Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.

Sipas raportit, kundrejt të burgosurve dhe të ndaluarve ka pasur raportime për torturë, dënime dhe trajtime jo-humane nga ana e policëve. Deri te Avokati i Popullit, kanë arritur gjithsej 103 denoncime për raste të tilla, 51 më shumë se vitin e kaluar.

Përpos dhunës policore, të arrestuarit i presin kushte jo-humane edhe në burg. Në raport thuhet se kushtet në burgje janë të këqija për shkak të mbipopullimit, mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, higjienës jo-adekuate, stafit të korruptuar ndërsa në disa qeli në idrizovë qëndrojnë nga 16 deri në 19 të burgosur. Vetëm 5 nga 11 burgje kanë të punësuar mjekë me orar të plotë. Kushte nuk janë më të mira edhe në burgjet për fëmijë, të cilëve sipas raportit, u jepet dozë e tepruar e ilaçeve. Kritikave nuk iu “shpëtoi” as gjyqësori.

“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në raport duke cituar Këshillin Gjyqësor, thuhet se besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor vjen për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm në gjyqësor, shtyrjes së seancave për të mundësuar vjetërsim të lëndëve, sidomos kur të akuzuar janë biznesmenë dhe politikanë dhe ngjashëm.

Korrupsioni është radhitur ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, gjithsej 357 denoncime për korrupsion kanë arritur deri te Komisioni Antikorrupsion. Ky institucion, ka shqiptuar 356 gjoba kundër zyrtarëve publik për shkelje të ndryshme, nga të cilët vetëm 220 kanë paguar gjobat në afat të caktuar.

Statistikat e personave pa shtetësi vijojnë të ngelin shqetësuese, mesatarisht 584 persona figurojnë pa shtetësi ndërkaq sipas raportit, Ligji për Shtetësinë i votuar në vitin 2020 ka ngecje në implementim. Pre e këtij lloji të diskriminimit por jo vetëm, më së shumti janë romët.

Shqetësues sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit ngelin edhe statistikat për dhunë në familje, nga janari deri në qershor janë regjistruar 662 të mbijetuar nga kjo dukuri ndërsa kompetentët jo gjithmonë marrin masa në kohë. /Alsat.mk

Të shtunën, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić u takuan në Ohër, Maqedoni e Veriut. Në këtë takim, që zgjati më shumë se shtatë orë, u tha se palët arritën marrëveshje rreth Planit të Zbatimit të Planit Evropian për dialogun. 

Me përmbajtjen e Planit Evropian, palët veç ishin dakorduar më 27 shkurt 2023 në një takim në Bruksel. Pas kësaj, palëve u kishte mbetur arritja e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtij plani, gjë për të cilën u takuan në Ohër. Si takimi i 27 shkurtit edhe ky në Ohër u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian (BE), ndërsa u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e QUINT. 

Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në një deklarim për medie tha se edhe Plani Evropian edhe Plani për Zbatim konsiderohen të aprovuar në bazë të deklaratës së tij –– pasi palët nuk e nënshkruan marrëveshjen. 

Plani Evropian përbëhet prej 11 pikash, ku, mes tjerash, përfshihen: njohja reciproke e dokumenteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore; njohja e integritetit territorial të njëra-tjetrës; dhe sigurimi i “një niveli të përshtatshëm” [në Plan: appropriate level] të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. 

Plani i Zbatimit, që u aprovua e s’u nënshkrua në Ohër, thotë se Plani Evropian dhe Plani i Zbatimit do të bëhen pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE dhe se cilido mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të rezultojë në sanksione në procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe në ndihmën financiare nga BE. 

Në Planin e Zbatimit parashihen dy afate kohore. Ai parasheh që brenda 30 ditësh shtetet të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE, që do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave. 

Po ashtu, sipas Planit, nëse brenda 150 ditëve, të gjitha dispozitat e Marrëveshjes implementohen plotësisht, BE do të organizojë konferencë të donatorëve për të krijuar një paketë të investimeve financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Çështja më e diskutuar është neni 7 i Planit Evropian. Për ta implementuar këtë nen, në Plan të Zbatimit, Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [në Plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në Plan: appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi, BE.

Nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 mbi Asociacionin. Pas kësaj marrëveshjeje, në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vučić, nënshkruan dokumentin me parimet e përgjithshme mbi themelimin e asociacionit.

Në fund të vitit 2015, me kërkesë të presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shqyrtoi këto parime. Pas shqyrtimit, Gjykata konstatoi se me ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013 në Kuvend, kjo marrëveshje, rrjedhimisht themelimi i Asociacionit kishte hyrë në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës dhe si i tillë, Asociacioni do të themelohet. 

Gjykata po ashtu gjeti se secili kapitull i Parimeve Udhëzuese nuk përputhej krejtësisht me standardet kushtetuese, veçanërisht sa i përket buxhetit, marrëdhënieve me autoritetet qendrore në Kosovë dhe strukturës organizative. Andaj, parimet për themelimin e Asociacionit duhet të ripunohen në harmoni me Kushtetutën.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, në një deklaratë për medie pas takimit në Ohër, tha se përmes kësaj marrëveshjeje për Planin e Zbatimit për Planin Evropian, Kosova ka fituar “njohje de-facto” nga Serbia dhe se neni 7, ka të bëjë me “vetëmenaxhim” dhe jo “veteqeverisje”. Megjithatë, fjalia përcjellëse në Plan, që kërkon që ky vetëmenaxhim i komunave serbe të bëhet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, implikon themelimin e Asociacionit.

Pse u vu në qendër neni 7?

Së pari si lëvizje politike, e më pas si parti politike, LVV-ja e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit. LVV e ka kundërshtuar atë që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, e cila parashihte edhe formimin e Asociacionit. 

Kur Marrëveshja e Brukselit arriti për ratifikim në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013, deputetët e LVV, atëherë në opozitë, protestuan duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit. Gjithashtu, rreth 300 protestues e rrethuan ndërtesën; 30 njerëz u arrestuan. 

Bllokimi i punës së Kuvendit me gaz lotsjellës vazhdoi edhe nga gushti 2015, kur planifikohej të ratifikohej dokumenti me Parimet mbi Themelimin e Asociacionit. Protestat kundër Asociacionit vazhduan edhe në vitin 2016, kur tashmë ishin bashkangjitur edhe dy parti tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA. Protesta e janarit 2016 përshkallëzoi, me ç’rast protestuesit hodhën gurë, koktej molotovi e mjete piroteknike drejt ndërtesës së qeverisë e policies.  

Ndërkohë, Gjykata e Prishtinës, në vitin 2018 e shpalli fajtor Kurtin, ndër tjerë, për hedhjen e gazit lotsjellës dhe për pengim të personit zyrtar gjatë protestave të vitit 2015. Ky dënim u bë arsyeja që Kurti të mos mund të bëhej pjesë e listës zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ku partia e tij, në koalicion me Listën –– tash partinë –– GUXO, mori 50.2% të votave. 

Asokohe, LVV argumentonte se Marrëveshja e Brukselit ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila sipas tyre veç kishte “dispozita specifike” për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë. Për LVV, “Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe”.

Po ashtu, sipas LVV, qeveria e atëhershme, me nënshkrimin e Asociacionit kishte nënshkruar “ndarjen e Kosovës’, “bosnjëzimin e Kosovës”. Ata Asocacionin e quajtën “Zajednicë” dhe “Republika Srpska në tentativë”.

Kështu edhe Plani Evropian nuk erdhi krejt lehtë. Pranimit të këtij Plani dhe atij të Zbatimit të këtij Plani i parapriu një një sagë e tërë ngjarjesh që nisën prej fillimit të vitit 2022 e u shpeshtuan në fundvit.

Në qershor 2022, qeveria e Kosovës, mori dy vendime, një për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targa dhe një për dokumente identifikuese. Sipas njërit vendim, kushdo që hyn në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisej me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e Serbisë –– procedurë që zbatohej për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011. 

Sipas vendimit tjetër, qytetarët që kanë automjete me targa me akronime të qyteteve të Kosovës ––që lëshohen nga Serbia –– do të duhej, që brenda 1 shtatorit deri më 31 tetor, t’i regjistronin automjetet e tyre me targat RKS. Pas 31 tetorit, nuk do të lejohej qarkullimi me targa të vjetra.

Më 31 korrik, pak para se të hynte në fuqi vendimi, u ngritën barrikada në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata u shtensionua pas presioneve të vazhdueshme nga BE dhe ShBA, që qeveria e Kosovës ta shtyejë zbatimin e vendimit. Më 31 korrik, qeveria vendosi ta shtyejë zbatimin e vendimit për një muaj. Ndërkohë, më 27 gusht u arrit një marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve të përkohshme të identifikimit për shtetasit e të dy vendeve.

ShBA dhe BE kërkuan nga qeveria e Kosovës që ta shtyejë vendimin për targat për 10 muaj, por qeveria nuk e pranoi fillimisht këtë kërkesë dhe më 28 tetor e prezantoi planin tre-fazësh të implementimit të këtij vendimi. 

Situata u tensionua sërish pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nenad Djuric, i cili kishte refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targa. Si rezultat, në fillim të nëntorit, Lista Srpska, bashkë me të gjithë serbët e Kosovës që bartnin poste në institucione publike, përfshirë kryetarët e komunave, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Me 21 nëntor 2022, pas një takimi tetë orësh në Bruksel midis Kurtit dhe Vučić, Kurti kishte refuzuar ta pranonte propozimin për zgjidhjen e çështjes së targave nga BE me argumentin se propozimi nuk shoqërohej me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe akuzoi Përfaqësuesin Special të BE-së në dialog, Joseph Borell, se hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

ShBA-ja kërkoi shtyerjen e zbatimit të vendimit për targa për 48 orë dhe kryeministri Kurti pranoi.

Veç pas dy ditësh, me 23 nëntor, Kosova dhe Serbia, respektivisht zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petković megjithatë u pajtuan për të njëjtën marrëveshje që ishte propozuar më 21 nëntor, sipas të cilës Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Në situatën e re presidentja Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në ato komuna. Më 6 dhjetor u sulmuan zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Autoritetet e Kosovës e arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantić, për shkak të, sipas policisë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”. 

Si reagim ndaj këtij arrestimi, u ngritën barrikada sërish, u bllokuan disa rrugë në veri dhe u mbyllën disa pika kufitare. Kah fundi i dhjetorit e fillimi i janarit, barrikadat u larguan pasi Pantić iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe udhëheqësia e Kosovës, sipas BE dhe ShBA, u zotua se nuk ka lista për arrestim a përndjekje për qytetarët serbë lidhur me vendosjen e barrikadave.


Përgjatë këtyre muajve, retorika e përdorur si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi ishte e rrezikshme. Kryeministri Kurti, nëpër disa intervista në medie ndërkombëtare e përmendi mundësinë e luftës, ndërkohë që Serbia i kërkoi NATO t’i lejojë t’i vendos 1,000 trupa të ushtrisë serbe në Kosovë. 

Gjendja në veri gjatë dhjetorit u konsiderua si një nga më të këqijat në 10 vitet e fundit, me dhjetra incidente, ku u sulmuan patrullat policore të Kosovës dhe të EULEX e u hodhën shok-bomba në drejtim të gazetarëve, që po raportonin nga terreni. 

Po atë muaj, retorika e të dërguarit special të ShBA-së për dialogun me Serbinë, Gabriel Escobar u ashpërsua rreth Asociacionit. Ai deklaroi se nëse “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar” dhe se “ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë [themelimin e Asociacionit] duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”.  

Në një intervistë, Kurti, tha se qeveria e Kosovës ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova “nuk cilësohet si konstruktive” në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. 

Kështu, u shtua angazhimi dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje, përmes një propozimi tashmë të njohur si “plani franko-gjerman” — tash, Plani Evropian — dhe për zbatim të Asociacionit. Kjo marrëveshje u pa nga shumë si një marrëveshje që do ta zhbllokonte dialogun Kosovë-Serbi dhe do ta afronte një hap më afër marrëveshjes përundimtare.

Në fillim të shkurtit, i gjendur në mes të thirrjeve dhe presioneve nga partnerët ndërkombëtarë për ta nisur implementimin e Asociacionit, Kurti prezantoi gjashtë kushte për pranimin e tij. Ato ditë, kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur se e pranon Planin Evropian, gjë që nxiti diskutim në publik rreth ndryshimeve të qëndrimeve të vetë kryeministrit, meqë Plani Evropian, siç u dëshmua në Ohër, përmban implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në dialog — e njëra marrëveshjeve është edhe ajo për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në vitin e parë të qeverisjes së tij në vitin 2021, Kurti kishte thënë se qeveria e tij do të angazhohej për rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët. /K2.0/

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti që tronditi jug-lindjen e Turqisë në fillim të shkurtit e ku mbetën të vrarë rreth 50 mijë persona arrijnë deri në 104 miliardë dollarë.

“Vlerësohet se kostoja e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti të shkojë deri në 104 miliardë dollarë. Është e pamundur për një vend të përballet i vetëm me një krizë të këtyre përmasave”, ka deklaruar presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Deklaratën e tij, kreu i shtetit turk e bëri në një video-mesazh me rastin e Konferencës ndërkombëtare të donatorëve të organizuar nga Bashkimi Evropian për Turqinë.

Vetë Unioni është zotuar se do të sigurojë 1 miliard euro në ndihmë të Turqisë dhe 108 milionë euro për ndihma humanitare në Sirinë fqinje.

Konferenca e donatorëve që po mbahet në Bruksel është e hapur për shtetet anëtare, ato kandidate, ato potencialisht kandidate dhe ato anëtare të grupimit G20, me përjashtim të Rusisë.

Gjithashtu, në të mund të aderojnë edhe organizatat ndërkombëtare, aktorët humanitarë dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe evropiane.

Maqedonia e Veriut është vonuar me ratifikimin e marrëveshjeve nga procesi i Berlinit. Ato janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas informacioneve të Institutit për Demokraci, Qeveria ende nuk i ka dërguar në Kuvend. Sipas marrëveshjeve, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të njohin letërnjoftimet, diplomat universitare dhe kualifikimet profesionale të njëri-tjetrit. I pyetur për vonesën e ratifikimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk është i njoftuar me detajet, por kundërshton mundësinë e prapavijës politike.

“Ajo që është shumë domethënëse për marrëveshjet e Procesit të Berlinit është se marrëveshjet që nënshkruhen aty janë praktikisht të depozituara në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, pra nuk ka ndonjë gjë politike, por me siguri procedurale apo teknike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Si depozitues i tre marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit, i bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë t’i dorëzojë ë Kuvend dhe Kuvendi të gjejë forcë t’i vendos në rend dite për ratifikim sa më shpejt të jetë e mundur, me konsensus. Përkushtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve duhet të tregohet në veprim, veçanërisht në procese që varen nga proaktiviteti dhe efikasiteti i institucioneve shtetërore”, thonë nga Instituti për Demokraci.

Nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para që ratifikoi të tre marrëveshjet, e ndjekur nga Kosova. Në Serbi marrëveshjet tashmë janë në procedurë parlamentare dhe së shpejti do të jenë edhe para deputetëve në Mal të Zi. Ngecja e vetme është në Bosnjë- Hercegovinë për shkak të procedurës së komplikuar. Sipas anketës së fundit telefonike të Institutit për Demokraci të realizuar në nëntor të vitit të kaluar me 1005 të anketuar, ka mbështetje të lartë të qytetarëve për përfitimet e nismës rajonale. Shumica dërrmuese prej 80% e qytetarëve e konsiderojnë si tërheqëse mundësinë e punësimit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85% e të anketuarve, ndërsa mundësia e përdorimit të arsimit të tyre në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shihet pozitivisht nga 84% e qytetarëve. /Alsat.mk

Duke pasur parasysh kushtet ekonomike përreth nesh, do të ishte e dëshirueshme të përgatiteshim për një krizë të mundshme financiare.

Eksperti financiar Jen Smith zbulon katër hapa që duhet të ndërmerrni tani për t’u përgatitur për një recesion.

Ndiqni zakonet tuaja të shpenzimit

Smith thotë që ju mund të ekzaminoni të paktën 90 ditët e fundit të shpenzimeve tuaja për të parë saktësisht se ku po shkojnë paratë tuaja. Shumica e njerëzve fillojnë të panikojnë kur fillojnë të mendojnë për uljen e kostove sepse supozojnë se mënyra e jetesës së tyre do të ndryshojë rrënjësisht. Smith thotë se është një përgjigje ndaj frikës dhe shpesh nuk është ashtu.

„ Zakonisht, ajo që njerëzit mendojnë se duhet të heqin së pari është shpesh gjëja e fundit, si kafeja e përditshme dhe të ngjashme si “, thotë Smith, dhe ju këshillon të kontrolloni zakonet tuaja të shpenzimit, sepse kjo është se si shumica e njerëzve zbulojnë se kanë disa kosto për të cilat as nuk janë të vetëdijshëm, siç është pajtimi në disa përmbajtje që kanë përdorur më parë, por tani ata nuk i përdorin më ato.

Gjatë një recesioni, aktivet tuaja për mbledhjen e të ardhurave – rritje, përparime dhe punë dytësore – do të jenë të kufizuara. Prandaj, Smith këshillon të përqëndrohet në uljen e kostove në vend të rritjes së të ardhurave.

Norma të larta interesi

Smith citon dy qasje kryesore për menaxhimin e borxhit: topin e borxhit të borës dhe ortekun e borxhit. Metoda e borës së borës përfshin së pari shënjestrimin e borxhit tuaj më të vogël, pavarësisht nga norma e interesit, ndërsa metoda e ortekut i jep përparësi borxhit me normat më të larta të interesit. Smith rekomandon përgatitjen për një recesion duke zgjedhur një metodë orteku.

Në këtë rast, rekomandohet që të mblidhni të gjitha shumat minimale që duhet të paguani për borxhin tuaj. Renditni ato nga interesi më i lartë deri në më të ultën. Smith deklaron se borxhet e normave të interesit midis 5-7% duhet të jenë përparësi. Hapi tjetër është krijimi i një buxheti për të përcaktuar shumën maksimale që mund të përballoni për të paguar borxhin tuaj çdo muaj.

Fondi për „ Ditët e Zeza “

Asnjëherë nuk është e hershme të fillosh të punosh në një fond për „ ditë të zeza “ që mund të gjenden gjatë një recesioni. Smith deklaron se shuma fillestare e fondit „ duhet të jetë afërsisht ajo që paguani me qira mujore plus shpenzimet mujore.

Pasi të keni arritur atë shumë, përqendrohuni përsëri në shlyerjen e borxhit të normës së lartë të interesit. Atëherë mund të vazhdoni të ndërtoni një fond urgjence që mund t’ju mbulojë gjashtë muaj ose më gjatë, shkruan Lifehacker.

Dëgjoni frikën tuaj, por mos jetoni në to

Pushimet i bëjnë gjithçka edhe më të pasigurt. Sidoqoftë, është në interesin tuaj më të mirë të mbani kokën e ftohtë „ “.

„ Kur jetojmë nga frika, marrim vendime më të këqija financiare “, tha Smith.

Analisti financiar thotë se ndërsa është e rëndësishme të merrni të gjitha këto masa paraprake, nuk është e mençur të lejoni që frika juaj të sundojë jetën tuaj.

Maqedonia e Veriut “mban flamurin” në Ballkan si vendi më i palumtur. Sipas raportit të lumturisë të realizuar nga Instituti “Gallup” vend renditet i 87-ti në listën e 137 shteteve. Pranë Maqedonisë së Veriut janë Venezuela, Kongo dhe Ukraina në vendin e 92-të. Nga vendet fqinje në Ballkan, Shqipëria është më afër Maqedonisë në vendin e 83-të, Bullgaria në vendin e 77-të, Bosnjë- Hercegovina në vendin e 71-të, Greqia në vendin e 58-të, Serbien në vendin e 45-të, ndërsa Kosova është në vendin e 34-të. Raporti është bërë në bazë të sondazheve të ndryshme të kryera në shtetet përkatëse. Janë marrë parasysh gjashtë faktorë, duke përfshirë “Lirinë për të bërë zgjedhje të jetës”, “Perspektivat për një jetë të shëndetshme”, “Bujarinë e njerëzve”, “Perceptimin e njerëzve për korrupsionin”, “Mbështetjen sociale të ofruar nga shteti”, “Prodhimin e Brendshëm Bruto” dhe një faktor të quajtur “Distopia dhe qëndrueshmëria”. Vendet më të lumtura në botë mbeten Finlanda dhe Danimarka dhe shtetet e tjera baltike apo shtetet në Evropën veriore.

“Bullgaria është në favor të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, por me kusht që të respektohen të drejtat e bullgarëve atje”, kështu tha të hënën ministri i jashtëm në detyrë, Nikolay Milkov.

Ai foli për mediat gjatë rrugës për në Shkollën e 16-të Ndërkombëtare Dimërore për Diplomacinë, të mbajtur nga Instituti Diplomatik dhe Ministria e Jashtme për diplomatët e huaj nga BE, Evropa Juglindore dhe rajoni i Detit të Zi.

Ai gjithashtu tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje me rëndësi të menjëhershme për Bullgarinë “sepse është mjedisi në të cilin Bullgaria ekziston dhe ndjek politikën e saj të jashtme”, u tha ministri gazetarëve.

“Ne kemi një qëndrim parimor në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe do të ishte më mirë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, por në të njëjtën kohë duhet të ndodhë në përputhje me parimet dhe mekanizmat, të vendosura dhe të caktuara nga BE”, tha Milkov.

Ai nënvizoi se Bullgaria është në mbrojtje të të drejtave të “bullgarëve në këto vende, të njerëzve që kanë vetëdije bullgare dhe ndihen bullgarë në zemër”.

“Këto gjëra nuk shkojnë kundër qëllimit të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Krejt e kundërta: respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtat për shoqërim, luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, janë të gjitha kriteret për anëtarësimin e këtyre vendeve drejt BE-së”, tha Milkov.

Në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Milkov u shpreh se Bullgaria ka një qëndrim të qartë, i cili bazohet në atë që ka vendosur BE-ja për Shkupin dhe mbështetet në “propozimin francez ose evropian”, për ta parafrazuar atë.

Ai shtoi se propozimi në fjalë është pranuar nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë Bullgarinë dhe nga Kuvendi i Shkupit. “Kur të plotësojnë kushtet, rruga për anëtarësim do të hapet”, shtoi ai./BTA

Me 2100 amendamente VMRO-DPMNE-ja do të bllokojë 4 ligjet që janë në Kuvend dhe me të cilat parashihet rritja e rrogave të gjykatësve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe të Këshillit të prokurorëve. Nga partia opozitare thonë se nuk është kundër rritjes së rrogave por shtojnë se kjo masë duhet të jetë e fundit në kuadër të reformave që pushteti duhet të ndërmarrë në sektorin e drejtësisë.

“Siç duket, ky është shpërblimi i qeverisë për besimin e mjerë prej 3% që kanë qytetarët te sistemi i drejtësisë. E pyesim qeverinë, a do të nënkuptojë gjyqësor më të mirë, prokurori më të mirë, reduktim të procedurave burokratike dhe zgjidhje më të shpejtë të konteksteve gjyqësore, kjo rritje e rrogës së prokurorëve dhe gjykatësve? Përgjigjet janë të qarta edhe për ne, edhe për gjithë opinionin. Në vend se qeveria t’i përveshë krahët dhe më në fund të fillojë me reforma konkrete dhe reale në gjyqësor, pushteti mendon se me zgjidhje të këtilla at-hok do t’i rregullojnë mangësitë e tij”, tha Draganço Eftimov, VMRO-DPMNE.

Përgaditi dhe përshtati Adnan Aliti

Muzeu i Punëtorëve në Kopenhagen po nderohet tani me një çmim të shquar ndërkombëtar.

Në një njoftim për shtyp, muzeu njofton se do të jetë marrësi i Çmimit të Muzeut të Këshillit të Evropës në vitin 2023.

Çmimi i tillë ka filluar të ndahet që nga viti 1977 dhe i është dedikuar muzeumit që ka dhënë një “kontribut të rëndësishëm në kuptimin e historisë kulturore evropiane”. Është hera e parë që shkon në një muze danez.

Është Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që vendos se kush duhet ta marrë çmimin.

“Muzeu përqëndrohet në temat e dialogut, zhvillimit të vazhdueshëm të demokracisë, ndryshimit të klimës, një shoqërie të barabartë, tregut të punës dhe aktivizmit politik,” tha Roberto Rampi, një anëtar i Komitetit të Kulturës, në uebsajtin e Këshillit të Evropës.

Muzeu i Punëtorëve u themelua në vitin 1982 dhe është vendosur në Shoqatën e Punëtorëve dhe Ndërtesën e Asambleve nga viti 1879. Muzeu dokumenton dhe komunikon kushtet e jetesës dhe të punës së punëtorëve danezë të pagave si dhe zhvillimin e lëvizjes së punës gjatë 150 viteve të fundit.

Kohët e fundit, Muzeu i Punëtorëve iu nënshtrua restaurimit të gjerë dhe Çmimi i Muzeumit i Këshillit të Evropës u jepet pikërisht muzeve të sapondërtuar ose të restauruar kohët e fundit.

Janë rrogëtarët e zakonshëm që kanë ngritur ndërtesën e Muzeut të Punëtorëve. Dhe është historia e tyre që tregohet në ekspozita dhe në shumë kurse arsimore. Ky çmim i jep muzeut motivim për të vazhduar të bëhet i rëndësishëm për këtë pjesë të gjerë të popullsisë, thotë Morten Skov Christiansen, kryetar i Muzeut të Punëtorëve dhe zëvendëskryetar i Konfederatës së Sindikatave, në njoftim për shtyp.

Ndarja zyrtare e Çmimit të Muzeut të Këshillit të Evropës do të bëhet në një ceremoni në Strasburg më 26 prill 2023.

/ritzau/

Çfarë fshihet pas emërimit të Vlora Hysenit nga kryeministri Edi Rama si drejtore e SHISH? Përse drejtuesja e shërbimit sekret të Kosovës u emërua drejtuese eshërbimit sekret të Shqipërisë? A janë marrëdhëniet e Ramës me Kurtin vërtetë arsyeja, apo arsyeja kryesore janë raportet e vetë Edi Ramës me SHBA pas skandalit McGonigalnë pritje edhe të nisjes së punës së ambasadorit të ri DavidKostelancik? Një poker spiunësh që shërbenmë shumë për diplomaci.

Nga Roland Qafoku

Rama mund të emëronte një grua, kjo edhe mendohej se është në stilin e tij. Me 13 ministre gra në kabinetin qeveritar kundrejt vetëm 3 ministrave burra, shto edhe shumë gra të tjera në krye të institucioneve të rëndësishme, ky vendim do ishte mëse normal. Por që në krye të shërbimit sekret, kjo grua të ishte nga Kosova, edhe parashikuesi më entuziast do dështonte. Quhet Vlora Hyseni dhe emërimi i saj bëhet më intrigues për faktin se zonja në fjalë deri dy vjet më parë ka qenë drejtuese e shërbimit sekret të Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Pavarësisht se Shqipëria dhe Kosova janë një komb, nuk ka ndodhur kurrë më parë në botë që drejtuesi i shërbimit sekret i një shteti të emërohet drejtues i shërbimit sekret të një shteti tjetër. Me fjalë më intriguese: Kryespiunia e Kosovës emërohet kryespiune e Shqipërisë. Mjafton kaq, për të kuptuar se përveçse një emërim politik, këtu nis edhe një poker spiunësh.

VLORA HYSENI SI KRYESPIUNIA E KOSOVËS

Sapo Albin Kurti mori detyrën e kryeministrit për herë të dytë më 22 mars 2021, një nga vendimet e para qëmori ishte largimi Vlora Hysenit nga detyra e Drejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si ushtruese e kësaj detyre. Hyseni kishte vetëm katër muaj në atë detyrë dhe ky nxitim sigurisht që lidhej jo vetëm me një pakënaqësi të hapur, por me shumë të dhëna që shkonin ndesh me politikanin që po nusëronte për herë të dytë. Hyseni ishte emëruar në krye të këtij institucioni në dhjetor 2020 nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidentja Vjosa Osmani, por Kurti e largoi shpejt e shpejt dhe në vend të saj emëroi Petrit Ajetin. Në fakt, aktiviteti i Hysenit nëAgjencinë e Kosovës për Inteligjencë ka qenë shumë më i zgjeruar. Më parë se të mbante detyrën e drejtueses, Hyseni ishte nëndrejtore e këtij institucioni e emëruar nga kryeministri Rramush Haradinaj dhe presidenti Hashtim Thaçi dhe e vijoi ta mbante këtë detyrë edhe pas largimit si drejtore. Pikërisht në këtë emërim duhen gjendur pakënaqësitë e Kurtit ndaj Hysenit. Ndonëse e vlerësuar shumë nga institucionet ndërkombëtare, Kurti e ka parë si përgjegjëse Vlora Hysenin për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë në qershor të vitit 2020. Më parë akoma Hyseni kishte mbajtur detyrën e Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë po në AKI, një detyrë kjo nga më të rëndësishmet aty. Për të kuptuar edhe më shumë jo vetëm pakënaqësinë e kryeministrit Kurti për shkarkimin e Vlora Hysenit mjafton të publikojmë njoftimin që mban datën 30 qershor 2021:

“1. Znj. Vlora Hyseni shkarkohet nga pozita e zëvendësdrejtores sëAgjencisë sëKosovës Për Inteligjencë AKI.

2. Znj, Vlora Hyseni obligohet të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar.

3. Znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtje e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Kryemisntri Kurti i kujton Hysenit se çfarë duhet të dorëzojë së bashku me detyrën dhe më e rëndësishmja se çfarë sekretesh duhet të ruajë. Ky është një rast unikal në fakt që publikohet jo vetëm urdhri i shkarkimit por edhe një kujtesë për ruajtjen e sekretit që duket si një kërcënim ndaj Hysenit. Një zyrtare e nivelit të lartë si Vlora Hyseni jo vetëm që nuk ka pasur nevojë t’ia kujtojë se duhet të ruajë sekret, por është një rast që tregon se edhe shkarkimi i saj sipas Kurtit ka ardhur për këtë arsye.

PËRSETË E NJË EMËRIMI

Por duket se zgjidhja e “statusit” të Vlora Hysenit është gjetur nga Shqipëria. Menjëherë pas këtij shkarkimi në Kosovë, doli në skenë kryeministri i Shqipërisë. Vetëm tre muaj pas shkarkimit në Kosovë Edi Rama e emëroi këshilltare të vetën për Sigurinë. Kryeministri i ka zbatuar aksiomën e vlefshme të shërbimeve sekrete se nuk ka më mirë për të marrë informacione se sa nga një ish. Sigurisht që këtu futen edhe shumë ngjarje dhe detaje nga marrëdhënia e nderë mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti dhe afërmendsh që një pjesë e të dhënave dhe detajeve nga marrëdhënieve mes tyre ka ardhur për Ramën nga zyra ngjitur në të cilën punonte gruaja me emrin Vlora Hyseni si këshilltare e tij. Por ajo që ka vendosur më shumë për emërimin e saj ka qenë edhe fakti që drejtuesi aktual në detyrë OljanKanushi nuk arriti pritshmërinë e kryeministrit. Nuk janë të paktë politikanë të mazhorancës që shprehen se pakënaqësia e Ramës ndaj Kanushit arriti kulmin me shpërthimin e skandalit me shefin e kundërzbulimit të FBI Charles McGonigal. Burimet shtuan se Rama nuk mund të emëronte Kanushin pas këtij skandali, ndërkohë që ka qenë shumë më i informuar nga këshilltarja e tij Vlora Hyseni. Për më tepër Hyseni ka një certifikim profesional nga partnerët e huaj, veçanërisht ata amerikanë gjë që për Ramën, sidomos në këtë moment ka rëndësi të madhe. Shkroi Rama në faqen e tij në facebook për propozimin që i bëri presidenti Begaj:

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Shumë kush mendon se me emërimi i Hysenit në krye të SHISH Rama synon të zotërojë të dhëna për Kurtin dhe Osmanin gabohet. Sigurisht që të dhënat e Hysenit për Kosovën janë të vlefshme për kryeministrin e Shqipërisë por synimi i Ramës është gjetkë. Më kryesorja janë raportet e Ramës me SHBA që kanë pësuar lëkundje. E kush më mirë se Hyseni mund ti normalizojë këto marrëdhënie në kanalet sekrete. Ajo bart “pasaportën” e besueshmërisë absolute me SHBA. Me këtë armë në dorë emërimi i saj në krye të SHISH Rama godet jo në një por në disa drejtime me një lëvizje të vetme, më i rëndësishmi është ai i normalizimit të raporteve të tij me SHBA veçanërisht me skandalin McGonigal. Dhe spiunazhi me diplomacinë kanë pika takimi sa herë ka një çështje. 

Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë David Kostelancik pritet të nisë punën në shtator pas marrjes së miratimit në senat në qershor dhe raportet e tij me kryeministrin Rama do tregojnë shumë për marrëdhëniet personale të tij me SHBA. Sigurisht që linja diplomatike është shumë e rëndësishme, por futja në lojë të një zyrtareje të besueshme për SHBA i vlen Ramës sa dhjetëra diplomatë të marrë së bashku. Vlora Hyseni është një lloj garancie në këtë rast. Ndërkohë në Tiranë kanë nisur spekulimet pas një takimi të rastësishëm ditën e shtunë mes ambasadores Yuri Kim me presidentin Bajram Begaj në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Për një pjesë, Rama nuk ka marrë miratimin e SHBA për këtë propozim dhe Kim ka nxituar të “këshillojë” Begajn që të mos e dekretojë Hysenin, por gjasat që kjo të ndodhë janë në kufijtë minimalë. Do jenë ditët në vijim ato që do sqarojnë më shumë rreth kësaj situate.

PASURIA E VLORA HYSENIT

Shumë pak gjëra dihen për kryespiunen e re të Shqipërisë dhe kjo lidhet me vetë natyrën e profesionit të saj. Gjithsesi, ajo që dihet publikisht për Vlora Hysenin është se ka marrë vlerësime maksimale për sigurinë nga partnerët ndërkombëtarë veçanërisht SHBA. Hyseni ka menaxhuar shumë situata në Kosovë, veçanërisht ato në Veri dhe njihet si njeri i terrenit. Të dhënat bëjnë me dije se gjithçka për situatat e ndera në Mitrovicë kalonte nga Vlora Hyseni dhe amerikanët e vlerësonin atë si zyrtarin më të besuar në shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, Hyseni disponon nënshtetësinë e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe që nga emërimi në Tiranë, jeta e saj ishte ndarë mes dy shteteve. Interesante për të është deklarata e pasurisë kur punonte në Kosovë. Nga kjo rezulton se Vlora Hyseni nuk është një zyrtare e varfër. Ajo posedon prona, shtëpi dhe llogari bankare që e bëjnë të ketë një jetë mëse normale. Hyseni ka në pronësi që në fakt sipas saj është e prindërve një shtëpi 400 metra katrorë vlera e të cilës është 100 mijë Euro. Po në pronësi të prindërve Hyseni disponon 4 hektarë tokë në vlerën 200 mijë Euro. Pronat e familjes së Hysenit vijojnë me 20 hektarë pyll të trashëguar nga gjyshi i saj që kap vlerën e 500 mijë Eurove. Hyseni ka edhe dy llogari bankare në shumën 65 mijë Euro si dhe një makinë në vlerën 18 mijë Euro.

NË KOSOVË NJË URRA PËR EMËRIMIN E HYSENIT

Në Kosovë emërimin e Hysenit e kanë parë si një vlerësim nga Shqipëria pas mosvlerësimit nga Kosova. Janë të shumë urimet por edhe deklarimet publike se emërimi i saj në krye të SHISH është një gjetje dhe vlerësim të punës që kryeministri Edi Rama i ka bërë zonjës Hyseni. Berat Buzhala, një gazetar në Kosovë që ndonëse ka zell për tu marrëderi në detaje me punët e Shqipërisë dhe lehtësisht kuptohet se nuk i njeh shumë, ka bërë një vlerësim maksimal për Hysenin duke e cilësuar shqiptarja më e besueshme e partnerëve ndërkombëtarë. Buzhala e quan si një ndër emërimet e rralla të bëra pa korrupsion dhe nepotizëm, por bazuar mbi vlera dhe kompetence. Shkruan Buzhala:

“Vlora, thuhet, nuk është ngritë në karrierë dhe detyra përmes politikës, sepse nuk është marrë me politikë. Nuk ka pasë vllazën që e kanë shty përpara. As klane. As mafi të sajën. Ka pasë profesionalizëm dhe guxim. Nejse, kur erdhën këta elita e re politike, e largune. Sepse të tillë janë ideologjikisht. Duhet me rrafshu çdo gjë, për me fillu me ndërtu. Dorën në zemër hala nuk kanë fillu me ndërtu. Hala jane tuj rrënu. Një tru me aq informacione dhe me aq bagazh u dëbua nga Kosova. U dëbua nga një grua tjetër. Sot një vend, anëtar i NATO-s, Shqipëria, Vlorën e ka emëru shefe te Shërbimit të vet Informativ”.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala duke folur për “Top News” tha se emërimi i Hysenit në krye të SHISH do të shtrijë problemet mes Kosovës dhe Shqipërisë, më saktë mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës. Tha Shala:

“Unë uroj të mos ketë ndonjë konflikt dhe uroj që të mos ketë probleme mes Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë dhe SHISH që deri tani kanëpasur bashkëpunim shumë të mirë dhe një raport vllazëror”.

Në këtë linjë pak a shumë janë edhe shumë gazetarë dhe analistë të tjerë në Kosovë.

KUNDËRSHTIMET PËR EMËRIMIN E HYSENIT

Sipas zakonit në Shqipëri opinioni ndahet ekstremisht më dysh dhe kjo po ndodh edhe në rastin e emërimit të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Opozita është tejet kundër këtij emërimi dhe mazhoranca pro tij. Përgjithësisht politikanët e opozitës e cilësojnë këtë emërim si zgjedhje për interes personal të Edi Ramës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare Gazmend Bardhi është shprehur se Rama kontrollon gjithçka. “Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni”, deklaroi Bardhi. Deputeti Kreshnik Çollaku e quan si një provokim të panevojshëm këtë emërim karshi institucioneve të Kosovës.

“Është jashtë cdo arsyeje që kjo të ndodhë. Midis institucioneve të dy vendeve tona duhet sa më shumë bashkëpunim e bashkërendim, ndërsa gjeste të tilla stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm”, shkruan Çollaku. Shumë më ekstrem ka qenë sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka. Ai e quan Vlora Hysenin të lidhur me serbët dhe kjo sipas tij është arsyja që Rama e ka emëruar. “Mesa duket kaq i ka mjaftuar Ramës për të plotësuar kriterin nr.1 të tij”, shkruan Noka në faqen e tij në facebook.

KOSOVARËT NË QEVERINË E RAMËS, NJË DËSHTIM ME SUKSES

Vjosa Hyseni nuk është “lulja” e vetme nga Kosova që emërohet në administratën e lartë të kryeministrit Edi Rama. Gent Caka si ministër i jashtëm dhe Besa Shahini si ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ishin vërtetë risi në mandatin e dytë. Por njëkohësisht ishin edhe një dështim i suksesshëm. As djali i “mençur” dhe i “ditur” se kishte lexuar shumë libra dhe as vajza me arsimim në SHBA jo vetëm nuk ngjitën në drejtimin e punëve në dikastere, por sollën një zhgënjim që habiti edhe vetë Edi Ramën. Në fakt përfshirja e zyrtarëve nga Kosova në qeveri është vërtetë një gjetje dhe për këtë kryeministri duhet përgëzuar. Në historinë e Shqipërisë, mes 33 kryeministrave janë edhe dy nga Kosova, HasanPrishtina dhe Rexhep Mitrovica. Dhe në shumë qeveri, veçanërisht përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kishte jo pak ministra nga Kosova. Por gjetja e emrave nëpërmjet sugjerimeve të bëra nga personazhe që janë edhe më dështakë se dy ministrat, është problem jo i vogël në këtë histori. Urojmë që në rastin e Vlora Hysenit të mos ndodhë kështu.

DREJTORE E SHISH

Emri: Vlora

Mbiemri: Hyseni

Vendlindja: Prishtinë

Nënshtetësia: Kosovare dhe shqiptare

Vendbanimi: Tiranë, Prishtinë.

Detyra aktuale: Propozuar Drejtore e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Detyra paraardhëse: Këshilltare për Sigurinë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Detyra të tjera:1. Drejtore e Agjencisë sëKosovës për Inteligjencë. (Ushtruese e detyrës)

2. Nëndrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

3. Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë nëAgjencinë e Kosovës për Inteligjencë

DREJTUESIT E SHËRBIMIT SEKRET PAS RRËZIMIT TË KOMUNZIMIT DERI SOT

1. IRAKLI KOÇOLLARI (Kryetar i SHIK, 1991-1992)

Ishte kryetar i parë i Shërbimit Informativ Kombëtar pas rrëzimit të komunizmit. U emërua në detyrë në 1991 dhe qendroi deri në vitin 1992. Pas shkarkimit u arrestua me akuzën për zhdukjen e dosjeve dhe u lirua në vitin 1997 duke marrë edhe pafajësinë.

2. BASHKIM GAZIDEDE (Kryetar i SHIK, 1992-1997)

Kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar në periudhën më të anatemuar të këtij shërbimi. Pas shkarkimit në prill 1997 u largua nga vendi dhe jetoi si azilant në Siri dhe Turqi. U kthye në Shqipëri në vitin 2005, vdiq më 25 tetor 2008.

3. ARBEN KARKINI (Kryetar i SHIK, PRILL-GUSHT 1997)

Ishte kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar pas marrëveshjes së 9 marsit 1997 i propozuar nga Partia Republikane. Qendroi në detyrë deri pas marrjes së detyrës nga qeveria e Fatos Nanos i cili e shkarkoi duke marrë edhe ok e presidentit Meidani.

4. FATOS KLOSI (Kryetar i SHISH, 1997-7 gusht 2002)

Ishte kryetar i parë me emrin e ri SHISH. U shkarkua më 7 gusht 2002 nga kryeministri Fatos Nano dhe me dekret të presidentit Alfred Mosiu. Pas një procesi hetimor i akuzuar për abuzim me naftën e institucionit që drejtoi, Klosi u shpall i pafajshëm.

5. PETRIT MYFTARI (Kryetar i SHISH, 7 gusht 2002-19 nëntor 2002)

Ishte kryetar i SHISH për një kohë të shkurtër. Ushtroi detyrën pas shkarkimit të Fatos Klosit deri në emërimin e Kujtim Hysenajt. Vdiq në vitin 2004.

6. KUJTIM HYSENAJ (Kryetar i SHISH, 19 nëntor 2002-janar 2005)

Ishte kryetar i SHISH që nga 19 nëntor 2002. Dikur diplomat dhe një karrierë të suksesshme, i dha një fytyrë të re këtij shërbimi. Vdiq në detyrë në janar vitin 2004.

7. YLLI ALUSHI (Drejtor i SHISH, janar 2005-mars 2005)

Ushtroi detyrën e kryetar të SHISH në një periudhë afër tre mujore pas vdekjes së Kujtim Hysenaj, duke qenë se ishte zëvendëskryetar i këtij shërbimi.

8. BAHRI SHAQIRI (Drejtor i SHISH, mars 2005- gusht 2012)

Ishte kryetari më jetë gjatë në detyrë si kryetar i SHISH. U shkarkua nga kryeministri Sali Berisha dhe mori ok me dekretin e parë si president i Bujar Nishanit. Shkarkimi i Shaqirit u shoqërua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës por kritika kanë bërë edhe institucionet ndërkombëtare.

9. VISHO AJAZI LIKA (Drejtor i SHISH, gusht 2012-30 tetor 2017)

I emëruar nga administrata e PD kur kryeministër ishte Sali Berisha socialistët e kishin anatemuar jo pak. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në 2013 kishte disa nisma për ta shkarkuar nga detyra por kjo nuk u arrit. Më 30 tetor 2017 VishoAjazi dha dorëheqjen dhe më13 dhjetor 2017 ai u emërua po nga kryeministri Rama dhe me dekret të presidentit Ilir Meta ambasador në NATO.

10. HELIDON BENDO, (Drejtor i SHISH, 30 tetor 2017-23 dhjetor 2022)

Helidon Bendo u emërua në detyrën e kreut të SHISH sapo u largua Visho Ajazi. Bendo ishte më parë në detyrën e zëvendësit të tij dhe e drejtoi këtë shërbim për më shumë se 5 vjet. Më 23 dhjetor 2022 presidenti Bajram Begaj dekretoi largimin e tij nga kjo detyrë pas dorëheqjes së tij për arsye vazhdimin e studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare të Sigurisë në SHBA. Pas largimin Bendo mbajti edhe detyrën e këshilltarit për reformën e institucioneve të Sigurisë.

11. OLJAN KANUSHI, (Drejtor i komanduar i SHISH, 23 dhjetor 2022-17 mars 2023)

Oljan Kanushi u caktua nga kryeministri Edi Rama si drejtor i komanduar i SHISH pas largimit të Helidon Bendos. Për afër 3 muaj ai e drejtoi këtë institucion në pritje të pasardhësit të ri pa pasur firmë zyrtare në institucion.

12. VLORA HYSENI, (Drejtore e propozuar e SHISH, 17 MARS 2023

Kryeministri Edi Ramai propozoi presidentit Bajram Begaj që në krye të SHISH të jetë Vlora Hyseni. Tashmë pritet që presidenti të firmosë edhe dekretin për emërimin dhe nisjen zyrtarisht nga puna të saj.

/ tema