Nga Dr. Stavri J. Dajo
Doktor i Shkencave Historike në Universitetin “Aristotelis” të Selanikut
Më 5 mars 1953, Josif Visarjanoviç Xhugashvili (Stalin) vdiq. Vdekja e tij, disi e papritur, shkaktoi apati dhe konfuzion në Perëndim, dhe, gjithashtu, ngurrim në strategjinë diplomatike të Uashingtonit dhe të Londrës.
Nga ana tjetër, humbja e “babait të popujve”, shkaktoi amulli, nervozizëm dhe reagime kundërthënëse në vendet satelite të Kremlinit. Siç është logjike, shumica e vendeve vasale, e, më së pari Tirana, u vithis në zi, ngaqë Stalini linte kampin socialist pa krye dhe gjasa për ndryshime në kursin politik të Moskës nën shembullin e Beogradit nuk ishin të papërfillshme, ndërsa më anë tjetër, Titoja e të tjerë udhëheqës të veçantë në kryeqytetet lindore kishin çdo të drejtë të fërkonin duart se, më në fund, kishte ardhur dita të shpëtonin nga tutela mbytëse e Moskës dhe nga spastrimet staliniste.