq, për mua islami është gjëja më e shenjtë në jetë, por islami normal, jo shpikja juaj që e bëni si të doni.
E dini se para Zotit dhe në shtëpi unë jam një muslimane e kombit shqiptar që jetoj për flamurin tem, por kur dal nga shtëpia jam një grua shqiptare që jetoj dhe luftoj për kombin dhe flamurin tem dhe kjo grua shqiptare nga Sanxhaku nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vëlla turk apo arab, vëllai im është ai në venat e të cilit rrjedh gjak shqiptari dhe sa të jem gjallë kështu do të jetë, sepse gjaku im është gjaku Shqiptar,nuk do të jetë kurrë gjaku huaj!

A ju kujtohet z.Dudiq kur ishit në Priboj (nëse nuk gaboj) kur ishit ulur me vëllezërit tuaj Vuçiq dhe Vulinin në të njëjtën tavolinë, kur njëri nga vëllezërit tanë filloi të thoshte se gruaja dhe vajza e tij, të cilat kishin veshur një hixhabin, u sulmuan nga serbët dhe u përpoqën t’ia hiqnin të njëjtin hixhab nga koka gruas dhe vajzës së tij, dhe ju nga frika e Vuçiqit dhe Vulinit (për të mos prishur marrëdhëniet vëllazërore me ta), u përpoqët t’ia mbyllni gojën burrit me mimikë. Dhe ju ftoni dikë në Islam? Lëreni atë punë, nuk është për ju”, shkroi Amina Nuraj, kryetare e Këshillit Nacional Shqiptar në Pazarin e Ri në Sanxhak.(INA)

Kandidati republikan për President Donald Trump tha të enjten se nuk do të marrë pjesë në një debat tjetër presidencial përballë demokrates Kamala Harris. Disa anketime treguan se Nënpresidentja fitoi debatin e parë mes tyre të martën.

“NUK DO TË KETË NJË DEBAT TË TRETË”, shkroi ish-Presidenti në rrjetin Truth Social. Zoti Trump mori pjesë në debatin me Presidentin Joe Biden në qershor përpara debatit të 10 shtatorit me Nënpresidenten Harris.

Edhe pse zoti Trump u krenua me paraqitjen e tij kundër zonjës Harris, 6 donatorë republikanë dhe tre këshilltarë të zotit Trump i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se zonja Harris e kishte fituar debatin kryesisht sepse ish-Presidenti nuk u qëndroi besnik mesazheve që duhet të përcillte tek votuesit.

Sipas të dhënave të kompanisë Nielsen, rreth 67.1 milionë vetë ndoqën debatin presidencial të së martës, një rritje e theksuar e shikueshmërisë nga debati i qershorit që përfundimisht çoi në tërheqjen nga gara të Presidentit Joe Biden.Duke folur në një tubim zgjedhor vetëm pak pasi zoti Trump kishte bërë njoftimin në Truth Social, kandidatja demokrate Kamala Harris tha se “besoj se e kemi detyrim ndaj votuesve një debat tjetër”.

Ndërsa zoti Trump shkroi në postimin e tij se anketimet tregonin se debatin e fitoi ai, disa sondazhe treguan se votuesit mendonin se zonja Harris u paraqit më mirë.Sipas një anketimi bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos që u publikua të enjten, ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, zonja Harris mori 53 për qind mbështetje, ndërsa 24 për qind prej tyre thanë se debatin e kishte fituar zoti Trump.

Anketa tregoi se 52 për qind e votuesve të regjistruar besonin se një debat i vetëm mes të dyve mjaftonte, ndërsa 46 për qind do të donin një përballje të dyte mes kadidatëve.

Sipas një anketimi të CNN të bërë pas debatit, shumica e shikuesve thanë se zonja Harris pati një paraqitje më të mirë se zoti Trump.

Një sondazh i bërë nga organizata britanike hulumtuese YouGov tregoi se 54 për qind e të anketuarve thanë se zonja demokratja Harris e kishte fituar debatin, kundrejt 31 për qind që mendonin se fitues ishte republikani Trump.

Anketimet e mëparshme kanë treguar se dy kandidatët kanë në nivel mbështetjeje thuajse të njëjtë me njëri tjetrin përfshirë edhe në shtete që pritet të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.

Robert De Niro qortoi Chris Wallace për pyetjen nëse Donald Trump “nuk do të hiqte dorë nga pushteti” nëse fiton përsëri.

Aktori 81-vjeçar, i cili është një kritik i zëshëm i ish-presidentit 78-vjeçar, tha: “Ti e di që ai nuk do ta bëjë! Ai e ka deklaruar vetë! Ai kurrë nuk do të heqë dorë. Dhe kushdo që e mashtron veten duke menduar që ai do ta bëjë, turp për ju!”.

Wallace, 76 vjeç, më pas e pyeti nëse ata do të takoheshin ndonjëherë pasi të dy kishin jetuar në New York në vitet ’70 dhe ’80.

De Niro u përgjigj se ai kurrë nuk kishte dëshiruar të kishte të bëjë me Trump, duke e quajtur atë “një idiot”, dhe shtoi se vendi ka nevojë për dikë si Kamala Harris, që ka qëllime të mira.

Trajneri i Evertonit, Sean Dyche, ka folur për gjendjen e sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja.

Broja i cili u transferua në “Godison Park” nga Chelsea në formë huazimi pritet t’i mungojë skuadrës së kaltër për pak kohë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe trajneri, Sean Dyches, i cili thotë se Broja ka një lëndim të vogël dhe i duhet pak kohë deri në rikuperimin e tij.

“Armando Broja do të ketë nevojë për pak kohë. Unë mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë situatë. Ai ka një lëndim dhe kjo do t’i duhet pak kohë”, u shpreh Dyches para ndeshjes së vikendit ndaj Aston Villas në Premier League.

Broja ishte larguar nga grumbullimi i Shqipërisë për shkak të një lëndimi dhe për ta finalizuar transferimin tek Evertoni.

Kryeministri  Albin Kurti ka deklaruar se Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë, e cila ka për strategji krijimin e tensioneve në Kosovë dhe ndarjen e Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe shmangur reformat e nevojshme.

Ai këto komente i bëri sot në panelin online të diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe kriza globale – Stuhi të reja apo diell?”, në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Kurti tha se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.

Kurti theksoi se Serbia duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar, dhe se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal, dhe se vijon të punojë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Ai shtoi se Kosova në tri vjetët e fundit ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës.

Ndryshe, pjesë e panelit ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Zhelko Komshiq, emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian Tonino Picula dhe shefja e diplomacisë sllovene Tanja Fajon.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përgjatë adresimit të sotëm, është pyetur nga gazetarët edhe për aktakuzën e autoriteteve të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se organet serbe po e kryejnë hetimin e tyre, duke shtuar se EULEX-i nuk ia ka dorëzuar Beogradit të dhënat e kërkuara.

Vuçiq gjithashtu theksoi se për Serbinë rasti Banjska nuk është terrorizëm.

“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiq.

Në atë sulm të kryer nga një grup i armatosur serb, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Nga Alban Selimi-Preshevë

Sot qe e degjova hoxhen e Sanxhakut qe shfaqe haptas qellimet islamizuese te Presheves shqiptare dhe nje grup injorantesh qe i duartrokisnin, ndjej obligim te ftoj gjithe politikanet ne Lugine te Presheves qe te kene guxim te distancohen nga qellimkqinj si ai.

Deklarata te tilla jane anti shqiptare dhe nuk kane per baze as religjionin islam dhe parimet e tij, por islamin radikal politik qe ka qellimin te na ndaje nga identiteti yne kombetar.

Eshte obligim i te gjitheve t’iu tregojne se nuk kane vend ne Presheve ata qe mesojne popullaten te thone: Ne nuk jemi shqiptare; jemi muslimane!!!

Eshte obligim edhe i prijesve fetare te distancohen nga nje njeri si ky, i rrezikshem dhe pjese e agjenturave qe shqiptaret duan t’i tjetersojne.

Po ashtu, Keshilli Kombetar Shqiptar qe po ben nje pune te mire ne Sanxhak ne ruajtjen e identitetit qe hoxhallare si ky me shekuj bashke me Serbine u perpoqen ta tjetersojne, duke lene pa gjuhe e deformuar identitetin, duhet t’iu tregoje shqipfolesve te veshur si predikues fetare se deklaratat e tilla te gatuara ne Akademine Serbe te Shkencave jane pjese e perpjekjeve shekullore per te na ndrydhe identitetin tone kombetar; por edhe ate fetar.

Lugina e Presheves kishte hoxhallare qe vdiqen nen flamurin Kuq e Zi. Kishte Sinan Maxheren qe la kuranin per te kape pushken e xhamadanin e qe vdiq per Shqipnine qe ai e donte te shtrire ne Lugine. Cili eshte vatani qe na predikon nje hoxhe si ky, i rrezikshem, shume i rrezikshem, shume shume i rrezikshem dhe paciperisht i poshter!

Një libër i botuar nga ish- kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut Sulejman Rexhepi përmban një sërë dëshmish të rënda, kundër ish- presidentit Ilir Meta dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, përfshi Fahri Balliun, si dhe disa gazetarë dhe të vetëquajtur diplomatë, që i kanë shitur atij dekorata nga ish- presidenti Trump, si dhe “Urdhrin e Skënderbeut” nga ish- presidenti i Shqipërisë. 

Libri ka filluar të botohet pjesë pjesë në vitin 2018, dhe i plotë në pdf gjendet online:

Libri i Sulejman Rexhepit

Më poshtë po botojmë pjesën ku vet ish kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut tregon se si i shitën dekoratën e presidentit Trump, Ferdinand Samarxhiu dhe një i vet shpallur diplomat, Ylli Paja. 

Pas botimit të pjesës së parë të mënyrës se si ky person ka blerë dekoratën e “Urdhrit të Skënderbeut” tek Ilir Meta përmes negociatave me Fahri Balliun, tani po botojmë pjesën kur ka blerë dekoratën nga presidenti Trump.

 Pas botimit zoti Rexhepi ka deklaruar se ai nuk ka bërë kurrë deklarata apo shkrime të tilla. Në fakt libri është online, i pandryshuar prej datës 17.02.2020, dhe ai ka pasur kohë ta korrigjojë ose përgënjeshtrojë. E vetmja arsye që na shkon në mendje është se ndoshta e ka bërë për shantazh që këta që e kanë mashtruar ti kthejnë lekët. Sidoqoftë po botojmë pjesën tjetër që në libër është nga faqja 103 deri në faqen 105. Ndoshta ja kthejnë lekët pas botimit. 

Unë njeriu i Amerikës 

Faqe 103

Loja e shërbimeve intelegjente maqedonase më kishte lodhur në shpirt. Një jetë të tërë në bashkëpunim, në shërbim, në kundërshtim, në përndjekje dhe sërish në bashkëpunim më këtë shërbim! Dhe në fund, kapak i dhanë këta mangupë, “puçistët”! Po ndjeja se po më shterronin fuqitë, se pleqëria më kishte mbështetur për muri, se sëmundjet e ndryshme që më kanë kapur në këtë moshë po më bëjnë të dukem si një foshnje që mezi pret të thithë. Nuk po gjejë ndonjë faktore cicëmadhe ku mund të thithë e të më kthehen fuqitë. Këtë ndiesi të pakëndshme ia pata shprehur në një ditë ramazani, njëfarë gazetari nga Shqipëria që Maqedoninë e ka bërë teren përfitimi. Ferdinand Samarxhiu, kishte arrdhur për një emision për muajin e Ramazanit dhe, këtij ia shpreha këtë dhembje, duke kërkuar si i mjerë prej tij që të më caktojë një takim me presidentin shqiptar, z. Ilir Metën, meqë më tha se ishte bërë këshilltar i tij. Në bisedë e sipër, Ferdinandi më doli me një propozim shumë interesant.

Më tha se funksionojnë disa kanale që mund të më sjellin dekoratë nga presidenti Amerikan, z. Donald Tramp, si dhe nga ai i Shqipërisë z. Ilir Meta. Lobimet janë shumë të shtrenjta, por që përfundojnë me dekorime! Të dy kanalet funksionojnë në Shqipëri! Qenka një organizatë masonerike, e themeluar prej hebrenjëve, të cilët janë të lidhur me zyren presideenciale amerikane e cila shpërndanë mirënjohje në emër të presidentit anekënd botës, për secilin individ që është në përputhshmëri me politikat amerikane, në fakt, me politikat masonerike të hebrenjve. More, i thashë, Ferdinand Samarxhiut, jam në gjendje të bëhem edhe rabin, vetëm të marr mirënjohje që ka nënshkrimin e presidentit amerikan! Po, tha, Ferdinandi, mos u mërzit, sepse këtë mirënjohje deri më sot nga shqiptarët e ka marryr ky e ky, ky dhe ky dhe, në fund, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj! Kur ma tha këtë, mu bënë sytë filxhan!

Në këtë bord të këtij fondacioni masonerik, më tha se është edhe Ilir Meta si dhe shumë ministra të tij, të partisë së tij! Sa kushton, e pyeta Samarxhiun. Po ja, më tha, Kyeministri ka paguar 180 mij dollarë. Për ty mund të kushtojë pak më shtrenjtë, sepse, asgjë nuk të lidhë me politikën amerikane, për dallim nga Ramushi! 250 mij euro vendosën që çmimin e Donald Trampit të ma sjellin në Shkup, madje të ma ndajë ndonjë përfaqësues amerikan! Pasi u morëm vesh mirë e mirë, pas një javë sërish erdhi Samarxhiu te unë dhe, më tha se, për kaq para nuk ka llogari të vie amerikani nga Florida e të ma dorëzojë dekoratën, plus që, manifestimi duhet të shoqërohet edhe me ndarje të disa dekoratave të tjera, që mos të del puna se nuk ka njerëz të tjerë proamerikanë. Më tha që t’i gjejë edhe nja dy-tre persona të tjerë, të cilët do të paguajnë nga nja 20-30 mij euro për të marrë dekoratë në emër të Universitetit të Floridas ku punon i tërë stafi që merret me këto lobingje. Fola me Qani Nesimin dhe me Shaqir Fetahun, të cilët, mezi kishin pritur që të dekorohen. Fol, thanë, sa duhet do të paguajmë, vetëm të dekorohemi bashkë me ty, do të jemi shumë të nderuar. Ju thashë që t’m’i sjellin nga 30 mij euro se do t’ua jap unë. Natyrisht, Samarxhiut ia dhashë nga 18 mij euro, të tjerat i futa në xhepin tim. I treti ishte Feriz Dervishi, njëfarë kinse bisnesmeni nga Kumanova. 

Por, një muhabet i Ferdinandit sikur ma zbehu dëshirën për këtë dekoratë. Ai më tha se, funksionon edhe një lobing i cili mund të ma sigurojë dekoratën presdenciale të Shqipërisë, për të cilën do të duhej të paguaja 300 mij euro. Natyrisht, jo për Ilir Metën por, ato para do të përdoreshin për të paguar, rrymë, ujë, telefona, nxemje, freskim të hapësirës së Presidencës. Kështu po funksiononte në tërë botën. Përfitimet nga lobingjet nuk po hykan në xhep të presidentit por po shkuakan në fond të mirëmbajtjes së presidencës! 300 mij euro? Sikur ta kem këtë dekoratë do të piknin përdhe të gjitha ato pseudonime policore “Zhiko”, “Zharko”, “Sheriat”… 
  
Në BFI ka plotë para, veçse tregoni ku ka dekorata 

Kur erdhi Ferdinand Samarxhiu për t’i marrur paratë bashkë me një profesor, Ylli Pajën, i cili që nga barku vërehej se është shpirt i pangopur, dhe pastaj të ma sillnin dekoratën e Trampit, ma treguan edhe vendimin e zyres që paskësh vendosur të më dekorojnë por që, duhej të plotësohej edhe një kusht: të zhvilloja pak propagandë kundër mjekrrave, kundër xhihadistëve, kundër vehabistëve. Më thanë që presidenti Amerikan do ta shpallte si kryeqytet të Izraelit Jarusalemin dhe se ambasadën amerikane do ta dislokonte në këtë qytet. Unë duhej ta përshëndesja këtë gjest dhe të flisja, nëse jo publikisht, të paktën nëpër xhemat. Po more, si jo, ju thashë, flas unë sa të doni ju, sepse këta arabët janë popull injorant, as që marrin vesh se çka kam folur unë. I shikoni se çfarë populli janë, pa fije kulture, pa asnjë bagazh historik e kulturor, janë si kafshë që ju turren bustave e përmendoreve mijëravjeçare për t’i shkatërruar.

Ata janë të pacivilizuar e të paarsimuar, sepse, universitetet e tyre, sidomos ajo e Medines prodhojnë vetëm terrorista, radikalista dhe asgjë tjetër. Ja, më tha, profesor Ylli Paja, pikërisht këto gjëra t’i thonit, pse jo edhe publikisht, qoftë kjo edhe përmes ndonjë televizori lokal. Do t’ua bëni shumë qejfin amerikanëve. Po po, do ta flas këtë, ju thashë. Madje, edhe Jerusalemi! A e ka shpallur Pejgamberi vend të shenjtë, sidomos xhaminë aty, gjatë natës së Israsë dhe Miraxhit! Po myslimanët janë budallenj e nuk e kuptojnë politikën amerikane. Amerika futet aty për ta ruajtur atë qytet të shenjtë, atë vend që e bekoi Pejgamberi ynë.

Amerika ka respekt për Muhamedin a.s. e jo myslimanët e egër që janë në gjendje t’ia vënë flakën edhe Xhamisë ku u fal Pejgamberi ynë, vetëm e vetëm mos ta lënë në duart e hebrenjëve. E di unë, kjo është politika e Trampit që e dislokon amabsadën amerikane në këtë qytet, vetëm e vetëm që mos t’i lë mundësi askujt për ta dëmtuar apo për ta sulmuar Jerusalemin ku gjendet xhamia në të cilën Pejgamberi ynë për herë të parë u bë imam duke ju prirur në namaz të gjithë pejgamberëve të më parshëm. Ndaj kësaj mrekullie Amerika ka respekt të padiskutueshëm, prandaj edhe e merr nën mbrojtje dhe siguri të veten këtë qytet, dhe jo sepse këtë e paskan kërkuar hebrenjtë. 

Pas kësaj ligjerate, u mrekullua Ferdinand Samarxhiu, kurse profesori Ylli Paja ngeli pa fjalë, duke më thënë se, jam diplomat karriere por, një ligjeratë kaq racionale e të mrekullueshme nuk e kisha menduar kurrë. Bravo “reis ulema”, më tha Paja! I morën paratë duke më premtuar se, vetëm sa të plotësohej edhe kjo fushatë proamerikane në CV-në time, menjëherë do të vinte dekoarata, por që nuk do të duhej të vonohej më shumë se nja një muaj. 

Pas kësaj, nuk rreshta së foluri. Në të gjitha studiot ku me jepej rasti flisja për arabët si për popull të kotë, pa histori, pa kulturë, si të egër, vrasës. Dhe, me këtë e dija se po rrezikoja që ta humb tërë përkrahjen nga arabët por edhe nga turqët. Edhe ashtu nuk më kishte mbetur më interesimi për BFI-në të cilën po e shoh gjithnjë e më shumë tek fundoset, mendjen e kisha te dekoratat. Më duheshin edhe këto dy dekorata që të mbylleshin gojat e këqia që papushuar e theksojnë pseudonimin tim policor “Zharko”, “Zharko”, “Zharko”… Ta marr unë dekoratën e Trampit dhe të Metës e, pastaj, në rrotë t’samës le të shkojnë të gjithë, me gjithë BFI-në. 

Burimi i artikullit

https://www.gazetatema.net/rajoni/skandali-si-jashiten-300-mije-euro-dekoraten-e-presidentit-trump-sulejman-i457240#galeria