Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “Twitter” mbi rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave me Shqipërinë.

Në postimin e tij në Twitter, Rama shkruan se ky rekomandim konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces.

Ndërkohë më tej, kryeministrin njofton se në orën 15:00 do të ketë një komunikim të përbashkët publik me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Komisioni Evropian ka paraqitur para Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Por çfarë thotë raporti për Shqipërinë, disa nga pikat kryesore:

Polarizimi i fortë vazhdoi në sferën politike.

Aktivitetet parlamentare u prekën nga një bojkot i zgjatur nga partitë opozitare, të cilat pastaj lanë edhe mandatet e tyre parlamentare në shkurt 2019. Më shumë se gjysma e mandateve të braktisura parlamentare tani janë ri-shpërndarë nga KQZ dhe kuorumi për funksionimin e plotë të Parlamentit mbahet.  Partitë e opozitës vendosën të mos regjistrohen për zgjedhjet lokale, të cilat janë planifikuar më 30 qershor 2019. Aksioni i partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht përpjekjet për një reformë bipartiane zgjedhore pavarësisht nga përpjekjet e shumicës për të ecur përpara.

Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në atë që ka të bëjë me reformën e administratës së saj publike.

Përpjekjet vazhduan në disa fusha të lidhura, duke rezultuar në njëfarë progresi në efikasitetin dhe transparenca e ofrimit të shërbimeve publike, përmirësimi i kuadrit rregullator mbi ndikimin vlerësimin e politikave, procedurat më transparente të rekrutimit dhe forcimin e përgjithshëm të kapacitetit të administratës për të ndërmarrë procedura të bazuara në merita.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka një nivel të mirë të përgatitjes.

Zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar me një rezultat të mirë dhe përparim të përgjithshëm.  Ri-vlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka përparuar vazhdimisht, duke prodhuar rezultate të prekshme. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin.

Progres i mirë është bërë në luftën kundër korrupsionit, kryesisht më adaptimin e Planit të Punës 2018-2020.

Vendosja e task forcës anti korrupsion ka rritur kontrollin ndaj administratës. Aksesi direkt në databazat për prokurorët dhe policinë është përmirësuar. Progres i mirë ka vijuar në dokumentimn e investigimit dhe hetimi të rasteve të korrupsionit .raste konkrete të luftës kundër korrupsionit janë procesi i vettingut i ciliu ka shkarkuar një numër magjistratësh të niveleve të larta. Krijimi i KLP i hapi rrugë krijimit të SPAK dhe dhe byrosë kombëtare tëq investigimit. Gjithësesi korrupsioni prevalon në shumë zona dhe mbete një problem që duhet adresuar.

Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër krimit të organizuar.

Operacionet e policisë për të shkatërruar organizata kriminale janë intensifikuar. Disa nga këto operacione kanë rezultuar në arrestimin e disa prej elementëve më të rëndësishëm të kërkuar për krim të organizuar. Vitet e fundit Shqipëria ka treguar angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Në dy sezonet e kaluara të të korrurave, vëzhgimi nga ajri ka treguar se në Shqipëri nuk kultivohet më kanabis. Përpjekjet megjithatë duhet të vazhdojnë, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe konfiskimin e aseteve që vijnë nga paratë e aktivitetit kriminal.

Transparenca mbi buxhetin ka përmirësime sepse të gjitha dokumentat kryesore mbi buxhetin janë publikuar.

Pjesëmarrja e shoqërisë civile në buxhetim duhet të forcohet më shumë. Raporti për implementimin e buxhetit të 2017 u publikua. Megjithatë informacioni mbi asetet shtetërore në këtë raport nuk është i mjaftueshëm për të bërë një krahasim më buxhetin origjinal.

Financimet publike nuk mjaftojnë për të mbuluar mungesat në infrastrukturë kështu që janë implementuar skema të partneritetit publik privat.

Rritja e varësisë ndaj PPP-ve gjeneron rreziqe fiskale. Agjencia e sapokrijuar për rrezikun fiskal nuk ka kapacitetin e duhur për të monitoruar këto rreziqe.

Shumica e kontratave të PPP-ve janë bërë në bazë të propozimeve të pa kërkuara, gjë që ka dëmtuar konkurencën. Në fund të 2018, regjistri i koncesioneve tregon se janë bërë 218 partneritete publik privat. Megjithëse kërkohet nga ligji, analiza e vlerës nuk është bërë përpara miratimit të PPP-ve. Ndërkaq nuk ka një raportim të rregullt në lidhje me PPP-të . Kështu që duhen zhvilluar kapacitetet për të planifikuar dhe vlerësuar PPP-të

Pas vendimit pozitiv të KE për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka reaguar edhe eurodeputeti Eduart Kukan.

Ai i bëri apel partive politike në Shqipëri që të ngrihen mbi interesat politike dhe të punojnë për popullin.

Gjatë fjalës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Kukan theksoi se shqiptarët e meritojnë hapjen e negociatave.

“Komisioneri Hahn ka qenë nder dhe kënaqësi që kam bashkëpunuar me ju. Raporti tregon mjaft interes, një thriller i vërtetë. Dhe reagimi i parë është pozitiv. Ne të gjithë duam që kolegët e Ballkanit perëndimor të ecin para, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë atë që ju sapo thatë.

Mund të ketë shumë pika dhe argumente, por nëse shohim pikat pozitive ka pasur hapa deçizivë drejt Evropës. Por nga ana tjetër mund të bëhet më shumë. Të gjithë këto vende meritojnë mbështetjen tonë, por edhe ndihmën tonë.

Shqipëria, konstatojmë një politike të ngarkuar të brendshme në 30 qershor do kemi zgjedhje lokale dhe u takon liderëve politike të shkojnë përtej interesave të partisë, dhe të shkojnë drejt interesave të qytetarëve. Edhe ne duhet të bëjmë më shumë, duhet të shohim instrumentet që kemi në dispozicion për të ushtruar një presion më pozitiv ndaj kolegëve tanë në Ballkan. Sepse përkundrazi rrezikohet humbja e kredibilitetit dhe duhet marrë në konsideratë çështja e stabilitetit të Rajonit”, tha Kukan.

Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë gjatë paraqitjes së progres-raportet për vendet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni ka rekomanduar edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Komisioneri Hahn, duke folur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi se duhet të mbahen premtimet për shtetet që aspirojnë për në BE, kur ato i përmbushin kërkesat.

“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës.

Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vende. Kushti kryesor është reforma në drejtësi. Për sa i përket kapitujve 23-24. Të dyja palët duhet të japin kontribut“, tha eurokomisioneri Hahn gjatë prezantimin e progres raportit.

Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ka përfunduar dje, dhe në mesditë përurohet hapja e saj nga Presidenti Hashim Thai dhe Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Agjendat e krerëve shtetërorë bëjnë të ditur se Haradinaj dhe Thaçi do të jenë të pranishëm në inaugurimin e autostradës.

“Në orën 12:00, presidenti Thaçi merr pjesë në ceremoninë e hapjes së segmentit R6 të autostradës ‘Arbën Xhaferi’”, njofton Presidenca.

Në të njëjtën ditë, Kryeministri Ramush Haradinaj e pret në takim homologun e tij malazias, Dushko Markoviq. Pas takimit, ai nisët për përurim të

“Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Autostradës “Arbën Xhaferi’”, thuhet në komunikatët nga Zyra e Kryeministrit.

Në Han të Elezit ka plan që të shkojë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në ceremoninë e hapjes së segmentit R6 të autostradës ‘Arbën Xhaferi’”, shkruan zyra e Kryeparlmanetarit.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë. Ajo ka pasur plan që të hapet më 31 dhjetor të vitit 2018.

Autostrada po lëshohet në qarkullim, ndërsa Kosova do të paguaj ekstra Bechtel & Enka-s 54 milionë euro për shkak të vonesave të pagesave gjatë këtyre viteve kur po ndërtohej autostrada. 

Lideri i Partisë Liberal Demokratike të Serbisë (LDP), Çedomir Jovanoviq e ka porositur sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  që për zgjidhjen e çështjes së Kosovës të jetë i tillë çfarë nuk ishin të gjithë të tjerët para tij, përkundër të gjitha kufizimeve dhe të gjitha gabimeve, “sepse ne kemi nevojë për paqe, e jo për territore”.

“Ne nuk kemi më kohë. Duhet të vazhdoni negociatat”, tha Jovanoviq, në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë, në të cilën Presidenti i Serbisë, raportoi për çështjen e Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Jovanoviq potencoi se në përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje për Kosovën, Vuçiqi është krejtësisht i vetëm.

“Do të doja që në Kishë të gjesh diçka që mund të sillte paqe tek populli ynë i egërsuar, por nuk ka të tillë. Do të doja ta gjeni edhe në Akademi të Shkencave, ku ka njerëz të guximshëm, por as atje nuk do ta gjeni”, tha ai.

Nga Valon Bela-Ka muaj që kam paralajmëruar Ministrin e Shëndetësisë dhe zyrtarë të tjerë për veprimet antiligjore që ndërmerren në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë por deri tani akoma asnjë gjë nuk është ndërmarrë. Prandaj edhe jam i detyruar të bëj publike atë që kam gjetur gjatë punës sime si Drejtor Organizativ (ekonomik) në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë. Gjithashtu kam informuar edhe Këshillin Drejtues të Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë si dhe dy Drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor gjatë takimit që kam patur me ata mbi borgjet e Klinikës që vazhdimisht janë në rritje, keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit.
Kontraktimi i kompanive që kryejnë teste laboratorike për punën e përditshme në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë është një gjë e zakontë por kur ju i pamundësoni kompanive të tjera duke favorizuar vetëm një kompani e cila jo vetëm që është shumë më e kushtueshme se të tjerat por rezultatet e të cilave mund të ndikojnë në jetën e foshnjeve nga shkaku i vonesës së tyre është krim nga më monstruozët. Kjo ndodh kur keni ngatërruar profesionin mjekësor me përfitimet materiale si prioritet.
Marrja e këtyre aparatëve nga kompanitë farmaceutike është në kundërshti të plotë, madje është rreptësisht e ndaluar edhe me vendimin ministror i cili është publikuar si informatë drejtuar Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë me datë 28.06.2010 dhe mban numrin arkivor ministror 14-5250/1 ndërsa është pranuar në arkivin e Klinikës më 30.06.2010 me numër arkivor 03-1194/1. Kjo ndalesë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë asnjëherë nuk ka gjetur zbatim në Klinikën për Gjinekologji dhe Obsterikë.
Pamundësimi i kompanive të tjera gjatë ofertës për teste mikrobiologjike përmes caktimit të specifikacionit të veçantë nga vetëm njëra kompani (me atë që jeni dakorduar) në prokurorim publik (tender) ka shkaktuar që Klinika për Gjinekologji dhe Obstetrikë të paguaj pesëfishin e çmimit për testet mikrobiologjike. Dhe në vend se të kushtojë 3 mijë denarë një test për foshnjet e posalindura (sidomos ato parakohe), klinikës ky test i kushton 15 mijë denarë dhe si rrjedhojë e kësaj Drejtoresha mjekësore Viktorija Jovanovska ka nënshkruar kontratë milionëshe për këto teste ose 4.252.500 denarë. Dhe këtu nuk përfundon krimi. Përkundrazi vetëm fillon. 
Testet për kultivimin e hemokulturës si dhe reagensët për dijagnostifikim molekular në vend se të ofrohen nga kompanitë e tjera të cilat japin rezultat për 30 min, kompania me të ciln ka kontraktuar Klinika për Gjinekologji dhe Obstetrikë përmes Drejtoreshës mjekësore Viktorija Jovanovska, rezultatet nuk mund t’i siguron për 30 minuta (ndryshe nga kompanitë e tjera) por rezultatet vonohen 3 ditë ose 72 orë. Vonesa e këtyre rezultateve tepër të nevojshme për foshnjet e posalindura (sidomos ato parakohe) mund të merr edhe jetën e vetë foshnjeve sepse ata mund të vdesin duke pritur rezultatet. Përzgjedhja e kësaj kompanie farmaceutike në kohë kur të tjerat ofrojnë rezultate më shpejta detyrimisht ju bën një vrasës potencial i foshnjeve.


Veprimi tjetër jashtë çdo arsyeshmërie logjike qëndron tek fakti se aparati që ka sjellur kompania “Biotek” është vendosur në repartin për kujdes intenziv (PIN) ku qëndrojnë foshnjet e lindura parakohe (nëpër inkubatorë). Ky aparat për teste mikrobiologjike paraqet rrezik sepse njëherit edhe mund të infektojë foshnjet me bakterie, virusë etj. Çfarë kërkon një aparat për testime mikrobiologjike në reaprtin e kujdesit intenziv (PIN) kur Klinika për Gjinekologji dhe Obstetrikë nuk ka licencë për laboratori mikrobiologjike. 
Më duhet të potencoj se vetëm në periudhën kohore nga 09.05.2019 deri më 15.05.2019 janë dijagnostifikuar 6 foshnje me hemokulturë pozitive prandaj edhe Inspektoriati shëndetësor sanitar ka bërë kontrollimin e jashtëzakonshëm ku pas konstatimit të gjendjes ka marrë vendim për masa rigoroze kundërepidemike dhe sanitaro-higjienike, më 17.05.2019, dhe i pranuar tek ne më 22.05.2019.
Më poshtë paraqes marrëveshjen e nënshkruar nga drejtoresha mjekësore, Viktorija Jovanovska, ndalesën nga ana e Ministrisë së shëndetësisë për aparate të këtilla, vendimin e Inspektoriatit shëndetësor sanitar, kërkesën për teste nga ana e motrës së repartit 

T.T, si dhe fotografitë e aparateve nga Biotek të vendosura në repartin e kujdesit intenziv (OINT). 
Denoncimi së bashku me dokumentet e publikuara nga ana ime do të dorëzohen në Prokurorinë Publike.
p.s. Ditëve në vijim do të bëj publike veprime të tjera të jashtligjshme.

Akademik Rexhep Qosja e ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Bashnë se pas përfundimit të luftës në Kosovës, se me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë nga radhët e LDK-së, e ka furnizuar Dik Martin me të “dhëna” kundër Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Qosja në një opinion të postuar në facebook ka shkruar se PD i duhet Shqipërisë pa Lulzim Bashat.

“Le ta kemi të qartë se me politikë çadrore, me ultimatume çadrore, me mosbindje çadrore, me sjellje çadrore, që synojnë rrënimin e shtetit, me politikën shpërfillëse çadrore ndaj diplomatëve e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë, ne vetëm sa e komprometojmë mendjen tonë politike dhe e cenojmë gjasën që na e ka sjellë ky shekull”, ka shkruar Qosja.

Po ua sjellim opinionin e plotë të Qosjes

Si njoftuan mediet e Tiranës, më 26.4.2017, bisedimet e Koalicionit shqiptar, të përfaqësuar prej kryeministrit, Edi Rama, e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Opozitës shqiptare, të kryesuar prej kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, David Mekalister e Knut Flekenshtain, dështuan! Dhe, dështuan sepse Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me çështjet për të cilat do të duhej të bisedonin dy palët, e refuzoi Opozita, domethënë Lulzim Basha. Kryetari i Partisë Demokratike e refuzoi këtë  Draft-marrëveshje, në të cilën përfaqësuesit e Koalicionit, Edi Rama dhe Ilir Meta, i kishin bërë atij një varg lëshimesh, për shkak se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk përfillën ultimatumet e tij, qindra herë të përsëritura, për krijimin e qeverisë teknike, rrjedhimisht, për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit të Shqipërisë dhe shpërbërjen e Qeverisë shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk u kënaq me lëshimet, përkatësisht me dhuratat që ia dhuruan përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Mekalister e Flekenshtain, dhe përfaqësuesit e Koalicionit shqiptar, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ai nuk u kënaq me pozitën e dhuruar të kryetarit të Këshillit Qendror të Zgjedhjeve. Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate!

Ai nuk u kënaq me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, në sajë të të cilave do të ndëshkohen të gjithë ata që blejnë e shesin vota! Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate! Me ato ndryshime mund të dënohen rëndë për shitblerje votash edhe mjeshtrit e Partisë Demokratike e të disa aleatëve të saj të kryehershëm që e kanë ushtruar shumë suksesshëm atë mjeshtëri!

Ai nuk u kënaq me premtimet e dëshmuara me shkrim e me nënshkrime të dy përfaqësuesve evropianë për luftën kundër drogës dhe, rrjedhimisht, për shkarkimet e disa kuadrove policore, që do të bëhen shpejt! Ç’dhurate është kjo për “meritat” politike e kombëtare të Lulzim Bashës! Kurrfarë dhurate është ajo dhuratë që nuk përmban ultimatumet e tij staliniste. Kjo dhuratë mund t’i dalë atij kapuç me mëngë. Ai e di se shtet të drogës Shqipërinë nuk e ka bërë Qeveria e sotme në krye me Edi Ramën. Jo. Shtet të drogës Shqipërinë e kanë bërë krijuesit politikë të Lulzim Bashës: Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij më të përkushtuar! Vetëm në fshatin e madh, në fshatin Lazarat, prodhoheshin atëherë, siç kishin shkruar cinikët evropianë, 4 miliardë e gjashtëqind milion euro drogë në vit!

Ai, Lulzim Basha, si kryetar i Partisë Demokratike, di edhe diçka më shumë për drogën: ai di se ku më pak e ku më shumë, tani e 25 vjet, droga mbillet në gjithë Shqipërinë – në fusha e male, në lugina e kodrina, në fshatra e qytete, në shtëpia e banesa. Dhe e mbjellin bashkëpunueshëm dhe bashkëpërfitueshëm anëtarët e shumë partive, sidomos anëtarët e tri partive të mëdha: të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste për Integrim. Nuk do të mbillej aq lehtë, nuk do të mbillej aq shumë, nuk do të mbillej aq shumë kund, nuk do të korrej e paketohej aq shpejt e nuk do të eksportohej aq lehtë sikur në të gjitha këto punë të mos bashkëpunonin aq shumë duar, aq shumë e shumë duar të ndryshme e të rrjetëzuara partiake, që s’e mbikëqyrin e as vëzhgojnë njëra-tjetrën. E të tjera. E të tjera!

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk mund të kënaqet me të gjitha këto dhurata të dhuruara me Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, për shkak se ai me prodhuesin e tij partiak, Sali Berishën, kanë një dëshirë sipërore, shantazuese e ultimative, që është dëshirë mbi dëshirat, që është kryedëshirë e tyre: ai e dëshiron, ai e ëndërron Kokën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë – Kokën e Edi Ramës? Kjo Kokë përfaqëson qëllimin e tyre, dhe kuptimin e politikës së tyre! Kjo Kokë është kryeultimatumi i tyre. Patologjia e tyre!

Megjithëse mendjeçartur aq sa nuk ua merr mendja atyre djemve e vajzave e atyre burrave e grave që, shpesh fytyrëmvrenjtur, i duartrokasin me ditë të tëra në çadër gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet, thirrjet, britmat, çjerrjet, fjalitë e tij që aq shpesh fyejnë logjikën dhe etikën, ai, Lulzim Basha, e di se me Edi Ramën kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste nuk ka kurrfarë gjasash as sivjet, as pas katër vjetësh, as pas tetë vjetësh, të bëhet kryeministër  i Shqipërisë.

Edi Ramën nuk ma ka bërë nëna, prandaj nuk kam kurrfarë arsyeje shpirtërore ta kem më afër a më larg se Sali Berishën apo Lulzim Bashën. Por, Rexhep Qosja, që nuk njeh aristokraci të trashëguar, që nuk njeh aristokraci të pasurisë, që njeh vetëm aristokracinë mendore, aristokracinë intelektuale, e përkrah Edi Ramën si intelektual, e përkrah për mendjen e tij e për dhuntinë e tij krijuese, sado s’i ka heshtur e s’i hesht disa mospajtime me të në politikë. Dhe, e përkrah sepse ai, me bashkëpunëtorët e tij, po bëjnë shumë përpjekje për ta liruar Shqipërinë prej të këqijave të shumëllojshme me të cilat e ka ngarkuar mentaliteti politik primitiv ende agresiv, po bëjnë shumë përpjekje për ta bërë Shqipërinë shtet të së drejtës, shtet të përgjegjshmërisë sociale, shtet të gjasave të barabarta për të gjithë, shtet në të cilin të gjithë do të kenë dinjitet të pa fyer, të pa nënçmuar e të pa cenuar, shtet në të cilin të gjithë do të jenë njësoj të sigurt dhe njësoj të trajtuar  prej shtetit e prej drejtësisë së tij, shtet njëmend të evropianizuar.

Çadra fatkeqe, provokuese, mosduruese e sulmuese ndaj institucioneve shtetërore shqiptare nuk u ngrit në pranverën e sivjetme vetëm në Tiranë. Çadër e ngjashme kundër Qeverisë së sotme shqiptare në krye me Edi Ramën u ngrit këtë pranverë edhe në tri vende fqinje: u ngrit edhe në Greqi, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, sipas të gjitha gjasave, është njëri prej kryeministrave më të sulmuar prej fqinjëve në historinë njëqind e pesëvjeçare të shtetit shqiptar! Pse jo? Ai është kryeministri që ua tha atyre disa të vërteta të hidhura që s’ua kishin thënë kryeministrat e tjerë shqiptarë.

Sulmet ndaj kryeministrit të sotëm shqiptar më së pari i filloi Greqia, në të vërtetë e djathta e njohur greke e, pas saj, edhe ministri i Ushtrisë greke. E djathta greke me ministrin e saj ushtarak e filloi avazin sulmues ndaj kryeministrit shqiptar për shkak të disa të vërtetave që ai i tha për politikën e sotme dhe politikën e mëparshme të Greqisë, ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve.

As Greqia e djathtë e as Greqia e majtë nuk ishin mësuar që prej kryeministrave shqiptarë t’i dëgjonin disa të vërteta për politikën e saj ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, në mënyrë të veçantë ndaj çamëve!

Nga Bedri Islami--Protesta opozitare e së shtunës, ashtu si jo rastësisht ndodhi, e paqtë, më shumë një shëtitje se një demonstrim, ndryshe nga të tjerat dhe krejtësisht ndryshe nga sa kishte paralajmëruar dy ditë më parë, ish-shefi i qeverisë, për përplasje civile, zvarritje kryeministrore, dhunë e zjarr. Në të kundërtën njerëzit, gjithnjë e më pak se herët e tjera, pas thirrjeve të zakonshme “Rama ik”, thirrjeve për shefin e ri të partisë më të madhe opozitare, që i nxori edhe jashtë parlamentit, emrin e të cilit filluan të brohorasin, pasi shqiptarët nuk mund të bëjnë pa thirrur emrin e një lideri, dëgjimit të një muzike që shumica nuk e kuptonin, pritjes së çfarë mund të ndodhte dhe fjalës së Bashës, shkuan në shtëpitë e tyre.

Fare pak përpjekje për dhunë, që, më shumë se gjithçka tjetër saktësoi se në protestat e tjera dhuna ishte përgatitur pikërisht nga këto që tani i ftuan për paqësorë, dëshmoi se bombat molotov nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me fjalët kërcënuese, por me përgatitjen e fshehtë nga struktura të posaçme dhe, se aty ku nis burimi i tyre, aty edhe mund të përfundojë.

Duke mos përdorur dhunë morën përsipër se kishin qenë autorët e saj.

Pas pak ditëve opozita, e bashkuar ose jo, do të bëjë protestën e shtatë të saj, si quhet, kombëtare, megjithëse pak gjëra ka aty nga kombi, shteti dhe populli.

Çfarë do të ngjajë përtej protestave të dukshme dhe a janë hapur kanalet e nëndheshme për të arritur një marrëveshje të re, një kontratë të re, e cila, në formë mund të jetë ndryshe nga ajo e dy viteve më parë, por në thelb mund të jetë e njëjta gjë?

A do të arrijë Basha dhe Kryemadhi për të ulur hundën e Ramës, apo, ky i fundit do të qëndrojë deri në fund, duke krijuar një situatë ndryshe, të padëgjuar dhe që mund të ishte ajo që Moikom Zeqo e quan vdekja e bardhë e partive politike?

Cili prej tyre do të thyhet në këtë përplasje, e cila, më shumë se e ardhur nga një domosdoshmëri, është një fatkob i ri mbi fatin e Shqipërisë?

Opozita kërkon që zgjedhjet e 30 qershorit të mos bëhen pa opozitën. Ata, jo vetëm nuk do i njohin, por edhe kanë menduar dhe e kanë thënë haptas se do të bëjnë të gjitha përpjekjet, deri tek përplasjet e forcës, në çdo qendër votimi, për çdo kuti, duke sjellë para nesh vitin e mbrapshtë 1997, megjithëse e dinë fare mirë se asgjë nuk mund të përsëritet dy herë njëlloj.

Ndërhyrjet e vakëta dhe të vonuara të ndërkombëtarëve, të lodhur tashmë me vicklat e politikës shqiptare, sidomos sa herë që e djathta është në opozitë, në fakt ndërhyrje të shumëpritura nga opozita pas heshtjes së rëndë shurdhuese të diplomacisë ndërkombëtare, kanë sjellë idenë se vendi mund të marrë sado pak frymë dhe se mund të ketë një zgjidhje të momentit të fundit, si ka ndodhur jo pak herë kur kanë qeverisur socialistët.

E djathta në pushtet, faktikisht, asnjëherë nuk ka bërë kompromis apo marrëveshje të momentit të fundit; në të kundërtën, edhe kur i kanë rreshtuar në një “krokodil”, megjithëse kanë parë dhëmbët e ndërkombëtarëve, kanë mbetur gjithnjë në llogoren e tyre.

Po tani?

Të dhëna jo publike tregojnë se nëndheu i politikës po përpiqet të çelë sythet mbi tokën e politikës. Se çfarë sythesh do të çelin këtë nuk e di askush. Ndërkombëtarët, ndoshta, kanë shpejtuar “çeljen”, por nuk kanë mbjellë asgjë deri tani. Shkaku i hapur: lodhja nga politika shqiptare; shkaku i fshehtë: edhe kur kanë provuar, shpesh herë janë gjendur jashtë vorbullës.

Varianti i kërkuar nga opozita si kusht që nuk mund të negociohet është largimi i Edi Ramës si kryeministër dhe mos ulja në bisedime me të.

A mund të ndodhë? E vështirë, në mos e pamundur.

Edi Rama e di krejt mirë se, nëse ndodh kjo, atëherë ka ardhur koha që ai të largohet jo vetëm nga posti i shefit të qeverisë, por edhe si drejtues i socialistëve. Bashkë me të merr fund edhe statura e krijuar prej tij brenda së majtës, e njohur si Rilindja.

Do të ishte fundi i një rrjedhe politike, e cila filloi rastësisht, nga një rast i hidhur i jetës së tij private. Mund të ishte rizgjimi i së majtës, por kjo do të kërkonte kohë, shumë kohë, mund, ndarje mes vetes, përplasje në të majtën, të cilët “ delet” prej kohësh i kanë zbuar diku tjetër dhe nuk presin që përmes blegërimave demosociale të rimarrin veten.

Pranimi i Ramës për dorëheqje do të jetë largimi i tij nga politika, dëmtimi më serioz që do i bëhej së majtës në një periudhë të caktuar kohore, por, si çdo e keqe, edhe kjo mund të ketë një të mirë: në PS mund të fillojë katarsisi i vërtetë, një autoveting i njëmendtë, që do të sjellë në këtë forcë politike idetë e vërteta të së majtës, një vizion të ri për shtetin, marrëdhënie ndryshe me masën që përfaqëson dhe, mbi të gjitha, krijimin e një lidershipi të ri, i cili do të mund të kishte në mbrujtje figura të rrahura në vite të së majtës me të rinj idealistë dhe vizionarë.

Rama mund të pranojë dorëheqjen nga shefi i qeverisë, por të ulet në tryezën e bisedimeve si drejtues i forcës më të madhe politike, socialistëve.

Në këtë rast gjithçka do të jetë ilegjitime. Sepse, një figurë politike, përfaqësues i një force qeverisëse, të votuar për të drejtuar katër vite, në momentin e dorëheqjes nga besimi, ai nuk ka më legjitimitet për të drejtuar atë forcë, vizionin qeverisës të saj e braktis.

Në vitin 2017 Rama e bëri këtë, e bëri brenda një nate, pa pyetur askënd dhe pa marrë mendimin e askujt. Ai ul në një tryezë të veçantë me shefin e opozitës, në fakt një kleptoman të njohur, i dha në një qoshe dëmshpërblimin 15 milionësh euro për pallatin e vjehrrit të tij, i dha gjysmën e qeverisë, institucionet lumë-paguese, kur korrupsioni ka qenë gjithnjë galopant, i dha avokatin e popullit, ku Basha shpejtoi të dërgojë njerën nga mikeshat më të afërta të bashkëshortes së tij, kryetarin e KQZ, pra ndau pushtetin me opozitën,megjithëse askush nuk e kishte autorizuar.

Fati i Ramës ishte besimi i njerëzve tek ai, besim, i cili, pas katër viteve të para të qeverisjes, ishte ende në këmbë, duke fajësuar ende qeverinë Berisha për humnerën financiare ku ishte hedhur i gjithë vendi. Ky besim i dha atij dhe sidomos PS-së, një fitore të re, ata morën krejt të vetëm gjithë pushtetin ekzekutiv dhe mundësinë për të bërë çka kishin besuar se do e bënte një qeveri e së majtës dhe posaçërisht për të majtën.

Dorëzimi i Ramës, qoftë edhe duke qëndruar në tavolinë si drejtues i PS-së, është joreal, jo legjitim. Ai mund të jetë hapësirë për të ardhmen, por precedenti më i shëmtuar si abuzim me pushtetin politik.

Rama nuk jep dorëheqjen dhe vazhdon atë që ka premtuar në pesë letrat e tij. Në fakt ai po i shkruan një njeriu që nuk di të lexojë në shqip dhe që pret përkthimin në një gjuhë të huaj. Si një drejtues partie amorfe, pa organizim ku e ka shpënë Basha forcën e parë politike opozitare, dhe, duhet pranuar pa asgjë të veçantë deri tani në paraqitjen e tij publike, veç kopjes negative të Berishës, Rama nuk mund të presë një përgjigje.

Loja e letrave është ndoshta fshehja e asaj që po shkruhet në takimet e fshehta, por nuk mund të vazhdojë gjatë. Ato kanë po aq efekt sa ultimatumet e pafundme kineze kundër imperializmit. Të vjetrit e mbajnë mend se këto ultimatume shkuan në mbi 1000 sosh.

Mos tërheqja e Ramës mund të sjellë një gjendje të re politike. Në 61 bashkitë e vendit do të sundojnë përfaqësues të vetëm një force politike, së majtës, që ka edhe qeverisjen qendrore.

Kjo do e bëjë vitin 2021, vit të zgjedhjeve çparlamentare që e majta të futet në garë me kuajt shumë përpara opozitës dhe përsëri do të ketë kontestime të pafund nga opozita, që do të sjellin një zinxhir të pafund përplasjesh, sidomos po të vazhdojë të jetë aktiv në politikë Berisha.

Në 30 qershor nuk do të ketë përplasje civile. Ndoshta në disa qendra në ato zona ku PD mendon se janë bastionet e saj politike dhe forca e saj.

Mund të ndodhë, por kjo do të jetë vetëvrasja e trumcakut politik të opozitës dhe ringjallja për të dytën  herë nga gabimet e fajet e opozitës të vetë Ramës.

Kush prek zgjedhjet, ai dënohet. Jo ligjërisht, por politikisht dhe ky është dënimi që nuk mund ta mbajë një forcë politike.

Zgjedhjet do të shtyhen në një datë tjetër. Të themi në nëntor. Ka një nëntekst kushtetues që mund ta lejojë, megjithëse politika nuk ka pyetur kurrë për kushtetutën. Vetëm kur i duhet si mburojë. Por jo si denjësi e mbarëvajtjes së kombit.

Presidenti Meta e hodhi këtë ide, që më shumë se ide presidenciale tingëlloi si ide bashkëshortore.

A e bën shtyrja e zgjedhjeve situatën më të qetë, më të mençur, më kreative, më marrëveshje bërëse?

A mund të futet opozita në zgjedhje, në një datë tjetër, me këtë qeveri, këtë shef qeverie, këtë rreshtim të forcave politike?

Në kampin opozitar janë disa jeniçerë të vjetër të politikës që ëndërrojnë të zaptojnë sa më shpejt bedenat e pushtetit. Ndoka, Shehi, Dule, Idrizi, Mediu, Vasili, Tritani i vockël dhe Paloka i çartur, nuk të joshin për marrëveshje.

Cilado rrugë provokon një precedent të ri politik, të paparë dhe të rrezikshëm. Krijon mundësinë e shembjes së shtetit sa herë t’i dojë qejfi opozitës, pavarësisht se kush është në opozitë e kush është në qeverisje.

Precedenti është më i rrezikshëm se sa të gjitha mundësitë e vëna në tavolinë.

Çfarë duhet bërë?

Një rrugë është më pak e dhimbshme: të bëhen zgjedhjet dhe, pas dy viteve, në rendin e zgjedhjeve parlamentare, të ribëhen edhe ato vendore.

Por kjo do të ishte vetëvrasja e opozitës.

Opozita i ka marrë në duar të gjitha mjetet e vdekjes së tyre të bardhë, qeveria u ka dhënë edhe mjete të tjera shtesë, por ka në duart e saj edhe mjetet e veta.

Kush do e shkrehë e para?

Lideri i opozitës Lulzim Basha, duke iu përgjigjur dy ditë më parë një letre të hapur të kryeministrit Edi Rama, i cili i propozonte një dialog pa kushte, refuzoi propozimin, me pretendimin se, në këto gjashtë vjet qeverisje, Rama duhet ta kishte dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen. “Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit”, shkruante Basha, duke renditur “arsyet” e tij.

Shqiptarja.com provoi të bënte një ‘fact checking’ mbi akuzat kryesore të hedhura nga Basha, duke zbuluar se, në të vërtetë, gati gjithë argumentimet e tij janë thjesht ripropozimi i fushatave politike dhe mediatike të zhvilluara nga opozita në këto gjashtë vjet. Natyrisht, opozita ka të drejtën dhe, ndoshta, edhe detyrën që të denoncojë qeverinë në detyrë, por, në rast se fjalët nuk i shoqëron edhe me prova, nuk mund të pretendojë që qeveria të dorëhiqet.

Ja 17 akuzat kryesore të paraqitura në fjalimin e tij nga ana e Lulzim Bashës:

1) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues
Ligji për dekriminalizimin është, sigurisht, një betejë, për të cilën merita i takon opozitës, edhe pse, pa votën dhe konsensusin e Partisë Socialiste në Kuvend, ligji nuk do të ishte miratuar. Gjatë zbatimit të këtij ligji, u zbulua edhe rasti i Elvis Roshit. Gjithsesi, pikërisht ligji për dekriminalizimin tregon që, në rast se opozita bën një betejë të drejtë, ajo fiton, edhe duke mbetur si pakicë numerike. Ky është një argument më shumë, që e bën të pakuptueshëm vendimin e saj për të braktisur Kuvendin dhe që përgënjeshtron akuzat se mazhoranca socialiste ka refuzuar çdo nismë të opozitës.

2) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë
Në të vërtetë, mediat ndërkombëtare kanë filluar ta etiketojnë Shqipërinë si kryeqendër të drogës që nga koha e Lazaratit (2005-2013), një fshat që vetëm ai prodhonte më shumë marijuanë se ç’u prodhua ndonjëherë në vitet më pas në të gjithë vendin. Lazarati ishte një bastion elektoral i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha gjatë tetë viteve në pushtet i mbrojti kultivuesit e drogës pa ndërhyrë asnjëherë. Kështu, Shqipëria u bë hambari i drogës në Evropë që në kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Pastaj e vazhdoi këtë rrugë.

3) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge
Saimir Tahiri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, as në Itali, as në Shqipëri, për trafik droge. Në Itali hetimet për të u mbyllën me arkivim, pasi nuk kishte prova. Në Shqipëri procesi ende nuk ka nisur. Saimir Tahiri prej kohësh tashmë nuk është më ministër i Brendshëm, dhe Partia Socialiste, me votën e saj në Kuvend, autorizoi Prokurorinë që ta hetojë atë.

4) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë
Nuk rezulton asnjë kompani në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e lidhur me trafikun e drogës dhe nuk ekziston as edhe ndonjë hetim për të nga ana e Prokurorisë. Por janë reale marrëdhëniet mes vajzës së tij dhe anëtarit të një bande kriminale. Edhe për këtë arsye Qazim Sejdini nuk u kandidua më në zgjedhjet e 30 qershorit.

5) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant
Nuk ka asnjë provë që ish-ministri i Brenddshëm Fatmir Xhafaj të ketë mbrojtur vëllain Agron Xhafaj, të dënuar shumë vite më parë në Itali për trafik droge dhe, para së gjithash, se ai i paska lejuar atij të vazhdojë të trafikojë drogë. Por ekziston prova që, pas denoncimeve të opozitës, Agron Xhafaj u detyrua nga vëllai i tij ministër që të dorëzohej tek autoritetet italiane për të kryer dënimin. Akuzat e bëra nga opozita ndaj Agron Xhafajt përmes një përgjimi të pretenduar, sipas Prokurorisë janë pjellë e një manipulimi, përgjegjësit për të cilin janë nën akuzë.

6) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës
Nuk ka asnjë provë dhe asnjë hetim që të lidhë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, me të ashtuquajturin “grupi i Xibrakës”, një bandë që prodhonte kokainë bashkë me elementë kolumbianë dhe përgjegjësit e tij u arrestuan dhe u gjykuan.

7) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe
Të ashtuquajturit “skandale të koncesioneve milionashe” kanë qenë në qendër të një fushate të gjatë nga ana e opozitës, krejtësisht të ligjshme nga pikëpamja politike, por një fushatë, e cila mbetet pikërisht në kufijtë e një argumenti politik që përdoret nga opozita. Por, “skandal” duhet të quhet një aferë korruptive e zbuluar dhe e provuar nga organe të pavarura, si për shembull Prokuroria qe ne rastin e koncesioneve nuk ka patur. Po të mjaftonin akuzat e opozitës për të shtyrë një kryeministër të jepte dorëheqjen, asnjë kryeministër nuk do të ishte në pushtet në asnjë vend të botës perëndimore.

8) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco
Ngjarja e “D.H. Albania”-s, një kompani fantazmë, e cila, duke manipuluar dokumentat, arriti të fitojë dy tendera publikë me vlerë 30 milionë euro, sigurisht përbën një skandal të madh. Pas botimit të dokumentave që vërtetojnë skandalin, autoritetet shtetërore të përfshira në kontratë u vunë në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë drejtuesit e lidhur direkt apo indirekt me dy tenderat u shkarkuan, duke përfshirë ministrin Damian Gjiknuri. Në asnjë demokraci një qeveri nuk vihet në diskutim (ose, më keq akoma, duhet të japë dorëheqjen) kur zbulohet një rast korrupsioni, qoftë edhe i rëndë, përveç rastit kur në të është përfshirë personalisht kryeministri. Kur, në vitin 2007, per shembull kreu aktual i opozitës, Lulzim Basha, u përfshi drejtpërsëdrejti në skandalin e Rrugës së Kombit, me një kosto prej më se 900 milionë eurosh dhe i cili u shpall nga Prokuroria si “person nën hetim”, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen kryeministri Sali Berisha, por nuk u dorëhoq as Lulzim Basha, i cili, madje, refuzoi të merrej në pyetje nga Prokuroria. Më pas, skandali u mbyll, pa u zhvilluar as edhe një process gjyqësor për të.    

9) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit
Akuza, që u referohet zgjedhjeve të vitit 2017, bazohet mbi dy copa përgjime, të cilat përfshihen në dosjet e Prokurorisë 339 dhe 184, të cilat, në të vërtetë, sikurse e ka parë këtë kushdo, që i ka lexuar me vëmendje, nuk tregojnë asgjë. Hetimi ishte hapur në kohën kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla dhe kryetar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte Besnik Hajdarmataj. Të dy ata ishin prokurorë, qendrimet politike të të cilëve ishin haptazi kundër Partisë Socialiste e, megjithatë, as ata nuk gjetën dot asnjëherë prova të mjaftueshme për të inkriminuar ndonjë politikan socialist. Më në fund, duhet të kujtojmë edhe një herë se zgjedhjet e vitit 2017 u konsideruan të vlefshme, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Ta quash të paligjshëm rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 dy vjet pas votimit, bën pjesë tek ato argument, që opozita është e lirë t’i përdorë për propagandën e saj, por nuk mund të pretendojë që, për shkak të kësaj propagande, një kryeministër apo një qeveri të japin dorëheqjen. Po të ishte kështu, çdo opozitë në të gjithë botën demokratike do të mund të provokonte një krizë qeveritare, thjesht duke akuzuar qeverinë në detyrë se ka mbështetjen e një parlamenti të paligjshëm, duke denoncuar legjitimitetin e votimit, jo menjëherë pas zgjedhjeve, por në bazë të agjendës së saj politike. Një absurditet i tillë ka ndodhur vetëm në Shqipëri.

10)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje dhe kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor
Në planet e qeverisë së Edi Ramës ka qenë që në vitin 2013 lufta kundër informalitetit, duke përfshirë këtu luftën kundër vjedhjeve të energjisë elektrike dhe ndërtimeve pa leje. Fakti që Partia Demokratike, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe ish-kryetari i Bashkisë Lulzim Basha prej vitesh e kanë konsideruar informalitetin si një burim konsensusi elektoral, duke krijuar anarki dhe pandëshkueshmëri, nuk do të thotë që edhe qeveria e re socialiste duhej të ndiqte të njejtën rrugë. Kush ndërton pa leje duhet të pranojë rrezikun se, një ditë, shtëpia e tij do të shembet, edhe pse, në shumë e shumë raste, qeveria u ka garantuar një shpërblim, por qe shumë banorë e kanë quajtur si të pamjaftueshëm. Kjo, sidoqoftë, nuk shmang ekzistencën e një standardi të dyfishtë, që zbatojnë gjykatat, të cilat tregohen shumë të rrepta me hajdutët e energjisë elektrike (kryesisht njerëz të varfër) dhe shumë të dobëta me trafikantët e drogës. Por, funksionimi i keq i gjykatave dhe korrupsioni i drejtësisë nuk filluan sot dhe nuk mund të akuzohet qeveria për këtë. Ekziston një problem politik i drejtësisë, të cilin mazhoranca dhe pakica sëbashku e kanë përballuar, duke votuar bashkë reformën e drejtësisë.

11)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre
Edhe protestuesit e 21 janarit 2011 protestonin kundër korrupsionit të qeverisë, por Berisha (kryeministër) dhe Lulzim Basha (ministër i Brendshëm) u përgjigjën duke përdorur plumbat në vend të gazit lotësjellës. Jo vetëm që nuk dhanë dorëheqjen, por, pasi kuptuan se sa e rëndë ishte ajo që kishte ndodhur (me katër protestues të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur) urdhëruan menjëherë blerjen e gazrave lotësjellës “neuroparalizues”, armë kimike, që do të kishte shkaktuar shumë viktima të tjera. Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve i shtyu ta pajisnin Policinë me gaz lotësjellës “normal”, të njejtin gaz që sot e përdor Policia kundër protestuesve, që hedhin gurë e bomba Molotov kundër policëve. Dhuna është e tmerrshme nga secila anë të vijë. Por, për Bashën dhe Berishën, mënyra më e mirë për të shmangur që Policia të përdorë gazrat lotësjellës është t’i urdhërojnë militantët e tyre të mos përdorin asnjë dhunë kundër institucioneve. Por të mos e bësh këtë, e më pas të akuzosh forcat e rendit pse janë mbrojtur, kjo është vetëm hipokrizi.

12)Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE
Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë e i vështirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm në Shqipëri. Por, opozita do të kishte patur të drejtë ta akuzonte qeverinë nëse, ndërkohë, ajo do ta kishte bërë detyrën e saj dhe të kishte dhënë kontributin e saj. Për fat të keq, edhe një herë tjetër (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur palët ishin në pozita të anasjellta, pra, kur në qeveri ishte Partia Demokratike), negociatat me Bashkimin Evropian konsiderohen nga politika vetëm si një detyrë e mazhorancës, të cilën opozita ka të drejtën të tentojë ta pengojë, për t’i hequr mazhorancës meritën e një suksesi eventual.

13) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë
Emigrimi nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura është një fenomen global, i cili, sikurse tregojnë lajmet nga Evropa, nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Ata mijëra shqiptarë, që emigrojnë nga Shqipëria, e bëjnë këtë për arsye ekonomike dhe pse nuk kanë besim në të ardhmen e tyre në atdhe. Një mesazh kritik, që duhej të alarmonte të gjithë klasën politike: atë që qeveris, por edhe ate që kandidon për të qeverisur dhe që duket se nuk arrin të përfaqësojë për askënd një shpresë të re.

14) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë
“Largimi i investitorëve të huaj” nuk konfirmohet nga asnjë statistikë zyrtare. Duke bërë bilancin e qarkullimit të kapitaleve në Shqipëri, Banka qendrore e vendit ka pohuar pak javë më parë se, gjatë vitit 2018, është shënuar rekordi i inevstimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë, me më shumë se 1 miliard euro të investuara në 12 muaj. Këtu përfshihen investime gjigande në energjetikë, në gazsjellës, hidrocentrale, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Po ta konsideronin si një “terren të minuar” Shqipërinë, këta investitorë të mëdhenj nga bota perëndimore do t’i kishin lënë përgjysëm investimet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi. Kurse per sa i perket “bizneseve ruse” Lulzim Basha do të bënte mirë t’ia tregonte Prokurorisë, qe po e heton pikerisht per kete dhe lobimet e tij.

15) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë lëshuar alarmin për shtimin e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të korrupsionit në Shqipëri, duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë me masa të rrepta. Në kohën e qeverisë Berisha, për këtë fenomen nuk flitej hapur, jo pse nuk ekzistonte, por pse qeveria e PD-së i ndalonte kujtdo të fliste publikisht, duke përfshirë mediat. Marrëdhëniet mes kriminalitetit dhe politikës ishin një tabu’ e vërtetë, për të cilën kishte censurë tek gati të gjithë gazetarët. Ndërmjet masave të kërkuara ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar, hyn edhe reforma e drejtësisë, e cila vetëm tani u pranua dhe po zbatohet. Në të gjitha deklaratat e kohëve të fundit, që janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pohohet se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara në këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke arritur të shkatërrojë gati krejtësisht të mbjellat me drogë. Por, është e vërtetë që të famshmit “peshqit e mëdhenj” ende nuk janë në burg, edhe pse në një demokraci moderne, në të cilën është në fuqi ndarja e pushteteve, janë fajtorë Prokuria dhe Gjykatat që lirojnë kriminelët dhe nuk është qeveria në pushtet. Problemi i krimit, për fat të keq, ekziston në të gjithë botën dhe politika, mediat e shoqëria civile kanë të drejtën dhe detyrën ta denoncojnë, por qeveritë nuk detyrohen për këtë arsye të japin dorëheqjen.    

16)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private
Në të vërtetë, skandali mbi negocimin e kufijve me Greqinë ka patur të bëjë pikërisht me qeverinë Berisha, në atë pikë sa Gjykata Kushtetuese e anuloi atë marrëveshje ndërkombëtare, të nënshkruar nga Berisha dhe nga qeveria e tij me Athinen.  Kurse qeveria Rama mori përsipër ta rinegocionte atë marrëveshje, me synimin për të mbrojtur më mirë hapësirat territoriale të Shqipërisë, por deri tani Greqia ka refuzuar të pranojë kushtet e vendosura nga Tirana, pikerisht pse jane të konsideruara të dëmshme për interesat e Greqisë.

17) Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private
Historia e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e të ashtuquajturit plan “për shkëmbimin e territoreve” është në qendër të një debati të gjerë ndërkombëtar, ku janë përfshirë Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Serbia e Kosova dhe në të cilin qeveria e Tiranës dhe Shqipëria nuk kanë asnjë rol, as ligjor, as formal. Edhe po të donte, Edi Rama nuk ka asnjë kompetencë për t’u marrë me kufijtë e një shteti tjetër (dhe aq më pak për të bërë negociata) dhe ta akuzosh atë për të kundërtën thjesht është qesharake.d.ba./