Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti pse vendosi Lëvizja Vetëvendosje të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Albin Kurti: Ky vendim është marrë pasi që kemi diskutuar për një kohë shumë të gjatë. Për pesë muaj i kemi shoshitur hollësisht të gjitha përparësitë dhe mangësitë, dëmet dhe dobitë për pjesëmarrjen, përkatësisht mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Besoj që arsyeja kryesore e cila ishte vendimtare që ne të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme është fakti se shpallja e pavarësisë së Kosovës, meqë nuk u parapri nga e drejta e vetëvendosjes, ajo nuk u pasua nga sovraniteti dhe nëse do të vazhdohet me këtë pavarësi formale pa sovranitet, atëherë ne jemi shumë të brengosur që asaj do t’i rrjedhë edhe formaliteti. Pra, ne vendosëm që të marrim pjesë në zgjedhje, meqenëse është urgjente që gjatë këtyre një apo dy viteve më së shumti, pavarësisë t’ia shtojmë sovranitetin. Në të kundërtën, do të ndodhemi në ndonjë situatë që mund të jetë edhe më e keqe sesa Bosnja. Lëvizja “Vetëvendosje” e ka në fokus të saj, sovranitetin, i cili besojmë se është parakusht për dy gjëra thelbësore: demokracinë në njërën anë dhe zhvillimin ekonomik në anën tjetër.

