Pas 46 testeve të kryera për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 6 persona, duke e çuar në total në 76 numrin e të infektuarve në Shqipëri. Referuar shifrave zyrtare të raportuara deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, meshkujt janë më të prekurit në Shqipëri nga koronavirusi, ku përbëjnë 59% e të infektuarve, e ndërsa 41% janë femra. 6 rastet e reja janë vijojnë të jenë nga dy qytetet më të prekura, Tirana dhe Fieri dhe janë kontakte me pacientët e konifrmuar më herët pozitiv.

Ashtu sikurse u bë e ditur një ditë më parë, dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues, por edhe pas daljes nga spitali, ata do të vijojnë të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike kurën e përdorur. “Ministria e Shëndetësisë ka siguruar medikamente bazë, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT.

Terapia mbështetet në protokollin klinik, mbështetet në medikamentet që trajtojnë shenjat klinike, simptomatike si dhe preparatet anti-viral. Personat që kanë lënë spitalit do të ndjekin masën e vetëkarantinimit duke respektuar etiketën respiratore për 14 ditë dhe higjienën personale”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të 37 pacientëve të shtruar tek infektivi, 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Tirana vijon të jetë qyteti më i prekur nga Koronavirusi me 55 qytetarë për t’u ndjekur nga Fieri me 8 të prekur, Durrësi 5, e ndërsa, Elbasani, Rrogozhina dhe Kavaja nga dy pacientë secili.

Spitali i dytë për COVID-19 është gati me një kapacitet prej 190 shtretësh, konfirmon Ministria e Shëndetësisë, duke çuar në total të shtretërve në dispozicion 310. Vetëm 76 prej tyre janë të zëna me pacientët që janë të shtruar në Spitalin Infektiv në QSUT.

Renditja e qyteteve më të prekura me koronavirus
Tiranë 55 qytetarë
Fier 8 qytetarë
Durrës 5 qytetarë
Lushnje 2 qytetarë
Elbasan 2 qytetarë
Rrogozhinë 2 qytetarë
Kavajë 2 qytetarë

Ministria e shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktet, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të këtij virusi.

“Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital”, bën me dije Ministria, ndërsa ka rikujtuar edhe një herë dy numrat e kontaktit që janë vënë në dispozicion për qytetarët.

Për ata që kërkojnë informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19 duhet të telefonojnë në numrin 0800 40 40, e ndërsa për ata qytetarë që kanë shfaqur simptomë duket të marrin numrin e urgjencës 127.

O.J/DITA

Një kamion me mallra të lëndës së parë ka hyrë nga Serbia në Kosovë, kanë bërë të ditur zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, tha se “mbrëmë Dogana ka filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë se Kosovës, me të cilin është hequr taksa prej 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”.

Kurse të shtunën është bërë zhdoganimi i lëndës së parë (produkte ambalazhuese), e cila ka kaluar sipas vendimit të Qeverisë se Kosovës.

Gjatë një viti, Kosova, pas vendosjes se tarifës në vitin 2008, ka importuar lëndë të parë nga Serbia me vlerë prej rreth 26 milionë euro.

Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar Vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e e Hercegovina.

Në Vendim thuhet se nga mesanata e datës 20.03. 2020 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.

Tarifën 100 për qind e kishte vendosur qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Që nga ajo kohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë, çka edhe u pasua me kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit e Brukselit për heqjen e kësaj mase.

I shëruari i parë nga koronavirusi ka lënë këtë të shtunë spitalin infektiv të Tiranës, i kthyer në qendrën ku priten të gjithë të prekurit me covid-19.

Pamjet e largimit të 53 vjeçarit i ka publikuar kryeministri Rama. Babai i pacientit zero rezultoi negativ dhe në testin e dytë të kryer, duke u bërë zyrtarisht i shëruari i parë nga virusi që ka bllokuar të gjithë Shqipërinë në shtëpi.

“I SHËRUARI I PARË DEL NGA SPITALI PËR T’U MBYLLUR NË SHTËPI PA DALË FARE 14 DITË, NËN VËZHGIMIN E MJEKËVE FANTASTIKË TË INFEKTIVIT”, shkruan Rama.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shkruan po në rrjetin social se babai i pacientit zero do të qëndrojnë në karantinë në banesën e tij për të paktën 14 ditë të tjera.

“#COVID-19 Pacienti i parë i shëruar sapo ka lënë spitalin Infektiv për t’u kthyer në shtëpi, ku do të qëndrojë për 14 ditë i vetëkarantinuar.

Mirënjohëse për punën e ekipit të #Infektivit që janë në ballë të betejës së vështirë me koronavirusin”, shkruan Manastirliu.

Kujtojmë se deri më tani janë të infektuar në total 76 persona, dy prej të cilëve kanë humbur jetën. Duke filluar nga kjo e shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës, qeveria ka vendosur të mos lejojë asnjë qytetar nëpër rrugët e qyteteve./Express

Legjenda e muzikës Country, Kenny Rogers, ka vdekur në moshën 81-vjeçare në shtëpinë e tij në Georgia. Lajmin e konfirmoi familja e tij.

“Familja Rogers njofton me pikëllim se Kenny Rogers ka vdekur mbrëmë në orën 10 e 25 minuta të mbrëmjes në moshën 81-vjeçare”, thuhet në njoftimin e familjes.

“Rogers vdiq në mënyrë paqësore në shtëpi nga shkaqe natyrore, nën kujdesin e mjekëve dhe i rrethuar nga familja e vet”, vazhdon njoftimi.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, familja është duke e planifikuar një funeral të vogël privat, ndërsa përkujtimet për të do të organizohen në një datë tjetër.

Këngëtari i ndjerë i kishte ndërprerë turnetë në vitin 2017 pas një karriere 60-vjeçare në disa zhanre, përfshirë jazz-in, folk-un dhe muziën Country, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Disa nga hitet e tij më të njohura janë këngët “The Gambler”, “Lucille” dhe “Lady”.

Kishte diçka kontradiktore në fjalimin e Boris Johnson në lidhje me reagimin e Britanisë ndaj koronavirusit të enjten.

I shoqëruar nga këshilltarët kryesorë shkencorë dhe mjekësorë të vendit, Kryeministri njoftoi se qeveria e tij po kalonte në fazën e “vonesës”, të planit të saj për të përballuar shpërhapjen, dhe paralajmëroi britanikët që ata po përballeshin me “krizën më të keqe të shëndetit publik të një gjenerate”, dhe duhet të jenë të përgatitur “se do të humbin njerëzit e dashur para se t’u vijë koha”.

E megjithatë, përballë një perspektivë kaq të rëndë, a do të marrë Britania e Madhe të njëjtat masa të rrepta si vendet e tjera të prekura? Jo, ishte përgjigjja. Të paktën jo tani.

Qeveria britanike ka thënë vazhdimisht se nuk beson se ndalimi i tubimeve në shkallë të gjerë dhe mbyllja e shkollave – siç kanë bërë Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja – do të ishin efektive në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Kjo vjen përkundër faktit se pjesë të Ishujve Britanikë, përfshirë Republikën e Irlandës dhe Skocisë (e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por ka një sistem të veçantë të kujdesit shëndetësor), tani po imitojnë fqinjët e tyre kontinentalë.

Më shumë analiza mbi shpërthimin

Arsyeja pse Mbretëria e Bashkuar nuk ka vendosur masa më të rrepta të “distancimit shoqëror” duket se është e rrënjosur në parashikimin e qeverisë, se shpërthimi mund të mos e arrijë kulmin deri pas 14 javësh – dhe se njerëzit nuk do të jenë të gatshëm të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrat e tyre të jetës dhe t’u përmbahen rregullave të reja për më shumë se tre muaj, kështu që nuk ka shumë kuptim të vendosen më shumë kufizime.

Rekomandimi i fundit për britanikët është të izolohen për shtatë ditë, nëse fillojnë të përjetojnë kollë të vazhdueshme ose temperaturë të lartë, dhe të vazhdojnë me zbatimin e rregullave rigoroze të higjenës, si larja më shpesh e duarve dhe dezinfektimi i sipërfaqeve.

Ministrat e qeverisë pretendojnë se vendimet e tyre udhëhiqen thjesht nga shkenca. Kjo shkencë, thonë ata, aktualisht sugjeron që do të ishte e dobishme që vendi të krijojë një lloj “imuniteti të tufës” ndaj koronavirusit të ri, në planin afatgjatë. Me pak fjalë, autoritetet duan që disa britanikë ta marrin virusin, veçanërisht pasi për shumë njerëz, simptomat e tij nuk do të jenë veçanërisht dobësuese.

Kjo qasje e ka ndarë opinionin në komunitetin mjekësor. Disa ekspertë e kanë akuzuar Johnsonin se nuk ka arritur të kuptojë sa e rëndë është situata, ndërsa të tjerë kanë lavdëruar qeverinë për refuzimin e përkuljes ndaj presionit të gjerë të kontinentit, për të ndaluar lëvizjet e publikut.

Ditën e premte, numri i rasteve të konfirmuara në Mbretërinë e Bashkuar ishte 798, me 10 vdekje. Sidoqoftë, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë Patrick Vallance ka pranuar se ishte e mundur që 5000 deri në 10,000 njerëz, tashmë mund të jenë infektuar. Dhe me kapacitetin e testimit që tani do të arrijë deri në 10,000 njerëz në ditë, shifrat me siguri do të rriten.

Mjekët paralajmërojnë për vetëkënaqësi

Shkencëtarët e qeverisë thanë se ata kanë vërejtur se virusi zakonisht rezulton në një infeksion të butë fillimisht për pacientët me asnjë gjendje aktuale shëndetësore, e cila zgjat rreth pesë ditë, por për të moshuarit ose të sëmurët, patogjeni hyn në një fazë të dytë pas kësaj, duke nxitur një përgjigje imune që shkakton shumë nga dëmet që vrasin.

Shpresa e ekspertëve është që plani i ri i Mbretërisë së Bashkuar do të shtyjë pikun e sëmundjes përtej fundit tradicional të gripit të stinës në prill dhe deri në verë, kur spitalet e vendit do të jenë më pak nën presion.

Por shumë anëtarë të spikatur të komunitetit mjekësor nuk janë të bindur nga qasja e qeverisë. Mjekët në vijën e parë të njësive të kujdesit intensiv kanë paralajmëruar për mungesën e mundshme të respiratorëve, siç shihet në Itali dhe Kinë kur rastet arritën kulmin atje, dhe thanë që nëse stafi sëmuret vetë, qasja në mjekët me përvojë mund të bëhet problem.

Kryeredaktori i revistës me ndikim “The Lancet” kritikoi reagimin e Mbretërisë së Bashkuar për krizën. “Për të shmangur një katastrofë të pakontrollueshme në Mbretërinë e Bashkuar, ne duhet të jemi të sinqertë për atë që duket se ka të ngjarë të ndodhë në javët e ardhshme. Duhet të rrisim urgjentisht kapacitetet në kujdesin intensiv. NHS nuk është e përgatitur”, shkruajti Richard Horton të enjten.

“Unë nuk jam duke alarmuar. Ajo që po ndodh në Itali është e vërtetë dhe po ndodh tani. Qeveria jonë nuk po na përgatit për atë realitet. Ne kemi nevojë për politika të menjëhershme dhe të sigurta të distancimit social dhe izolimit. Ne duhet të përgatisim NHS. Kjo është një lutje serioze”.

Për një vend që deri në kohët e fundit vendosi karantina në mënyrë rutinore për kafshët shtëpiake të familjes, është ironike që “mentaliteti i ishullit” i Johnsonit – i cili u bë i famshëm nga mbështetja e tij entuziaste për largimin nga Bashkimi Evropian – duket se nuk shtrihet në shëndetin publik, pasi ministrat hodhën poshtë sugjerimin që Britania të mbyllë kufijtë, ashtu siç urdhëroi Presidenti i SHBA Donald Trump këtë javë.

“Ai nuk po bën Trumpin”

Disa shkencëtarë ofruan fjalë mbështetjeje për masat e Mbretërisë së Bashkuar.

“Unë jam i pari që pranoj se nuk jam fansi më i madh i Boris Johnsonit. Por jam relativisht i impresionuar që ndryshe nga liderët e tjerë politikë, të cilët u përkulën para presionit të njëri-tjetrit dhe popullsisë së tyre për të zbatuar mbylljen e shkollave – të cilat ne nuk kemi prova të mjaftueshme për të ditur nëse do të ndryshojë apo jo – Johnson po dëgjon provat aktuale”, tha për CNN Dr. Clare Venham, profesore e politikave globale të shëndetit në London School of Economics.

“Ai nuk po bën si Trump duke mbyllur kufijtë, gjë që e dimë se nuk do të ketë efekt. Ai po ndjek një qasje mjaft të matur tani – por po, është një rrezik”.

Venham shtoi se ajo beson që përparësia e qeverisë ishte të shmangte panikun, dhe të sigurojë bashkëpunimin e publikut me masat parandaluese.

“Eshtë një bast politik nëse u del gabim. Nëse të gjitha vendet që zbatuan mbylljen e shkollave dhe udhëtimet e tubimet masive shohin ulje të rasteve, dhe numri i rasteve në Mbretërinë e Bashkuar rritet – ky është një rrezik”, tha ajo.

“Ne e dimë për shembull që mbyllja e shkollave funksionon për gripin, sepse fëmijët janë super përhapës. Ne nuk e dimë nëse është e vërtetë për koronavirusin. Por unë mendoj se qeveria po thotë: “shikoni, ne ende nuk e dimë nëse fëmijët janë super-përhapësit. Pra, pse të shkaktojë kaosin në jetën e njerëzve?”.

Keith Neal, profesor i njohur i epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e Nottinghamit, gjithashtu tha se ai mbështet lëvizjet për të frenuar shpërthimin.

“Planet janë të arsyeshme, është shumë e lehtë të thuhet se duhet të bëhen më shumë, por ka shumë pak prova për të marrë ndonjë vendim,” i tha ai PA Media.

Por ish sekretari i Shëndetit Jeremy Hunt i tha BBC-së se shumë njerëz “do të befasohen dhe shqetësohen” nga mungesa e veprimeve në kontrollin e lëvizjeve. “Unë mendoj se është befasuese dhe shqetësuese që ne nuk po e bëjmë asnjë prej tyre, kur kemi vetëm katër javë para se të arrijmë në situatën ku ndodhet Italia.

“Normalisht, çdo gjë që do të duhej të bënim në këto katër javë do të duhej të bëhej për të ngadalësuar përhapjen virusit”.

“Spërkat, paguaj dhe lutu”

Aty ku qeveria ka bërë lëvizje vendimtare, është në fushën e ekonomisë.

Kancelari i ri Rishi Sunak këtë javë akordoi fonde emergjence në buxhet – jo vetëm për të përforcuar Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar në një kohë urgjence, por edhe për të mbrojtur bizneset e vogla dhe të mesme. Në një qasje të koordinuar, Banka e Anglisë gjithashtu uli normat dhe shpalli planin e stimulimit.

Strategjia u quajt “Spërkat, paguaj dhe lutu” nga Financial Times.

Dhe këtu qëndron kleçka: Downing Street duket se mendon që paniku i shkaktuar nga lloji i ri i virusit – ose Covid-19 siç është bërë i njohur – mund të jetë më i rrezikshëm në planin afatgjatë, sesa vetë sëmundja.

Nëse basti i quajtur “ruaj qetësinë dhe vazhdo” përballë koronavirusit është qasja e duhur, vetëm koha do ta tregojë.

 CNN

Ka shkuar në 38 numri i të prekurve nga covid 19 në vend.

Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.

Deri në këto momente janë testuar 505 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 38 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 22 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste

Prej tyre:

12 jane të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina)

Dy prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Koronavirusi, apo COVID-19 tashmë pandemi botërore, po mban në alarm gjithë botën. Virusi ka prekur 149 vende në mbarë botën dhe po shënon përditë shifra të frikshme të viktimave, përjashtuar Kinën e cila vetëm sot raportoi për 4 raste të reja të infektimit.

Mediat e huaja japin një pasqyrë të plotë të vendeve të prekura dhe të rasteve të identifikuara për secilin vend.

Sipas të dhënave të fundit në mbarë botën janë 149 180 të prekur, 5 551 të vdekur, dhe të shëruar janë 73 712 persona.

Kujtojme se Kina ka 80 976 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 17 660 raste, dhe Irani me 12 729.

Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.

OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19. Kujtojmë se Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.

Ndërkaq, në YouTube, kush të dëshirojë mund të ndjekë në kohë reale ecurinë e koronavirusit në të gjithë botën.. Kjo hartë e llojit të ri u transmetua së pari në 26 janar, dhe që nga 30 janari transmetimi i drejtpërdrejtë nuk është ndërprerë.

“Qëllimi i transmetimit nuk është që dikush të ndjehet i shqetësuar. Unë po paraqes vetëm informacione që më ndihmojnë të kuptoj situatën aktuale”, thuhet në përshkrimin e transmetimit të drejtpërdrejtë.

Numrat bazohen në një kombinim të njoftimeve qeveritare dhe informacionit për median.

Për shumicën e njerëzve të infektuar, virusi Covid-19 shkakton simptoma të ngjashme me ato të gripit të zakonshmë. Koronavirusi futet në organizmin e njeriut kur dikush afër nesh kollitet, teshtit apo kur prekim një sipërfaqe të kontaminuar dhe më pas e prekim hungën, gojën apo sytë.

Së pari, virusi i infekton qelizat e fytit, rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë, duke i kthyer këto pjesë në “fabrika të virusit”, prej të cilave krijohen grupe të mëdha të viruseve të reja, të cilat më pas infektojnë më shumë qeliza.

Në këtë fazë, njerëzit mund të mos e vërejnë asnjë ndryshim në gjendjen e tyre dhe mund të mos shfaqin simptoma, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Periudha e inkubacionit, që e paraqet kohën mes infektimit dhe shfaqjes së simptomave të para, dallon në persona të ndryshëm, por mesatarisht është e gjatë pesë ditë, ndonëse mund të shkojë deri në dy javë.

Në fazën e mesme, personat e infektuar fillojnë të ndiejnë dhimbje në fyt, kokëdhimbje dhe dhimbje në trup. Pacientët përjetojnë rritje të temperaturës dhe kollitje.

Në fazën e mëvonshme, virusi shkakton inflamacion të mushkërive apo pneumoni. Disa njerëz kanë nevojë për ventilatorë që të marrin frymë, sepse vështirësohet ky proces. Në bazë të të dhënave nga Kina, në këtë fazë futen deri 14 për qind e personave të infektuar.

Në fazën kritike, infektimi mund të përfundojë me vdekje. Gjatë kësaj periudhe, sistemi imunitar del nga kontrolli, shtypja e gjakut bie shumë dhe disa organe nuk funksionojnë si duhet ose bllokohen plotësisht. Në këtë fazë përfshihen rreth 6 për qind e pacientëve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e menjëhershme të të gjitha bareve dhe kafeterive pas konfirmimit të dy rasteve të mbrëmshme se janë prekur me koronavirusin.

Mirëpo një vendim të tillë s’po e respektojnë një pjesë e dyqaneve në Prishtinë dhe qytete tjera.

Në pikën 6 të vendimit sqarohet gjithçka sa i përket lokaleve ku shërbehej kafja dhe ushqimi.

“Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Nga Roland Qafoku

1913-2008. Për 95 vjet, Fuqitë e Mëdha e shkëputën Kosovën nga trupi amë dhe ia dhanë Serbisë.

Ky është numri i 18 shtatorit të vitit 1913 të gazetës së qeverisë së Ismail Qemal Vlorës “Përlindja e Shqipëniës”, editoriali i të cilës, që nga analiza e tekstit unë besoj se është shkruar nën drejtimin e kryeministrit Vlora dhe drejtorit Dhimtër Berati, është një kundërshtim publik i vendimit të Konferencës së Ambasdorëve në Londër sipas të cilës Kosova i jepej Serbisë.

Për 95 vjet, ndaj popullisë shqiptare në Kosovës, serbët kanë kryer genocidin e dytë më të rëndë pas asaj që kanë bërë gjermanët ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E megjithatë, Kosova nuk u shua dhe nuk u asimilua falë idealit patriotik që rrallë mund ta mbajë një popull në ato kushte.

Ajo jetoi me një sakrificë sublime të një populli që derdhi lumenj gjaku, por edhe me mbështetjen e SHBA, derisa erdhi 17 shkurti i vitit 2008. Gëzuar 12 vjetorin e pavarësisë Kosovë!