Bardhyl Mahmuti-Mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë!

Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!

Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atij dhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!

Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin si turpi i Amerikës”! Kur Donald Trumpi fitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”. Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.

Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.

Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”. 

Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi! Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.

Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.

Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjedi të shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, por ajo vazhdon t’i mohojë të gjitha krimet e saj.

Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqin që moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).

Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”, një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101 stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë  se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.

Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.

Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Nga Enver Robeli-Kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçic mund të ketë mbetur i kënaqur me qëndrimin e tij të sotshëm në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia hapi atij portat për të marrë pjesë në të ashtuquajturin samit i liderëve të Ballkanit perëndimor. Vuçic dukej si politikan që ia do të mirën rajonit, ndërsa Edi Rama merrej rend me rend me politikanët e Kosovës – njërin e quante gënjeshtar, tjetrin hipokrit, një tjetër të pasinqertë e kështu me radhë. Mungoi vetëm edhe ndonjë sharje me nënë.

Vuçic nuk kishte nevojë të fliste fare. Rama po grindej edhe me gazetarët shqiptarë në përpjekje për të mbrojtur një samit, i cili u mbajt pa asnjë arsye urgjente. Vuçiqi e luajti rolin e «njeriut të paqes», ndërsa mikpritësi i tij qortonte si problematikë politikanët e Kosovës. Lehtësia me të cilën u amnistua Vuçici ishte e padurueshme, por jo aq e papritur.

Politikanët me tendenca autoritare shpesh arrijnë në një pikë kur nuk dëgjojnë asnjë kritikë, sado e bazuar të jetë ajo. Edi Rama i është afruar kësaj pike. Terrenin e ka ende të hapur. Sepse opozita shqiptare pothuaj nuk ekziston. Sepse Partia Socialiste është një turmë që i bën amin liderit, pa guxuar ta kundërshtojë. Mediat? Tepër të pafuqishme për të pasur ndikim në opinionin e gjerë.

Është e paimagjinueshme që Vuçic të flasë për politikanët serbë jashtë Serbisë ashtu siç foli Edi Rama për politikanët e Kosovës. Për ndonjërin prej tyre ai mund të ketë edhe të drejtë, por konfliktet me politikanët në Kosovë kryeministri i Shqipërisë nuk duhet t’i thellojë për të mbrojtur një takim me Vuçicin. Është bukur cinike që kryetarit të Serbisë t’i jepet mundësia që Tiranën e Durrësin t’i shfrytëzojë si arenë për t’u dukur si politikan që investon në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Si aktor i paskrupullt dhe popullist i rryer Vuçici tha se qeveria e tij do të ndajë edhe mjete financiare për të përkrahur të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Në Durrës kryetari i Serbisë – falë naivitetit apo budallallëkut të qeverisë së Tiranës – tregoi fytyrën e tij «humaniste» – vetëm pak ditë pasi ishte tallur me shqiptarët e masakruar nga qeveria, ministër i së cilës ka qenë Vuçic në fund të viteve ‘90.

Këto mund t’i duken Ramës gjëra krejtësisht minore, por në të vërtetë janë zhvillime shqetësuese, sepse shpalosin mungesën e një koordinimi politik mes Tiranës dhe Prishtinës, që tashmë ka një traditë të neveritshme.

Nuk mund ta quash patetike një gazetare që kujton faktin se Serbia ka vrarë mijëra civilë shqiptarë të Kosovës dhe për këto krime nuk janë dënuar as një për qind e fajtorëve. E kaluara e përgjakshme nuk mund të shikohet si kapitull i mërzitshëm që po na e zë rrugën për t’u miqësuar me serbët dhe për të bashkëpunuar me ta.

Po, pse jo bashkëpunim në shumë fusha, por ky bashkëpunim nuk mund të bëhet duke u shtirur sikur nuk ka ndodhur asgjë. E keqja e nismës për të ashtuquajturin «mini-Schengen ballkanik» është se Serbisë i jepet shansi të prezantohet si faktor stabiliteti, ndërkohë që është shteti që e destabilizon Ballkanin qe 30 vjet – në Bosnjë përmes nacionalistëve serbë, në Kosovë përmes një partie që e ka themeluar vetë dhe përmes grupeve kriminale dhe parapolitike, në Maqedoninë e Veriut përmes agjentëve (a nuk ishte një agjent serb këmbë e krye në parlamentin maqedonas kur bandat e Nikolla Gruevskit rrahën e përgjakën politikanë maqedonas dhe shqiptarë?)

Distanca që mban Mali i Zi me Serbinë edhe në nismën e «mini-Schengenit ballkanik» ka të bëjë me rolin destruktiv të Serbisë në Mal të Zi. Në tetor 2016 një grup kriminelësh serbë (me gjasë të dirigjuar nga shërbimet ruse) u futën në Mal të Zi për të rrëzuar me dhunë pushtetin legjitimin dhe për të vrarë liderin malazez Millo Gjukanoviq. Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë konsekuente mohon identitetin malazez.

Edi Rama me gjasë beson se duke u shtirur se po angazhohet për bashkëpunim rajonal do t’ia zbusë zemrën presidentit francez Emmanuel Macron dhe bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të nisin së shpejti. Ky është një kalkulim i gabuar, sepse për aq kohë sa Shqipëria mbetet shtet i pakonsoliduar, me politikanë që më shumë polarizojnë dhe shkatërrojnë e vjedhin pothuaj çdo gjë se sa që ndërtojnë, rrugën e Tiranës drejt Europës nuk e hapin samitet e shpifura në Novi Sad, Ohër apo Durrës.

Për aq kohë sa nga Shqipëria ikin oficerë të lartë policie, sepse kanë denoncuar baronët e drogës të lidhur me politikanë socialistë dhe për aq kohë sa deputetë socialistë marrin guximin të kërcënojnë hapur denoncuesit e krimeve të regjimit komunist, për aq kohë sa shërbëtorët e diktaturës ndihen të sigurt dhe madje avancohen në funksione, Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndryshojë imazhin e saj në Europën Perëndimore.

Këtu Shqipërinë nuk e shpëton as Vuçici. As planet për lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve nga Serbia në Shqipëri dhe anasjelltas. Vuçic tha se në të ardhmen shqiptarët mund të punojnë në Serbi. Shumë mirë.

A do t’u digjen punëtoritë apo dyqanet atyre shqiptarëve që do vijnë në Serbi falë largpamësisë politike e ekonomike të Ramës dhe Vuçicit? Apo ndoshta do të goditen si shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë që kanë biznese në Serbi dhe sa herë që ka ndonjë dalldi nacionaliste, ata duhet të struken diku për të shpëtuar kokën nga grupet radikale të afërta me Vuçicin.

Në mediat sociale Edi Rama tani është tradhtari i ditës. Në kacafytjet ndërshqiptare, siç dihet, nuk ka masë. Pa i minimizuar gabimet e Ramës, sepse ato janë të mëdha, megjithatë kritikat nga Kosova në adresë të tij shpeshherë janë hipokrite.

Politikanë të Kosovës të nivelit më të lartë janë takuar me Vuçicin jo vetëm në Bruksel, por edhe në festa krejtësisht private në shumë kryeqytete të Europës. Raporti mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçicit është më i ngushtë se ai mes Ramës dhe Vuçicit.

Në vitin 2013 marrëveshja me Serbinë në parlamentin e Kosovës është miratuar nga 89 deputetë. Kosova, siç dihet, ka pranuar që shtetasit e saj nëpër Serbi të lëvizin me letërnjoftim, sepse pasaporta ia acaron nervat policit serb – për këtë kapitullim nuk mund të akuzohet Edi Rama. As për pranimin e bashkësisë së komunave serbe, të shpallur pastaj si antikushtetuese.

Nuk ka faj Edi Rama as për qeverisjen e keqe të Kosovës. Dikur ka qenë në modë afrimi me Serbinë. Vraponin njerëzit e PDK-së me kërthi në krah për të dalë në fotografi me politikanë të Serbisë. Vraponin komandantë për të takuar njerëz të Vuçicit, të cilët janë shefa të nëntokës në veri të Kosovës. Figura të cirkut politik të Kosovës takoheshin me njerëzit e Vuçicit nëpër jahte. E te cirku i jahtit janë bashkë pastaj të gjithë: Thaçi, Rama, Haradinaj e plot e përplot të tjerë.

Imer Mushkolaj– vend se të ndihet keq për gjithë çfarë ka bërë në qeverisje – kryesisht bashkë me PDK’në, LDK po sillet si fituese absolute e zgjedhjeve dhe si të mos kishte qenë asnjëherë në pushtet. Pazaret si ato me Hashim Thaçin, tash po provon t’i bëjë me Albin Kurtin. Gjithçka po kushtëzon me karrigen e presidentit. Ata që veten e quajnë institucionalistë, po sillen si tygjarë politikë.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të sillet si fituese e zgjedhjeve, pavarësisht se ka pësuar humbje. Zyrtarët e saj në paraqitjet publike vështirë pranojnë të kenë humbur dhe zakonisht thonë se janë partia e dytë, me një deputet më pak se Lëvizja Vetëvendosje. Madje shfaqen aq arrogantë në arsyetimet e tyre në raport me arritjen e koalicionit qeverisës, sa të krijohet përshtypja se janë fitues absolutë dhe se asnjëherë më parë nuk kanë qenë në pushtet.

Po të ishte parti normale dhe institucionaliste, siç ka dëshirë të vetëquhet, po të ishin zyrtarët e saj të ndërgjegjshëm, do të duhej të reflektonin dhe të paktën të merrnin përgjegjësinë për qeverisjen e partisë ndër vite.

Po të ishte parti e përgjegjshme, disave prej zyrtarëve të saj do të duhej t’iu vinte turp se në çfarë gjendje e kanë sjellë vendin duke bashkëqeverisur me PDK’në, duke e kapur shtetin sipas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit.

Po të ishte parti institucionaliste nuk do të bllokonte krijimin e institucioneve të reja, Kuvendit e Qeverisë, me kushtëzimin për karrigen e presidentit, vetëm se dikujt iu ka tekë të akomodohet në të pas Hashim Thaçit.

E kushtëzimi për presidentin nuk përmendej para zgjedhjeve, e as menjëherë pas tyre. Kandidatja e LDK’së për kryeministre dhe nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, deklaronte publikisht dhe me kompetencë para zgjedhjeve se posti i presidentit nuk do të duhej të bëhej pjesë e pazareve ndërmjet partive. Isa Mustafa, ndërkaq, pas zgjedhjeve thoshte se arritjen e marrëveshjes për koalicion nuk do ta kushtëzonte me postin e presidentit. Por gjithçka ndryshoi më pas. LDK kushtëzon krijimin e koalicionit qeveritar pikërisht me këtë post. As parimore as e ndershme – nëse ende ka parime e ndershmëri në politikë. Përvoja ndër vite ka treguar se LDK’ja nuk i ka asnjërën nga to.

* * *

Mund ta kuptoj dëshirën e Isa Mustafës dhe kujtdoqoftë tjetër për të synuar postin e presidentit. Mund të jetë edhe legjitime. Por nuk mund ta kuptoj as Mustafën dhe askënd tjetër që të bllokojë marrëveshjen e koalicionit me kushtëzimin për të marrë këtë post.

Më 6 tetor qytetarët kanë votuar për përbërjen e re të Kuvendit, që më pas zgjedh qeverinë. Ata nuk e kanë dhënë votën për president. Është e pafalshme që vendi të futet në krizë politike, për

shkak se një parti dëshiron të akomodojë në një pozitë, pas një viti e gjysmë, kryetarin ose ndonjë zyrtar tjetër të saj.

Vetëm tash pasi i ka humbur zgjedhjet, edhe pse po sillet si fituese, LDK’së i ka ardhë ndërmend se nuk paska besim të mjaftueshëm ndërmjet saj dhe Vetëvendosjes. Nëse është kështu, pse atëherë para zgjedhjeve kjo parti deklaronte se do të bënte koalicion vetëm me Vetëvedosjen. Në emër të këtij premtimi mori edhe vota. Nëse ka munguar besimi i ndërsjellë para zgjedhjeve, atëherë LDK nuk është dashur të jep premtime të tilla.

Kushtëzimet e LDK’së tash mund ta humbin edhe atë pak besim që ekziston ndërmjet dy partive. Por, nëse partitë duan zgjidhje të situatës së krijuar, ajo mund të arrihet. E rëndësishme është të krijohen Kuvendi dhe Qeveria. Mund ta arrijnë ujdi edhe për presidentin pastaj, por jo kjo çështje të bllokojë arritjen e marrëveshjes.

Por LDK, si e rryer ndër vite me pazare të tilla, dëshiron ta rezervojë ulësen e presidentit, edhe pse nuk është e sigurt se më 2021 do të mund t’i sigurojë votat për ta zgjedhur atë.

* * *

Zyrtarët e LDK’së bëhen nervozë kur ua përmend të kaluarën. Zakonisht thonë se duhet shikuar përpara. Por LDK’së duhet përmendur sa më shpesh të kaluarën, sepse është kjo parti përgjegjëse, thuajse sa PDK’ja, për situatën në të cilën gjendet vendi.

Është kjo parti që ndër vite ka fituar vota duke u viktimizuar, duke akuzuar SHIK’un për plot të zeza, edhe për vrasjen e zyrtarëve të vet, e pastaj duke e zgjedhur ish-shefin e SHIK’ut kryeparlamentar e Hashim Thaçin president.

Siç e ka bërë pazarin me Thaçin, Isa Mustafa po provon ta bëjë pazarin edhe me Kurtin. Pazar që e nxori në tavolinë atëherë kur thuajse ishte e kryer puna e koalicionit.

Për mosarritjen eventuale të marrëveshjes përgjegjësinë nuk e ka vetëm Vetëvendosja, por edhe LDK’ja e cila elektoratit të vet i ka premtuar se do të bëjë koalicion me këtë parti. Përndryshe, më parimore dhe më e ndershme do të ishte të thoshte se nëse nuk fiton, do të mbetej në opozitë. Por LDK’ja nuk i ka asnjërin nga këto virtyte. Shfaqet edhe humbëse, edhe krenare.

Bardhyl Mahmuti-Polarizimi i qëndrimeve të LVV-së dhe LDK-së lidhur me përfshirjen apo mos përfshirjen e postit të presidentit të shtetit në marrëveshjen për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 kanë krijuar një kontekst politik që është duke futur krijimin e institucioneve në një rreth vicioz nga i cili vështirë të dilet pa ndryshime rrënjësore në mënyrën e funksionimit.

Nga njëra anë, ky kontekst karakterizohet me këmbënguljen e LDK-së që në këtë marrëveshje të përfshihet dhe të përkufizohet qartë edhe çështja e presidentit dhe vendosmëria e kësaj partie të shkojë në opozitë nëse nuk realizon ambiciet e veta.

Nga ana tjetër, LVV-ja është kategorike të mos i japë LDK-së “gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër” dhe për këtë është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, sepse, përkundër mandatit që i takon të negociojë për krijimin e qeverisë, kjo parti politike përjashton kategorikisht mundësinë të krijojë qeveri me partitë e PAN-it.

Pikërisht nga tërësia e qëndrimeve të lartpërmendura është krijuar rrethi vicioz me të gjitha paradokset që e karakterizojnë. Nëse LDK-ja ose LVV-ja nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre, atëherë ky rreth vicioz do të shndërrohet në humnerë të cilës askush nuk mund t’ia sheh fundin.

Për të zhbllokuar këtë situatë LDK-ja duhet të heq dorë nga kushtet që lidhen me funksionin e presidentit ose LVV-ja të heq “vijat e kuqe” që ka vendosur ndaj PDK-së, AAK-së dhe NISMËS Socialdemokrate. Në të kundërtën, të gjitha përpjekjet janë të kota. Madje, të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme pa ndryshuar qëndrimet e lartpërmendura nuk është asgjë tjetër pos shpenzime të kota të parasë publike, të energjive njerëzore dhe tallje me popullin

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka botuar librin tim “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Botimi i këtij libri është bërë me qëllim të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të saktë.

Në këtë libër sqarohet përdorimi i gabuar i termave “shfarosje”, “zhdukje, “asgjësim”, në vend të termit “shkatërrim”; dallimi i nocionit “gjenocid” nga ai “holokaust” dhe “shoah”; përdorimi i gabuar i termit “eksod” në vend të “spastrimit etnik” dhe termave të tjerë, që janë tejet të rëndësishëm dhe ne duhet t’i përdorim saktë ata.

Të gjithë të interesuarit për këta terma, librin mund ta shkarkojnë falas në faqen e internetit të qendrës  “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com/).

Përkundër asaj se më datë 8 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, që përkufizon si krim të gjenocidit atë që shteti serb ka bërë gjatë luftës në Kosovë, kohët e fundit ka filluar të përdoret shprehja “tentim për gjenocid”, që nuk është asgjë tjetër, përveçse mohim i gjenocidit.

Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e së drejtës penale ndërkombëtare, e gjen bazën e vet në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, te termi “gjenocid” përfshihet cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente: a) vrasja e anëtarëve të grupit; b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetrin, kur krimi është bërë, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Është e vërtetë se konventa e lartpërmendur parashikon dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” [neni III, paragrafi (d) i kësaj konvente]. Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë vrasjet, dhunimet, spastrimi etnik dhe shkatërrimet nuk kanë mbetur “në tentativë”, por janë kryer nga forcat serbe.

Pa marrë parasysh divergjencat e juristëve rreth numrit të viktimave që ky krim të cilësohet si gjenocid, ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se, edhe në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”(Élémentdescrimes, Publication de la Courpénaleinternationale), që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, theksohet se kemi krim të gjenocidit kur:

1. Autori ka vrarë një apo më shumë persona.

2. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.

3. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mijëra civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Përveç vrasjeve kur kryhen me qëllim për shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të përkufizuara me konventën e lartpërmendur, cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi (b)]. I njëjti përkufizim është përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Elemente të krimeve”, thuhet:

“Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;

2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;

3. Autori i krimit kishte për qëllim ta shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar;

4. Një sjellje e tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Elemente të krimeve”).

Me një fjalë, me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, dhuna seksuale është gjenocid dhe jo “tentim për gjenocid”. Në Kosovë dhuna seksuale nuk ka mbetur vetëm si “tentim dhunimi”, por kemi të bëjmë me dhunimin e rreth 20 mijë femrave shqiptare. Përdorimi i shprehjes “tentim për gjenocid” është mohim i dhunimeve seksuale, që u bënë me qëllim të shkatërrimit të njërës nga shtyllat e familjes shqiptare.

Me Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara, “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës, por qëllim për të pushtuar më shumë territor” në funksion të shkatërrimit të hapësirës së domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe nëpërmjet këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht grupin si të tillë. Në përputhje me të gjitha të dhënat që zotëronin lidhur me agresionin serb, në rezolutën e lartpërmendur autoritetet e Kombeve të Bashkuara e cilësuan si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’”…

Dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova nuk mbeti “në tentativë”, por ishte realizimi i kësaj forme të neveritshme të gjenocidit.

Mund të vazhdoj me renditjen e argumenteve të shumta dhe të vijmë tek i njëjti pëfundim:  në Kosovë nuk ka pasur “tentim për gjenocid”, por shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye politikanët, gazetarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe kuadri pedagogjik që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e botëkuptimeve dhe të opinioneve, duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e terminologjisë së saktë dhe të shmangin përdorimin e gabuara të terminologjisë që mohon gjenocidin në Kosovë.

Nga Agim Jazaj – Qytetarët shqiptarë, sidomos ata të Durrësit, Thumanës, Fushë Krujës, Tiranës, Laçit rezultojnë me bilancin më katastrofik, humbjet më të mëdha të jetëve njerëzore, shkatërrimit të pallateve, banesave, shkollave, etj, nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Fatkeqësia natyrore e përballur me papërgjegjshmërinë shtetërore”, e thotë dhe e ndjen çdokush…

Deficenca qytetare, shkon në sinkron me moseficencën qeveritare.

Qytetarët e krisur, të marrë, shkojnë e ndërtojnë me leje nga xhepi edhe buzë detit… Shteti u ka berë dhe u bën sehir, ditën për diell. I nxit, u premton, dhe i legalizon!

Qytetari pa mend në kokë, blen shtëpi, në pallatet shumëkatëshe, pa hipotekë.

Dhe kur i ka hedhur vetes litarin në qafë, ulërin e sokëllin:  Ku je o shtet?

Të marrët thyejnë këmbët e pallateve dhe hanë kokat e tyre të parët, poshtë tyre nga tërmeti.

E gjithë kjo marrëzi përballë institucioneve, të shtet-rrumpallës, të shtrira vertikalisht dhe horizontalisht: heshtin, qeshin e përqeshin…

Dhe kur qytetarët i ankimojnë këto krime sheshit, ditën me diell, të dokumentuara edhe te PORDHALI i Bashkëqeverisjes, deri dhe te Timonieri – ndeshen me Bashkëvithisjen Qeveritare…

Pra nëse nuk shemben si deri më tani, së pari: Muret e Trurit, nuk mund të shemben kurrsesi Muret e Gurit, të lidhura, madje me ato të oshkurit!

Përgjatë tri dekadave në vendin tonë, është instaluar sistematikisht, sistemi informal, nga politika informale, e zbatuar; duke përzgjedhur, zgjedhur e graduar; njerëz informal të certifikuar, në gjithë fushat e nivelet e administratës publike…

Në administratë u futën “derri dhe dosa“, me mend e pa mend, njerëz pa emër, të panjohur as brenda mëhallës…

Në Greqi më thotë miku im Lorenci, i cili ka punuar disa vjet atje, i zgjedhur edhe sindikalist: Ministri i Punës nuk mund të zgjidhej nëse nuk do të kishte qenë për dy legjislatura sindikalist.

Pra, të njihte punën, të ishte i rrahur me punën, të kishte kallo në duar.

Dhe krahaso ministrat dhe ministreshat e qeverisë sonë, aguridhe axhamij, nuk kanë punuar asnjë ditë: Pa ngrënë asnjë lugë supë, direkt e në thela.

Vërtetë mban përgjegjësi çdokush: për vete, veprimet e mos veprime, por (“prijësi“) që duhet të zgjidhet dhe të zgjedh nga turma e më të mirëve,  “epruveta“  ka rezultuar, duke përzgjedhur jo pak, monstra, rasate që kanë dëmtuar e shëmtuar keqas, deri racën shqiptare, institucionet dhe shoqërinë…

Bilanci rezulton-drithërues në tabelat e publikuara, sidomos të “Rilindjes“: Të zgjedhurit me këto modele; të korruptuar, kompromentuar dhe të kriminalizuar, sepse me të tillë rezulton të jetë e mbushur stalla, me rasat zullumqar, mëkatar, hileqar dhe haleqar.

Kjo shfaqje pas tërmetit ngjan si me shoferin e kapërdisur të atij llafit të moçëm: me hundën në qiell e b…në diell.

Me timonin dhe tepsinë mbi mjetin gërmadhë, kabinën e shqyer, gomat në shesh, motorin rrengallë, karburantin këllirë.

Madje duke mos nxënë mend edhe pse ka thyer disa herë turinjtë.

Mos i fol shoferit – të thonë. Shoferin e kalibrit dikur e çmonim nga mjeti si e mbanin dhe si drejtonin.

Ata nuk hipnin në kabinë të kapardiseshin në timon, pa e kontrolluar gjithë mjetin, e sidomos autobusin; qysh nga kabina, gomat, motorin, shasinë. I vinin rreth e qark. E kontrollonin për karburant, vaj e valvolinë. Nuk tundeshin në majë timonit, pa futur, kontrolluar e marrë OK nga kolaudatori.

Dhe shoferë të tillë i përmendim ne vlonjatët edhe sot: nuk bënë asnjë aksident, i mbanin mjetet xham.

Udhëtarët nuk kishin aspak frikë nga “tërmeti“, edhe kur udhëtonin në rrugë shumë të vështira, të kalldrëmta, nëpër kthesat e Salarisë, për në Tepelenë, Gjirokastër e deri për në Selanik etj, me: Esat Abazaj, Bego Sinanaj, Vjero Vjeron, Avdul Binaj, Nikolla Odisea, Hajdar Muka, Duro Çarçanaj, Yzedin Ymeraj, Jani Koculi, Selamet Labaj, Skëndër Bodo, Bujar Isaraj, Thanas Lika.

Tërmeti nuk lajmëron, por paralajmëron.

Masat merren, sikur do të bjerë, edhe në mos rentë.

Quhen “autoritete përgjegjëse”, dmth me autoritet dhe përgjegjësi duhet të kontrollojnë, të ekzaminojnë gjithë hartën Shqipëri!

Të vihet gishti në plagën e hapur, për pallatet e ngritura mbi mëkatet.

Të parandalojnë tërmetin e paralajmëruar!…

Kur u kërkojmë të marrin masa për të përballuar tërmetin, zjarret, përmbytjet e të tjera katastrofa natyrore, u kërkojmë të bëjn= punën për të cilën i paguajmë, nuk hapim panik!

Tërmetin e dërgon Zoti, po masat i merr i Zoti!

Nga Bardhyl Mahmuti-Këmbëngulja e Isa Mustafës që të sigurojë funksionin e presidentit, përkundër gjendjes së tij shëndetësore, nuk mund të interpretohet ndryshe pos si përpjekje e fundit që shtetin e kapur të Kosovës ta vendosin në karrocën e invalidit. Nëse kuadri i ri i LDK-së, që ka marrë mandatin për të përfaqësuar elektoratin e vet, apo LVV-ja i nënshtrohen tekeve të një njeriu të sëmurë, atëherë shtetësisë së Kosovës i mungon vetëm arkivoli.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me kryetar Bardhyl Mahmutin, përmes një deklarate për media ka thënë se propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019.

Në këtë deklaratë të kësaj qendre, është theksuar se krimi i gjenocidit që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë̈, që synon mohimin e vërtetësisë së saj.

“Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si ‘trillim i sajuar nga William Walkeri’. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walkerin ‘persona nongrata’ dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova”, thuhet në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë.

“Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, thuhet në këtë deklaratë.

Deklarata e plotë:

Duke u nisur nga fakti, se gjenocidi është krimi më i rëndë që njeh njerëzimi dhe që është i ndëshkueshëm sipas të drejtës penale ndërkombëtare, Serbia si shtet ka ngritur një sistem të tërë veprimtarish, në funksion të shkatërrimit të vërtetësisë së gjenocidit që kreu gjatë luftës në Kosovë. Përpjekja për të humbur dhe shkatërruar gjurmët e krimeve ka qenë dhe mbetet strategji e vazhdueshme e Serbisë, me qëllim mohimin e gjenocidit. Gjatë luftës në Kosovë këtë funksion e ka orkestruar Ministria e Informatave e Qeverisë së Serbisë, me në krye me Aleksandar Vuçiqin, ndërsa pas përfundimit të saj, për këtë qëllim janë angazhuar ministri të shumta dhe sektorë të veçantë të shtetit serb, të cilin e drejton po i njëjti person: Aleksandar Vuçiq.

Propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019. Nga rezoluta e lartpërmendur do të veçojmë vetëm faktin, se “Kuvendi i Kosovës kërkoi që 15 janari të shpallet “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, për arsye se në këtë datë, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, forcat serbe kanë kryer një nga krimet më të shëmtuara gjenocidare që kishte ndodhur deri në atë kohë, që revoltuan komunitetin ndërkombëtar dhe e mobilizuan, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, krimi i gjenocidit, që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë, që synon mohimin e vërtetësisë së saj. Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si “trillim i sajuar nga William Walker-i”. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walker-in “persona nongrata” dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova.

Tani që po mbushen 21 vjet nga krimi i gjenocidit në Reçak, shteti serb dhe presidenti i saj dëshirojnë ta mbulojnë të vërtetën për Reçakun me propagandë, duke menduar se pluhuri i kohës mund të ketë mbuluar edhe të vërtetën për këtë krim të planifikuar e të zbatuar nga shteti serb. Arsenali propagandistik i shtetit serb duke u përpjekur ta shkatërrojë të vërtetën, ka sajuar gënjeshtrën se gjoja të vrarët paskëshin qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se gjoja pas përfundimit të betejës, trupave të tyre u janë hequr uniformat dhe u janë veshur GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR 1200 Genève E-Mail: info@kosovogenocide.com Online: www.kosovogenocide.com – 2 – rroba civile. Se kjo është një gënjeshtër dhe një fyerje e rëndë ndaj viktimave, këtë e dëshmojnë edhe ekspertët mjeko-ligjorë finlandezë, që ishin ngarkuar nga Bashkimi Europian për të bërë një ekspertizë të pavarur. Sa për ilustrim për ata që nuk kanë pasur mundësi të informohen hollësisht rreth rezultateve të analizave të kësaj ekspertize, do të citojmë deklaratën e udhëheqëses së këtij ekipi mjeko-ligjor, Helena Ranta: “Me autopsinë e trupave, me gëzhojat që u gjetën në vendin e krimit, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, çështja e Reçakut është tema e shoshitur më së miri në historinë e Gjykatës së Hagës (…). Të vdekurit bartnin veshje civile, shtatë-tetë shtresa njëra mbi tjetrën, sepse ishte dimër. Autopsia vërtetoi se ata ishin vrarë me këto tesha. Gjatë hulumtimeve u gjetën plumba në gropën e përroit, nën sipërfaqen e dheut, aty ku u gjetën viktimat. Kategorikisht, përjashtohet mundësia që 23 njerëzit e gjetur në përrua të jenë vrarë në ndonjë vend tjetër. Nuk janë vendosur më vonë në këtë përrua dhe nuk ka pasur asnjë inskenim. Civilët shqiptarë janë vrarë nga afër dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse ishin vrarë nga distanca një apo dy metra. Sido që të jetë, ata nuk janë vrarë në betejë”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë. Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Gjenevë, 8 dhjetor 2019
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Kryetari Bardhyl Mahmuti

Nga Rexhep Qosja.

1.

Jemi të tronditur.

Të gjithë.

Jemi të tronditur, me shpirt e me mendje.

Të gjithë.

Të tronditur në këto ditë para e gjatë Ditës së madhe në historinë tonë- Ditës së Flamurit kombëtar e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Të gjithë.

Të tronditur për shkak të gjithë atyre viktimave, të gjithë atyre të plagosurve, të gjithë atyre traumave që nuk kalojnë lehtë e shpejtë, për shkak të gjithë atyre dëmeve të mëdha lëndore, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë.

Tronditja e shkaktuar kësaj here prej tërmetit të 26 nëntorit është tronditje që zgjat shumë. Dhe, zgjat shumë për shkak se pushton ndjenjat, pushton shpirtin, pushton ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë përgjegjshëm.

Kjo është tronditje në të cilën përmblidhen ndjenja e mendime për historinë, për bashkëkohësinë dhe për ardhmërinë tonë, por edhe për historinë, bashkëkohësinë, ardhmërinë në përgjithësi. Kjo tronditje na nxit të vetëpyetemi:

A kemi mësuar krejt çka duhej prej historisë?

A e kemi vështruar dhe kuptuar sa e si duhet bashkëkohësinë?

A kemi menduar largpashëm për ardhmërinë?

2.
Në këtë gjendje tronditjesh mund të jesh i pushtuar edhe prej mendimesh kundër natyrës dhe me mendime të tilla t’i drejtohesh asaj:

Natyrë! Natyrë! Natyrë e mrekullueshme në këtë planet që i thonë Tokë, Tokë me bukuri të jashtëzakonshme që nuk mund të merren me mend në asnjë planet a trup tjetër qiellor. Na e ke bërë të mundshme jetën në hapësirat tua tokësore, ujore e ajrore. Pse kohë pas kohe po na e helmon jetën edhe me tragjedi, me tronditje, me pikëllime.

Përpos prej njerëzve, popujve, shteteve, fatkeqësitë, tronditjet po na vijnë edhe prej teje, Natyrë?!

Dhe po na vijnë me padrejtësi.

Hajde e mos e shpreh këtë mendim që nuk mund të mos thuhet këto ditë zie, kur i sheh arkivolet e tragjedisë dhe të pamëshirës natyrore!

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet dhe i dëgjon fjalët e medieve për tragjeditë që u mbyllën në ato arkivole:

Për tragjeditë e familjes Lala, të cilën e përbënte edhe Nëna me katër fëmijët, mes të cilëve binjakët dyvjeçarë, ndoshta ende duke u mëkuar nga qumështi i nënës.

Asnjë fjalë, asnjë figurë, asnjë mendim, asnjë pamje nuk është e mjaftueshme për të përshkruar, për të paraqitur gjithë tronditjen që na shkaktoi pamëshira tragjike me të cilën natyra e dënoi këtë nënë me katër fëmijët e saj, me binjakët e saj! Dhe të tjerët bashkëviktima me ta.

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet në të cilat u mbyllën tragjeditë e anëtarëve të familjeve Cara, Ndreu, Gregu, Vata, Reçi, Meçja. E të tjera, tragjeditë e të cilave na e copëtojnë zemrën.

Hajde mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet e dy vëllezërve kosovarë, Abazi, të valltares, të piktores, të studentes që donte të studionte arkitekturën e bëhej mjeke, të të rinjve të tjerë e të rejave të tjera që nuk pritën të provojnë të mirat e gëzimet që sjell pjekuria!

Por, hajde e mos e thuaj edhe një mendim tjetër që kë krejt nuk do e ngre kundër shqiptuesit të këtij mendimi: tronditjes që na ka pushtuar i kanë kontribuar disa njerëz, disa nga ata njerëz të zgjedhur gjatë 30 vjetëve tona për të krijuar institucionet e për të ngritur ekspertët që do të merreshin me të priturat e me të papriturat që mund të na sillte kur natyra e pamëshirshme e kur njëmendësia e keqkuptuar.

Dhe, këta njerëz i quajmë politikanë e shtetarë!

3.
Në këto ditë tronditjesh unë nuk mund të mos mendoj edhe për ato që kam parë e kam dëgjuar qe tridhjetë vjet në jetën partiake, politike, shtetërore shqiptare. E ato që dëgjoja dhe ato që shihja gjatë njëzet e katër orëve të ditës e të natës ishin e janë mosmarrëveshjet, zënkat, konfliktet, mosdurimet, urrejtjet e ndërsjella të forcave politike, në radhë të parë të prijësve politikë dhe të argatëve të tyre.

Deri në ditën e tërmetit tragjik nuk gjendej arsye, nuk gjendej mjet, nuk gjendej qëllim kombëtar, shoqëror, shtetëror a moral, më në fund njerëzor, që prijësit partiakë e shtetërorë të këtyre tridhjetë vjetëve do t’i bënte e do t’i detyronte , më në fund, të merreshin vesh. Jo.

E mosmarrëveshjet e tyre, mosdurimet e tyre, zënkat e tyre, konfliktet e tyre, privilegjet e tyre dhe lukset e tyre janë ndër arsyet e degdisjes së gati dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në Botë gjatë10-15 vjetëve të fundit!

Tani, përnjëherë, pas tërmetit, pas fatkeqësisë natyrore, u pajtuan: gjetën atë që as këta e as ata paraardhësit e tyre nuk e gjenin kurrsesi më parë: u pajtuan!

Dhe, ai, kryetari partiak që qe sa vjet në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në Evropë e në SHBA flet vetëm për më të këqijat, më të ulëtat, më të poshtrat, më të zezat, më të krimshmet e Shqipërisë në politikën e atyre ndaj të cilëve është në opozitë, përnjëherë tha: me gjithë ndasitë që kemi, në nevojë jemi një komb! Por, Por!

Mendja e tij na mësoi se vetëm në nevojë, e jo edhe në tragjedi, vetëm në nevojë e jo edhe në gëzime, në nevojë e jo edhe në varfëri, jemi komb, jemi një komb!

Dhe kjo fjali megjithatë shumë shpejt u botua në rrjetet sociale të kundërshtarit politik – të të sulmuarit pa pushim shumëvjeçar!

Dhe, kështu u pajtuan! I pajtoi tragjedia e të varfërve! I pajtoi tragjedia e të shpërfillurve. I pajtoi tragjedia e të konsideruarve të tepërt! Por u pajtuan rrejshëm.

Mund të them siç po them se pikërisht tani kur këta rreshta po i qes në shkrimin tim po dëgjoj sulmet e dy Sulmuesve të pandalshëm ndaj të Sulmuarit të gjithnjëshëm – kryeministrit Edi Rama! Dhe, po i shoh Sulmuesit duke u sjellë ndaj pasojave tragjike të tërmetit si qeveri e dytë e Shqipërisë, që e shpërfill, s’e pranon Qeverinë që zgjodhi populli! Dhe, Shqipëria e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës e Ismail Qemalit na bëhet Shqipëri me dy qeveri të papajtueshmë në ditët paskajshëm pikëlluese, tronditëse në historinë e saj!

4.
Dua të shpresoj, dua të besoj se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 populli shqiptar do të jetë forcë politike me sy, me të cilët do të shohë më qartë se deri tash, forcë politike që e sheh qartë, që e kupton qartë gjendjen e vet, që e mendon qartë ardhmërinë e pasardhësve të vet, që mendon jo vetëm për premtimet e të priturat, si deri tani, por edhe për të papriturat natyrore, politike, shtetërore.

Njëmendësia aq e pritur, aq e ëndërruar, aq e dëshiruar na ka sjellë edhe shumë të papritura e shumë dëshpërime gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. NA e solli edhe “qeverinë” e dytë në ditët më dhembjesjellëse!

Por, nuk jam pesimist.

Pesimist nuk mund të më bëjnë ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u qëndisur me miliona duke shfrytëzuar postet politike, ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u stolisur me vila në Gjirin e Lalzit e përgjatë bregdetit, në Brezovicë e Prevallë. Dhe jo vetëm. Jo. Kurrë.

Pas tronditjes sado e gjatë qoftë, që solli tërmeti, fatkeqësia, megjithatë, do të bëhet nxitje për forcim, për ngritje shpirtërore, etike, shoqërore, kombëtare, shtetërore.

Populli shqiptar, përpos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion, kurrë, në asnjë epokë a periudhë historike, nuk ishte pa figura historike si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Jeronim De Rama, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, që politikën e përdorën jo duke u pasuruar prej saj po duke u flijuar për Shqipërinë e për shqiptarët.

Durrësi, më i dëmtuari në tërmetin e 26 nëntorit, do ta marrë veten. Shumë tërmete ka përjetuar Durrësi: më 177 para erës sonë, më 334, 506, 1273, 1869, 1870, 1926, 1979… dhe shpejt e ka marrë veten. Ishte qytet i dëshiruar edhe prej të huajve, prej miqve dhe prej pushtuesve. Takimet me popuj të tjerë e kanë pasuruar kulturën e tij e qytetërimin e tij dhe e kanë shtuar lavdinë e tij historike e kombëtare. Fatkeqësinë e fundit natyrore, si edhe herët e tjera, Durrësi do ta përballojë, do ta mundë me dhuntinë e tij të madhe jetëkrijuese, gjallëruese ndërtimore e gjithëkombëtare.

Në sajë të dhuntive të Durrësit, në sajë të solidarësisë që treguan bashkatdhetarët kudo që janë sot e, sidomos, Kosova, shqiptarët e goditur prej tërmetit do të kenë gatishmëri e do të dinë të zbatojnë mësimet e rilindësve të mëdhenj të cilët me gjithë sakrificat e pamatshme e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqiptarin: më të fortë, më të ngritur e më të zhvilluar në të gjitha pikëpamjet.

Fatkeqësia e 26 nëntorit do të përfundojë me fuqizim të përgjithshëm të shqiptarëve: të mundësive ndërtuese e krijuese.

E kuptueshme. Nuk është thënë pa dëshmi shumëshekullore se dhembjet e vuajtjet i bashkojnë njerëzit më shumë se gëzimet.

E tani për tani më e rëndësishmja është: të jemi – të gjithë me Durrësin, me Tiranën, me Thumanën e të gjitha qytetet, qytezat, fshatrat që i dëmtoi tërmeti, të jemi me ta me çka kemi, me çka mundemi e me çka dimë. Se ashtu do të jemi me shtetin amë, Shqipërinë, me Kosovën, me gjithë bashkëkombëtarët kudo ndodhen ata.

Prishtinë 26-29 nëntor 2019

Nga Bedri Islami-Ky është urdhri më i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj mediave.

Duke iu rikthyer një armiku të vjetër, shefi i qeverisë, si duket, i lodhur nga gjithë ajo mori punësh që synon t’i përballojë fillikat, bën thirrjen më të habitshme për një njeri që median e ka përdorur dhe e përdor gjithë ditën e gjithë natën për dëshirën e tij.

Rama e ka gjetur armikun e tij tek media, megjithëse disa nga pronarët më të fuqishëm të tyre janë miqtë e tij të tavolinave, me të cilët ndan jo vetëm hallet e qeverisë.

Por, nëse deri tani ka synuar t’i nëpërkëmbë gazetarët përmes rrumpallës fjalomane, duke i cilësuar kazan, apo kadri, tashmë kërcënimi ka arritur në një stad më të lartë, thuajse më të lartin e mundshëm: të qepin gojën.

E bën këtë në një kohë të pazakontë, ku faji nuk është vetëm i tërmetit, por edhe i shtetit.

Edhe i atyre që nuk u ndëshkuan kurrë për shembjen e themeleve shtetërore, edhe të këtyre që vijuan shembjen dhe qeverisin tani,

Media nuk është pronë qeveritare e aq më pak pronë e shefit të qeverisë.

Ky mund ta blejë, siç ka bërë, shumicën dërmuese të saj, por nuk ka asnjë të drejtë të sillet si po sillet me gazetarët.

Pronarët e mediave sot janë ndër ndërtuesit më të përhapur, e, megjithëse kjo nuk ka asgjë të paligjshme, përsëri, vetë ajo që po ndodh me godinat e goditura nga tërmeti, ka të bëjë edhe me to.

Bashkim Ulaj është pronar mediesh, por mbi të gjitha ndërtues.

Është i njëjti që, përmes një adoleshenti sportelist synoi të marrë tinëzisht një tender të rëndësishëm në Unazën e Madhe dhe që po ashtu po bëhet gati të kapë një ndërtim autostrade, ku, nga të gjitha raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, abuzimi është i hapur!

Por Bashkim Ulaj është mik i afërt i shefit të qeverisë, po aq sa ishte mik i ish shefit të qeverisë dhe familjes kryeministrore Berisha.

Vetëm ndërhyrja e një shefi të fuqishëm mund të mbyllë dy afera të mëdha, pas së cilave, me një spekulim spektakolar, sipas “Zërit të Amerikës, ishte pikërisht zoti Ulaj.

Tani Ulaj duhet të qepë gojën. Si kanë ndodhur gjërat ai duhet të ketë mbyllur shumë gojë!

Aleksandër Frangaj është pronari më i madh i mediave shqiptare, por edhe ndërtues.

Mendohet se pas firmës që fitoi tenderin e habitshëm dhe “mbresëlënës” për nga çmimi, është pikërisht një njeri i lidhur me të.

Me zotin Frangaj, jo një natë po, një jo, shefi i qeverisë takohet rregullisht.

Të qepë gojën Frangaj? Atëherë cilat media do i bëjnë jehonë vizitave të tij?

Dulaku është pronar medial dhe ndërtues. Ndoshta më i larguari nga tutela qeveritare, por gjithsesi është i varur prej tyre. Sepse qeveria jep tenderë, jep sheshe ndërtimi, jep lejet, të hapë rrugën ose ta mbyllë atë.

Ta qepë gojën Dulaku dhe të heshtë Vizion Plus edhe kur shefi i qeverisë bën sikur është zot i këtij vendi?

Thuaj të gjithë pronarët medialë janë ndërtues, disa prej të cilëve edhe miq të Edi Ramës.

Një gazetar i zakonshëm, në terren ose jo, që jeton me pagat e ulëta, të cilat ose nuk i paguhen në kohë ose i shkurtohen sipas qejfit të pronarit, nuk përbën më lajm.

Për tutelën ndaj tyre nuk ka folur asnjëherë shefi i qeverisë dhe as qeveritarët afër tij.

Ata e dinë se një gazetar, sado i zoti të jetë, nuk e bën dot vijën editoriale të një media, vizive apo në print.

Atë e bëjnë shefat dhe vetëm shefat.

Ata nuk i bën dot Edi Rama të qepin gojën.

Ata, kur t’u interesojë, do e bëjnë Ramën të qepë gojën.

Sepse aleanca mes tyre është më e fuqishme se autoriteti në rënie i një shefi qeverie.

Është e vërtetë se media të ndryshme, në këto ditë të jashtëzakonshme, e kanë tepruar duke luajtur me panikun, duke kërkuar të shëmtuarën, duke marrë pozën e një të gjithëdituri, duke u futur në kanalet e lajmit të zi, po pa e sjellë të bukurën, që, edhe në këtë mizori, ka ndodhur.

Është e vërtetë se media të ndryshme ndjellin të keqen, por askush nuk i detyron ata të qepin gojën.

As edhe një urdhër kryeministror.

Qeveria i bën ata të qepin gojën, nëse sjell transparencë, e jo nëse fton në mbledhje qeveritare, në njërin kreh personifikimin e një djali të ndershëm dhe në krahun tjetër një spekulator të dhimbjes që bëhet pronar spitalesh.

Qeveria mbyll gojën e medias nëse ajo hap të gjitha sekretet e mbledhjeve, të gjithë enigmat dhe vendos në krye të punëve njerëz të panjollosur në të shkuarën dhe, në këtë qeveri, ka plot të tillë, që nga rangjet e larta dhe deri tek zyrtarë të nivelit të mesëm.

Shumë vetë do të ishin më të lehtësuar nëse shefi i qeverisë e shpërndan përgjegjësinë dhe punët nëse ai sjell frymë përbashkuese dhe jo arrogancë meskine; nëse ai u hap rrugë vartësve të tij dhe jo t’i verë ata në pozitën e të nënshtruarit.

Përse mediat duhet të qepin gojën?

Të mos dëshmojnë se, nesër, një ditë të ardhshme, jo shumë të largët, mund të ketë abuzime? Duhet të jesh naiv të besosh se këto qeveritarë, shumë nga të cilët janë pjesë e skandaleve, do të dalin me duar të pastra nga gjithë ajo që do të ndodhë!

Duhet të jesh naiv të besosh se komitetet shtetërorë, qofshin kombëtare a jo, do të përbëhen vetëm nga njerëz të ndershëm dhe personalitete të shquara!

Media është aleati më i madh i një qeverie të ndershme dhe armikja e shpallur e një qeverie korruptive.

Përgjithësisht është pushteti i katërt, por, kur, në këtë vend njihet vetëm një pushtet, ai kryeministror, media është fuqia e dytë, që, sa është mbështetëse, është edhe kontrolluese.

Media nuk mund të qepë gojën.

Janë të tjerë ata që duhet të heshtin dhe të punojnë ndryshe!