Angela Martini është një ndër vajzat me të bukura dhe tërheqëse.

Ajo gjithmonë ka ditur si të tërheqë vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.

Angelën e kemi parë në dalje të ndryshme publike të shihet në shoqërine e personazheve të njohur botërisht.

Mirëpo, disa foto të publikuara na kthejnë pas në kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump shkëmbente puthje me modelen shqiptare Angela Martini.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se ripërcaktimi i kufijve është e vetmja mënyrë që zgjidh problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se tri komunat shqiptare në Luginë të Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa ato me shumicë serbe në veri, Serbisë.

“Platforma e Lëvizjes për Bashkim është shumë e qartë. Ne mendojmë se e vetmja zgjidhje e plotë e problemit shqiptaro-serb, në këtë radhë e cila shkon përmes zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë është ripërcaktimi i kufijve. Sipas Lëvizjes për Bashkim ne mendojmë që tri komunat shqiptare në Kosovën lindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale duhet të bashkohen me Kosovën. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për tri komunat me shumicë serbe të cilat kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë kanë të drejtë të bashkohen me asaj”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se marrëveshja për ripërcaktim të kufijve do të nënkuptonte ndryshim të disa prej parimeve të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës, e të cilat Kosovën do ta bënin të pavarur nga dy të tretat e votave të pakicave për ndryshime kushtetuese.

“Kjo marrëveshje që do të rezultonte për ripërcaktimin e kufijve do të nënkuptonte edhe një ndryshim të disa prej parimeve themelore të pakos së Ahtisarit që janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga dy të tretat e votave të pakicave për të ndryshuar kushtetutën në këtë radhë të serbëve të cilët e bllokojnë vazhdimisht ndonjë reformë kushtetuese që Kosova të bëhet shtet funksional dhe të mos varet nga lista serbe. Unë mendoj që vetëm projekti i ripërcaktimi të kufijve e largon Serbinë nga Kosova”, shtoi Murati.

Sipas Muratit, marrëveshja e Washingtonit nuk është e dëmshme për Kosovën, por  është e rëndësishme të realizohen projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe ato ekonomike.

Ndërsa, sa i përket liqenit të Ujmanit thotë se do të menaxhohet nga të dyja vendet, mirëpo shumica i takon Kosovës.

“Marrëveshja e Washingtonit nuk është e dëmshme për Kosovën. Rrjedhimisht ajo që është e rëndësishme është nëse një pjesë e asaj marrëveshje realizohet, sidomos projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe projektet e tjera ekonomike. Atëherë nëse ato vërtet do të realizohen sidomos nëse realizohet projekti i hekurudhës që do ta lidhë Kosovën me Durrësin edhe me Nishin, do të ishte e jashtëzakonshme në interesin e popullit shqiptar. Sot deri në 20% të liqenit të Ujmanit është në pjesën e Serbisë. Do të jetë e domosdoshme që të kemi marrëveshje për menaxhim të përbashkët qoftë të mirëmbajtjes së Liqenit. Në marrëveshje flitet për një studim fizibiliteti, pra do të bëhet një studim fizibiliteti edhe nga departamenti i SHBA-së se si mund të shfrytëzohen potencialet e liqenit të Ujmanit nga pjesa e Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai

Ai vlerëson se mini-shengeni nuk është i dëmshëm për Kosovën, ndonëse sipas tij, ende nuk ka një dokument të qartë i cili mund të vlerësohet.

Murati thotë se me një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të forcohet ekonomia e Kosovës.

 “Marrëveshjen për mini-shengen edhe pse nuk ka ende një dokument të cilin ne mund ta vlerësojmë ka më shumë disa parime të cilat janë biseduar në takimet ndërmjet presidentëve. Unë nuk e shoh të dëmshme për interesat jetike të Kosovës. Mendoj me një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shumë shpejt të hiqet edhe ai kufiri fizik dhe ta shfrytëzojmë që ne ta forcojmë ekonominë tonë përmes këtij bashkëpunimi”, tha Murati.

Sa i përket dialogut me Serbinë dhe mundësisë për një marrëveshje për njohje reciproke, ai thotë se aktualisht nuk sheh vullnet nga Serbia që ta njoh Kosovën. Madje ai shprehet se as nga BE-ja nuk ka ndonjë presion ndaj Serbisë për ta bërë një gjë të tillë.

“Në këto rrethana nuk shoh vullnet që Serbia ta njoh Kosovën. Ndoshta në asnjë rrethanë nuk do ta njohë Kosovën. Serbia po i shfrytëzon rrethanat ndërkombëtare që ta zvarrisë sa më shumë çështjen e njohjes që të fut në marrëveshje sa më shumë interesat e veta, qoftë përmes zbatimit të Asociacionit dhe unë nuk po shoh asnjë interesim të BE-së që ta detyrojnë Serbinë që ta njoh Kosovën, dhe duke qenë se nuk do të ketë njohje dhe procesi i negociatave shumë shpejt mund të dështojë mendoj që në një të ardhme në tryezën e bisedimeve si opsioni më real do të jetë projekti i ripërcaktimit të kufijve”, u shpreh ai.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur javën e kaluar mbledhjen e përbashkët ku janë nënshkruar edhe disa marrëveshje të reja.

Ai thotë se marrëveshjet e arritura nga mbledhjet e kaluara kanë rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Sipas tij duhet të krijohen mekanizma të përbashkët dhe një këshill bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e cila do të ishte një administratë që merret vetëm me çështjen e bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri.

“Kjo ishte mbledhja e gjashtë ndërmjet dy qeverive dhe kemi një sërë marrëveshjesh të cilat janë nënshkruar dhe kemi një sërë marrëveshjesh të cilat janë realizuar. Mendoj që në esencë këto marrëveshje kanë qenë të dobishme e kanë ngritur në nivel më të lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Bindja ime është që nga ky partneritet strategjik ne duhet të kalojmë në integrimet dhe për të ndodh kjo nuk është vetëm e mjaftueshme që të kemi vetëm dy mbledhjet e qeverive. Unë mendoj që duhet të krijojmë mekanizma të përbashkët dhe të krijojmë një këshill të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri e cila do të ishte një administratë e cila merret vetëm me çështjen e bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri”, shtoi Murati për Ekonomia Online.

Sa i përket presidentit ai tha se kjo çështje i takon partive politike të cilat janë në Kuvendin e Kosovës dhe realisht duhet ta gjejnë një kandidat i cili do të ishte më i përshtatshmi.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit është çështje që i takon partive politike të cilat janë në Kuvendin e Kosovës . Ato duhet të diskutojnë dhe të bëjnë përpjekje që ta gjejnë kandidatin më të përshtatshëm për president. Ne kemi ende një president i cili së paku ka mandat deri në marsin e vitit të ardhshëm. Sigurisht që hija e gjykatës e Dhomave të Specializuara dhe e mundësisë së ngritjes së aktakuzës apo konfirmimit të aktakuzës është aty. Derisa jemi në këtë situatë sigurisht që ai është në detyrë. Ndërsa në anën tjetër i takon partive politike që ta zgjedhin kandidatin e duhur”.

Deputeti i Vetëvendosjes Mefail Bajqinovci edhe një herë ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Bajqinovci thotë se kryetari i kësaj partie Isa Mustafa e ka zhvatur buxhetin e qytetarëve, duke marrë pagë nga Universiteti i Prishtinës, pa shkuar asnjëherë në punë.

Thotë se në zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosja do të dalë fituese dhe “shumë prej tyre (politikanët aktual në pushtet) do të tërhiqen prej jetës politike.

Zëdhënësja për Komunikim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka Zhivalj, ka thënë se edhe BE’ja do të tërhiqet nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Ajo ka deklaruar se edhe ata kanë dilema si Ambasada e SHBA’së për këtë proces.

“I kemi marrë parasysh shqetësimet e shprehura nga SHBA-ja. Edhe BE-ja i ka dilemat e veta dhe ka vendosur që po ashtu të tërhiqet nga procesi, përderisa ai të mos rishikohet në tërësi dhe të kryhet në pajtim me ligjet dhe rregulloret përkatëse”, ka thënë Zhivalj për Klan Kosova.

Ambasada Amerikane në Prishtinë dje me anë të në njoftimi ka bërë të ditur se janë larguar nga ky proces duke ka thënë se ka mungesë të transparencës.

Gjatë këtij sesioni të merkatos, që u mbyll dje, ka pasur qindra nënshkrime në të gjithë botën, por 25 prej tyre kanë spikatur mbi të gjitha, veçanërisht për shumën e parave të xhiruara, që klubet e tyre të reja kanë shpenzuar.

Sergio Reguilón (30 milionë, Tottenham)

Lojtari i ri 23-vjeçar i “Spurs” mbërriti nga Real Madridi, pas një sezoni huazim te Sevilla.

Nélson Semedo (30 milionë, Wolverhampton)

Futbollisti 26-vjeçar portugez nënshkroi për Wolves pas tri sezonesh të kaluara te Barça.

Rodrigo Moreno (30 milionë, Leeds United)

Sulmuesi i deritanishëm i Valencias është bashkuar me skuadrën e udhëhequr nga Marcelo Bielsa.

Ollie Watkins (30.80 milionë dollarë, Aston Villa)

Sulmuesi anglez 24-vjeçar zbarkoi në “Villa Park” nga Brentford.

Trincao (31 milionë, Barcelona)

Anësori portugez 20-vjeçar zbarkoi te Barça nga Braga

Jonathan David (32 milionë, Lille)

Mesfushori 20-vjeçar kanadez arriti në ekipin francez nga Gent i Belgjikës.

Giovani Lo Celso (32 milionë, Tottenham)

Argjentinasi 24-vjeçar arriti në klubin anglez nga Betis.

Wesley Fofana (35 milionë, Leicester City)

Mbrojtësi qendror francez 19-vjeçar zbarkoi në “King Power Stadium” pas një viti te Saint Etienne.

Donny van de Beek (39 milionë, Manchester United)

Holandezi 23-vjeçar ka nënshkruar për “Djajtë e Kuq” nga Ajax.

Fábio Silva (40 milionë, Wolverhampton)

Sulmuesi 18-vjeçar portugez zbarkoi në Angli nga Porto.

Hakim Ziyech (40 milionë, Chelsea)

Marokeni 27-vjeçar arriti në “Stamford Bridge” pas katër sezonesh tek Ajax.

Achraf Hakimi (40 milionë, Inter)

Futbollisti 21-vjeçar maroken la Real Madridin për Interin, pas një sezoni huazim te Borussia Dortmund.

Diogo Jota (44.70 milionë, Liverpool)

Anësori i majtë 23-vjeçar arrin në “Anfield” nga Woverhampton.

Leroy Sané (45 milionë, Bayern Munich)

Anësori 24-vjeçar i majtë arrin në “Allianz Arena” nga Manchester City.

Nathan Ake (45.30 milionë, Manchester City)

Mbrojtësi qendror 25-vjeçar hollandez ka zbritur në “Etihad” pas tri sezonesh me Bournemouth.

Thomas Partey (50 milionë, Arsenal)

Mesfushori ganez arrin te skuadra londineze nga Atlético Madrid.

Mauro Icardi (50 milionë, PSG)

Sulmuesi argjentinas 27-vjeçar nënshkroi me ekipin parizien, pasi kaloi përmes Interit.

Ben Chilwell (50.20 milionë, Chelsea)

Mbrojtësi i majtë 23-vjeçar arrin te skuadra londineze nga Leicester City.

Timo Werner (53 milionë, Chelsea)

Sulmuesi 24-vjeçar gjerman zbarkoi në “Stamford Bridge” nga Leipzig.

Alvaro Morata (56 milionë, Juventus)

Futbollisti spanjoll 27-vjeçar kthehet të nënshkruajë për “Zonjën e Vjetër”.

Miralem Pjanic (60 milionë, Barcelona)

Mesfushori 30-vjeçar boshnjak mbërriti te Barcelonë nga Juventusi.

Ruben Dias (68 milionë, Manchester City)

Mbrojtësi qendror portugez 23-vjeçar ka nënshkruar për ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola pas tri sezonesh te Benfica.

Victor Osimhen (70 milionë, Napoli)

Sulmuesi nigerian, 21 vjeç, zbarkon në “San Paolo” nga francezët e Lille.

Arthur (72 milionë, Juventus)

Braziliani 24-vjeçar arrin te Juventusi nga Barça.

Kai Havertz (80 milionë, Chelsea)

Mesfushori gjerman 21-vjeçar zbarkoi te blutë e Londrës nga Bayer Leverkusen.

Kryetari i Istogut, Haki Rugova, një drejtor dhe një zyrtar ligjor, janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim dokumentesh. Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përcjell Bota Sot.

“Mund të konfirmojmë se hetuesit e drejtorisë për krime ekonomike dhe korrupsion, më 9.10.2020, kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria në Pejë iu ka shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Shoqërohet në polici kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, flet avokati i tij

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, së bashku me ish-nënkryetarin e kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtarin ligjor, Faton Bujupi, është shoqëruar në polici sot pasdite me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i Haki Rugovës, Besnik Berisha, i cili deklaroi se shoqërimi dhe ndalimi në polici i Rugovës është tërësisht i kundërligjshëm.

“Po, është e vërtetë se pasdite në polici është shoqëruar zoti Rugova, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, për të sqaruar nënshkrimin e kontratave nga ish- nënkryetari Lulzim Blakaj. Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi. Ndalimi i tij mund të jetë i motivuar nga gjithçka tjetër, për nuk është aspak i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj apo në shkaqe që vërteton Kodi i Procedurës Penale. Pavarësisht faktit se ai sonte është në cilësinë e të dyshuarit dhe të ndaluarit, në një proces të drejtë dhe të ligjshëm do të provohet se ai është viktimë e një urdhri të kundërligjshëm për ndalim, e jo shkelës i ligjit në çështjen nën hetim. Zoti Rugova së shpejti do t’i kthehet faqebardhë familjes së tij dhe punës së tij, si kryetari i Komunës, ndërkaq prokuroria do të konfirmohet se ka mungesë të objektivitetit në interpretimin e ligjit”, tha Berisha.

***

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, është arrestuar kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Rugova është arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit.

Bashkë me Rugovën, nën pranga janë vënë edhe nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj dhe një zyrtar tjetër.

Lajmin për arrestimin e të njëjtëve, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Dishaj-Haxhosaj.

“Po mund të ju konfirmoj se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, nënkryetari i kësaj komune dhe një zyrtar tjetër. Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit” ka thënë Dishaj-Haxhosaj.

Dëshmitë e fundit të ekspertëve dhe inspektorëve në rastin ‘Monstra’, treguan qartë që rasti është i montuar dhe se të akuzuarit janë të pafajshëm.

Avokati mbrojtës Asmir Alispahiq deklaroi në emisionin ‘Enter’ në TV SHENJA se pala mbrojtëse më në fund ka arritur të dëshmojë se ky rast është I montuar dhe se të akuzuarit nuk kanë asnjë lidhje me këtë vepër penale. Ai shtoi se dëshmia e ekspertes që ka bërë ekspertizën e dheut nga Smillkova dhe Vrazhimiri u vërtetua të jetë e falsifikuar dhe me këtë bije poshtë lidhshmëria e të akuzuarve me veturën Opel Omega, që është edhe elementi kryesor ku mbështetet aktakuza.

“Këtu dua të potencoj se në thelb bëhet fjalë për përpunim të ekspertizës e që e ka kërkuar ish prokurorja publike Gordana Geshkovska përmes gjykatësit hetues në pjesën e gjoja përshtatjes se vetura Opel Omega e cila është gjetur në Vrazhivir, ka qenë atje. Kjo me të vërtetë la një njollë serioze në dëshminë e prokurorisë se Opel Omega ka qenë atje, dhe me gjithë këtë vetëm po dëshmohet ajo që e themi gjatë gjithë kohës se ky rast është i monotuar”, theksoi Asmir ALispahiq, avokat mbrojtës.

Nga ana tjetër, familjari i disa prej të akuzuarve në këtë rast Bedri Ajdari tha në emisionin ‘Enter’ se nuk do të kishte kurrfarë kuptimi aktakuza po të mos ishte ndërlidhur vetura Opel Omega me rastin.

“Duke pasur parasysh se ne e kemi përcjellë që 9 vite gati rastin, asnjë dëshmitar okular që kanë qenë në vend të ngjarjes, siç janë romët, ka qenë nji Sasho Llazarevski dhe disa tjerë, asnjëri nuk e pa parë veturën që ka qenë në vend të ngjarjes. Mirëpo, këtë e kanë bërë me deklaratë të dhunshme të Haki Hazirit. Atyre u është dashur një njeri I cili do t’i thotë disa fjalë, me dhunë nën kërcënimin e likudimit, për t’i dhënë kahje se gjoja është gjetur AND-ja e Alil Demirit. Duke pasur parasysh këtë fakt e në mungesë të asnjë prove material tjetër, ata e kanë lidh veturën me rastin”, theksoi familjari Bedri Ajdari.

Për vrasjen e 12 prillit të vitit 2012, kur u vranë pesë djem të rinj akuzohen Halil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 16 tetor. Ndërsa pala mbrojtëse pret lirimin e të akuzuarve nga të gjitha akuzat.

Zv/ministri i shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani ka theksuar se situata me koronavirusin është tejet serioze, por tani për tani është nën kontroll.

“Në vend ka arritur vala e dytë e virusit korona. Situata është nën kontroll por tejet serioze për momentin”, theksoi zëvendesministri i shëndetësisë Ilir Hasani në “Intervistën e Javës “ në TVM-2.

Sipas tij, situata epidemiologjike nuk është për të nënçmuar dhe kërkon ndërgjegjësim nga të gjithë, duke repsektuar masat mbrojtëse dhe distancën nga ana e qytetarëve.

“Ne do veprojmë ashtu si do të na ndikojnë numrat. Unë lus Zotin që numrat, shifrat të jenë më të ulta dhe lus qytetarët që të kenë kujdesë dhe të kuptojnë këtë punë seriozisht për shkak se lufta kryesore me pandeminë nuk bëhet vetëm nga institucionet me urdhëra vertikale , por bëhen me vetëdisimin e populates për të ndërmarr të gjitha masat preventive. Treshi i famshëm, distanca, maska dhe dezinfektimi nuk ka filozofimi tjetër.”, theksoi Ilir Hasani.

Ndërkohë, ministri Venko Filipçe ka theksuar se po mendon edhe për vendosjen e karantinës së plotë.

“Unë sinqerisht besoj se kjo pako e propozuar e masave, kufizimet, rritja e kompetencave të inspektorateve, por edhe thirrja e vazhdueshme e qytetarëve që t’u përmbahen këtyre masave që janë praktikisht një hallkë kyçe në këtë zinxhir, do të japë rezultate. Hapi tjetër është karantina e plotë, mbyllja e plotë. Ne tani ende jemi larg, por dalëngadalë po na mbarojnë mundësitë.”-tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

50 amerikanët më të pasur zotërojnë një pasuri të barabartë me pasuritë e 165 milionë personave, që është pothuajse gjysma e popullsisë së vendit. Covid-19 e transformoi ekonominë në një formë që ka shpërblyer në mënyrë disproporcionale një klasë të vogël të miliarderëve.

Të dhënat e reja nga Rezerva Federale e SHBA’së, të publikuara në “Bloomberg Wealth”, kanë pasqyruar një vështrim gjithëpërfshirës të pasurisë amerikane deri në gjysmën e parë të vitit 2020.

Nga këto të dhëna tregohet një pabarazi e madhe sipas racës, moshës dhe klasës.

Ndërsa 1% e amerikanëve kanë një vlerë neto prej 34.2 trilionë dollarësh, rreth 165 milionë njerëz zotërojnë vetëm 2.08 trilionë dollarë.

Ashtu si vendi në tërësi, edhe pasuria e të rinjve amerikanë është e përqendruar në vetëm disa duar. Bashkëthemeluesit e Facebook, Mark Zuckerberg dhe Dustin Moskovitz, si dhe trashëgimtari i Walmart, Lukas Walton, zotërojnë 1 në çdo 40 dollarë që mban çdokush nga gjenerata e tyre.

Nga Bedri Islami-Pas tronditjes së parë dhe qëndrimeve më shumë emocionale, çka ishte e natyrshme dhe e pritshme, tani vjen koha e qëndrimit serioz, të thelluar dhe duke menduar për vështërsitë që mund të dalin nga aktakuza e Prokurorit të Specializuar ndaj disa figurave të njohura të luftës dhe të politikës në Kosovë, mes të tjerëve, të cituar nga njoftimi zyrtar, edhe presidenti Thaçi, Kadri Veseli, lideri i PDK-së, forca politike e dalë në fillimet e saj nga luftëtarët e lëvizjeve çlirimtare, sidomos nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe të tjerë, emrat e të cilëve janë një enigmë e lënë qëllimisht në hije, jo vetëm për të ngjallur të papriturat, por që i gjithë faji, sipas prokurorit, të rëndojë në dy figura të njohura.

Kanë qenë e mbeten tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi, nëse mund ta quajë kështu, ashtu si ka edhe tri mundësi në vazhdimin e saj.

Qëndrimi i parë ishte ai i bashkëpunëtorëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët, ashtu si edhe në raste të tjera, ndjehen të tradhtuar, pasi e gjithë godina që është ngritur nga vetë Kuvendi i Kosovës, ku Thaçi dhe Veseli ishin determinues, që ndjek, heton dhe akuzon vetëm shqiptarët, u duket dhe është monstruoze dhe e pajustifikuar.

Për 178 të vrarë apo të zhdukur realë nga shqiptarët e Kosovës është NJË shtetas me kombësi serbe apo të supozuar si bashkëpunor të tyre. Është një raport përmbytës, që synon pa asnjë dyshim të ndryshojë atë që ka ndodhur në Kosovë dhe që ngjalloi reagime të pamasa në botën mediale.

Reagime të tilla ka pasur dhe do të ketë edhe në raste të tjera, ku figura të njohura të luftës janë akuzuar dhe burgosur, qoftë në struktura ndërkombëtare, rasti Haradinaj, rasti Limaj, ku nga gjashtë të akuzuar u “ gjet” fajtor vetëm një luftëtar që nuk ishte në asnjë hierarki ushtarake, por edhe kur janë akuzuar apo dënuar në Kosovë nga struktura ndërkombëtare, si rasti i drejtuesve të luftës në zonën operative të Llapit, në zonën operative të Drenicës apo me figura të njohura nga zona operative e Dukagjinit.

Në fakt janë hetuar, akuzuar dhe dërguar për gjykim liderë nga tri zonat ku ka pasur më shumë luftime, ku masakrat serbe kanë qenë më të mëdha dhe në të cilat janë bërë akte të pashembullta të rimit të organizuar shtetëror serb, por edhe nga paraushtarakë, të cilët menduan se po i jepnin dëbimin e funit bashkëvendasve të tyre.

Në kohën kur shteti serb ngre padi dhe dërgon mijëra faqe për rreth 100 të humbur, analistë kontraversë në Shqipëri e katërfishojnë numurin e tyre, duke e akuzuar UÇK-në për rreth 400 serbë të zhdukur, sikur ata të ishin pjesë e kancelarisë së Beogradit, si pjesë mediale e tyre.

Qëndrimi i dytë ishte ai i kundërshtarëve politikë të Thaçit, në Shqipëri apo në Kosovë. Disa me mllef të habitshëm, dhe jo rastësisht ata, edhe në të shkuarën kanë qenë pjesë e strukturave kundër luftës çlirimtare, dhe të tjerë me cinizmin politik që mendojnë se i afrojnë me pushtetin.

Thaçi, Veseli apo të tjerë, nuk do të gjykohen për mendimin e tyre politik e as për debatet që kanë bërë me kundërshtarët e tyre politikë; ata nuk do të mund të merren të akuzuar se kanë qenë pjesë e korrupsionit politik apo financiar në Kosovë, gjithnjë nëse është e vertetuar; askush nuk do të hetojë për mënyrën se si ata janë bërë drejtues të UÇK-së, por , dhe kjo është thelbi i gjithçkaje, për krime të supozuara që kanë ndodhur gjatë dhe në vitin e parë të pasluftës.

Në Tiranë, për fat të keq, por jo e papritur, ish drejtuesi i PD-së, Berisha, kur është menduar se në fund të fundit do të gjente mënyrën e reagimit të tij përmes heshtjes, bëhet zëdhënës i një rryme politike që e dërgon drejt atyre që edhe mohojnë luftën e zhvilluar. Ka qenë e pritshme, pasi ai, Thaçi , është kundërshtar politik i Berishës dhe mes tyre ka qenë e ndezur një luftë akuzash që nuk i bëri nder askujt, pasi, jo vetëm ishin të vonuara, por nuk ndryshonin asgjë nga ajo që dihej.

Në Kosovë kundërshtarët ndaj presidentit Thaçi njihen, ata e kërkuan me ngulm arrestimin e tij, lobuan për këtë aktakuzë, gjithnjë me shpresën e pushtetit, njëjtë si kishin bërë që në ditët e luftës aleatët e tyre të djeshëm politikë, me të cilët u ndanë sepse nuk mund të bashkoheshin.

Nëse në dosjet e paraqitura një ditë do të ketë informacione nga organizata “Sigurimi i Atdheut”, apo nga “militantë” opozitarë , askush nuk pse habitet nga kjo. Mllefi njerëzor është edhe mllef politik dhe nukmerr parasysh asgjë tjetër. Shërbimi që i kanë bërë rrjedhshëm pushtetit të dëbuar serb përmes strukturave misterioze është i mjaftueshëm për të qenë në një ditë të nesërme , të dënuar , në mos tjetër, historikisht.

Analistë, të njohur si grupi anti Ramë, janë bërë zëdhënës të qëndrimit anti Thaçi, jo se e dinë të vërtetën, megjithëse disa prej tyre kanë akses të mjaftueshëm në materialet e strukturave të posaçme të Serbisë, por, më tepër se kaq, ata kanë qenë për përmbysjen e Thaçit me çdo kusht, duke ndjekur radikalizmin në Kosovë dhe mbështeturt Kurtin, të cilin, një ditë të ardhshme, nëse gabon e afrohet me Ramën, do i hidhen sipër me të njëjtin mllef.

Përgjithësisht ky grupim analistësh, që edhe gjatë luftës ishin cinik, përtallës, mburravecë dhe ndonjri prej tyre lehtësisht i shitshëm, që njëcditë mbështet opozitën, sidomos kur është thellësisht radikale dhe ditën tjetër e sulmon,kur mendon se po bëhet më e arsyeshme, pas dënimit të Thaçpit shohin edhe rënien e Ramës.

Nuk shohin dhe as duan të ia dinë se çfarë humbet Kosova nga ky mllef, çfarë është e vërteta, çfarë në fakt ka ndodhur dhe si ka ndodhur.

Ata e përceptojnë luftën si një shetitje në katet e larta të lokaleve komfortë dhe modernë, ku mund të diskutohet duke pirë kafe dhe duke gjykuar si të ishin marshallë të njohur të luftës.

Qëndrimi i tretë , kësaj here zyrtar, ishte ai i shtetit shqiptar, që , aq sa ishte butaforik dhe emocional, aq ishte edhe i padobishëm. Pas duartrokitjeve parlamentare ka më sumë se një zemërim, dhe, nëse do të ishin bërë detyrat e shtëpisë që nga mbarimi i luftës për sqarimin e akuzave që lidhen me ngjarje në teritorin shqiptar, atëherë shumë gjëra do të kishin qenë më të dobishme.

A është fajtor Hashim Thaçi?

A është fajtor Kadri Veseli?

A janë fajtorë “ të tjerët”, si thuhet në njoftimin e prokurorit të Specializuar?

A është e saktë enigma se i gjithë zingjiri komandues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i hetuar, i listuar dhe mund të jetë një ditë i akuzuar?

Akuza ndaj tyre a do të jetë edhe akuzë ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve në disa dekada të shqiptarëve të Kosovës që të jenë të mosvarur, të lirë, për një jetë të denjë?

Lufta nuk ka qenë fillimi i gjenocidit në Kosovë, por akti i fundit i tij.

Që nga fundi i vitit 1944 dhe deri në qershorin e vitit 1999 , pra në disa dekada, të vrarët shqiptarë nga shovinizmi serbomadh është mbi 60 mijë vetë. Më pas se një e treta u vranë gjatë luftës. Pasuria e grabitur, qoftë përmes pronave, por edhe e pagesa të kontributeve pensionale është në disa dhjetra miliardë euro. Mijra vetë janë përdhunuar, grabitur dhe zhdukur.

Carla del Ponte, edhe kur ishte kryeprokurore e shtetit zvicerian, ishte njëra ndër kundërshtaret më të egra ndaj pavarësisë së Kosovës; është e vetmja në të gjithë stetet europiane që ndaloi me ligj veprimtarinë mbështetëse ndaj luftës dhe viktimave dhe, në fund, pasi nuk arriti të provojë asnjë nga akuzat e saj, më tepër politike, la pas vetes një libër të turpshëm, tek i cili po mbështeten, mjerisht, edhe njerëz të politikës dhe të mediave në Shqipëri.

Sido që të trajtohet nga kancelaritë europiane aktakuza ndaj disa figurave të njohura, pra, edhe kur theksohet se ajo është për individë të veçantë dhe jo për UÇK-në, ajo, jo tërthorasi, por drejtpërdrejtë rëndon mbi këtë të fundit.

Ka mjaft njerëz në Kosovë, mes tyre edhe miq të mi , të shumë dekadave, sidomos në vite të vështira, që nuk janë të këtij mendimi, që nuk e kanë njohur kurrë Thaçin si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare, megjithëse kanë bërë pjesë në një organizatë dhe këtë nuk e kanë bërë tani, por që në krye të herës, kur lufta ende nuk kishte filluar.

Ata, megjithëse të paktë, janë respektuar në qëndrimet e tyre, i kanë shtruar këto probleme haptas, disa herë me shkrim, sepse kanë qenë pjesë e një lëvizje të hapur nga mendimi dhe qëndrimet, e megjithëse strukturat e larta drejtuese nuk i kanë miratuar, përsëri janë në të drejtën e tyre të qëndrojnë në këtë mendim. Vendimet e struktuave drejtuese të luftës, si Këshilli i Përgjithshëm dhe kryesia e LPK-së, nuk mujnd të hidhen poshtë e të lihen anash nga ngjarjet që kanë ndodhur.

Por Thaçi, Veseli e të tjerë nuk do të hetohen , akuzohen e ndoshta gjykohen se kanë qenë apo jo realë në poziconet që kanë patur.

Ata, në sytë e botës politike e mediale ndërkombëtare, por edhe tek të tjerë, kanë qenë drejtues të strukturave të larta të UÇK-së, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, të Drejtorisë Politike, drejtues politikë dhe ushtarakë, dhe përmes këtij pozicionimi do të trajtohen.

Nëse naivisht mendohet se bota politike e juridike do të ndajë luftën e zhvilluar përmes dy strukturave, kjo është dëshirë vetjake, por jo realitet politik.

Askush nuk e di se çfarë aktakuze është ngritur ndaj të tjerëve, të cilët mund të jenë po ashtu drejtues të lartë, ndaj Thaçit dhe Veselit.

Vetë Thaçi do ta mësojë në fillimin e javës së ardhshme, kur do të pyetet nga gjykatësi special.

Askush nuk e di se si është përceptuar ajo pjesë e hetimit që ka të bëjë me veprimtarinë e Kadri Veselit, të luftëtarëve të tjerë, emrat e të cilëve pas disa kohësh do të jenë të njohur dhe njerëzit do të mësojnë se kjo nuk është më punë me dy a tre vetë, që nuk do të ishin domethënia e UK-së, por me disa nga figurat, pa të cilat nuk mund të ketë histori të luftës.

Përsonalisht unë besoj në pafajsinë e Hashim Thaçit!

Përsonalisht unë besoj në pafajsinë e Kadri Veselit!

Përsonalisht unë besoj në pafajsinë e “ të tjerëve”, pavarësisht se cilët është përpjekur të fshehë prokurori i Specializuar!

Jo vetëm se jam mik i tyre dhe kam qenë pjesë e strukturave të larta politike të luftës, por sepse i gjithë programi, mendimi, qëndrimi i UÇK-së ka qenë kundër dhunës.

Në majin e vitit 1998 heroi i Kosovës, Fehmi Lladrovci, duke dhënë intervistë në BBC do të deklaronte haptas se, “ Le të tregojnë pushtetarët serbë një rast të keqtrajtimit të tyre…ne armët nuk i kemi marrë kundër popullisë civile,por kundër makinerisë vrasëse të Millosheviqit…”

Në shkurtin e vitit 1999, në rambuje, pala serbe paraqiti një listë me vetëm 5 civilë të zhdukur, nga të cilët tre jetojnë ende,megjithëse kanë masakrues të popullsisë civile shqiptare.

Jam i prirur të besoj në pafajsinë e gjithë luftëtarëve të UÇK-së!

Ngutja për t’i shpallur fajtorë apo të pafajshëm, për të bërë rolin e hetuesit, prokurorit apo gjykatësit, në mos tjetër është delikuencë mendore dhe qytetare; është rendje pas një fakti që mund të mos jetë i tillë dhe mbështetje për akuzën që mund të jetë e rreme.

Nëse nesër do të bëhen publike gjithë materialet e dërguara nga shteti serb kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, askush të mos habitet kur mes mijrave e mijrave faqeve do të gjejë edhe shkrime medialë, deklarata politike, akuza monstruoze, pa asnjë fakt por mbi hamendje, pikërisht nga “ të zemlruarit” e sotëm të Tiranës apo një skotë në Kosovë.