Nga Bardhyl Mahmuti-Deklaratat skandaloze antishqiptare që në vazhdimësi ka bërë Shkëlzen Gashi, morën përmasa më të mëdha për shkak të funksionit të tij si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurtit.

Shumica e njerëzve që kanë reaguar, kanë shprehur revoltën kundër deklaratave të tilla dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre bënë apele publike për shkarkimin nga ky funksion.
Ajo që më shtyri të reagoj ka të bëjë me pasojat e një deklarate të tillë.

Një numër gazetash serbe e shfrytëzuan rastin për të përgjithësuar qëndrimet e Shkëlzen Gashit si të ishin qëndrime të gjithë shqiptarëve! Sa për ilustrim po sjell foto nga kryeartikulli i gazetës serbe “Kurir” i titulluar SHQIPTARËT I PRANUAN KRIMET E UÇK-së! Këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi: Dik Marti ka drejtë, kemi 1000 CIVILË SERBË TË VRARË!”

Në “Librin e Bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, të botuar dhe të shpërndarë në mars të vitit 2000, domethënë 9 muaj pas përfundimit të luftës kur ende në pushtet ishte Sllobodan Millosheviqi, u publikuan listat e civilëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur që i atribuoheshin UÇK-së. Në këtë botim zyrtar të shtetit serb, që përfshin periudhën nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999, pra deri në datën që për Serbinë konsiderohet përfundimi i luftës, numri zyrtar i serbëve dhe malazezëve që pretendohej se UÇK-ja kishte vrarë është 75, ndërkaq fiks 100 persona të tjerë të këtyre përkatësive etnike ishte rrëmbyer apo zhdukur nga UÇK-ja.

Që të duket sa më tragjik “veprimi i terroristëve shqiptarë”, në listën e personave të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur përmenden njerëz të moshave të shtyra, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen. Në këtë listë përmendet Miroslav Shmigiq, 80 vjeç, Sultana Shmigiq, 76 vjeç, Aleksandar Shmigiq, 75 vjeç, Jovan Vasiq 74 vjeçar, Vitko Kostiq, 70 vjeç, Stajko Andjelkoviq, 69 vjeç, Darinka Vujoshevi, 69 vjeç, Dragoljub Voshtiq, 69 vjeçar, Zhivorad Krstiq, 68 vjeç, Radomir Voshtiq, 67 vjeç e kështu me radhë.
Vlen të theksohet se që nga data 1 janar 1998 e deri më 10 qershor 1999, në Librin Amëz të të vdekurve në komunën e Deçanit, të Pejës, të Rahovecit, të Skenderajt dhe të Drenasit, pra në komunat ku intensiteti i luftës ishte më i madh, asnjë serb nuk ishte regjistruar si i vdekur nga vdekje natyrore!

Imagjinoni për një çast në çfarë situate jemi! Pushteti që zbatoi gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë e akuzonte UÇK-në për vrasjen, rrëmbimin dhe zhdukjen e 175 civilëve serbë dhe malazezë, ndërkaq, 20 vjet më vonë, Shkëlzen Gashi e rriti numrin e tyre në 1000!!! Për këtë arsye mediat serbe i dhanë publicitet aq të madh!

Pohimet e tilla nuk përfaqësojnë shqiptarët, por dalje në sipërfaqe në kontekst të ri historik të logjikës që ka mbjellë Serbia në Kosovë!

Këtu nuk kemi të bëjmë me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin! Këtu kemi të bëjmë me shpifje skandaloze me qëllim të njollosjes së UÇK-së. I takon prokurorisë që të shqyrtojë mundësinë për të bërë padi për shpifje, në të kundërtën këtë gjë duhet ta bëjnë shoqatat e dala nga lufta!

  • Boris Blazhiniq

Boris Blazhiniq, profesor nga Zagrebi, psikolog dhe ekspert për vlerësimin dhe zhvillimin e potencialeve njerëzore, ka postuar në “Facebook” këtë shkrim kreativ, në të cilin për koronavirusin. Pasi ma dërgoi miku im Nehat Beqiri, e përktheva dhe po e ndaj me ju.

Çka po ndodh????

Çfarë është ky virus!!!???

Nuk i prek shtatzënat.

Më së paku i sulmon fëmijët.

Më së shumti i helmon të papërgjegjshmit.

I shtyn të rinjtë që të kujdesen për pleqtë.

Na detyron me forcë të pushojmë, na jep pushim më të gjatë vjetor dhe orar të shkurtuar pune.

Na shtyn të rrimë më shumë me fëmijët tanë.

U jep kohë bashkëshortëve, partnerëve, miqve, fqinjëve që të njihen sa më mirë, u jep kohë për dashuri.

Na mëson prioritetet dhe mbrojtjen e shëndetit.

Na shtyn vetë ta pjekim bukën.

Na mëson të mos ngutemi.

Na mëson të mos e ndotim jetën.

Të pastrojmë natyrën.

Ul frekuentimin në autostrada dhe pakëson aksidentet.

Na dëbon prej kafeneve dhe bastoreve.

Na shtyn të jemi humanë.

Na mëson se nuk të ndihmon paraja, vilat, veturat, jahtet, këtu ose në një qytet tjetër, por njeriu, njeriu i vërtetë dhe i guximshëm.

Na mëson t’i çmojmë vlerat e vërteta.

Na mëson ta çmojmë jetën e tjetrit.

Na fut në kafaz, teksa speciet tjera janë jashtë.

Na mëson se pak rëndësi ka kombi e religjioni.

Na mëson për një shpërndarje të drejtë dhe të ndershme.

Na mëson se vlera e vërtetë është humanizmi dhe vullnetarizmi i organizuar.

Na heq maskat e rrejshme nga fytyrat lakmitare.

E zvogëlon prostitucionin, kriminalitetin, larjen e parave, ua humb vlerën korporatave, u jep shans vendeve që t’i kthehen vetes.

Na mëson se ballkoni dhe oborri kanë më shumë vlerë se sa banesa dhe shtëpia.

Na mëson se edhe i mbyllur në burg mund të jesh i lumtur dhe i lirë.

Na shtyn drejt dijes, që ta kërkojmë informacionin e vërtetë dhe jo të rremë.

Na mëson se një metër rreth nesh është hapësira jonë intime dhe gjithçka përtej saj mund t’ua japim atyre që ua besojmë jetën.

Na mëson se sjellja është vlerë e madhe dhe nuk është rregull i kotë ta lëvizim kokën teksa përshëndesim.

Na mëson t’i lajmë duart më shpesh, por edhe mendjen tonë nga papastërtitë e qytetërimit.

Na mëson ta ruajmë dhe ta respektojmë natyrën, sepse jemi pjesë e saj.

I shtyn qeveritë dhe politikën të bashkëpunojnë.

Na mëson se kur ndodh e keqja në një shtet apo kontinent tjetër, kur u ndodh popujve të tjerë larg nesh, në fakt ata janë pranë nesh edhe pse nuk mund të jenë aq afër.

Na shtyn të dëgjojmë se çdo ditë kanë vdekur e vdesin tetë mijë fëmijë të pafajshëm ndaj të cilëve kemi qenë indiferentë.

E çliron botën nga helmet industriale dhe njerëzore.

Na mëson të bëhemi njerëz, njerëz të mirë.

Njerëz…

Çka është ky????

Na hapi veshët e sytë.

Mendojeni se çfarë na bën ky virus: na mëson të bëhemi njerëz.

Të bëhemi ata që jemi.

Përktheu: Salajdin Salihu

  • Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Më 16 dhjetor 2019 në spitalin qendror të Wuhanit në Kinë u shtrua pacienti i parë i infektuar me koronavirus (i njohur si COVID-19). Dy muaj më vonë numri i të vdekurve kaloi shifrën 3000, ndërsa të infektuar ishin rreth 80 mijë persona.
Në SHBA, më 20 janar u shënua rasti i parë që rezultoi i infektuar me COVID-19, ndërkaq pas katër javësh (më 29 shkurt) vdiq personi i parë. Një muaj më vonë (më 29 mars) mbi 123 mijë persona janë të infektuar, kurse 2229 kanë vdekur.

Më 31 janar 2020, rezultatet e analizave për dy turistë kinezë që kishin ardhur në Itali dolën infektuar nga ky virus. Tri javë më vonë (më 21 shkurt), numri i të infektuarve nga ky virus ishte 16 persona. Gjatë pesë javëve që pasuan 21 shkurtin, numri i të vdekurve në këtë shtet ka kaluar shifrën prej 10 mijë personash, ndërkaq ai i të infektuarve është mbi 92 mijë, 3800 prej të cilëve në gjendje kritike.

E njëjta gjë edhe në Spanjë. Më 31 janar u shënua rasti i parë i infektuar me koronavirus (rasti i një turisti gjerman në arkipelagun e Kanarive). Më 3 mars ndodhi vdekja e personit të parë në Spanjë nga ky virus. 25 ditë më vonë, Spanja ka rreth 79 mijë njerëz të infektuar nga koronavirusi, kanë vdekur 6528 persona dhe 4165 persona ndodhen në gjendje kritike.
Nëse analizojmë të dhënat e shumicës dërmuese të shteteve të prekur nga kjo pandemi do të konstatojmë se në periudhën dy mujore nga shfaqja e rasteve të para, situata është shndërruar në dramatike. Vetëm në dy muajt e fundit janë infektuar mbi 680 mijë njerëz dhe kanë vdekur mbi 30 mijë persona.

Përballë kësaj situate tragjike dhe me rreziqe të mëdha, shkencëtarët e fushës së mjekësisë dhe farmaceutikës janë duke bërë përpjekje të mëdha për të gjetur terapinë e përshtatshme në këtë luftë me “armikun e padukshëm”. Bashkimi Europian ka ndërmarrë një testim të 4 terapive të ndryshme në 7 shtete të saj dhe me një popullatë prej 3200 pacientësh për të ardhur deri te terapia më e mirë. Edhe në SHBA, në Australi dhe në shumë vende janë duke bërë përpjekje që t’i bëhet çare kësaj çështjeje. Në ndërkohë, nga të gjithë ne kërkohet të shmangim kontaktet dhe të respektojmë udhëzimet për distancën e nevojshme dhe masat higjienike që duhet të zbatohen nga çdo qytetar.

Në një mesazh për qytetarët e Kosovës, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Dr Naser Ramadini bëri apel që të respektohen me përpikëri udhëzimet për t’u mbrojtur nga përhapja e këtij virusi. Madje, për ta bërë edhe më të qartë përgjegjësinë e çdonjërit në këtë situatë të jashtëzakonshme, ai tha: Koronavirusi nuk ka këmbë! Me një fjalë, duhet të kemi kujdes të mos ia japim këmbët tona që ta sjellim në familjet tona dhe te miqtë tanë.

Atij që nuk i respekton me seriozitetin më të lartë udhëzimet e njerëzve kompetent në këtë lami duhet t’i bëhet me dije se duke ia huazuar këmbët e veta virusit ai, me vetëdije apo pa vetëdije, mban mbi supet e veta edhe arkivolet e familjarëve, miqve dhe njerëzve të tij të dashur! Prandaj KUJDES, pa panik dhe pa nënvlerësim të situatës!

Nga Ilir Yzeiri

Qysh në fillim dua të bëj një sqarim për termat që kam përdorur në titull. Me to nuk dua të shënoj ata persona që ne, në ligjërimin e zakonshëm, i identifikojmë si të ndryshëm nga ne dhe, në mënyrë fyese, i denigrojmë duke u vënë në dukje një të metë që ata, pa dashjen e tyre, e shfaqin në publik. Jam kundër çdo lloj diskriminimi shoqëror.

Në këtë rast, e kam fjalën për personazhet publikë, të cilët, për një arsye ose një tjetër, marrin një rol në shoqërinë tonë, dhe këta janë politikanë, gazetarë, shkrimtarë, shkurt, gjithë ata që e mbushin hapësirën publike dhe ne jemi të detyruar ose jo, që t’i shohim nëpër mitingje, në studio tv-je apo në mediat on-line duke dhënë mendime apo duke argumentuar çështje me interes publik.

Në epokën e internetit, siç e dimë, të gjithë janë bërë edhe autorë, edhe lexues, por jo të gjithë kanë ndikim të posaçëm në hapësirën publike dhe jo të gjithë kanë një vend të dukshëm në të.

Nisur nga këto premisa, dihet që personazhet publike që zënë e madje bllokojnë nganjëherë hapësirën tonë publike, ngjajnë më aktorët që recitojnë në një dramë të caktuar. I keni vënë re që nganjëherë ligjërimet e tyre ngjajnë me një tekst të cilin duket sikur e shkruan një autor? Në të tilla raste, tema e tekstit diktohet nga koha që jetojmë. Dhe tani le të shohim më konkretisht se çfarë ndodh te ne.

Ngjarja që ka tronditur botën, është COVID-19. Asnjëherë më parë bota dhe planeti nuk ishte tronditur si me këtë pandemi, e cila ka gjunjëzuar ekonominë botërore dhe po vë në pikëpyetje gjithçka që njerëzimi ka arritur deri tani. Në një shkrim të para disa ditëve, në revistën « Atlantic », një shkencëtar amerikan shkruante se një kolegia e tij ishtë shtatzënë dhe, duke diskutuar me të, i kam thënë se fëmija e saj bashkë me të tjerët do të quhen « Gjenerata C » dhe vazhdonte: nëse Amerika do të vijojë të jetë lideri që do të udhëheqë botën, ajo duhet të ndërtojë një model të ri mendimi: Pas Luftës së Dytë Botërore ne implementuam izolacionizmin dhe luftën kundër komunizmit, pas 11 shtatorit ne shpallëm si armik të njerëzimit terrorizmin, pas Koronavirusit ne duhet të mendojmë që të rrisim një brez që të orientojë botën drejt luftës lundër epidemiologjive dhe shkatërrimit të planetit. Mesa duket, këta do të jenë armiqtë e njerëzimit në kohërat që vijnë, – shkruante ai

Mirëpo, çfarë ndodh në fshatin tonë ballkanik? Po të ndjekësh artikulimet e atyre kategorive që përmenda më lart, pjesën më të madhe të vëmendjes e tërheqin të çmendurit, budallenjtë dhe

qesharakët. Kategorinë e të çmendurve si rol në teatrin publik e ka marrë dhe e luan për mrekulli Sali Berisha. Edhe njëherë po e përsëris, Berisha nuk është i çmendur, por në dramën që ka shkruar autori X, që ka si temë « Edi Rama dhe koronavirusi », ai ka zgjedhur rolin e të çmendurit. Mirëpo nuk është vetëm ai që e luan këtë rol. Me qenë se drama luhet çdo ditë, aktorët kanë nevojë të ndërrohen dhe në këtë rol në Shqipëri ne shohim disa të çmendur. Por çfarë është karakteristikë e këtij roli? Alarmi për një gjë që nuk ekziston, rrëfimi i një ngjarjeje tjetër jo i asaj që ndodh në të vërtetë, dhe stili i artikulimit është zëri i lartë, ulërima, fyerja, sharja. Nga pikëpamja e personaliteteti këta aktorë zotërohen nga një prej tri tipareve të asaj që studiuesit e quajne The dark Triade of Personality dhe që është psychopaty-a. Mania e tyre është të përdorin shifra dhe shembuj. E mbani mend një shifër të Berishës? Ne, sipas tij, paskërkemi numrin më të madh të mjekëve të prekur nga coronavirusi për frymë popullsie në botë. Në fillimet e tyre aktorët e çmendur ngjallin frikë, por më pas ata vetëm sa e zbavisin publikun dhe e lehtësojnë atmosferën. Prania e tyre është e domosdoshme në një teatër si ky që po kalojmë. Pa këta të çmendur është e pamundur të vlerësojmë se sa e bukur është jeta dhe se sa e rëndësishme është për njeriun që, gjithsesi, nuk harron thënien: « Zot më ruaj mendt e kokës!»

Kategoria e dytë është ajo e budallenjve dhe në këtë dramë që po luhet, çuditërisht për këtë rol ka shumë aktorë, por më i afti duket se është Tritan Shehu. Ai është mjeshtër që të thotë gjithmonë atë që nuk mendon, të shfaqë në publik atë që nuk ndien dhe të mos merret vesh kurrë se çfarë është. Budallai, si kategori psikike, i shfaq këto simptoma sepse mund të ketë të dëmtuar ose njërën anë të personalietit ose tjetrën; pra, ose ka të dëmtuar një anë të « The dark Triade », ose mund të ketë të dëmtuar njërën anë të « The Light Triade ». Në rastin e Tritan Shehut duket se roli që ai luan, kërkon që ai të shfaqë në publik dëmtimin që i ka ndodhur vetëm në njërën anë të « The Light Triade ». Dhe unë mendoj se Tritani ka të dëmtuar ose vuan nga ajo që psikologët e quajnë « Bieliving in the fundamental goodness of Humans », pra, besimi në mirësinë e njerëzve. Tritani flet dhe deklaron ca të vërteta që mund t’i vijnë në ndihmë gjithë njerëzimit. Tani në fund ai shpall se masat katastrofike që ka marrë qeveria Rama, do të shkaktojnë një tragjedi planetare. Vështruar kështu, ai të dhimbset sepse nuk mendon as për vete as për Shqipërinë, por për gjithë njerëzimin mbarë. Ndaj budallenjtë gjithmonë janë të qeshur, të ëmbël dhe të padëmshëm, dhe pa ata bota do të ishte një errësirë, një zezonë, siç thotë Kadareja.

Dhe në fund – qesharakët. Këtë rol, për fat të keq, e luan Lulëzim Basha. Roli që ka marrë përsipër të luajë, në fakt, i shkon shumë karakterit të tij. Ai që reciton një tekst qesharak, duhet të jetë serioz në mënyrë që budallallëku që ai thotë, të besohet, nuk duhet të bëjë shaka kurrë, duhet të shfaqet

autoritar dhe nuk duhet të dijë më shumë se 30 fjalë, por ato duhet t’i përsërisë papushim dhe në çdo skenë. Nëse sheh se dikush nga aktorët e tjerë nuk e dëgjon, ai duhet të përplasë ndonjë gjë ose edhe dorën. Lulëzim Basha, që në fillim, recitoi tekstin se si shmanget Coronavirusi. Ai është i vetmi politikan në botë që e ka gjetur se si bota mund të shpëtojë nga koronavirusi. Për çudi, Edi Rama, aktori tjetër që ai ka përballë, tallet me të dhe nuk e dëgjon dhe kjo e bën dramën tërheqëse. Mirëpo, rezultatet që ka Shqipëria nga infeksioni me këtë pandemi, jo për shkak të punës së qeverisë, as për shkak, të Perëndisë, por një zot e di pse, janë më të mirat e mundshme. Ky realitet nuk përfillet nga aktori qesharak sepse teksti që ai reciton, ka gjetjen e vetme për të shmangur pandeminë. Edhe Luli, ashtu si Tritani, është i dashur, të shkrin gazit dhe të mban gjallë në këtë kohë jo edhe aq të mirë.

Kur mendon se në teatrin ku jemi mbyllur të gjithë, kjo dramë do të shfaqet edhe për një kohë të gjatë, është mirë të mos harrojmë se aktorët që ne shohim, do të na zbavisin po ashtu gjatë. Ndaj mos u lodhni duke i parë e dëgjuar, thjesht zbavituni me ta.

Nga Ruben Avxhiu

Mbi 1,000 mjekë, infermierë e punonjës të shërbimit shëndetësor në Holandë po marrin vaksinën BCG si provë për të parë nëse i mbron gjatë punës në luftë me infeksionin e ri që po tmerron botën.

Në mënyrë të ngjashme, grupe të këtyre profesioneve në SHBA e Australi po e marrin në formë mbrojtjeje të mundshme vaksinën në fjalë. Në fakt, lidhja më e thjeshtë që i shkon mendja njeriut është se si turbekulozi edhe koronavirusi godasin ashpërisht mushkritë.

Një shkrim në revistën “Shkenca” (Science) flet për interesin e jashtëzakonshëm të shkencëtarëve për vaksinën e vjetër 100-vjeçare që solli shpëtimin nga turbekulozi. (https://www.sciencemag.org/neës/2020/03/can-century-old-tb-vaçine-steel-immune-system-against-neë-coronavirus).

Instituti Max Plank në Gjermani, i cili ka nxjerrë 33 fitues të çmimit Nobel e që ka prodhuar një vaksinë me këtë bazë po fillon një program masiv vaksinimi për të moshuarit dhe punonjësit e sistemit shëndetësor që janë më të rrezikuarit.

Një analizë e botuar nga Research Gate tregon se vendet ku vaksina kundër turbekulozit është ende e detyruar dhe universale, përfshi edhe vetë Kinën, koronavirusi nuk ka pasur forcë kundër fëmijëve dhe të rinjve.

Që mund të shpjegojë se pse në Kinë të rinjtë nuk kanë pasur probleme që po shihen në Itali, Europë e SHBA mes të rinjve. Në vendet perëndimore zhdukja e turbekulozit bëri që vaksina të mos ishte më e detyrueshme.

Sipas kësaj analize edhe përhapja në vendet ku ende është e detyrueshme dhe universale ka qenë shumë më e ndagalshme se në vendet si Italia, SHBA, Franca, MB, e Spanja ku koronavirusi po përhapet shumë më shpejt. (Përjashtimi këtu është Wuhani dhe kjo lë mënjanë masat ekstreme të Kinës autoritare që mund të kenë qenë një faktor i jashtëzakonshëm në luftën ndaj virusit.)

Sipas kësaj llogjike, kjo është arsyeja pse ndonëse Shqipëria është gati një provincë e Italisë në kuptimin e udhëtimeve të shumta mes dy vendeve përhapja në Shqipëri ka qenë shumë me e ngadalshme se në Itali. Shqipëria e ka ruajtur vaksinimin universal kundër turbekulozit, të paktën si është trashëguar si praktikë që nga Shqipëria komuniste. (Nuk mund të flas sot për zbatimin rigoroz të regjimeve të vaksinimit se demokracia e liria vjen edhe me mundësinë për t’iu shmangur apo zbutjen e praktikave të detyruara.)

Hapësira e ish-Gjermanisë Lindore, me vaksinim universal si në botën komuniste, ka sot shumë më pak raste se pjesa perëndimore. Nxin në mes të Lindjes, Berlini që ishte i ndarë në dysh.

Në Amerikën Latine, Ekuadori ishte i vetmi vend që nuk e ka pasur vaksinimin universal kundër turbekulozit. Numri i vdekjeve aty nga koronavirusi për çdo një million vetë janë: Ekuadori 2, Kolumbia 0.08, Peruja 0.3, Brazili 0.3.

Kjo si çdo rrugë tjetër që po ndiqet nga shkencëtarët është ende për t’u parë se ku do të çojë. Një gjë që e dinë mesiguri është se forca e çdo vaksine bie me kalimin e viteve që mund të jetë arsyeja se pse në Kinë, për shembull, pleqtë kanë vdekur nga vaksina dhe fëmijët jo.

Sipas shkencëtarëve, edhe nëse vaksina BCG nuk e zgjidh punën e koronavirusit, ajo mund të forcojë imunitetin e trupit në përgjithësi.

“Vaksinat në përgjithësi e rrisin përgjigjen imunitare specifike ndaj patogjenit që marrin në shënjestër, për shembull me antitrupa që ndalojnë dhe neutralizojnë një lloj virusi po jo të tjerë. Mirëpo, BCG mund të shtojë aftësinë e sistemit imunitar që të luftojë edhe patogjenë të tjerë përveç bakteries TB…”, shkruan veç të tjerash revista “Shkenca”.

Shkencëtarët danezë Peter Aaby dhe Christine Stabell Benn, që jetojnë dhe punojnë në Afrikë kanë vënë re se vaksina kundër turbekulozit pengon rreth 30% të të gjitha patogjeneve të njohura nga njeriu, përfshi edhe viruseve, gjatë vitit të parë pasi është bërë.

Ka pasur argumente kundër këtij përfundimi. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë që kanë vënë në dukje se vaksina BCG kishte ulur shumë vdekshmërinë mes fëmijëve, mendon se më shumë prova duhet për të vërtetuar këtë propozim.

Të gjitha këto lloj zhvillimesh duhet të trajtohen me kujdes. Vështirë se do të ketë përgjigje bindëse për këto përpjekje pa kaluar disa muaj.

Kështu që autoritetet besojnë se e vetmja përgjigje për disa vende e hapësira, si New York-u mbetet për momentin ngadalësimi i përhapjes që mund të sigurohet mbajtja e numrave të sëmundjes të përballueshme nga kapacitetet e sistemit shëndetësor. Deri në një lajm më të mirë.

Shkruan Lulzime Xhelili Lazami

Ngjarjet e fundit politike që ndodhën ne Kosovë kanë shqetësuar gjithë ata që e ndjejnë veten për shqiptarë në Maqedoni, madje të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e diasporës. Por mbi të gjithë, të zhgënjyer deri në palcë mbeti vetë populli i Kosovës që nuk arriti të gëzojë një udhëheqje të drejtë e të duhur ashtu si që ishte qeveria e Albin Kurtit. Të mashtruar e të zhgënjyer mbetën edhe shumë ndërkombëtar dhe paqëdashës amerikan të cilët i dhanë jetë, frymë dhe shpresë një Kosove të rilindur pas luftës së vitit 1999, ku të gjithë e dimë se çfar ushtroi gjenocidi sërb mbi kët vend të çmuar dhe shumë patriotik.
Arsyet pse ndodhi rrëzimi i qeveverisë së Kurtit në orët e vonshme të natës së 25 Marsit 2020, janë të shumta por ajo që të gjithë e dimë është se në historinë e popullit shqiptarë gjithmonë ka pasur të atillë “burra” që e shisnin Shqiptarinë për interesat e tyre shumë të imta personale duke u shitur patriotë para popullit të shkretë.Arsye që më shumë i jep peshë kësaj çeshtje është se disa politikan që e mbajnë veten për “shtylla të Kosovës” e haruan ndihmën që ua dha Amerika me presidentin e atëhershëm amerikan Bill Clinton bashkë me shumë fytyra të njohura për shqiptarët dhe botën anembanë si gjenerali Wesley W.Clark,politikani i njohur spanjoll Javier Sollana,profesori i mirënjohur amerikan Daniell Serwer i cili me keqardhje të madhe dha intervistën e fundit në “Jeta në Kosovë” duke shprehur dhimbjen e tij të madhë nga lëkundjet e mëdha në vend në një kohë pandemie botërore të Covid 19.
U haruan të gjithë këto fytyra ku dhanë jetë e shpresë për tu njoftuar e udhëhequr nga “një mik tjeter amerikan,Richard Granell”, i cili në fakt është i një bote të kundërt të asaj Kosove ku demokracia filloi të lulzojë. Për fat të keq këta miq të rejshëm e shfrytëzuan lakminë për pushtet si dhe vetëdijen e ulët politike të këtyre faqezinjëve burra si Isa Mustafa,Hashim Thaçi e Ramushi për ta rrëzuar qeverinë e Albinit mu në kët kohë të vështirë ku e gjithë bota po përballet me armikun më të madh e të padukshëm Coronavirusi, kohë në të cilën gjithë janë ngojuar e nuk mund të dalin në shesh për të shprehur paknaqësinë.
Eh, tradhëtia dhe hajnia e gjetën popullin në hamulli pë t’a rrëzuar Albinin.Por sa do të arrinë që ta rrëzojnë Albinin në të vërtetë edhe ata vetë e dinë që kjo nuk do të ndodhë asnjëherë.

Shkruan Rexhep Qosja– E rrëzuan Qeverinë e ndryshimit!

E rrëzuan Qeverinë e shpresës!

E rrëzuan Qeverinë e ndryshimit dhe të shpresës pa i lejuar t’i kalojë as 90 ditët e para që çdo qeverie i lejohen në të gjitha demokracitë liberale e joliberale, përpos në “demokracitë” neofashiste.

Nuk e rrëzuan votuesit. Jo.

Nuk e rrëzuan ata që zgjedhin. Jo.

Nuk e rrëzoi populli. Jo.

E rrëzuan ata që fjalën popull s’e përmendin më, ata që popullit nuk i bëjnë të mundshme as të shihet e as të dëgjohet më!

E rrëzuan ata që përgjegjshmërinë për shoqërinë, si u pa, e kanë shumë më të vogël se levërdinë vetjake.

Se do të bëjnë çmos për ta rrëzuar Qeverinë e ndryshimit dhe të shpresës e treguan ditën e formimit të saj në Kuvendin e Kosovës. Atë ditë, në atë mbledhje, u dëgjuan fjalë sulmesh, fjalë fyerjesh dhe fjalë kërcënimesh kundër saj dhe sidomos kundër kryeministrit të saj.

Kush janë ata që e rrëzuan Qeverinë?

Janë ata që i tmerroi fitorja e Lëvizjes që e krijoi qeverinë – fitorja e Vetëvendosjes.

Janë edhe ata, në të vërtetë prijësit e atyre, që e krijuan koalicionin me ta për krijimin e asaj Qeverie.

Ata e rrëzuan, në të vërtetë ata e prenë në besë.

Pse e rrëzuan?

Pse e prenë në besë?

Cilat janë arsyet e rrëzimit, e prerjes në besë të Qeverisë së ndryshimit dhe të shpresës?

Ata që e përgatitën rrëzimin, opozitarët, thonë gënjyeshëm, propagandueshëm se qeveria gjatë atyre 50 ditëve, që ia lejuan, u tregua antiamerikane dhe e rrezikoi Kosovën me sanksione që SHBA-ja gjoja do t’ia vinte Kosovës!

Pjesëmarrësit e dytë të koalicionit, në të vërtetë të parët e LDK-së, e thonë duke mashtruar opinionin se Qeveria u rrëzua, e para, pse e shkarkoi pa u konsultuar me ta ministrin e Punëve të Brendshme që vinte prej partisë së tyre dhe, e dyta, për shkak se nuk deshi të hiqte tarifën në mallrat e Serbisë e të Bosnjës.

Kryeministri i qeverisë, Albin Kurti, ndërkaq, thotë se qeveria e kryeministruar prej tij u rrëzua për shkak se ai e kundërshtoi shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë që është paraparë në bisedimet midis kryetarit të Kosovës dhe kryetarit të Serbisë.

Është një arsye tjetër, megjithatë, që realizuesit e rrëzimit të Qeverisë i ka shqetësuar më shumë se arsyeja e të parëve, opozitarëve, dhe arsyet e të dytëve, udhëheqësve të LDK-së.

Cila është ajo arsye?

Ajo është arsyeja që e dijnë, që e ndjejnë, që e theksojnë, që e përjetojnë shembshëm shumica e qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e ndryshimit dhe e shpresës i çoi tmerrueshëm kundër vetes edhe ata të opozitës, edhe ata të koalicionit qeverisës kur filloi, shpejt pas konsituimit, t’i rrëgjojë, në të vërtetë t’i komprometojë privilegjet e pushtetarëve të lartë dhe partizanëve të tyre, t’i shpërbëjë infrastrukturat e eksploatimit e të zhvatjeve të Kosovës prej atyre që ishin në pushtetin e saj prej ditëve të para të pasluftës çlirimtare të UÇK-së e sidomos prej atyre që ishin në pushtet prej se Kosova u shpall shtet me 17 shkurt 2008.

Qeveria e ndryshimit dhe e shpresës i çoi tmerrueshëm kundër vetes edhe ata të opozitës, edhe ata të koalicionit kur e paralajmëroi ligjin për hetimin e prejardhjes së pasurive të të gjithë të pasuruarve politikë duke shfrytëzuar postet politike e shtetërore për të krijuar pasuritë e tyre të luajtshme e të paluajtshme në Kosovë e jashtë Kosovës.

Mund të mendohet kështu a ashtu, por nuk ka dyshim se nxitësi i rrëzimit të Qeverisë u bë kryetari i Kosovës, me dy nismat e tij – me nismën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kur në Kosovë ende ishin vetëm 17 të prekur prej koronavirusit dhe me denoncimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të qeverisë me të cilin u ndalohet qytetarëve, si u tha në atë denoncim, “lëvizja e lirë”, e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Mund të besohet se as gjendja e jashtëzakonshme e as denoncimi i Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për atë “kufizim të lirive të lëvizjes”, që sot po e zbatojnë gati të gjitha vendet evropiane në luftën e tyre kundër pasojave të koronavirusit, nuk do të ishin paramenduar sikur kryetari i Kosovës mos të ishte marrë vesh me mocionistin, domethënë me kryetarin e LDK-së. Dhe, ashtu në atë marrëveshje u bashkuan dy shqetësime të forta politike, financiare e materiale, kundër Qeverisë, kundër Vetëvendosjes dhe kundër kryeministrit Albin Kurti. Dhe, kundër qëndrueshmërisë dhe mirëkuptimit për Kosovën në botë.

Këto dy shqetësime i kishte bërë edhe më të forta, më vepruese, më ndikuese, më alarmuese, më të pandalshme, parimësia, vendosmëria dhe ndershmëria politike e Albin Kurtit që janë virtytet e tij të larta e sidomos virtyti i tij më i lartë– dhuntia mendore politike e kulturore.

Se si krejt u shpreh ky shqetësim alarmues, i pandalshëm i të shqetësuarve e pamë dje, në mbledhjen dymbëdhjetëorëshe të Kuvendit të Kosovës.

E se si krejt do të mund të shprehet ai shqetësim alarmues, i pandalshëm, në javët, në muajt a në vitet e ardhshëm mbetet të shihet.

Lëvizjes Vetëvendosje iu hakmorën dje rinia e saj, risia e saj, pastërtia e saj politike, aftëstë e saj të përgjithshme dukshëm dalluese dhe sidomos përkushtimi i saj ndaj gjendjes sociale të qytetarëve të Kosovës.

E Albin Kurtit ju hakmorën dje mençuria, ndershmëria, parimësia dhe përgjegjshmëria e tij politike, shoqërore, shtetërore dhe kombëtare.

Dhe kështu me hakmarrjen ndaj rinisë, risisë, vendosmërisë, pastërtisë, aftësive të Vetëvendosjes dhe mençurisë, ndershmërisë, parimësisë e përgjegjshmërisë së Albin Kurtit u mbytën njëherë për njëherë ndryshimet dhe besimi për të cilat votoi populli i bindur se me rininë e risitë e Vetëvendosjes Kosova do të bëhet shtet stabil, funksional, demokratik, shtet juridik, shtet që do të lirohet prej eksploatuesve, zhvatësve, shfrytëzuesve të tij të rehatuar në postet politike, partiake e shtetërore.

A do të mund të jetohet edhe më tej këtu? Më pyetën disa të rinj në mesazhet që më dërguan e në thirrjet telefonike pas miratimit të mocionit fatal kundërhistorik të votuar dje në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.

Varet prej jush, arrita t’u përgjigjem disave prej tyre.

Ju jeni ata që jetojnë sot e që duhet të jetoni edhe nesër në Kosovë, prandaj ju duhet ta bëni Kosovën ashtu si është më së miri për jetën tuaj.

Ju jeni sovranët e Kosovës.

Mos lejoni të bëjnë me të çka po bëjnë shfrytëzuesit dhe zhvatësit e djeshëm e të sotëm politikë të pasurive të saj e që të tillë, shfrytëzues e zhvatës politikë të pasurive të saj, po duan të jenë edhe nesër! Mos lejoni të bëjnë me të çka po bëjnë zhvatësit e mëdhenj politikë të pasurive të saj.

Etërit e vëllezërit më të moshuar të Opozitës, në vend se, në sajë të meritave që kanë për Luftën dhe në Luftën Çlirimtare, në njërën anë, dhe për shkak të mëkateve të ndryshme politike pas Luftës, në anën tjetër, t’i afronin të rinjtë e Vetëvendosjes, të tregonin gëzimin për fitoren e tyre, për gatishmërinë, për aftësitë e virtytet me të cilat do t’i shërbenin Popullit e Shtetit edhe politikisht; në vend se të bashkoheshin me ta në luftën kundër rrezikut botëror që po i kërcënohet edhe Kosovës – në luftën kundër koronavirusit, ata u treguan të kompleksuar e të frikësuar prej asaj gatishmërie, prej atyre aftësive, prej atyre virtyteve të të rinjve dhe bënë komplotin e dytë politik zëkeq ndaj tyre.

Ani ku se?

Në Kuvendin e Kosovës.

E papritur!

E paharruar!

Historikisht ndëshkueshëm e kujtuar dhe e shënuar.

Prishtinë,
26.03.2020

Woody Johnson, ambasadori amerikan në Mbretërinë e Bashkuar, ka akuzuar Kinën për përfshirje në propagandë të ashpër dhe të rrezikshme për koronavirusin, duke thënë se bota mund të ishte kursyer nga ndikimi i plotë nëse zyrtarët kinezë nuk do t’i mbulonin faktet.

Në një pjesë opinioni të botuar në gazetën britanike The Times, Johnson thotë se Kina dështoi në detyrimin e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të shpërndarë informacione rreth shpërthimit në mënyrë transparente.

“Së pari (Kina) u përpoq të shtypë lajmin. Pastaj, ajo ka punuar për të mbrojtur popullsinë e vet duke shpërndarë në mënyrë selektive informacion kritik, të tilla si të dhëna për sekuencat gjenetike “ shkroi Johnson.

“Sikur Kina të kishte bërë gjërat e duhura në kohën e duhur, më shumë nga popullsia e saj dhe pjesa tjetër e botës, mund të ishte kursyer ndikimi më serioz i kësaj sëmundje.

Ai shtoi se kur kriza zvogëlohet, do të duhet të bëhet një vlerësim i kostove të “prishjes së bashkëpunimit ndërkombëtar” dhe veprimeve të Kinës herët.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka reaguar pas rrëzimit të qeverisë së Kosovës në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

Ajo ka thënë se votimi i djeshëm i mocionit për rrëzimin e Qeverisë e ka vendosur Kosovën në një situatë të vështirë politike në një kohë krize të shkaktuar nga koronavirusi, raporton Gazeta Express.

“Votimi i mocionit të mosbesimit për qeverinë vendos Kosovën në një situatë të vështirë politike në një situatë të paprecedent të shkaktuar nga koronavirusi”, ka shkruar Pisonero.

Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për një stabilitet politik për të shtyrë përpara të gjitha përpjekjet për mborjtjen e shëndetit të njerëze nga COVID-19, shkruan Express.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka bërë reagimin e tij të parë në rrjetet sociale, pasi Kuvendi e rrëzoi qeverinë e tij mbrëmjen e djeshme.

Kurti nis shkrimin e tij duke thënë se “ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë Vetëvendosjen dhe të ardhmen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rrëzuar me 82 vota pro, shkruan se “ne do të fitojmë” dhe “e ardhmja është e jona”.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky Kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, ka shkruar Kurti