Qeveria miratoi Aktin Normativ për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Këshilli i Ministrave vendosi dhurimin e 17 apartamenteve, në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndodhura në njësinë administrative nr.1, Tiranë, për familjarët e viktimave.

Të gjitha shpenzimet e mobilimit dhe të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente mbulohen nga buxheti i shtetit.

Apartamentet që dhurohen për familjarët e viktimave të tërmetit hiqen nga lista e pasurive të paluajtshme të Bashkisë Tiranë ose të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhurojnë në favor të familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 edhe apartamente nga fondi publik i banesave sociale, të përfituara sipas ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Këshilli Bashkiak Tiranë ose i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore jep pëlqimin për tjetërsimin e këtyre pasurive të paluajtshme në favor të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, sipas parashikimeve të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar”, thuhet në këtë Akt Normativ.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen fillimisht regjistrimin e apartamenteve që do të dhurohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme në emër të Bashkisë Tiranë dhe më pas kryen veprimet e nevojshme për kalimin dhe regjistrimin e tyre në pronësi të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti.

Dhurimi realizohet nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas parashikimeve të Kodit Civil.

Kontrata nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose ai i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore dhe nga përfaqësuesit e familjeve përfituese, të përcaktuara në listën e dërguar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.

Apartamenti i dhuruar regjistrohet në bashkëpronësi të të gjithë anëtarëve të familjes përfituese.

Çdo shpenzim procedural për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e pasurisë paguhen nga Bashkia Tiranë ose njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore.

Akti Normativ detyron po ashtu strukturat shtetërore të vendosin në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë.

Kryeministri Rama në një lidhje live nga faqja e vet në Facebook ka garantuar sot se askush nga të dëmtuarit e tërmetit tragjik nuk do të mbetet jashtë e pa strehë, sipas tij.

Ai u ka kërkuar shqiptarëve me përgjërim të bëjnë durim e të mos shohim lajme.

Hotelet do i mikëpresin deri në minutën e fundit nevojtarët. Ata që nuk ndahen nga toka do i pajisim me cadra, të më falin të gjithë ata që nuk janë sistemuar, por ju lutem të bëjnë durim, ne nuk po rrimë duarkryq dhe nuk po bëjmë me sikur dhe as kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit dhe pa mbyllur programin e akomodimit përfundimtar në një banesë më të mirë se ajo që kishin para tërmetit”, tha Rama.

Sigurisht nuk mund të mungonte fiksimi me mediat.

Ju përgjërohem sa më pak televizor, hiç portale dhe qenefe dixhitale mundësisht. Ndjesë për gjuhën, të keqen e qenefit në fakt. Por për fat të keq njësoj janë dhe mediat e Kosovës. Mirë pra, përqafime të gjithëve se çfarë nuk të vret të bën më të fortë”.

Nga Bedri Islami-Ky është urdhri më i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj mediave.

Duke iu rikthyer një armiku të vjetër, shefi i qeverisë, si duket, i lodhur nga gjithë ajo mori punësh që synon t’i përballojë fillikat, bën thirrjen më të habitshme për një njeri që median e ka përdorur dhe e përdor gjithë ditën e gjithë natën për dëshirën e tij.

Rama e ka gjetur armikun e tij tek media, megjithëse disa nga pronarët më të fuqishëm të tyre janë miqtë e tij të tavolinave, me të cilët ndan jo vetëm hallet e qeverisë.

Por, nëse deri tani ka synuar t’i nëpërkëmbë gazetarët përmes rrumpallës fjalomane, duke i cilësuar kazan, apo kadri, tashmë kërcënimi ka arritur në një stad më të lartë, thuajse më të lartin e mundshëm: të qepin gojën.

E bën këtë në një kohë të pazakontë, ku faji nuk është vetëm i tërmetit, por edhe i shtetit.

Edhe i atyre që nuk u ndëshkuan kurrë për shembjen e themeleve shtetërore, edhe të këtyre që vijuan shembjen dhe qeverisin tani,

Media nuk është pronë qeveritare e aq më pak pronë e shefit të qeverisë.

Ky mund ta blejë, siç ka bërë, shumicën dërmuese të saj, por nuk ka asnjë të drejtë të sillet si po sillet me gazetarët.

Pronarët e mediave sot janë ndër ndërtuesit më të përhapur, e, megjithëse kjo nuk ka asgjë të paligjshme, përsëri, vetë ajo që po ndodh me godinat e goditura nga tërmeti, ka të bëjë edhe me to.

Bashkim Ulaj është pronar mediesh, por mbi të gjitha ndërtues.

Është i njëjti që, përmes një adoleshenti sportelist synoi të marrë tinëzisht një tender të rëndësishëm në Unazën e Madhe dhe që po ashtu po bëhet gati të kapë një ndërtim autostrade, ku, nga të gjitha raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, abuzimi është i hapur!

Por Bashkim Ulaj është mik i afërt i shefit të qeverisë, po aq sa ishte mik i ish shefit të qeverisë dhe familjes kryeministrore Berisha.

Vetëm ndërhyrja e një shefi të fuqishëm mund të mbyllë dy afera të mëdha, pas së cilave, me një spekulim spektakolar, sipas “Zërit të Amerikës, ishte pikërisht zoti Ulaj.

Tani Ulaj duhet të qepë gojën. Si kanë ndodhur gjërat ai duhet të ketë mbyllur shumë gojë!

Aleksandër Frangaj është pronari më i madh i mediave shqiptare, por edhe ndërtues.

Mendohet se pas firmës që fitoi tenderin e habitshëm dhe “mbresëlënës” për nga çmimi, është pikërisht një njeri i lidhur me të.

Me zotin Frangaj, jo një natë po, një jo, shefi i qeverisë takohet rregullisht.

Të qepë gojën Frangaj? Atëherë cilat media do i bëjnë jehonë vizitave të tij?

Dulaku është pronar medial dhe ndërtues. Ndoshta më i larguari nga tutela qeveritare, por gjithsesi është i varur prej tyre. Sepse qeveria jep tenderë, jep sheshe ndërtimi, jep lejet, të hapë rrugën ose ta mbyllë atë.

Ta qepë gojën Dulaku dhe të heshtë Vizion Plus edhe kur shefi i qeverisë bën sikur është zot i këtij vendi?

Thuaj të gjithë pronarët medialë janë ndërtues, disa prej të cilëve edhe miq të Edi Ramës.

Një gazetar i zakonshëm, në terren ose jo, që jeton me pagat e ulëta, të cilat ose nuk i paguhen në kohë ose i shkurtohen sipas qejfit të pronarit, nuk përbën më lajm.

Për tutelën ndaj tyre nuk ka folur asnjëherë shefi i qeverisë dhe as qeveritarët afër tij.

Ata e dinë se një gazetar, sado i zoti të jetë, nuk e bën dot vijën editoriale të një media, vizive apo në print.

Atë e bëjnë shefat dhe vetëm shefat.

Ata nuk i bën dot Edi Rama të qepin gojën.

Ata, kur t’u interesojë, do e bëjnë Ramën të qepë gojën.

Sepse aleanca mes tyre është më e fuqishme se autoriteti në rënie i një shefi qeverie.

Është e vërtetë se media të ndryshme, në këto ditë të jashtëzakonshme, e kanë tepruar duke luajtur me panikun, duke kërkuar të shëmtuarën, duke marrë pozën e një të gjithëdituri, duke u futur në kanalet e lajmit të zi, po pa e sjellë të bukurën, që, edhe në këtë mizori, ka ndodhur.

Është e vërtetë se media të ndryshme ndjellin të keqen, por askush nuk i detyron ata të qepin gojën.

As edhe një urdhër kryeministror.

Qeveria i bën ata të qepin gojën, nëse sjell transparencë, e jo nëse fton në mbledhje qeveritare, në njërin kreh personifikimin e një djali të ndershëm dhe në krahun tjetër një spekulator të dhimbjes që bëhet pronar spitalesh.

Qeveria mbyll gojën e medias nëse ajo hap të gjitha sekretet e mbledhjeve, të gjithë enigmat dhe vendos në krye të punëve njerëz të panjollosur në të shkuarën dhe, në këtë qeveri, ka plot të tillë, që nga rangjet e larta dhe deri tek zyrtarë të nivelit të mesëm.

Shumë vetë do të ishin më të lehtësuar nëse shefi i qeverisë e shpërndan përgjegjësinë dhe punët nëse ai sjell frymë përbashkuese dhe jo arrogancë meskine; nëse ai u hap rrugë vartësve të tij dhe jo t’i verë ata në pozitën e të nënshtruarit.

Përse mediat duhet të qepin gojën?

Të mos dëshmojnë se, nesër, një ditë të ardhshme, jo shumë të largët, mund të ketë abuzime? Duhet të jesh naiv të besosh se këto qeveritarë, shumë nga të cilët janë pjesë e skandaleve, do të dalin me duar të pastra nga gjithë ajo që do të ndodhë!

Duhet të jesh naiv të besosh se komitetet shtetërorë, qofshin kombëtare a jo, do të përbëhen vetëm nga njerëz të ndershëm dhe personalitete të shquara!

Media është aleati më i madh i një qeverie të ndershme dhe armikja e shpallur e një qeverie korruptive.

Përgjithësisht është pushteti i katërt, por, kur, në këtë vend njihet vetëm një pushtet, ai kryeministror, media është fuqia e dytë, që, sa është mbështetëse, është edhe kontrolluese.

Media nuk mund të qepë gojën.

Janë të tjerë ata që duhet të heshtin dhe të punojnë ndryshe!

Profesori i njohur, Shyqyri Aliaj garanton se nuk do të ketë një tërmet të tretë të ngjashëm me tërmetin e 21 shtatorit dhe me atë të 26 nëntorit, ndërsa jep edhe faktet shkencore ku bazohet në këtë konkluzion të tij.

Sizmologu thotë se të gjitha pasgoditjet që pasuan tërmetin e madh të 26 nëntorit po shkojnë drejt shuarjes.

“Jo nuk do të ndodhë një i tretë! Çdo tërmet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e tërmetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë.

Është një zonë që akumulon energji dhe vjen koha që një energji e akumuluar që bëhet aq e madhe që është në mes dy pllakave afrikane me pllakën europiane. Kur përplasen këto pllaka, pllaka afrikane zhytet futet poshtë pllakës euroaziatike, e saldojnë shkëmbin dhe gjenerohet tërmeti. Është një lëvizje e kontinenteve. Ky ndërveprim gjeneron tërmete në ultësirën perëndimore të Shqipërisë”, është shprehur Shyqyri Aliaj.

Në Durrës, ditën e sotme u shemb me eksploziv një objekt 6-katesh, pasi kolonat u shkatërruan nga tërmeti që ra ditën e martë.

Por në momentin që u shemb me eksploziv doli në dritë një tjetër fakt.

Pronari i hotel “Gostivari” kishte lënë fijet e hekurit të kolonave duke planifikuar që shtesa e kateve të vijonte.

Pallatet që u shembën në Durrës nga tërmeti erdhën si pasojë e faktit që kishin shtesa katesh të planifikuara, teksa fillimisht godinat ishin ndërtuar me llogari për dy apo tre kate po me kalimin e viteve shtesat vijuan, duke kaluar edhe parashikimet e si pasojë nga lëkundja e tërmetit u rrëzuan.

Hoteli në momentin e shembjes me tritol
Hoteli në momentin e shembjes me tritol

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se marrëveshja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ndodhi sepse kjo e fundit e kushtëzoi marrëveshjen me postin e presidentit.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”, është shprehur Konjufca në Pressing.

Tutje, Konjufca tha se VV’ja nuk e priste këtë kushtëzim.

“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”, ka thënë Konjufca.

“Pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur”, shtoi Konjufca.

Bebe Rexha ka arritur në Shqipëri për të ndihmuar nga afër të prekurit nga tërmetet.

Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka arritur në Shqipëri sot dhe ka folur për herë të parë pas ardhjes nga Amerika.

Nuk jam e lumtur që kam ardhur në Shqipëri në këto rrethana por jam e lumtur që mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Kjo është shumë me rëndësi për mua”, ka thënë Bebe për T7 sapo ka arritur.

“Kur i kam dëgjuar lajmet, zemra më është thyer pasi që unë jam shqiptare, babai im është shqiptar dhe është shumë me rëndësi për mua që të mbështesë vendin prej nga jam”.

Bebe ka treguar edhe cilët janë planet e saj për të mbështetur të prekurit nga tërmetet.

Ajo thotë: “Plani im kryesor është që të vetëdijësoj njerëzit në gjithë botën për atë se çfarë ka ndodhur, mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Gjithashtu kam mbledhur para me disa nga fansat e mi dhe qëllimi im është që të ndërtoj disa shtëpi dhe të ndihmoj disa njerëz. Pra, të jem pjesë e gjithë procesit, të siguroj që paratë po shkojnë në vendin e duhur derisa njerëzit kanë shtëpi në të cilat mund të jetojnë”.

Në fund këngëtarja ka thënë se ndihet shumë krenare dhe falëndreuese për Kosovën, pasi ata kanë ndihmuar shumë dhe ishte diçka shumë e bukur në gjthë këtë tragjedi, të shikojmë se si ata kanë hapur duart për shqiptarët.

Ajo gjithashtu shton se, megjithëse është lindur në New York, zerma e saj ka gjak shqiptar dhe gjithmonë do të mbështesë njerëzit e saj, pa marrë parasysh ku gjendet./Gazeta Express/

Fondacioni i hapur nga Bebe Rexha,After the earthquake, Help Albania

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ende vazhdon të jetë i mendimit se NATO ende është në gjendje të ‘vdekjes klinike’. Veçoi ndaras Turqinë si anëtare të aleancës që bashkëpunon nganjëherë me ndërmjetës të ISIS.

Ai kështu deklaroi duke zhgënjyer anëtarët e aleancës në prag të nisjes së samitit të NATO’s në Londër. Ky samit shënon 70 vjetorin e aleancës veri atlantike.

“Ende ashtu mendoj”, tha Macorn në konferencën e përbashkët për gazetarë me Presidentin Amerikan, Donald Trump, që ishte i pakënaqur me deklaratat e muajit kaluar të presidentit francez për ‘vdekje truri’’.

Presidenti i Francës sot tha se Turqia nganjëherë bashkëpunon me ndërmjetësit e radikalëve islamik ISIS dhe shtoi se ende ia zë për të madhe Turqisë pasi lufton kundër kurdëve në veri të Sirisë, pasi që ata luftuan kundër xhihadistëve.

“Turqia lufton kundër atyre që luftuan krah nesh. E nganjëherë bashkëpunojnë me ndërmjetës të shtetit islamik”.

Trump është në një vizitë zyrtare në Londër, për të festuar 70-vjeotrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ai tha se NATO i ka shërbyer një qëllimi madhor, dhe se komentet e Makronit kanë qenë vërtet fyese.

Ai shtoi gjithashtu se nuk i dukej e papërfytyrueshme që Franca të shkëputej nga NATO-ja, por nuk e shpjegonte dot se pse.

Megjithatë, Trump i zbuti tonet kur doli në një konferencë të përbashkët me Makronin, dhe tha se të dy vendet kanë bërë shumë gjëra të mira së bashku, si partnerë.

Makroni e pranoi që komentet e tij në lidhje me NATO-n kanë tronditur shumë njerëz, por tha se ai vazhdon t’i qëndrojë asaj që ka thënë.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e parë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë takim, kryetari i VV’së dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i njoftoi deputetët e grupit parlamentar për sfidat e reja për krijimin e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti në këtë mbledhje i uroi fitoren deputetëve të Vetëvendosjes.

“Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje.

Gjithashtu, Kurti i njoftoi deputetët e grupit më të madh parlamentar për sfidat për krijimin e koalicionit me LDK’në.

“Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës”, ka njoftuar Vetëvendosje.