Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot miratoi në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t’i lejojnë poseduesit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.

Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, ose cilado datë më përpara. Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard u shpreh se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.