Xhelal Zejneli

Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të gadishullit ilirik. Janë bijë të ilirëve, ndërsa shqipja – bijë e ilirishtes. Shqipja është ndër gjuhët më të vjetra të gadishullit.

Prej shekullit V deri në shekullin III para erës sonë, ilirët ngritën shtetet e tyre përgjatë Adriatikut, derisa ranë pre e pushtimit romak. Ndër udhëheqësit ilirë përmenden mbreti ilir Agroni (shekulli III para erës sonë), i cili sundoi në vitet 250-231 para erës sonë dhe mbretëresha Teuta e cila sundoi në vitet 230-228 para erës sonë, e që mbretëroi në Lezhë (Lissus). Teuta u vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të shoqit Agronit, birit të mbretit ilir Pleuratit. Romakët e pushtuan mbretërinë e Ilirisë nga vitet 230 deri në 168 para erës sonë. Në vitin 168 para erës sonë, me humbjen e Gentit, mbretit të fundit ilir të Shkodrës, i cili sundoi në vitet 181-168 para erës sonë, Iliria ra nën sundimin romak. Shqiptarët, ndonëse ranë nën ndikimin e fortë kulturor dhe gjuhësor të latinishtes, nuk u romanizuan.

Pas ndarjes së përfundimtare të Perandorisë Romake në vitin 395 të erës sonë, në Perandori Lindore dhe në Perandori Perëndimore, Iliria hyri në sferën politike e kulturore të Perandorisë Bizantine Lindore. Në shekujt e mëvonshëm, Shqipëria u pushtua prej fiseve shëtitëse: në vitin 459 prej ostrogotëve, në vitin 467 prej vandalëve, si dhe prej avarëve, bullgarëve dhe sllavëve.

Depërtimet e para sllave në Ballkan ndodhën në vitet 548 dhe 586 të erës së re. Përkundër shtrirjes së tyre në gadishull, shqiptarët do t’ia dalin t’i bëjnë ballë, si ndikimit të kulturës bizantine, ashtu edhe ndikimit sllav.

Nga mesi i shekullit XI normanët kapërcyen Adriatikun për të pushtuar Durrësin dhe Shqipërinë qendrore.

Në shekullin XV pason pushtimi turk i Shqipërisë. Sundimi turk mbi shqiptarët zgjati pesë shekuj. Megjithëkëtë, shqiptarët ia dolën ta ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre.

Sikundër shihet, me qëndresën për jetë o vdekje, me vitalitetin e racës dhe me luftërat e pandërprera, arritën të mbrohen nga romanizimi, nga greqizimi bizantin, nga sllavizimi dhe nga turqizimi.

* * *

Shqiptarët në tekstet latine – Shqiptarët janë popull evropian. Për ekzistencën e gjuhës shqipe për herë të parë flitet në fillim të shekullit XIV. Midis viteve 1285-1332 janë katër përmendje të padyshimta. Në vitin 1285 gjuha shqipe përmendet në Raguzë (Dubrovnik). Me rastin e një hetuesie, një dëshmitar deklaron: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe).

Në një tekst latin të vitit 1308 që është quajtur Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore) hasim në një përshkrim edhe për vendet e Ballkanit. Teksti përmban një pjesë edhe për Shqipërinë ku përmendet edhe gjuha shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë).

Në vitin 1322, dy pelegrinë anglo-irlandezë udhëtonin për në Tokën e Shenjtë. Duke lundruar përgjatë bregdetit të Adriatikut, njëri prej tyre shënon: “Albanya est provincia inter Sclavonium et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë dhe Romanisë / Bizantit, me një gjuhë të vetën). Japin shënime edhe për Durrësin.

Në vitin 1332 murgu dominikan frëng Brokard (Frère Brochard ose Brocardus monacus) në një vepër latinisht të titulluar “Directorium ad passagium faciendum” shënon: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).

* * *

Shqiptarët në periudhën e Rilindjes evropiane – humanistët shqiptarë – Në fillim të shekullit XV, shqiptarët e dhanë ndihmesën e tyre letërsisë dhe kulturës perëndimore. Afërsia me Italinë, djepin e qytetërimit evropian, dha mundësi që shumë shqiptarë të përfitonin nga kultura humaniste e Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të.

Kësaj periudhe i përkasin humanistët shqiptarë, si: Gjon Gazuli (1400-1465) i cili studioi në Padovë dhe jetoi në Raguzë (Dubrovnik) ku dha mësime filozofie, matematike dhe astronomie.

Historiani Marin Barleti (rreth 1450-1512), i lindur në Shkodër. Përjetoi rrethimin e dytë të qytetit nga turqit më 1478. Me rënien e Shkodrës, u vendos në Venedik, më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane. Dokumentoi historinë e Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Vepra e tij, e shkruar në latinisht “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë, rreth 1508-1510

Punën e vet, Barleti ia dedikoi nipit të Gjergj Kastriotit, Don Ferrante Kastriotit dhe pasardhësve të tij.

Poeti i vargjeve katuliane të dashurisë, Mikel Maruli (1453-1500) lindi në një familje shqiptare me prejardhje nga Morea. Në Raguzë ku ishte vendosur familja e tij, ndjeu ndikim e qytetërimit të Rilindjes italiane. Dijetari latin me prejardhje arvanitase Maksim Greku (1480-1556) lindi në Artë, një qytet në Epir i populluar nga shqiptarë. Studioi në Ferrarë, Firence dhe Padovë latinishten, greqishten, filozofinë dhe teologjinë. Marin Beçikemi (1468-1526) është nga Shkodra. Qe mësues në Raguzë dhe në Breshia, më pas profesor i retorikës në Universitetin e Padovës.

Shkrimtarët, mendimtarët dhe dijetarët shqiptarë të sipërthënë u formuan në frymën e qytetërimit perëndimor.

* * *

Qëndresa antiosmane e shqiptarëve në epokën e Gjergj Kastriotit – Për të mbrojtur lirinë e vet, shqiptarët ndër shekuj u përleshën me stuhi luftërash. Në shekullin XV, të udhëhequr nga prijësi i madh Gjergj Kastrioti (1405-1468), shqiptarët luftuan kundër ushtrive të Perandorisë Osmane. Prijësi shqiptar zmbrapsi me sukses sulmet osmane, përfshi edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët, Muradi II (1404-1451) më 1450 dhe Mehmeti II (1432-1481) më 1466 dhe 1467. Për qëndresën ndaj turqve, ai gëzoi adhurimin e Evropës dhe nga papa Kalisti III (sundoi në vitet 1455-1458), iu dha titulli ‘Atleta Christi’. Qëndresa shqiptare u mposht vetëm pas vdekjes së Gjergjit më 17 janar 1468 në Lezhë. Nën pushtimin turk ranë: më 1478 Kruja, më 1479 Shkodra dhe më 1501 Durrësi. Pasojnë katër shekuj të kolonizimit turk të Shqipërisë. Gjatë sundimit turk, relacionet midis shqiptarëve dhe qytetërimit perëndimor – u shkëputën. Synimi i shqiptarëve për të lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian, u ndërpre. Por, kujtesa historike e shqiptarëve, nuk u shua kurrë. Bëmat e trimave luftëtarë u kënduan me lahutë. Gjuha shqipe u ruajt në gjirin e nënëlokes.

Gjergj Kastrioti në veprat e autorëve e huaj – Qëndresa 25-vjeçare e shqiptarëve në këtë periudhë, jehuan në mbarë Evropën. Shqiptarët dhe prijësi i tyre, në kryeqendrat perëndimore u cilësuan si mbrojtës të vlerave të qytetërimit evropian. Qysh në atë kohë, për Gjergj Kastriotin, në qarqet evropiane u shkruan vepra historike, letrare artistike, muzikore. Autorë të veprave ishin dijetarët eminentë të asaj kohe.

Në shekujt XVI dhe XVII vepra e Barletit “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit” u lexua me të madhe. U përkthye në një varg versionesh edhe në gjuhë të huaja: në vitin 1533 në gjermanisht nga Johan Pincianus; në vitin 1554, 1560 në italisht nga Pietro Rocca; në vitin 1567 në portugalisht nga Francisco D’Andrade; në vitin 1569 në polonisht nga Ciprian Bazylik; në vitin 1576 në frëngjisht nga Jaques De Lavardin, fisnik i Plessis du-Bourrot – “Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d’Albanie” dhe në vitin 1582 në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde. Versioni në anglisht ishte një përkthim prej frëngjishtes nga De Lavardin dhe Zachary Jones. U botua në fund të shekullit XVI, me titullin “Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”.

Shkrimtari dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François-Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) kapitullin e tij “Marrja e Kostandinopojës” e fillon me frazën: “Sikur Perandorët grekë të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.” Në shekullin XVIII Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive: “Skënderbeu” (1733) e dramaturgut britanik Uilliam Hauard (William Havard, 1710? – 1778); “Heroi i krishterë” (1735) e dramaturgut anglez Xhorxh Lilëu (George Lillo, 1693-1739) dhe “Skënderbeu” ose “Dashuria dhe liria”, botuar më 1747, e hartuesit anglez të historisë së teatrove Tomas Uinkop (Thomas Whincop, 1697-1730). Nga luftërat e Gjergj Kastriotit u frymëzuan edhe poetë dhe kompozitorë të huaj. Në shekullin XVI, një poemë për Gjergjin, shkroi poeti francez Pjerë Ronsar (Pierre Ronsard, 1542-1585), ndërsa në shekullin XIX, poeti amerikan Henri Uodsvërth Lonfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882). Në vitin 1855, historiani francez Kamile Paganel (Camille Paganel, 1795-1859), i nxitur prej krimeve të luftës, shkroi “Histoire de Scanderbeg” (Historia e Skënderbeut). Kompozitori italian Antonio Vivaldi (1678-1741) shkroi operën me titull “Skënderbeu”, të interpretuar më 1718. Një tjetër operë me titull “Skënderbeu” ishte ajo e kompozitorit dhe violinistit francez Fransua Frankerë (François Francœur, 1698-1787) të interpretuar më 1763. Shkrimtari dhe filozofi danez, themelues i letërsisë bashkëkohore daneze dhe norvegjeze Ludvig Holberg (1684-1754) thotë se Gjegj Kastrioti është një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë.

Diplomati, politikani dhe eseisti anglez Sir Uilliam Temple (Sir William Temple, 1628-1699) thotë se Gjergj Kastrioti është një prej shtatë prijësve më të mëdhenj pa kurorë, siç kanë qenë: prijësi ushtarak i Perandorisë Bizantine në kohën e perandorit Justiniani I (Flavius Petrus Sabbatius Justininus, 482/3 – 565) – gjenerali Flavius Belisarius (Germen, sot Sapareva Banja, Bullgari 505 – Halkedon, sot Kadiköy, Turqi, 565) i cili ia doli të rimarrë Afrikën e Veriut nga vandalët, Italinë nga ostrogotët dhe Spanjën nga vizigotët; gjenerali dhe burrështetasi romak Flavius Aetius, i lindur në Silistra të Bullgarisë dhe i vrarë në një atentat në Ravenë të Italisë në vitin 454 të erës së re; komandanti hungarez Janosh Huniadi (János Hunyadi), i lindur në Hunyadi të Transilvanisë, në vitin 1387 (viti i saktë i lindjes nuk dihet) dhe vdiq në Beograd në vitin 1456; prijësi ushtarak spanjoll Gonzalo Fernández de Cordoba (Montilla, Kordoba, Spanjë, 1453 – Loja, Spanjë, 1515); fisniku italian Aleksandër Farnese, Dukë i Parmës (Alessandro Farnese, Romë, 1545 – Aras, Francë, 1592) i cili më 1571 luftoi kundër osmanëve në betejën e Lepantos, pas kësaj, kryekomandant i forcave spanjolle; dhe udhëheqësi i revoltës holandeze kundër habsburgëve spanjollë Uilliami i Heshtur (William Taciturn, Dillenburg, Gjermani 1533 – 1584).

Në poemën epike udhëpërshkruese “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Childe Harold`s Pilgrimage,1812-1819), poeti anglez me prejardhje skoceze, i cili studioi në Kembrixh, Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, Londër, 1788 – Missolonghi, Greqi, 1824), i këndon Gjergj Kastriotit. Në shumë vargje u këndon shqiptarëve. Midis tjerash edhe në vargjet e mëposhtme:

“Land of Albania! where Iskander rose,

Theme of the young, and beacon of the wise”

……..

(O Shqipëri, ku lindi Iskenderi,

këng’ e rinisë, fanar i t’urtëvet!

……..

Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi

Mbi ty, o nënë e rreptë burrash trima!)

Kënga II, LXV

* * *

Monumentet për heroin kombëtar të shqiptarëve – Monumenti i Gjergj Kastriotit ndodhet në shumë qytete shqiptare si dhe në disa qytete të botës: busti në Kukës (1939); monumenti në Krujë (1959); monumenti në Tiranë, realizuar më 1968 nga Odhise Paskali, Andrea Mano dhe Janaq Paço; monumenti në Prishtinë (2003), vepër e skulptorit Janaq Paço; monumenti në Shkup (2006), vepër e skulptorit Thoma Thomai; shtatorja në Dibër (2009), vepër e skulptorëve Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela; bustet – në Tuz, në Preshevë, në Burrel. Monumentet në qytetet jashtë trojeve shqiptare: monumenti në sheshin “Albania” të Romës (1940), vepër e skulptorit italian Romano Romanelli; monumenti në Bruksel (1968); përmendorja në Miçigan të ShBA-së (2006); busti në Ferno të Ankonës (2007); busti në fshatin Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Klabri; busti në Civita të Italisë (2008); busti në San Cosmo Albanese (2010); bustet – në Vjenë; në Budapest; buzë liqenit të Gjenevës; në Detroit etj.

* * *

Shkrimet e para në gjuhën shqipe – Shkrimet e para në gjuhën shqipe u shkruan me shkronja latine. Formula e pagëzimit “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (1462), e Pal Engjëllit (1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Gjergj Kastriotit, u shkruan me shkronja latine. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane në Firence, nga dijetari rumun Nikolla Jorga (Nicolae Iorga, 1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915. Dokumenti tjetër i shqipes së hershme “Ungjilli Pashkëve” ose “Perikopeja”, u shkrua me shkronja greke. Janë pesëmbëdhjetë rreshta në dialektin toskë. U zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) në një dorëshkrim greqisht të ruajtur në Bibliotekën Amroziane në Milano. Dokumenti i tretë i shqipes së hershme “Fjalori i Arnold fon Harfit” i vitit 1497 ruhet në Gjermani. Autor i tij është kalorësi, udhëtari dhe shkrimtari gjerman Arnold fon Harf (Arnold von Harff, rreth 1471-1505). Gjatë udhëtimit për në Aleksandri, u ndal edhe në Durrës.

* * *

Shkrimtarët e letërsisë së hershme shqiptare – u formuan nën ndikimin e qytetërimit perëndimor. Veprat e veta i shkruan në gjuhën shqipe dhe përdorën shkronjat latine. Gjon Buzuku (shek. XV) ka të ngjarë të ketë jetuar në Republikën e Shën Markut, mbase në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës në vitin 1479. Në Venedik Buzuku kishte mundësi më të mëdha për shkollim letrar se në Shqipëri. Mbase edhe libri i parë i shkruar në shqip “Meshari” (1555) i Buzukut, është botuar në Venedik. Kopja e vetme e “Mesharit” u zbulua në vitin 1740 në bibliotekën e Propaganda Fides, prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova, i cili si Argjipeshkëv i Shkupit ishte për vizitë në Romë. Kjo kopje ndodhet sot në Bibliotekën e Vatikanit. Ajo u nxor në dritë në vitin 1909 nga peshkopi dhe dijetari arbëresh Monsinjor Pal Skiroi (1866-1941).

Lekë Matrënga (1567-1619) vjen nga bashkësia e arbëreshëve të Sicilisë. Ky autor i së parës poezi të shkruar në gjuhën shqipe, në dialektin toskë, “Këngë e përshpirtshme” (Canzona spirituale) studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë.

Autori i katër veprave dhe i rreth 3300 vargjeve fetare të shkruara në gjuhën shqipe, Pjetër Budi (1566-1622) është i fshatit Gur i Bardhë të krahinës së Matit. U shkollua në Kolegjin Ilirian të Loretos (Collegyum Illyiricum) në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë. Punoi pa pushim për t’i parë shqiptarët të lirë nga zgjedha turke.

Autori i të parit fjalor latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum”, Romë , 1635, Frang Bardhi (Nënshat ose Kallmet në veri të Lezhës, 1606 – 1643) studioi në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë.

Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) është nga Guri i Hasit afër Prizrenit. Ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës. Më pas vazhdoi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi dhe teologji. Më 1677 pasoi të ungjin si kryepeshkop i Shkupit. Vepra e tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum, 1685) është kryevepër e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare letrare e artistike në gjuhën shqipe.

* * *

Veprimtaria letrare e arbëreshëve në shekullin XVIII – Krijimet letrare të arbëreshëve u krijuan sipas formave letrare perëndimore. Pas veprës së parë të letërsisë arbëreshe “E mbsuame e kërshterë” (1592) e Lekë Matrëngës, pasojnë poetët arbëresh të shekullit XVIII – Nikollë Brankati (1675-1741); Nikollë Filja (1682? – 1769); autori i tingëllimës ës parë shqiptare (1777) Nikollë Keta (1740? – 1803), etj. Pas tyre vjen poeti i parë arbëresh vërtet i talentuar Jul Variboba (1724-1788), etj.

Veprimtaria letrare dhe kombëtare e arbëreshëve në shekullit XIX – Ndër krijuesit letrarë të qindvjeçarit XIX bëjnë pjesë poetët apo folkloristët, si: Kostantino Askuri (1810-1871), Kostantin Beluçi Shalja (1796-1867); Euxhenio Peta; Vinçenco Suli; Françesko Parrino (1754-1831); Gavril Dara Plaku (1765-1832); babai i Gavril Dara të Riut – Andrea Dara (1796-1872) i cili njihet si mbledhës i folklorit arbëresh dhe të tjerë.

Në shekullin e sipërthënë krijuan art: Pishtari i romantizmit shqiptar Jeronim De Rada (1814-1903); autori i së parës dramë të shkruar në shqip Françesk Anton Santori (1819-1894); Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901).

Disa studiues arbëresh u morën me veprimtari shkencore nga lëmi i gjuhës, i historisë etj.

* * *

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare – Zgjimi kulturor i shqiptarëve filloi në vitet 1830-1850, me Naum Veqilharxhin (1797-1846). Zgjimi kulturor shkonte krahas prise de conscience kombëtare dhe politike. Kjo nënkuptonte nevojën e përdorimit të shqipes në të gjitha fushat e jetës, sidomos në shkollim në gjuhën shqipe, të ndaluar nga Porta. Intelektualët, luftëtarë të zgjimit kombëtar, gjatë gjithë shekullit XIX, madje edhe në të njëzetin, do të vihen në provë.

* * *

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX Shqipëria po lëngonte nën kandilin që po fikej të Perandorisë Osmane. I Sëmuri i Bosforit, dita-ditës po rrënohej. Shqiptarëve, më shumë se kurrë, u kërcënohej asimilimi kulturor. Do të jetë lëvizja e Rilindjes, e zgjimit kombëtar, ajo që do të shprehë vullnetin e Shqipërisë për të mbijetuar.

Rilindja kombëtare – Ideali i rilindësve ishte çlirimi i Shqipërisë nga sundimi osman dhe themelimi i Shqipërisë së pavarur në trojet etnike. Gjatë arsimimit të tyre, u njohën me vlerat evropiane dhe filluan t’i rivendosin lidhjet me qytetërimin perëndimor, të shkëputura gjatë shekujve të sundimit osman. Midis tyre bëjnë pjesë: politikani dhe ideologu i Rilindjes, Abdyl Frashëri (1839-1892), i cili në dhjetor 1877, së bashku me intelektualë të tjerë, themeloi në Kostandinopojë Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare; apostulli i shqiptarizmit Naim Frashëri (1846-1900); ideologu i mendimit politik shqiptar të periudhës së Rilindjes, Sami Frashëri (1850-1904); figura që luajti rol vendimtar në kulturën e Rilindjes, Pashko Vasa (1825-1892); veprimtari i shquar i çështjes së zgjimit kombëtar, Jani Vreto (1820-1900); poeti Koto Hoxhi (1824-1895); veprimtari Zija Prishtina (shekulli XIX), i cili në Komitetin e sipërthënë, së bashku me të vëllain, Ali Danishin, përfaqësoi Kosovën; figura që do të luajë një rol të dorës së parë në themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, Pandeli Sotiri (1843-1891); filozofi dhe dijetari nga fshati Ninat i Çamërisë (Sarandë), rektor i parë i Universitetit të Stambollit të themeluar më 1870, Hasan Tahsini (1811-1881).

Një numër i madh rilindësish, përpos në Stamboll, vepruan edhe në Bukuresht, Sofje, Aleksandri, Kajro, Selanik, Athinë etj. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të qindvjeçarit XX, edhe në ShBA. Rilindësit tanimë dalin me kërkesa politike.

* * *

Të ballafaquar me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, të 3 marsit të vitit 1878, që vendosi aneksimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare nga shteti i porsaformuar autonom bullgar dhe nga mbretëritë tani të pavarura të Malit të Zi dhe të Serbisë, rilindësit u vunë në shërbim të çështjes së ngutshme shqiptare. Më 10 qershor 1878, atdhetarët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit. Një prej katër kërkesave ishte që shqiptarët të mos shërbejnë më në ushtrinë osmane dhe të mos i paguajnë taksa qeverisë qendrore në Stamboll. Kongresi i Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, konfirmoi pavarësinë e Rumanisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe një qeverisje autonome në Bullgari. Interesat shqiptare nuk përfillën fare. Duke qenë një pjesë e shqiptarëve në shërbim të Perandorisë Osmane, kishte pak shpresa për të gjetur mirëkuptimin e fuqive të mëdha të kohës. Shqiptarët nuk patën as edhe një fuqi të madhe që të mbronte interesat e tyre. As edhe qenia e tyre si popull nuk u njoh. Të ndodhur para mundësisë së copëtimit të vendit, shqiptarët e tre religjioneve bashkë, ndien nevojën për të vepruar në kuadrin e një lëvizjeje kombëtare. Pikërisht për këtë u themelua lidhja e sipërthënë.

Përgjigjja e kancelarive ishte: Shqiptarë, jeni vonuar!

* * *

Në shekullin XIX, Shqipëria ishte vendi më i pazhvilluar i gadishullit. Në shekullin e kombeve, shqiptarët nuk kishin të formuar një borgjezi që do t’i çonte drejt lirisë dhe pavarësisë. Një shtresë e kamur e tyre ishte në shërbim të pushtetit osman. Copëtimi i trojeve shqiptare në dobi të fqinjëve grabitqarë, të mbështetur nga Rusia dhe jo vetëm prej saj, do të marrë formën tragjike në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913 – me arsyetimin se shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan.

Më parë se në kancelaritë evropiane, fajin e vonesës së vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete.

Xhelal Zejneli

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Unë u takoj atyre njerëzve që pas vitit 1992, pak, e shpesh herë aspak, kam besuar te Lidhja Demokratike e Kosovës. Rrëfimet e akademikut Mehmet Kraja, në librin e tij “Vite të humbura” më kishin humbur edhe atë ndjenjë afërsie që kisha patur ndaj saj.

U krijua në zyrat e gazetës partiake (thellësisht e tillë) “Rilindja” – njëjtë sikur PD të krijohej në zyrat e “Zërit të Popullit”. Disa nga krijuesit akuzonin krijuesit e tjerë se kishin qenë bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, e në fakt kishin qenë. Trungu dhe bërthamn e saj ishin nga Lidhja Komuniste e Kosovës – thuajse e gjithë kryesia e saj e parë kishin qenë komunistë.

Nuk më ngjalli kurrë besimin që duhej për të qenë mbështetës i saj. Ngjarjet e mëtejshme më bindën për këtë. Pas zgjedhjeve të para politike në Kosovë, LDK e Rugovës ishte forcë e parë, por pa votat e nevojshme për të zgjedhur Presidentin. Pas dy votimeve të para i duheshin votat e opozitës së Hashim Thaçit. I kandiduari për president, Rugova, edhe pse kishte dhënë postin opozitës, ngulte këmbë që ky post të mos i jepej një pjesëtari të UÇK-së.

Në atë detyrë që kam pasur asaj kohe, si drejtues i LPK-së, organizatës që themeloi dhe drejtoi Ushtrinë Çlirmtare, por edhe si kryetar i grupit për shndërrimin e saj në parti politike, që është sot PDK-ja, isha krejt kundër dhe ngulja këmbë, në bisedat e gjata me Thaçin që askush nuk duhet të imponojë se cilin emër vendos opozita. Më në fund, u gjet një zgjidhje e mesme, drejtuesi i qeverisë së parë në Kosovë të ishte një mjek, që kishte qenë në rradhët e luftës, por jo Thaçi. Ky i fundit, duke menduar më gjatë për të ardhmen politike, jo vetëm të tij, më pat thënë se “vjen dita e na e kthejnë borxhin”, çka ndodhi në të vërtetë.

Pas zgjedhjes së Rugovës president me votat e PDK-së së Thaçit, nuk shkrova asnjëherë më për të. Ishte një ujdi me vetveten, që u thellua edhe më tej kur u bë koalicioni i parë LDK dhe AAK e Haredinajt, që në këtë rast Rugova e deshti si kryeministër. Mjerisht, ishte një perudhë e shkurtër, por krijoi precedentin e bashkimit të të kudërtave.

Lumir Abdixhiku është kryetari i rradhës i LDK-së, pasi ka kaluar më parë, Fatmir Sejdiu i mënçur, i urtë dhe bashkërendues, dhe Isa Mustafa, që ka më shumë se gjysmën e jetës në bashkëpunim me strukturat e Millosheviqit dhe titizmit. Nismëtari kryesor i krijimit të LDK, ai që solli programin në gjuhën serbe dhe e përshtati në shqip, quhet Jusuf Buxhovi, njëri ndër urrejtsit e përhershëm të shtetit shqiptar kur nuk qeveriset si të njëjtët e tij. Disa ditë më parë, në një kanal televiz e pranoi se ai kishte qenë titist.

Partia e skifterëve, në fillimin e luftës në Kosovë, si askund tjetër, krijoi komisionin e posaçëm për hetimin dhe shënimin e krimeve të UÇK-së, të drejtuara nga Ekrem Kryeziu i Prizrenit, shënime që tani po shërbehen në Hagë, apo krijuan organizatën famëkeqe “Sigurimi i Adheut”. Këto njerëz, edhe jashtë Rugovës, e kanë qeverisur LDK-në, dhe kjo frymë ndjehet edhe tani. Edhe te Abdixhiku që nuk e refuzon dot presidentin malazez, por i thotë “eja tek unë, nëse do të më takosh” Presidentit të Shqipërisë. Kë kanë atdhe këto njerëz?

Abdixhiku është parë si një figurë interesante e politikës, që e këndelli paksa LDK-në, pas largimit të Vjosa Osmanit, e cila e ndjeu se rradhitja krah Kurtit do e shpinte në presidencë, ku edhe e dërgoi. Nëse do e kishte ditur Lumiri këtë, do të kishte rendur edhe ai drejt postit, por asaj kohe ishte pak i njohur, në gjysmë terrin që kishte hedhur një klasë politike e shkuar, radikale, në jetën e Kosovës, por edhe brenda saj.

Struktura “Guxo” e Vjosa Osmanit është vetëm një letër tashmë, mllefi i saj kundër qeverisjes së tashme në Tiranë ngjan me atë që kishin dikur një aradhë e tërë të përbetuarish në elitën politike të Kosovës. Në LDK ka pasur gjithnjë një ndarje të tillë: “shqptarët e mirë” ishin te simotra e saj politike, PD e Berishës, të tjerët, sidomos PS e Nanos, ishon “shqiptarë të shitur te greku”. Kur PS e Nanos erdhi në pushtet, disa figura lëdëkëiste e përjetuan si gjëmë, megjithëse e dinin fare mirë se kishin të bënin me një grup politik që ishte shumë më i moderuar se ato që ikën nga pushteti.

Të paktën ata që erdhën nuk synonin të ishin paternalistë ndaj Kosovës, ishin më të vemendshëm ndaj Rugovës, shumë të gatshëm për të qenë pranë tij dhe në mbështetje të tij. Në debatet me to, gjatë kohës së luftës, më dukej e habitshme se si ngulnin këmbë në diçka që e dinin fare mirë se nuk ishte e drejtë.

Jam ndodhur në zyrën e kryeministrit të kohës, Majko, kur erdhi ish ministri i jashtëm, Paskal Milo dhe i tregoi se Rugova po thehej nga mërgimi i detyruar, ku kishte qenë i izoluar deri në fudnin e luftës, i izoluar nga shërbimet perëndimore. Ekzistonte droja se mund të përsëriste atë që kishte thënë në Kosovë, që të ndalohen bombardimet e NATO-s. Më në fund po kthehej. Në Kosovë lufta kishte mbaruar, por vendi ishte i shkretë. Disa qindra mijëra bashkëadhetarë ndodheshin në Shqipëri, dhjetra herë më pak në shtetin maqedon.

Ishte e natyrshme që presidenti ende i pa zgjedhur i Kosovës të vinte në Shqipëri, të thoshte një fjalë të mirë për pritjen që ishte bërë ndaj të dëbuarve me dhunë. Në kabinetin e kryeministrit diskutohej me hollësitë më të mëdha për pritjen e tij; ishin më të shqetësuar se për një burrë të madh shteti perëndimor.

Kur u thashë se Rugova nuk do të vijë në Shqipëri dhe nuk ishte i nevojshëm gjithë ky shqetësim, nuk e besuan. Ai nuk erdhi. E gjeti më të arsyeshme të vente në Maqedoni. Nuk zbriti nga avioni me dëshirën e tij, në Rinas, ku rrinte i vetmuar, dhe gati e ulën me forcë.

Rugova nuk u tha kurrë, as po, as jo, të majtëve në pushtet. Edhe ai kishte qenë komunist, sekretar partie, ishte emëruar nga shteti si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte qenë kundër deklaratës së 2 korrikut 1990, tolerohej nga satrapi i Ballkanit. Rugova i priste të majtët në pushtet, në selinë e tij, që ishte edhe banesa e tij private, u fliste për gurët e nëntokës, dardhët e Kosovës, qentë e Sharrit, dëgjonte me kënaqësi romuzet e Fatos Nanos, një duel të mënçurish, pinin pa fund knjak dhe wisky të shtrenjtë, dhe, në fund, nuk merreshin vesh, sepse nuk ishin për t’u marrë vesh.

I vetmi që u shpall non grata nga Rugova ishte pikërisht Berisha. Sa ishte gjallë këmba e këtij të fundit nuk shkeli në Kosovë. Ai e njihte më mirë se të gjithë karakterin e lëvizshëm të Berishës dhe maninë e çmendur për pushtet.

Abdixhiku nuk ka as hijen, as shtatin dhe as peshën e Rugovës. Mençurinë, jo se jo. Por ai synon t’i ngjajë atij , jo përmes mendjes, por përmes përshfaqjes së asaj që Rugova, edhe nëse e kishte, e fshihte mjeshtërisht.

Drejtuesi i sotëm i LDK-së, që nuk e kishte për gjë të mbathte këpucët, të shkonte në një hotel dhe të bisedonte gjërë e gjatë me presidentin e Malit të Zi, për të cilin as i shkoi në mendje ta vinte mes dy rrugëve, ose eja në selinë time, ose thyej qafën, – e bëri këtë me Presidentin e porsazgjedhur të shtetit shqiptar, një mjek i shquar, gjeneral, besnik ndaj detyrës, që deri para kësaj dite kishte qenë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare.

Lumiri i drejtoi Presidentit të Shqipërisë ultimatumin që, ose eja ti tek unë, ose ktheu në Shqipëri!As ai vetë nuk e di pse e ka bërë. Të ishte i mënçur do të dilte ta priste që në kufi, sepse, në fund të fundit ai është një figurë e re në politikë që nuk ka as mëkatet e Berishës, dhe as djallëzinë e Edi Ramës. Është mbi partitë politike, mbi të gjithë instancat e tjera dhe, në një shenjë të atdhedashurisë së tij, e nisi rrugëtimin e parë pikërisht drejt Kosovës.

Do të duhet kohë që ai vetë dhe besnikët e tij, të radhitur drejt pushtetit që mund ta marrin një ditë si forcë minore, të kuptojnë se bënë gabimin e tyre historik.  Medet, në Kosovë po instalohen në kreun e shtetit, sidomos në presidencë dhe tani në LDK një grup njerëzish, të ardhur nga fryma rugoviane, por që të gjithë së bashku nuk kanë as mendjen e as qetësinë e tij. Ata nuk e duan Shqipërinë, nëse ajo qeveriset nga e majta. Kjo frymë po rritet gjithnjë e më tej: burimin e ka nga ish themeluesit e saj, gazetarë, të cilët, tregon Mehmet Kraja, kur u kthyen nga udhëtimi në Shqipërinë e Enver Hoxhës, ziheshin me njëri tjetrin se cili do të bënte i pari raportin për shërbimin e fshehtë serb.

Abdixhu nuk është i këtij brezi, por mendon si ai. Presidentit të shtetit shqiptar nuk i prishi gjë. Krijoi një histori mjerane, që vetë të mënçurit në atë parti do të përpiqen shumë shpejt ta harrojnë.

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Kur isha për herë të parë pas luftës në Kosovë mund të mendoja se jeta kishte ndalur dhe u kthyem në kufijtë e Fillesës së botës. Ajo që kishte ndodhur, kurrë mos u harroftë, ishte si një makth nga i cili nuk zgjohesha dot.

Kishin filluar të lindnin legjendat dhe mitet e para. Një popull që, pas një lufte, nuk krijon mitet e legjendat e tij, ai është i verbër.

Nëse do të më kërkonin të sillja një fjali të vetme në përcaktimin e Kosovës, atëherë do të shkruaja:

Kosova është akt besimi!

E, megjithatë, i çuditshëm është fati i Kosovës. Breznitë, që ripërtërihen në viset e lashta të stërgjyshërve të tyre, do e kenë të vështirë të besojnë për çfarë ka ndodhur gjatë luftës çlirimtare, nëse mbi të vërtetat do të bjerë harresa.

Për një njeri që ka qenë pjesë e luftës, më saktë, pjesë e lëvizjes çlirimtare në vite e dekada, çdo çast i ekzistencës dhe mbiekzistencës, çdo veprim, çdo gjë që ka ndodhur, e vërteta e saj, duhet të jetë e pranishme, e ngulitur në kujtesën njerëzore, e vetëdijshme dhe e qenësishme, si një mënyrë për të rrokur aktualitetin dhe përshfaqur sakrificën. Aq më tepër tani, kur përroi psiqik i mohimit të luftës dhe i tjetërsimit të saj ka krijuar ishujt e tij, që synojnë përmbysjen.

Na duhen libra që të dëshmojnë të vërtetën.

Njëri prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi deri më tani dhe më tronditësi në të njëjtën kohë, “Eskadronët e vdekjes”, vjen nga një autor i njohur, shumë i njohur, figurë politike dhe shoqërore e pakontenstueshme, politolog dhe shkrimtar i klasit të parë, studjues i pasionuar dhe polemist i pazakontë, Bardhyl Mahmuti.

“Eskadronët e vdekjes” mund të jetë ndoshta libri ku mbi 95 përqind e faqeve të tij mbështeten në ngjarje të vërteta, ku njerëzit janë të njohur apo përsonifikimi i shumë prej tyre njëherësh, është libër për njerëz dhe bëma reale, në të shumtën e rasteve tragjike, është, si të thuash, kronika e përgjakshme e luftës së Kosovës, çmimi i paguar për lirinë, dhe më tej,  libër i drejtëpërdrejtë për të njohur tragjedinë që ka ndodhur në fundin e shekullit të shkuar, në të cilin , krimi dhe e vërteta historike nuk mund të bashkëjetojnë.

Përse është i rëndësishëm ky libër?

Autori

Nuk e mbaj mend se ku e kam takuar për herë të parë autorin e këtij libri, Bardhyl Mahmuti. Janë më shumë se dy dekada e gjysmë në mes, të mjaftueshme për të njohur një njeri, ashtu si mund të njohësh veten.

Nuk kishte shumë vite që ishte detyruar të largohej nga Kosova, pas burgut të gjatë që kishte bërë. Pjesë e trupës drejtuese të Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë, njohje e herëshme dhe bashkëpunëtor i ngushtë i figurave mitike të saj, si Afrim Zhitia, Fahri Faslia, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Nuhi Berisha, më tej, Ali Ahmeti, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Bilall Sherifi, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha….një biografi e tërë e asaj plejade që, si thonte Demaçi, “ kanë marrë përsipër me ia kthye pushkën Serbisë”.

Vitet na kanë njohur nga afër me njëri tjetrin. Thuajse gjithnjë kemi qenë në një mendje për rrugët që duheshin ndjekur, rrethanat, njerëzit, ashtu si kemi pasur edhe gjëra të ndryshme. Bardhyli do të jetë përfaqësuesi i parë politik i UÇK-së në perëndim dhe drejtues i grupit, duke bërë një gjë të shkëlqyer, njohjen e UÇK-së si faktor politik dhe kjo do të ishte edhe njohja e parë zyrtare e Kosovës së ardhshme. Takimet me diplomatë të lartë perëndimorë janë ata hapat që përgatitën pjesë të mëvetësisë së ardhshme.

Djathtas, Bardhyl Mahmuti. Majtas, në demonstratat e marsit të vitit 1981

Të dy sëbashku jemi pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe, në vitet e fundit, të Kryesisë së saj. Shumë gjëra në Kosovë do të kishin qenë të mangëta, nëse kjo Lëvizje do të ishte shuar, do të ishte paqëtuar apo do i kishin mjaftuar konferencat e shtypit të ditës së premte.

Vendimi i saj historik për krijimin e UÇK-së është ndoshta më madhori në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar. Bardhyli është pjesë e këtij mendimi dhe realizimi.

Kur është fjala për vitet, Bardhylit i thoja gjithnjë, i them edhe tani, “Ti je i ri”, megjithëse shumë ujëra kanë rrjedhur.

Në vetëdijen time ai është përherë i ri, ashtu si në atë foton e famshme në demonstratat e marsit të vitit 1981, kur me një hu të madh në dorë prin në ballë të turmës.

Është i ri nga mendimi pasionant i tij dhe vetëm një njeri me energji të pashterrshme do të kishte mundur të krijojë dhe të sjellë tek ne dy nga librat më të vyer të kohës së tashme, “Mashtrimi i madh” dhe Eskadronët e vdekjes”.

Dy libra që, sado të ndryshojnë nga njëri tjetri, kanë në vete zejen e përbashkët të hulumtimit, të dokumentimit, të së vërtetës, shpalljes së saj dhe ngjizjen e mendimit që nuk duhet fshehur.

“Mashtrimi i madh” është tani një libër dokumentar që ka zënë vend në tryezat e shumë kancelarive dhe duhej të ishte paraqitja e parë e trupës sonë diplomatike, kudo në botë.

“Eskadronët e vdekjes” është roman, me të gjitha përmasat që i duhen një romani.

Autori i përbashkët, Bardhyl Mahmuti nuk do të kishte mundur t’i shkruante nëse nuk do të kishte pasur në vete disa gjëra themeltare: vlerën si njeri, aftësinë si shkrimtar, guximin si politolog, dijet si militanti që ka qenë në thelbin e ngjarjeve, atdhedashurinë, të ngulitur në brezat e fisit të tij, përkushtimin si njëri nga çlirimtarët, dhe bindjen e qartë se asgjë nuk duhet harruar, dhe libri është një mënyrë për të rrokur realitetin dhe jo për të përmbytur apo përmbysur atë.

Romani

Si e shkrova, Bardhyli është një ish student i burgosur politik, i përndjekur, i kërkuar për t’u arrestuar përsëri dhe , në fund, si të mjaftonin vetëm vitet e burgut të babait të tij, do të shtohet edhe sketerra që ai vetë përjetoi. Skenat e burgut, që përbëjnë njërin nga kapitujt më rrëqethës të librit, si duket, kanë edhe atë çka vetë autori ka përjetuar.

Dhe, duke e ditur këtë, njeriu mund të mendojë se ky njeri, që ka pasur këtë rrugëtim, shokët e miqtë e të cilit janë vrarë në luftë, do të ketë ende në vete mllefin, urrejtjen, zemërimin e, ndoshta, edhe dëshirën e hakmarrjes.

Në hyrjen e librit, në dedikimin e parë, njeriu ndjen se është i gabuar. Gjërat janë përmbysur, mund të mendojë dikush. Por, e vërteta është krejt tjetër.

Me respekt të veçantë për guximin intelektual të Natasha Kandiqit, Mirosllav Filipoviqit, Sonja Biserkos, Sllavko Quruvijës dhe atyre serbëve që ngritën zërin kundër gjenecidit serb në Kosovë”, atyre u kushtohet edhe ky libër.

Por, asgjë nuk është harruar. Me një gjetje mjeshtërore, si të hapësh siparin e një tragjedie, autori ka vendosur  në tri faqet e para thelbin e asaj që ka ndodhur: është përurimi i pestë i një libri për nazistët gjermanë, sidomos njësitë e saj speciale SS dhe, kur e gjitha është shpallur, një studente e drejtësisë, vajzë e re serbe, pyet habitshëm, – Si është e mundur që eskadronët e vdekjes i kanë shpëtuar ndëshkimit?

Po eskadronët serbë të vdekjes, ata që mbollën tmerrin dhe përgjakën trevat ballkanike, ku janë, çfarë ka ndodhur me to, çfarë krimesh janë ende të pandëshkuara? Cila është e vërteta e krimit të tyre në Kosovë? Ishte rastësi, krim i pamenduar apo një piramidsë e tërë shtetërore vuri në lëvizje krimin e vjetër ballkanas, mllefin, urrejtjen, që, sado të fshihen pas mantelit të përgjakur të Millosheviqit , nuk e justifikojnë edhe vetë popullin serb, që, përmes eskadronëve të vdekjes u bënë pjesë e masakrës.

Nuk ka libër më tronditës, më të domosdoshëm dhe më të vërtetë.

Bëj pjesë në ato miq të autorit që e lexova librin kur ende ishte në dorëshkrimin e tij. Ishte çdo gjë rrëqethëse dhe ajo që ndjeja në vete, pas leximit të tij, ishte e pangjarë me asgjë tjetër. Në kronikën e botës është shkruar vazhdimisht për krimet. Si duket, historia nuk mund t’i përjashtojë ato. Për krimet e makinerisë serbe në Kosovë kronikat janë gjithnjë të pamjaftueshme, pasi vetë ato kanë qenë të përbindshme, dhe, sado që një skotë e tashme, lidhur me të djeshmen, përpiqen të gjejnë alibinë e krimit, kjo është e pamundur.

Në historinë e ardhshme të krimit në Kosovë, jam i bindur se, brezat e ardhshëm do të krijojnë silologjinë “ buxhovizëm”, si dëshmi e përversitetit kombëtar, e mashtrimit të ndjekur nga një grumbull mashtrimesh të tjera, ku fusha e luftës , në të cilën derdhej gjak, u trajtua si vetëgjyqësi mes shqiptarëve. Për të përmbysur të vërtetën e asaj që ka ndodhur, jo vetëm në luftën e fundit, pra, për të përligjur masakrat e tyre kundër shqiptarëve, Serbia ka krijuar një mal me mashtrime, dhe mashtrimit u duhet kundërvënë gjakftohtësisht, e vërteta.

Këtë sjell libri i Bardhyl Mahmutit, dhe kjo ishte ndjenja e parë që më pushtoi kur po lexoja faqet e këtij libri të madh.

Prezantimi i librit në Prishtinë

Kur e përfundova, mendja ime ishte e drobitur. Kisha menduar se bëj pjesë në ato njerëz që, duke e lidhur jetën me fatin e Kosovës dhe të miqve të mi të atjeshëm, dija shumë gjëra, shumë të vërteta, por më duhet ta pranoj se ajo kishte qenë përtej përmasave që kisha ditur, shumë tej ankthit që kisha pasur; ishte tronditëse, e gjithanshme, pushtuese.

Në shekuj pushtimi serb kishte synuar vetëasgjësimin e shqiptarëve, duke i krijuar rrethin e dhjetë të ferrit, më të tmerrshmin, mohimin e vendlindjes, dhe, kur e kishte parë se nuk ia kishte arritur, atëherë kishte hequr të gjitha maskat, kishte nisur asgjësimin e tmerrshëm, të pangjarë në 100 vitet e fundit. Ky libër, që më kishte tronditur, mendova, duhet bërë i njohur kudo, në çdo vend, në çdo takim, pavarësisht se kush e ka shkruar, aq më tepër një përsonalitet si Bardhyl Mahmuti.

Atëherë i shkrova Bardhylit rrjeshtat e mësipëm, të cilët po i risjell pa i ndryshuar asgjë.

Zakonisht për librat shkruhet pasi ata botohen e rrallë herë kur ende janë në përgatitje e sipër. Duhet të ketë një ngjizje të veçantë, një ngasje të pazakontë që të bësh të kundërtën , ose të ndryshmen e asaj që ke bërë deri më tash.

Këtë ngasje ma dha libri i ri i politologut dhe mikut tim të vyer, Bardhyl Mahmuti, që , pas dëshmisë së pakrahasueshme që solli me “Mashtrimi i madh”, tani , në një përmasë të re na sjell romanin ” Eskadronët e vdekjes”.

Një libër i pazakontë në të gjitha pikëpamjet. I veçantë. Tronditës deri në thelb.. Që me gjithçka i kalon kufijtë e një romani dhe ky kapërcim kufijsh është artistikisht madhësia e tij si vepër, është koncepti njerëzor që sjell, saktësia e rikrijimit të një bote që ishte e pranishme aq shumë më jetën e shqiptarëve të Kosovës, por edhe përtej tyre; është përpjekja e pamasë në kërkim të konceptit europian të tejshkimit të botës, rizgjimi i një makthi që ishte deri në deje, përmes një gjuhe të punuar kujdessshëm, por edhe e përceptuar si dekori i ngjarjeve të zhvilluara.

Është libër i pazakontë, që nga kushtimi, i cili pak kujt do i kishte shkuar ndër mend. Shumë vetë as që mund ta mendonin se një njeri i politikës dhe i artit, prijës në demonstratat e mëdha të pranverës së vitit 1981 – fotoja e Bardhylit me flamur në dorë është njëra nga më rrëqetheset-; i burgosur politik dhe i panënshtruar politik, pjesë e trupës drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, antar i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe zëri i saj në Perëndim, debatues i dorës së parë dhe mik i shumë nga të rënët në luftën e gjatë për lirinë e Kosovës, do ia kushtonte librin e tij , si një memorial, disa figurave të shoqërisë civile të Serbisë, duke filluar që nga Natasha Kandiç…

Është libër i pazakontë, pasi, ndryshe nga sa i kemi parë ngjarjet e fundit në Kosovë, ku këndvështrimi ishte gjithnjë përmes syrit tonë, tani ngjarjet rrjedhin nga vështrimi i pak intelektualëve serbë, gazetarë e krijues, të cilët duan të dëshmojnë se edhe mes çakejve ka njerëz të arsyeshëm, por që në fund bëhen edhe prehë e dhunës, e vrasjeve dhe shkatërrimit moral e fizik;

Është libër i pazakontë ,sepse sjell në dimension të ri atë që ka ndodhur në Kosovë; vrasjet e pafund, të përbindshme,  burgimet e gjata, qendresën, torturat dhe , mendoj unë, vetëm një njeri që i ka ndjerë ato në kurrizin e tij apo të miqve të tij, mund t’i dëshmojë kaq sinqerisht, detajisht dhe përmes rrëfimit  rrëqethës atë që ka ndodhur.

Është libër i pazakontë sepse të mbërthen që në çastin e parë, që atëherë kur nis e lexon faqet e para, në fillim nga kureshtja, sepse autori është një emër nga më të njohurit e, më pas, sepse nuk mund të shkëputesh, nuk mendon se si koha rrjedh, por e bën atë pjesë tënde, nuk e di se në cilën orë je dhe, vetë hapësira të duket se është kthyer edhe një herë pas, në ato vite që ishin themeltare për të ardhmen.

Është i pazakontë, pasi, me gjithë dëshminë që sjell dhe të duket se i gjithë mendimi konceptual i librit rrjedh nga “Mashtrimi i Madh”, pra , megjithëse e vërteta vjen si një uragan, libri nuk ka mllef, verbëri, urrejtje, nuk të ngjall dëshirën për dhunë; ai ka mendim dhe , si gjithnjë , mendimi është më i fuqishëm se sa dhuna dhe verbëria.

I pakapshëm në shikimin e parë është romani në 500 faqet e tij, por pas këtyre faqeve qëndron një epokë, një botë, disa gjenerata. Ndoshta gabohem, por asnjëherë më parë, në romanin tonë të këtyre viteve, nuk ka ardhur një kërkim kaq i pamatë, një fushë kaq e gjërë, ku lëvizin përsonazhe reale, me emra dhe bëma reale, që nga presidenti i sotëm Vuqiç, i portretizuar në përshfaqjen e tij më të saktë, e deri tek njerëzit e zakonshëm, mes të cilëve të ngjall krupën zagoria e lumpenit të shërbimit të fshehtë serb.Ajo që përbën edhe thelbin e eskadronëve të vdekjes. Përballja me to ka qenë detyrim historik i shqiptarëve, pavarësisht nga çmimi i lartë i paguar.

Kjo forcë që Bardhyli ka sjellë në romanin e tij është e furtunshme, por edhe e bukur si pyll i qendresës, është shtërngatë dhe rrëke njerëzore, si të gjitha ato gjëra, vlera e të cilave Mbetet në intesitetin e shprehjes. Harmonia e përpjestimit të së vërtetës dhe të krijimit në roman është magjike, e kujdesshme dhe vepron përmes shumëfishimit të pafrenueshëm të fuqisë së të vërtetës, të shprehjes, mjediseve, forcës së karaktereve.

Në fakt, përmes një romani ai ka krijuar një kozmos, i cili ka vetëm një ligj të pandryshuar, përmes të cilit, të gjithë njerëzit, bashkimi i qëndrueshëm i të cilëve bën epokë, krijohen gjithashtu nga epoka dhe dëshmojnë se, nuk mundet që nga gjërat e lëvizshme të gjenden vlera të qëndrueshme, por vetë qëndrueshmëria krijon vlerat e saj.

Një libër që të lë pa gjumë dhe të rrëqeth ende duke qenë në ekranin kompjuterik është gjithësesi i veçantë, por , në këtë rast, kemi të bëjmë me një roman që në fakt sjell edhe vetë karakterin e Bardhylit . Një roman që nuk është aspak biografik, por që përcepton një botë.

Dostojevski, shumë dekada më parë, do të shkruante se “Ç’gjë mund të jetë për mua më fantastike sesa realiteti”.

Dhe ky roman është aq realist dhe aq konseguent, aq i vërtetë dhe mrekullisht i shkruar përmes një stili rrëmbyes, saqë kalon shumë kufinj dhe të duket e habitshme, – mua për vete më është dukur – duke e ditur temperamentin e zjarrtë të Bardhylit dhe njeriun polemist të dorës së parë, se si ai mbetet në roman hulumtuesi i ftohtë, që aq qetësisht ka zhytur shikimin e tij njerëzor në thellësinë e jetës.

Një roman që do të trondisë shumëkënd dhe do të jetë i domosdoshëm për të ditur se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Jo kushdo mund ta pohojë lirinë e vet në botën e tij. Mjerisht, jo të paktë janë ato që, të mbyllur në palirinë e tyre, mendojnë se janë të lirë.

Liria duhet të jetë marramendëse, ndryshe nuk është asgjë tjetër, veçse forma e jashtme e saj.

Urime, mik i vjetër!

Namik Dokle më shkroi:

Bedri i dashur, dje Bardhyli me dergoi redaktimin perfundimtar te romanit dhe menjehere u “zhyta” ne kroniken e tij te shkruar mrekullisht; me pasion luftetari dhe qetesi filosofi njeheresh, me dhimbje per vuajtjet dhe krenari per sakrificat, me dashuri te pakufishme per Kosoven dhe perkujdesje e dashuri per gjuhen shqipe, me skrupulozitet studiuesi per te verteten dhe respekt per te tjeret. Pas librit te tij Mashtrimi i madh, ky roman ofron te vertetat e luftes per liri te Kosoves nga nje pikeveshtrim tjeter, sa origjinal po aq edhe trondites.

*****

Autori Bedri Islami ka qenë kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës gjatë kohës së Luftës

Gjenocidi serb i kryer në Kosovë po tregohet tashmë edhe përmes një libri të autorit Bardhyl Mahmuti të cilin e sjell Qendra Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur. “Eskadronët e Vdekjes-kronikë e një kasaphane”, është romani që sjell një të vërtetë mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe krimet e regjimit kriminal serb.

Në përurimin e këtij libri në Prishtinë, autori i librit, Bardhyl Mahmuti nuk i fshehu dot emocionet derisa i përmendi ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga prokuroria në Hagë.

“Fjalët, është gjithashtu e njohur ajo sintagma se fjalët nuk janë neutrale por në rrafshin politik nëse do të kishim pasur kapacitet t’i shtrydhnim në Kosovë fjalët do të kullonin gjak, fjalët do të kullonin lot, fjalët do të kullonin mund, dhe ky mund, këta lot, ky gjak sot e kësaj dite nuk na lë të qetë. Jakup Krasniqi, njëri ndër njerëzit më të ndershëm që ka Kosova sot është në Hagë, janë përmbysur gjërat për 23 vjet, në vend që Serbia të përgjigjet për gjenocid, shokët tanë janë në Hagë, lufta jonë është vu në bankë të akuzës. Unë me aq sa kam mundur kam nxjerr nga vetja një të vërtetë, falë jush”, ka thënë autori.

E shkrimtari Agim Vinca ka thënë se ky libër duhet të përkthehet edhe në gjuhën serbe e kroate.

Ai ka thënë se autori Bardhyl Mahmuti e ka ndjekur parimin e së vërtetës, ndërkohë që ka rrëfyer se librin fillimisht e kishte lexuar në verën e vitit të kaluar gjatë një pushimi në Strugë.

“Pasi e lexova librin e Bardhylit, siç thash në pushimin në Strugë, me të kthyer në Prishtina i bëra një mesazh të cilin po lexoj këtu: I dashur Bardhyl, e lexova librin nga faqja e parë deri tek e fundit, e ke zhveshur deri në palcë krimin serb mbi Kosovën dhe shqiptarët por edhe monstruozitetin e një regjimi kriminal që nuk e kursen as popullin e vet që vret e masakron kundërshtarët e tij politik edhe nga radhët e popullit të vet. Je njohës i shkëlqyer i mjediseve, rrethanave dhe mendësisë serbe dhe e ke gjetur mënyrën si ta paraqesësh atë, duke ia dhënë fjalën një gazetari profesionist dhe humanist serb nga qyteti i Kraljevës”, ka thënë Vinca.

Në promovimin e librit, publicisti dhe shkrimtari Adem Gashi ka thënë se Bardhyl Mahmuti e përshkruan në mënyrë tejet të veçantë karakterin e personazhit të librit.

“Në aspektin rrëfimor, Bardhyli më habitë me rrjedhshmëri e spontanitet, me kulturë, me gjetje t ë figurshme në krahasime nga më të rrallat, po flas këtu në për vijën e kompetencën e letrarit. Ai zotëron fenomenin që ne e quajmë fytyrëzim gjuhe, nga grimasa e deri të semantika e shqiptimit të fjalëve e zbulojmë karakterin e personazhit, pa pasur nevojë të na e thotë autori, veç përshkrimin që e bënë”, ka thënë ai.

Ndërsa publicistja Majlinda Sinani-Lilaj ka thënë se libri është i përshtatshëm për lexues të moshave të ndryshme.

“Gjuha korrekte, e saktë, e thjeshtë, e kuptueshme, e bën ‘Eskadronët e Vdekjes’ një libër të përshtatshëm për lexuesin e moshave të ndryshme. Ndërlidhja e rrëfimit, referencave kohore e rrethanore, prezenca dhe roli që bartin subjektet vulohen me pohimin e autorit në përmbyllej se ngjashmëria e përjetimeve me eceniatet e njerëzve të veçantë është bërë me qëllim. Ka disa breza që bashkërisht mund të identifikojnë vetën faqeve të këtij romani”, ka thënë ajo

Libri “Eskadronët e Vdekjes” me autor Bardhyl Mahmuti, është botuar nga qendra Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur.

“Këtu misioni i autorit, dhe misioni ynë si qendër për të treguar dhe përhapur të vërtetën janë bërë bashkë, ka rezultuar ky roman që sot keni në dorë në gjuhën shqipe e shumë shpejtë edhe lexuesit e huaj do ta kenë rastin ta lexojnë edhe në gjuhën angelze, sponjolle, turke, gjermane e franceze”, ka thënë Adnan Asllani nga kjo qendër.

Romani i autorit Bardhyl Mahmuti është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe është botuar në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021.

Promovimi i tij ka filluar tani sepse ishte shtyrë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë Covid-19.

Pas Prishtinës, autori do të jetë i pranishëm edhe në promovimin e librit në Shkup, më 18 maj 2022, në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve”.

Nga: Metush Bajrami
Oslo, 23.04.2022-Vepra “Eskadronët e vdekjes”, e autorit Bardhyl Mahmuti u promovua para dhjetra të pranishmëve në Oslo të Norvegjisë.

Autori i kësaj vepre shpalosi fakte të pakontestueshme të realitetit tonë tragjik, të përshkruara me mjeshtri të jashtëzakonshme.“Eskadronët e vdekjes” është një roman që duhet ta lexojë çdo person që ka përjetuar luftën në Kosovë, apo që dëshiron të mësojë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.U bashkëbisedua me autorin dhe u parashtruan shumë pyetje per veprimtarinë e tij kolosale para dhe pas luftës në Kosovë.Romani i financuar nga bashkatdhetarë të shumtë, tani është përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera.Romani u bota nga Qendra GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR.

Me këtë rast u propuzuan edhe dy anëtarë të rinjë që do të jenë përfaqësues të kësaj Qendre në Norvegji: z. Nufri Lekaj dhe z. Abit Hoxha.

Ndërsa Rusia dhe Ukraina po përgatiten për atë që mund të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ardhmja e luftës së nisur nga Vladimir Putin mbetet e pamundur të parashikohet.

Mobilizimi i tankeve dhe artilerisë në shkallë të gjerë në terrenin e sheshtë të hapur të Ukrainës Lindore mund ta favorizojë Moskën, dhe pesha e madhe e makinerisë ushtarake ruse, mund t’i sjellë përfitime territoriale.

Por janë të mundshme edhe rezultate të tjera. Guximi i ukrainasve, aftësia e tyre e madhe taktike në terren, dhe qasja tek armët dhe pajisjet perëndimore mund të prodhojnë një varg tjetër pengesash poshtëruese për Rusinë.

Skenari më i keq për Putinin, do të ishte që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundonte me një disfatë ushtarake gjithëpërfshirëse, me rënien e enklavave pro-ruse në Donbas dhe Moldavi, si dhe me integrimin e Ukrainës në Perëndim.


Një humbje e tillë do të ishte më shumë sesa një poshtërim personal, për karrierën e tij si politikan. Ajo do t’i shkaktonte gjithashtu një tronditje të madhe psikologjike dhe strategjike për pozitën dhe vetë-imazhin e Rusisë. Do të ndryshonte rrjedhën e historisë ruse.

Rusia nuk do të ishte ish-perandoria e parë që do të përballej me një moment të llogaridhënies para historisë. Humbja e Spanjës në vitin 1898 përballë shteti të ri të SHBA-së, ishte një moment vendimtar në historinë spanjolle. Perandoria globale që kishte formësuar Spanjën që nga ekspeditat e Kolombit ishte zhdukur papritur, dhe spanjollët filluan të vënë në dyshim gjithçka, nga monarkia deri tek roli i kishës.

Për Britaninë dhe Francën, dështimi i tyre poshtërues gjatë Krizës së Suezit të vitit 1956, i detyroi të dyja vendet ta kuptonin se nuk ishin më fuqi globale të pavarura. Lavditë e perandorive të dikurshme kishin marrë fund, dhe 2 ish-superfuqitë filluan me dhimbje dhe pa dëshirë t’i përshtateshin rrethanave të tyre të reja.

Një dështim vendimtar rus në Ukrainë, mund të sjellë të njëjtën situatë për Moskën. Në rast se Rusia nuk do të arrijë që të pushtojë zemrën e Ukrainës (Ukraina Perëndimore është më pak problem në mitologjinë historike ruse), rusët nuk do të jenë në gjendje të shmangin përfundimin se perandoria e carëve, e ndërtuar me shumë kosto gjatë shumë shekujve, dhe e rivendosur nga Lenini dhe Stalini pas fatkeqësisë së Luftës së Parë Botërore, ka rënë në mënyrë të pakthyeshme.

Kjo do ta detyrojë Rusinë t’i nënshtrohet një lloj auto-reflektimit të thellë, ashtu si ish-perandoritë e tjera. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nën sundimin e Romanovëve, komunistëve, dhe tani të Putinit, mendimi politik rus është formësuar nga tre besime: që Rusia është e ndryshme, që ndryshimi është transhendentalisht i rëndësishëm, dhe se ai i jep Rusisë një rol unik në historinë botërore.

Humbja në Ukrainë do ta minonte në themele besimin tek këto ide, duke e zhytur Rusinë në një krizë identiteti me pasoja politike të paparashikueshme. Carët, komisarët komunistët, dhe sot Putinistët, e panë Rusinë si unike dhe të përkushtuar ndaj një lufte kundër Perëndimit.

Për carët, Moska ishte “Roma e tretë”, që do të mbante pishtarin e Krishterimit dhe qytetërimit, pasi Roma e parë ra në duart e pushtuesve barbarë, dhe Roma e dytë (Kostandinopoja) ra në duart e turqve.

Për komunistët, Moska ishte kështjella e revolucionit global proletar, e destinuar të asgjësonte kulturën dekadente borgjeze të Perëndimit. Putin dhe bashkëpunëtorët e tij e shohin njëlloj. Sipas tyre Rusia është angazhuar në një luftë për mbijetese kundër dekadencës perëndimore, ligësisë dhe lakmisë së shfrenuar.

Për të mbajtur veten në garën e barabartë me Perëndimin më të zhvilluar, dhe për të siguruar qeverisje të përshtatshme për psikikën e saj unike, Rusia, kanë argumentuar gjithmonë sundimtarët e saj, duhej ta përqendronte pushtetin në krye.

Vetëm një udhëheqës aq i fortë sa Katerina e Madhe, Stalini, apo siç thonë admiruesit e tij si Putin, mund t’i japë mundësi Rusisë të dominojë në përballjen e saj saj me Perëndimin. Thelbi i çështjes është Ukraina. Me Ukrainën nën kontroll, Moska e sheh veten si fuqia më e madhe në Evropë.

Pa Ukrainën, ëndrra që Rusia të mundet të rifitojë statusin e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi do të pësojë një fund të hidhur. Më keq akoma: ndoshta nga këndvështrimi i teoricienëve “euroaziatikë” dhe nacionalistëve radikalë rusë, të cilët i japin një lloj mbulese legjitimiteti regjimit të Putinit, një fitore e Ukrainës ortodokse, sllave dhe demokratike mbi Rusinë despotike, nuk do të sfidonte vetëm legjitimitetin personal të Vladimir Putin.

Përkundrazi, ajo do të sfidonte idenë e veçantisë ruse, dhe do të minonte fatalisht pikëpamjen se despotizmi është forma e qeverisjes që i përshtatet më së miri shpirtit rus. Ndërsa lufta po nxjerr në pah ligësinë dhe mizorinë e natyrshme të regjimit të Putin, dhe ndërsa mizoritë jashtë vendit dhe represioni brenda Rusisë po lënë gjithnjë e më tepër gjurmë, është e pamundur të mos shpresojmë një disfatë ruse në këtë luftë.

Gjithsesi duhet pasur kujdes. Putin dhe ata përreth tij e dinë se në Ukrainë nuk po luftojnë vetëm për një rregullim të kufijve. Ata po luftojnë për botën e tyre, ndaj për ta mund të jetë psikologjikisht e pamundur ta pranojnë humbjen, derisa çdo masë, sado e pamëshirshme, apo çdo armë, sado e urryer, të jetë përdorur në maksimum. Për Vladimir Putinin dhe njerëzit përreth tij, rreziqet në Ukrainë janë pafundësisht të mëdha. / Përktheu: abcnews.al

Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Burime diplomatike nga Brukseli bëjnë të ditur se presidenti serb Vuçiç në takimet e mbyllura me zyrtarë të lartë të BE ka hedhur idenë se Serbia mund të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë, nëse BE përkrah qendrimet e Serbisë në dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE.

Lëshimet, që kërkon presidenti serb, janë që BE të heqë dorë nga kushti i njohjes së Kosovës për pranimin e Serbisë në BE, dhe që BE të përkrahë projektin serb të ndarjes së Kosovës nëpërmjet shkëputjes së Veriut të Kosovës.

Ringritjen nga Serbia të çeshtjes së ndarjes së Kosovës e njoftonte në 4 prill edhe presidentja e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko, e cila deklaroi se “ndarja e Kosovës është përsëri në axhendë”.

Serbia po flet për ndarjen e Kosovës sepse është inkurajuar nga ndarja e Ukrainës prej Rusisë me agresionin që shkëputi dhe aneksoi dy krahinat ukrainase të Donjeckut dhe të Luganskut. Serbia është inkurajuar nga Rusia dhe po i kërkon BE-së që t’i japë Veriun e Kosovës nëpërmjet të ashtuquajturit “asosiacion të komunave serbe”, që është modeli rus i Donjeckut dhe i Luganskut.

Serbia po shfrytëzon pazarin e lartë artificial, që po i jep asaj BE për  bashkimin me sanksionet antiruse të BE. Presidenti Vuçiç po paraqet si argument në takimet e mbyllura diplomatike se ai detyrohet të lidhet me Rusinë vetëm nga Kosova, dhe po t’ia japë BE-ja Kosovën, ahere Beogradi nuk do të ketë nevojë për Rusinë dhe veton ruse në KS të OKB, kështu mund të zbatojë sanksionet antiruse.

Është nje bllof vulgar serb, që synon vetëm të shkëpusë lëshime strategjike nga BE për Kosovën.

Por me sa duket disa segmente të diplomacisë europiane janë mallëngjyer nga përçapjet e reja të presidentit serb në Bruksel dhe kanë shtuar dozat filoserbe në veprimtarinë e tyre. Nuk mund të klasifikohet ndryshe veçse si skandaloze sjellja e ambasadorit të BE në Prishtinë, i cili në datën 14 prill iu kundërvu në një mënyrë antidiplomatike kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në 14 prill kryeministri Kurti, duke dënuar sulmet e armatosura terroriste me kallashnikov dhe me granata tre herë brenda katër ditëve në Veriun e Kosovës kundër policisë kufitare të Kosovës, deklaroi se “burimet tona identifikuan sulmet si të ardhura nga Serbia”. “Brenda disa minuta, tërheq vëmendjen portali i njohur europian “euractiv.com”, ambasada e BE në Prishtinë lëshoi një komunikatë, ku paralajmëron qeverinë e Kosovës “kundër spekullimeve të panevojshme”.

Ku e mësoi brenda disa minutave ambasada e BE në Prishtinë dhe ambasadori çek, që e drejton, se sulmet terroriste kundër policisë kufitare të Kosovës nuk i kishte organizuar Serbia? Kë pyeti ajo në terren dhe nga kush mori përgjigje për disa minuta se kush i kishte organizuar?

Cilën zyrë mori ambasada dhe ambasadori për konsultim në Bruksel dhe iu përgjigjën brenda disa minutave se duhet të kritikonte qeverinë e Kosovës, e cila e drejtoi gishtin te Serbia pas konfirmimit nga administrata e saj, nga shërbimet e saj të specializuara dhe nga policia e saj, që i njohin Veriun e Kosovës dhe lidhjet e bandave kriminale serbe me Beogradin shumë më mirë se ambasada dhe BE bashkë?

Shpjegimi është se ambasada e BE në Prishtinë me sa duket ka porosi të marrë në mbrojtje Serbinë. Ky qendrim absurd diplomatik mbahet në një kohë që Kosova, edhe pa qenë shtet kandidat në BE, edhe pa marrë liberalizimin e vizave nga BE, iu bashkua menjëherë sanksioneve të BE ndaj Rusisë.

Dikush apo disa segmente në diplomacinë e BE kanë synimin e një presioni në rritje ndaj Prishtinës me qëllim që ta detyrojnë atë të pranojë modelin rus të Donbasit dhe t’i lëshojë Serbisë Veriun e Kosovës, duke realizuar ndarjen e Kosovës, që ëndërron presidenti serb Vuçiç. Ndaj presidenti serb po luan në prapaskenë bllofin e shkëmbimit të Kosovës me sanksionet antiruse të Serbisë.

Presidenti serb është inkurajuar nga qendrimi i çuditshëm i BE, e cila po hiperbolizon rëndësinë e bashkimit të Serbisë me sanksionet antiruse. Është një paradoks politik, që po shoqëron gjithë veprimtarinë e diplomacisë së BE gjatë agresionit rus në Ukrainë, që po e fryn jashtë çdo logjike nevojën e bashkimit të Serbisë me sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Në planin formal është e drejtë që BE i kërkon Serbisë si shtet kandidat i BE, që ka hapur bisedimet e pranimit me të, të zbatojë detyrimin e harmonizimit të politikës së jashtme serbe me atë të BE dhe në këtë kuadër të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë.

Serbia është i vetmi shtet europian, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë. Serbia është i vetmi shtet kandidat i BE nga katër shtetet kandidate të Ballkanit, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Mirëpo ka një formatim tepër disproporcial dhe hiperbolik të rëndësisë, që diplomacia e BE po i jep çeshtjes se sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë. Diplomacia e BE nuk kufizohet vetëm te detyrimi që ka Serbia si shtet kandidat për të harmonizuar politikën e jashtëme të saj me BE dhe të bashkohet me sanksionet, por po e paraqet çeshtjen sikur nga sanksionet, që duhet të ndërmarrë Serbia, varet fati i luftës në Ukrainë.

Është një pozicion disi komik, sepse Rusia nuk po pyet për sanksionet e gjithë BE, dhe jo më të ndjejë ndonjë efekt nga sanksionet e një mikroshteti ballkanik si Serbia, e cila varet plotësisht nga gazi dhe nga nafta ruse. Dhe BE, në vend ta detyrojë Serbinë të bashkohet me sanksionet antiruse, në vend të ndërmarrë penalitete ndaj saj, rrin dhe i lutet çdo ditë Beogradit për sanksionet, sikur BE ka nevojë për Serbinë dhe jo Serbia për BE.

Faqja e parë DITA, 20.04.2022

Në Parlamentin Europian i është kërkuar presidentes së Komisionit Europian nga deputetët e parlamentit që të pezullojë bisedimet e pranimit me Serbinë dhe të ndërpresë financimet e BE për të, derisa ajo të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë si të gjitha shtetet e tjera kandidate.

Mosvendosja e penaliteteve nga BE ndaj Serbisë dhe qendrimi lutës i diplomacisë së BE, e ka trimëruar presidentin e Serbisë Vuçiç aq shumë, sa që ai çdo ditë e sfidon BE-në me refrenin prorus se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjëherë sanksione ndaj Rusisë.

Madje në 18 prill presidenti serb i sulmoi sanksionet e BE ndaj Rusisë si “imorale dhe të pakuptimta”. Madje për kritikat europiane ndaj Serbisë pse vazhdon fluturimet ajrore për në Rusi në një kohë që gjitha vendet europiane kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për Rusinë, presidenti Vuçiç në 18 prill i kundërsulmoi shtetet europiane: “Turp të keni të gjithë! I hoqët ju fluturimet ajrore kur ne na bombarduan 19 shtete në vitin 1999?”.

Presidenti serb Vuçiç, që nuk e ka dënuar kurrë me gojën e tij gjatë dy muajve të agresionit rus as Rusinë dhe as Putinin, sulmon çdo ditë 19 shtetet demokratike të Aleancës Atlantike, që ndërhynë për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin e Serbisë kundër popullit shqiptar në Kosovë në vitin 1999.

Dhe diplomacia e BE, ku 17 shtete të asaj ndërhyrje të drejtë humanitare janë anëtare të BE, nuk pipëtin dhe nuk i përgjigjet presidentit serb. Nuk pipëtin diplomacia e BE edhe kur presidenti serb e shpall këto ditë “të pafajshëm” kriminelin ndëkombëtar të luftës Millosheviç, në qeverinë kriminele të të cilit Vuçiçi ka qenë ministër.

Kulmi i mungesës së seriozitetit dhe i hipokrizisë së diplomacisë së BE arrin kur ajo në stilin e kokrrave të rrushit të Nastradinit qëmton në qendrimet e Serbisë disa kokrra “të palagura”, që don t’i hajë dhe që po ia paraqet opinionit publik si virgjëri europiane e Serbisë. Në datën 15 prill ambasadori i BE në Beograd Emanuel Zhofre bëri një deklaratë bombastike se “Serbia ka bërë kohët e fundit disa hapa të rëndësishme për të përputhur politikën e saj të jashtme me vijën e BE”.

Nuk dihet se si dhe ku ambasadori i BE në Beograd, që e dëgjon çdo ditë presidentin serb të thotë se nuk do të vendosim sanksione ndaj Rusisë, paska parë “hapa të rëndësishme” të përputhjes europiane të Serbisë.

Dihet që diplomacia e BE e pompoi me të madhe votën, që dha Serbia në 2 mars për rezolutën e OKB në mbështetje të Ukrainës dhe në 7 prill për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB. Janë dy vota si lëvizje demagogjike serbe, ku qendrimi i Serbisë fshihet pas atyre 141 shteteve, që votuan rezolutën e parë, dhe atyre 95 shteteve, që votuan herën e dytë.

Por asnjëherë në dy muaj të agresionit rus presidenti Vuçiç dhe qeveria serbe nuk e kanë dënuar kurrë me emër Rusinë për agresionin e saj ushtarak në Ukrainë. Ndër hapat e rëndësishëm, që duket kanë mallëngjyer ambasadorin e BE në Beograd, duhet të jetë vendosja nga qeveria serbe e sanksioneve për ish-presidentin e Ukrainës Janukoviç, që jeton në Moskë, dhe i cili meqë ka edhe shtetësi ruse, mund të llogaritet nga Komisioni Europian “hap i guximshëm” kundër Rusisë.

Komisioni Europian dhe diplomacia europiane e hiperbolizuan aq shumë votën serbe në mitingun diplomatik të OKB, sa që në 8 prill i dhuruan Serbisë heqjen e sanksioneve për importet e naftës ruse në Serbi, kur vetë BE i kishte vendosur ato sanksione në 14 mars. Në kohën, që bënte zhurmë se po i kërkonte Beogradit të bashkohej me sanksionet ndaj Rusisë, Komisioni Europian i heq sanksionet e importit të naftës, duke i bërë favore të çuditshme edhe Serbisë, edhe Rusisë.

Ka një artificialitet dhe një favorizim që kërcet në qendrimin e diplomacisë së BE në çështjen e sanksioneve serbe ndaj Rusisë. Ky artificialitet nuk mund të ecë më me përrallën infantile të diplomacisë së BE se me këtë politikë preferenciale ndaj Serbisë do të arrihet shkëputja e saj nga aleanca strategjike me Rusinë dhe do të bashkohet me Perëndimin.

Nuk dihet pse diplomacia e BE mbyll sytë përpara një prove historike. Në vitin 2014 Rusia ndërmori agresionin e parë ushtarak kundër Ukrainës dhe i aneksoi Krimenë dhe i shkëputi dy krahinat separatiste të Ukrainës Lindore. BE e ndëshkoi me sanksione Rusinë, por Serbia refuzoi edhe atëhere të bashkohej me sanksionet e BE. Pyetja e thjeshtë është: Gjatë këtyre tetë viteve Serbia është lidhur më shumë me Rusinë apo me BE?

BE bëri edhe hapin absurd, që filloi bisedimet e pranimit të Serbisë në BE pas agresionit rus në Ukrainë dhe kur Serbia refuzoi sanksionet e BE.
Gjatë tetë viteve nga agresioni i parë ushtarak rus në Ukrainë e deri të agresioni i tanishëm ushtarak në Ukrainë, Serbia është shndrruar në një bazë ushtarake e Rusisë dhe është armatosur me armët me moderne ruse që nga Mig 29 e deri te sistemet e raketave ruse.

Pas vitit 2014 Serbia ka zhvilluar në territorin e saj manovra të rregullta ushtarake me forcat desantuese ruse dhe në vitin 2021 Serbia dhe Rusia kanë zhvilluar sëbashku 100 aktivitete ushtarake. Në datën 17 prill presidenti serb Vuçiç me solemnitet ftoi publikisht të gjithë qytetarët e Serbisë të vijnë në 30 prill në aerodromin e Batajnicës se do të organizojë ekspozitën më të madhe të armëve më të fuqishme të Serbisë me sistemet e reja të raketave ruse dhe kineze.

A pyet diplomacia e BE veten se kujt i shërben ky demostrim sfidues i forcës ushtarake serbe me raketa ruse dhe kineze në kulmin e agresionit rus në Ukrainë?

Ndaj idea e hedhur nga presidenti serb për të kërkuar nga BE si shpërblim të vendosjes së sanksioneve antiruse marrjen e Kosovës apo të një pjesë të saj, është një bllof serb për të shkëputur lëshime strategjike nga BE në dialogun Serbi-Kosovë në dëm të shtetit të pavarur të Kosovës.

Serbia nuk mundet dhe nuk don të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe as të ikë nga aleanca strategjike me Rusinë, e cila i ka lidhur në të dy këmbët presidentin serb dhe qeverinë serbe. Madje Moska po dikton edhe formatimin e qeverisë së re serbe pas zgjedhjeve të 3 prillit, dhe siç shkruante gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant“ në 17 prill “presidenti Putin i ka thënë presidentit Vuçiç që të përfshijë në qeverinë e re të Serbisë sa më shumë politikanë, që janë për lidhje miqësore me Rusinë”.

Diplomacia e BE vazhdon të ndjekë ndaj Serbisë një kurs të gabuar, i cili as nuk e sjell Serbinë më afër Europës edhe Perëndimit, por i lejon Beogradit të luajë bllofe me BE. Serbia fle në shtratin e Kremlinit dhe i luan nganjëherë syrin BE-së, e cila bie në trans nga flirtet e rreme serbe.

Lulëzim ETEMAJ

Dëshirimi “lexim të këndshëm“, që i bëjmë ndokujt zakonisht kur i dhurojmë apo i japim ndonjë libër për lexim, shkon nganjëherë edhe përtej kufijve të mirësjelljes sonë!

Kjo është gjëja e parë që më është kujtuar posa i kam rënë në fund së lexuari romanit “Eskadronët e vdekjes”, të autorit Bardhyl Mahmuti. Botimi i tij është bërë nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur”, në shënim të Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, 15 janar 2021.

Më duhet ta them që në fillim: nuk është aspak i lehtë leximi, anipse i letrarizuar, i krimeve gjenocidare të Serbisë. Përmes letrarizimit, që u është bërë nga ana e autorit, ndryshon forma e rrëfimit dhe dëshmimit të tyre, por jo edhe përmbajtja substanciale. Prandaj gjatë gjithë leximit jam shoqëruar edhe nga nervat e ngritura.

“Eskadronët e vdekjes” përmbush të gjitha kriteret e një romani të mirëfilltë historik. Ngjarjet, vendet, njerëzit, rrethanat autentike dhe konkrete historike, si kriter bazë për romanet e tilla, janë gërshetuar natyrshëm në funksion të krijimit të rrëfimit letrar. Përmes letrarizimit të krimeve të kryera nga forcat serbe, autori ia ka dalur me sukses t‘u ngris një monument tërheqës letrar viktimave shqiptare të gjenocidit, por edhe të gjithë kundërshtarëve të tij, shqiptarë dhe serbë, sado të paktë në numër të kenë qenë këta të fundit.

Dy personazhet qendrore të romanit janë gazetarë. Njëri serb, Mifi F. (Mirosllav Filipoviq), gazetar i gazetës “Danas” të Beogradit, dhe, tjetri, shqiptar i Kosovës, gazetar i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, “bota e re”, Sadik Zeqiri.

Ndërsa rol të rëndësishëm në begatimin e gjithë imazhit luajnë përmes rrëfimeve të tyre tronditëse Vllaznimi dhe Nexhi, dy pengje tjera shqiptare të luftës.

Ata të përbashkët e kanë edhe burgun, përfshirë edhe kthinën, pastaj torturën, fizike dhe psiqike, vuajtjen, ankthin, pasigurinë. Përderisa Mirosllav Filipoviq, krahas Sllavko Quruvijës së likuiduar më 11 prill 1999 përmes atentatit, ishte njëri nga intelektualët e rrallë serbë, të angazhuar publikisht kundër krimeve serbe, Sadik Zeqiri ishte njëri nga 2200 pengjet shqiptare të luftës, të degdisur nëpër burgjet ferr të Serbisë. Për më tepër, ai ishte edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Faktet mbi krimet serbe që ata sjellin në libër, qoftë përmes dialogjeve, edhe me njëri- tjetrin, apo formave tjera të rrëfimit, argumentojnë bindshëm kryerjen e gjenocidit mbi shqiptarë nga ana e Serbisë mbi bazën e planit të hartuar strategjik ushtarak “Patkoi”.

Bashkë, në kuptimin e të qenurit gjallë, ata ia arrijnë ta presin rënien dhe burgosjen e hartuesit dhe urdhërdhënësit të kryerjes së gjenocidit në Kosovë, Sllobodan Millosheviq, si dhe krerëve të ushtrisë dhe policisë serbe.

Përdorimi i herëpashershëm nga ana e autorit i thënieve të urta popullore, leksiku i pasur, i përzgjedhur me shije dhe saktësi nga fusha e gazetarisë, sigurisë, zbulimit, kundërzbulimit, burgut dhe të burgosurve, shëndetësisë, drejtësisë, filozofisë, në funksion të ndërtimit të rrëfimit, ia shton romanit vlerën letrare.

Ato i japin dramaticitet rrëfimit dhe e mbajnë zgjuar kureshtjen e lexuesit për të mësuar rrjedhën e vazhdueshme të situatave që kronikisht zhvillohen në roman.

Ndërkaq sarkazma dhe ironia e lehtë, të përdorura shpesh në llogari të vetë viktimave të dhunës serbe, Mirosllav Filipoviq e Sadik Zeqiri, por edhe të pengjeve të tjera shqiptare të luftës, me emra dhe mbiemra real, të mbyllur nëpër burgje, krahas pasurimit të vlerave letrare, shtensionon edhe gjendjen emocionale të ngarkuar të lexuesit, të shfaqur si pasojë e skenave me përmbajtje të rënda të krimit.

Romani “Eskadronët e vdekjes”, krahas dritëhedhjes mbi krimet gjenocidare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, lexuesit ia nxitë të menduarit dhe qasjen kritike konstruktive ndaj së kaluarës.

I ndihmon për të mos e harruar atë si dhe në angazhimin qytetar për drejtësi ndaj viktimave, për njohjen ndërkombëtare të gjenocidit dhe dënimin e kriminelëve dhe shtetit serb, si hartues dhe zbatues të tij

Albana Bajrami, Radio Kosova

Ekspertët e sigurisë në Kosovë thonë se furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Eksperti Drizan Shala, tha për Radio Kosovën se që nga janari i këtij viti deri në muajin mars, Serbia ka zhvilluar 25 aktivitete ushtarake në territorin e saj. Sipas tij, kjo tregon që Serbia ka për synim të rrisë presionin publik e atë ndërkombëtar, që nëse nuk shkojnë gjërat sipas planifikimit të tyre, atëherë ajo mund të përdorë makinerinë e saj ushtarake në drejtim të Kosovës dhe disa vendeve të tjera në rajon.

“Ky është një tregues që Serbia duhet të ndalet dhe kjo mund të arrihet përmes bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe mekanizmit ndërkombëtar. Kosova duhet sa më parë që është e mundur që të bëjë një rishikim të sektorit të sigurisë në Kosovë, njëkohësisht të ketë një ndryshim sa i përket fazës së planit gjithëpërfshirës të tranzicionit nga FSK. Njëkohësisht, Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë, siç janë ShBA-të, në nivel operacional nga Kroacia dhe Turqia, ndërsa në nivel taktik duhet të kërkojë mbështetje nga shteti shqiptar”, tha ai.

Shala tha se synimi i Kinës është që përmes bashkëpunimit me Serbinë, të mund të ketë ndikimin e saj në politikën e jashtme të këtij shteti dhe të jetë më afër Evropës. Por, ai tha se është shqetësuese që Serbia nuk po ndalet së furnizuari me armatim  dhe modernizim të kapaciteteve të saj mbrojtëse, derisa theksoi se bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e rajonit duhet të reagojnë për këtë çështje.

“Respektivisht, vendet anëtare të NATO-s, duhet të kërkojnë nga Serbia, që të bëhet inspektimi i këtyre mjeteve ushtarake dhe të kërkohet llogari nga ata se për çfarë i kanë blerë dhe kur tentojnë apo synojnë t’i shfrytëzojnë këto mjete, të cilat i kanë marrë së fundmi nga Pekini”, deklaroi ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, Serbia ka për qëllim që në aspektin gjeostrategjik të ndryshojë rrjedhën e Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, sa i përket Kosovës, ai tha se deri tani mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ndonjë progres të përafrimit të qëndrimeve për njohje reciproke dhe kjo mund të cenojë integritetin territorial të Kosovës, përmes strukturave kriminale, të cilat Serbia po i përdor.

Ndërkaq, ditë më parë, në deklaratën e tij, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Serbia ndodhet në një lloj paniku dhe ka frikë se mund të ngelet vetëm. Kreu i Qeverisë shtoi se armatosja e tyre s’është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por qytetarët janë të sigurt.

“Jemi të brengosur, jemi të kujdesshëm, mirëpo nuk frikësohemi. E dimë që i kanë 42 baza ushtarake rrotull kufirit me Kosovën, që është kufiri më i gjatë, dhe rrotull i kanë 42 baza ushtarake ofensive. Por, pavarësisht kësaj, ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO është tek ne. Kosova dhe NATO janë pjesë të historisë së njëra-tjetrës, të së tashmes së njëra-tjetrës dhe të së ardhmes. Me investimet që po bëjmë me bashkëpunimin me aleatët tanë, besoj që edhe territori, edhe shteti, edhe qytetarët janë të sigurt”, tha ai.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar Beogradin kundër furnizimit me sistemet kundërajrore HQ-22. Ata thanë se nëse Serbia vërtetë dëshiron që t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet që të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Serbia zyrtarisht kërkon që të anëtarësohet në BE, veçse ka përforcuar forcat e saj të armatosura me armatime ruse dhe kineze, përfshirë avionë luftarakë, tanke dhe pajisje të tjera.

Sipas Associated Press, në Perëndim është frika se armatosja e Serbisë me armë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë këtë shtet drejt një lufte tjetër, veçmas kundër Kosovës.

Lufta ruso-ukrainase ka thelluar hendekun në mes të lindjes dhe perendimit më shumë se në kohën e luftës së ftohëtNga fundi i vitit të kalaur ishte evidente se forcat e ushtrisë ruse, të përqëndruara rreth kufirit me Ukrainën, vetëm prisnin urdhërin për të filluar marshimin e tyre për pushtimin e paprovokuar të një shteti të pavarur dhe Sovran…. Rusia gjegjësisht Putini kishte llogaritur se ushtrisë ruse që konsiderohej si një prej më të fuqishmeve në botë, nuk do t’i duhet shumë angazhim dhe kohë ta pushtojë Ukrainën dhe të marshojë drejt kryeqytetit të saj Kijev. Kështu më 24 shkurt, urdhëroi sulmin mbi Ukrainën nga 14 drejtime, madje një drejtim edhe nga territorri i Bjellorusisë…

– Ndërhyrja thuajse e papenguar e ushtrisë ruse në Gjeorgji në vitin 2008,

– Krijimi xhepave rusofile në Oseti dhe Abkazi,

– Lehtësia e pushtimit të Krimesë dhe një pjese të regjionit Donbas më 2014;

– Reagimi indulgjent i bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre pushtimeve;

– Orientimi prorus i një pjese të popullsisë rusishtfolëse në regjionin Donbas, gjegjësisht në krahinat Donjetsk, e Luhansk;

– Mbajtja e gjendjes së luftës në këtë regjion që nga viti 2014;

– Aksionet e brutale të ushtrisë ruse për të mbajtur në pushtet regjimin e Asadit në Siri;- Tërheqjet e ushtrisë amerikane nga Lindja e Mesme;

– Varësia e konsiderueshme energjetike e vendeve të Evropës Perendimore nga resurset energjetike, dhe hidrokarburet ruse;

– Mosuniteti i vendeve anëtare të BE, dhe mungesa e theksuar e lidershipit evropian;

– Mosarritja e kontrollimit të Ukrainës përmes krijimit të një qeverie marionete proruse në Kijev;

– Iluzioni se ukrainasit do ta mirëpresin pushtimin, ngase në mendjen e tyre, Putini dhe një pjsë e konsiderueshme e Rusisë, Ukrainën e kanë llogaritur si krijesë, madje edhe si pjesë të Rusisë;

Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që Ptuni dhe shpura e tij, atë që nuk kanë arritur përmes zgjedhjeve, ndërhyrjeve dhe bisedimeve në Ukrainë, ta arrijnë përmes intervenimit ushtarak, gjë që provokoi luftë të rreptë e cila rrezikon paqen dhe sigurinë globale. Duke shpresuar se shpejtë dhe lehtë do ta përmbyste Qeverinë dhe Presidentin e Ukrainës, përmes pushtimit të shpejtë, ngjashëm me pushtimet hitleriane Biltz Krig, Putini synonte ndër të tjera edhe të tmerrojë jo vetëm vendet përrreth Ukrainës, por edhe të gjitha vendet tjera evropiane dhe më gjërë. Planifikimi i Putinit dhe Kremlinit pushtues, ndër të tjera, ishte që menjëherë pas realizimit të siq thonë ata “operacionit special ushtarak në Ukrainë”, të destabilizojnë edhe disa vende dhe regjione të tjera përfshirë Ballkanin (përmes satelitëve të Rusisës, Serbisë dhe të ashtuquajturës Republika Srpska në Bosnje), në mënyrë që t’i krijojë vetes hapsirë manovrimi për realizimin e aspiratës së tij, për aneksimin e disa territoreve të shteteve rreth Rusisë dhe rritjen e influences ruse jo vetëm në ish republikat e BRSS-së, por edhe në vendet e ish bllokut të lindjes – Paktit të Varshavës.

Përveq kësaj intenca e Putinit dhe shtabit të tij luftënxitës është dhe mbetet që të zvogëlojë praninë ushtarake dhe ekonomike amerikane në Evropë. Putinit dhe shtabit të tij pushtues, lansimi i agresionit ndaj Ukrainës iu doli krejt ndryhshe nga ajo që kishin planifikuar. Rruga drejt Kievit për ushtrinë ruse, nuk ishte e shtruar me lule. Ata hasen në rezistencë të fuqishme të ushtrisë dhe popullit ukrainas. Intenca se do ta përmysin qeverinë dhe presidentin e Ukrainës për disa ditë, u doli llogari pa hanxhiun…Kur filluan të shfaqeshin imazhet e kolonës së ushtrisë ruse mbi 60 kilometra të gjatë që marshonte drejt Kijevit, bota u step.

Shumica e komenteve të analistëve ishin se, është çështje orësh kur trupat ruse do të pushtojnë ktyeqytetin Kiev. Por kështu nuk mendonin ukrainasit me presidentin Zelensky në krye. Sidomos një njësi e krijuar nga inxhinjerët dhe studentët e rinjë krijus e quajtur Aerorozvidka, e cila tashmë është njësi elite e forcave tokësore të Ukrainës e specializuar në zbulimin ajror dhe për luftë me dronë.Kjo njësi të cilën e përbëjnë 30 veta, me ndihmën e sistemit të komunikimit satelitor Starlink, është bërë makthi i ushtrisë ruse dhe i vetë Putinit. Operimet e saj ishin vendimtare për bllokimin e kolonës së gjatë të ushtrisë ruse të cilës i shkaktuan dëme të mëdha dhe e detyruan të tërhiqet pa arritur të futet në kryeqytet. Krijimi i mundësisë për të pasur qasje të shpejtë në internet përmes sistemit Starlink ka tërbuar edhe Kremlinin, të cilët reaguan duke thënë se ky sistem është paraparë të përdoret vetëm për nevoja civile, prandaj ata atakuan Starlinkun dhe pronarin e saj Elon Musk, i cili përmes satelitëve të tij po furnizon me internet Ukrainën edhe kur rusët ua paralizojnë rrjetin.

Sipas gazetës The Guardian, 30 ukrainas ndaluan autokolonën ruse pranë Kievit. Ata thuhet se kanë marrë pjesë në lëvizjen e revoltës në sheshin Maidan më 2014, dhe u paraqitën vullnetarë për të përdorur aftësitë e tyre teknike në rezistencë kundër pushtimit të Krimesë dhe Donbasit. Ky grup shkencëtarësh kompjuterikë aktivitetin e tij e filloi tetë vjet më parë dhe tani është bërë pjesë e rëndësishëme e rezistencës ushtarake të Ukrainës. Ushtarët e kësaj njësie janë të pajisur me syze për shikim në errësirë, pushkë me snajper, mina të cilat aktivizohen nga distanca, dronë të pajisur me kamera termike dhe pajisje të tjera fluturuese të cilat janë në gjendje të hedhin bomba me peshë deri në 1.5 kilogramë. Dronët e pajisur me kamera termike shumë vështirë detektohen në errësirë. Aerorozvidka përdor dronë për të monitoruar dhe koordinuar sulmet e artilerisë. Nga ana tjetër, njësia sulmon drejtpërdrejt edhe tanket dhe pozicionet ruse.

Operatorët me dronë fillimisht lidhen me bazën e të dhënave të Forcave të Armatosura të Ukrainës nëpërmjet sistemit Starlink. Kështu ata mund të përcaktojnë objektiva konkrete për t’i sulmuar më pas. “Ne godasim natën, kur rusët janë duke fjetur. Shënjestrojmë automjetet më të rënësishme në një kolonë. Më pas i godasim me saktësi”, theksojnë ushtarët e kësaj njësie për gazetën The Guardian.Sot 48 ditë pas fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën, ushtria ruse me moral të dobët, e pamotivuar, e painformuar, e papregatitur për luftë të drejtpërdrejtë, e pafurnizuar me ushqime, dhe në të shumtën rasteve në luftime e mundur ushtarakisht nga ukrainasit, është tërhequr nga rrethinat e kryqytetit ukrainas duke lënë pas një tmerr të vërtetë dhe tokë të djegur, për tu përqëdruar në drejtim të verilindjes dhe jugut së Ukrainës, apo në pjesët e synuara nga Rusia për ti mbajtur të pushtuara dhe për t’i aneksuar…. Imazhet e shfaqura nga qyteti Buça jo larg kryeqytetit Kijev dëshmojnë për barbarinë ruse mbi jetën e ukrainasve. Tërheqja e ushtrisë ruse la pas qindra njerëz të vararë rrugëve të qytetit, varreza masive dhe gjithandej tokë të djegur. Imazhe të tilla vërehen kudo që ka kaluar ose po kalon ushtria ruse.Pas tërheqjes nga rrethinat e kryeqytetit, forcat ruse po grumbullohen rreth regjionit Donbas dhe po pregatiten për një ofenzivë të gjërë kundër ushtrisë ukrainase e cila në këtë regjion ka të përqëndruar 30 deri 40 mijë ushtarë.

Pritet të zhvillohet betejë e ashpër… Përkundër humbjeve të theksuara ushtarake, klani luftënxitës i Putinit nuk e fsheh vendosmërinë e tij për të pushtuar pjesë të konsiderueshme të Ukrainës dhe për ta vështirësuar funksionimin e pjesës së papushtuar të cilën Kremlini e parafytyron si shtet neutral. Ndërrimi i kreut të lartë komandues në ushtrinë ruse, përdorimi në masë i raketave supersonike dhe objektiva e Putinit që deri më 9 Maj të realizojë pushtimin për të proklamuar fitoren, duke e ndërlidhur atë me përvjetorin e fitores mbi nazizmin gjerman më 1945, janë njëfarë paraljmërimi se do të ketë zhvillime dramatike.Rusia në bazë të asaj se çka ka treguar në fushëbeteja nuk mund të thuhet se është superfuqi usharake. Epitetin si e tillë, e mbanë për shkak të posedimit të madh të mjeteve luftarake të sofistikuara, me të cilat nga distanca po e shkatërron Ukrainën dhe arsenalit bërthamor me të cilin po e kërcënon dhe shantazhon botën e qytetruar….

Emrimi i në krye të komandës së ushtrisë pushtuese ruse të gjeneralit Alexander Dvornikov, ndryshe i quajtur kasapi i Sirisë, është bërë me qëllim që të ndryshohet strategjija fillestare e pushtimit të Ukrainës e cila nuk ka rezultuar me pritjet, dhe për të aplikuar metoda çfarë kishte aplikuar në Siri kundër kryengritësve anti Asad. A do të mund të ndikojë kjo përvojë në Ukrainë, mbetet të shihet, për arsye se në krahasim me Sirinë në Ukrainë është krejtësisht situatë tjetër ushtarake dhe politike. Ushtria ruse nga lufta e dytë botërore nuk është konfrontuar me ndonjë ushtri të rregullt siq po ndodhë sot në Ukrainë. Ajo deri tash ka bërë luftra me kryengritës qoftë në Afganistan, Çeçeni apo Siri, ose ka qenë e përfshirë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë në luftra. Deri tash ushtria mbrojtëse dhe populli i Ukrainës po përballojnë me heroizëm agresionin rus. Kërkesat për furnizim me armë nga vendet anëtare të NATO-s janë përmanente. Sikur të kishin armatim të mjaftueshëm ukrainasit për tu përballur me agresorin, do t’i dëshmonin Putinit se ushtria ruse mund të bëjë vetëm parada ushtarake mbresëlënëse.Qyteti bregdetar Mariupol i cili ishte ndër objektivat e para të pushtimit për Rusinë, për shkak të pozitës strategjike që ndërlidh gadishullin e Krimesë së pushtuar me krahinat e Donjetsk e Luhansk, është kthyer në qytet gërmadhë.

Thuajse nuk ka ngelur godinë e paprekur nga predhat dhe raketet ruse të lansuara nga toka, deti e ajri. Në këtë qytet krejtësisht të shkatërruar, deri me tash thuhet se ka rreth 20 mijë civilë të vrarë, shumica e bonërëve të tij janë larguar, kurse ata që kanë mbetur rrezikohen skjashmërisht nga bombardimet dhe luftimet e përditshme. Duke qenë se për afër dy muaj Mariupoli mbahet nën rrethim të hekurt nga forcat ruse dhe në luftime të përditshme, mbrojtësit ukrainas kanë filluar të ngelin pa furnizime dhe municione, kështu që forcat ruse mbase mund marrin kontrollin e qytetit gërmadhë të Mariupolit. Kjo e shton ankthin tek e gjithë bota se ushtria ruse mund të të ushtrojnë krimin e gjenocidit mbi popullatën e mbetur… Për shkak të rezistencës së vendosur ukrainase, ka indikacione se ushtria ruse sikurse Mariupolin do të shkatërroj edhe qytete të tjera nga Karhkivi në verilindje deri tek Odesa në jug, ku është porti më i madh në brigjet e Detit të Zi, sepse ndër qëllimet primare të Rusisë, është marrja në tërsi e kontrollit mbi ujërat e nxheta të detit Azov dhe detit të Zi. Mbase kështu Putini synon, edhe të ndërlidhë territoret e pushtuara me Transdistrinë dhe të destabilizojë apo edhe ta gllabërojë tërë Moldavinë.Nga 24 shkurti deri me tash, mbi 4.5 milion qytetarë të Ukrainës janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre të kalojnë në shtetet fqinje dhe ato të Evropës Perendimore. Po aq refugjatë janë zhvendosur në brendësi të Ukrainës ku nuk ka luftime.

Çdo ditë e më shumë ushtria ruse dhe drejtuesit e saj po kualifikohen kriminel lufte që ushtrojnë krimin e gjenocidit kundër popullit ukrainas. Kriza në Ukrainë po merr dimensione dramatike. Masat e marra nga bota e demokracive perendimore padyshim që e lodhin Rusinë. Por, Rusia nuk gjunjëzohet nëse nuk vihet nën embrgo të plotë, sidomos nëse nuk ndërpritet furnizimi i vendeve evropiane me gazin dhe naften ruse. Derisa vendet evropiane do të marrin gazin dhe naftën nga Rusia, ajo do të iu përballojë sanksioneve të tjera dhe Putini me klanin e tij luftënxitës meqë nuk kanë arritur shpejt ta pushtojnë Kijevin, të përmbysin institucionet legjitime të Ukrainës, do të insistojnë me ngulm për pushtimin e pjesë lindore dhe jugore të Ukrainës me metodat më brutale çfarë janë parë gjatë luftës së dytë botërore, apo me përmasa shkatërrimtare shumë më të mëdha se ato të luftrave pushtuese të Serbisë në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.Rusia dhe ushtria e sajë nuk kanë mundur të qëndrojnë në Afganistan, përkundër superioritetit ushtarak përballë reziestencës së afganëve muxhahedinë. Sot ata mund të pretendojnë të pushtojnë pjesë të Ukrainës, por vështirë se do të mund të qëndrojnë në Ukrainë përveq në territoret ku dominon popullata ruse të cilët kanë orientime proruse, siq kanë qëndruar deri tash në Krime. Madje sipas disa indikacioneve pas aksioneve barbare të ushtrisë ruse shumë prej ukrainasve të deklaruar rus, kanë filluar të mos e mbështesin planin e Putinit dhe të ushtrisë ruse për pushtim dhe aneksim të pjesëve të Ukrainës…

Lufta në Ukrainë i dha fund rendit të deritashëm botërorë. Rusia për shkak të agresionit të saj dhe veprimeve barbare ndaj popullates civile ka filluar të përjashtohet nga mekanizma të rëndësishëm ndëkrombëtar, madje ka zëra se Rusia duhet të privohet nga e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Megjaithatë përkundër reagimeve dhe dënimeve nga bota demokratike, përkundër sanksioneve ekonomike, përkundër kualifikimit nga bota demokratike se ushtria ruse po ushtron gjenocid, përkundër humbjeve të theksuara ushtarake, Rusia me Putinin në krye me kryenqësi insistojnë në ralizimin e ambicieve të tyre ushtarake dhe përderisa nuk do të kenë thyerje edhe të brendshme Rusia do të aktrojë sikur është e interesuar që përmes bisedimeve t’i jep fund krizës.

Fundi i luftës në Ukrainë, pavarësisht epilogut të saj, do ta kthejë kohën pas dhe do të thellojë për kohë të gjatë edhe më shumë hendekun në mes mes të lindjes dhe perendimit. Nga të gjitha vendet e kontinentit të vjetër vetëm Bjellorusia dhe Serbia janë rrshtuar pro Rusisë. Bjellorusia në një mënyrë është e përfshirë në luftë, ngase nga territotri i saj ka pasur sulme në Ukrainë, dhe me deklarata vazhdon ti ngacmojë fqinjët e saj, kurse Serbia vazhdon të paraqesë kërcenim serioz për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit ngase me të njejtat metoda sikurse Rusia me gjasë edhe të sinkronizuara, ka vazduar të mbajë raporte të tensionuara dhe të krijojë tensione sidomos me, Kosovën, Bosnjen dhe Malin e Zi e deri diku edhe me Kroacinë.

Ndëshkimi i Serbisë për luftrat e shkaktuara në Ballkan nuk ka qenë i mjaftueshëm. Kjo pandëshkueshmëri për gjenocidin e shkaktuar në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, sikur e ka trimëruar Serbinë dhe përkundër debaklit ushtarak të pësuar në luftarat që i shkakatoj vetë, ka vazhduar të udhëhiqet me politikat e saja tradicionale shoviniste, hegjemoniste dhe luftënxitëse. Furnizimi Serbisë me armatime të rënda nga Rusia dhe Kina, e shton pasigurinë në Ballkan dhe Serbinë e bënë sërish destabilizuese të rajonit, ngase atë që ëndërron Putini dhe Rusia për pushtimin, aneksimin, dhe dominimin në ish republikat sovjetike, të njejtën gjë e ëndërron edhe Vuçiqi dhe Serbia për pushtimin, aneksimin e territoreve të cilat sot po i quan bota serbe dhe dominimin në hapësirat e ish Jugosllavisë…

Ramadan Avdiu 13.04.2022