Gjykatësi në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e mbrojtjes që të reduktojnë kohën e përcaktuar për paraqitjen e provave dhe pyetjeve të dëshmitarëve, teksa koha për nisjen e gjykimit po afron.

Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, është caktuar për 3 prill. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të akuzuarit po e ndjekin konferencën statusore përmes video-lidhjes.

Sipas gjykatësit, nëse i referohen përllogaritjeve të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, atëherë i bie që do të duhen 6.5 vjet që ZPS-ja të paraqesë provat dhe të marrë në pyetje dëshmitarët, dhe kjo sipas gjykatësit “është e tepërt”.

Vetëm për 12 dëshmitarët e parë, nëse ZPS vepron sipas përllogaritjeve të paraqitura, gjykatësi tha se do të duhet deri në janar të vitit të ardhshëm të përfundojnë marrjet në pyetje.

Gjykatësi tha se ZPS ka paraqitur 312 dëshmitarë, që i bie 46 dëshmitarë në vit dhe për ta duhen 6.5 vjet për të përfunduar procedurat.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se po punon në rishikimin e kohës e paraparë, përfshirë edhe largimin e disa dëshmitarëve.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tha po ashtu se po koordinohet që nëse dëshmitarët e prokurorisë i referohen vetëm një prej të akuzuarve, ekipet e tjera të mbrojtjes nuk do ta marrin në pyetje.

Ekipi mbrojtës i Thaçit tha po ashtu se vlerësimet kohore të paraqitura për dëshmitarët e mbrojtjes mund të reduktohen, pasi përllogaritjet kohore të paraqitura janë përllogaritjet maksimale.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Ky raport i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015./REL

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi. /REL

Nga Beqir Karimani

Sipas nenit 1 të ligjit themelor, të kushtetutes gjermane, shkruhet:

“Dinjiteti njerëzor është i pacenueshëm”.

Çfarë është dinjiteti?

Çdo njeri, pa marrë parasysh se nga vjen, sa vjeç është, çfarë gjinie është, ka kuptimin dhe vlerën e tij. Nuk ka rëndësi nëse është i varfër apo i pasur, çfarë feje ka, si duket apo çfarë krimesh ka bërë. Ai ka dinjitetin e tij, i cili buron nga humanizmi i tij.

Çfarë përfshin dinjiteti njerëzor?

Dinjiteti njerëzor është vlera më e lartë e Ligjit Bazë.

Në veçanti, ai përfshin ruajtjen e individualitetit, identitetit dhe integritetit personal si dhe barazinë elementare para ligjit.

Ai bazohet në idenë e njeriut si një person i lirë që vepron në mënyrë të pavarur.

Dinjiteti njerëzore

Eshtê

Vlera që u përshkruhet të gjithë njerëzve në mënyrë të barabartë dhe pavarësisht nga veçoritë e tyre dalluese si origjina, gjinia, mosha ose statusi

Dinjiteti njerëzor do të thotë që çdo qenie njerëzore është i vlefshëm sepse është njerëzor, qëndron egziston.

Dinjiteti njerëzor është i pacenueshëm.

Respektimi dhe mbrojtja e tij është detyrim i të gjithë pushtetit shtetëror.

***

Schilleri: Rreth Hirit dhe Dinjitetit,

(Libri 122 f.)

Në vërejtjet e Shilerit, fryma përdoret si kriter për dallimin midis hirit dhe dinjitetit, pasi ai merr një funksion të ndryshëm në hir sesa në dinjitet.

Në rastin e dinjitetit, siç u shpjegua më parë, meqë sensualiteti dhe morali janë në konflikt, shpirti duhet të marrë një rol dominues. Në një rast të tillë njeriu mund të provojë pavarësinë dhe lirinë e tij vetëm nëse shpirti sundon në të dhe ai vepron sipas urdhrave të arsyes në vend që t’i dorëzohet instinkteve.

Në rastin e hirit, nga ana tjetër, shpirti mund të sillet lirshëm, pasi sensualiteti dhe morali janë në harmoni me njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se këtu natyra tashmë ndjek urdhërimet e shpirtit, në mënyrë që shpirti të mos ketë më nevojë ta ndrydhë atë.

Përveç kësaj, për të dalluar dy termat, thuhet se në vuajtje kërkohet dinjitet, ndërsa në sjellje kërkohet hiri, pasi liria e mendjes shfaqet vetëm në vuajtje dhe liria e trupit vetëm në veprim.

Si shpjegim!

Këtu duhet shtuar se në rastin e dinjitetit mendja duhet të jetë e lirë, pasi këtu njeriu duhet të tregojë vullnetin e tij të lirë duke vendosur për urdhërimet e shpirtit dhe kundër natyrës.

Në rastin e hirit, nga ana tjetër, veprimi, i cili udhëhiqet nga diktatet e arsyes, tregon lirinë e trupit, pasi ai nuk e lejon veten të sundohet nga instinktet.

Një aspekt tjetër që përcakton marrëdhënien midis hirit dhe dinjitetit është se zotërimi i instinkteve mund të bazohet vetëm në një prirje morale nëse personi ka një mendje harmonike dhe një zemër të butë dhe prandaj është i këndshëm.

Nëse nuk është kështu, motivimi mund të kërkohet në “mërzinë e ndjeshmërisë” , ose në tejkalimin e ndonjë afekti tjetër.

Në të kundërt, vetëm dinjiteti mund të dëshmojë nëse harmonia e ndjenjave e ka origjinën te morali.

harmonia e ndjenjave e ka origjinën te morali.

Një dallim tjetër që Schiller përdor për të shpjeguar çiftin e koncepteve të hirit dhe dinjitetit është se hiri kërkohet në rastin e forcës, ndërsa dinjiteti kërkohet në rastin e dobësisë.

Domethënë, kur një person është në një pozicion drejtues dhe superior, ai duhet të tregojë me hijeshi të metat e të tjerëve.

Nga ana tjetër, nëse një person është në një pozitë të dobët dhe inferiore, ai duhet t’i pranojë me dinjitet gabimet e tij.

Prandaj hiri dhe dinjiteti shfaqen në fusha të ndryshme, por gjithsesi bashkohen në një person.

Shileri e sheh shprehjen e njerëzimit të përsosur në bashkimin e hirit dhe dinjitetit.

Vullneti moral përcaktohet si ai shembull brenda njeriut që është hyjnor, që nëpërmjet bashkimit, njeriu tërhiqet si qenie shpirtërore-racionale, por zmbrapset si qenie ndijore.

Pergatiti per JU🙏🏻

B. K.

***

Dy fjal mbi Shillerin:

Johann Christoph Friedrich Schiller, (lindur më 10 nëntor 1759 në Marbach am Neckar ; † 9 maj 1805 në Weimar ).

Ishte një mjek , poet , filozof dhe historian .

Ai konsiderohet si një nga dramaturgët, poetët dhe eseistët më të rëndësishëm gjermanë .

Luleshtrydhja e Fierit ka nisur të eksportohet drejt tregjeve të Bashkimit Europian.

“Këtu në frakull prodhimi i luleshtrydhes po afron drejt pikut të tij, ndërkohë  fermeretë kanë nisur vjeljen që prej fundit të muajit nëntor. Klima e përshtatshme ka bërë që shembullin e frakullës ta ndjekin edhe fermerë të zonave përreth., produkti shkon në masën më të madhe për eksport.”

Këtë vit janë shtuar 15 hektarë, duke e çuar në total 175 ha sipërfaqen me luleshtrydhe.

“Këtë vit është goxha treg i mbarë. Spanja dhe maroku janë në krizë sepse skanë pasur klimën e mirë. Do zoti na ndihmojnë ne.”

“Unë kam filluar me 700 metra. Po ecën shumë mirë. Vitin që vjen do e shtoj. Në cakran mund të kemi 7 hektarë si fshat.”

“Po shkon mirë. Punojmë si familje. 4 dylym. Mundohemi ta shesim.”

Pavarësisht shitjes për eksport, fermerët ankohen per koston e lartë të prodhimit dhe mungesën e tregut vendas.

“Për mua mbaroi i tërë sezoni. Kërkon shumë shërbim. Edhe kjo të vejë për konsumatorin shqiptar nuk ka vlerë. E shesim sa u do qejfi. E shet fermeri pa cmim se s’ka kontroll.”

Nga 260 fermerë në Fier, 85 kanë marre subvencion për luleshtrydhen veç naftës. Aktualisht produkti shitet nga 210 deri në 240 lek për kg me shumicë në varësi të kërkesave të tregut. Ndërsa për treg të brendshëm për konsumatorin vendas kalon rreth 15% të  prodhimit.

Romakët ishin mjeshtra të ndërtimit. Shumë prej veprave të tyre, nga Panteoni dhe Koloseunë Romë, tek Pont du Gard në Galinë Jugore (Francën e sotme) dhe ujësjellësi po aq mbresëlënës i Segovias, në Spanjë, i kanë rezistuar shekujve.

Dëmet e shkaktuara ndërtimeve të tyre, kanë ndodhur më shpesh si rezultat i grabitjes së gurit sesa i dështimeve strukturore. Ndërkohë shekujve i ka mbijetuar edhe vepra romake e një lloji tjetër. “De Architectura” është një seri me dhjetë libra nga Markus Vitruvius Polio, inxhinier dhe arkitekt i shekullit I Para Krishtit, për të cilin shumë studiues besojnë se ka punuar me JulÇezarin në disa nga fushatat e tij ushtarake.

Këto vëllime përfshijnë këshilla të ndryshme që synojnë të sigurojnë që ndërtesat “të mos shemben për një kohë të gjatë”. Një nga arsyet për suksesin e inxhinierëve romakë ishte betoni. (Çatia e Panteonit është kupola më e madhe prej betoni pa kolona mbështetëse në botë).

Dihet që betoni romak dihet i sfidon shekujt pa humbur shumë nga qëndrueshmëria e tij. Në fakt, me kalimin e moshës ai mund të bëhet edhe më e fortë. Se si ndodhi kjo gjë po zbulohet vetëm tani. Një pjesë e shpjegimit, ka të bëjë me shkëmbinjtë vullkanikë të zonave të tilla si Kodrat Alban, në juglindje të Romës dhe Pocuoli, pranë Napolit.

Këto siguruan përbërës të rëndësishëm. Siç e përshkruan vetë Vitruviusi, çimentoja që përdorën romakët për të lidhur agregatet e betonit, ishte një përzierje gëlqereje dhe hirit vullkanik. Disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se hiri jo vetëm që ka kontribuar në forcën dhe qëndrueshmërinë e betonit, por e ka forcuar kohezionin midis grimcave të agregatit pas tharjes së përzierjes.

Kjo ndodhi kur uji depërtoi në të, duke tretur disa nga mineralet vullkanike dhe duke krijuar hidrate aluminosilikati të kalciumit, materiali kryesor lidhës i betonit. Kjo gjë e ngadalësoi përhapjen e të çarave mikroskopike. Për më tepër, disa mure të çara tregonin mbushje me këtë lëndë, një tregues ky se betoni romak zotëronte një fuqi të caktuar vetë-riparuese.

Në një nga këto studime, të botuar në vitin 2021, një ekip i udhëhequr nga Mari Xhekson e Universitetit të Jutah dhe Admir Maziç i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT)përshkroi strukturën e llaçit (një formë e imët e betonit) të një muri me tulla në varrin e Sesilia Metela, e cila ndodhe pranë Rrugës Apiane midis Romës dhe Kodrave Alban Pjesërisht për shkak të muraturës së saj të fortë (aq të fortë saqë u ripërdor si streha e një kështjelle gjatë Mesjetës), kjo ndërtesë është një nga monumentet më të ruajtura që e zbukuron atë autostradë antike romake. Studiuesit studiuan se si leuciti, një mineral vullkanik i pasur me kalium, shpërndahej në ujë dhe rikonfiguronte lidhjet kimike midis çimentos dhe agregateve, duke i forcuar ndërfaqet midis tyre dhe duke e bërë më elastike të gjithë strukturën.

Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e historisë. Gëlqerja, përbërësi tjetër i çimentos romake, ka pasur gjithashtu një rol në forcimin e betonit pas murimit. Në këtë përfundim mbërrin një studim tjetër nga dr.Maziç dhe një grup kolegësh, i cili sapo është botuar në “ScienceAdvances”.

Këtë herë studiuesit morën mostra nga një mur i qytetit në Privernum, një sit arkeologjik në juglindje të Romës. Ato datojnë nga shekulli II Para Krishtit. Ekspertët zbuluan se në këtë rast ishte kryesisht gëlqerja, ajo që kishte shkaktuar mbylljen e çarjeve dhe plasaritjeve, duke riparuar kësisoj dëmtimet që mund të kishin shkaktuar.

Në këtë rast gëlqerja nuk ishte pluhuri i pastër i bardhë i përshkruar nga Vitruviusi. Përkundrazi, ishin grumbuj e grimcave me diametër 1 milimetër ose më shumë, që nuk ishin tretur kur po përgatitej betoni. Grumbullime të tilla gjenden shpesh tek betoni romak.

Roli i tyre duket se ka qenë si një rezervuar i karbonatit të kalciumit për proceset e vetë-riparimit, duke lejuar që ai material të tretej përmes depërtimit të ujit të futur nga të çarat evogla dhe që më pas të ri-hidhet në ato çarje për t’i mbyllur ato. Për më tepër, shpërndarja dhe forma e grumbujve sugjerojnë se gëlqerja iu shtua përzierjes si gëlqere bruto dhe jo siç është e zakonshme sot, gëlqere e shuar (e hidratuar).

Kjo nënkupton se betoni romak prodhohej, të paktën pjesërisht, nga një përzierje nëtemperaturën mbi 80°C. Sot, betoni përzihet kryesisht i ftohtë. Përzierja e nxehtë ka disavantazhin se betoni mund të zgjerohet. Nga ana tjetër, kjo praktika lejon një riparim më të shpejtë.

Ndoshta kjo është arsyeja pse inxhinierët romakë e preferuan atë qasje. Por ajo ofron leksione edhe për ndërtuesit e sotëm, sesi të zhvillojnë receta për një beton më të qëndrueshëm dhe vetë-riparues. Rritja e jetëgjatësisë së betonit do të nënkuptonte më pak riparime dhe rikonstruksione të nevojshme, duke ndihmuar për një jetëgjatësi më të madh të godinave. Kush e di? Disa prej tyre madje mund të zgjasin më shumë se sa Panteoni dhe Koloseu.

Që nga viti 2012, kur u mor nga Katari, PSG ka shpenzuar mbi një miliardë e gjysmë euro për blerjen e lojtarëve.

Në atë periudhë ata fituan tetë kampionate franceze dhe 12 kupa vendase, por një trofe është i paarritshëm për ta, ai që ishte synimi kryesor kur blenë klubin dhe ai është trofeu i Champions League.

Ata u afruan më shumë dy vjet më parë, por u mundën nga Bayern.

Pasi i njëjti klub i largoi sërish nga Champions League edhe këtë sezon, tashmë në 1/16, duket qartë se një epokë po i vjen fundi. 

Një dyshe prej 402 milionë eurosh

Në verën e vitit 2017, PSG solli Kylian Mbappe dhe Neymar për 402 milionë euro. Ata mbajnë ende rekordin e dy transfertave më të shtrenjta edhe sot.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot miratoi në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t’i lejojnë poseduesit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.

Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, ose cilado datë më përpara. Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard u shpreh se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.

A e dini se dita ndërkombëtare e gruas ka lindur në Kopenhagë? Merrni historinë e 8 Marsit

Më 27 gusht 1910, u vendos në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare të Grave Socialiste në Kopenhagë që të gjitha vendet e botës çdo vit të mbajnë një Ditë Ndërkombëtare të Gruas.

Konferenca u zhvillua më 26-27 gusht në Kopenhagë dhe u mbajt në ndërtesën e asamblesë së punëtorëve Jagtvej 69. Kryetare e konferencës ishte Clare Zetkin, e cila drejton Sekretariatin Ndërkombëtar të Grave Socialiste. Organizatorët danezë të konferencës ishin Nina Bang, Federata Social Demokrate, Elisabeth Mac, kryetare e Shoqatës së Grave Socialdemokrate, Hildora Mouritzen (arkëtar) dhe Henriette Crone (sekretare), të dyja nga Unioni i Punëtorëve të Grave të Shtypshkronjës.

-99 gra morën pjesë në konferencë nga 17 vende. Në mesin e pjesëmarrësve ishin shumë nga gratë kryesore të kohës në lëvizjen ndërkombëtare të grave socialiste, përveç Clara Zetkin nga Gjermania, Alexandra Kollontai nga Rusia, Adelheid Popp nga Austria, Dora Montefiori nga Anglia dhe Kata Dahlström nga Suedia. Gjithashtu pjesëmarës ishin edhe 33 gra nga lëvizja punëtore profesionale dhe politike daneze.

Përshtati #Adnan Aliti

TIRANË- Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, në konferencën për mediat në Tiranë tha se ndihet e nderuar për vizitën në vendin tonë. Ajo tha se Shqipëria është një aleate e besueshme për Danimarkën.

Gjatë fjalës së saj Frederiksen nuk kurseu përgëzimet për kryeministrin Edi Rama, të cilën e cilësoi një zë të fuqishëm në mbështetje dhe mbrojtje të vlerave evropiane.

“Jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë. Ju jeni një nga zërat më të fortë në Evropë, kur bëhet fjalë për një integrim i plotë i Ballkanit Perëndimor në pjesën tjetër të Evropës. Shqipëria është një partner i besueshëm për Danimarkën. Jeni një zë kaq i fortë për vlerat evropiane”, tha ajo.

Kryeministri Rama u pyet në konferencë për mediat për ndihmën që Danimarka ka dhënë për Shqipërinë në rrugën europiane, ndërsa bëri këtë koment:

“Askush nuk po bënë mjaftueshëm, as Danimarka për ne, as Shqipëria për Danimarkën. Ka gjithmonë më shumë për të bërë, Unë mendoj se Danimarka ka qenë shumë e drejtë ne ne dhe kemi marrëdhënie të veçantë. Nuk ka të bëjë me nxitimin për t’u bërë anëtar, por me bërjen e detyrave siç duhet, ka të bëjë me përfitimin e kësaj dije. Asnjë kompromis për standardet, por më tepër të qenit të hapur për na ndihmuar për të rritur mundësitë tona”, tha ai.

abcnews.al/

Konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës,Mette Frederiksen, kreu i qeverisë Edi Rama e nis me një faleminderim që Danimarka i dha Shqipërisë, në ditët e vështira pas tërmetit të 26 nëntorit. Duke e konsideruar, qëndrimin në Tiranë të kryeministres daneze, një vizitë historike, Rama tha se Danimarka ka qenë gjithnjë mbështetëse e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.

“Ka qenë prezent në një moment shumë të vështirë për ne, në momentin kur një tërmet katastrofik la në qiell të hapur mbi 15 mijë familje dhe nuk do harroj kurrë që një nga të parët që më kanë shkruar ishte kryeministrja. Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe Ballkanit në BE.

Historia e viteve të fundit ka qenë një vit krizash të rënda. E falenderoj ka qenë e disponuar për të ndarë eksperiencën e mënyrës si codiv po trajtohej nga qeveria daneze. Ka qenë një ndihmë.
Dhe më e fundit, kriza e luftës na bën bashkë përsëri dhe ndajmë të njëjtat bindje e qëndrime. Vizita e saj këtu ka një rëndësi të vecantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së Bashkuar dhe BE.

Ne shohim një rritje të turistëve danezë në Shqipëri. Fluturimet direkte janë rritur vit pas viti, ndërsa shohim edhe një interesim të sipërmarrjes daneze, biznese në fushën e energjisë apo tregtisë. Uroj, duke qenë se kryeministrja është një personazh jo i parëndësishëm në rrjetet sociale të ketë influencuar në rritjen e turizmit në Shqipëri. Jam i lumtur që më në fund, je këtu pasi normalisht vizita do kryhej më parë po u shty për shkak të covid. Nuk e konsideroj vizitën e fundit, do vijosh të fitosh zgjedhje në Danimarkë.” u shpreh Rama./ abcnews.al