Franca është përfshirë javët e fundit nga protesta të forta e të zgjatura të grupimit të ashtuquajtur “jelekverdhët”, por në rrugët e Parisit dhe shumë qyteteve të tjera franceze ka pasur ditët e fundit edhe zëra ekstremistë, sidomos sulme ndaj hebrenjve dhe njerëzve me ngjyrë.

Racizmi ka kapur nivele të frikshme në Francën e muajve të fundit, aq sa janë vënë në alarm strukturat e sigurisë. Së fundmi, objekt i sulmit të ekstremistëve francezë dhe anti-semitistëve është bërë edhe sulmuesi i Paris San Zhermen dhe kombëtares së Francës, Kilian Mbape, për të cilin po shkruhen parulla dhe mbishkrime raciste në muret e shkollave, stacionet e metrove dhe në vagonë të ndryshëm të trenave. Duket si një kor racist i orkestruar, sepse në fund të fundit Mbape nuk ka origjinë të drejtpërdrejtë hebreje, sepse prindërit e tij vijnë nga Afrika e jo nga Lindja e Mesme. Kështu, në stacionet e trenave në kryeqytetin e Francës, Paris, kanë nisur të shfaqen mbishkrime raciste kundër sulmuesit të kampionëve të Ligue 1, Kilian Mbape.

Në disa vagonë është shkruar “Mbape, bir k… hebre”, ndaj autoritet vendase kanë nisur menjëherë hetimet: “Është një sulm ndaj diversitetit dhe imazhit e vendit, jo vetëm ndaj Mbapesë, por kundër Francës.” “SNCF”, shoqata e transportit në Paris, ka vënë në dispozicion të policisë të gjitha regjistrimet që mund të ndihmojnë në individualizuar fajtorët. Në fakt, i gjithë opinioni në Francë është skandalizuar nga ky fakt, çka ka sjellë reagimet e personaliteteve të vendit.“Faji” i Kilian Mbapesë, që ka lindur në Paris, lidhet me faktin se është i biri i një babai kamerunas dhe i një nëne algjeriane. “Është shembull i racës së përzier për të cilën jemi krenarë. Nëse sulmon një qytetar për ngjyrën e lëkurës, po sulmon Republikën,” nënvizon Lidhja Ndërkombëtare kundër Racizmit. Federata Franceze e Futbollit vetëm gjatë javëve të fundit ka marrë dy vendime ndëshkimore për koret raciste nëpër stadiumi.

Roli i Mbapesë në sukseset e PSG-së

Mungojnë Nejmar dhe Kavani? Nuk ka problem, Paris San Zhermen i mjafton Kilian Mbape. Talenti francez realizoi golin e vetëm të takimin me Saint Etiene në transfertë, që vazhdo të kryesojë bindshëm Ligue 1. 12 pikë më shumë se Lilë ka grumbulluar Parisi, që ka edhe 2 ndeshje më shumë për të zhvilluar se rivali më i afërt. Duke iu kthyer ndeshjes me Saint Etiene, goli i realizuar nga Mbape ishte vërtet i bukur, me një koordinim perfekt në goditje pas asistimit të Dani Alveshit. Në vijën e parë të sulmit, përkrah 20-vjeçarit luajti argjentinasi di Maria në rreshtimin 3-5-2. PSG thjesht po ecën i qetë drejt titullit të radhës kampion në Francë, teksa vëmendja e drejtuesve është fokusuar në Champions, për të administruar sa më mirë suksesin e pastër 0-2 të arritur në “Old Trafford” me Mançester Junajtid.

Adriatik BALLA

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, ndryshe nga grupi parlamentar i kësaj partie, nuk mendon që të djegë mandatin e tij.

Në një intervistë për gazetën “Bulevard” në Durrës, Koka është shprehur se nuk ka asnjë motiv për të djegur mandatin.

“S’kam motiv për të djegur mandatin, por do të qëndroj në LSI”, ka deklaruar Koka.

Ai nuk ka qenë as në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI-së nga i cili u mor vendimi për djegien e mandateve, gjë që e pranoi edhe Monika Kryemadhi.

Situata në LSI nuk është aq e qetë, pasi edhe disa deputetë të tjerë nuk kanë pranuar djegien e mandateve, por në fund i janë nënshtruar vullnetit të Kryemadhit.

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Gjyshi im (ish oficer), ka shkruar për mallëngjimin,
humbjen, ikjen (nën presion), dhe mërgimin e
pavullnetshëm prej Shqipërie në Amerikë (1943), në
moshën 18 vjeçare. Historia e jetës së tij, është një prej
rasteve të shumta të tragjedisë tonë kombëtare, brenda
dhe jashtë kufirit të imponuar nga të huajt, dashakeqëve
të Shqipërisë. Tani është 94 vjeçar, megjithatë letrat dhe
poezitë e tij manifestojnë dëshirën e zjarrtë dhe vuajtjet
masive që pulsojnë në të gjitha zemrat mërgimtare. 

Mars 1981, viti i demonstratave studentore në Kosovë kundër
pushtuesve serbo-jugosllav. Në muajin gusht të atij viti, gjyshi

dhe prindërit e mi dëshironin ta vizitojnë farefisin në Shqipëri
(veçanërisht prindërit e moshuar të gjyshit), por organet e shtetit
enverist nuk u dhanë leje dhe siguri hyrjeje. Në pamundësi për
këtë, kanë udhëtuar për në ish Jugosllavi (mua më morën me
vete) të paktën të takohen me shqiptarët e trojeve të copëtuara:
Kosovës, “Maqedonisë”, Malit të Zi, Kosovës Lindore. Por edhe
me arbëresh të Zarës (Kroaci) me prejardhje nga rrethi i
Shkodrës, sidomos profesorin Aleksandër Stipçeviq. Në atë
kohë isha 4 vjet e 9 muaj, prandaj më kujtohen vetëm 3
momente edhe atë si në mjegulli, ashtu që detajet plotësuese i
kam marrë nga ditari i prindërve dhe rrëfimet e gjyshit.


Në periferi të Zarës takuam duke hëngër drekë 3 shqiptarë
(djem të rinj) nga “Maqedonia”. Kishin shtruar në peshqir 2
bukë, 2 konserva të vogla peshqish dhe një shishe me ujë.
Përndryshe, gërmihnin kanale të thella me kazma e lopata, 7
ditë në javë, 12 orë në ditë, për paga të pasigurta dhe minimale.


Mali Zi, Budva. Në plazhin e Beçiç-it, vetëm disa metra nga uji,
ishte pushimorja “Ganimete Tërbeshi” për nxënësit shqiptarë të
shkollave fillore të Kosovës. Afër saj, një pushimore për
nxënësit serb, ndoshta nga Vojvodina. Fëmijët shqiptarë,
shumë më të dobët me trup se moshatarët serb. Mbetëm disa
ditë në Beçiç, rreziteshim përherë afër asaj pushimore. Një
vajzë 15 vjeçare nga Kosova u ndihmonte arsimtarëve që kishin
përgjegjësi për nxënësit tjerë. Kalonte shumë kohë me mua, e
dinte pak anglishten dhe “kuptoheshim”. Pasi prindërit ia kishin
vrarë serbo-sllavët, një vit më pas (1982) prindërit e mi i
mundësuan emigrimin në Amerikë. Deri në moshën 21 vjeçare
u ndihmua ekonomikisht, u shkollua dhe banoi falas në
shtëpinë tonë. Nga mosha 8 vjeçare zonjusha Teuta filloi të ma
mëson abetaren (gjuhën) shqipe, mua dhe vëllait, pastaj edhe
motrës së vogël.

Gjyshi donte të takonte z Veli Deva që kishte një shtëpi verore
në Beçiç, jo aq larg plazhit “tonë”. Zotëria në fjalë ka kontribuar
shumë në mirëvajtjen e kombinatit gjigand metalurgjik Trepça
dhe autonomisë së gjerë të Kosovës (1974).


Për në Amerikë do tu ktheheshim prej një aeroporti të Gjermanisë. Ku, njëherësh gjyshi do të takonte ish korrespodentin e javores gjermane Der Spiegel në Jugosllavi, z Hans-Peter Rullman, i njohur për “That was Yugoslavia - Information and facts”. Me autobus, për në Beograd. Gjatë rrugës 2 policë serb e ndalën autobusin. Njëri prej tyre hyri brenda, i kontrolloi dokumentet e udhëtarëve dhe i nxori prej autobusi 6-7 persona (të gjithë shqiptarë, gra e burra), i rreshtuan me fytyrë nga autobusi, maltretim i vrazhdë. Udhëtarët tjerë (të gjithë sllav) dhe ne mbetëm brenda. Shikonim nga dritarja. Njëri prej policëve, e tërhoqi pas barakës së vogël policore djaloshin 16- 17 vjeçar nga Kosova, kurse ai polici më i moshuar i ruante ata tjerët. Papritmas dëgjuam klithmat e fuqishme të djaloshit, u përpoq të ikë prej policit i cili vrapoi pas tij me shkopin e gomës në dorë. Nuk i ndalte goditjet. U trishtova shumë duke parë trupin e mbuluar me gjak prej kokës e deri në thembër, nga klithmat e hatashme të dhimbjes që nxirrte nga goja e përgjakur, me dhëmbë të thyer. I ra të fikët, u shtri për toke. Polici i lëshoi një kovë me ujë në kokë që të vije në vete dhe tia
lajë pak gjakun. Gjyshi dhe babai im dolën prej autobusit. U
llafosën me policët. I ndihmuan djaloshit të hyj brenda në
autobus. Koka dhe fytyra e tij ishte e dëmtuar rëndë, mbuluar
me gjak, sërish i humbi ndjenjat…


Fragmente nga: That Was Yugoslavia. Information and Facts.
Editor: Hans Peter Rullman, Hamburg Germany.
Nga anglishtja, përkthimi im: “Kur mbretëria serbe dhe
malazeze pushtuan Kosovën në vitin 1878 dhe 1912, gjithashtu
edhe në atë kohë, më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës
ishte shqiptare.
Politikat kolonialiste të pushtuesve (okupatorëve) çuan në një
ndryshim të rëndësishëm në strukturën e popullsisë. Deri në
vitin 1941, rreth 500.000 femra shqiptare u dëbuan
(zhvendosën), kryesisht në Turqi. Në të njëjtën periudhë, rreth
18.000 familje serbe dhe malazeze u vendosën në Kosovë.
(Ata përbëheshin nga një mesatare prej 7 personash).
Pas Luftës së Dytë Botërore, serbomëdhenjtë rifilluan të njëjtën
politikë të paraluftës ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit ishin
Aleksander Rankoviç, Milovan Gjillas, Svetosar Vukmanovic-
Tempo. Në periudhën 1945-1966, ata u kujdesën të zhvendosin
(dëbojnë) qindra mijëra shqiptarë, kryesisht në Turqi”.


Gjyshi rrëfehet: “Së pari duhet të them se unë gjatë gjithë jetës
në emigrim kam ndjerë dhe ndjejë një mallëngjim të hatashëm
për prindërit e mi me të cilët nuk jam takuar më kurrë prej asaj
ditës kur u detyrova ta braktisi atdheun tim të dashur. Për shkak
të gjendjes gjatë sistemit monist, nuk pata siguri për jetën të
vizitoj prindërit e mi derisa ishin gjallë. Kam vizituar dhe i putha
varret e tyre. Unë nuk isha pranë tyre, kur ata jetonin. Të jem
me ta në jetën para vdekjes“.


Kujtimet janë jeta, të terrorizuarit dhe të zhdukurit
e pafajshëm i takojnë historisë dhe zemrave të
dëshmitarëve okular, familjarëve dhe dashamirëve!

Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë homazhe tek varri i Adem Demaçit, raporton Gazeta Blic.

Thaçi në një prononcim për medie, Demaçin e quajti baba të pavarësisë së Kosovës i cili, siç u shpreh ai, gjithë jetën e tij e investoi për të ardhmen e vendit.

“Njeriu i cili i dha kuptim përpjekjeve tona për liri, simbolit të rezistencën kombëtare, babit të pavarësisë së Kosovës, njeriut që gjithë jetën investoi dhe sakrifikoi për të ardhmen euro atlantike për të ardhmen tonë.Prandaj nderime dhe respekt i përjetshëm simbolit dhe babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçit”, tha ai.

Histori tragjike u zbuluan për Michael Jackson pas autopsisë së tij kur vdiq në vitin 2009. Mbreti i Popit u nda nga jeta në moshën 50 vjeçare në banesën e tij në Los Anxhelos pas një mbidoze propofoli, një anestezik kirurgjikal.  Raporti i autopsisë u botua më vonë dhe konfirmoi se trupi i tij ishte i mbuluar me plagë. Jackson kishte plagë tek krahët, që besohej se i ishin shkaktuar nga medikamentet që injektonte gjatë përpjekjes së dëshpëruar për të kapërcyer pagjumësinë kronike.

Kishte gjithashtu gjurmë të dukshme të operacioneve të shumta kozmetike, të realizuara gjatë jetës. Kishte dy plagë kirurgjikale prapa veshëve dhe dy të tjera në të dyja anët e hundës. Kishte gjithashtu plagë në pjesën e poshtme të qafës, në krahë dhe duar. Mjekët më vonë konkluduan se shumë nga këto ishin  bërë nga operacionet e ndryshme. Michael Jackson bëri shumë operacione për të ndryshuar pamjen dhe për pasojë kishte tatuazhe kozmetike, konkretisht rreth buzës për t’i zhdukur vijën rozë.

Ylli i popit gjithashtu kishte një njollë mbi kokë, e cila ishte errësuar me tatuazh. Jackson ishte tullac dhe besohet se njolla në kokë dhe pa flokë,  ishte për shkak të djegies që mori nga një aksident gjatë xhirimit të një reklame të pepsit në 1984.

Ai ishte duke xhiruar një shfaqje dhe po përdorte piroteknikën, kur flokët i morën zjarr. Atë kohë u trajtua për djegie të tmerrshme të shkallës së dytë dhe të tretë. Këngëtari kaloi vite duke e mbuluar njollën e plagës me kapele dhe paruke. Autopsia gjithashtu konfirmoi të vërtetën pas spekulimeve rreth ndryshimit të ngjyrës së lëkurës së Jacksonit.

Ai kishte insistuar gjithmonë që ndryshimi në paraqitjen e tij gjatë viteve ishte për shkak të gjendjes së lëkurës vitilago, ( e cila është një  gjendje ku lëkura humb melaninën, pigment i cili definon ngjyrën e lëkurës dhe të qimeve”.Dr. Christopher Rogers, mjeku që mbikëqyrte autopsinë, vuri në dukje se Jackson me të vërtetë vuajti nga vitilago, duke shtuar: “Pra, disa zona të lëkurës duken të zbehta dhe të tjerat me të errëta”.

Autopsia gjithashtu tregoi se mjekët kishin luftuar që ta shpëtonin kur u gjet i pavetëdijshëm në shtëpinë e tij më 25 qershor 2009. Brinjët e plasaritura janë një shenjë e përpjekjeve nga mjekët e spitalit, që tentuan ta ringjallnin. Përpjekjet për të shpëtuar Mbretin e Popit dështuan dhe Jackson më vonë u shpall i vdekur.
Vdekja e tij i atribuohet mbidozës së Propofolit, një anestezik kirurgjikal që përdoret në dhomat e operacionit. Ajo ishte administruar nga mjeku personal Jackson, Conrad Murray, i cili më vonë u dënua për vrasje të pavullnetshme  pas vdekjes së yllit të muzikës. Ai u dënua me katër vjet burg dhe u lirua nga burgu në vitin 2013.

Kim Kardashian i ka lënë pa fjalë të gjithë me fustanin që kishte veshur në “Hollywood Beauty Awards”.

Ajo ka ndarë me ndjekësit disa imazhe në rrjetet sociale, në të cilat kishte veshur një fustan shumë të hapur tek gjoksi.

Fustani i zi i Kim, mbante vetëm disa shirita tek pjesa e gjoksit. Kjo ishte një nga paraqitjet më provokuese të saj.

ustani me të cilin Kimi ka “shokuar” publikun, ishte i kreatorit Thierry Mugler, ajo ka bërë që të gjithë të flasin për të.


Lulëzim ETEMAJ -“Fitorja diplomatike”, kështu titullohet libri më i ri i diplomatit Sabri Kiçmari, përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë kohës së luftës, dhe, pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, ambasador i shtetit të Kosovës. Libri ka dalë nga shtypi në vitin 2017, ndërsa është botuar nga gazeta e përditshme e Prishtinës, “Epoka e re”.
Libri “Fitorja diplomatike”, i sjellë në formë të kujtimeve të autorit, të kombinuara edhe me shënime ditari, intervista, deklarata e komunikata, është një libër i rrallë, i karakterit historik shkencor, që për trajtim e ka përfaqësimin diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në periudhën kohore të luftës në Kosovë nga data 4 mars 1998 deri më datën 22 qershor 1999, kohë kur Kosova ishte çliruar nga pushtimi i Serbisë dhe e kishte fituar lirinë.

Protagonisti kryesor i librit është vetë autori.
Duke qenë të përfshirë në libër edhe protagonistë të tjerë të diplomacisë së UÇK-së, qoftë shkaku i bashkëpunimit dhe bashkërendimit që ka me ta Sabri Kiçmari, qoftë shkaku i informimit që ai ju bën lexuesve për veprimtarinë diplomatike të tyre, sado që në mënyrë fragmentare, libri në periudha të caktuara i tejkalon përmasat e një ditari personal, ndërsa diplomacinë e UÇK-së e bën të tejkaloj përmasat subjektive, duke nxjerrë në sipërfaqe momente dhe pjesë të shumë dimensionalitetit të saj.
Autori i librit, në kohën e përfaqësimit diplomatik të UÇK-së nuk është një diplomat i karrierës, i cili profesion dhe detyrë kryesore e ka përfaqësimin e vendit të tij në një shtet të huaj, pas emërimit që i bëhet nga institucioni përgjegjës i shtetit. Përkundrazi. Ai ishte veprimtar politik, një veprimtar politik i përndjekur, që vite më parë kishte qenë sekretar organizativ i Lëvizjes, dhe, krahas Afrim Zhitisë dhe Fadil Vatës, njëri nga bashkëdrejtuesit e Lëvizjes në Kosovë, e cila në fokus të veprimtarisë kryesore politike e kishte Lirinë dhe Republikën, ndërsa në vitin 1989 që të tre e bashkëudhëheqin Konferencën e Parë të Lëvizjes në nivel kombëtar, të mbajtur në Divjakë të Malishevës, prandaj i mungonte çdonjëra nga këto kushte të domosdoshme për kryerjen e detyrës së diplomatit.
Vrasja më 30 maj 1989 në demonstratë e bashkëveprimtarit të tij, heroit Ali Ajeti; rënia heroike e Afrim Zhitisë së bashku me Fahri Fazliun më 2 nëntor të vitit 1989 si dhe vdekja e Fadil Vatës më 25 prill 1990 në Spitalin e Baselit, këto janë disa nga zhvillimet politike, të sjella në libër në formë kujtimesh nën titullin e përbashkët në vend të hyrjes, që i paraprijnë daljes së Sabri Kiçmarit jashtë vendit, shkaku i rrezikimit për t’u arrestuar nëse edhe më tej do të qëndronte i fshehur në Kosovë, të cilat njëkohësisht e shënojnë edhe përmbylljen kronologjike të parahistorikut të përfaqësimit diplomatik mbi njëvjeçarë të UÇK-së. Momentin kulminant të këtij parahistoriku e shënon pjesëmarrja e Kiçmarit, sadoqë i ndodhur jashtë Kosovës, në debatet programore dhe vendimmarrëse në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të Lëvizjes, të gushtit të vitit 1993, në të cilat, vlerëson autori, është vendosur dhe përcaktuar qartë domosdoshmëria e organizimit të luftës çlirimtare si dhe përcaktohen bazat themelore, teorike, politike dhe filozofike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Afër katër vite më vonë, më 16 shkurt 1997, i dërguari nga Kosova, pjesëtari i Shtabit i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Sejdi Rama, i ardhur në Gjermani me detyra të veçanta nga komandanti Rrustem Mustafa-Remi, shënon fillesën e veprimtarisë diplomatike të Kiçmarit si përfaqësues i UÇK-së.
Që në takimin e parë të karakterit diplomatik në Bon, më 4 mars 1998, me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të RFGJ-së, Wolfgang Ischinger, Kiçmari e shpjegon mbështetjen që e gëzon UÇK-ja, prapa së cilës nuk qëndrojnë vetëm organizata të ndryshme politike atdhetare, por e drejta për pavarësi, si vullnet dhe e drejtë e qytetarëve të Kosovës.

Përfaqësimi politik i UÇK-së nga ana e Sabri Kiçmarit në fakt zyrtarizohet më 24 shtator 1998, në takimin e tij me Bardhyl Mahmutin në Zvicër, nga i cili Kiçmari njoftohet me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për t’i emëruar si përfaqësues për marrëdhënie me jashtë Sabri Kiçmarin, Jashar Salihun, Bilall Sherifin, Ramadan Avdiun, Agush Bujën, Rexhë Ibërdemajn dhe Mujë Rugovën, ndërsa drejtues i grupit përfaqësues ishte emëruar Bardhyl Mahmuti. Në të njëjtën ditë, të tre përfaqësuesit diplomatik të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari dhe Ramadan Avdiu e realizojnë konferencën e parë për media në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku marrin pjesë rreth 30 gazetarë të mediumeve të ndryshme ndërkombëtare.

Me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm, anëtarët e grupit njoftohen direkt edhe nga Hashim Thaçi, shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së, një javë më vonë, më 1 tetor 1998, në takimin që do ta kenë me të, ku ishin të pranishëm Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Bilall Sherifi dhe Mujë Rugova.
Që nga konferenca e parë për media në Gjenevë, përfaqësimi diplomatik i UÇK-së zhvillohet në dy rrafshe: në rrafshin medial, përmes konferencave, intervistave, deklaratave, reagimeve në media, që njihet si diplomaci publike, dhe atë të diplomacisë klasike; përmes takimeve me ministra e zëvendësministra të jashtëm shtetesh, diplomatë, atashe ushtarakë, me Kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, Louis Arbour, në Parlamentin Evropian dhe atë të Belgjikës.

Intervista e parë e Kiçmarit në cilësinë e përfaqësuesit të UÇK-së, e dhënë për gazetën gjermane “Der Spiegel”, realizohet më datën 12 tetor 1998. Kjo intervistë pasohet nga një mori intervistash, deklaratash e reagimesh tjera të autorit për gazetat “The Guardian”, “Birmingham Pot”, “Die Presse”, “Süddeutsche Zeitung”, “Reformatisch Dagblat”, “Hürriet Daily”, “Der Standard”, “Facts”, “Tageszeitung”, “Saarbrücker Zeitung”, radiot “Radio Berlin”, “Radio Austrinë”, televizionin “NTV”, “ZDF”, “Deutschlandfunk”, kurse Konferenca për media, pas Gjenevës, mbahen edhe në Bruksel, Bon e Vjenë.

Nga lënda e librit vërehet gjithashtu se kontaktet me mediat ashtu dhe ato me përfaqësues politik apo ushtarak shtetesh, përfaqësimin e UÇK-së nga ana e Sabri Kiçmari, Bardhyl Mahmutit, Jashar Salihut dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit diplomatik i cilëson paraqitja shumë e kujdesshme, duke përfshirë edhe veshjen dhe zotërimin e rrjedhshëm të gjuhëve gjermane, franceze dhe angleze, përgatitja në shkallë të lartë, me të dhëna dhe faktografi konkrete, durimi argumentues i të drejtës së Kosovës për t’u çliruar përmes luftës së armatosur të UÇK-së si një luftë e imponuar nga shtypja dhe dhuna e Serbisë, dhe këmbëngulësia për ta fituar besueshmërinë për hyrje në raporte serioze diplomatike dhe mbështetjen evroamerikane të luftës çlirimtare të Kosovës përmes kalimit të sprovave të kooperimit, dëshmimit praktik të organizimit strukturor dhe përgjegjshmërisë si parakushte të domosdoshme.

Bazuar në të dhënat e librit, përfaqësimi diplomatik i UÇK-së kalon nëpër faza të ndryshme, të dallueshme nga njëra tjetra, varësisht nga fazat e zhvillimit të UÇK-së, përkatësisht luftës në Kosovë. Përderisa në fazën fillestare, nga Kiçmari dhe përfaqësuesit tjerë diplomatik të UÇK-së i gjithë angazhimi zhvillohej në drejtim të shpjegimit dhe bindjes së faktorit ndërkombëtar, se UÇK ishte një ushtri me strukturë dhe hierarki të qartë drejtuese politike dhe ushtarake; se lufta e saj ishte e pandikueshme dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me qarqe dhe bindje ideologjike, regjionale dhe religjioze, propagandë kjo që po përhapej nga qarqe mediale dhe diplomatike të Serbisë; prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; argumentimin, se mërgimtarët po i përgjigjeshin vullnetarisht luftës dhe se nuk po ndodhte mobilizimi i dhunshëm i tyre, në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë, që shënon edhe fazën vendimtare të luftës së Kosovës, në qendër të përfaqësimit ishin njoftimi i dokumentuar i opinionit publik, politik, diplomatik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit, rezultati i të cilit me siguri që do të ishte pavarësia e Kosovës ndërsa UÇK nuk duhej shpërbërë, por transformuar në ushtri të Kosovës.

Janë gazetarët e shumtë gjermanë ata që nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, më 18 mars 1999, nga ana e delegacionit të Kosovës, e cilësojnë si “fitore diplomatike të UÇK-së” me rastin e ftesave të shumta dhe urimit që i bëjnë diplomatit të UÇK-së, Sabri Kiçmari, i cili Marrëveshjen e vlerëson si rreshtim të Kosovës për herë të parë publikisht dhe përmbajtësisht me Perëndimin, dhe, si të tillë, e quan fitore të madhe. Duke qenë hera e parë kur në libër flitet për fitoren diplomatike, konsideroj se edhe titulli i librit e ka prejardhjen pikërisht tek akti i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Rezultatet e para, të prekshme, të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, shfaqen gjashtë ditë më vonë, më 24 mars 1999, kur fillojnë bombardimet ajrore të NATO-s kundër Serbisë, kurse bombardimi i NATO-s mbi Beograd konsiderohet nga autori i librit si forma më e dukshme e fitores diplomatike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë Kosovës.
Sjellja e herëpashershme nga ana e autorit e kujtimeve nga përjetimet dhe emocionet e veçanta të çastit të pas rënies së bashkëveprimtarëve Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Fehmi Lladrovci dhe Xhemajl Fetahaj, nxjerrë në sipërfaqe segmente të pasura, fisnike, të anës personale njerëzore të autorit, ia shton vlerat e përgjithshme librit, posaçërisht ato historiografike, ndërsa lexuesin, posaçërisht atë të gjeneratës së pasluftës, e ndihmon për t’i njohur më mirë këta heronj të Kosovës.

Është në interes të lexuesit, në kuptimin e njohjes së tij me një aspekt tjetër të luftës në Kosovë, në këtë rast mungesës së unifikimit politik ndërshqiptar, bërja publike e skenave groteske si ajo në Komisionin Evropian, e datës 10 nëntor 1998, ku në vend se të ulen së bashku, delegacioni i LDK-së dhe ai i UÇK-së ulen përballë njëri-tjetrit, dhe, përderisa përfaqësuesit e UÇK-së, Bardhyl Mahmuti e Sabri Kiçmari, shtrojnë nevojën për ndihmë UÇK-së dhe për ndërhyrje të Komisionit Evropian për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë, përfaqësuesit e LDK-së kërkojnë ndihma për arsimin. Groteskat e tilla janë po ashtu një lëndë e çmueshme në interes të analizave dhe trajtimeve të ndryshme shkencore: historike, politologjike dhe sociologjike.

Kthimi i diplomatit Kiçmari më 21 qershor 1999 në Kosovën e çliruar, i sjellë në libër përmes një simbolike të fuqishme siç paraqet hyrja përmes qytetit të Lidhjes, Prizrenit, marshimi i togës së ushtarëve të UÇK-së në një rrugë të këtij qyteti, ideja për ta vizituar më të mbërritur në Prishtinë së pari të zotin e shtëpisë në Kosovë, Bacën Adem Demaçi, i cili në gushtin e vitit 1998 ishte emëruar Përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së, shkuarja në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, nga e cila, siç njoftohet më 5 prill 1999 nga RTSH, Sabri Kiçmari ishte emëruar përfaqësues diplomatik në Austri, kurse Bardhyl Mahmuti në Francë, Jashar Salihu në Zvicër, Pleurat Sejdiu në Britani të Madhe, Mujë Rugova në Gjermani dhe Dino Hasanaj në SHBA, takimi i tij me kryeministrin Thaçi dhe ministra të shumtë, dhe përmbyllja e ditës së hyrjes me qëndrimin në Komandën e Zonës Operative të Llapit, takimi aty me komandant Rrustem Mustafën-Remin, Çelin, Doktorin, Latën, Dajën dhe, kulminacioni, takimi me Sejdën, Sejdi Ramën e takimit të 16 shkurtit 1997 në Gjermani, është kryekëput në funksion të bërjes sa më të prekshme për lexuesit të fitores diplomatike, njëkohësisht dhe happyendit, edhe letrar, të kësaj fitoreje të UÇK-së dhe Kosovës.

Libri “Fitorja Diplomatike” është një libër i rrallë, që pasqyron një pjesë të angazhimit të autorit dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatik të UÇK-së në Evropë në mbështetje të UÇK-së dhe luftës së saj për lirinë e Kosovës, dhe si tillë paraqet një angazhim të vyeshëm shkencor të diplomatit Kiçmari në shkrimin dhe publikimin e historikut të diplomacisë së UÇK-së si pjesë e rëndësishme e historikut të përgjithshëm të saj, të përpjekjeve dhe luftës së Kosovës për liri.

Disa nga zyrtarët, të afërmit e të cilëve janë punësuar në punë shtetërore, e kanë dëgjuar kryeministrin Zoran Zaev dhe tashmë kanë hequr dorë nga vendi i punës. Kryeministri maqedonas nuk deshi të tregonte se kush janë zyrtarët dhe pretë që ata vetë të tregojnë.

Zaevi u bëri thirrje qytetarëve, dhe sidomos të afërmve të kolegëve të tij nga Qeveria dhe Kuvendi, që alternativa e parë për punësim të jetë sektori privat e jo administrata shtetërore.

“Dua të përmendi se bëjmë analizë të hollësishme, bëhet fjalë për marrëdhënie personale dhe përgjegjësia individuale të individëve të caktuar, mënyra e konkurrimit, e drejtë dhe transparente në procedurë të drejtë në fushën e punësimit. Raportet e analizës i presim këtë javë. Të gjithë jemi shembull në këtë shoqëri, nëse vërtet dëshirojmë ta konfirmojmë atë që po themi, se vende më mirë të paguara ka në sektorin privat, se hapësirë për avancim ka në sektorin privat”, tha Zaevi.

Pas reagimeve të ashpra në opinion, kryeministri Zaev vendosi që të gjitha punësimet nën ombrellën shtetërore të personave të afërt me zyrtarët të anulohen.

Dy ditë më parë, Alsat dërgoi pyetje për të gjithë zyrtarët, të afërmit e të cilëve ishin të punësuar në kompanitë shtetërore, nëse do t’u thonë atyre që të heqin dorë nga puna, por nuk ka marrë përgjigje.

Franca ka miratuar tashmë një ligj që parashikon tre vjet burg dhe një gjobë prej 45,000 euro nëse vërtetohet se një zyrtar publik nga qeveria ndikoi në vendimin për të punësuar një nga të afërmit e tij.

Një dëshmi e vërtetë se si është ndërtuar Amerika.

Me rastin e 150-vjetorit të ndërtimit të hekurudhës ndërkontinentale që lidhi dy ekstremet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një album me fotografi të veçanta të vitit 1869 është publikuar në një ekspozitë në Muzeun e Arteve të Bukura në Salt Lake City, Utah

Tregu i mallrave në Kosovë, që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka pësuar ndryshime.

Produktet e këtyre vendeve janë zëvendësuar me produktet vendore, ato nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga disa vende të Bashkimit Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind, është në fuqi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e kësaj takse, ka pasur lëvizje të importeve të produkteve nga vendet tjera.

“Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka pasur lëvizje të importit nga vendet tjera. Kryesisht në këtë lëvizje prin Shqipëria me rritje të importit prej 40 për qind, po ashtu ka rritje të produkteve me origjinë nga Maqedonia me 15 për qind. Nga vendet e Bashkimit Evropian është Gjermania, pastaj vendet si Sllovenia, Kroacia. Së fundit kemi pasur rritje të importit edhe nga Bullgaria dhe Italia”, thotë Stavileci.

Para vendosjes së takës doganore 100 për qind, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.

Ky shtet në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro, derisa tani, sipas të Stavilecit, në ditë mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.

“Tani kemi rënie të importit nga Serbia për 99 për qind. Ka raste kur në ditë kemi zero import të produkteve nga ky shtet. Nëse më herët kemi pasur 1.2 milion euro në ditë produkte të importuara nga Serbia, tani mesatarisht janë 7 deri në 8 mijë euro. Importi nga Serbia është kryesisht lëndë e parë dhe një pjesë e vogël e produkteve që paguajnë taksën 100 për qind”, tha Stavileci.

Përfaqësues të bizneseve thonë se tanimë bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa tjera të zëvendësimit të produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se kanë monitoruar tregun dhe furnizimin që nga vendosja e taksës dhe se janë parë ndryshime të mëdha në treg.

“Bizneset në muajin e parë kanë pasur vështirësi që të gjejnë zëvendësimet, në veçanti në sektorin e prodhimit, por edhe disa tregtarë të cilët e kanë pasur biznesin e tyre të orientuar në Serbi. Por, që tani këto produkte dhe lëndë të parë janë zëvendësuar”.

“Fillimisht ka pasur hezitim se kjo taksë nuk do të vazhdojë dhe ka pasur raste kur disa biznese e kanë ndalur prodhimin duke menduar se taksa do të hiqet, por deklaratat e kryeministrit (të Kosovës, Ramush Haradinaj) se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Serbisë nga Kosova, i ka siguruar bizneset se kjo ka një afat të gjatë dhe se kjo taksë nuk do të hiqet dhe duhet të gjenden alternativa të tjera. Vendi i parë ku bizneset kanë kërkuar alternativa është Shqipëria. Vlen të theksohet se vitit i 2018 për herë të parë ka regjistruar shkëmbime tregtare me Shqipërinë në vlerë prej rreth 270 milionë”, thekson Shahini.

Vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka edhe efekte politike. Ajo po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa u hequr taksa.

Derisa, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.