Këngëtarja me famë ndërkombëtarë, Rihanna, ka dhuruar plotë pesë milionë dollarë në përpjekjet për lehtësimin e koronavirusit përmes fondacionit të saj, Clara Lionel (CLF).
Nëpërmjet një postimi në Twitter, fonadacioni bëri të ditur kontributin e dhënë.
“Ne i jemi përgjigjur COVID-19 duke ndarë pesë milionë dollarë në @PIH @DirectRelief @FeedingAmerica @rescueorg @WHO & #Barbados për të përgatitur vendet/ veshje mbrojtëse, pajisje mjekësore, ushqim nëpër rajone të shumta. #CLF#HealthcareHeroes”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Rihanna themeloi organizatën jofitimprurëse në vitin 2012 për nder të gjyshërve të saj, Clara dhe Lionel Braithwaite.
114 të infektuar, viktima e parë nga koronavirusi në Maqedoni
Ministri i Shëndetësisë në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se në vendin tonë tashmë kemi rastin e parë të vdekjes nga virusi korona. Bëhet fjalë për një grua 57 vjeçare nga Kumanova.
“Kemi rastin e parë të vdekjes nga koronavirusi. Është diagnostifikuar pas vdekjes mbrëmë vonë në Kumanovë. Bëhet fjalë për grua të moshës 57 vjeçe. Sa i përket pranimit dhe tretmanit, dua të them që kolegët kanë vepruar në bazë të protokollit. Me kohë janë bërë dy teste, që të dy testet kanë treguar rezultat negativ, ajo është trajtuar në izolim. Periudha e izolimit ka ndodhur javën e kaluar. Është marrë bris edhe pasi është konstatuar vdekja dhe ka rezultuar pozitiv”, tha mes tjerash Filipçe.
Ai njoftoi se për momentin në Klinikën Infektive po kurohet edhe djali i viktimës i cili është i moshës 33 vjeçe. “Është hospitalizuar edhe djali i viktimës dy tre ditë pas saj, gjatë javës së kaluar. Ai është 33 vjeç ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pasur komplikime dhe është izoluar në Klinikën e Pulmologjisë ndërsa më pas sipas protokollit është transportuar në Klinikën Infektive”, theksoi Filpçe. Ndryshe, në vendin tonë gjatë ditës së sotme janë regjistruar gjithsej 29 raste të reja me koronavirus, ndërsa numri i përgjithshëm shkon në 114. Sipas vendbanimit: Shkup (65), Dibra (36), Shtipi (7), Kavadar (2), Ohri (2), Gostivar (1), Kumanova (1)
Në Kosovë shkon numri në 28 të prekur nga koronavirusi
Edhe katër raste të reja janë konfirmuar se janë prekur me koronavirus. Rastet e fundit janë nga Ferizaj, Prishtina dhe Gjakova.
Nëpërmjet një njoftimi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se kanë bërë edhe 30 teste të reja prej të cilave 4 kanë rezultuar se janë prekur me COVID-19.
“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, thuhet në njoftim.
“Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive”, thuhet më tej në njoftim.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike.
Nga data 01.02.2020 deri me 21.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.775 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.110, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.102, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 1.699, Kullë 960, Qafë Morinë 47, Bërnjak 462, Qafë Prush 35, Muçibabë 152 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 21 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 276.996 raste të COVID-19 me 11.419 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (81.008), Italia (47.021), Irani (18.407), Spanjë (21.574), Gjermani (19.848), SHBA (19.774), Iran (19.644), Francë (12.612), Zvicër (5.615), Mbretëri të Bashkuar (3.983), Holandë (2.994), Austria (2.666), Belgjikë (2.257), Turqi (670), Greqi (495), Slloveni (341), Serbi (149), Kroaci (130), Shqipëri (70), Maqedoni e veriut (76).
Deri me 21 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 6.136 raste të vdekjes: Itali (4.032), Spanjë (1.093), Francë (450), Mbretëri të Bashkuar (177), Gjermani (68), Belgjikë (37), Greqi (10), Turqi (9), Danimarkë (9), Poloni (5), Austri (6), Luksemburg (5), Bullgari (3), Shqipëri (2), Serbi (1), Kroaci (1) dhe Slloveni (1).
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.
Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.
Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.
“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.
Koronavirsi/ Trump tregon ilaçin: Përdoreni në mënyrë urgjente, njerëzit po vdesin
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nëpërmjet postimeve në Twitter është shprehur se njerëzit duhet të përdorin HYDROXYCHLOROQUINE dhe AZITHROMYCIN të marra së bashku pas kanë një shans të vërtetë për të qenë efekti sa i përket koronavirusit.
Trump shkruan:
HYDROXYCHLOROQUINE & AZITHROMYCIN, të marra së bashku, kanë një shans të vërtetë për të qenë një nga ndryshuesit më të mëdhenj të lojës në historinë e mjekësisë. FDA ka zhvendosur male – Faleminderit! Shpresojmë se ata të dyja (H punon më mirë me A)
…. të vihet në përdorim të menjëhershëm. njerëz po vdesin, lëvizni shpejt dhe zoti i bekoftë të gjithë.
Në Zvicër,të infektuar 6.100, të vdekur 56,të shëruar 15 nga koronavirusi
Në Zvicër numri i personave të infektuar me virusin vdekjeprurës COVID-19 ka shkuar në 6,100 persona.
Mediat e huaja raportojnë se ky numër është rritur me 25% në krahasim me numrin e personave të testuar dje, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 56, sipas ministrisë së shëndetësisë.
Spitalet që ndodhen në kufirin me Italinë, që ndodhen në Ticino po përballen me një presion të madh.
“Situata në Ticino është shumë e tensionuar,” tha Daniel Koch, zyrtar për komunikim në Zyrën Federale të Shëndetit.
Megjithatë, shërbimet shëndetësore kanë raportuar se ka ende disa shtretër të lirë në spitalin e Ticino-s.
“Worldometers”, e cila publikon në kohë reale të dhëna nga koronavirusi, bën të ditur se deri më tani në Zvicër 15 persona kanë arritur të shërohen, shkruan albinfo.ch.
Ndërkohë që edhe Gjermania, Austria dhe Franca po përbllen me numër të madh të të prekurve, numri i shërimit ka arritur në 180 persona në Gjermani, 1857 persona në Francë dhe nëntë në Austri.
85 persona të infektuar me koronavirus në Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut njofton se gjatë ditës së sotme janë regjistruar edhe 9 raste të reja me koronavirus në vend.
Kështu numri zyrtar i personave të infektuar me virusin COVID-19 ka shkuar në 85.
Raste me koronavirus deri më tani ka në qytetet e Shkupit, Dibrës, Shtipit, Kavadarit, Gostivarit dhe Ohrit.
“Pacienti i vetëm që i është vënë aparat për frymëmarrjen është në fazë kritike. Tek tre pacientë të tjerë virusi është zhvilluar në formën e pneumonisë së rëndë, por që për momentin janë në gjendje të stabilizuar. Pacientët tjerë kanë pasqyrë më të lehtë klinike. Të gjithë pacientët që po i nënshtrohen trajtimit shtëpiak janë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Nga Entela Resuli / DITA– është një nga vatrat më të prekura nga koronavirusi në Itali. Ende nuk po njeh shifra në ulje përsa i përket numrit të të prekurve por edhe atyre që humbin jetën.
Për të kuptuar më shumë për këtë virus që po kërcënon botën, por edhe se çfarë mund të mësojmë ne nga gabimet e Italisë, sot në Dita po sjellim një nga mjekët më të talentuar shqiptar, që punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio, Milano.
Elson Gjoni, kirurg i përgjithshëm i specializuar në kirurgjinë e tumoreve. Ka lindur në Sarandë dhe është larguar në Itali në moshën 18-vjeçare për të vazhduar studimet universitare për mjekësi në Milano, ku dhe aktualisht jeton e punon.
Doktor Gjoni, për të zgjeruar njohuritë e tij është specializuar në disa nga spitalet më të mira europiane dhe amerikane. Në Heidelberg, Gjermani ka kryer master për kirurgjinë e pankreasit, një nga qendrat kryesore në botë për këtë organ; Në Paris, Francë për kirurgjinë laparoskopike, në Institutin e tumoreve në Boston, Amerikë për kirurgjinë laparoskopike të tumoreve të zorrës së trashë dhe stomakut, në Erlangen, Gjermani për trajtimin radikal të tumorit të zorrës së trashë.
Sot punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio (30 km nga Milano) që nga viti 2011.
Aktiviteti i tij fokusohet në tumoret abdominal (pankreas, stomak, zorra e holle dhe e trashe) dhe kirurgjia e tiroides.
“Këto vite pune për mua kanë qenë shumë të ngarkuara dhe me shumë sakrifica, por kënaqësia që të jep kirurgjia në kurimin e shumë sëmundjeve besoj që është unike dhe shpërblimi i çdo sakrifice. Është kjo kënaqësi që më shtyn për një axhornim të vazhdueshëm të profesionit tim”- shprehet Gjoni për Dita.
Sot, në këtë intervistë ai është i qartë, i ftohtë dhe i prerë.
Si një nga njerëzit që ka parë nga afër së çfarë ka ndodhur në vendin fqinjë, na jep vetëm një këshillë për t’i shpëtuar kolapsit: izolim, izolim, izolim.
-Doktor, prej disa ditësh Italia, sidomos ajo e Veriut po kalon ditë të vështira, si është perceptimi, pse kemi një shifër kaq të lartë të infektuarish?
Para se të flas për koronavirusin dua t’ju them që është një virus i ri që njihet shumë pak, që variablat janë të shumtë dhe vetëm analiza të mëtejshme që duan kohë mund të na japin përgjigje më të sakta. Publikimet dhe analizat e para ku bazohemi vijnë nga studimet kineze ose studime që po kryhen në këto momente.
Që nga java e fundit e shkurtit, kur u zbuluan pacientët e parë me Koronavirus, të infektuarit u rritën me ritme shumë të shpejta. Kjo ndodhi mbi të gjitha në zonën e Lombardisë. Në fillim rreziku dhe ashpërsia e këtij virusi u nënvlerësua. Por në një kohë të shkurtër numrat u rritën dhe atëherë filluan të merreshin masat e para duke bllokuar hyrjen dhe daljen nga disa zona në afërsi të Milanos. U kuptua se ky virus ka një virulencë shumë të lartë dhe transmetimi është i lehtë nëpërmjet spërklave të pështymës dhe kontakteve fizike. Kjo shpjegon dhe numrin e lartë të infektuarve. Atëherë siç e dini dhe ju tashmë Italia e gjitha është në karantinë prej 10 ditëve. Kjo krijoi një psikozë të popullata. Njerëzit janë të frikësuar dhe të dizorientuar sepse numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet përditë dhe se ky armik është shumë pak i njohur. Ka shumë persona që nuk takojnë prindërit e moshuar për ditë të tëra nga frika për të mos transmetuar infeksionin. Siç e dini mosha e madhe është dhe kategoria më e goditur nga virusi. Shumë punonjës sanitar jetojnë të ndarë nga familjet për të evituar infektime të tjera. Kjo sjell stres dhe destabilizim të mëtejshëm në popullatë.
Por nga ana tjetër të gjithë e kuptuan se izolimi dhe distanca sociale është e vetmja mënyrë për ta kaluar sa më shpejt këtë situate kaq të jashtëzakonshme. Shembulli më i mirë na vjen nga Kina ku çdo gjë filloi dhe tashmë infeksionet gati u zhdukën. Njerëzit po i respektojnë me përpikmëri masat e marra.
Mjeku Elson Gjoni
-Ka shumë humbje jete doktor, si shpjegohet ky fakt?
Po bëhen analiza statistike të vazhdueshme për të studiuar këtë fenomen. Ky virus godet më shumë moshën e thyer dhe me patologji kronike. Italia ka një popullsi të vjetër me mbi 25% e popullsisë që ka mbi 65 vjeç. Mosha mesatare e personave të vdekur është 80 vjeç dhe me patologji kronike. Por nëse krahasohen shkallët e vdekshmërisë për mosha nuk ndryshojnë nga ato kineze.
-Cili është rasti më i vështirë më të cilën jeni përballur këto ditë?
Rasti më i vështirë që kam përballur është dhe rasti i një kolegu (67 vjeç) që erdhi në urgjencë me probleme të frymëmarrjes. Pasi u diagnostikua me polmonit intersticial dhe tamponi pozitiv për koronavirus u shtrua në repart subintensiv dhe filloi trajtimin e parë me oksigjenim por të nesërmen pati një përkeqësim të shpejte dhe u intubua dhe u transferua në terapinë intensive. Për fat të keq pas dy ditësh ndërroi jetë. Ishte një koleg që vizitoi shumë nga pacientët e parë me koronavirus.
-Shumë thonë që Italia gaboi pasi i mori masat shumë vonë, vetkarantinimi a do e ulte numrin e të prekurve realisht?
Vetkarantimi do ta ulte numrin e të prekurve në mënyrë absolute. Por kjo masë u mor vonë. Unë nuk mund të them që Italia gaboi por ndoshta e nënvleftësoi. Kini parasysh që kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike dhe e paparashikueshme nga askush. Imagjinoni që vende të zhvilluara si Gjermania dhe Franca po i marrin masat këto ditë, pra me një vonesë akoma më të madhe edhe pse kishin si shembull ecurinë e keqe të Italisë dhe shumë vendeve të tjera.
-Doktor, në çfarë faze janë tani spitalet që kurojnë të sëmur me koronavirus. A është situatë e vështirë. A është e vërtet që përzgjedhin, cilin të kurojnë dhe cilin jo?
Situata e spitaleve në këto momente është shumë e rënduar. Kemi një riorganizim të plotë. Janë mbyllur sallat e operacionit, janë mbyllur ambulatorët për vizitat normale. Në shume spitale, të vetmet operime që bëhen janë urgjencat dhe tumoret por dhe këto të fundit duke marrë shumë vonesa. Kjo bëhet për të liruar dhe rritur numrin e shtretërve për të infektuarit. Por me gjithë këto vështirësi sistemi shëndetësor në Lombardi, një nga me ekselentët në Evropë, dha një përgjigje të jashtëzakonshme. Mjekët dhe infermierët punojnë me turne të zgjatura. U rrit me 50% numri i shtretërve në terapinë intensive. Kjo është shumë e rëndësishme për pacientët në gjendje kritike që mund të kurohen vetëm në terapi intensive. Po krijohen spitale fushor për të përballuar më tej këtë maksi urgjence dhe po shtohen aparaturat për ventilimin mekanik të pacientëve. Këtë për t’ju përgjigjur juve që nuk është e vërtetë që pacientët përzgjidhen për kurim. Por nëse numrat vazhdojnë të rriten sistemi shëndetësor mund të futet në kolaps.
-Çfarë është në të vërtet ky virus, pasi në fillim i tha se është një grip i thjesht, si gjithë të tjerët, por ja që ka ndalur jetën në të gjithë globin?
Ky virus nuk është absolutisht një grip i thjeshtë. Ka një virulencë të lartë dhe mbi të gjitha një shkallë të vdekshmërisë(3-5%) shumë më të lartë në krahasim me gripin e thjeshtë(0,2%). Është një virus që sjell në gjendje kritike 10% të pacientëve duke shkaktuar probleme të rënda te rrugëve të frymëmarrjes. Këta pacientë kanë nevojë për oksigjen ose me maska të thjeshta ose me aparate respirator deri dhe në intubim. Për këtë motiv është shumë e rëndësishme të shtohet numri i shtretërve për terapinë intensive.
-Shqipëria ndërkohë është një vend shumë afër Italisë, muajin e fundit ka patur shumë të ardhur nga ky vend, si gjithmonë në fakt. Jemi në një fazë ku kemi për momentin 64 persona që rezultojnë pozitiv me koronavirus, si e parashikoni në ditët në vazhdim?
Duke ditur siç, ju thashë me lart, virulencën dhe mënyrën e transmetimit të koronavirusit, parashikoj një rritje të numrit të infektuarave. Kjo për shkak të lëvizjes të personave të infektuar dhe të panjohur të këtyre javëve. Por do isha pozitiv në situatën tuaj për dy motive: 1) masat u morën menjëherë sa dolën rastet e para në krahasim me shumë vende të tjera. 2) mosha mesatare e popullatës shqiptare është më e re se ajo italiane dhe duke u bazuar në statistikat italiane mosha e re mund ta kalojë më lehtë sëmundjen. Edhe pse ka një pjesë të tyre të infektuar në mënyre kritike nga virusi.
-Çfarë duhet të bëjmë që të mos shkojmë në kolaps?
Duhet të ndiqni gjithë këshillat higjenik që ju kanë dhënë por mbi të gjitha të vazhdoni izolimin dhe distancimin social. Ndoshta dhe të rriten masat e izolimit se vetëm kjo mund të evitojë një situatë dramatike si në Itali. Në Itali, në zonat ku u morën masat që në fillim, kemi një shkalle të ulët të infektimit dhe të vdekjeve në krahasim me zonat e tjera. Kjo konfirmon idenë se vetëm izolimi ndihmon në kalimin e situatës ose ngadalësimin e infektimeve.
-A është testimi masiv dhe izolimi mënyra më e mirë që ku virus të mos përhapet?
E konfirmoj prapë që izolimi është mënyra më e mirë për të ndaluar transmetimin e virusin dhe përhapjen e tij.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit testimet duhet të shtohen por mbi të gjitha te personat e dyshuar për infektim dhe te personat që kanë patur kontakte me personat e infektuar, me ose pa simptoma. Testimi i të gjithë popullatës për momentin nuk gjen konfirmim sepse mund të dalin negative persona që sapo kanë patur kontakt me virusin. Kështu që izolimi është e vetmja gjë që e superon dhe problemin e testimit.
-Doktor, por sa mund të zgjas kjo situatë, si e parashikoni?
Situata besoj se do zgjas dhe disa muaj të tjerë sidomos në situatën që është Italia. Shpresoj që në Shqipëri duke u marrë masat në kohë situata të kaloj më shpejt.
-A ka shpresa për daljen e një vaksine, së shpejti?
Ka disa grupe farmaceutike në botë që po studiojnë vaksinën dhe kjo do arrihet. Por do doje disa muaj.
Kjo për shkak se çdo vaksinë ose ilaç duhet të kalojë provat e sigurisë dhe efikasitetit para se të futet në qarkullim. Dhe këto prova marrin kohë. Ndërkohë në pritje të vaksinës po eksperimentohen dhe po dalin disa ilaçe që ndihmojnë në shërimin e pacientëve kritik.
-Cila është këshilla juaj për shqiptarët që të mos preken nga Covid-19?
Këshilla më e mire që u jap shqiptarëve është të rrinë në izolim dhe të mbajnë distancat sociale(të paktën një metër). Personat që janë të detyruar të dalin dhe nuk mbajnë dot distancat për motive të ndryshme të përdorin maska, sidomos personat që mund të kenë shenja gripi që mos të rrezikojnë të infektojnë të tjerët. Të lahen shpesh duart dhe të përdoren disinfektant për të larë ambientet e punës ose shtëpiake.
Nëse keni simptoma që mund të ngjajnë me Covid (kollë e thatë, dhimbje gryke, temperaturë) mos shkoni në spital por në fillim telefononi numrat e urgjencës për këshilla ose mjekun e familjes. Kjo eviton që të infektoni persona të tjerë nëse jeni pozitiv ose të infektoheni vetë në spital nëse jeni negativ.
Rastet që janë pozitive por me simptoma të lehta, të bëjnë karantinën në shtëpi të distancuar nga personat e tjerë të familjes që mos të rrezikojnë infektimin e tyre.
Mosha e thyer dhe me patologji kronike është mosha që duhet ndihmuar më shumë të kuptojë rëndësinë e këtyre masave por gjendja kritike mund të kapë edhe mosha më të reja.
Prandaj izolim, izolim, izolim…
Në Shqipëri deri tani 76 të infektuar. 4 në terapi intensive
Pas 46 testeve të kryera për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 6 persona, duke e çuar në total në 76 numrin e të infektuarve në Shqipëri. Referuar shifrave zyrtare të raportuara deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, meshkujt janë më të prekurit në Shqipëri nga koronavirusi, ku përbëjnë 59% e të infektuarve, e ndërsa 41% janë femra. 6 rastet e reja janë vijojnë të jenë nga dy qytetet më të prekura, Tirana dhe Fieri dhe janë kontakte me pacientët e konifrmuar më herët pozitiv.
Ashtu sikurse u bë e ditur një ditë më parë, dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues, por edhe pas daljes nga spitali, ata do të vijojnë të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike kurën e përdorur. “Ministria e Shëndetësisë ka siguruar medikamente bazë, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT.
Terapia mbështetet në protokollin klinik, mbështetet në medikamentet që trajtojnë shenjat klinike, simptomatike si dhe preparatet anti-viral. Personat që kanë lënë spitalit do të ndjekin masën e vetëkarantinimit duke respektuar etiketën respiratore për 14 ditë dhe higjienën personale”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të 37 pacientëve të shtruar tek infektivi, 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Tirana vijon të jetë qyteti më i prekur nga Koronavirusi me 55 qytetarë për t’u ndjekur nga Fieri me 8 të prekur, Durrësi 5, e ndërsa, Elbasani, Rrogozhina dhe Kavaja nga dy pacientë secili.
Spitali i dytë për COVID-19 është gati me një kapacitet prej 190 shtretësh, konfirmon Ministria e Shëndetësisë, duke çuar në total të shtretërve në dispozicion 310. Vetëm 76 prej tyre janë të zëna me pacientët që janë të shtruar në Spitalin Infektiv në QSUT.
Renditja e qyteteve më të prekura me koronavirus Tiranë 55 qytetarë Fier 8 qytetarë Durrës 5 qytetarë Lushnje 2 qytetarë Elbasan 2 qytetarë Rrogozhinë 2 qytetarë Kavajë 2 qytetarë
Ministria e shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktet, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të këtij virusi.
“Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital”, bën me dije Ministria, ndërsa ka rikujtuar edhe një herë dy numrat e kontaktit që janë vënë në dispozicion për qytetarët.
Për ata që kërkojnë informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19 duhet të telefonojnë në numrin 0800 40 40, e ndërsa për ata qytetarë që kanë shfaqur simptomë duket të marrin numrin e urgjencës 127.
Një kamion me mallra të lëndës së parë ka hyrë nga Serbia në Kosovë, kanë bërë të ditur zyrtarë të Doganës së Kosovës.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, tha se “mbrëmë Dogana ka filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë se Kosovës, me të cilin është hequr taksa prej 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”.
Kurse të shtunën është bërë zhdoganimi i lëndës së parë (produkte ambalazhuese), e cila ka kaluar sipas vendimit të Qeverisë se Kosovës.
Gjatë një viti, Kosova, pas vendosjes se tarifës në vitin 2008, ka importuar lëndë të parë nga Serbia me vlerë prej rreth 26 milionë euro.
Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar Vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e e Hercegovina.
Në Vendim thuhet se nga mesanata e datës 20.03. 2020 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.
Tarifën 100 për qind e kishte vendosur qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Që nga ajo kohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë, çka edhe u pasua me kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit e Brukselit për heqjen e kësaj mase.
Lë spitalin shqiptari i parë i shëruar nga koronavirusi
I shëruari i parë nga koronavirusi ka lënë këtë të shtunë spitalin infektiv të Tiranës, i kthyer në qendrën ku priten të gjithë të prekurit me covid-19.
Pamjet e largimit të 53 vjeçarit i ka publikuar kryeministri Rama. Babai i pacientit zero rezultoi negativ dhe në testin e dytë të kryer, duke u bërë zyrtarisht i shëruari i parë nga virusi që ka bllokuar të gjithë Shqipërinë në shtëpi.
“I SHËRUARI I PARË DEL NGA SPITALI PËR T’U MBYLLUR NË SHTËPI PA DALË FARE 14 DITË, NËN VËZHGIMIN E MJEKËVE FANTASTIKË TË INFEKTIVIT”, shkruan Rama.
Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shkruan po në rrjetin social se babai i pacientit zero do të qëndrojnë në karantinë në banesën e tij për të paktën 14 ditë të tjera.
“#COVID-19 Pacienti i parë i shëruar sapo ka lënë spitalin Infektiv për t’u kthyer në shtëpi, ku do të qëndrojë për 14 ditë i vetëkarantinuar.
Mirënjohëse për punën e ekipit të #Infektivit që janë në ballë të betejës së vështirë me koronavirusin”, shkruan Manastirliu.
Kujtojmë se deri më tani janë të infektuar në total 76 persona, dy prej të cilëve kanë humbur jetën. Duke filluar nga kjo e shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës, qeveria ka vendosur të mos lejojë asnjë qytetar nëpër rrugët e qyteteve./Express