Akademik Rexhep Qosja e ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Bashnë se pas përfundimit të luftës në Kosovës, se me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë nga radhët e LDK-së, e ka furnizuar Dik Martin me të “dhëna” kundër Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Qosja në një opinion të postuar në facebook ka shkruar se PD i duhet Shqipërisë pa Lulzim Bashat.

“Le ta kemi të qartë se me politikë çadrore, me ultimatume çadrore, me mosbindje çadrore, me sjellje çadrore, që synojnë rrënimin e shtetit, me politikën shpërfillëse çadrore ndaj diplomatëve e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë, ne vetëm sa e komprometojmë mendjen tonë politike dhe e cenojmë gjasën që na e ka sjellë ky shekull”, ka shkruar Qosja.

Po ua sjellim opinionin e plotë të Qosjes

Si njoftuan mediet e Tiranës, më 26.4.2017, bisedimet e Koalicionit shqiptar, të përfaqësuar prej kryeministrit, Edi Rama, e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Opozitës shqiptare, të kryesuar prej kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, David Mekalister e Knut Flekenshtain, dështuan! Dhe, dështuan sepse Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me çështjet për të cilat do të duhej të bisedonin dy palët, e refuzoi Opozita, domethënë Lulzim Basha. Kryetari i Partisë Demokratike e refuzoi këtë  Draft-marrëveshje, në të cilën përfaqësuesit e Koalicionit, Edi Rama dhe Ilir Meta, i kishin bërë atij një varg lëshimesh, për shkak se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk përfillën ultimatumet e tij, qindra herë të përsëritura, për krijimin e qeverisë teknike, rrjedhimisht, për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit të Shqipërisë dhe shpërbërjen e Qeverisë shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk u kënaq me lëshimet, përkatësisht me dhuratat që ia dhuruan përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Mekalister e Flekenshtain, dhe përfaqësuesit e Koalicionit shqiptar, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ai nuk u kënaq me pozitën e dhuruar të kryetarit të Këshillit Qendror të Zgjedhjeve. Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate!

Ai nuk u kënaq me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, në sajë të të cilave do të ndëshkohen të gjithë ata që blejnë e shesin vota! Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate! Me ato ndryshime mund të dënohen rëndë për shitblerje votash edhe mjeshtrit e Partisë Demokratike e të disa aleatëve të saj të kryehershëm që e kanë ushtruar shumë suksesshëm atë mjeshtëri!

Ai nuk u kënaq me premtimet e dëshmuara me shkrim e me nënshkrime të dy përfaqësuesve evropianë për luftën kundër drogës dhe, rrjedhimisht, për shkarkimet e disa kuadrove policore, që do të bëhen shpejt! Ç’dhurate është kjo për “meritat” politike e kombëtare të Lulzim Bashës! Kurrfarë dhurate është ajo dhuratë që nuk përmban ultimatumet e tij staliniste. Kjo dhuratë mund t’i dalë atij kapuç me mëngë. Ai e di se shtet të drogës Shqipërinë nuk e ka bërë Qeveria e sotme në krye me Edi Ramën. Jo. Shtet të drogës Shqipërinë e kanë bërë krijuesit politikë të Lulzim Bashës: Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij më të përkushtuar! Vetëm në fshatin e madh, në fshatin Lazarat, prodhoheshin atëherë, siç kishin shkruar cinikët evropianë, 4 miliardë e gjashtëqind milion euro drogë në vit!

Ai, Lulzim Basha, si kryetar i Partisë Demokratike, di edhe diçka më shumë për drogën: ai di se ku më pak e ku më shumë, tani e 25 vjet, droga mbillet në gjithë Shqipërinë – në fusha e male, në lugina e kodrina, në fshatra e qytete, në shtëpia e banesa. Dhe e mbjellin bashkëpunueshëm dhe bashkëpërfitueshëm anëtarët e shumë partive, sidomos anëtarët e tri partive të mëdha: të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste për Integrim. Nuk do të mbillej aq lehtë, nuk do të mbillej aq shumë, nuk do të mbillej aq shumë kund, nuk do të korrej e paketohej aq shpejt e nuk do të eksportohej aq lehtë sikur në të gjitha këto punë të mos bashkëpunonin aq shumë duar, aq shumë e shumë duar të ndryshme e të rrjetëzuara partiake, që s’e mbikëqyrin e as vëzhgojnë njëra-tjetrën. E të tjera. E të tjera!

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk mund të kënaqet me të gjitha këto dhurata të dhuruara me Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, për shkak se ai me prodhuesin e tij partiak, Sali Berishën, kanë një dëshirë sipërore, shantazuese e ultimative, që është dëshirë mbi dëshirat, që është kryedëshirë e tyre: ai e dëshiron, ai e ëndërron Kokën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë – Kokën e Edi Ramës? Kjo Kokë përfaqëson qëllimin e tyre, dhe kuptimin e politikës së tyre! Kjo Kokë është kryeultimatumi i tyre. Patologjia e tyre!

Megjithëse mendjeçartur aq sa nuk ua merr mendja atyre djemve e vajzave e atyre burrave e grave që, shpesh fytyrëmvrenjtur, i duartrokasin me ditë të tëra në çadër gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet, thirrjet, britmat, çjerrjet, fjalitë e tij që aq shpesh fyejnë logjikën dhe etikën, ai, Lulzim Basha, e di se me Edi Ramën kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste nuk ka kurrfarë gjasash as sivjet, as pas katër vjetësh, as pas tetë vjetësh, të bëhet kryeministër  i Shqipërisë.

Edi Ramën nuk ma ka bërë nëna, prandaj nuk kam kurrfarë arsyeje shpirtërore ta kem më afër a më larg se Sali Berishën apo Lulzim Bashën. Por, Rexhep Qosja, që nuk njeh aristokraci të trashëguar, që nuk njeh aristokraci të pasurisë, që njeh vetëm aristokracinë mendore, aristokracinë intelektuale, e përkrah Edi Ramën si intelektual, e përkrah për mendjen e tij e për dhuntinë e tij krijuese, sado s’i ka heshtur e s’i hesht disa mospajtime me të në politikë. Dhe, e përkrah sepse ai, me bashkëpunëtorët e tij, po bëjnë shumë përpjekje për ta liruar Shqipërinë prej të këqijave të shumëllojshme me të cilat e ka ngarkuar mentaliteti politik primitiv ende agresiv, po bëjnë shumë përpjekje për ta bërë Shqipërinë shtet të së drejtës, shtet të përgjegjshmërisë sociale, shtet të gjasave të barabarta për të gjithë, shtet në të cilin të gjithë do të kenë dinjitet të pa fyer, të pa nënçmuar e të pa cenuar, shtet në të cilin të gjithë do të jenë njësoj të sigurt dhe njësoj të trajtuar  prej shtetit e prej drejtësisë së tij, shtet njëmend të evropianizuar.

Çadra fatkeqe, provokuese, mosduruese e sulmuese ndaj institucioneve shtetërore shqiptare nuk u ngrit në pranverën e sivjetme vetëm në Tiranë. Çadër e ngjashme kundër Qeverisë së sotme shqiptare në krye me Edi Ramën u ngrit këtë pranverë edhe në tri vende fqinje: u ngrit edhe në Greqi, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, sipas të gjitha gjasave, është njëri prej kryeministrave më të sulmuar prej fqinjëve në historinë njëqind e pesëvjeçare të shtetit shqiptar! Pse jo? Ai është kryeministri që ua tha atyre disa të vërteta të hidhura që s’ua kishin thënë kryeministrat e tjerë shqiptarë.

Sulmet ndaj kryeministrit të sotëm shqiptar më së pari i filloi Greqia, në të vërtetë e djathta e njohur greke e, pas saj, edhe ministri i Ushtrisë greke. E djathta greke me ministrin e saj ushtarak e filloi avazin sulmues ndaj kryeministrit shqiptar për shkak të disa të vërtetave që ai i tha për politikën e sotme dhe politikën e mëparshme të Greqisë, ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve.

As Greqia e djathtë e as Greqia e majtë nuk ishin mësuar që prej kryeministrave shqiptarë t’i dëgjonin disa të vërteta për politikën e saj ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, në mënyrë të veçantë ndaj çamëve!

Nga Bedri Islami--Protesta opozitare e së shtunës, ashtu si jo rastësisht ndodhi, e paqtë, më shumë një shëtitje se një demonstrim, ndryshe nga të tjerat dhe krejtësisht ndryshe nga sa kishte paralajmëruar dy ditë më parë, ish-shefi i qeverisë, për përplasje civile, zvarritje kryeministrore, dhunë e zjarr. Në të kundërtën njerëzit, gjithnjë e më pak se herët e tjera, pas thirrjeve të zakonshme “Rama ik”, thirrjeve për shefin e ri të partisë më të madhe opozitare, që i nxori edhe jashtë parlamentit, emrin e të cilit filluan të brohorasin, pasi shqiptarët nuk mund të bëjnë pa thirrur emrin e një lideri, dëgjimit të një muzike që shumica nuk e kuptonin, pritjes së çfarë mund të ndodhte dhe fjalës së Bashës, shkuan në shtëpitë e tyre.

Fare pak përpjekje për dhunë, që, më shumë se gjithçka tjetër saktësoi se në protestat e tjera dhuna ishte përgatitur pikërisht nga këto që tani i ftuan për paqësorë, dëshmoi se bombat molotov nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me fjalët kërcënuese, por me përgatitjen e fshehtë nga struktura të posaçme dhe, se aty ku nis burimi i tyre, aty edhe mund të përfundojë.

Duke mos përdorur dhunë morën përsipër se kishin qenë autorët e saj.

Pas pak ditëve opozita, e bashkuar ose jo, do të bëjë protestën e shtatë të saj, si quhet, kombëtare, megjithëse pak gjëra ka aty nga kombi, shteti dhe populli.

Çfarë do të ngjajë përtej protestave të dukshme dhe a janë hapur kanalet e nëndheshme për të arritur një marrëveshje të re, një kontratë të re, e cila, në formë mund të jetë ndryshe nga ajo e dy viteve më parë, por në thelb mund të jetë e njëjta gjë?

A do të arrijë Basha dhe Kryemadhi për të ulur hundën e Ramës, apo, ky i fundit do të qëndrojë deri në fund, duke krijuar një situatë ndryshe, të padëgjuar dhe që mund të ishte ajo që Moikom Zeqo e quan vdekja e bardhë e partive politike?

Cili prej tyre do të thyhet në këtë përplasje, e cila, më shumë se e ardhur nga një domosdoshmëri, është një fatkob i ri mbi fatin e Shqipërisë?

Opozita kërkon që zgjedhjet e 30 qershorit të mos bëhen pa opozitën. Ata, jo vetëm nuk do i njohin, por edhe kanë menduar dhe e kanë thënë haptas se do të bëjnë të gjitha përpjekjet, deri tek përplasjet e forcës, në çdo qendër votimi, për çdo kuti, duke sjellë para nesh vitin e mbrapshtë 1997, megjithëse e dinë fare mirë se asgjë nuk mund të përsëritet dy herë njëlloj.

Ndërhyrjet e vakëta dhe të vonuara të ndërkombëtarëve, të lodhur tashmë me vicklat e politikës shqiptare, sidomos sa herë që e djathta është në opozitë, në fakt ndërhyrje të shumëpritura nga opozita pas heshtjes së rëndë shurdhuese të diplomacisë ndërkombëtare, kanë sjellë idenë se vendi mund të marrë sado pak frymë dhe se mund të ketë një zgjidhje të momentit të fundit, si ka ndodhur jo pak herë kur kanë qeverisur socialistët.

E djathta në pushtet, faktikisht, asnjëherë nuk ka bërë kompromis apo marrëveshje të momentit të fundit; në të kundërtën, edhe kur i kanë rreshtuar në një “krokodil”, megjithëse kanë parë dhëmbët e ndërkombëtarëve, kanë mbetur gjithnjë në llogoren e tyre.

Po tani?

Të dhëna jo publike tregojnë se nëndheu i politikës po përpiqet të çelë sythet mbi tokën e politikës. Se çfarë sythesh do të çelin këtë nuk e di askush. Ndërkombëtarët, ndoshta, kanë shpejtuar “çeljen”, por nuk kanë mbjellë asgjë deri tani. Shkaku i hapur: lodhja nga politika shqiptare; shkaku i fshehtë: edhe kur kanë provuar, shpesh herë janë gjendur jashtë vorbullës.

Varianti i kërkuar nga opozita si kusht që nuk mund të negociohet është largimi i Edi Ramës si kryeministër dhe mos ulja në bisedime me të.

A mund të ndodhë? E vështirë, në mos e pamundur.

Edi Rama e di krejt mirë se, nëse ndodh kjo, atëherë ka ardhur koha që ai të largohet jo vetëm nga posti i shefit të qeverisë, por edhe si drejtues i socialistëve. Bashkë me të merr fund edhe statura e krijuar prej tij brenda së majtës, e njohur si Rilindja.

Do të ishte fundi i një rrjedhe politike, e cila filloi rastësisht, nga një rast i hidhur i jetës së tij private. Mund të ishte rizgjimi i së majtës, por kjo do të kërkonte kohë, shumë kohë, mund, ndarje mes vetes, përplasje në të majtën, të cilët “ delet” prej kohësh i kanë zbuar diku tjetër dhe nuk presin që përmes blegërimave demosociale të rimarrin veten.

Pranimi i Ramës për dorëheqje do të jetë largimi i tij nga politika, dëmtimi më serioz që do i bëhej së majtës në një periudhë të caktuar kohore, por, si çdo e keqe, edhe kjo mund të ketë një të mirë: në PS mund të fillojë katarsisi i vërtetë, një autoveting i njëmendtë, që do të sjellë në këtë forcë politike idetë e vërteta të së majtës, një vizion të ri për shtetin, marrëdhënie ndryshe me masën që përfaqëson dhe, mbi të gjitha, krijimin e një lidershipi të ri, i cili do të mund të kishte në mbrujtje figura të rrahura në vite të së majtës me të rinj idealistë dhe vizionarë.

Rama mund të pranojë dorëheqjen nga shefi i qeverisë, por të ulet në tryezën e bisedimeve si drejtues i forcës më të madhe politike, socialistëve.

Në këtë rast gjithçka do të jetë ilegjitime. Sepse, një figurë politike, përfaqësues i një force qeverisëse, të votuar për të drejtuar katër vite, në momentin e dorëheqjes nga besimi, ai nuk ka më legjitimitet për të drejtuar atë forcë, vizionin qeverisës të saj e braktis.

Në vitin 2017 Rama e bëri këtë, e bëri brenda një nate, pa pyetur askënd dhe pa marrë mendimin e askujt. Ai ul në një tryezë të veçantë me shefin e opozitës, në fakt një kleptoman të njohur, i dha në një qoshe dëmshpërblimin 15 milionësh euro për pallatin e vjehrrit të tij, i dha gjysmën e qeverisë, institucionet lumë-paguese, kur korrupsioni ka qenë gjithnjë galopant, i dha avokatin e popullit, ku Basha shpejtoi të dërgojë njerën nga mikeshat më të afërta të bashkëshortes së tij, kryetarin e KQZ, pra ndau pushtetin me opozitën,megjithëse askush nuk e kishte autorizuar.

Fati i Ramës ishte besimi i njerëzve tek ai, besim, i cili, pas katër viteve të para të qeverisjes, ishte ende në këmbë, duke fajësuar ende qeverinë Berisha për humnerën financiare ku ishte hedhur i gjithë vendi. Ky besim i dha atij dhe sidomos PS-së, një fitore të re, ata morën krejt të vetëm gjithë pushtetin ekzekutiv dhe mundësinë për të bërë çka kishin besuar se do e bënte një qeveri e së majtës dhe posaçërisht për të majtën.

Dorëzimi i Ramës, qoftë edhe duke qëndruar në tavolinë si drejtues i PS-së, është joreal, jo legjitim. Ai mund të jetë hapësirë për të ardhmen, por precedenti më i shëmtuar si abuzim me pushtetin politik.

Rama nuk jep dorëheqjen dhe vazhdon atë që ka premtuar në pesë letrat e tij. Në fakt ai po i shkruan një njeriu që nuk di të lexojë në shqip dhe që pret përkthimin në një gjuhë të huaj. Si një drejtues partie amorfe, pa organizim ku e ka shpënë Basha forcën e parë politike opozitare, dhe, duhet pranuar pa asgjë të veçantë deri tani në paraqitjen e tij publike, veç kopjes negative të Berishës, Rama nuk mund të presë një përgjigje.

Loja e letrave është ndoshta fshehja e asaj që po shkruhet në takimet e fshehta, por nuk mund të vazhdojë gjatë. Ato kanë po aq efekt sa ultimatumet e pafundme kineze kundër imperializmit. Të vjetrit e mbajnë mend se këto ultimatume shkuan në mbi 1000 sosh.

Mos tërheqja e Ramës mund të sjellë një gjendje të re politike. Në 61 bashkitë e vendit do të sundojnë përfaqësues të vetëm një force politike, së majtës, që ka edhe qeverisjen qendrore.

Kjo do e bëjë vitin 2021, vit të zgjedhjeve çparlamentare që e majta të futet në garë me kuajt shumë përpara opozitës dhe përsëri do të ketë kontestime të pafund nga opozita, që do të sjellin një zinxhir të pafund përplasjesh, sidomos po të vazhdojë të jetë aktiv në politikë Berisha.

Në 30 qershor nuk do të ketë përplasje civile. Ndoshta në disa qendra në ato zona ku PD mendon se janë bastionet e saj politike dhe forca e saj.

Mund të ndodhë, por kjo do të jetë vetëvrasja e trumcakut politik të opozitës dhe ringjallja për të dytën  herë nga gabimet e fajet e opozitës të vetë Ramës.

Kush prek zgjedhjet, ai dënohet. Jo ligjërisht, por politikisht dhe ky është dënimi që nuk mund ta mbajë një forcë politike.

Zgjedhjet do të shtyhen në një datë tjetër. Të themi në nëntor. Ka një nëntekst kushtetues që mund ta lejojë, megjithëse politika nuk ka pyetur kurrë për kushtetutën. Vetëm kur i duhet si mburojë. Por jo si denjësi e mbarëvajtjes së kombit.

Presidenti Meta e hodhi këtë ide, që më shumë se ide presidenciale tingëlloi si ide bashkëshortore.

A e bën shtyrja e zgjedhjeve situatën më të qetë, më të mençur, më kreative, më marrëveshje bërëse?

A mund të futet opozita në zgjedhje, në një datë tjetër, me këtë qeveri, këtë shef qeverie, këtë rreshtim të forcave politike?

Në kampin opozitar janë disa jeniçerë të vjetër të politikës që ëndërrojnë të zaptojnë sa më shpejt bedenat e pushtetit. Ndoka, Shehi, Dule, Idrizi, Mediu, Vasili, Tritani i vockël dhe Paloka i çartur, nuk të joshin për marrëveshje.

Cilado rrugë provokon një precedent të ri politik, të paparë dhe të rrezikshëm. Krijon mundësinë e shembjes së shtetit sa herë t’i dojë qejfi opozitës, pavarësisht se kush është në opozitë e kush është në qeverisje.

Precedenti është më i rrezikshëm se sa të gjitha mundësitë e vëna në tavolinë.

Çfarë duhet bërë?

Një rrugë është më pak e dhimbshme: të bëhen zgjedhjet dhe, pas dy viteve, në rendin e zgjedhjeve parlamentare, të ribëhen edhe ato vendore.

Por kjo do të ishte vetëvrasja e opozitës.

Opozita i ka marrë në duar të gjitha mjetet e vdekjes së tyre të bardhë, qeveria u ka dhënë edhe mjete të tjera shtesë, por ka në duart e saj edhe mjetet e veta.

Kush do e shkrehë e para?

Lideri i opozitës Lulzim Basha, duke iu përgjigjur dy ditë më parë një letre të hapur të kryeministrit Edi Rama, i cili i propozonte një dialog pa kushte, refuzoi propozimin, me pretendimin se, në këto gjashtë vjet qeverisje, Rama duhet ta kishte dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen. “Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit”, shkruante Basha, duke renditur “arsyet” e tij.

Shqiptarja.com provoi të bënte një ‘fact checking’ mbi akuzat kryesore të hedhura nga Basha, duke zbuluar se, në të vërtetë, gati gjithë argumentimet e tij janë thjesht ripropozimi i fushatave politike dhe mediatike të zhvilluara nga opozita në këto gjashtë vjet. Natyrisht, opozita ka të drejtën dhe, ndoshta, edhe detyrën që të denoncojë qeverinë në detyrë, por, në rast se fjalët nuk i shoqëron edhe me prova, nuk mund të pretendojë që qeveria të dorëhiqet.

Ja 17 akuzat kryesore të paraqitura në fjalimin e tij nga ana e Lulzim Bashës:

1) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues
Ligji për dekriminalizimin është, sigurisht, një betejë, për të cilën merita i takon opozitës, edhe pse, pa votën dhe konsensusin e Partisë Socialiste në Kuvend, ligji nuk do të ishte miratuar. Gjatë zbatimit të këtij ligji, u zbulua edhe rasti i Elvis Roshit. Gjithsesi, pikërisht ligji për dekriminalizimin tregon që, në rast se opozita bën një betejë të drejtë, ajo fiton, edhe duke mbetur si pakicë numerike. Ky është një argument më shumë, që e bën të pakuptueshëm vendimin e saj për të braktisur Kuvendin dhe që përgënjeshtron akuzat se mazhoranca socialiste ka refuzuar çdo nismë të opozitës.

2) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë
Në të vërtetë, mediat ndërkombëtare kanë filluar ta etiketojnë Shqipërinë si kryeqendër të drogës që nga koha e Lazaratit (2005-2013), një fshat që vetëm ai prodhonte më shumë marijuanë se ç’u prodhua ndonjëherë në vitet më pas në të gjithë vendin. Lazarati ishte një bastion elektoral i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha gjatë tetë viteve në pushtet i mbrojti kultivuesit e drogës pa ndërhyrë asnjëherë. Kështu, Shqipëria u bë hambari i drogës në Evropë që në kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Pastaj e vazhdoi këtë rrugë.

3) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge
Saimir Tahiri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, as në Itali, as në Shqipëri, për trafik droge. Në Itali hetimet për të u mbyllën me arkivim, pasi nuk kishte prova. Në Shqipëri procesi ende nuk ka nisur. Saimir Tahiri prej kohësh tashmë nuk është më ministër i Brendshëm, dhe Partia Socialiste, me votën e saj në Kuvend, autorizoi Prokurorinë që ta hetojë atë.

4) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë
Nuk rezulton asnjë kompani në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e lidhur me trafikun e drogës dhe nuk ekziston as edhe ndonjë hetim për të nga ana e Prokurorisë. Por janë reale marrëdhëniet mes vajzës së tij dhe anëtarit të një bande kriminale. Edhe për këtë arsye Qazim Sejdini nuk u kandidua më në zgjedhjet e 30 qershorit.

5) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant
Nuk ka asnjë provë që ish-ministri i Brenddshëm Fatmir Xhafaj të ketë mbrojtur vëllain Agron Xhafaj, të dënuar shumë vite më parë në Itali për trafik droge dhe, para së gjithash, se ai i paska lejuar atij të vazhdojë të trafikojë drogë. Por ekziston prova që, pas denoncimeve të opozitës, Agron Xhafaj u detyrua nga vëllai i tij ministër që të dorëzohej tek autoritetet italiane për të kryer dënimin. Akuzat e bëra nga opozita ndaj Agron Xhafajt përmes një përgjimi të pretenduar, sipas Prokurorisë janë pjellë e një manipulimi, përgjegjësit për të cilin janë nën akuzë.

6) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës
Nuk ka asnjë provë dhe asnjë hetim që të lidhë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, me të ashtuquajturin “grupi i Xibrakës”, një bandë që prodhonte kokainë bashkë me elementë kolumbianë dhe përgjegjësit e tij u arrestuan dhe u gjykuan.

7) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe
Të ashtuquajturit “skandale të koncesioneve milionashe” kanë qenë në qendër të një fushate të gjatë nga ana e opozitës, krejtësisht të ligjshme nga pikëpamja politike, por një fushatë, e cila mbetet pikërisht në kufijtë e një argumenti politik që përdoret nga opozita. Por, “skandal” duhet të quhet një aferë korruptive e zbuluar dhe e provuar nga organe të pavarura, si për shembull Prokuroria qe ne rastin e koncesioneve nuk ka patur. Po të mjaftonin akuzat e opozitës për të shtyrë një kryeministër të jepte dorëheqjen, asnjë kryeministër nuk do të ishte në pushtet në asnjë vend të botës perëndimore.

8) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco
Ngjarja e “D.H. Albania”-s, një kompani fantazmë, e cila, duke manipuluar dokumentat, arriti të fitojë dy tendera publikë me vlerë 30 milionë euro, sigurisht përbën një skandal të madh. Pas botimit të dokumentave që vërtetojnë skandalin, autoritetet shtetërore të përfshira në kontratë u vunë në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë drejtuesit e lidhur direkt apo indirekt me dy tenderat u shkarkuan, duke përfshirë ministrin Damian Gjiknuri. Në asnjë demokraci një qeveri nuk vihet në diskutim (ose, më keq akoma, duhet të japë dorëheqjen) kur zbulohet një rast korrupsioni, qoftë edhe i rëndë, përveç rastit kur në të është përfshirë personalisht kryeministri. Kur, në vitin 2007, per shembull kreu aktual i opozitës, Lulzim Basha, u përfshi drejtpërsëdrejti në skandalin e Rrugës së Kombit, me një kosto prej më se 900 milionë eurosh dhe i cili u shpall nga Prokuroria si “person nën hetim”, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen kryeministri Sali Berisha, por nuk u dorëhoq as Lulzim Basha, i cili, madje, refuzoi të merrej në pyetje nga Prokuroria. Më pas, skandali u mbyll, pa u zhvilluar as edhe një process gjyqësor për të.    

9) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit
Akuza, që u referohet zgjedhjeve të vitit 2017, bazohet mbi dy copa përgjime, të cilat përfshihen në dosjet e Prokurorisë 339 dhe 184, të cilat, në të vërtetë, sikurse e ka parë këtë kushdo, që i ka lexuar me vëmendje, nuk tregojnë asgjë. Hetimi ishte hapur në kohën kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla dhe kryetar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte Besnik Hajdarmataj. Të dy ata ishin prokurorë, qendrimet politike të të cilëve ishin haptazi kundër Partisë Socialiste e, megjithatë, as ata nuk gjetën dot asnjëherë prova të mjaftueshme për të inkriminuar ndonjë politikan socialist. Më në fund, duhet të kujtojmë edhe një herë se zgjedhjet e vitit 2017 u konsideruan të vlefshme, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Ta quash të paligjshëm rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 dy vjet pas votimit, bën pjesë tek ato argument, që opozita është e lirë t’i përdorë për propagandën e saj, por nuk mund të pretendojë që, për shkak të kësaj propagande, një kryeministër apo një qeveri të japin dorëheqjen. Po të ishte kështu, çdo opozitë në të gjithë botën demokratike do të mund të provokonte një krizë qeveritare, thjesht duke akuzuar qeverinë në detyrë se ka mbështetjen e një parlamenti të paligjshëm, duke denoncuar legjitimitetin e votimit, jo menjëherë pas zgjedhjeve, por në bazë të agjendës së saj politike. Një absurditet i tillë ka ndodhur vetëm në Shqipëri.

10)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje dhe kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor
Në planet e qeverisë së Edi Ramës ka qenë që në vitin 2013 lufta kundër informalitetit, duke përfshirë këtu luftën kundër vjedhjeve të energjisë elektrike dhe ndërtimeve pa leje. Fakti që Partia Demokratike, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe ish-kryetari i Bashkisë Lulzim Basha prej vitesh e kanë konsideruar informalitetin si një burim konsensusi elektoral, duke krijuar anarki dhe pandëshkueshmëri, nuk do të thotë që edhe qeveria e re socialiste duhej të ndiqte të njejtën rrugë. Kush ndërton pa leje duhet të pranojë rrezikun se, një ditë, shtëpia e tij do të shembet, edhe pse, në shumë e shumë raste, qeveria u ka garantuar një shpërblim, por qe shumë banorë e kanë quajtur si të pamjaftueshëm. Kjo, sidoqoftë, nuk shmang ekzistencën e një standardi të dyfishtë, që zbatojnë gjykatat, të cilat tregohen shumë të rrepta me hajdutët e energjisë elektrike (kryesisht njerëz të varfër) dhe shumë të dobëta me trafikantët e drogës. Por, funksionimi i keq i gjykatave dhe korrupsioni i drejtësisë nuk filluan sot dhe nuk mund të akuzohet qeveria për këtë. Ekziston një problem politik i drejtësisë, të cilin mazhoranca dhe pakica sëbashku e kanë përballuar, duke votuar bashkë reformën e drejtësisë.

11)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre
Edhe protestuesit e 21 janarit 2011 protestonin kundër korrupsionit të qeverisë, por Berisha (kryeministër) dhe Lulzim Basha (ministër i Brendshëm) u përgjigjën duke përdorur plumbat në vend të gazit lotësjellës. Jo vetëm që nuk dhanë dorëheqjen, por, pasi kuptuan se sa e rëndë ishte ajo që kishte ndodhur (me katër protestues të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur) urdhëruan menjëherë blerjen e gazrave lotësjellës “neuroparalizues”, armë kimike, që do të kishte shkaktuar shumë viktima të tjera. Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve i shtyu ta pajisnin Policinë me gaz lotësjellës “normal”, të njejtin gaz që sot e përdor Policia kundër protestuesve, që hedhin gurë e bomba Molotov kundër policëve. Dhuna është e tmerrshme nga secila anë të vijë. Por, për Bashën dhe Berishën, mënyra më e mirë për të shmangur që Policia të përdorë gazrat lotësjellës është t’i urdhërojnë militantët e tyre të mos përdorin asnjë dhunë kundër institucioneve. Por të mos e bësh këtë, e më pas të akuzosh forcat e rendit pse janë mbrojtur, kjo është vetëm hipokrizi.

12)Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE
Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë e i vështirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm në Shqipëri. Por, opozita do të kishte patur të drejtë ta akuzonte qeverinë nëse, ndërkohë, ajo do ta kishte bërë detyrën e saj dhe të kishte dhënë kontributin e saj. Për fat të keq, edhe një herë tjetër (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur palët ishin në pozita të anasjellta, pra, kur në qeveri ishte Partia Demokratike), negociatat me Bashkimin Evropian konsiderohen nga politika vetëm si një detyrë e mazhorancës, të cilën opozita ka të drejtën të tentojë ta pengojë, për t’i hequr mazhorancës meritën e një suksesi eventual.

13) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë
Emigrimi nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura është një fenomen global, i cili, sikurse tregojnë lajmet nga Evropa, nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Ata mijëra shqiptarë, që emigrojnë nga Shqipëria, e bëjnë këtë për arsye ekonomike dhe pse nuk kanë besim në të ardhmen e tyre në atdhe. Një mesazh kritik, që duhej të alarmonte të gjithë klasën politike: atë që qeveris, por edhe ate që kandidon për të qeverisur dhe që duket se nuk arrin të përfaqësojë për askënd një shpresë të re.

14) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë
“Largimi i investitorëve të huaj” nuk konfirmohet nga asnjë statistikë zyrtare. Duke bërë bilancin e qarkullimit të kapitaleve në Shqipëri, Banka qendrore e vendit ka pohuar pak javë më parë se, gjatë vitit 2018, është shënuar rekordi i inevstimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë, me më shumë se 1 miliard euro të investuara në 12 muaj. Këtu përfshihen investime gjigande në energjetikë, në gazsjellës, hidrocentrale, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Po ta konsideronin si një “terren të minuar” Shqipërinë, këta investitorë të mëdhenj nga bota perëndimore do t’i kishin lënë përgjysëm investimet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi. Kurse per sa i perket “bizneseve ruse” Lulzim Basha do të bënte mirë t’ia tregonte Prokurorisë, qe po e heton pikerisht per kete dhe lobimet e tij.

15) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë lëshuar alarmin për shtimin e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të korrupsionit në Shqipëri, duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë me masa të rrepta. Në kohën e qeverisë Berisha, për këtë fenomen nuk flitej hapur, jo pse nuk ekzistonte, por pse qeveria e PD-së i ndalonte kujtdo të fliste publikisht, duke përfshirë mediat. Marrëdhëniet mes kriminalitetit dhe politikës ishin një tabu’ e vërtetë, për të cilën kishte censurë tek gati të gjithë gazetarët. Ndërmjet masave të kërkuara ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar, hyn edhe reforma e drejtësisë, e cila vetëm tani u pranua dhe po zbatohet. Në të gjitha deklaratat e kohëve të fundit, që janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pohohet se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara në këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke arritur të shkatërrojë gati krejtësisht të mbjellat me drogë. Por, është e vërtetë që të famshmit “peshqit e mëdhenj” ende nuk janë në burg, edhe pse në një demokraci moderne, në të cilën është në fuqi ndarja e pushteteve, janë fajtorë Prokuria dhe Gjykatat që lirojnë kriminelët dhe nuk është qeveria në pushtet. Problemi i krimit, për fat të keq, ekziston në të gjithë botën dhe politika, mediat e shoqëria civile kanë të drejtën dhe detyrën ta denoncojnë, por qeveritë nuk detyrohen për këtë arsye të japin dorëheqjen.    

16)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private
Në të vërtetë, skandali mbi negocimin e kufijve me Greqinë ka patur të bëjë pikërisht me qeverinë Berisha, në atë pikë sa Gjykata Kushtetuese e anuloi atë marrëveshje ndërkombëtare, të nënshkruar nga Berisha dhe nga qeveria e tij me Athinen.  Kurse qeveria Rama mori përsipër ta rinegocionte atë marrëveshje, me synimin për të mbrojtur më mirë hapësirat territoriale të Shqipërisë, por deri tani Greqia ka refuzuar të pranojë kushtet e vendosura nga Tirana, pikerisht pse jane të konsideruara të dëmshme për interesat e Greqisë.

17) Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private
Historia e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e të ashtuquajturit plan “për shkëmbimin e territoreve” është në qendër të një debati të gjerë ndërkombëtar, ku janë përfshirë Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Serbia e Kosova dhe në të cilin qeveria e Tiranës dhe Shqipëria nuk kanë asnjë rol, as ligjor, as formal. Edhe po të donte, Edi Rama nuk ka asnjë kompetencë për t’u marrë me kufijtë e një shteti tjetër (dhe aq më pak për të bërë negociata) dhe ta akuzosh atë për të kundërtën thjesht është qesharake.d.ba./ 

Nga Bedri Islami– Nuk e di se me cilët do të zbresin sot, e shtunë, në fushën e betejës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Është e pesta ose e gjashta herë që ata i lëshojnë thirrje pasuesve të tyre për të përmbysur qeverinë e tashme dhe, që të pestat herë, kanë patur të njëjtin “ kushtrim”: kjo është protesta më e madhe në histori dhe, domosdo, sot do të rrëzohet Edi Rama.

E njëjta gjë është paralajmëruar edhe për sot: çikërrimtarë politikë të taborit të dytë opozitar kanë paralajmëruar për protestën më të madhe në histori, ata, gjithashtu, kanë kërcënuar qeverinë se shefin e saj do e hedhin në ujrat e Lanës, për të shkuar më tej, tek patetizmi politik i Zonjës Kryemadhi, sipas së cilës, asnjëherë, as sot e as mot, shefi i qeverisë Rama nuk do të mund të pijë i qetë një kafe. Burgu është fjalë e zakonshme, arrestimet, po ashtu, linçimet po bëhen term i ditës.

Si shkrova, nuk e di se cilat do të jenë falangat e ditës së sotme të opozitës, ashtu si nuk e di se sa prej tyre do të jenë kapuçonë të zinj, sa do të mbajnë maska kundërgazi, sa përgatiten të lëshojnë bombat molotov, sa prej tyre do të përleshen me kordonin e parë të policisë dhe sa të tjerë do të marshojnë drejt parlamentit; nuk e di dhe as që më duhet ta di se kush do i prijë turmave në shkatërrimin rutinë, cili lider do të thërrasë i pari “ fitore”, ashtu si e di fare mirë se të gjitha këto do të jenë një përsëritje e së shkuarës dhe nuk do të ketë asgjë të re nga fronti i perëndimit.

Këto që do të sulen rrugëve kanë bartur mbi vete shumë epitete, nga më të çuditshmit, që nga kapuçonët berishianë, malokët veriorë, falangat shqupase, të pagdhendur, halabakë. Në fakt, këto janë më të lehtat, pjesa tjetër mund të merret me mend.

Në shumicën e tyre, falangistët janë njerëz të varfër, ndërsa drejtuesit e tyre janë shumë të pasur. Mund të ndodhë që një ish deputet, ashtu si një qeveritar i sotëm, të ketë mijra herë më shumë pasuri se sa njëri nga ata me kapuçon, që turret rrugëve të Tiranës, duke menduar se po kryen një akt heroik, se po bën histori, se sytë e botës janë tek ai.

Në mbrëmje, ky kapuçon, do të shkojë drejt shtëpisë duke menduar për bukën e përditshme, familjen dhe për faktin, nëse, sipas fjalës, ia kanë dhënë shpërblimin e merituar.

Sado që këto njerëz duken të rrezikshëm, ata nuk janë halabakët e vërtetë.

Të vërtetët janë pas tyre aty, duke i nxitur për sulm, duke i frymëzuar me një retorikë herë pas here fashiste e më shpesh ultra komuniste, për pushtetin që buron nga populli dhe që i takon popullit, për begatinë që do u sjellë sundimi i tyre, për vallen që hedhin në gojën e ujkut Edi Rama, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm..për luftën deri në fund.

Mirëpo, hiqini këtyre njerëzve Sali Berishën dhe e gjithë ajo turmë nuk është më turmë, është një masë njerëzore që shikon punët e saj, që mendon e vepron jo si qënie ushtarake, por si njerëz që mund të vendosin lirisht për cilin duan të votojnë, cilën forcë politike mund të mbështetin, duke e ditur krejt mirë se, as njëra dhe as tjera, nuk janë as të majta e as të djathta.

Hiqini këtyre njerëzve thirrjet bolshevike të Kryemadhit dhe në rrugë nuk do të jetë asnjë kapuçon, asnjë hedhës të bombave molotovë, asnjë përleshës me policinë, asnjë zjarr, asnjë plagosje.

Këto njerëz kapuçonë apo bombë hedhës nuk janë halabakët e vërtetë, megjithëse në pamjen e parë ata duken si të tillë. Ata, në vijën e parë të sulmit, nisur nga një premtim joshës, edhe mund të bëjnë një zjarr, mund të plagosin, por ata nuk mund të vrasin dot një vend dhe një ëndërr të tij.

Këtë e bën vetëm politika. Një politikë e prapshtë, nisur nga mendime vrastare, nisur nga pushteti dhe nga asgjë tjetër. Sa më shumë që përpiqen të fshehin ëndrrën pushtetore, aq më tepër e shfaqin. Por, të nisesh për të përmbysur shtetin se të bën thirrje Vasili apo Dule, se ta kërkon Nard Ndoka apo Shehi, se kërkon të vijë në pushtet edhe një herë Mediu i Gërdecit apo Idrizi i shumëkujt, se nuk ia mbush bashës apo i ka mbetur diçka mangut Kryemadhit, do të thotë të bësh harakiri dhe të vësh në pikëpyetje vetë shtetin.

Njerëzit e zakonshëm, ata që na duken përmbysës, në fakt janë vetëm veglurina të zakonshme të një politike të prapshtë, tejet armiqësore ndaj gjithkujt që nuk e do rihapjen në pushtet të Bashës, që e di se çfarë marrëzirash mund të ribëjë ai kur është i rrethuar nga një tufë analistësh që i gëzon përmbysja e shtetit , se nuk duan Ramën: kur dëgjon me veshin e majtë çka i thotë djathtistë të qorruar nga verbëria politike dhe, me veshin e djathtë se çka i thonë revolucionarë den baba den të tillë, gjenetikisht: kur gjuha e tij ngjan si pikat e shiut me atë të Berishës dhe , pastaj, si flet ai nisen e flasin gjithë të tjerët pas tij.

Opozita nuk është e rrezikshme se vendos para vetes mitingashë apo halabakë, sado të mbuluar të jenë ato. Në çdo vend ka të tillë dhe shteti ndaj ka policinë, gardën, gazin lotësjellës, ndërhyrjen e fuqishme. Ndryshe shteti do të ishte një mejhane ,ku secili mund t’ia thyejë xhamet dhe të bëjë përshesh. Basha e di fare mirë këtë kur ishte pjesë e urdhërdhënës për vrasje dhe plagosje në 21 janar; Kryemadhi e di , po ashtu, sepse ishte pjesë e qeverisjes së asaj kohe dhe 21 janari e kishte fillimin tek një bllok i bashkëshortit të saj zëvendëskryeministër e tani president.

Këto mitingashë të rreshtit të parë në darkë shkojnë në shtëpi, dëmi që kanë sjellur ndreqet, por ajo që bën politika huligane nuk ndreqet aq lehtë.

Në 30 qershor është planifikuar të zhvillohen zgjedhjet vendore. Opozita, vetë dëshirueshëm, është tërhequr nga gjithçka që i takon të ketë dhe ku duhet të jetë. Askush nuk e ndoqi, askush nuk e përzuri, asnjë nuk i tha ikë. Iu mbush mendja Berishës, sipas një skenari të përgatitur jashtë kabinetit të tij, opozita dorëzoi mandatet, dhe, si të ishte në një shfaqje teatri, doli në rrugë.

Është precedenti më i rrezikshëm që bën mijra herë më shumë dëm se sa një grup mitingashësh të uritur, që janë joshur me një vend pune dhe që në darkë bëjnë bilancin e jetës së tyre.

Dhe, kur vet linçimin e opozitës e mbështet edhe presidenti i vendit, gjithçka bëhet më e rrezikshme, më kërcënuese dhe më e ankthshme për të tjerët.

Nëse dikush mund të ketë dyshuar deri tani se frika e opozitës është reforma në drejtësi, tanimë duhet të qetësohet, pasi , si mund të jetë pritur, kundër saj është i gjithë spektri politik i opozitës, që nga dy opozitarët e bashkuar dhe deri tek tek kryeopozitari në presidencë.

Rama nuk është shefi që duhet për këtë vend, ai është jo në ato përmasa që njerëzit kanë dashur të jetë, por krahasuar me këto plakaruqë të politikës, që tash 30 vite kërcënojnë sa janë në opozitë dhe vjedhin sa janë në pushtet, ai , njerëzve, u duket një zgjidhje.

Nuk mund të bëhet kostum i ri me rrecka të vjetra…

U duket zgjidhje, sepse përballë tij është një turmë amorfe politike, e cila ka ngarendur herë majtas e herë djathtas, për të qenë në pushtet dhe që, sa herë kanë ikur nga pushteti e kanë dhjetëfishuar pasurinë e tyre.

Nëse Rama mban pas vetes 10 a 12 oligarkë financiarë, njerëzit shohin se pas bishtit të Bashës janë renditur oligarkët e politikës që kanë zënë myk në tempujt e partive të tyre, në të cilat nuk hyn as zoti e as robi.

Në secilën ditë, nga gjithë spektri i opozitës, vjen kërcënimi se qershori i këtij viti do të jetë fillimi i vitit 1997, se do të luftojnë në çdo qendër votimi, se votimet nuk do të lejohen, se Rama duhet të bëjë mirë llogaritë dhe se fundi i tij do të jetë i tmerrshëm, se duan qeveri teknike a dreqi e di se çfarë, por ata vetë të vendosin se cili të qeverisë…përndryshe, viti 1997 do të jetë si një lule krahasuar me fundin e qershorit të këtij viti.

Kjo retorikë e halabakëve politikë është, në fakt, e keqja e këtij vendi dhe shembja e themelit të shtetit.

Aktorja e Hollywodit Demi Moore do të publikojë në vjeshtë memoaret “Inside Out”, në të cilën përshkruan detaje nga situatat tragjike të jetës që mbijetoi në rininë e hershme.

Përveç ngjarjeve interesante gjatë karrierës së saj, Moore do të flasë për frikën që ka mbijetuar si një vajzë që jeton në pjesët e largëta të New Mexico.

Aktorja do të zbulojë në librin e saj se si në të vërtetë dukej jeta e saj me nënën dhe njerkun e saj, të cilët shpesh lëviznin për shkak të natyrës së punës me të cilën merrej.

Demi kurrë nuk e takoi babanë e saj biologjik, dhe pas shumë lëvizjeve, njerku i saj ra në një krizë të madhe dhe një ditë kreu vetëvrasje. Ajo mbeti për të jetuar me nënën e saj, e cila ishte mentalisht e paqëndrueshme dhe për shkak të problemeve të shpeshta me ligj, ajo kaloi më shumë kohë në paraburgim se sa me fëmijët e saj.

Nëna e saj ishte e varur ndaj drogës dhe alkoolit, dhe për shkak të piromanisë, ajo u arrestua disa herë.

“Pa marrë parasysh se sa suksese kam arritur, kurrë nuk jam ndjerë mirë”, tha aktorja.

Pasi edhe vetë ajo kishte probleme me drogën dhe alkoolin në një kohë, Moore kaloi një periudhë të jetës në klinikat e rehabilitimit, për të cilën gjë ajo gjithashtu flet në librin e saj, 

Cristiano Ronaldo e ka reklamuar veturën e tij të re luksoze, të cilën e shtoi së fundi në koleksionin e tij. Portugezi ia tregoi këtë veturë ndjekësve të tij në llogarinë në Instagram.

Sulmuesi i Juventusit i ka shpenzuar një milion euro për ta blerë këtë veturë të kompanisë McLaren Senna, e cila arrin shpejtësinë deri në 340 kilometra për orë.

https://www.instagram.com/p/Bx2IXW2oxtg/?utm_source=ig_embed

Zyrtarët kanë thënë se një alpinist britanik ka vdekur në malin e Everestit të shtunën, duke e çuar në tetë numrin e të vdekurve në majën më të lartë në botë dhe në 18 numrin e viktimave në Himalajet e Nepalit vetëm gjatë këtij sezoni të ngjitjeve.

Sipas zyrtarëve të ngjitjeve, shumica e viktimave e kanë humbur jetën për shkak të dobësisë fizike, lodhjes së tepërt dhe vonesave gjatë rrugës për t’u ngjitur në majën 8850 metra të lartë.

Robin Fisher, 41 vjeç, vdiq në të ashtuquajturën “zonë e vdekjes”, e cila njihet për nivelin e vogël të oksigjenit. Lajmin e bëri të ditur Mira Acharya, zyrtare e departamentit për turistë. Ai është personi i tetë që humbi jetën në sezonin aktual të ngjitjeve, i cili përfundon këtë muaj.

Theresa May njoftoi sot dorëheqjen nga posti i kryeministres.

Kryeministrja britanike do të largohet nga posti i saj si lidere e konservatorëve më datë 7 Qershor, duke i hapur kështu rrugën një kryeministri të ri.

Në një deklaratë të bërë para Downing Street, May tha se kishte bërë më të mirën për të respektuar rezultatet e referendumit të 2016-s.

Mej u detyrua të japë dorëheqjen pasi Parlamenti Britanik ka refuzuar tri herë projektin e marrëveshjes me Bashkimin Europian mbi daljen e Londrës.

Ajo shtoi se largohet me keqardhje të madhe që mundi ta çonte deri në fund Brexit-in.

“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si kryeministrja e dytë femër”, tha Mej e përlotur. “Por sigurisht që s’do të jem e fundit.”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar fill pas akzuave të  ish-kryeministrit Sali Berisha një ditë më parë i ftuar në një studio televizive.

Berisha u shpreh se Thaçi është arrestuar për vrasjen e shokut të tij të dhomës, ndonëse nuk kishte dijeni nëse ishte i përfshirë.

Ndërkohë, mesditën e kësaj të premteje, Thaçi shprehet se një ndër krimet më të mëdha të Berishës është edhe shkatërrimi i kodit të sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare.

Postimi i plotë

Të gjithë ne, politikanët shqiptarë, kemi kontributet dhe gabimet tona, për të cilat marrim vlerësim, por edhe mbajmë përgjegjësi përpara qytetarëve tanë. Historia dhe gjeneratat e ardhshme, do ta trajtojnë me kujdes trashëgiminë që ne do të lëmë pas.

Askush nga ne nuk ka qenë, nuk është dhe nuk besoj se do të jetë i shenjtë.

Me keqardhje dhe pa asnjë vullnet, jam i detyruar që të merrem për ta thënë të vërtetën e hidhur për një ish politikan të tillë.

Nuk më sjell asnjë kënaqësi që të merrem me një relikt të shëmtuar, duke qenë i vetëdijshëm se ky intrigant bën përpjekje dëshpëruese të ushqejë hijen e tij, duke hedhur baltë mbi çdo gjë që konsiderohet si vlerë e traditës dhe kulturës sonë kombëtare.

Nuk kam asnjë dyshim se një ndër krimet më të mëdha në rrugëtimin e S.R.B, përveç përpjekjes për puç institucional, shkatërrimin e shtetit dhe demokracisë në Shqipëri, është edhe fakti se ai i shkatërroi edhe kodet e sjelljes dhe komunikimit të Odës Shqiptare.

Pse unë po e përmend Odën?

Për arsye se ai ka dëshirë të thirret në burrëri si dhe në tiparet e malësorit, gjë të cilën nuk e ka asnjërën.

Ai punoi tërë jetën duke përçarë kombin dhe vendin.

Tiparet e malësorit i humbi duke i shërbyer bllokut në vitet e diktaturës.

Ai gjithmonë thirret në emër të veriut të Shqipërisë, edhe pse tri dekada, me politikën e tij, veriun e la në gjendje të mjerueshme dhe në izolim.

Veriun e shfrytëzoi vetëm për të nxitur konfliktin veri-jug (kujto vitin 1997).

Për shkak të krimeve të tij, ai tash e tri dekada nuk ka guxim si qytetar i lirë ta vizitojë tokën ku ai lindi, trevën në të cilën u rrit, sepse me veprimet e veta mbolli përçarje dhe vëllavrasje.

S.R.B u shndërrua në zhurmues, përçarës dhe është i pabesi numër një i kombit tash e tri dekada.

As Odat Shqiptare, e lëre më parlamentet tona, nuk i toleruan sharjet, shpifjet, ulërimat dhe kacafytjet mes burrave.

Kurrë Oda Shqiptare nuk do të mbante në sofër burra që nuk kanë frena në gjuhë dhe ekuilibër në mendje.

Kjo traditë e jona, për një kohë të gjatë ishte një kod i pashkruar edhe brenda institucioneve shtetërore andej dhe këndej kufirit.

Thelbi i këtij kodi të mirësjelljes ishte respekti minimal për njëri-tjetrin, për fjalën publike, e mbi të gjitha, respekti për qytetarët tanë.

Fatkeqësisht, sot nuk kemi respektim të normave të tilla. Dikush punoi shumë fort për ta shkatërruar këtë standard.

S.R.B është ai që solli këtë fatkeqësi të madhe në sofrën tonë dhe infektoi shumë politikanë me fjalorin e tij vulgar, duke u bërë modeli më i keq.

Atë që nuk e kam kuptuar dikur, por që më neverit edhe sot, është fakti se S.R.B është tjetër njeri kur të rri përballë në bisedë, pa të shikuar kurrë në sy, dhe një tjetër njeri kur i drejtohet publikut.

Fjalorin e tij të ulët publik, ai e quan politikë, ndërsa politikën një lojë ku duhet të fitosh me çdo çmim, duke thënë gjëra që s’i beson as vetë.

S.R B nuk i beson as një sekondë akuzave që i bën në drejtimin tim, madje ai vetë e di shumë mirë se ato nuk kanë as një lidhje me realitetin.

Por, për S.R.B kjo është politika!

Një lojë e pistë pa rregulla dhe as kod etik.

Një turp i vërtet, në fakt!

I jam trembur gjithnjë gjuhës së kontaminuar të S.R.B, sepse kurë nuk kam dashur që ajo të përhapet si epidemi edhe në Kosovë.

Për fat të keq, kjo epidemi preku edhe parlamentin, disa parti, media, të paguara me pare të pista nga burime të zeza, që rrjedhin nga Tirana e derdhen në Prishtinë.

E kam thënë dhe do ta them gjithnjë, se kam dhimbje kur e shoh si ka përfunduar në një gërmadhë morale dhe politike.

S.R.B sot nuk paraqet asgjë tjetër, vetëm një fosil.

Ai nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte kurrë miku im, sepse në mes të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, respektivisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Millosheviqit, ai zgjodhi rrugën e pasurimit personal, familjar dhe klanit të tij të ngushtë.

Ai zgjodhi t’i bënte argat S. Millosheviqit me derivate e armë. Depot e derivateve që i mbushi Salihu në Beograd, ishin caqe të NATO-s në vitin 1999. Ai armatim u përdor për gjenocid në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Nga viti 1992 deri më 1997 S.R.B, si President i Shqipërisë kudo që fliste për Kosovën, kërkonte “autonomi” për Kosovën, sepse, sipas tij, pavarësia ishte shumë dhe mund të sillte luftë.

Nuk e di nëse kjo zgjedhje e tij është bërë me dëshirë apo me dhunë. Këtë gjë duhet ta tregojë vetë S.R.B.

Do të ishte vërtet e guximshme që ai të tregojë arsyet e vërteta që e bënë atë të jetë në shërbim të Millosheviqit. Por, unë nuk pres nga një qyqar-batakçi të tregojë ndershmëri dhe guxim, as tani kur ai po kalon në grahmat e tij të fundit.

Kjo është ndër arsyet kryesore që e bëri S.R.B të refuzuar që nga viti 1996 nga gjithë skena politike shqiptare.

Kosova nuk ia ka fajin për krimet piramidale të fajdeve.

Nuk ia ka fajin për trazirat civile më 1997.

As për tentim grusht shtetin e shtatorit të vitit 1998.

As për vrasjet në Gërdec.

As për vrasjet e demonstruesve paqësorë më 21 janar.

Kjo është trashëgimi e juaja S.R.B., si i amnistuar nga drejtësia shqiptare.

Megjithatë, ndiej keqardhje për të sa herë e hap gojën.

Dua ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se unë kur flasë për S.R.B., nuk e bëj aspak për të pastruar ndonjë hesap personal.

Këtë e bëjë vetëm si shërbim të interesit publik, që njerëzit të mos shurdhohen nga kambanat e këtij ndjellësi të fatkeqësive dhe që të gjithë së bashku të reflektojmë për këtë fatkeqësi kombëtare, që shfaqet në formën e shpifjeve, sharjeve dhe sulmeve të ulëta mes shqiptarëve. HTH

Shtetet e Bashkuara u dhanë ultimatum Turqisë: Nëse blen sistemin rus të raketave S- 400, atëherë Uashingtoni do të vendosë sanksione kundër saj.Ankaraja kërkon të mbrojë hapësirën e vet ajrore me një sistem rus raketash, ndërsa Uashingtoni pretendon që si vend partner i NATO-s, Turqia të blejë sistemin amerikan të mbrojtjes, Patriot.

Lajmin e ultimatumit e përcolli televizioni CNBC. Ankaraja ka dy javë kohë për të hequr dorë nga blerja e raketave ajrore ruse, përndryshe do të përballet me masa te ashpra. Uashingtoni kërcënon po ashtu që t’ i refuzojë Turqisë furnizimin e avionëve luftarakë F 35.

Qeveria amerikane ka ushtruar prej muajsh tashme presion mbi qeverinë turke. Presidenti Donald Trump ka kritikuar blerjen e sistemit rus S- 400 të mbrojtjes ajrore, ndërsa sekretari i shtetit Mike Pompeo e kishte përmendur hapur mundësinë e sanksioneve. Ankaraja megjithatë nuk ndryshoi qëndrim.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar njoftoi këtë javë se ushtarët turq ndodhen tashmë në Rusi për të mësuar për përdorimin e S- 400. Në qershor ose në korrik sistemi do i dorëzohet Turqisë dhe në vjeshtë do të instalohet. Por nga ana tjetër, sanksionet amerikane mund ta godasin fort Turqinë. Që nga viti i kaluar Turqia ndodhet në krizë serioze ekonomike dhe monetare, ndërsa inflacioni dhe papunësia e kanë rënduar shumë popullsinë.