Nga Entela Resuli / DITA– është një nga vatrat më të prekura nga koronavirusi në Itali. Ende nuk po njeh shifra në ulje përsa i përket numrit të të prekurve por edhe atyre që humbin jetën.

Për të kuptuar më shumë për këtë virus që po kërcënon botën, por edhe se çfarë mund të mësojmë ne nga gabimet e Italisë, sot në Dita po sjellim një nga mjekët më të talentuar shqiptar, që punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio, Milano.

Elson Gjoni, kirurg i përgjithshëm i specializuar në kirurgjinë e tumoreve. Ka lindur në Sarandë dhe është larguar në Itali në moshën 18-vjeçare për të vazhduar studimet universitare për mjekësi në Milano, ku dhe aktualisht jeton e punon.

Doktor Gjoni, për të zgjeruar njohuritë e tij është specializuar në disa nga spitalet më të mira europiane dhe amerikane. Në Heidelberg, Gjermani ka kryer master për kirurgjinë e pankreasit, një nga qendrat kryesore në botë për këtë organ; Në Paris, Francë për kirurgjinë laparoskopike, në Institutin e tumoreve në Boston, Amerikë për kirurgjinë laparoskopike të tumoreve të zorrës së trashë dhe stomakut, në Erlangen, Gjermani për trajtimin radikal të tumorit të zorrës së trashë.

Sot punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio (30 km nga Milano) që nga viti 2011.

Aktiviteti i tij fokusohet në tumoret abdominal (pankreas, stomak, zorra e holle dhe e trashe) dhe kirurgjia e tiroides.

“Këto vite pune për mua kanë qenë shumë të ngarkuara dhe me shumë sakrifica, por kënaqësia që të jep kirurgjia në kurimin e shumë sëmundjeve besoj që është unike dhe shpërblimi i çdo sakrifice. Është kjo kënaqësi që më shtyn për një axhornim të vazhdueshëm të profesionit tim”- shprehet Gjoni për Dita.

Sot, në këtë intervistë ai është i qartë, i ftohtë dhe i prerë.

Si një nga njerëzit që ka parë nga afër së çfarë ka ndodhur në vendin fqinjë, na jep vetëm një këshillë për t’i shpëtuar kolapsit: izolim, izolim, izolim.

-Doktor, prej disa ditësh Italia, sidomos ajo e Veriut po kalon ditë të vështira, si është perceptimi, pse kemi një shifër kaq të lartë të infektuarish?

Para se të flas për koronavirusin dua t’ju them që është një virus i ri që njihet shumë pak, që variablat janë të shumtë dhe vetëm analiza të mëtejshme që duan kohë mund të na japin përgjigje më të sakta. Publikimet dhe analizat e para ku bazohemi vijnë nga studimet kineze ose studime që po kryhen në këto momente.

Që nga java e fundit e shkurtit, kur u zbuluan pacientët e parë me Koronavirus, të infektuarit u rritën me ritme shumë të shpejta. Kjo ndodhi mbi të gjitha në zonën e Lombardisë. Në fillim rreziku dhe ashpërsia e këtij virusi u nënvlerësua. Por në një kohë të shkurtër numrat u rritën dhe atëherë filluan të merreshin masat e para duke bllokuar hyrjen dhe daljen nga disa zona në afërsi të Milanos. U kuptua se ky virus ka një virulencë shumë të lartë dhe transmetimi është i lehtë nëpërmjet spërklave të pështymës dhe kontakteve fizike. Kjo shpjegon dhe numrin e lartë të infektuarve. Atëherë siç e dini dhe ju tashmë Italia e gjitha është në karantinë prej 10 ditëve. Kjo krijoi një psikozë të popullata. Njerëzit janë të frikësuar dhe të dizorientuar sepse numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet përditë dhe se ky armik është shumë pak i njohur. Ka shumë persona që nuk takojnë prindërit e moshuar për ditë të tëra nga frika për të mos transmetuar infeksionin. Siç e dini mosha e madhe është dhe kategoria më e goditur nga virusi. Shumë punonjës sanitar jetojnë të ndarë nga familjet për të evituar infektime të tjera. Kjo sjell stres dhe destabilizim të mëtejshëm në popullatë.

Por nga ana tjetër të gjithë e kuptuan se izolimi dhe distanca sociale është e vetmja mënyrë për ta kaluar sa më shpejt këtë situate kaq të jashtëzakonshme. Shembulli më i mirë na vjen nga Kina ku çdo gjë filloi dhe tashmë infeksionet gati u zhdukën. Njerëzit po i respektojnë me përpikmëri masat e marra.

Mjeku Elson Gjoni

-Ka shumë humbje jete doktor, si shpjegohet ky fakt?

Po bëhen analiza statistike të vazhdueshme për të studiuar këtë fenomen. Ky virus godet më shumë moshën e thyer dhe me patologji kronike. Italia ka një popullsi të vjetër me mbi 25% e popullsisë që ka mbi 65 vjeç. Mosha mesatare e personave të vdekur është 80 vjeç dhe me patologji kronike. Por nëse krahasohen shkallët e vdekshmërisë për mosha nuk ndryshojnë nga ato kineze.

-Cili është rasti më i vështirë më të cilën jeni përballur këto ditë?

Rasti më i vështirë që kam përballur është dhe rasti i një kolegu (67 vjeç) që erdhi në urgjencë me probleme të frymëmarrjes. Pasi u diagnostikua me polmonit intersticial dhe tamponi pozitiv për koronavirus u shtrua në repart subintensiv dhe filloi trajtimin e parë me oksigjenim por të nesërmen pati një përkeqësim të shpejte dhe u intubua dhe u transferua në terapinë intensive. Për fat të keq pas dy ditësh ndërroi jetë. Ishte një koleg që vizitoi shumë nga pacientët e parë me koronavirus.

-Shumë thonë që Italia gaboi pasi i mori masat shumë vonë, vetkarantinimi a do e ulte numrin e të prekurve realisht?

Vetkarantimi do ta ulte numrin e të prekurve në mënyrë absolute. Por kjo masë u mor vonë. Unë nuk mund të them që Italia gaboi por ndoshta e nënvleftësoi. Kini parasysh që kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike dhe e paparashikueshme nga askush. Imagjinoni që vende të zhvilluara si Gjermania dhe Franca po i marrin masat këto ditë, pra me një vonesë akoma më të madhe edhe pse kishin si shembull ecurinë e keqe të Italisë dhe shumë vendeve të tjera.

-Doktor, në çfarë faze janë tani spitalet që kurojnë të sëmur me koronavirus. A është situatë e vështirë. A është e vërtet që përzgjedhin,  cilin të kurojnë dhe cilin jo?

Situata e spitaleve në këto momente është shumë e rënduar. Kemi një riorganizim të plotë. Janë mbyllur sallat e operacionit, janë mbyllur ambulatorët për vizitat normale. Në shume spitale, të vetmet operime që bëhen janë urgjencat dhe tumoret por dhe këto të fundit duke marrë shumë vonesa. Kjo bëhet për të liruar dhe rritur numrin e shtretërve për të infektuarit. Por me gjithë këto vështirësi sistemi shëndetësor në Lombardi, një nga me ekselentët në Evropë, dha një përgjigje të jashtëzakonshme. Mjekët dhe infermierët punojnë me turne të zgjatura. U rrit me 50% numri i shtretërve në terapinë intensive. Kjo është shumë e rëndësishme për pacientët në gjendje kritike që mund të kurohen vetëm në terapi intensive. Po krijohen spitale fushor për të përballuar më tej këtë maksi urgjence dhe po shtohen aparaturat për ventilimin mekanik të pacientëve. Këtë për t’ju përgjigjur juve që nuk është e vërtetë që pacientët përzgjidhen për kurim. Por nëse numrat vazhdojnë të rriten sistemi shëndetësor mund të futet në kolaps.

-Çfarë është në të vërtet ky virus, pasi në fillim i tha se është një grip i thjesht, si gjithë të tjerët, por ja që ka ndalur jetën në të gjithë globin?

Ky virus nuk është absolutisht një grip i thjeshtë. Ka një virulencë të lartë dhe mbi të gjitha një shkallë të vdekshmërisë(3-5%) shumë më të lartë në krahasim me gripin e thjeshtë(0,2%). Është një virus që sjell në gjendje kritike 10% të pacientëve duke shkaktuar probleme të rënda te rrugëve të frymëmarrjes. Këta pacientë kanë nevojë për oksigjen ose me maska të thjeshta ose me aparate respirator deri dhe në intubim. Për këtë motiv është shumë e rëndësishme të shtohet numri i shtretërve për terapinë intensive.

-Shqipëria ndërkohë është një vend shumë afër Italisë, muajin e fundit ka patur shumë të ardhur nga ky vend, si gjithmonë në fakt. Jemi në një fazë ku kemi për momentin 64 persona që rezultojnë pozitiv me koronavirus, si e parashikoni në ditët në vazhdim?

Duke ditur siç, ju thashë me lart, virulencën dhe mënyrën e transmetimit të koronavirusit, parashikoj një rritje të numrit të infektuarave. Kjo për shkak të lëvizjes të personave të infektuar dhe të panjohur të këtyre javëve. Por do isha pozitiv në situatën tuaj për dy motive: 1) masat u morën menjëherë sa dolën rastet e para në krahasim me shumë vende të tjera. 2) mosha mesatare e popullatës shqiptare është më e re se ajo italiane dhe duke u bazuar në statistikat italiane mosha e re mund ta kalojë më lehtë sëmundjen. Edhe pse ka një pjesë të tyre të infektuar në mënyre kritike nga virusi.

-Çfarë duhet të bëjmë që të mos shkojmë në kolaps?

Duhet të ndiqni gjithë këshillat higjenik që ju kanë dhënë por mbi të gjitha të vazhdoni izolimin dhe distancimin social. Ndoshta dhe të rriten masat e izolimit se vetëm kjo mund të evitojë një situatë dramatike si në Itali. Në Itali, në zonat ku u morën masat që në fillim, kemi një shkalle të ulët të infektimit dhe të vdekjeve në krahasim me zonat e tjera. Kjo konfirmon idenë se vetëm izolimi ndihmon në kalimin e situatës ose ngadalësimin e infektimeve.

-A është testimi masiv dhe izolimi mënyra më e mirë që ku virus të mos përhapet?

E konfirmoj prapë që izolimi është mënyra më e mirë për të ndaluar transmetimin e virusin dhe përhapjen e tij.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit testimet duhet të shtohen por mbi të gjitha te personat e dyshuar për infektim dhe te personat që kanë patur kontakte me personat e infektuar, me ose pa simptoma. Testimi i të gjithë popullatës për momentin nuk gjen konfirmim sepse mund të dalin negative persona që sapo kanë patur kontakt me virusin. Kështu që izolimi është e vetmja gjë që e superon dhe problemin e testimit.

-Doktor, por sa mund të zgjas kjo situatë, si e parashikoni?

Situata besoj se do zgjas dhe disa muaj të tjerë sidomos në situatën që është Italia. Shpresoj që në Shqipëri duke u marrë masat në kohë situata të kaloj më shpejt.

-A ka shpresa për daljen e një vaksine, së shpejti?

Ka disa grupe farmaceutike në botë që po studiojnë vaksinën dhe kjo do arrihet. Por do doje disa muaj.

Kjo për shkak se çdo vaksinë ose ilaç duhet të kalojë provat e sigurisë dhe efikasitetit para se të futet në qarkullim. Dhe këto prova marrin kohë. Ndërkohë në pritje të vaksinës po eksperimentohen dhe po dalin disa ilaçe që ndihmojnë në shërimin e pacientëve kritik.

-Cila është këshilla juaj për shqiptarët që të mos preken nga Covid-19?

Këshilla më e mire që u jap shqiptarëve është të rrinë në izolim dhe të mbajnë distancat sociale(të paktën një metër). Personat që janë të detyruar të dalin dhe nuk mbajnë dot distancat për motive të ndryshme të përdorin maska, sidomos personat që mund të kenë shenja gripi që mos të rrezikojnë të infektojnë të tjerët. Të lahen shpesh duart dhe të përdoren disinfektant për të larë ambientet e punës ose shtëpiake.

Nëse keni simptoma që mund të ngjajnë me Covid (kollë e thatë, dhimbje gryke, temperaturë) mos shkoni në spital por në fillim telefononi numrat e urgjencës për këshilla ose mjekun e familjes. Kjo eviton që të infektoni persona të tjerë nëse jeni pozitiv ose të infektoheni vetë në spital nëse jeni negativ.

Rastet që janë pozitive por me simptoma të lehta, të bëjnë karantinën në shtëpi të distancuar nga personat e tjerë të familjes që mos të rrezikojnë infektimin e tyre.

Mosha e thyer dhe me patologji kronike është mosha që duhet ndihmuar më shumë të kuptojë rëndësinë e këtyre masave por gjendja kritike mund të kapë edhe mosha më të reja.

Prandaj izolim, izolim, izolim…