Opozita dhe shoqëria civile paralajmërojnë protesta
Protestat e LSDM-së, protestat e sindikatave si dhe protestat e Këshillit të Organizatave Shqiptare do të zëvendësojnë muajt e pushimit veror. Partitë e koalicionit kanë bërë të ditur se nuk i druhen këtyre protestave, të cilat kanë lodhur qytetarët
Partitë politike, organizatat joqeveritare por edhe sindikatat kanë paralajmëruar protesta masive edhe gjatë këtyre muajve të ardhshëm të verës.
Paralajmërimet e tilla për protesta kanë bërë që këto muaj të jenë të nxehtë në skenën politike, dhe të shmangin vëmendjen e pushimeve verore.
Protesta e parë është paralajmëruar më 27 qershor nga ana e partive opozitare maqedonase, të udhëhequra nga LSDM-ja.
Nga kjo parti theksojnë se protestës duhet ti bashkëngjiten edhe subjektet shqiptare, të cilat kanë qasjen e tyre antiqeveritare, për shkak të bllokimit të proceseve euroatlantike.
Në rast se kjo protestë do të jetë masive, atëherë socialdemokratët pritet të vazhdojnë me protesta të kësaj natyre, duke u organizuar ato në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski e ka cilësuar si të kotë protestën e LSDM-së.
“Ashtu siç kam arritur të kuptojë se lajtmotiv i tyre në mitingun e paralajmëruar do të jetë se ata me siguri do ta çojnë Maqedoninë drejt NATO-s dhe BE-së. Atëherë parashtrohet pyetja se si ata planifikojnë ta çojnë vendin drejt NATO-s dhe BE-së”, ka theksuar kryeministri Gruevski.
Në spektrin politik shqiptar për protesta janë gati shoqatat joqeveritare shqiptare. Këshilli i Organizatave Shqiptare (KOSH) ku bëjnë pjesë mbi 40 shoqata kanë paralajmëruar mbajtjen e protestave të radhës.
Valon Kurtishi nga “Illyricum Libertas” nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së këtyre protestave. Një vlerësim të tillë ka dhënë edhe Valon Bela nga OJQ “Realiteti”.
“Ne po shqyrtojmë dhe diskutojmë për organizimin e protestave në vijim, për shkak se deri tani nuk ka pasur rezultate sa i përket parashtrimit të kërkesave tona nga protesta e parë me moton – Për drejtësi”, kanë theksuar nga Këshilli i Organizatave Shqiptare.
Përveç tyre, vala e protestave do të shoqërohet edhe me protestat sociale dhe të punëtorëve, sidomos ato të organizuara nga Sindikata UNIT, e cila kërkon rregullimin e statusit të punëtorëve të papunë nga ndërmarrjet e falimentuara.
Muajt e verës edhe gjatë këtij viti pritet të pasohen me protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Shkup dhe Tetovë, atje ku pritet të ketë sërish probleme me paralelet me mësim në gjuhën shqipe, sidomos në drejtimet ku ka interes të lartë për regjistrim, ndërsa mungon numri i paraleleve të hapura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Partitë politike shqiptare sidomos nga radhët e opozitës kanë bërë të ditur se nuk planifikojnë protesta, pavarësisht klimës së krijuar politike të izolimit të procesit të evrointegrimeve, për shkak të mos zgjidhjes së kontestit të emrit.
Megjithatë këtyre qëndrimeve politike, të gjitha protestat e pritura do të shfrytëzohen nga secila forcë politike, sidomos kur janë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. (INA)