As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudo- demokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”. Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm. Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

Akademiku Rexhep Qosja ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen herët apo vonë, pavarësisht zërave kundër. Qosja në një intervistë për A2 teksa komentoi marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës tha se fërkimet që kanë ndodhur janë të pakuptimta dhe në kundërshtim me orientimin e Albin Kurtit.

“Fërkimet, të cilat kanë qenë pak më të theksuara Rama-Haradinaj, më duken të pakuptueshme dhe të çuditshme. Janë një popull, dy shtete, një kulturë dhe një të kaluar. Tani, deshi fati, ishte një shans për shqiptarët, që ta shfrytëzojnë për shumëçka që t’i afrojnë marrëdhëniet e tyre që do të çojnë në një drejtim, që është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. U bashkuan Gjermanitë, por kurrë Gjermania Perëndimore nuk e ka hequr prej Kushtetutës bashkimin”.

“Këto fërkime janë të palejueshme. Këto janë në kundërshtim me orientimin e Albinit, por unë shpresoj se gjendja do të vijë duke u përmirësuar. Këtu kemi intelektualë dhe akademikë që kanë shkruar Kosova ua ka thyer qafën dy perandorive, otomane dhe austro-hungareze, do ia thyejë edhe Shqipërisë. Kemi intelektualë që mendojnë se duhet të krijohet edhe kombi kosovar. Çfarë do të thotë kjo? Ju lutem. Kush ua jep atyre këtë të drejtë? Çfarë përfaqësojnë ata që flasin kështu?! Populli shqiptar është ndarë me dhunë dhe për 100 vjet janë mbushur burgjet e Serbisë dhe Greqisë që kanë kërkuar bashkimit”.

“Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, sepse ky bashkim është më së pari në interesin e shqiptarëve. Unë mendoj se shtetet e Ballkanit, kur ta kuptojnë këtë punë do ta pranojnë. E kanë më mirë me një shtet shqiptar në BE sesa me një”.

Me 80 vota për dhe 6 kundër, kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, votoi Ligjin për Prokurorinë Publike.

Fillimisht ligji nuk kaloi, pro votuan vetëm 74 deputetë. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi anuloi votimin nën arsyetimin e pengesave teknike. Pas kësaj ndërhyrje procedurale kërkoi deputetja Liljana Popovska dhe deputeti Ferid Muhiç.

Pas ndërhyrjes procedurale të Poposkës dhe Muhiçit, Xhaferi sërish e vendosi Ligjin në votim, me çrastë pro ligjit votuan 80 deputetë dhe kundër ishin vetëm 6 deputetë të VMRo-DPMNE-së.

Pas kësaj koordinatori i VMRO-DPMNE-së në ndërhyrjen e tij procedurale kundërshtoi votimin duke bërtitur kriminel, kriminel dhe kërkoi që votimi i parë të jetë valid dhe jo votimi i dytë dhe kërkoi pauzë njëorëshe.

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në profilin e tij në rrjetin social Facebook shkruan se Maqedonia më në fund është pjesë e NATO-së.

Ai shkruan se “populli im, ia arritëm” dhe falënderoi deputetët për mbështetje. Pas disa vitesh rrugëtim, bllokada, regjime, ngecje dhe izolim. Falënderoj të gjithë deputetët nga grupi i LSDM-së, të gjithë deputetët e partive të tjera që ishin të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike, për guximin e tyre për të marrë vendime që ndryshojnë të ardhmen. Vendi ynë është në BE dhe NATO!”, shkruan Zaev.

Flamuri i Aleancës Veri-Atlantike, tw NATO-s është vendosur para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas Ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO.

Me 114 vota pro, asnjë kundër dhe të abstenuar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka miratuar ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, thotë se për të është me rëndësi që Ligji për Prokurorinë Publike dhe disa ligje tjera të rëndësishme të miratohen në Kuvend, por nëse opozita e bllokon sjelljen e tyre do të shtyhet shpërndarja e Kuvendit, por jo edhe data e zgjedhjeve, shkruan gazeta LAJM.

“Për mua është shumë me rëndësi të votohet për këtë Ligj në Parlament, kurse Parlamenti duhet të shpërndahet më 12 shkurt. Por, nëse opozita mundohet ta minojë ose bllokojë votimin e tij, atëherë Parlamenti nuk do të shprëndahet derisa nuk merret vendim për Ligjin për PSP-në dhe Protokollin për në NATO, apo Ligji për Mbrojtje“, tha Zaev. Në videon më poshtë mund ta ndiqni të plotë deklaratën e Zoran Zaevit.

Agim Vinca-Nuk e kam ditur, nuk e kam besuar, se Aleanca dhe PDK-ja e, deri diku, edhe Nisma, do ta përjetojnë aq rëndë humbjen e pushtetit! Ajo që dëgjuam sot në sallën e Kuvendit, e konfirmon katërçipërisht këtë fakt. Në vend se të kërkojnë falje për degradimin që i bënë shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj; për vjedhjet dhe mashtrimet; për nepotizmin dhe korrupsionin galopant; për arsimin dhe shëndetësinë e rrënuar; për skandalet e panumërta; për pasurimin e tyre të paskaj dhe për varfërimin e qytetarëve të Kosovës, që udhëheqja e derisotme ua nxiu jetën dhe ua vrau shpresën, deputetët e këtyre partive, të nxitur nga liderët e tyre, derdhën tirada të pafund gënjeshtrash, shpifjesh e akuzash në adresë të Albin Kurtit dhe të LVV-së e, pjesërisht, edhe ndaj partnerit të saj të koalicionit, LDK-së.
Është e qartë si drita e diellit se humbjen e pushtetit shumëvjeçar këto parti po e përjetojnë si tragjedi.

Carlo Bollino – Pasi ka sulmuar prej gjashtë vitesh qeverinë socialiste duke e akuzuar për dobësi dhe bashkëpunim me krimin, tani Partia Demokratike e riakuzon atë sepse ka aprovuar ligjin më të ashpër antikrim te shkruar ndonjëherë në Shqipëri.

Edhe këtë herë koherenca është një cilësi që Lulzim Basha nuk ka treguar se e zotëron. Kritikat e tij ndaj të ashtuquajturës “paketë anti-KÇK” tregojnë fatkeqësisht prapë se interesat e kësaj opozite nuk janë që të orientojë qeverinë drejt zgjedhjeve të dobishme për vendin, por ekzaktësisht e kundërta: të kundërshtojë qeverinë me çdo kusht nga frika se mund të bëjë zgjedhje të dobishme për vendin.

Elementi kryesor i përdorur nga PD në ktitikën e saj alogjike ndaj ligjit të ri kundër kriminalitetit, është se paketa anti-KÇK dublon ligjin ekzistent anti-mafia. Çështja nuk do të duhej të shqetësonte opozitën, por, eventualisht gjykatësit që do të duhet të përdorin këto dy ligje të ngjashme.

Të ngjashëm, pra, jo të njëjtë. Në të vërtetë paketa anti-KÇK shtrin aplikimin e normave të pasurisë ndaj krimeve më parë të papërfshira; fut masa parandaluese personale shumë të ashpra (nga sekuestrimi i pasaportes, deri te kufizimi i lëvizjes edhe brenda vendit) që ligji antimafia nuk parashikon; fikson afate të qarta për aplikimin; përshpejton procedurat e sekuestrimit; përcakton se brenda sa kohësh i dënuari ose vetëm i dyshuari për krime të rënda duhet të tregojnë origjinën e ligjshme të pasurisë së vet dhe krijon një trupë policie të specializuar ekskluzivisht të dedikuar në aplikimin e këtij ligji.

Praktikisht kjo paketë me rregulla të reja e kritikuar nga opozita e cila e gjykon deri anti-kushtetuese, në të vërtetë përmbush shumë boshllëqe që përmban ligji antimafia i votuar nga PD në vitin 2009, e më pas i fuqizuar nga socialistët që përfshinë edhe ato krime ndaj korrupsionit që Berisha nuk deshi të godasë. Versioni fillestar i PD-së përfshinte vetëm 16 vepra penale për të cilat ishte parashikuar sekuestrimi I pasurisë, paketa anti-KÇK sot përfshin 44.

Shumë më shumë se paketa antimafia, ligji anti-KÇK ka mundësinë të godasë me të vërtetë dhe në pak javë arkat e krimit të organizuar. Masat lejojnë sekuestrimin e menjëhershëm të llogarive bankare, vilave, restoranteve, hoteleve, tokave, kontratave konçensionare, pallateve, butikeve, makinave luksoze ose te blinduara, dhe çdo aktiviteti tjetër financiar apo burim ekonomik që lidhet direct apo indirect me një trafikant të dënuar në Shqipëri apo jashtë, ose të hetuar apo vetëm të dyshuar se ka kryer krime të rënda.

Nëse brenda 48 orëve bosi nuk arrin të faktojë origjinë e ligjshme të pasurisë së tij, pasuria konfiskohet për gjithmonë nga gjykata. Siç thonte dhe Giovanni Falcone, mënyra më e mirë për të fituar betejën kundër mafias është ta godasësh aty ku asaj i dhemb më shumë: Paratë.

Por ndryshimi me të vërtetë thelbësor mes dy ligjeve është se, ndërsa ai antimafia i aprovuar nga PD duhej të zbatohej nga gjykatat e zakonshme, ligji i ri anti-KÇK do të zbatohet nga prokuroret dhe gjykatësit e SPAK, pra elita e re e sistemit të drejtësisë së reformuar. Në vend që të citojë në mënyrë abstrakte ligjin antimafia ekzistues si model të mjaftueshëm dhe më të mirë, Lulzim Basha duhet të rreshtojë rezultatet që ligji i tij ka prodhuar në luftën kundër krimit të organizuar në vitet kur PD ishte në pushtet dhe më pas: Zero rezultate.

Që prej 2013 opozita akuzon qeverinë për rritjen e krimit, por në të vërtetë gabon objektiv: sepse kush ka shkatërruar indin social të Shqipërisë duke i dhënë dorë të lirë të fortëve dhe trafikantëve, është viroza e korrupsionit që në këto tre dekada ka përmbytur prokurori e gjykata. Përshkallëzimi I krimit, bashkë me korrupsionin e politikës, të administratës publike dhe të policisë në 28 vitet e demokracisë janë pasojë e korrupsionit të drejtësisë dhe jo e kundërta.

Një ushtri gjykatësish dhe prokuratorësh të korruptuar, në shumë raste të panjohur, kanë prodhuar në errësirën e dhomave të tyre më shumë dëme vendit se e gjithë klasa politike bashkë. Politika ka pranuar situatën për gjithë këtë kohë sepse ka qenë përfituese, të paktën deri në vendimin për ta reformuar drejtesinë.

Për 28 vite Shqipëria ka luajtur një kampionat pa arbitra në fushë, ose me arbitra të shitur. Revolucioni që përfaqëson ligji anti-KÇK është se këtë herë arbitrat do të jenë dhe janë gjykatësit dhe prokuratorët e SPAK dhe jo më ata gjykatës periferish që prej vitesh janë dhe vazhdojnë të jenë kamarierët e bosave.

Për SPAK-un ky do të jetë një test vendimtar, sepse pasuritë e kriminelëve nuk janë mister për askënd, ndaj kështu do të jetë e lehtë për të kuptuar se kush do të vazhdojë të jetë i mbrojtur sot e tutje. Ky ligj i heq alibitë të gjithëve dhe është prova më e mirë për të kuptuar nëse reforma e Drejtësisë do të mjaftojë për të shpëtuar vendin nga sundimi i bandave.

Partia Demokratike gënjen kur thotë se paketa anti-KÇK është e kotë sepse dublon edhe SPAK-un: Ligji anti-KÇK, përkundrazi, është mjeti më i fortë që qeveria i ka besuar deri më tani Spak-ut për të luftuar kriminalitetin. Eshtë një ligj i jashtëzakonshëm, që fut masa të jashtëzakonshme për një gjendje emergjence të jashtëzakonshme.

Një sfidë e vështirë për t’u menaxhuar nga opozita, sepse nëse do të fitohet, ashtu siç njerëzit e ndershëm shpresojnë dhe urojnë, merita politike do t’i shkojë Edi Ramës. Bile mund të jetë pikërisht kjo sfida që do të ndezë dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE. Por të rreshtohen kundër, do të thotë të bëjnë edhe këtë herë një zgjedhje të gabuar, duke tradhëtuar popullin dhe duke vendosur të qëndrojnë në krah të krimit, dhe vetëm për një interes banal personal dhe elektoral.

Nderkohë që pas gabimeve të pandërprera, nuk ka luskin të gabojë prapë. Skepticizmi është i madh dhe i përhapur, por lufta ndaj të keqes nuk fitohet kurrë vetëm më katastrofizëm. Nëse opozita vërtet ka për zemër luftën ndaj bandave, dhe jo vëtëm marrjen e pushtetit, e ka për detyrë ta mbështesë këtë nismë të re duke pritur në se prodhon apo jo rezultate, ndoshta pa duartrokitje, por të paktën në heshtje!

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 66 vota pro dhe 10 abstenim Qeverinë e re dhe Albin Kurtin si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shkruan KosovaPress.

Shumica e deputetëve të grupeve parlamentare të PDK, AAK dhe Nisma në momentin e votimit braktisën sallën e Kuvendit.

Kryeministri i ri Albin Kurti më pas bëri betimin kurse ministrat e qeverisë nënshkruan betimin.

Para diskutimit të deputetëve dhe votimit të qeverisë, krerët e grupeve parlamentare të PDK, AAK dhe Nisma, deklaruan votën kundër duke e justifikuar atë me pabesueshmërinë për realizimit të programit qeverisës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën plenare ka shpalosur para të pranishmëve programin e tij qeverisës.

Ndërsa ka folur për punësimin dhe zhvillimin ekonomik, Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij buxheti i Kosovës do të arrijë 3 miliardë euro.

Lideri i Vetevendosjes tha se qeveria e re do të ketë prioritet zhvillimin ekonomik, të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve, duke rritur pagën minimale.

Kurti tha gjithashtu se do të bëjë reformimin e drejtësisë përfshirë edhe miratimin e ligjit për vetingun, ndërsa përparësi do t’i jap edhe dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës.

Albin Kurti ka propozuar gjithashtu përbërjen e kabinetit qeveritar me 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.