Kim MEHMETI
![]()
Ka një të keqe që është më e madhe se gjitha të këqijat që mund të të ndodhin: e ajo është kur mësohesh të jetosh me të keqen pranë vetes, kur e ke fqinj atë që mezi pret të ta kallë shtëpinë dhe të ta shkatërrojë familjen, kur vetëm pse nuk mund të përballesh me shkaktarin e të keqes tënde bëhesh kinse atë nuk e sheh. Dhe nga ky këndvështrim duhet vlerësuar ngjarjet e para disa ditëve kur qindra huliganë maqedonas hynë nëpër oborret dhe shtëpitë e shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahën fëmijë dhe gra të pambrojtura shqiptare. Edhe atë para syve të policisë dhe duke i paralajmëruar maqedonasit e kësaj lagjeje t’i largonin veturat e tyre nga rrugët, duke u thënë se aty do ketë tollovi. Pra, duke mos e fshehur se ngjarja ka qenë mirë e organizuar dhe ka pas qëllim të caktuar. Qëllim që edhe nuk është gjithaq i vështirë të zbulohet: që banorët e kësaj lagjeje të vetme multietnike në Komunën Karposh të Shkupit, t’i braktisin vatrat e tyre. E që do të thotë se kjo ngjarje mbase është pjesë e një projekti më të madh: që “xhepat” shumetnik të Shkupit të pastrohen nga shqiptarët. Gjë që mund të përfundojë shumë tragjikisht për tërë Maqedoninë dhe që dëshmon se ky shtet i ka xhepat e shkoqur për të ruajtur në to baraspeshën e përbërjes së saj shumetnike.