Nxënësit e shkollave të mesëm në Maqedoninë e Veriut krahasuar me moshatarët e tyre të vendeve të rajonit janë më të mirë vetëm se nxënësit e Kosovës. Këtë e treguan rezultatet e testimit ndërkombëtarë PISA për nxënësit e shkollave të mesme të moshës 15 vjeçe. Testimi është bërë në 79 vende të botës, ndërsa Maqedonia është në vendin e 67 për lexim dhe matematikë, ndërsa në vendin e 62 për dije në shkencat natyrore. Para saj janë Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Shqipëria. Megjithatë sipas ministrit të Arsimit Arbër Ademi, ky është sukses i madh sepse Maqedonia është vendi i dytë me ngritje më të madhe në rezultate mes dy testimeve.

Unë mendoj se ky është një përparim i rëndësishëm. Ky është një tregues i shkëlqyeshëm që ne jemi në rrugën e duhur, ne jemi në drejtimin e duhur, dhe natyrisht duhet të vazhdojmë- tha Arbër Ademi – Ministri i Arsimit.

Megjithëse edhe krahas ngjitjes në renditje rezultatet janë akoma të dobëta, Ademi mendon se do të ishte edhe më keq nëse do të vazhdonim të gërmojmë fundin e botës.

Ndryshimet dhe rezultatet nuk vijnë brenda natës. Paramendoni nëse do të kishim rezultat më të keq, madje edhe për 1 pikë, jo më të mirë për 41 pikë në lexim. Cili do të ishte mesazhi? Me siguri do të ishte shumë më i keq- shtoi Arbër Ademi.

Në vendin e parë në botë janë shkollarët nga Kina,  Singapori, Makao, Hong Kongu ndërsa nga vendet evropiane, rezultate më të mira kanë treguar nxënësit e mesëm të Estonisë e cila u ngjit në vendin e pestë në renditje. Shkollarët në vend, testin PISA e dhanë në vitin 2000 dhe 2015 ku kishin rezultat ndërkombëtarë nën mesataren. Në vitin 2015, në fund të renditjes ishim me Tunizinë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Shpërndaje artikullin në: