Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe rivalja e tij e ekstremit të djathtë Marine Le Pen pritet të përballen në një balotazh më vonë gjatë këtij muaji, ashtu sikurse ndodhi edhe në vitin 2017. Ata u renditën në vendin e parë e të dytë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën të dielën, duke marrë përkatësisht 27 dhe 23 për qind të votave. Megjithëse zoti Macron shihet si më i favorizuar për të fituar një mandat të dytë, sondazhet tregojnë një garë të ngushtë dhe një mundësi për fitore të kandidates së ekstremit të djathtë. Korrespondetja e Zërin e Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi.
Tani për tani Emmanuel Macron duket të jetë më pranë fitores.
Por shumë pranë tij, me vetëm disa pikë diferencë, renditet Marine Le Pen, e partisë së ekstremit të djathtë “National Rally”, (Tubimi Kombëtar).
Një tjetër fitues i madh i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën të dielën, ishte përqindja e atyre që abstenuan. Më shumë se një e katërta e francezëve me të drejtë vote, nuk votuan. Një pjesë ishin të pavendosur deri në minutën e fundit.
“Kam marrë të gjitha fletët e votimit, por ende nuk e di për kë të votoj, sepse ka shumë gënjeshtra. Kur të shkoj në qendrën e votimit do të vendos nëse do të votoj për presidentin apo të tjerët“, thotë Paulette Jean-Baptiste, votuese.
“Votova për presidentin aktual, zotin Macron. Arsyeja është rezultati i 5 viteve të fundit, nuk është dhe aq i keq sipas meje. Së dyti, dhe kjo është shumë e rëndësishme, sfiduesja, ajo për mua është e rrezikshme për Francën”, thotë Patrick Giraudeau, votues.
Por shumë francezë nuk mendojnë të njëjtën gjë. Ata duket se anojnë nga zonja Le Pen, e cila bëri fushatë në garën e saj të tretë presidenciale duke u përqëndruar tek shqetësimet ditore të votuesve, si kostoja e jetesës e më pak tek propozimet e saj të debatueshme, si ndalimi i grave myslimane, që të mbajnë shami në publik, apo tek një rol i reduktuar i Francës në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër rivali i saj i djathtë, Eric Zemmour, me pikëpamje edhe me ekstreme, e ka bërë atë të duket një kandidate më e pranueshme. Pas humbjes të dielën, zoti Zemmour u kërkoi mbështetësve të tij që të votojnë zonjën Le Pen në raundin e dytë.
Ndërkohë më në fund Presidenti Macron po merr pjesë në fushatë, diçka që ai nuk e bëri në raundin e parë. Ekspertët thonë se kjo i kushtoi atij vota.
“Macron duhet të jetë aty. Ai ka shumë nevojë për fushatë. Duhet të jetë kudo, të bisedojë me të gjithë e të trajtojë të gjitha çështjet ndaj të cilave ai duket se ka krijuar distancë, pikërisht problemet e jetës së përditshme. Pagat, koston e energjisë elektrike, qiratë, të gjitha këto. Ai duhet të jetë i pranishëm”, thotë analistja politike Nicole Bacharan.
Ashtu siç bënë në zgjedhjet e fundit presidenciale, disa kandidatë që humbën në raundin e parë, po u bëjnë thirrje francezëve që të zgjedhin zotin Macron, duke krijuar një bllok kundër të djathtës ekstreme. Por jo të gjithë.
Një prej kandidatëve të fortë, udhëheqësi i së majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon, i cili doli i treti me një rezultat solid në raundin e parë, u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mos votonin për zonjën Le Pen, por nuk u kërkoi atyre të votonin për zotin Macron.
“As që më shkon mendja se e djathta ekstreme mund të fitojë në Francë, por nëse do të ndodhë kështu, kjo më shqetëson. Do të zhgënjehesha me Francën”, thotë Marie Ruetsch, mbështetëse e Melenchon-it.
Zonja Ruetsch thotë se ajo mund të votojë për zotin Macron në balotazh. Por është e paqartë se sa zgjedhës të tjerë, të cilët mund të jenë të zhgënjyer nga presidenti, apo terreni politik në përgjithësi, do të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe kjo, thonë ekspertët, mund të përfundojë të jetë një lajm i mirë për zonjën Marine Le Pen.