Shkruan: Lulzime Xhelili Lazami

Jam shumë e habitur me faktin se, të gjithë sillemi sikurse u bëmë ekonomistë profesional për të dhënë një mendim se, si Zaevi me të tjerët duhet ta udhëheqin shtetin. Se, si Zaevi duhet të menaxhojë me paratë që iu dhanë borxh. Asnjëri nga ne nuk e shiqojmë faktin se, ai borxh, a i mbulon këta dy apo tre muaj krize, që u shkaktua nga Coronavirusi. Asnjëri nga ne nuk ka menduar, nëse edhe më tutje ndonjë shtet do ta ndihmojë Maqedoninë, apo ata do të qëndrojnë indiferent dhe do të kufizohen vetëm në dhënjen e ligjeratave, njejt sikurse ndodhi me tragjedinë e Italis, duke e “keshilluar” dhe duke e kritikuar.

Kuptohet një gjë, që sot të gjithë u prekëm,dhe për çudi u prek edhe masa më e “lartë”, që përveç rrogave, marrin edhe ndonjë lek në ndonjë formë tjetër të lejuar apo të palejuar. Nuk u prek dhe aq masa e mesme, si puna ime, ngaqë jemi mësuar të jetojmë edhe me pak për të mos me thënë edhe me fare pak. Asnjëri nga ne nuk e mendoj shtresën e popullatës që jetonë me ndihma sociale. Përderisa një grup qytetarësh u vërsulën në dyqane ngase ishe turp më të thuhej në shopping, disa të mjerë rrinin në dritare dhe i shikonin të pasurit, si i nxjerrnin ushqimet e tyre nga veturat e stërmbushura.Askujt nuk i shkoj ndërmend, për nevojën e një nënë të divorcuar dhe të papunë e cila duhet të ushqej dy apo tre vajza.

Askujt nuk i shkoj ndërmend, që ndonjë familje pes apo gjasht antarshe, me dy ose tre fëmijë në shkollë fillore dhe të mesmë, mvarej nga rroga një babai që punon në ndonjë ndërmarje, ku paga e tij mujore është vetëm 12.000denar. Kurse na u krekosëm dhe shumë kritikuam qe dy muaj do të marrëm 14 .500denarë. E çna duhen më tepër? Do të shkosh në dasëm dhe do rregullohesh? Do duhet të shkosh në udhëtim për ta kaluar fundjavën? Do shkosh ne Lisec për të festuat ditëlindjen apo ndonjë festë te marosur? Do shkosh në shopping, ngaqë ka dalë trendi më i ri i Mom Jeans apo do duhet te harxhosh dhe pak më shumë ngaqë do festosh përvjetorin e martesës tënde ?
Njerëz të dashur, nëna të dashura, shoqe, mike e miq të nderuar, ndoshta qeveritarët e bëjnë të pamundurën pë të shpëtuar nga një e ardhme shumë më e rëndë.Ndoshta e kan parë të rrugës që sot tavolinat tona mos të kenë edhe ëmbëlsira ndërsa pas disa muajsh ndoshta duhet të ngelim vetëm me bukë dhe krypë. Reagojmë shumë, bile i japim vetes shumë të drejtë, e për habi rreagojnë edhe ata që e morën kajmakin e cdo gjëje edhe ata që duan ta marrin edhe kajmakun e mbetur.
Përballu me realietin, se nuk jetojmë në Gjermani, në Angli, nuk jeton në ShBA që të bëjsh pyetje pse Merkeli ,Boris Johnson apo Trampi nuk veprojnë si Zaevi !!!
#stayhome
#rrinshpi
#rimaniacasa

Kishte diçka kontradiktore në fjalimin e Boris Johnson në lidhje me reagimin e Britanisë ndaj koronavirusit të enjten.

I shoqëruar nga këshilltarët kryesorë shkencorë dhe mjekësorë të vendit, Kryeministri njoftoi se qeveria e tij po kalonte në fazën e “vonesës”, të planit të saj për të përballuar shpërhapjen, dhe paralajmëroi britanikët që ata po përballeshin me “krizën më të keqe të shëndetit publik të një gjenerate”, dhe duhet të jenë të përgatitur “se do të humbin njerëzit e dashur para se t’u vijë koha”.

E megjithatë, përballë një perspektivë kaq të rëndë, a do të marrë Britania e Madhe të njëjtat masa të rrepta si vendet e tjera të prekura? Jo, ishte përgjigjja. Të paktën jo tani.

Qeveria britanike ka thënë vazhdimisht se nuk beson se ndalimi i tubimeve në shkallë të gjerë dhe mbyllja e shkollave – siç kanë bërë Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja – do të ishin efektive në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Kjo vjen përkundër faktit se pjesë të Ishujve Britanikë, përfshirë Republikën e Irlandës dhe Skocisë (e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por ka një sistem të veçantë të kujdesit shëndetësor), tani po imitojnë fqinjët e tyre kontinentalë.

Më shumë analiza mbi shpërthimin

Arsyeja pse Mbretëria e Bashkuar nuk ka vendosur masa më të rrepta të “distancimit shoqëror” duket se është e rrënjosur në parashikimin e qeverisë, se shpërthimi mund të mos e arrijë kulmin deri pas 14 javësh – dhe se njerëzit nuk do të jenë të gatshëm të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrat e tyre të jetës dhe t’u përmbahen rregullave të reja për më shumë se tre muaj, kështu që nuk ka shumë kuptim të vendosen më shumë kufizime.

Rekomandimi i fundit për britanikët është të izolohen për shtatë ditë, nëse fillojnë të përjetojnë kollë të vazhdueshme ose temperaturë të lartë, dhe të vazhdojnë me zbatimin e rregullave rigoroze të higjenës, si larja më shpesh e duarve dhe dezinfektimi i sipërfaqeve.

Ministrat e qeverisë pretendojnë se vendimet e tyre udhëhiqen thjesht nga shkenca. Kjo shkencë, thonë ata, aktualisht sugjeron që do të ishte e dobishme që vendi të krijojë një lloj “imuniteti të tufës” ndaj koronavirusit të ri, në planin afatgjatë. Me pak fjalë, autoritetet duan që disa britanikë ta marrin virusin, veçanërisht pasi për shumë njerëz, simptomat e tij nuk do të jenë veçanërisht dobësuese.

Kjo qasje e ka ndarë opinionin në komunitetin mjekësor. Disa ekspertë e kanë akuzuar Johnsonin se nuk ka arritur të kuptojë sa e rëndë është situata, ndërsa të tjerë kanë lavdëruar qeverinë për refuzimin e përkuljes ndaj presionit të gjerë të kontinentit, për të ndaluar lëvizjet e publikut.

Ditën e premte, numri i rasteve të konfirmuara në Mbretërinë e Bashkuar ishte 798, me 10 vdekje. Sidoqoftë, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë Patrick Vallance ka pranuar se ishte e mundur që 5000 deri në 10,000 njerëz, tashmë mund të jenë infektuar. Dhe me kapacitetin e testimit që tani do të arrijë deri në 10,000 njerëz në ditë, shifrat me siguri do të rriten.

Mjekët paralajmërojnë për vetëkënaqësi

Shkencëtarët e qeverisë thanë se ata kanë vërejtur se virusi zakonisht rezulton në një infeksion të butë fillimisht për pacientët me asnjë gjendje aktuale shëndetësore, e cila zgjat rreth pesë ditë, por për të moshuarit ose të sëmurët, patogjeni hyn në një fazë të dytë pas kësaj, duke nxitur një përgjigje imune që shkakton shumë nga dëmet që vrasin.

Shpresa e ekspertëve është që plani i ri i Mbretërisë së Bashkuar do të shtyjë pikun e sëmundjes përtej fundit tradicional të gripit të stinës në prill dhe deri në verë, kur spitalet e vendit do të jenë më pak nën presion.

Por shumë anëtarë të spikatur të komunitetit mjekësor nuk janë të bindur nga qasja e qeverisë. Mjekët në vijën e parë të njësive të kujdesit intensiv kanë paralajmëruar për mungesën e mundshme të respiratorëve, siç shihet në Itali dhe Kinë kur rastet arritën kulmin atje, dhe thanë që nëse stafi sëmuret vetë, qasja në mjekët me përvojë mund të bëhet problem.

Kryeredaktori i revistës me ndikim “The Lancet” kritikoi reagimin e Mbretërisë së Bashkuar për krizën. “Për të shmangur një katastrofë të pakontrollueshme në Mbretërinë e Bashkuar, ne duhet të jemi të sinqertë për atë që duket se ka të ngjarë të ndodhë në javët e ardhshme. Duhet të rrisim urgjentisht kapacitetet në kujdesin intensiv. NHS nuk është e përgatitur”, shkruajti Richard Horton të enjten.

“Unë nuk jam duke alarmuar. Ajo që po ndodh në Itali është e vërtetë dhe po ndodh tani. Qeveria jonë nuk po na përgatit për atë realitet. Ne kemi nevojë për politika të menjëhershme dhe të sigurta të distancimit social dhe izolimit. Ne duhet të përgatisim NHS. Kjo është një lutje serioze”.

Për një vend që deri në kohët e fundit vendosi karantina në mënyrë rutinore për kafshët shtëpiake të familjes, është ironike që “mentaliteti i ishullit” i Johnsonit – i cili u bë i famshëm nga mbështetja e tij entuziaste për largimin nga Bashkimi Evropian – duket se nuk shtrihet në shëndetin publik, pasi ministrat hodhën poshtë sugjerimin që Britania të mbyllë kufijtë, ashtu siç urdhëroi Presidenti i SHBA Donald Trump këtë javë.

“Ai nuk po bën Trumpin”

Disa shkencëtarë ofruan fjalë mbështetjeje për masat e Mbretërisë së Bashkuar.

“Unë jam i pari që pranoj se nuk jam fansi më i madh i Boris Johnsonit. Por jam relativisht i impresionuar që ndryshe nga liderët e tjerë politikë, të cilët u përkulën para presionit të njëri-tjetrit dhe popullsisë së tyre për të zbatuar mbylljen e shkollave – të cilat ne nuk kemi prova të mjaftueshme për të ditur nëse do të ndryshojë apo jo – Johnson po dëgjon provat aktuale”, tha për CNN Dr. Clare Venham, profesore e politikave globale të shëndetit në London School of Economics.

“Ai nuk po bën si Trump duke mbyllur kufijtë, gjë që e dimë se nuk do të ketë efekt. Ai po ndjek një qasje mjaft të matur tani – por po, është një rrezik”.

Venham shtoi se ajo beson që përparësia e qeverisë ishte të shmangte panikun, dhe të sigurojë bashkëpunimin e publikut me masat parandaluese.

“Eshtë një bast politik nëse u del gabim. Nëse të gjitha vendet që zbatuan mbylljen e shkollave dhe udhëtimet e tubimet masive shohin ulje të rasteve, dhe numri i rasteve në Mbretërinë e Bashkuar rritet – ky është një rrezik”, tha ajo.

“Ne e dimë për shembull që mbyllja e shkollave funksionon për gripin, sepse fëmijët janë super përhapës. Ne nuk e dimë nëse është e vërtetë për koronavirusin. Por unë mendoj se qeveria po thotë: “shikoni, ne ende nuk e dimë nëse fëmijët janë super-përhapësit. Pra, pse të shkaktojë kaosin në jetën e njerëzve?”.

Keith Neal, profesor i njohur i epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e Nottinghamit, gjithashtu tha se ai mbështet lëvizjet për të frenuar shpërthimin.

“Planet janë të arsyeshme, është shumë e lehtë të thuhet se duhet të bëhen më shumë, por ka shumë pak prova për të marrë ndonjë vendim,” i tha ai PA Media.

Por ish sekretari i Shëndetit Jeremy Hunt i tha BBC-së se shumë njerëz “do të befasohen dhe shqetësohen” nga mungesa e veprimeve në kontrollin e lëvizjeve. “Unë mendoj se është befasuese dhe shqetësuese që ne nuk po e bëjmë asnjë prej tyre, kur kemi vetëm katër javë para se të arrijmë në situatën ku ndodhet Italia.

“Normalisht, çdo gjë që do të duhej të bënim në këto katër javë do të duhej të bëhej për të ngadalësuar përhapjen virusit”.

“Spërkat, paguaj dhe lutu”

Aty ku qeveria ka bërë lëvizje vendimtare, është në fushën e ekonomisë.

Kancelari i ri Rishi Sunak këtë javë akordoi fonde emergjence në buxhet – jo vetëm për të përforcuar Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar në një kohë urgjence, por edhe për të mbrojtur bizneset e vogla dhe të mesme. Në një qasje të koordinuar, Banka e Anglisë gjithashtu uli normat dhe shpalli planin e stimulimit.

Strategjia u quajt “Spërkat, paguaj dhe lutu” nga Financial Times.

Dhe këtu qëndron kleçka: Downing Street duket se mendon që paniku i shkaktuar nga lloji i ri i virusit – ose Covid-19 siç është bërë i njohur – mund të jetë më i rrezikshëm në planin afatgjatë, sesa vetë sëmundja.

Nëse basti i quajtur “ruaj qetësinë dhe vazhdo” përballë koronavirusit është qasja e duhur, vetëm koha do ta tregojë.

 CNN

As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudo- demokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”. Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm. Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

Akademiku Rexhep Qosja ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen herët apo vonë, pavarësisht zërave kundër. Qosja në një intervistë për A2 teksa komentoi marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës tha se fërkimet që kanë ndodhur janë të pakuptimta dhe në kundërshtim me orientimin e Albin Kurtit.

“Fërkimet, të cilat kanë qenë pak më të theksuara Rama-Haradinaj, më duken të pakuptueshme dhe të çuditshme. Janë një popull, dy shtete, një kulturë dhe një të kaluar. Tani, deshi fati, ishte një shans për shqiptarët, që ta shfrytëzojnë për shumëçka që t’i afrojnë marrëdhëniet e tyre që do të çojnë në një drejtim, që është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. U bashkuan Gjermanitë, por kurrë Gjermania Perëndimore nuk e ka hequr prej Kushtetutës bashkimin”.

“Këto fërkime janë të palejueshme. Këto janë në kundërshtim me orientimin e Albinit, por unë shpresoj se gjendja do të vijë duke u përmirësuar. Këtu kemi intelektualë dhe akademikë që kanë shkruar Kosova ua ka thyer qafën dy perandorive, otomane dhe austro-hungareze, do ia thyejë edhe Shqipërisë. Kemi intelektualë që mendojnë se duhet të krijohet edhe kombi kosovar. Çfarë do të thotë kjo? Ju lutem. Kush ua jep atyre këtë të drejtë? Çfarë përfaqësojnë ata që flasin kështu?! Populli shqiptar është ndarë me dhunë dhe për 100 vjet janë mbushur burgjet e Serbisë dhe Greqisë që kanë kërkuar bashkimit”.

“Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, sepse ky bashkim është më së pari në interesin e shqiptarëve. Unë mendoj se shtetet e Ballkanit, kur ta kuptojnë këtë punë do ta pranojnë. E kanë më mirë me një shtet shqiptar në BE sesa me një”.

Agim Vinca-Nuk e kam ditur, nuk e kam besuar, se Aleanca dhe PDK-ja e, deri diku, edhe Nisma, do ta përjetojnë aq rëndë humbjen e pushtetit! Ajo që dëgjuam sot në sallën e Kuvendit, e konfirmon katërçipërisht këtë fakt. Në vend se të kërkojnë falje për degradimin që i bënë shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj; për vjedhjet dhe mashtrimet; për nepotizmin dhe korrupsionin galopant; për arsimin dhe shëndetësinë e rrënuar; për skandalet e panumërta; për pasurimin e tyre të paskaj dhe për varfërimin e qytetarëve të Kosovës, që udhëheqja e derisotme ua nxiu jetën dhe ua vrau shpresën, deputetët e këtyre partive, të nxitur nga liderët e tyre, derdhën tirada të pafund gënjeshtrash, shpifjesh e akuzash në adresë të Albin Kurtit dhe të LVV-së e, pjesërisht, edhe ndaj partnerit të saj të koalicionit, LDK-së.
Është e qartë si drita e diellit se humbjen e pushtetit shumëvjeçar këto parti po e përjetojnë si tragjedi.

Carlo Bollino – Pasi ka sulmuar prej gjashtë vitesh qeverinë socialiste duke e akuzuar për dobësi dhe bashkëpunim me krimin, tani Partia Demokratike e riakuzon atë sepse ka aprovuar ligjin më të ashpër antikrim te shkruar ndonjëherë në Shqipëri.

Edhe këtë herë koherenca është një cilësi që Lulzim Basha nuk ka treguar se e zotëron. Kritikat e tij ndaj të ashtuquajturës “paketë anti-KÇK” tregojnë fatkeqësisht prapë se interesat e kësaj opozite nuk janë që të orientojë qeverinë drejt zgjedhjeve të dobishme për vendin, por ekzaktësisht e kundërta: të kundërshtojë qeverinë me çdo kusht nga frika se mund të bëjë zgjedhje të dobishme për vendin.

Elementi kryesor i përdorur nga PD në ktitikën e saj alogjike ndaj ligjit të ri kundër kriminalitetit, është se paketa anti-KÇK dublon ligjin ekzistent anti-mafia. Çështja nuk do të duhej të shqetësonte opozitën, por, eventualisht gjykatësit që do të duhet të përdorin këto dy ligje të ngjashme.

Të ngjashëm, pra, jo të njëjtë. Në të vërtetë paketa anti-KÇK shtrin aplikimin e normave të pasurisë ndaj krimeve më parë të papërfshira; fut masa parandaluese personale shumë të ashpra (nga sekuestrimi i pasaportes, deri te kufizimi i lëvizjes edhe brenda vendit) që ligji antimafia nuk parashikon; fikson afate të qarta për aplikimin; përshpejton procedurat e sekuestrimit; përcakton se brenda sa kohësh i dënuari ose vetëm i dyshuari për krime të rënda duhet të tregojnë origjinën e ligjshme të pasurisë së vet dhe krijon një trupë policie të specializuar ekskluzivisht të dedikuar në aplikimin e këtij ligji.

Praktikisht kjo paketë me rregulla të reja e kritikuar nga opozita e cila e gjykon deri anti-kushtetuese, në të vërtetë përmbush shumë boshllëqe që përmban ligji antimafia i votuar nga PD në vitin 2009, e më pas i fuqizuar nga socialistët që përfshinë edhe ato krime ndaj korrupsionit që Berisha nuk deshi të godasë. Versioni fillestar i PD-së përfshinte vetëm 16 vepra penale për të cilat ishte parashikuar sekuestrimi I pasurisë, paketa anti-KÇK sot përfshin 44.

Shumë më shumë se paketa antimafia, ligji anti-KÇK ka mundësinë të godasë me të vërtetë dhe në pak javë arkat e krimit të organizuar. Masat lejojnë sekuestrimin e menjëhershëm të llogarive bankare, vilave, restoranteve, hoteleve, tokave, kontratave konçensionare, pallateve, butikeve, makinave luksoze ose te blinduara, dhe çdo aktiviteti tjetër financiar apo burim ekonomik që lidhet direct apo indirect me një trafikant të dënuar në Shqipëri apo jashtë, ose të hetuar apo vetëm të dyshuar se ka kryer krime të rënda.

Nëse brenda 48 orëve bosi nuk arrin të faktojë origjinë e ligjshme të pasurisë së tij, pasuria konfiskohet për gjithmonë nga gjykata. Siç thonte dhe Giovanni Falcone, mënyra më e mirë për të fituar betejën kundër mafias është ta godasësh aty ku asaj i dhemb më shumë: Paratë.

Por ndryshimi me të vërtetë thelbësor mes dy ligjeve është se, ndërsa ai antimafia i aprovuar nga PD duhej të zbatohej nga gjykatat e zakonshme, ligji i ri anti-KÇK do të zbatohet nga prokuroret dhe gjykatësit e SPAK, pra elita e re e sistemit të drejtësisë së reformuar. Në vend që të citojë në mënyrë abstrakte ligjin antimafia ekzistues si model të mjaftueshëm dhe më të mirë, Lulzim Basha duhet të rreshtojë rezultatet që ligji i tij ka prodhuar në luftën kundër krimit të organizuar në vitet kur PD ishte në pushtet dhe më pas: Zero rezultate.

Që prej 2013 opozita akuzon qeverinë për rritjen e krimit, por në të vërtetë gabon objektiv: sepse kush ka shkatërruar indin social të Shqipërisë duke i dhënë dorë të lirë të fortëve dhe trafikantëve, është viroza e korrupsionit që në këto tre dekada ka përmbytur prokurori e gjykata. Përshkallëzimi I krimit, bashkë me korrupsionin e politikës, të administratës publike dhe të policisë në 28 vitet e demokracisë janë pasojë e korrupsionit të drejtësisë dhe jo e kundërta.

Një ushtri gjykatësish dhe prokuratorësh të korruptuar, në shumë raste të panjohur, kanë prodhuar në errësirën e dhomave të tyre më shumë dëme vendit se e gjithë klasa politike bashkë. Politika ka pranuar situatën për gjithë këtë kohë sepse ka qenë përfituese, të paktën deri në vendimin për ta reformuar drejtesinë.

Për 28 vite Shqipëria ka luajtur një kampionat pa arbitra në fushë, ose me arbitra të shitur. Revolucioni që përfaqëson ligji anti-KÇK është se këtë herë arbitrat do të jenë dhe janë gjykatësit dhe prokuratorët e SPAK dhe jo më ata gjykatës periferish që prej vitesh janë dhe vazhdojnë të jenë kamarierët e bosave.

Për SPAK-un ky do të jetë një test vendimtar, sepse pasuritë e kriminelëve nuk janë mister për askënd, ndaj kështu do të jetë e lehtë për të kuptuar se kush do të vazhdojë të jetë i mbrojtur sot e tutje. Ky ligj i heq alibitë të gjithëve dhe është prova më e mirë për të kuptuar nëse reforma e Drejtësisë do të mjaftojë për të shpëtuar vendin nga sundimi i bandave.

Partia Demokratike gënjen kur thotë se paketa anti-KÇK është e kotë sepse dublon edhe SPAK-un: Ligji anti-KÇK, përkundrazi, është mjeti më i fortë që qeveria i ka besuar deri më tani Spak-ut për të luftuar kriminalitetin. Eshtë një ligj i jashtëzakonshëm, që fut masa të jashtëzakonshme për një gjendje emergjence të jashtëzakonshme.

Një sfidë e vështirë për t’u menaxhuar nga opozita, sepse nëse do të fitohet, ashtu siç njerëzit e ndershëm shpresojnë dhe urojnë, merita politike do t’i shkojë Edi Ramës. Bile mund të jetë pikërisht kjo sfida që do të ndezë dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE. Por të rreshtohen kundër, do të thotë të bëjnë edhe këtë herë një zgjedhje të gabuar, duke tradhëtuar popullin dhe duke vendosur të qëndrojnë në krah të krimit, dhe vetëm për një interes banal personal dhe elektoral.

Nderkohë që pas gabimeve të pandërprera, nuk ka luskin të gabojë prapë. Skepticizmi është i madh dhe i përhapur, por lufta ndaj të keqes nuk fitohet kurrë vetëm më katastrofizëm. Nëse opozita vërtet ka për zemër luftën ndaj bandave, dhe jo vëtëm marrjen e pushtetit, e ka për detyrë ta mbështesë këtë nismë të re duke pritur në se prodhon apo jo rezultate, ndoshta pa duartrokitje, por të paktën në heshtje!

Rexhep Qosja-Duke dëgjuar e duke shikuar se çka po bëhet, çka po shkruhet e çka po deklarohet për Qeverinë e Kosovës, të pa krijuar as pas gati katër muajve prej zgjedhjeve të mbajtura me 6 tetor 2019 m’u kujtua Treshja e Madhe Antifashiste e përbërë prej përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Rusveltit, prej përfaqësuesit të Bashkimit Sovjetik, Josif Visarionoviç Xhugashvilli – Stalinit dhe prej përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Uinston Çerçilit. Ata të tre, të mëdhenj në vendet e tyre e të mëdhenj në përmasën  botërore, lehtë e shpejtë, krijuan Koalicionin Antifashist dhe pa munduar njëri-tjetrin dhe popujt e tyre, me po e jo, jo këtë javë po javën tjetër, si thonë studiuesit e tyre, mbajtën mbledhjet e quajtura konferenca:

-të Parën, në Teheran, në vitin 1943 në të cilën u morën vesh për krijimin  e Frontit të dytë në Evropë;

-të Dytën, në Jaltë, në të cilën u morën vesh për krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën tri Fuqitë e Mëdha do të kishin të drejtë të Vetos, dhe;

-të Tretën, në Potsdam, në të cilën u morëm vesh: që të krijojnë Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha, që Gjermania të paguajë dëmet e Luftës Botërore, që të bëjnë ndryshime në kufirin Poloni-Gjermani dhe që të kapitullojë pa kushte Japonia, e cila edhe kapitulloi mbas hedhjes së bombave atomike në Hiroshimë e në Nagasaki dhe pas hyrjes së Bashkimit Sovjetik në luftë kundër saj.

Domethënë:  Tri Fuqitë e Mëdha, që po vendosnin për fatin, për ardhmërinë e popujve e të shteteve, për fatin e miliarda njerëzve në planetin e Tokës, po merreshin vesh, sy më sy, thuhet në një varg librash të shkruara për ta, për Luftën e Dytë Botërore, ndërkaq Dyshja jonë partiake, në të vërtetë Treshja jonë, kurrsesi nuk po mund të merret vesh as të krijojë koalicionin e as të krijojë Qeverinë! E quajta Treshe Dyshen tonë, sepse aktorët e saj të tretë, të përfaqësuar prej disa zëdhënësve të dukshëm e të padukshëm, që maskohen e çmaskohen, që luajnë lojëra politike kur pas e kur para perdes, herë shihen e herë s’shihen kur e si i luajnë ato lojëra. Dhe, i luajnë ato lojëra me Përfaqësuesin e dytë të Treshes sonë – LDK-në, kuptohet kundër Përfaqësuesit të parë – Vetëvendosjes!

Sa të paarsyeshme janë të dhënat me të cilat Përfaqësuesja e dytë e Treshes sonë e kushtëzon krijimin e Qeverisë! Edhe pse parti e dytë, ajo do të donte të jetë parti e parë në Qeveri: ajo kërkon të ketë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, edhe postin e kryetarit të Kosovës! Dhe, natyrisht aq ministri sa edhe partia e parë! Sa Treshja e parë – Vetëvendosja!

Ajo nuk flet për qeveri të njësuar, por për partneritet të fortë me partinë e parë – Vetëvendosjen. Ajo do qeveri të partneritetit, qeveri të ekuilibruar, si thonë zëdhënësit e saj, sepse do Qeveri më shumë të interesave të saj se të interesave të Kosovës!

E kuptueshme!

Vetëvendosja është parti e veçantë në Kosovë sot: është e veçantë me përbërjen e saj; e veçantë me programin e saj; e veçantë me politikën e saj dhe e veçantë me qëllimet që dëshiron të sendërtojë Qeveria e kryesuar prej saj në Kosovën e hallakatur, të hallakatur në pikëpamje organizuese, në pikëpamje ekonomike, në pikëpamje financiare, në pikëpamje arsimore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje gjykatore, në pikëpamje etike e në pikëpamje të tjera!

Qeveria e Vetëvendosjes si po thonë, si po deklarojnë, si po shpresojnë shumica e qytetarëve, do ta shërojë Kosovën nga zhvatësit e pasurive shoqërore e shtetërore të saj, nga multimilionerët e milionerët politikë të Kosovës, nga të korruptuarit e nivelit të lartë të Kosovës, nga nepotistët e Kosovës e nga eksploatuesit e tjerë të lartë të saj, do ta shërojë Kosovën nga zyrtarët e quajtur të papërgjegjshëm, dëmtues, cenues e shkelës të Kushtetutës e të ligjeve që rregullojnë funksionimin e shtetit të ri të Kosovës në të gjitha sferat e jetës.

Kësaj i frikësohen Përfaqësuesi i dytë dhe Aktorët e tretë të Treshes së Kosovës, prandaj qe gati katër muaj po e luajnë lojën e maskuar dhe të çmaskuar për ta qitur prej Lojës politike në qoftë se nuk do të mund ta mbisundojnë Përfaqësuesin e parë – Vetëvendosjen, së cilës qytetarët ia kanë dhënë votën për ndryshimet që  do të përmirësonin gjendjen e tyre, fatin shtetëror, politik, shoqëror, ekonomik e juridik të tyre e të Kosovës, në të vërtetë të ardhmen e tyre e të saj.

Janë disa pesimista që mendojnë: se mos sot nesër do të kenë sukses përfaqësuesit e Treshes së Dytë dhe të Tretë dhe do ta nxjerrin Vetëvendosjen prej qeverisjes, që në duart e tyre nuk zbatohet si qeverisje demokratike, por si pushtet autokratik.

I përjeton e i pëson Kosova pasojat e kësaj Mosmarrëveshjeje disamujore të Treshes sonë partiake e politike, që janë: pasoja të politikës së saj të brendshme, pasoja të politikës së saj të jashtme, pasoja të prestigjit të saj si shtet i lirë e i pavarur, pasoja të ekonomisë së saj, pasoja të përgjithshme, që e dëshmojnë papjekurinë tonë politike e shtetërore, pasoja që e shpërfytyrojnë në çdo aspekt shtetësinë e saj!

Por, për këto pasoja po dëshmojnë me sjellje se nuk duan të lodhen shumë, sado për to flasin me patos e retorikë si patriotë e si padronë të jetës sonë, Përfaqësuesit e Treshes sonë: milionerët politikë të firmave e kompanive, të shumëkatësheve e vilave, të lagjeve e fshatrave, të tokave e parcelave, në Kosovë e në Shqipëri, të vilave bjeshkore e detare e të pronave të tjera e kush krejt mund ta dijë se ku janë, si duken e si përdoren! Deri kur?!

Fatkeqësia shqiptare, e përsëritur shpesh gjatë historisë, e quajtur mosmarrëveshje e pushtetarëve dhe adhuruesve të pushtetit, po përsëritet edhe tani dhe po përsëritet në një mënyrë të re: tragjikomike.

Uroj të marrë fund të hënën me 3.2.2020 kjo fatkeqësi politike aq shpesh e përsëritur në historinë kombëtare shqiptare dhe Vetëvendosja e LDK-ja, megjithëse parti me jetëshkrime e koncepte politike shumë të ndryshme, kur e ku thellësisht të papajtueshme, të bashkohen në qeverinë e shumëpritur të Kosovës për të mirën e popullit të saj dhe të gjithë popullit shqiptar.

Nxitur nga letra e pedagoges Silvana Begaj ku ajo i thotë mirupafshim Shqipërisë për një sërë arsyesh që përmblidhen me fatkeqësisht të pavdekshmen “ky vend s’bëhet,” pyetëm ndjekësit tanë në Facebook dhe Instagram pse vendosën të jetojnë dhe të punojnë në Shqipëri në vend të emigrojnë diku gjetkë. Letrat që morëm ishin të jashtëzakonshme, por përzgjodhëm këto më poshtë për të demonstruar që e vetmja gjë që të shtyn drejt largimit, është dëshira për t’u larguar. Asgjë tjetër.

1.“Unë personalisht e mendoj jetën time këtu në Shqipëri. Këtu dua të jetoj dhe punoj. Shqipëria jonë është kaq e bukur, me male e fusha, me dete, lumenj e liqene. Çdo gjë të bukur ia ka falur natyra. Unë kam studiuar Menaxhim Turizmi dhe aktualisht punoj në turizëm. Gjatë gjithë kohës kam të bëj me të huaj të cilët magjepsen pas vendit tonë, me njerëz që e karahasojnë me parajsën këtë vend, me njerëz që po t’u jepej mundësia të vinin dhe herë të tjera këtu, asnjëherë s’do thoshin jo. Ne e kemi këtë mundësi, ne jetojmë këtu. Pse mos të bëjmë të pamundurën për ta përmirësuar këtë vend? Pse duhet t’i vëmë shkelmin e ta braktisim? Për faj të disave që janë vënë në krye dhe na kanë bërë të humbasim shpresat? Ne duhet t’i vëmë shkelmin këtyre që sot janë në krye dhe jo këtij vendi të mrekullueshëm. Ne të gjithë duhet të mundohemi ta bëjmë këtë vend.”

  1. “Unë për momentin kam menduar të punoj dhe të qëndroj në Shqipëri. Jam 28 vjeçe, e divorcuar dhe me një fëmijë. Para se të mbesja shtatzënë isha e mendimit që duhet të iki nga ky vend sepse do të isha dhe më e lirë. Një fëmijë është përgjegjësi e madhe. Pasi u divorcova, përsëri mendova të iki nga ky vend. Mirëpo m’u ofrua nga njerëzit e mi një vend punë dhe një rrogë e mirë. Deri këtu në rregull. Këtë verë m’u dha mundësia të bëja dokumentat me një anglez pasi kam dajat andej dhe ma propozuan ata si ide. E refuzova. E refuzova sepse unë vetëm dokumentat mund të bëja dhe ato kanë dy, tre vite procedura. Do isha e vetme në një shtet të huaj me një fëmijë. Puna që do më priste atje s’është punë zyre si këtu. Mbase do vuaja vitet e para e do rregullohesha më vonë, por shumë e vështirë me një fëmijë dy vjeç. Qëndrova për punën dhe s’e kam familjarët e mi që më ndihmojnë me dalin.

3.“Jam ndër ato njerëz që sdua të largohem këtej. Kam investuar shumë për veten time që të punoj këtu, jo në vend tjetër, të bëj punën që kam pasion, të rri me njerëzit e mi që i njoh prej një jete. Shumica promovojnë sigurinë që është jashtë shtetit shqiptar, por edhe këtu në qoftë se zbaton parimet bazë të jetës, nuk të ndodh gjë. Nëse ti shikon të përmirësosh jetën tënde, veten tënde, nëse ti e sheh kafen për 10 minuta dhe jo për dy orë, nëse ti punon për të rritur mirëqënien, pse të mos bëhemi? Është shumë e thjeshtë të bëhesh pesimist e të duash të ikësh pasi është gjëja më e lehtë, por puna është pse të mos mundohesh të mos ikësh.E kush tha që gjërat e bukura e lumturia vikan shpejtë? Të paktën unë kam mësuar që duhet të mundohesh që të fitosh në jetë. Nuk ka fitore pa dhimbje. Do doja të merrja një shembull: Nëse bisedon me njerëz të ndryshëm se si është më mirë: të rrish me qira apo të paguash kredi për shtëpinë tënde, pothuajse 90% zgjedhin të paguash kredi për shtëpinë tënde. E pse? Sepse ti e di që në fund ajo shtëpi do jetë jotja. Pse të mos e trajtojmë edhe çështjen të rrish në Shqipëri apo jashtë në këtë këndvështrim? Qëndro këtu sepse ti po mundohesh.Por po punon, mundohesh për shtëpinë tënde. E në fund kockat e tua do të rrinë në shtëpinë tënde, nuk do të të digjen diku, ku as nami as nishani sdo të të ngelet.

4.“Na duhen njerëz të tillë, që punojnë e jetojnë këtu, që kanë investuar gjithë jetën këtu si puna ime. Isha jashtë e u ktheva para ca vitesh dhe e nisëm gjithçka nga zeroja. Me shumë sakrificë, tani kemi një biznes të ndershëm e të konsoliduar prej 10 vitesh. Megjithëse tundimi për të ikur është i madh, dëshiroj me gjithë zemër të rregullohet situata e të mund të rrisim fëmijët në Shqipëri.”

5.“Sapo kam përfunduar studimet dhe deri tani kam qenë duke kërkuar për një punë. Sapo kam filluar. Ndërkohë prindërit e mi ngulin këmbë që unë të iki jashtë shtetit sepse andej është më mirë dikush u ka mbushur mendjen se mund të më ndihmojë për bursë dhe ata nuk më inkurajojnë të gjej një punë fikse që të rregullohem dhe vetë, por ‘hë për hë se ti ke plane të tjera.’ Ai dikush që premton të gjejë bursa, gjen bursa për çdo lloj dege, vetëm për degën time jo. Jam aq e mbytur me këtë idenë që dikush po më thotë çfarë duhet të bëj në jetë ‘se ashtu është më mirë’ pa më pyetur se çfarë dua unë. Jam e mbytur me idenë që thjesht bëj një shkollë jashtë dhe po erdhe këtu, të hapen të gjitha dyert. Unë investova pesë vite, prindërit e mi investuan mbi 10 mijë euro për shkollimin tim dhekur vjen puna, kërkojnë që t’i zeroj të gjitha këto e të bëj diçka pa lidhje që nuk e dua. Dikush tjetër do të bënte gjithçka për një bursë në Amerikë, por unë nuk e dua. Dua të provoj vuajtjet e Shqipërisë, të punoj çdo ditë për të ndihmuar veten dhe njerëzit, të respektoj rregullat atje ku të tjerët nuk i respektojnë. Jam shmë e mbytur duke mësuar anglishten, pavarësisht se e kam pasur shumë qejf si gjuhë, vetëm nga ideja e detyrimit dhe e komandimit për të bërë diçka që u pyeta nëse doja apo jo. Po, unë jam ajo që s’dua të shkoj në Amerikë. Dua të rri këtu. edhe me dy rroga minimale ia del të jetosh. Nëse do më tepër, gjen dhe më tepër. Ky vend bëhet kur njerëzit e bëjnë.”

6.“Unë jam larguar për studime në Gjermani dhe bëj pesë vite këtej. Nuk ika se isha pesimiste për vendin tim. Jo, u largova sepse doja t’i jepja vetes arsimin e duhur dhe në Shqipëri, dega që studioj unë nuk ekziston fare. Por në mendjen time, kthimi në atdhe është gjithmonë i mundur. Madje, në letrën e motivimit kur aplikova këtej, pyetjes pse zgjodhe Gjermaninë iu përgjigja: Është eksperienca dhe vendi i duhur që mund ta ndjek si shembull për tëpërmirësuar vendin tim. Është e trishtueshme që këtej ka shumë shqiptarë që vetëm vrer nxjerrin për Shqipërinë. Sikur të ishte ferri mbi tokë. Unë kam mësuar diçka. Nëse nuk do veten, nuk do të të duan as të tjerët. Përpiqem shumë të promovoj vendin tim e çdo vit që vij, sjell disa turistë me vete. Duajeni Shqipëriën, për mua është parajsa mbi tokë.”

7.“Një arsye e madhe pse nuk iki është se kam punë që dua dhe jetoj mirë këtu me familjen. Një arsye tjetër jan prindërit e mi. Kemi motive sa të duash për qendruar, aq sa dhe për të ikur, thjesht varet nga mentaliteti dhe mendimet që ushqejmë brenda vetes.”

8.“Mua të ma falin Amerikën nuk iki. Kur mbarova shkollën, u ktheva në Athinë ku kisha familjen. Ndenja i sforcuar për një vit. Nuk më shijonte as dielli, as ajri. U ktheva në Tiranë. Pasiguri kam për sigurinë që duhet të krijojë shteti si në fushën e mjekësisë, siguria në rrugë, por për të ardhmen e fëmijëve, jo. Çfarë sigurie e çfarë perspektive patëm ne studentët e ’97-ës? Por gjithë brezi im është në pozicione drejtuese nëpër banka, këshilltarë nëpër ministrira etj. Asnjë nuk është për të qarë hallin. Thashë për të tjerët për të mos e ngushtuar te vetja shembullin. Punojmë, por dhe i kemi bërë hyzmet edukimit, arsimimit. Kush bën hile me shkollën, me punën, me familjen nuk ia sheh hajrin as jashtë. E di pse kthejnë sjellje kur ikin andej? Se atje s’ju jep kush borxh. Nuk kanë shtëpinë e babit dhe petullat e mamit. Po këtu kanë faj dhe prindërit dhe mentaliteti. Mbarove shkollën e lartë? Në shtëpi me qira që të shikosh çfarë është jeta. Paguaje vet Masterin.”

9.“Unë dhe bashkëshorti im jetojmë në Nisë, Francë. Jemi këtu prej tre vitesh. U larguam nga Shqipëria se atë e transferuan me punë këtu. Bashkëshorti im nuk është shqiptar, por vendi që i mungon më shumë është Shqipëria dhe jo vendi i tij. Sa për mua, unë nuk di ç’të them. Ë mungon aq shumë, sa në këto tre vite nuk i kam bërë kurrë dy muaj pa ardhur. Unë kam udhëtuar në shumë vende të botës dhe e them me bindje që nuk do zgjidhja kurrë të largohesha nga Shqipëria si po bëjnë të gjithë të rinjtë. Ne gjithmonë themi që në të ardhmenm kur puna e bashkëshortit tim të ketë mbaruar, të kthehemi të jetojmë në Tiranë. Shqiptarët nuk duan t’i krijojnë mundësi vetes. Nuk i bindenasnjë rregulli, ndërkohë që ndodh krejt e kundërta kur emigrojnë në Europë. Sjellja e çdokujt është në dorën e tij dhe jo të rregullave apo ligjeve. Nëse do t’u bindesh rregullave, e bën për vete, pra ne me bindje, në Shqipëri bëjmë më të keqen për veten.”

10.“Unë studioj për mjekësi jashtë shtetit prej dy vitesh dhe çfarë më frymëzon dhe më jep forcë të punoj më shumë është mendimi që një ditë do të kthehem në vendin tim, në Shqipërinë time. Ndoshta kushtet e jetesës janë më të mira këtu, ndoshta mundësitë për karrierë janë më të mëdha këtu, por në fund të ditës ajo që të mungon më shumë është shtëpia jote, njerëzit e tu. Janë ata që i shijojnë bashkë me ty fitoret e sukseset jo thjesht përmes kamerës së telefonit. Asnjë gjuhë tjetër në botë nuk shijon si gjuha jote. Mund të kalosh shumë vite jashtë, mund të njohësh shumë miq, por asgjë nuk mund të kompensojë gjërat që humbet ndërvite kur je larg. Unë jam një ndër ata nxënës që u largua me një dëshirë shumë të madhe për të studiuar jashtë, ndoshta me mendimin se s’do të kthehesha më, por sot dëshira më e madhe që kam është që karrierën time ta ndërtoj aty.”

11“Unë jam një vajzë që ka vendosur mos ta braktisë vendin e vet, ngrohtësine që të fal veç vendlindja dhe njerezit që njeh prej nje jete, që flasin gjuhën tënde, kulturën tënde dhe ku ndihesh në shtëpi. Unë kam mbaruar studimet e larta në një universitet jopublik në Tiranë. Duke u angazhuar me internshipe apo duke punuar dhe në punë jo në profesion sa për të mbajtur veten, sot në moshën 23-vjeçare punoj në profesionin tim.Kam një rrogë shumë të kënaqshme, e cila më lejon jo vetëm një jetë me gjërat e nevojshme, por dhe shumë lukse, duke kaluar kohë si në kafet e Tiranes, por dhe duke punuar për të ecur në profesion e duke mos reshtur së studiuari. Dhe me plot bindje mund të them se dhe rrethi im shoqëror me mundimin e vet janë të gjithë në profesionin e tyre dhe me rroga mbi mesataren. Mendoj se në Tiranë ka investitorë dhe kompani të huaja që mundësojne internshipe me vlerë, dhe mundësi të shumta pune. Mjafton pak pozitivitet.”

12“Familja ime ka qenë një nga familjet që kishin 1001 arsye për të ikur nga ky vend, por vendosëm të qëndrojmë dhe të investojmë. Na kanë djegur shtëpinë dhe biznesin plot tre herë. Na kanë vjedhur në shtëpi më shumë se dy herë. Madje, s’e harroj kurrë, kur dogjën shtëpinë, prindërit kanë hedhur vëllain (vetëm 90-ditësh) nga ballkoni te një komshi vetëm për ta shpëtuar se po digjeshim brenda të gjallë. E megjithatë, prindërit e mi s’u dorëzuan. Morën borxhe, kredi për t’ia nisur nga fillimi. Asgjë s’na mposhti dot. Sot kemi ndërtuar një biznes të sigurt, kemi punësuar njerëz dhe të gjithë pyesin sesi arritëm të ngriheshim sërish. E di që ky vend ka pafund të zeza, por midis këtyre të zezave kemi arritur të gjejmë dritën. Sot jam 24 vjeç dhe kam një biznes timin. Jam shumë e lumtur në atë që bëj dhe që kam arritur. Duke parë familjen time sesi arrit të ngrihej, asgjë s’është e pamundur. Askund, as në Shqipëri.”

13“Edhe unë jam nga ata njerëz që kanë vendosur të rri në Shqipëri. Aplikova për Lotarinë Amerikane thjesht prej inerci të shoqërisë dhe lutesha çdo ditë të mos më dilte mua, por dikujt që e donte vërtet. Aty kuptova që dua të rri në Shqipërinë time, me familjen time, me njerëzit e mi. dua të punoj dhe të luftoj në një vend ku di se ku jam dhe kur hedh sytë rrotull, nuk jam e vetmuar. Nëse në Shqipëri punon fort, jeton mirë, merr frymë lirshëm dhe mbi të gjitha nuk je vetëm, nuk i dua lekët e botës kur nuk do kem se me kë t’i shpenzoj. Kam investuar shumë në shkollën time, kam dalë me nota të shkëlqyera, kam bërë botime në revista dhe po, në Shqipëri ka meritokraci nëse lufton shumë. Sot, përveçse në profesionm punoj dhe si lektore e jashtme në universitet. Po, e kam fituar vetë. Jam 29 vjeçe, kam punuar që 21 dhe sot kam një kredi 20-vjeçare për të larë, ama jetoj në shtëpinë time, me njeriun që dashuroj dhe një bekim 2 muajsh. Jeta është e bukur nëse lufton për atë që do me ata që do. Shqipëria është e bukur.”

14Pothuajse e njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua, u ktheva 4 vite më pas, në kohën që kisha mbaruar studimet! Sa e lumtur isha që përfundova masterin shkëncor të Stomatologjisë, por nuk e dija se çfarë më priste, gjithsesi ato provime i hoqa qafe përfundimisht.  Studimet i kam mbaruar në Shqipëri, vendlindja ime është Kosovë. I përfundova të gjitha dokumentat, kisha mundësi të punoj në Zvicër pasi xhaxhai im është doktor i përgjithshëm atje, por i thashë jo sepse dua të jem në Kosovë, pranë familjes sime, afër njerëzve të mi. U hap një konkurs për stomatolog në punë shteti për 2 mjekë, por siç ndodh edhe në Shqipëri, ashtu është dhe këtu. U futa, konkurrova dhe më thanë që e kalova me sukses.

Tani, prisja vetëm të më njoftonin për të filluar punë, por kjo s’ndodhi. Më pas më shpjeguan se e vendos kryetari i komunës kush futet në punë. U mërzita shumë dhe shkova të takoj këtë personin që vendoste për “fatin e punës”. Me shumë mirësjellje i tregova rezultatet që kisha marrë nga intervista e punës, por m’u kthye aq keq në prani të njerëzve të tjerë! Me demek, s’duhet t’i kërkoja arsye atij. Po më bërtiste e po më fliste aq keq dhe unë sërish i thashë ok, e kuptoj që ke stresin e punës se tani është dhe koha e zgjedhjeve ama ia bëra të qartë që unë nuk do të lëpija kurrë këpucët e njerëzve! Isha një 23vjeçare që sapo kisha përfunduar shkollën, kam një familje me gjendje të mirë ekonomike sa për të menduar që puna s’më duhet, por gjithsesi e mbylla aty.

Në prani të gjithë atyre njerëzve, vetëm njëri u ngrit dhe tha “kjo është vajza e filanit”, (babai im ka qenë i burgosur politik në periudhën e Serbisë, ka organizuar protesta kundër atij regjimi dhe në këtë komunë është i njohur). Sapo dëgjoi vajza e kujt jam, ndryshoi krejtësisht biseda. Nisi të më kërkonte falje duke thënë se nuk e dinte kush isha dhe më pas më tregoi se sa e respektonte familjen time.

Dua të theksoj se babi im nuk njihet për garip që t’ja kenë frikën, por ka ndërtuar karrierën e tij si inxhinier dhe njihet si njeri që s’është trembur syri prej serbëve. Nga aty dola e mërzitur, reflektova që kam mbaruar shkollë dhe punë s’po gjej. Betohem, për një muaj kam qenë me dhimbje koke, pije vetëm kafe dhe cigare. Gjumë s’kisha! Më dukej vetja njeri i vogël, por vendosa thashë nuk do të iki, do ndërtoj një klinikë afër komunës, afër qendrës. Do ta bëj vetë emrin tim, ndërkohë që dyert për në Zvicër i kisha të hapura, por mendjen e kisha ndarë që nuk do ikja.

E gjeta një vend perfekt për klinikë, u martova. Gjendja ekonomike e burrit nuk ishte e mirë, por klinikën e hapa me ndihmën e familjes dhe me kredi. Betohem kam pasur ditë plot që kam qendruar pa ngrënë asgjë dhe nuk kam pasur para as për një hamburger 1 euro. Sot jam 27 vjeçe, në vendin ku jam njihem për punën e mrekullueshme dhe po mundohem të ngre karrierën time në maja, pa mendjemadhësi.

Nëse dikur isha pa asnjë qindarkë në xhep, tani në ditë mund të fitoj edhe 2000 euro, por ka ditë që nuk fitoj asgjë! Përveç kësaj, personat me probleme sociale në klinikën time nuk paguajnë, mundohem të jem shumë afër tyre. Kam vërtetuar se paraje dhe vendi me pallate të bukura nuk janë asgjë! Gjëja më e bukur është kur vijnë klientët e mi nga jashtë dhe më tregojnë se si mjekët atje habiten nga puna që kam kryer, kur sheh njerëz të veshur me lecka dhe me lot në sy që të falenderojnë me shpirt që nuk i more lekë. Asgjë në botë nuk më shkul nga vendi im, për 4 vite kam arritur të plotësoj gjysmën e ëndrrës, për 4 të tjera do jem dhe më lart! Dua të flas shqip, të shaj shqip dhe të shoh të rinj që bëjnë mrekullira në vendin e tyre!

15 Ah sa i kam menduar këto gjëra vjet kur cova çunin në Gjermani për studime.. Ndërsa laja rrugët me lot (madje dhe tani po lotoj), thosha pse dreqin po i heqim fëmijet nga vetja!  Pse u bë kaq e modës? Une jam kaq mirë ekonomikisht sa falenderoj përdite Zotin për këtë.

Pse dreqin,edhe kur jemi duke shijuar momente të bukura themi, “këtu nuk jetohet”, “ky vend plehrë”! Mirë vërtet ata që nuk kanë një jetë cilësore dhe kanë të drejtë të ankohen, po ne pse? Pse ua futëm fëmijëve në gjak të shkollohen andej? A nuk u integruam dhe ne këtu me këtë shkollë që bëmë? Po investojmë në largimin e fëmijëve dhe kjo është e dhimbshme. Tani na duket sfidë, por më vonë do ta ndjejmë ç’kemi bërë. Përfundimisht mendoj, nëse ke patur fatin të integrohesh në vendin tënd dhe të kesh një ekonomi të mirë, absolutisht jeta më e bukur është këtu. Lus Zotin qe djemtë e mi pas shkollimit andej, të arrijnë të ndërtojnë jetën këtu! (anabel)

Më 6 shtator të vitit 2018 publikova shkrimin e titulluar “Sadri Ramabaj e ka vendin në katedrat universitare e jo në burg”. Nëpërmjet këtij shkrimi u përpoqa të ndihmoj drejtësinë e Kosovës të mos bëjë gabim të turpshëm: të dënojë njerëz të pafajshëm! Madje publikisht kërkova nga avokati i Sadri Ramabajës që deklaratën timen t’ua përcjellë autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, të ngarkuar me këtë lëndë. Përkundër gatishmërisë që tregova, as avokati mbrojtës, as Gjykata Themelore e Prishtinës nuk e panë të arsyeshme të dëgjonin dëshminë time.

Dëshira për të ndihmuar drejtësinë e Kosovës që të shmang gabimin e mbështetjes në deklaratat e një personi me probleme psikike dhe të papërgjegjshëm para ligjit hasi në vesh të shurdhër. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë nxori në shesh faktin se, përkundër bindjes që Murat Jashari është një person i papërgjegjshëm përpara ligjit dhe që ka nevojë për vazhdimin e trajtimit psikiatrik, atë e mbajti prokuroria si mjet për të arsyetuar dënimin e të tjerëve. Në shumicën e vendet demokratik të shteteve perëndimore kohëzgjatjen e trajtimit psikiatrik dhe afatet e bilanceve periodike i përcaktojnë ekspertët e fushës së neuropsikiatrisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë pranoi se Murat Jashari, koka e “syrit të popullit”, është person me probleme të rënda psikike, të cilin e dënoi me 10 vjet trajtim të detyrueshëm psikiatrik, ndërkaq deklaratat e një të sëmuri psikik i mori si fakte për të vërtetuar ekzistencën e “Syrit të popullit” dhe për të dënuar persona që kanë mohuar të kenë qenë pjesëtarë të një organizate të tillë. Kurdisja e procesit nuk ka brirë!

P.S.

Ju ftoj të lexoni qëndrimin tim të publikuar në vitin 2018.

***

Vendi i Sadri Ramabajës është në katedrat universitare e jo në burg!

Bardhyl Mahmuti

Të dashur miq,

Para disa ditësh më pyeti një mik se çka mendoj për rastin e Sadri Ramabajës, që po mbahet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

I tregova se kam mendim shumë të mirë për të qoftë si intelektual, qoftë si veprimtar politik që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës.

Më ka ardhur shumë keq që ka ra në gjendje financiare jo të mirë, gjendje që e ka shtrënguar të bëje redaktimin e librit  që mban emrin të Murat Jasharit, e që nuk e di se kush ia ka shkruar.

Duke i njohur edhe Sadriun edhe Muratin qe afro tri dekada, kam bindjen e plotë se përveç redaktimit të këtij libri, Sadri Ramabajën nuk e lidhë asgjë me Murat Jasharin.

Të gjithë ata që e njohin mirë Murat Jasharin, janë të bindur se kemi të bëjmë me një person që ka probleme të rënda shëndetësore dhe se ai ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Nuk e di se si janë zhvilluar hetimet lidhur me Sadriun, por nëse ndonjë deklaratë e Muratit ka shërbyer si dëshmi, atëherë e them publikisht se është gabim shumë i rëndë dhe një gjë e tillë njollos drejtësinë e cilitdo vend që merr seriozisht deklaratat e një personi të sëmurë.

Kur flas për sëmundjen e Murat Jasharit nuk bazohem në thash e thëna. Në vitin 2012 Murati kishte ikur nga spitali dhe u takuam për një kafe. Më njoftoi për situatën shëndetësore dhe u ankua në “shokët që e kishin lënë në lloç”.  Që nga ajo kohë nuk e kam takuar, por miqtë e përbashkët më kanë njoftuar se gjendja e tij shëndetësore ka shkuar duke u përkeqësuar.

Është turp për të gjithë ata që kanë manipuluar me një ish-veprimtar, të cilit shëndeti ia ka dëmtuar aftësitë për të gjykuar drejtë. Por do të jetë turp edhe më i madh nëse nuk e ndihmojmë drejtësinë e Kosovës që të mos bëjë gabimin e rëndë të mbajë prapa grilave Sadri Ramabajën për arsye të një redaktimi të librit apo një takimi në një kafene.

Kam bindjen e plotë se Sadri Ramabaja është i pastër dhe nuk i besoj pretendimeve se gjoja ka qenë i implikuar në projekte për të eliminuar personalitete publike në Kosovë. Sadri Ramabaja është një intelektual që mospajtimet e veta i shpreh qoftë përmes mendimit të vet kritik, qoftë përmes formave tjera të pa dhunshme.

Vendi i Sadri Ramabajës është në katedrat universitare e jo në burg!

Lus të gjithë miqtë që kanë mundësi të hedhin dritë në pafajësinë e Sadriut ta bëjnë sa më parë me qëllim që drejtësia e Kosovës të mos bëjë gabim të turpshëm: të dënojë edhe një njeri të pafajshëm!

Lus mbrojtjen e Sadri Ramabajës që deklaratën timen t’ua përcjellë autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, të ngarkuar me lëndën e Sadri Ramabajës. 

Më 6 shtator 2018

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Me padinë kundër Ramush Haradinajt ditën e përkujtimit të gjenicidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Edi Rama arriti një qëllim të ulët.

Para 21 vjetësh, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, forcat e armatosura të Serbisë kryen një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit gjatë luftës në Kosovë: ekzekutuan dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave, duke filluar nga mosha 13-vjeçare (Halim Beqiri) e deri në moshën 82-vjeçare (Nazmi Imeri).

Cilësimi që i bëri këtij krimi përbindësh shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën, William Walker-i, i tërboi autoritetet në Beograd. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, ministri i atëhershëm i Informatave, Aleksandar Vuçiq, i përkëdheluri i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit dhe miku aktual i Edi Ramës, bëri publik vendimin e qeverisë serbe, që e shpallte William Walker-in “persona non grata” dhe urdhëronte largimin e tij nga Jugosllavia brenda 48 orësh. Aleksandar Vuçiqi e akuzoi William Walker-in për shpifjedhe për deklarata patetikedhe e cilësoi si gënjeshtar.

Miku i Aleksandar Vuçiqit, Edi Rama, përdor të njëjtën logjikë dhe të njëjtën terminologji, duke i cilësuar si gënjeshtarëata që nuk mendojnë si ai, apo duke i kualifikuar si deklarata patetike qëndrimet e atyre, që marrin guximin t’i përmendin gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.

Përballë mohimit të gjenocidit, që vjen nga Aleksandar Vuçiqi dhe miqtë e tij, populli shqiptar i Kosovës është duke bërë përpjekje që të pranohet botërisht fakti, se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Dikujt mund t’i duket si “qëllim i vendosur lart”, që, tani për tani, nuk mund të arrihet as në Shqipërinë e sunduar nga Edi Rama. “S’ka problem”! Ka shqiptarë që do të vazhdojmë këtë punë, derisa të ndriçohet tërësisht ky gjenocid.

Më 15 janar 2020, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, populli shqiptar i Kosovës ka pritur të shohë në Reçak edhe kryeministrin e Shqipërisë, përkundër divergjencave që mund të ketë me Ilir Metën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn apo Albin Kurtin. Mirëpo jo vetëm që nuk erdhi në Reçak dhe nuk tha as një fjalë të vetme për gjenocidin që ka kryer Serbia, por Edi Rama, në frymën e “Mini-Shengenit serb”, vuri në “qarkullim të lirë edhe në Kosovë” mallin e tij të ashtuquajtur “ligj antishpifje”, dhe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bëri padi kundër Ramush Haradinajn dhe e akuzoi për “shpifje”.

Disa orë pas arritjes së qëllimit, në faqen e tij të “Facebook”, Edi Rama publikoi fjalët e çmuara të Mikelanxhelos, artistit të madh të Rilindjes:

“S’ka problem kur e vendos qëllimin lart e s’e arrin dot, tragjike është kur arrin qëllimin e ulët”.

Askush nuk do të kishte mundur ta ilustronte më bukur tragjiken e Edi Ramës! Vërtet ka arritur një qëllim të ulët!