Ekipi i televizionit Alsat jozyrtarisht mëson për tre viktima si pasojë e aksidentit në autostradën Shkup- Tetovë, ndonëse bilansi mund të jetë edhe më i madh. Ndërkaq personat e lënduar po transportohen  në Qendrën Klinike në Shkup dhe në Spitalin 8 shtatori në Shkup.

Rreth  20 persona të aksidentuar në autostradën Shkup-Tetovë  janë transportuar deri më tani në spitalin “8 shtatori” në Shkup, njoftoi para pak çastesh televizioni Alsat.

Siç transmeton Gazeta Express, patrullat policore kanë bllokuar dhe siguruar perimetrin e aksidentit.

Zv. ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, si dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.

Kalimtarët e rastit dhe qytetarët të cilët gjenden në vendngjarje janë mbledhur grup dhe po mundohen që të rrokullisin autobusin, për të mundësuar tërheqjen e udhëtarëve që kanë ngelur brenda autobusit të nxirren jashtë.

Mjete të rënda janë sjellur në vendngjarje për të mundësuar që të lëvizin autobusin, kujtojmë që autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë.

Ekipet e ndihmës së shpejtë janë mbledhur në vendngjarje nga ku po ndihmohen nga kalimtarët e rastit dhe banorët përreth, për të nxjerrë nga autobusi udhëtarët të cilët kanë ngelur brenda, dyshohet edhe për të vdekur.

Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit ishte plasja e gomës  me çrast autobusi ka përfunduar në korsinë e kundërt të autostradës.