Pas lajmit të shpërndarë nga mediat spanjolle, ku thuhej se Kylian Mbappe do të prezantohej më 23 korrik te “galaktikët” e Real Madrid, tashmë janë tifozët e PSG, që e bëjnë “fakt të kryer” transferim e “yllit” të tyre te gjigandët spanjoll.
Sipas një prej profileve të grupit të tifozerisë “pariziene”, “PSG Community”, “mbretërit” e Madridit kanë arritur një marrëveshje me klubin francez për transferimin e Mbappe për shifrën e 250 milionë eurove, përcjell abcnews.
Në bazë të fjalëve të tifozëve ishte vetë pronari i PSG, emiri Tamim bin Hamad Al-Thani, i cili pas negociatave me Presidentin, Florentino Perez ra dakord për shitjen e lojtarit për shifrën stratosferike.
Ndërkaq, përveç shifrës është mësuar dhe mënyra e pagesës, që Real Madrid do i bëjë “parizienëve” për Mbappe.
Kështu nga 250 milionë euro, 200 milionë do të paguhen menjëherë, ndërsa 50 të tjera në formë bonusi për ndeshjet e luajtura nga francezi dhe fitimin e “Topit të Artë”.
Zgjedhja e reaktorit të Universitetit të Tetovës, e ndikuar, e kontrolluar dhe orkestruar nga klani i Vullnet Ahmetit
Zgjedhjet e mbajtura për Rektor në UT ditë më parë me shumë të drejtë shkaktuan shqetësim në opinion duke nxitur dyshime se të njëjtat ishin të ndikuara, të kontrolluara dhe orkestruara, me qëllim që në këtë pozitë të zgjidhet kandidati i preferuar i Vullnet Ahmetit dhe klanit të tij të krimit dhe korrupsionit. Ky proces zgjedhor, i cili edhe pse në fillim dukej demokratik, me tërheqjen e tre kandidatëve i njëjti pati përfundim autokratik. Kjo autokraci erdhi si rrjedhojë e parregullësive dyvjeçare, shkeljeve konstante të ligjit nga u.d. rektori, senati dhe kryetari i senatit të cilët bënë rokadë, shkelje këto të vërtetuara edhe nga Inspektorati i Arsimit.
Tërheqja nga gara e tre kandidatëve të tjerë për Rektor, me arsyetimin e tyre se ka patur trysni të ndryshme duke e rrezikuar garën e lirë akademike, përbën një fenomen të pa precedent. Ky rast me plot të drejtë nga të 3 kandidatët nuk mund të karakterizohet si një proces legjitim dhe kredibil. Nga ana tjetër, reagimet e zyrës për marrëdhënie me publikun pranë UT-së (lexo ndjekësit e kandidatit të tyre të preferuar) ishin tipike si ato të BDI-së dhe në një vijë, meqë janë një.
Për ne si subjekt politik, është e pa tolerueshme që ky Universitet që paraqet vlerë kombëtare të popullit tonë, i ndërtuar me gjak e sakrificë, të shndërrohet në kompani private e individëve apo grupeve të afërta me parti politike, të cilët për interesa të tyre personale këtë Universitet e mbajnë të ngulfatur, duke e konsideruar si pronë të tyre. Koha e sulltanateve ka mbaruar. Lista e zezë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është e kompletuar pa ju.
Kërkojmë me këmbëngulje që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të ndërmarrë masa të menjëhershme, sepse e ka obligim ligjor të ndërhyjë. Që nga 25 maji, UT është pa rektor. Andaj, edhe një herë ftojmë ministrin Jeton Shaqiri që urgjentisht të caktojë një ushtrues detyre rektor. Ky u.d. do të duhet të rinisë nga pika zero procesin e përzgjedhjes së rektorit të ri. Në ndërkohë të shkarkohet i tërë senati dhe prorektorët.
Udhëheqësia e UT-së janë dyshuar shpeshherë edhe për mungesë të transparencës dhe dyshimeve për korrupsion, rasti i fundit ishte ku gjatë pandemisë u zbulua se ky Universitet kishte shpenzuar miliona denarë për qëllime të shumta e që nuk kishin të bëjnë me procesin akademik dhe shkencor. Fshehja e keqpërdorimeve nga administratori i caktuar në UT dhe manipulimi me pagesat e semestrit (flitet se tejkalojnë shumën e 200.000 eurove) u bënë bashkëpjesëmarrës në krim. Organet kompetente nuk reaguan as atëherë kur u publikuan informacione për plagjiaturë të profesorëve, sidomos të fakultetit të Mjekësisë, nuk u reagua as atëherë kur janë deshifruar lidhjet (nepotizmi) familjar i ish rektorëve, përfshirë nepotizmin e familjarëve dhe miqve të pronarit të UT-së për 11 vite – kryetar aktual i senatit Vullnet Ameti.
Në gjithë këtë situatë që ka zbehur imazhin e UT-së, përveç Vullnet Ahmetit, përgjegjësi ka edhe BDI-ja e cila si pjesë e pushtetit, jo që nuk i ka parandaluar këto fenomene, por shpeshherë i ka mbrojtur dhe vazhdon ti mbrojë. Ata që kanë kapur autonominë e Universitetit të Tetovës janë pikërisht Vullnet Ameti dhe klani i tij së bashku me BDI-në. Për këtë flasin fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale.
Është koha dhe momenti t’ia kthejmë krenarinë dhe dinjitetin këtij Universiteti të nëpërkëmbur. Në UT ka studentë shembullorë, staf akademik dhe administrativ që me nder dhe përkushtim i kryejnë detyrat e tyre. Është momenti që Universiteti të kryejë në mënyre ta pavarur dhe të përmbush misionin e tij, duke ngritur cilësinë e duke u ranguar në vendet e merituara. UT-ja u takon studentëve, të ardhmes së tyre dhe aspak Rektorëve të përjetshëm e as ndonjë subjekti politik cilidoqoftë ai.
Gjatë përgatitjes së ligjit për veting, si ASH do të shtojmë edhe veting të rektorëve, prorektorëve dhe dekanëve, si dhe konfiskim të pronës në qoftë se nuk janë në gjendje të dëshmojnë prejardhjen e pronës dhe pasurisë.
Shtëpia Botuese “Platanus Publishing” në Ankara të Turqisë ka botuar romanin “Ölüm Mangaları” (“Eskadronët e Vdekjes”) të autorit Bardhyl Mahmuti e me përkthim të zonjës Dr. Edona Llukaçaj.
Ky roman tashmë ka filluar të shpërndahet në libraritë e Turqisë dhe mund të porositet edhe përmes internetit.
Është një rasti i mirë që do t’ia mundësojë lexuesve në gjuhën turke të njoftohen për të vërtetën e krimeve të tmerrshme dhe gjenocidin që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998-1999.
Romani është botuar me angazhimin e atdhetarit të shquar me origjinë nga rrethina e Preshevës që jeton Stamboll, z. Shevket Zulfia (Şevket Zülfüoğlu), i cili nuk kurseu asgjë deri në publikimin e këtij romani.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” falënderon publikisht z. Shevket Zulfia dhe çmon lartë kontributin e tij për të ndriçuar të vërtetën për njërën nga tragjeditë më të mëdha njerëzore të fundshekullit XX: gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës!
Po ashtu Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” falënderon edhe shtëpinë botuese që e ka marrë përsipër botimin e romanit si dhe përkthyesen e shquar, zonjën Dr. Edona Llukaçaj për kontributin e saj që romani të publikohet edhe në gjuhën turke.
Romani “Eskadronët e Vdekjes” në gjuhën turke mund të porositet këtu:
E ashtuquajtura Zyra Speciale është strukturë e sistemit kosovar të drejtësisë me përbërje, tre gjyqtarë dhe dy prokurorë, pa asnjë lidhje gjeografike, morale e historike me Kosovën. Do të ishte e mirëpritur nëse kishin njohuri modeste për luftën 100-vjecare kundër kolonializmit serb. Vendi ku jepen vendimet e gjykatës speciale të Kosovës është Haga, shumë larg Kosovës. Gjyqi kundër UÇK pretendon të jetë historik, por asnjëherë nuk do të mund të jap ndonjë mesazh të tillë, për aq sa po e shtrembërojnë historinë. Përkundrazi, rrezikojnë të jenë paradoksalë sepse referohen në histori që shoqëria kosovare i ka kapërcyer para 30 viteve dhe duke u shqiptuar në kohë krizash, vetëm se krijojnë kriza artificiale. Edhe deklarimet e mjaft emisarëve politikë dhe diplomatikë nuk e bëjnë aspak më të besueshme, përkundrazi më politike gjykimin.
Halli i Hagës shtohet sepse dy burimet për lëndë të parë, dyshja Dickut (Marti) dhe Karlës (de Ponte), por edhe bodrumet e Beogradit kanë harxhuar gjithë materialin e sajuar dhe pjesa më e madhe e dëshmitarëve janë vetdemaskuar. Nëse konfirmohen deklarimet e njeriut më të besuar të Trumpit (Grenell) aktiviteti i gjykatës është tërësisht i paragjykuar, por i justifikuar vetëm për të vet mbajtur në këmbë një strukturë artificiale dhe tërësisht jashtë kohës. Këtë e përforcon edhe Financial Time, ditën e djeshme kur e quan Gjykatën një krijesë që mbart të gjitha pozicionet politike të vendeve që përfaqësojnë.
Një miting madhështor. Kujt po i drejtohet Haga? Imagjinoni që Haga do ta shqiptojë këtë vendim, të vetëquajtur historik, për të ardhmen e popullit të Kosovës në sheshin “Skëndërbej” në Prishtinë në një miting nën moton “Liria ka një emër”. Dita e djeshme ishte manifesti më i fuqishëm, i popullit në mbështetje të komandantëve të vet. Mitingu tregoi që populli është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se partitë politike. Ishin me qindra mijëra “dëshmitarë”, që vështirë mund ti mbajnë Zyra e Posaçme e Hagës, si një krijesë për Kosovën, por me qëndrim dhe me përbërje, jashtë Kosovës. Pikërisht këta do të flasin në emër të popullit të Kosovës, atje në sheshin ku ndodheshin dje. Përndryshe nga ata dhjetëra, që prokurori ka thirrur në Hagë, ata qindra mijëra ‘dëshmitarë’ i thirri ndërgjegjja e tyre për të qenë në krah të komandantëve.
3 prilli, në Hagë, një ditë me mjegull, do të kujtohet si një ditë kur do të goditej historia e luftës së Kosovës. Pas qershorit 1999, ku UÇK së bashku me NATO çliroi Kosovën, shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, me bekimin e aleatëve të mëdhenj dhe të 2010 kur u konfirmua, përfundimisht legjitimiteti i Republikës së Kosovës, vjen dita që do të gjykoj flamurtarët e këtyre ngjarjeve. Ditë që më shumë vjen si një shpagim për Serbinë se sa një merak për Kosovën.
Haga vjen me një akuzë sa konfuze aq edhe të paragjykuar… hall i madh. Pavarësisht nga aftësitë e aktrimit të prokurorit të sotëm, jo kosovar, në Hagë, jo në Kosovë, akuza mbeti përsëri në nivelin e pamfletit politik pa taban, ngjashëm me atë që ngriti para tre vitesh prokurori Smith. Befasi dukej gjatja për luftë të armatosur midis partive politike… Në emër të kujt, nga kush, deri ku…flitet për vitet ‘98-’99, kur luftohej për mbijetesën e kombit. Prokurori në mënyrë gati kaotike shpallte një akt-akuzë të mbushur me terma kriminale, por më tepër duke kërkuar ndihmë në kohë dhe motive të papërcaktuara, midis partive në Kosovë, për të fituar pushtet kur pushteti ishte në duart serbe, pushtuesi që kryente gjenocid, spastrim etnik, përdhunime. Edhe për fëmijët, por edhe naivët lufta në atë kohë kishte vetëm dy fronte, pushtuesi dhe bashkëpunëtorët, që digjnin e vrisnin Kosovën dhe UÇK, që luftonte të mbronte jetën e njerëzve. Akuza duke shmangur pushtuesin serb e zhvendos objektin e luftës kryesisht midis shqiptarëve. Ndoshta prokurori beson në një luftë me topa bore…
Një prokurori dhe gjykatë në hall. Akuza e ngritur më parë mbi librin e Karlës (de Ponte), dhe të Dickut (Mart) të provuar si produkt i shërbimit sekret serb, tashmë po i bashkëngjiten kapituj me lidhje të dyshimta, me fashikuj të hequr e me dëshmitarë mjaft të dyshimtë. Akt-akuza, po luan me një topi të grisur e të shfryrë pasi nuk respekton kauzën, kohën dhe hapësirën. Përgjakja historike midis Serbisë dhe Kosovës shtrihet në histori të gjatë, por prokurori shumë pak duket se i intereson dhe e shmang nga konteksti. Duke shmangur në kohë me mbulesën e injorimit historinë e masakrave të shtetit serb mbi popullsinë shqiptare ai përdor gjuhë me pak dallime nga ato Ruanda, Eritrea apo Kongo (Kinshasa). Hallet e Hagës shtohen kur lidhen me ngjarjet dramatike në Ukrainë, apo me vendosjen në një kontekst me Rusinë dhe Putinin që nuk po bëjnë asgjë më pak se Serbia në kohën e Milloshevicit. A do të gjykohen edhe komandantët ukrainas një ditë siç po ndodh me ata kosovarë. Ka mjaft ngjashmëri, por në të dy rastet po gjykohen komandantë që luftojnë të shpëtojnë kombin e tyre. Serbia vështirë të bëhet më e mirë duke dënuar shqiptarët…
Paradokse dhe parodi të akuzës… Ndërsa Haga dhe sejmenët flasin se padia është individuale, e vërteta e dukshme është se në të përfshihet gjithë zinxhiri komandues i UÇK. Aq saktë sa është zgjedhur ky zinxhir edhe bodrumet e Beogradit do ta kishin zili. Me gjethen e fikut, akuza përpiqet të mbuloj objektin e goditjes që në rreshtat e tjerë zbulojnë gjithë kontekstin e gjykimit. Akuza qartësisht godet thelbin, qëllimin, instrumentet, format e organizimit dhe arritjet e luftës. Naivitet apo padituri djallëzore. Çfarë mbetet më tej… gjithçka kthehet në një pamflet politik. Edhe në Beograd edhe në Hagë e dinë se çfarë mund të jetë një ushtri pa linjë komandimi? – Turmë e armatosur është pak, lëvizje kaotike…një qellim për tu kthyer aty ku nisi… pas kësaj Beogradi ka të gjithë të drejtën ta konsiderojë luftën e vet të drejtuar kundër kriminelëve, banditëve dhe emrave të tjera që do ti dhuronte gjykata. Është tërësisht një ide djallëzore për të deformuar karakterin çlirimtar, të drejtë e human të luftës çlirimtare të UÇK dhe aspak një luftë e brendshme politike, civile, vëllavrasëse dhe mbi baza të urrejtjes. Këtë e gjen në aktakuzë, ku në mjaft raste nuk kujdesen as për ta mbuluar…
Çfarë nuk dëshiron të shoh akuza…? Pavarësisht ku përpiqet të notojë akuza, interesante mbetet që gjykimi i UÇK është në rastet e rralla të historisë botërore ku gjykohet çlirimtari, ai që mbron popullin nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe më tragji-komike një UÇK e vendosur që në ditën e parë në një linjë me aleatët perëndimorë. Të gjithë e dinë se kush qëndronte pranë këtij formacioni dhe reagimi për çdo vendim e veprim të komandantëve të saj.
Serbia përdor me shumë sukses strategjinë e kompensimit, që ka për objektiv diskreditimin e shtetit të Kosovës dhe paraqitjen e tij si shtet i dështuar, i drejtuar nga persona të inkriminuar. Makineria e propagandës e Serbisë është e ‘shkëlqyer’ për shpifje dhe intriga. Ishte kjo strategji dhe pjesë e saj propaganda agresive që e nxori shumë shpejt Serbinë nga pozicioni i fajit dhe agresorit në atë të viktimës. Por, ndërsa Serbia ka një strategji të qartë, gjithmonë e ka pasur, Kosova, por jo vetëm, gjithë shqiptarët e kanë vështirë ti përgjigjen me strategji efektive. Alvin Toffler thotë që strategjia është mënyra që të dallon nga të tjerët dhe në mungesë të saj me apo pa dashje, do të jesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër, ndoshta edhe kundërshtarit.
Është një periudhë, që tregon se ‘kohët e arta’ për shqiptarët kanë kaluar dhe sinjalet janë për një gjeopolitikë të vështirë. Lufta si vazhdim i politikës ndryshon mjetet, por jo aq qëllimet dhe objektivat. Ndërsa shtetet e mëdha e kanë të vështirë të dështojnë të vegjlit e kanë më të vështirë të mbijetojnë. Fuqia e butë, dhe fuqia e fortë, shprehet Joseph Ney, themelues i teorisë neoliberale, raportet me partnerët strategjikë nën kontekstin e veprimeve të sinkronizuara, mbeten edhe për shqiptarët e vetmja rrugë e mbijetesës dhe suksesit. Lavdi UÇK!
*Profesor për Çështjet Ndërkombëtare të Strategjisë në UET
Rama: Mlodhëm nënshkrimet për ta kundërshtuar rezolutën e Dick Martyt
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për moacionin për ta miratuar një rezolutë të re, mbi rezolutën e dikurshme të senatorit të atëhershëm zviceran, Dick Marty, e cila e akuzonte UÇK-në për krime të rënda gjatë luftës, ndër tjerash edhe trafikim organesh.
“🔴 I MBLODHËM MË NË FUND FIRMAT NË ASAMBLENË E KËSHILLIT TË EUROPËS PËR MOCIONIN PËR NJË REZOLUTË TË RE MBI REZOLUTËN E VITIT 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS për trafikun e organeve njerëzore 💔 “, shkroi Rama në Facebook.
Ai tha se “drejtësia do të triumfojë në fund fare”.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare🦅”, ka shkruar ai.
Maqedonia e Veriut, shqiptarët kanë 10 ministri por nuk flasin shqip!
Në qeverinë maqedonase, shqiptarët përfaqësohen me 10 ministra nga 20 në total që ka kabineti qeveritar. Edhe zv/kryeministri dhe kreu i parlamentit maqedonas janë të dy shqiptarë e megjithatë gjuha shqipe konstatohet se përdoret me vështirësi. Vetë shqiptarët drejtojnë gishtin nga shqiptarët e politikës, që sipas tyre, kanë bërë kompromise për përfitime personale.
“Në kohën që gjysma e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga shqiptarë janë të pakta ato ministri që komunikimin me qytetarët dhe pushtetin lokal e bëjnë në gjuhën shqipe, siç janë të obliguar në bazë të ligjit. Aplikimet për fonde të ndryshme që vijnë nga qeveria qendrore vijnë vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kam insistuar që të jenë edhe në shqip.
Nëse futeni në ëeb faqet e ministrive që udhëhiqen nga shqiptarët do të shihni se gjuha shqipe atje është me google translate dhe nuk ka seriozitet, të gjithë aplikimet, dokumente, projektet janë vetëm në gjuhë maqedonase”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës Tetovë.
Lajmi që Mbretëria e Bashkuar mund të furnizojë Ukrainën me predha me uranium të varfëruar po sjell reagime të ashpra nga Moska zyrtare.
Lajmi në vetvete u pohua pa i dhënë rëndësi në një mbledhje të dorës së dytë në parlamentin britanik, dhe nuk mori rëndësi në mediat vendase, por vendimi nuk i shpëtoi Kremlinit, që sot arriti deri të kërcënojë Londrën.
Siç dihet, predhat me uranium të varfëruar kanë një kapacitet shumë më të lartë për të depërtuar në mjetet e blinduara.
“Nuk do të habitesha nga ky zhvillim, por nëse diçka e tillë ndodh, padyshim që do të përfundoi keq për Londrën”, deklaroi në një intervistë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Edhe më i qartë ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që foli për ”një hap më tej në përballjen nukleare”, ndërkohë që nuk mungoi edhe reagimi i kreut të Kremlinit, gjatë takimit të rëndësishëm me homologun kinez Xi Jinping, ku dy vendet nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme ekonomike, ku sipas disa analistëve fshihen edhe ndihma të mundshme ushtarake.
“Perëndimi ka vendosur të luftojë Rusinë deri në ukrainasin e fundit, jo me fjalë por me vepra. Nëse Perëndimi do fillojë të përdorë armë me përbërës bërthamorë, Rusia do të detyrohet të reagojë”, i komunikoi Putin presidentit kinez gjatë takimit.
Departamentit Amerikan(DASH), kritika të ashpra Maqedonisë së Veriut-Institucionet e korruptuara
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.
Sipas raportit, kundrejt të burgosurve dhe të ndaluarve ka pasur raportime për torturë, dënime dhe trajtime jo-humane nga ana e policëve. Deri te Avokati i Popullit, kanë arritur gjithsej 103 denoncime për raste të tilla, 51 më shumë se vitin e kaluar.
Përpos dhunës policore, të arrestuarit i presin kushte jo-humane edhe në burg. Në raport thuhet se kushtet në burgje janë të këqija për shkak të mbipopullimit, mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, higjienës jo-adekuate, stafit të korruptuar ndërsa në disa qeli në idrizovë qëndrojnë nga 16 deri në 19 të burgosur. Vetëm 5 nga 11 burgje kanë të punësuar mjekë me orar të plotë. Kushte nuk janë më të mira edhe në burgjet për fëmijë, të cilëve sipas raportit, u jepet dozë e tepruar e ilaçeve. Kritikave nuk iu “shpëtoi” as gjyqësori.
“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në raport duke cituar Këshillin Gjyqësor, thuhet se besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor vjen për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm në gjyqësor, shtyrjes së seancave për të mundësuar vjetërsim të lëndëve, sidomos kur të akuzuar janë biznesmenë dhe politikanë dhe ngjashëm.
Korrupsioni është radhitur ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, gjithsej 357 denoncime për korrupsion kanë arritur deri te Komisioni Antikorrupsion. Ky institucion, ka shqiptuar 356 gjoba kundër zyrtarëve publik për shkelje të ndryshme, nga të cilët vetëm 220 kanë paguar gjobat në afat të caktuar.
Statistikat e personave pa shtetësi vijojnë të ngelin shqetësuese, mesatarisht 584 persona figurojnë pa shtetësi ndërkaq sipas raportit, Ligji për Shtetësinë i votuar në vitin 2020 ka ngecje në implementim. Pre e këtij lloji të diskriminimit por jo vetëm, më së shumti janë romët.
Shqetësues sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit ngelin edhe statistikat për dhunë në familje, nga janari deri në qershor janë regjistruar 662 të mbijetuar nga kjo dukuri ndërsa kompetentët jo gjithmonë marrin masa në kohë. /Alsat.mk
Nga kërkesa për rishikimin marrëveshjeve të arritura më herët deri në implementimin e plotë të tyre-Shpjegim i detajuar i Marreveshjes se Ohrit
Të shtunën, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić u takuan në Ohër, Maqedoni e Veriut. Në këtë takim, që zgjati më shumë se shtatë orë, u tha se palët arritën marrëveshje rreth Planit të Zbatimit të Planit Evropian për dialogun.
Me përmbajtjen e Planit Evropian, palët veç ishin dakorduar më 27 shkurt 2023 në një takim në Bruksel. Pas kësaj, palëve u kishte mbetur arritja e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtij plani, gjë për të cilën u takuan në Ohër. Si takimi i 27 shkurtit edhe ky në Ohër u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian (BE), ndërsa u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e QUINT.
Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në një deklarim për medie tha se edhe Plani Evropian edhe Plani për Zbatim konsiderohen të aprovuar në bazë të deklaratës së tij –– pasi palët nuk e nënshkruan marrëveshjen.
Plani Evropian përbëhet prej 11 pikash, ku, mes tjerash, përfshihen: njohja reciproke e dokumenteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore; njohja e integritetit territorial të njëra-tjetrës; dhe sigurimi i “një niveli të përshtatshëm” [në Plan: appropriate level] të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Plani i Zbatimit, që u aprovua e s’u nënshkrua në Ohër, thotë se Plani Evropian dhe Plani i Zbatimit do të bëhen pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE dhe se cilido mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të rezultojë në sanksione në procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe në ndihmën financiare nga BE.
Në Planin e Zbatimit parashihen dy afate kohore. Ai parasheh që brenda 30 ditësh shtetet të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE, që do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave.
Po ashtu, sipas Planit, nëse brenda 150 ditëve, të gjitha dispozitat e Marrëveshjes implementohen plotësisht, BE do të organizojë konferencë të donatorëve për të krijuar një paketë të investimeve financiare për Kosovën dhe Serbinë.
Çështja më e diskutuar është neni 7 i Planit Evropian. Për ta implementuar këtë nen, në Plan të Zbatimit, Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [në Plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në Plan: appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi, BE.
Nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 mbi Asociacionin. Pas kësaj marrëveshjeje, në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vučić, nënshkruan dokumentin me parimet e përgjithshme mbi themelimin e asociacionit.
Në fund të vitit 2015, me kërkesë të presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shqyrtoi këto parime. Pas shqyrtimit, Gjykata konstatoi se me ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013 në Kuvend, kjo marrëveshje, rrjedhimisht themelimi i Asociacionit kishte hyrë në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës dhe si i tillë, Asociacioni do të themelohet.
Gjykata po ashtu gjeti se secili kapitull i Parimeve Udhëzuese nuk përputhej krejtësisht me standardet kushtetuese, veçanërisht sa i përket buxhetit, marrëdhënieve me autoritetet qendrore në Kosovë dhe strukturës organizative. Andaj, parimet për themelimin e Asociacionit duhet të ripunohen në harmoni me Kushtetutën.
Ndërkohë, kryeministri Kurti, në një deklaratë për medie pas takimit në Ohër, tha se përmes kësaj marrëveshjeje për Planin e Zbatimit për Planin Evropian, Kosova ka fituar “njohje de-facto” nga Serbia dhe se neni 7, ka të bëjë me “vetëmenaxhim” dhe jo “veteqeverisje”. Megjithatë, fjalia përcjellëse në Plan, që kërkon që ky vetëmenaxhim i komunave serbe të bëhet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, implikon themelimin e Asociacionit.
Pse u vu në qendër neni 7?
Së pari si lëvizje politike, e më pas si parti politike, LVV-ja e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit. LVV e ka kundërshtuar atë që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, e cila parashihte edhe formimin e Asociacionit.
Kur Marrëveshja e Brukselit arriti për ratifikim në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013, deputetët e LVV, atëherë në opozitë, protestuan duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit. Gjithashtu, rreth 300 protestues e rrethuan ndërtesën; 30 njerëz u arrestuan.
Bllokimi i punës së Kuvendit me gaz lotsjellës vazhdoi edhe nga gushti 2015, kur planifikohej të ratifikohej dokumenti me Parimet mbi Themelimin e Asociacionit. Protestat kundër Asociacionit vazhduan edhe në vitin 2016, kur tashmë ishin bashkangjitur edhe dy parti tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA. Protesta e janarit 2016 përshkallëzoi, me ç’rast protestuesit hodhën gurë, koktej molotovi e mjete piroteknike drejt ndërtesës së qeverisë e policies.
Ndërkohë, Gjykata e Prishtinës, në vitin 2018 e shpalli fajtor Kurtin, ndër tjerë, për hedhjen e gazit lotsjellës dhe për pengim të personit zyrtar gjatë protestave të vitit 2015. Ky dënim u bë arsyeja që Kurti të mos mund të bëhej pjesë e listës zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ku partia e tij, në koalicion me Listën –– tash partinë –– GUXO, mori 50.2% të votave.
Asokohe, LVV argumentonte se Marrëveshja e Brukselit ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila sipas tyre veç kishte “dispozita specifike” për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë. Për LVV, “Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe”.
Po ashtu, sipas LVV, qeveria e atëhershme, me nënshkrimin e Asociacionit kishte nënshkruar “ndarjen e Kosovës’, “bosnjëzimin e Kosovës”. Ata Asocacionin e quajtën “Zajednicë” dhe “Republika Srpska në tentativë”.
Kështu edhe Plani Evropian nuk erdhi krejt lehtë. Pranimit të këtij Plani dhe atij të Zbatimit të këtij Plani i parapriu një një sagë e tërë ngjarjesh që nisën prej fillimit të vitit 2022 e u shpeshtuan në fundvit.
Në qershor 2022, qeveria e Kosovës, mori dy vendime, një për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targa dhe një për dokumente identifikuese. Sipas njërit vendim, kushdo që hyn në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisej me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e Serbisë –– procedurë që zbatohej për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011.
Sipas vendimit tjetër, qytetarët që kanë automjete me targa me akronime të qyteteve të Kosovës ––që lëshohen nga Serbia –– do të duhej, që brenda 1 shtatorit deri më 31 tetor, t’i regjistronin automjetet e tyre me targat RKS. Pas 31 tetorit, nuk do të lejohej qarkullimi me targa të vjetra.
Më 31 korrik, pak para se të hynte në fuqi vendimi, u ngritën barrikada në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Situata u shtensionua pas presioneve të vazhdueshme nga BE dhe ShBA, që qeveria e Kosovës ta shtyejë zbatimin e vendimit. Më 31 korrik, qeveria vendosi ta shtyejë zbatimin e vendimit për një muaj. Ndërkohë, më 27 gusht u arrit një marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve të përkohshme të identifikimit për shtetasit e të dy vendeve.
ShBA dhe BE kërkuan nga qeveria e Kosovës që ta shtyejë vendimin për targat për 10 muaj, por qeveria nuk e pranoi fillimisht këtë kërkesë dhe më 28 tetor e prezantoi planin tre-fazësh të implementimit të këtij vendimi.
Situata u tensionua sërish pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nenad Djuric, i cili kishte refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targa. Si rezultat, në fillim të nëntorit, Lista Srpska, bashkë me të gjithë serbët e Kosovës që bartnin poste në institucione publike, përfshirë kryetarët e komunave, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Me 21 nëntor 2022, pas një takimi tetë orësh në Bruksel midis Kurtit dhe Vučić, Kurti kishte refuzuar ta pranonte propozimin për zgjidhjen e çështjes së targave nga BE me argumentin se propozimi nuk shoqërohej me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe akuzoi Përfaqësuesin Special të BE-së në dialog, Joseph Borell, se hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
ShBA-ja kërkoi shtyerjen e zbatimit të vendimit për targa për 48 orë dhe kryeministri Kurti pranoi.
Veç pas dy ditësh, me 23 nëntor, Kosova dhe Serbia, respektivisht zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petković megjithatë u pajtuan për të njëjtën marrëveshje që ishte propozuar më 21 nëntor, sipas të cilës Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Në situatën e re presidentja Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në ato komuna. Më 6 dhjetor u sulmuan zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Autoritetet e Kosovës e arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantić, për shkak të, sipas policisë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Si reagim ndaj këtij arrestimi, u ngritën barrikada sërish, u bllokuan disa rrugë në veri dhe u mbyllën disa pika kufitare. Kah fundi i dhjetorit e fillimi i janarit, barrikadat u larguan pasi Pantić iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe udhëheqësia e Kosovës, sipas BE dhe ShBA, u zotua se nuk ka lista për arrestim a përndjekje për qytetarët serbë lidhur me vendosjen e barrikadave.
Përgjatë këtyre muajve, retorika e përdorur si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi ishte e rrezikshme. Kryeministri Kurti, nëpër disa intervista në medie ndërkombëtare e përmendi mundësinë e luftës, ndërkohë që Serbia i kërkoi NATO t’i lejojë t’i vendos 1,000 trupa të ushtrisë serbe në Kosovë.
Gjendja në veri gjatë dhjetorit u konsiderua si një nga më të këqijat në 10 vitet e fundit, me dhjetra incidente, ku u sulmuan patrullat policore të Kosovës dhe të EULEX e u hodhën shok-bomba në drejtim të gazetarëve, që po raportonin nga terreni.
Po atë muaj, retorika e të dërguarit special të ShBA-së për dialogun me Serbinë, Gabriel Escobar u ashpërsua rreth Asociacionit. Ai deklaroi se nëse “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar” dhe se “ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë [themelimin e Asociacionit] duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”.
Në një intervistë, Kurti, tha se qeveria e Kosovës ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova “nuk cilësohet si konstruktive” në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.
Kështu, u shtua angazhimi dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje, përmes një propozimi tashmë të njohur si “plani franko-gjerman” — tash, Plani Evropian — dhe për zbatim të Asociacionit. Kjo marrëveshje u pa nga shumë si një marrëveshje që do ta zhbllokonte dialogun Kosovë-Serbi dhe do ta afronte një hap më afër marrëveshjes përundimtare.
Në fillim të shkurtit, i gjendur në mes të thirrjeve dhe presioneve nga partnerët ndërkombëtarë për ta nisur implementimin e Asociacionit, Kurti prezantoi gjashtë kushte për pranimin e tij. Ato ditë, kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur se e pranon Planin Evropian, gjë që nxiti diskutim në publik rreth ndryshimeve të qëndrimeve të vetë kryeministrit, meqë Plani Evropian, siç u dëshmua në Ohër, përmban implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në dialog — e njëra marrëveshjeve është edhe ajo për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në vitin e parë të qeverisjes së tij në vitin 2021, Kurti kishte thënë se qeveria e tij do të angazhohej për rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët. /K2.0/
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Turqi 104 miliardë dollarë-Erdogan kërkon ndihmë nga Evropa
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti që tronditi jug-lindjen e Turqisë në fillim të shkurtit e ku mbetën të vrarë rreth 50 mijë persona arrijnë deri në 104 miliardë dollarë.
“Vlerësohet se kostoja e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti të shkojë deri në 104 miliardë dollarë. Është e pamundur për një vend të përballet i vetëm me një krizë të këtyre përmasave”, ka deklaruar presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Deklaratën e tij, kreu i shtetit turk e bëri në një video-mesazh me rastin e Konferencës ndërkombëtare të donatorëve të organizuar nga Bashkimi Evropian për Turqinë.
Vetë Unioni është zotuar se do të sigurojë 1 miliard euro në ndihmë të Turqisë dhe 108 milionë euro për ndihma humanitare në Sirinë fqinje.
Konferenca e donatorëve që po mbahet në Bruksel është e hapur për shtetet anëtare, ato kandidate, ato potencialisht kandidate dhe ato anëtare të grupimit G20, me përjashtim të Rusisë.
Gjithashtu, në të mund të aderojnë edhe organizatat ndërkombëtare, aktorët humanitarë dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe evropiane.