Cërvenkovski: Qeveria udhëheq politikë katastrofale
Lideri i opozitës maqedonase tha se bashkësia ndërkombëtare ka filluar ta humbë durimin dhe kjo, sipas tij, tashmë po shihet qartë edhe në forumet ndërkombëtare ku Maqedonia dita-ditës po e humb rëndësinë e saj.
Cërvnkovski theksoi se edhe në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, më 18 qershor, Maqedonia ka gjasa që të mos jetë fare në rendin e ditës.
“Si rezultat i gjithë kësaj, pres që në periudhën që vjen, të ketë një demonstrim të dëshpërimit nga ana e BE-së dhe pasivizimin e tyre për procesin e integrimit të Maqedonisë në BE”, deklaroi Cërvenkovski.
Ai, ndërkohë thas se pret rritje të aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrimin e vendit në NATO. Mirëpo, edhe ky angazhim, sipas tij, nuk do të jetë afatgjatë, por në tre-katër muajt e ardhshëm, deri në samitin e nëntorit të NATO-s, që do të mbahet në Portugali.
“Në këtë kontekst, e vlerësoj edhe vizitën në Shkup dhe Zagreb të ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon, i cili erdhi me porosi të qarta dhe të palëkundura se nga ana e tyre ofrohet një angazhim dhe përfshirje më e madhe në procesin e negociatave me Greqinë, megjithëse kjo do të jetë e kufizuar deri në samitin e NATO-s”.
Ai tha se gjithë ky proces bllokues që po udhëheq qeveria, po reflektohet edhe brenda vendit në sferën e marrëdhënieve ndëretnike, të cilat janë përkeqësuar në masë të madhe.
Cërvekovski vlerësoi angazhimin e partnerit shqiptar në qeveri, BDI-së, për zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe qasjen ndaj problemeve tjera, pasi zgjidhja e këtyre problemeve, sipas liderit të LSDM-së, do të ishte në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
“Maqedonia nuk ka alternativë serioze dhe kjo duhet të jetë prioriteti ynë më i lartë i të gjithë politikanëve, e, para së gjithash i atyre që janë në pushtet” theksoi Cërvekovski.
Lideri i LSDM-së tha se partia që ai drejton, vazhdon të luajë rol konstruktiv në kapërcimin e këtyre problemeve. Ai theksoi se LSDM-ja do të pranojë çdo zgjidhje që do të ofrojë Qeveria, për zgjidhjen e çështjes së emrit, me kusht që ajo të mos i prekë interesat kombëtare dhe shtetërore.
Cërvenkovski tha se nuk pret që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi mbajtja e tyre, sipas tij, do të demaskonte edhe më shumë politikën e bllokimit të procesit integrues të Qeverisë aktuale.
