Pas aktit historik të shpalljes së Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat e njeriut më 10 Dhjetorë të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ftoi të gjitha shtetet, që ta shpallin tekstin e Deklaratës, të përpiqen ta përhapin, ta shpjegojnë, sidomos në institucionet edukative, pa marë parasyshë statusin e tyre juridik e politik. Përskaj kohës së gjatë nga shpallja e kësaj Deklarate, e njejta në shtete të ndryshme, akoma është në fazën fillestare të implementimit dhe praktikimit të sajë në praktikë. Kjo periudhë që nga shpallja e deri më sot mund të karakterizohet si periudhë ku të drejtat e njeriut filluan të njihen si vlera të përbashkëta të njerëzimit, por njëkohësisht edhe i shkeljeve më barbare të të njejtave. Nga vetë Deklarata, dhe nga natyra apo fryma e sajë, në fokus të vëmendjes vihet njeriu, kurse nga ana tjeter si promotor, realizues apo garantues i të drejtave vihet shteti, i cili në disa raste është edhe dhunuesi më i madh i po të njejtave liri dhe të drejta. Kjo hyrje, në njëfarë mënyre ky relacion ,,njeri-shtet dhe mes tyre të drejtat,, ishin pikërisht arsyet, për të pasqyruar edhe realitetin tonë, në të cilin edhe jetojmë. Andaj si parakusht apo bazament i gëzimit të të drejtave të njeriut mbetet Deklarata, e cila shërben si udhërëfyes dhe e cila përmes Ligjeve pozitive, të shteteve përkatëse edhe vihet në funksion të jetësimit të sajë në praktikë.