Trupat ruse në fillim të agresionit në Ukrainë nga Vladimir Putin, thuhet se kishin sjellë me vete uniforma parade – në pritje të një fitoreje brenda disa ditësh.

Por një vit më vonë, asnjë uniformë e tillë nuk është veshur, falë qëndrueshmërisë së Ukrainës, ndihmës perëndimore dhe dështimeve ruse në fushën e betejës.

Madje, gjatë kësaj lufte, ushtria e Putinit ka hasur në disa pengesa, disa prej të cilave ua sjellim më poshtë:

Dështimi për të marrë Kievin

Trupat ruse përparuan shpejt kur filluan agresionin e tyre më 24 shkurt 2022, duke përfshirë në jug rreth Khersonit dhe në verilindje afër Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës.

Frika u rrit se kryeqyteti mund të pushtohej së shpejti dhe presidenti ukrainas Volodymr Zelensky të kapej ose vritej, gjë që mund të çonte në dorëzimin e shpejtë të Ukrainës.

“Unë mendoj se nëse shikoni prapa, në 30 ditët e para, nëse rusët mund të kishin marrë taktikisht Kievin dhe të vrisnin ose kapnin Zelenskyn, ne mund të ishim në një pozicion shumë, shumë të ndryshëm”, ka thënë për Newsweek, Dale Buckner, CEO i firmës ndërkombëtare të sigurisë Global Guardian, përcjell Telegrafi.

“Unë mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë jashtëzakonisht rëndësinë e tij. Unë mendoj se ata e nënvlerësuan fuqinë e tij simbolike, temat dhe mesazhet dhe rëndësinë e të qenit ndërlidhës me Perëndimin, NATO-n dhe SHBA-në”.

Ndërsa trupat ruse formuan një kolonë 40 milje (rreth 65 kilometra) përgjatë autostradave në veri të Kievit, trupat e Gardës Kombëtare të Ukrainës zunë pozicione mbrojtëse në urat që hynin në qytet, u ngritën barrikada antitank dhe banorët u mblodhën, të armatosur me kokteje Molotov.

Trupat ruse arritën në qytetet Irpin dhe Bucha, në veriperëndim të kryeqytetit, ku hetuesit kanë mbledhur prova të gjera për ato që ata thonë se janë mizori të kryera kundër civilëve, të cilat Moska i mohon.

Pati gjithashtu luftime rreth Brovary, në lindje të Kievit.

Por autokolona ngeci dhe kryeqyteti nuk ra kurrë, pasi forcat ukrainase ndërprenë linjat e furnizimit ruse, ndaluan aeroplanët që transportonin trupa nga zbarkimi dhe shkatërruan automjete të blinduara ruse.

Ishte një rezistencë kundër agresionit të Putinit që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Mbytja e Moskva-s

Çmimi i anijes flamurtare të Flotës ruse të Detit të Zi ishte rreth 750 milionë dollarë, por fundosja e saj më 14 prill pa dyshim i dha një goditje edhe më të kushtueshme reputacionit të fuqisë detare të Rusisë.

Krenaria e flotës ruse të Detit të Zi ishte gjendur nën ujë dhe Ukraina tha se e kishte goditur anijen me raketa Neptun.

Moska e mohoi këtë, duke thënë se municioni në bord shpërtheu në një zjarr të pashpjegueshëm dhe anija u mbyt ndërsa po tërhiqej në port.

Rusia tha se një marinar u vra dhe 27 të zhdukur, por raportet e paverifikuara tregojnë për qindra viktima dhe të afërm që kërkojnë përgjigje për atë që ndodhi.

Ajo që ishte e qartë ishin pamjet e anijes me tym të zi që dilte në ajër dhe poshtërimi që rezultoi për Putinin.

Shpërthim në urën e Kerch

Shpërthimi në urën mbi ngushticën e Kerch që simbolizon pushtimin rus të gadishullit të Krimesë, të pushtuar në vitin 2014, ishte befasues.

Ai pasoi një verë sulmesh në vendet ruse në Krime, duke përfshirë bazën ushtarake Saki më 9 gusht.

Më 8 tetor, një ditë pas ditëlindjes së 70-të të Putinit dhe disa ditë pasi ai kishte pretenduar aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, një pjesë e urës ishte në flakë me imazhe dramatike të tymit që dilte nga një tren dhe seksione rrugore të shembura.

Askush nuk e mori përgjegjësinë dhe Zelensky tha se Kievi “nuk e urdhëroi” shpërthimin. Shërbimet ruse të sigurisë FSB thanë se tetë persona, përfshirë pesë rusë, u arrestuan në lidhje me shpërthimin, përcjell Telegrafi.

Goditjet në urën e Kerch dhe në Moskva kanë qenë domethënëse edhe nëse ato nuk kanë dhënë një avantazh të menjëhershëm strategjik.

Humbje të mëdha trupash

Vlerësimet e Kievit për humbjet ruse sugjerojnë se Putini ka humbur më shumë trupa këtë muaj se në çdo moment të pushtimit. Madje, tri herë këtë muaj, Kievi ka pretenduar më shumë se 1,000 vdekje ruse në një ditë.

Putini ka humbur gjithashtu shumë komandantë të rangut të lartë me inteligjencën japoneze që vlerëson se 20 gjeneralë rusë janë vrarë në luftë – dy herë më shumë se sa ishte raportuar më parë.

Presidenti rus ka ndryshuar katër herë udhëheqjen e luftës së tij deri më tani, në janar duke emëruar shefin e shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov për të zëvendësuar Sergey Surovikin, i cili kishte qenë në komandë vetëm që nga tetori.

Dhe zëvendësadmirali i Marinës së SHBA në pension, Robert Murrett, i cili është zëvendësdrejtor i “Syracuse University Institute for Security Policy and Law”, tha se në nivelin strategjik, pengesa më e madhe për Putinin janë “viktimat e mëdha që kanë marrë rusët”.

Ai tha për Newsweek se forcat ruse janë ndikuar nga “dobësia që ata kanë treguar në strukturën e tyre komanduese dhe mungesa e trajnimit dhe efektivitetit të forcave të tyre tokësore në veçanti, por edhe në një farë mase nga forcat e tyre ajrore dhe detare”.

Performanca e lëkundur ruse në luftë sjell gjithashtu lehtësim për forcat e Kievit.

“Udhëheqja brenda ushtrisë ukrainase dhe gjithashtu në nivel civil me ministrin e mbrojtjes dhe presidentin e tyre, është shumë më efektive”, vlerëson ai.

Tërheqja nga Khersoni

Ndërsa forcat ruse u përballën me një kundërofensivë ukrainase e cila kishte marrë vrull, forcat e Putinit u tërhoqën nga i vetmi kryeqytet rajonal që kishin marrë që nga fillimi i agresionit.

Komandanti i atëhershëm i Rusisë në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, tha në nëntor se nuk ishte më e mundur të vazhdonte furnizimin e qytetit dhe tërheqja nënkuptonte që trupat e tij të tërhiqeshin nga bregu perëndimor i lumit Dnieper.

Kjo tregoi vështirësitë që kishin forcat e Putinit për të mbajtur territorin që kishin fituar më herët gjatë luftës.

“Nëse ata do të kishin qenë në gjendje të rifurnizoheshin me ushqim, ujë, municione, karburant dhe më e rëndësishmja, ata do të sillnin të plagosurit dhe të vdekurit dhe do t’i zëvendësonin me trupa të freskëta në mënyrë efikase, ata mund ta mbanin atë terren”, mendon Buckner.

“Për shkak se ata nuk mundën, atëherë humbën të gjitha pjesët e fituara në tre muajt e parë”.

Kështu, me hyrjen e luftës në muajt e dimrit, shpresa e Putinit për një fitore të lehtë ishte zhdukur prej kohësh përballë mangësive në forcat e tij, qëndrueshmërisë ukrainase dhe mendjemadhësisë së tij.

Konstantin Sonin, një ekonomist politik me origjinë ruse në Shkollën Harris të Politikës Publike të Universitetit të Çikagos, tha se Putini e kishte nisur luftën bazuar në një “llogaritje të gabuar të madhe” dhe se pengesat gjatë 12 muajve të fundit tregojnë se ai nuk po përshtatet me realitetin në terren.

Putini kishte vepruar pas “një nënvlerësimi të madh të qëndrueshmërisë së ushtrisë ukrainase, të sistemit politik ukrainas, të kombit ukrainas dhe të reagimit perëndimor”, ka thënë ndër tjerash Sonin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten u tregua i matur ndaj një propozimi të Kinës për një armëpushim në Ukrainë, duke thënë se Pekini nuk ka shumë besueshmëri si ndërmjetës.

“Kina nuk ka shumë besueshmëri sepse nuk ka qenë në gjendje të dënojë pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”, u tha ai gazetarëve në Talin të Estonisë, duke shtuar se Pekini kishte nënshkruar një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin vetëm disa ditë para pushtimit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Kina nuk kishte dhënë një plan paqeje, por vetëm disa parime.

“Ju duhet t’i shihni ato (propozimet e Kinës) në një sfond specifik, dhe ky është sfondi që Kina tashmë ka marrë anën (e Rusisë) duke nënshkruar, për shembull, një miqësi të pakufizuar menjëherë përpara pushtimit”, theksoi ajo.

“Kështu që ne do t’i shikojmë parimet, natyrisht, por do t’i shikojmë ato në sfondin që Kina ka marrë një anë të caktuar”, shtoi ajo.

Në përvjetorin e luftës në Ukrainë, Kina bëri thirrje për një armëpushim midis Kievit dhe Moskës dhe hapjen e bisedimeve të paqes, përmes një propozimi prej 12 pikash, për t’i dhënë fund luftimeve që filluan një vit më parë.

Pekini pretendon se ka një qëndrim neutral në luftë, por Kina ka thënë gjithashtu se ka një “miqësi të pakufizuar” me Rusinë dhe ka refuzuar të kritikojë pushtimin e saj në Ukrainë, apo edhe t’i referohet si pushtim.

Vendi ka akuzuar Perëndimin për provokimin e konfliktit dhe se po i “hedh benzinë zjarrit” duke i ofruar Ukrainës armë mbrojtëse.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë thënë se Kina mund të përgatitet t’i ofrojë Rusisë ndihmë ushtarake, diçka për të cilën Pekini thotë se i mungojnë provat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Ëang Ëenbin e ka quajtur akuzën “asgjë më shumë se gënjeshtër dhe shpifje”.

Perëndimi ka shprehur dyshime nëse Kina mund të shihet si një ndërmjetës i ndershëm.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price ka thënë të enjten se SHBA do të rezervonte gjykimin mbi propozimin, porse besnikëria e Kinës ndaj Rusinë nënkupton se ajo nuk është një ndërmjetës neutral.

“Ne nuk do të donim të shohim asgjë më shumë se një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme … por ne jemi skeptikë se raportet për një propozim si ky do të jenë një rrugë konstruktive”, tha ai.

Stoltenberg dhe von der Leyen udhëtuan për në Talin për të përkujtuar ditën e Pavarësisë së Estonisë së bashku me kryeministren Kaja Kallas.

Njëzetekatër shkurti shënon përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës.

Teksa lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të dytë, Kallas u kërkoi partnerëve të BE-së dhe NATO-s të siguronin prokurimin e përbashkët të armëve dhe municioneve për Ukrainën.

Përktheu dhe përshtati Adnan Aliti

Avionët e rinj luftarakë të Amerikës mund të mbajnë armë bërthamore në mbarë botën
 Pasditen e së premtes, një lloj i ri avion luftarak amerikan u prezantua në një fabrikë avionësh në shtetin e Kalifornisë.

Prodhuesi i avionëve dhe armëve Northrop Grumman Corp zbuloi të premten bombarduesin e tij të ri B-21.

 Avioni është i pari në flotën e re të avionëve sulmues me rreze të gjatë për Forcën Ajrore të SHBA.

 B-21 të premten pas dite u prezantua në një ceremoni dramatike në fabrikën e avionëve Plant 42 në Palmdale, Kaliforni.
Avioni i ri luftarak mund të mbajë armë konvencionale dhe bërthamore në mbarë botën.

 Lloji i avionit kushton rreth 750 milionë dollarë – ekuivalente me rreth 5.3 miliardë korona.  Forcat Ajrore të SHBA-së planifikojnë të blejnë të paktën 100 avionë.

 B-21 do të zëvendësojë tipet e avionëve B-1 dhe B-2 që Forcat Ajrore të SHBA-së përdorin aktualisht.

 Avioni i ri luftarak ka një material sipërfaqësor më të qëndrueshëm që e bën më të vështirë shikimin në një radar.

Materiali gjithashtu do të kërkojë më pak mirëmbajtje dhe do të mbajë kostot operative të ulëta, thotë Doug Young, nënkryetar sektori në Northrop Group Aeronautics Systems.

 Northrop Grumman e quan këtë lloj avioni një avion të gjeneratës së gjashtë, sepse mund të lidhet me avionë të tjerë dhe të integrojë lehtësisht lloje të tjera armësh në sistemin e tij.

 Në prezantim u shfaqën videot e para dhe imazhi i tipit të ri të avionit.  Më parë, ishin në dispozicion vetëm paraqitjet grafike.

 Gjashtë avionë B-21 janë në prodhim dhe avioni i parë mund të jetë në krahë nga mesi i vitit 2023.

 Më shumë se 8,000 punonjës të Northrop Grumman, partnerët e tyre dhe Forcat Ajrore të SHBA janë duke punuar aktualisht në prodhimin e avionit.

 Northrop Grumman fitoi ofertën për të ndërtuar bombarduesin e ri të Forcave Ajrore të SHBA në 2015.

 Më shumë se 400 furnizues në 40 shtete po ndihmojnë për të zgjidhur detyrën e vendosjes së avionëve të rinj në krahë.

Kur nisi pushtimin e Ukrainës, Putini ndoshta besonte në një fitore të shpejtë. Por mobilizimi i fundit tregon se ky ishte një iluzion. Sa e fortë është vërtet ushtria ruse?

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska bëri gjithçka që mundi për të ruajtur statusin e saj si një superfuqi – duke përfshirë edhe statusin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkimi Sovjetik nuk mund të konkurronte ekonomikisht me shumë vende perëndimore. Por Kremlini e ka justifikuar gjithmonë pretendimin e Moskës si një superfuqi në aspektin ushtarak. Rusia, është thënë me dekada, ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të fuqishme në botë – duke përfshirë edhe armët bërthamore. Presidenti Putin rregullisht i dërgonte botës imazhe të paradave ushtarake me një koreografi të përsosur në Moskë ose përmes manovrave nga forcat e tij të armatosura.

Por sa e fuqishme është vërtet një ushtri nuk demonstrohet me parada në Sheshin e Kuq, por në fushën e betejës? E në fushëbetejë rusët po përjetojnë humbje të mëdha nga një ushtri shumë më e vogël, si ajo e Ukrainës, një ushtri e cila deri para pak vitesh nuk ekzistonte fare. Si mund të ndodhë kjo?

Sa e madhe është ushtria e Putinit?

Sipas Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, forcat e armatosura ruse në letër mund të jenë 1 milion, e në të ardhmen pretendojnë të jenë madje deri në 1,1 milion ushtarë. Por madhësia reale është më e vogël, shpjegon ajo për Deutsche Wellen. Një pjesë e madhe e njësive ruse që janë gati për veprim janë vendosur tashmë në Ukrainë. Ato kanë pësuar humbje të rënda, për shkak të vrasjeve dhe plagosjve të ushtarëve”, thotë ajo. Nuk ka shifra të sakta, por shërbimi sekret amerikan CIS beson se Rusia ka pasur deri tani dhjetra mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Deri më tani kanë vuajtur më së shumti regjimentet e stacionuara në pjesën aziatike të Rusisë gjatë kohës së paqes, thotë George Barros i Institutit për Studime të Luftës në SHBA. Ideja se Rusia ka rezerva ushtarësh të gatshëm për veprim nuk ka të bëjë fare me realitetin, tha ai për DW. Sipas Barros, rrjedha e deritanishme e luftës tregon se bota e ka mbivlerësuar prej kohësh forcën e ushtrisë ruse.

Margarete Klein shpjegon se Rusia tani duhet të thërrasë rezervistët për të plotësuar boshllëqet që kanë lindur si rezultat i humbjeve. Në fund të fundit, sipas Barros, qëllimi i Putinit në thirrjen e rezervistëve është të mbajë vijën aktuale të frontit dhe jo të fitojë territore të tjera.

Ushtarët pa stërvitje dhe pajisje

Fuqia ushtarake e Rusisë shihet nga vet fakti se kush po mobilizohet aktualisht. “Ka burra që janë mbi moshën 50 vjeç dhe kanë probleme shëndetësore”, thotë eksperti. Shembuj të shumtë në rrjetet sociale i konfirmojnë këto pohime.

Rezervistët duhet të trajnohen dhe të pajisen para se të dërgohen në luftë, thotë Barros. Një pjesë prej tyre do të trajnohen vetëm një ose dy muaj, që nuk mjafton. Por shumë të tjerë dërgohen drejt në front pa asnjë trajnim dhe pa pajisje fare, thotë ai. Ai nuk e beson se me rezervistë të tillë mund të arrihen suksese ushtarake. Ka gjasa të rritet vetëm numri i të vdekurve dhe të plagosurve.

Eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin është dakord me këto pohime. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas mendimit të tij, Ukraina do të vazhdojë të luftojë, pavarësisht nga i ashtuquajturi referendum që vasalët e Putinit mbajtën në lindje të Ukrainës. Për më tepër, Luzin mendon se industria ruse e armatimeve nuk është në gjendje të sigurojë furnizime në afat të shkurtër – sigurisht jo për rezervistët e thirrur aktualisht. Ndërsa Margarete Klein mendon se ka ende armë dhe predha të vjetra nga epoka sovjetike që ruhen në Rusi.

Por edhe këtu nuk është e sigurt nëse një pjesë e madhe e këtyre armëve nuk janë rishitur për shkak të korrupsionit apo nëse këto materiale mund të përdoren në luftë. Sipas Klein, industrisë ruse i mungojnë çipat për armë me precizion të lartë dhe pjesë të tjera rezervë. Por Rusia ka avantazhin që ka më shumë njerëz në dispozicion dhe kështu mund të dërgojë gjithnjë e më shumë rezervistë në luftë në planin afatgjatë, thotë për DW, Ted Galen Carpenter nga Instituti CATO në Uashington.

Shumë komponentë nevojiten për të qenë të suksesshëm në luftë, thotë George Barros. Ushtarë, armë moderne, stërvitje e mirë, udhëheqje, motivim, logjistikë, janë vetëm disa prej tyre. Thjesht dërgimi i më shumë burrave në front nuk do ta zgjidhë problemin që kanë rusët. Forcat ukrainase do të vazhdojnë të përparojnë. “Ofensiva juaj nuk ka mbaruar”, thotë Barros.

Rusët, nga ana tjetër, aktualisht janë të lumtur nëse mund të mbajnë pozicionet e tanishme. Në të kaluarën, forcat ruse ishin qartësisht superiore ndaj atyre të Ukrainës, edhe për sa i përket cilësisë së armëve dhe numrit të ushtarëve. Por udhëheqja ushtarake e Moskës nuk ishte në gjendje ta përdorte këtë epërsi për të arritur qëllimet strategjike në luftë, analizon ai.

Përdorimi i armëve bërthamore ka për synim frikësimin e Perëndimit

Kjo nuk mund të arrihet madje as me mercenarë të stërvitur dhe të pajisur mirë, si grupi i ashtuquajtur Wagner. Numri i tyre para luftës ishte rreth 8000-9000 luftëtarë. Por ato nuk do të përdoren vetëm në Ukrainë, sipas Barros. Në Ukrainën lindore ata luftuan si ushtarë të thjeshtë këmbësorie. Barros nuk mendon se ato do të ndikojnë dukshëm në rrjedhën e luftës.

Ekspertët pajtohen se Rusia me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore synon të frikësojë Perëndimin. “Ky kërcënim nuk është i ri”, thotë Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë. Qëllimi është të minojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përdorimi i armëve bërthamore nuk ka asnjë efekt ushtarak. Misioni mund të ketë kuptim vetëm politikisht; për shembull kur regjimi në Moskë përballet me një disfatë ushtarake. Por Margarete Klein e konsideron përdorimin e armëve bërthamore si të pamundur. Kjo do të thoshte se Putini do të humbiste mbështetjen nga Kina apo India. Nga ana tjetër, Ted Galen Carpenter i CATO thotë: “Nëse Putini përballet me zgjedhjen midis përdorimit të armëve bërthamore ose duhet të përgjigjet për krimet e tij në një gjykatë ndërkombëtare, ai do të zgjedhë opsionin bërthamor”.

Barros dhe ekspertë të tjerë besojnë se pas referendumeve të rreme që po zhvillohen aktualisht, Putin do të aneksojë Ukrainën lindore dhe jugore. Pas kësaj ai mund të përdorte edhe rekrutët dhe trupat e Ministrisë së Brendshme në këto zona, gjë që aktualisht është e ndaluar për arsye ligjore. “Forcat ruse kanë nevojë për pushim, janë të rraskapitura”, thotë Barros. Ai pret sulme të mëtejshme nga pala ukrainase këtë dimër.

Fundi i shpejtë i luftës në horizont?

Ted Galen, carpenter i NATO-s thotë, se Rusia dëshiron një fund të shpejtë të luftës. Ukraina dhe Perëndimi duhet të tregohen të gatshëm për të negociuar. Margarete Klein dhe George Barros, të cilët nuk besojnë në një përfundim të shpejtë të luftës, i shohin gjërat shumë ndryshe. Putin shpreson se Perëndimi do të heqë dorë nga mbështetja e tij për Ukrainën. Sipas Klein, rezultati i luftës në fakt varet nga kjo mbështetje e vazhdueshme e Ukrainës. Kjo luftë mund të përfundojë realisht vetëm nëse Rusia pëson një disfatë totale, thotë eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin.

DW

Nga Federico Giuliani “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Futja e luftës në një qorrsokak, arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që i kënaq të gjithë, shpresë për humbjen e njërës nga palët e përfshira apo ngrirje e konfliktit pa e zgjidhur problemin në rrënjë. Zgjidhjet për konfliktin ukrainas janë gjithnjë e më të kufizuara, midis kërkesave të papajtueshme të Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, fantazma e fuqisë bërthamore që shfaqet mbi Evropën dhe interesat kontradiktore të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Negociatat që u zhvilluan në pranverë nuk sollën praktikisht asgjë, ndërsa ndërmjetësimi më i fundit i Recep Tayyp Erdogan lejoi vetëm zhbllokimin e eksporteve ukrainase të grurit në tregjet globale. Në Ukrainë njerëzit vazhdojnë të qëllojnë, të luftojnë dhe të vdesin.

Midis fundit të muajit gusht dhe fillimit të shtatorit, ushtria ukrainase nisi një kundërofensivë të dyfishtë. Ajo në jug të vendit, në Kherson, nuk solli rezultatet e shpresuara, ndërsa ajo në Kharkiv, i dha mundësi Kievit të rimarrë një pjesë të konsiderueshme të territorit, të sprapsë trupat ruse dhe të vërë në dyshim pushtimet e Moskës në Donbass.

Ne nuk e dimë nëse Ukraina do të ketë ende mundësi – por edhe forcë, si në aspektin e njerëzve ashtu edhe atë të burimeve materiale – për të përsëritur një veprim të tillë. Me siguri jo. Në çdo rast, pasi u kapën në befasi (deri në një masë, sepse kundërofensiva ukrainase ishte paralajmëruar prej muajsh), rusët nuk duan që të kapen sërish të papërgatitur.

Ndaj, Putini ka zgjedhur të përshkallëzojë konfliktin duke shpallur referendume për aneksimin e rajoneve të pushtuara ukrainase si dhe mobilizimin e pjesshëm për të mbledhur trupa të reja që t’i dërgojë në front. Nëse siç pritet, referendumet do të kenë një rezultat pozitiv, territoret e kontrolluara nga Moska do të bëheshin de fakto pjesë përbërëse e territorit rus.

Perëndimi mund të mos e njohë vlefshmërinë e tij, por Kremlini po. Pra në atë moment, nëse Kievi do të vazhdojë t’i bombardojë ato territore, atëherë Putini do të ndihej i autorizuar të përdorë mjetin e fundit që ka në dispozicion: armët bërthamore. Ky skenar do të kishte rezultate të paparashikueshme për mbarë njerëzimin. Ja cilat janë 5 skenarët e mundshëm për vazhdimin dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.

  1. Skenari afgan

Lufta do të vazhdojë për javë, muaj, madje edhe vite. Rezervistët e mobilizuar nga Putini nuk mund të dërgohen menjëherë në Ukrainë. Fillimisht ata duhet të trajnohen për disa muaj, ndoshta 4 ose 6. Ndërkohë, pasi të përfundojë kundërofensiva ukrainase, konflikti do të rikthehet sërish në një ngërç të përgjakshëm shumëvjeçar.

Dëmin më të madh do ta pësojë popullsia ukrainase. Evropa do të paguajë çmimin më të lartë, të paktën nga pikëpamja ekonomike dhe energjetike. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kievin, por nga një distancë e sigurt. Nga ana e tij, Putin do të vazhdojë të drejtojë operacionet nga Kremlini derisa të ketë arritur qëllimet e tij. Përfundimi mund të jetë shumë i largët dhe madje i paqartë. Ashtu siç ndodhi në luftën 20-vjecare të SHBA-së Afganistan. Shumë pak fitues, shumë humbës.

  1. Skenari vietnamez

Presionet e brendshme, protesta të shoqërisë civile dhe pakënaqësia e partnerëve më të rëndësishëm të Rusisë, me në krye Kinën. Kriza ndihet dhe ushtria ruse ka ngecur në vend. Për të parandaluar më të keqen, Putin detyrohet të tërheqë njerëzit e tij nga Ukraina. E pamundur të imagjinohet se çfarë mund të ndodhë në atë moment.

Shumë gjëra do të varen nga shkalla e “poshtërimit”. Nëse strategjia e largimit do të jetë shumë e papritur, kreu i Kremlinit mund të rrezikojë të rrëzohet. Në atë moment, Federata Ruse do të përjetojnë një gjendje kaotike. Kush do ta pasojë? Është e pamundur të thuhet. Në bazë të përgjigjes, mund të kemi një situatë më të qartë mbi armët bërthamore. Nëse frenat e vendit bien në duart e një “skifteri” të etur për hakmarrje ndaj bllokut perëndimor, situata mund të përkeqësohet më tej.

  1. Skenari sirian

Ushtria ruse ruan kontrollin e rajoneve të pushtuara. Referendumi i aneksimit i çimenton kufijtë e rinj dhe Kievi – bashkë me SHBA dhe BE – duhet të pranojnë faktin e kryer. Lufta është pamundur të vazhdohet më tej, nëse nuk dëshirohet një konflikt bërthamor. Ajo do të vazhdojë për muaj, në mos vite.

Por do të zhvillohet në zona të veçanta, ndërsa Ukraina do të ndahet në zona të shumta ndikimi. Zelensky do të mbetet në pushtet, ose mund të shkarkohet nga një pjesë e ushtrisë për humbjet që lejoi, ose më saktë për fitoret e humbura. Pavarësisht nga e ardhmja e qeverisë ukrainase, rezultati përfundimtar është se Rusia do t’i ketë arritur qëllimet e saj strategjike. Ashtu si në Siri.

  1. Skenari korean

Pas muajsh luftime me intensitet të ulët, delegacionet ruse dhe ukrainase, të mbështetura përkatësisht nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, takohen për t’i dhënë fund armiqësive. Kievi dhe Moska bien dakord për një armëpushim në pritje të zgjidhjes së problemeve dhe plotësojnë, aty ku është e mundur, kërkesat e ndërsjella.

Ne nuk e dimë se kur apo nëse do të ndodhë kjo gjë, dhe as nëse do të rifillojnë luftimet.

Në këtë skenar, lufta në Ukrainë do të kthehej në një luftë të ngrirë, me një vend të ndarë përgjysmë dhe në tension të vazhdueshëm. Ashtu si në gadishullin Korean.

  1. Skenari bërthamor

Është hipoteza më e frikshme. Pavarësisht referendumit në territoret e pushtuara, ukrainasit vazhdojnë të sulmojnë zonat e aneksuara nga Rusia. Në atë moment jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi të ri, që mund të kulmojë me konfliktin bërthamor. Putin do të shtypë butonin e kuq, fillimisht për të demonstruar qëllimet e tij. Gjykuar nga deklaratat e Joe Biden, Shtetet e Bashkuara dhe NATO mund të kundërpërgjigjen me goditjen e dytë.

Dhe kështu me radhë, deri në një pikë pa kthim. Diplomacia duhet të bëjë gjithçka për ta shmangur një skenar të tillë. Ky skenar nuk është i largët. Kujtojmë se gjatë Luftës së Koresë, Shtetet e Bashkuara ishin një hap larg nga përdorimit i armëve atomike për herë të dytë, pas asaj në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Irani ka arrestuar 739 protestues, përfshirë 60 gra vetëm në provincën Guilan gjatë protestave javën e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares kurde Mahsa Amini. Të paktën 50 persona humbën jetën në protestat gjatë shtatë ditëve, sipas burimeve të opozitës dhe OJQ-ve.

Ndërkohë, presidenti ultra-konservator iranian, Ebrahim Raisi, tha se demonstratat dhe trazirat në Iran duhet të trajtohen “me ashpërsi”.

Raisi i përshkroi demonstruesit si “rebelë që prishin rendin dhe sigurinë në vend” gjatë një bisede telefonike me Mohammadrasul Doustbeigi, një anëtar i Gardianëve të Revolucionit (Pasdaran) dhe i milicisë që mbron vendet e shenjta shiite, e cila lufton në Irak dhe Siri.Ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi, nga ana e tij tha se demonstruesit “ndjekin SHBA-në dhe vendet europiane dhe kundërrevolucionarët me qëllim që të krijojnë rrëmujë dhe shkatërrim në vend”, duke shtuar se ndalimi i internetit, në Whatsapp dhe Instagram do të vijojnë deri në fund të protestave.

Ish-zëvendës kapiteni i marinës turke koDzihat Yayci komentoi bazën ushtarake amerikane në Aleksandropoli, si dhe heqjen e embargos së armëve amerikane ndaj Republikës së Qipros.

“Ata duan ta tërheqin Turqinë në një konflikt”, deklaroi admiral Dzihat Yayci, duke argumentuar se prania amerikane në Aleksandropolis të Greqisë shkel Traktatin e Lozanës.

SHBA, NATO dhe Perëndimi tani duan kufirin lindor në Greqi dhe jo në Turqi”, tha Yaitzi, duke iu referuar pajisjeve ushtarake amerikane që po grumbullohen në Aleksandropolis, të cilat, sipas tij janë thjesht “fyese në natyrë”.

Ai vuri në dukje rëndësinë e Aleksandropolisit për SHBA-në, duke thënë se është një “portë amerikane” për në Ballkan dhe në Detin e Zi. 

Është gjithashtu e qartë se kjo është një përpjekje për të frenuar dhe kontrolluar Turqinë dhe ngushticat turke nga ana e SHBA-së”, tha ai, duke theksuar se krijimi i një baze detare amerikane në Aleksandropolis: “prish ekuilibrin e Lozanës”.

Duke iu referuar heqjes së embargos amerikane për shitjen e armëve në Qipro, admirali në pension theksoi se kjo përkoi me synimin e Nikosiasit për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore “Iron Dome” nga Izraeli. “Një çështje e rëndësishme që nuk duhet anashkaluar”, u shpreh ai.

Yaitzi vuri në dukje se “ngacmimi” i supozuar i Greqisë, “sulmi” i Armenisë kundër Azerbajxhanit, prania amerikane në Aleksandropoli dhe mundësia e krijimit të një baze detare amerikane në qytet duhet të vlerësohen së bashku, si dhe heqja e embargos së armëve ndaj Qipros, sepse ato krijojnë një “klimë shpërthyese” që mund ta “tërheqë” Turqinë në konflikt në të ardhmen.

“Turqia duhet të jetë shumë, shumë e kujdesshme”, përfundoi ai. 

Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, duke u treguar me 18.40 për një dollar amerikan.

Kjo situatë vjen pasi Banka Qendrore e Turqisë e ka ulur normën e interesit – për herë të dytë brenda muajit – pavarësisht inflacionit të lartë.

Banka në Ankara ka thënë përmes një deklarate se “do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet” derisa të arrihet synimi i Qeverisë për inflacion 5 për qind.

Inflacioni turk ka rrëshqitur në mbi 80 për qind në gusht, sipas statistikave zyrtare.

Grupet e pavarura kërkimore besojnë se inflacioni brenda shtetit është dyfish më i madh sesa në shifrat zyrtare.

Banka Qendrore nuk e ka rritur normën e interesit prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimet e Bankës janë në linjë me teorinë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan që normat e ulëta të interesit, do të ndikojnë në ulje të inflacionit.

Sasitë e mëdha të importit që paguhen në dollarë kanë pasur ndikim të rëndë në kompanitë e vogla dhe ato të mesme në Turqi prej mesit të vitit 2018, kur lira është përballur me rënie të lirë.

Nga Michael Rubin “19 Forty Five”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë më shumë në mbrojtje të rendit liberal dhe mposhtjes së fashizmit sesa çdo udhëheqës që nga koha e kryeministrit britanik Winston Churchill në Luftën e Dytë Botërore. Burrat, gratë dhe fëmijët ukrainas kanë paguar një çmim shumë të lartë për këtë.

Në dallim nga shumë njerëz në Perëndim, që janë relativisht larg nga konflikti dhe kërcënimi ekzistencial, ukrainasit e kuptojnë shumë mirë koston e lirisë. Ndërsa administrata e presidentit amerikan Joe Biden është e unifikuar në mbështetje të ukrainasve në momentin që ata kanë më shumë nevojë se kurrë, e bënë këtë gjë me vonesë, duke vërtetuar disi batutën ironike të Churchillit: “Amerikanët bëjnë gjithmonë gjënë e duhur, por vetëm pasi në fillim kanë provuar gjithçka tjetër.”

Ukrainasit do të triumfojnë në këtë luftë, madje edhe nëse presidenti rus Vladimir Putin, mund të përdorë nga dëshpërimi armët bërthamore taktike. Për ta shmangur skenarin e fundit, shumë diplomatë perëndimorë mund të kërkojnë kompromis: ta lejojmë Rusinë të mbajë Krimenë apo disa pjesë të vetë-quajturave Republika Popullore të Donetsk dhe Luhansk, të grabitura gjatë agresionit të mëparshëm të Rusisë.

Por ky do të ishte një gabimi rëndë, pasi do të dërgonte mesazhin se agresioni ka pak kosto, dhe do të inkurajonte agresorët e ardhshëm që të angazhohen në të njëjtat taktika, siç po i përdor më butë Kina në Detin e Kinës Jugore, Azerbajxhani në Kaukaz apo Turqia përgjatë kufijve të saj në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje.

Kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është real. Putini është produkt i Bashkimit Sovjetik, ndaj është e shumë rëndësishme të kuptohen ndikimet e tij. Pasi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Polonisë, intelektuali dhe studiuesi Radek Sikorski de-klasifikoi skenarët sovjetikë që përfshinin përdorimin e armëve bërthamore në një luftë tokësore në Evropë.

Ato tregonin për turpin e Moskës, se udhëheqësit sovjetikë ishin të gatshëm të sakrifikonin polakët për të fituar. Putin ka të ngjarë që t’i konsiderojë ukrainasit rusisht-folës në Donetsk dhe Luhansk, si mish për top për të marshuar në territorin e ndotur nga rrezatimi radioaktiv, nëse ai do të përdorë armë bërthamore me rreze të kufizuar.

Përgjigja e saktë e Perëndimit ndaj një skenari të tillë, është që të mos i dorëzohemi frikës, dhe të vazhdojmë me strategjinë tonë parandaluese, si tani ashtu edhe në të ardhmen. Fakti që Bashkimi Sovjetik dhe pasardhësi i tij Rusia i kanë viktimizuar në mënyrë të përsëritur ukrainasit, vetëm e shton detyrimin për të vazhduar me këtë qasje.

Udhëheqësit sovjetikë vranë qëllimisht 4 milionë ukrainas gjatë Holodomorit, një gjenocid që i parapriu Holokaustit nazist. Fakti që presidenti amerikan George H.W Bush u përpoq më pas që t`u impononte ukrainasve të vazhdonin të ishin pjesë e të njëjtit shtet me torturuesit e tyre, mbetet një njollë e errët në trashëgiminë e presidentit të ndjerë.

Ndërkohë Perëndimi nuk mund të injorojë as faktin që përpara luftës aktuale, Rusia nkishte pushtuar pjesë të mëdha të territorit ukrainas. Fakti që Putini e bëri këtë pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme, i jep çdo qeverie të ardhshme në Kiev të gjitha arsyet të ketë frikë nga premtimet e Moskës, por edhe Uashingtonit.

Ukraina e pasluftës do të kërkojë arkitekturë të re të sigurisë, në mënyrë që Kievi të mos ketë nevojë që ta vendosë kurrë sigurinë e tij në mirëbesimin e vendeve fqinjë dhe partnerëve. Ndërsa Ukraina nuk ishte deri në fillim të këtij viti një kandidate serioze për t’u anëtarësuar në NATO, pavarësisht akuzave të izolacionistëve amerikanë dhe apologjetëve të Rusisë, ajo duhet të bëhet tani pjesë e aleancës, madje në mënyrë të përshpejtuar.

Pasi sot Ukraina do të sillte në NATO më shumë aftësi dhe kontribute se sa shumë anëtarë të tjerë të NATO-s. Madje NATO mund të përdorë një pjesë të frymës së jashtëzakonshme luftarake që kanë demonstruar ukrainasit. Në stërvitjet e ndryshme, forcat e NATO-s mund të përdorin udhëzimet e oficerëve ukrainas që kanë tashmë shumë përvojë në betejë.

Përvojat e ushtarakëve në Ukrainë, duhet shndërrohen në udhëzime për trajtimin e oficerëve të ardhshëm të NATO-s, nga Calgary në Kharkiv dhe nga Oslo në Odessa. Pentagoni duhet të zhvendosë ekipet e veta luftarake jo vetëm në Poloni dhe Rumani, por edhe në Ukrainë.

Megjithatë as anëtarësimi në NATO i Ukrainës, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të penguar sulmet e ardhshme të Rusisë. Tek e fundit, Putini ose pasardhësit e tij mund të synojnë që ta paralizojnë nga brenda aleancën e sigurisë, duke përdorur lidhjet e saj (dhe ndoshta nëpërmjet ryshfetit të drejtpërdrejtë) në shtete si Turqia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Përkundrazi, është gjithashtu koha që ukrainasit të lejohen ta fuqizojnë veten e tyre. Kjo nënkupton një rishqyrtim të qasjes së Kievit ndaj armëve bërthamore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara inkurajuan Ukrainën, së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, që të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore.

Siç e ka vënë në dukje opozitari rus dhe mjeshtri botëror i shahut Garry Kasparov, kjo lëvizje e fuqizoi shumë Rusinë në krahasim me shtetet e tjera ish-sovjetike, dhe tregon zbrazëtinë e ankesave të Kremlinit se Perëndimi e poshtëroi Rusinë pas rënies së BRSS.

Vetë Putini i dha fund premtimit të pas Luftës së Ftohtë, se Rusia do të qëndronte e vetme në krye të shumë shteteve ish-sovjetike, por nuk do t’i kërcënonte ato. Po ashtu ai shkeli angazhimet e Rusisë ndaj sovranitetit të Ukrainës të marra në Memorandumin e Budapestit. Perëndimi nuk duhet të lejojë që Moska ta na bëjë sërish budallenj. Qëllimi i Perëndimit duhet të jetë rivendosja e parandalimit bërthamor në Ukrainës, dhe vendosja e armëve bërthamore nën kontrollin e Ukrainës.

Kjo nuk do të rrezikonte ndonjë luftë bërthamore; Përkundrazi, mungesa e një mjeti të tillë parandalues nga ana e Ukrainës, është arsyeja pse kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia është bërë një shqetësim kaq i madh.

Ka ardhur koha për ta përshtatur strategjinë e dikurshme të parandalimit me botën në të cilën jetojmë, dhe jo me parametrat të cilat janë diskutuar dikur nga dëshira apo frika. Pas një gjenocidi të udhëhequr nga sovjetikët dhe dy luftërave të agresionit rus në Ukrainë, është koha t’i jepet kuptim shprehjes “kurrë më”. Edhe nëse kjo është në kurriz të praktikës së vjetër të mospërhapjes së armëve bërthamore.

Shënim:Dr.Michael Rubin është anëtar i think-tankut “American Enterprise Institute”, dhe ekspert mbi çështjet e diplomacisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar të premten pamje nga zhvarrimi që po u bëhet trupave në një varr masiv të gjetur pranë qytetit të Izium-it.

Në një tekst që shoqëronte fotografinë në kanalin e tij Telegram, Zelensky shkroi: “E gjithë bota duhet ta shohë këtë. Një botë në të cilën nuk duhet të ketë mizori dhe terrorizëm. Por e gjithë kjo është atje. Dhe emri i saj është Rusi.”

“Më shumë se 400 trupa u gjetën në vendin e varrimit masiv në Izium. Me shenja torturash, fëmijë, të vrarë si rezultat i sulmeve me raketa, luftëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës,” tha Zelensky.

Rusia lë vetëm vdekje dhe vuajtje pas,” vazhdoi ai, përpara se të zotohej: “Nuk do të ikni. Nuk do të fshiheni. Ndëshkimi do të jetë me të drejtë i tmerrshëm.”

Ndërsa zhvarrosja vazhdon, është e paqartë se si ka vdekur secila viktimë dhe kur. Dhjetëra civilë dhe ushtarë u vranë në bombardimet njëjavore të Izium nga forcat ruse në mars dhe prill.

Një ekip i CNN në vend tha se varret që panë ishin kryesisht individësh, disa të shënuar vetëm me numra dhe të tjerë me emra të plotë dhe detaje të tjera.