Fshehja pas dështimit
Bekim MURATI
Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pret nga partneri i saj i koalicionit VMRO-DPMNE-së që të ndërmarrë hapa konkretë në deblokimin e negociatave, e jo vetëm prononcime deklarative me të cilat do të justifikohet mosuksesi nga samiti i fundi i Këshillit të Ministrave në të cilin Maqedonisë nuk iu caktua datë për fillimin e bisedimeve me BE-në. Ky vlerësim i partisë shqiptare në pushtet vjen një ditë pas nënshkrimit të deklaratës për “Maqedoni Evropiane“, të cilën e nënshkruan VMRO-DPMNE-ja, dhe partitë e vogla, partnere të koalicionit.
“Nuk ka dyshim se nga kryeministri dhe partia në pushtet dhe ajo që ka përgjegjësinë më të madhe për arritjen e kompromisit, priten politika dhe orientime konkrete dhe vendime të vështira lidhur me emrin. Nënshkrimi i deklaratës ngjason shumë me një tentim për fshehje pas një akti, tentim për të justifikuar mosuksesin e javës që shkoi, ndërkohë që Brukseli shumë herë deri më tash e ka bërë të qartë se kontesti për emrin mund të zgjidhet nëse këtë e dëshirojnë VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj, kryeministri Nikolla Gruevski”, ka deklaruar zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja. Demokraci e Re (DR), tentimin e koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”, e vlerëson si një tentim populist për të fshehur dështimin nga takimi i fundi i Këshillit të Ministrave të BE-së.
“Nikolla Gruevski nuk ka nevojë të bëjë shfaqe teatrale me një pjesë të koalicionit të tij, sepse ata i kanë mekanizmat dhe prej tyre nuk priten paraqitje populiste, pra më tepër fotografim se sa punë reale nga Gruevski dhe nga partnerët e koalicionit, pritet veprim konkret dhe jo deklarata të tilla të cilat aspak nuk mund të ndihmojnë zgjidhjen e kontestit”, ka thënë deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti. Partitë e koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”, të kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, kanë firmosur të shtunën “Deklaratën për Maqedoninë Evropiane”. Kjo deklaratë për synim strategjik ka anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian për realizimin e të cilit ekziston konsensus i gjerë në shoqëri. Nënshkruesit e Deklaratës për një Maqedoni Evropiane theksojnë se koalicioni i tyre nuk ka dilema se interes i parë kombëtar dhe shtetëror është që vendi të vazhdojë me një tempo të shtuar drejt integrimit.“Pas ngjarjeve të fundit në Bruksel pati dyshime se tani ne nuk do angazhohemi për t’u bërë pjesë e NATO-së dhe BE, dhe kjo do na gjunjëzojë, e vërtetë është se ne jemi të dëshpëruar për anashkalimin në Bruksel, ky vendim nuk do ndihmojë për gjetjen e një zgjidhje, por ne si Qeveri dhe parti mbetemi të përkushtuar që vendi të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-së, të fillojë dhe përfundojë bisedimet me BE-në dhe me këtë deklaratë sot ne deshëm vetëm të riafirmojmë këtë”, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski. Ndërkohë, me deklaratën e firmosur për Maqedoninë Evropiane nga koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”, lideri i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Branko Cërvenkovski, ka thënë se kryeministri Gruevski sillet sikur të jetë parti në opozitë, sikur të jetë organizatë joqeveritare, e jo sikur të jetë në pushtet.“Gruevski duhet të ofrojë zgjidhje për problemin, të publikojë para opinionit maqedonas kur dhe si do ta zgjidhë problemin, e jo të firmosin deklarata të cilat aspak nuk kanë rëndësi, të paktën jo për ata të cilët janë pushtet në këtë shtet. Rezultate nuk ka. Para disa ditësh Maqedonia në Bruksel u fshi nga rendi i ditës i Bashkimit Evropian, dhe kjo është një goditje e rëndë të cilën në këtë periudhë e kemi marrë si shtet kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë kryetari socialdemokrat Cërvenkovski. Lideri i LSDM-së përsëriti se partia e tij deri në mbajtjen e samitit të NATO-s në nëntor, nuk mbështet zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por sipas tij nëse rezultati nga Samiti i Lisbonës është negativ për vendin, atëherë shtetin duhet ta udhëheqë një strukturë e re politike.