Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar të premten pamje nga zhvarrimi që po u bëhet trupave në një varr masiv të gjetur pranë qytetit të Izium-it.

Në një tekst që shoqëronte fotografinë në kanalin e tij Telegram, Zelensky shkroi: “E gjithë bota duhet ta shohë këtë. Një botë në të cilën nuk duhet të ketë mizori dhe terrorizëm. Por e gjithë kjo është atje. Dhe emri i saj është Rusi.”

“Më shumë se 400 trupa u gjetën në vendin e varrimit masiv në Izium. Me shenja torturash, fëmijë, të vrarë si rezultat i sulmeve me raketa, luftëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës,” tha Zelensky.

Rusia lë vetëm vdekje dhe vuajtje pas,” vazhdoi ai, përpara se të zotohej: “Nuk do të ikni. Nuk do të fshiheni. Ndëshkimi do të jetë me të drejtë i tmerrshëm.”

Ndërsa zhvarrosja vazhdon, është e paqartë se si ka vdekur secila viktimë dhe kur. Dhjetëra civilë dhe ushtarë u vranë në bombardimet njëjavore të Izium nga forcat ruse në mars dhe prill.

Një ekip i CNN në vend tha se varret që panë ishin kryesisht individësh, disa të shënuar vetëm me numra dhe të tjerë me emra të plotë dhe detaje të tjera.

Shpërndaje artikullin në: