Pas lajmit të shpërndarë nga mediat spanjolle, ku thuhej se Kylian Mbappe do të prezantohej më 23 korrik te “galaktikët” e Real Madrid, tashmë janë tifozët e PSG, që e bëjnë “fakt të kryer” transferim e “yllit” të tyre te gjigandët spanjoll.

Sipas një prej profileve të grupit të tifozerisë “pariziene”, “PSG Community”, “mbretërit” e Madridit kanë arritur një marrëveshje me klubin francez për transferimin e Mbappe për shifrën e 250 milionë eurove, përcjell abcnews.

Në bazë të fjalëve të tifozëve ishte vetë pronari i PSG, emiri Tamim bin Hamad Al-Thani, i cili pas negociatave me Presidentin, Florentino Perez ra dakord për shitjen e lojtarit për shifrën stratosferike.

Ndërkaq, përveç shifrës është mësuar dhe mënyra e pagesës, që Real Madrid do i bëjë “parizienëve” për Mbappe.

Kështu nga 250 milionë euro, 200 milionë do të paguhen menjëherë, ndërsa 50 të tjera në formë bonusi për ndeshjet e luajtura nga francezi dhe fitimin e “Topit të Artë”.

Shpërndaje artikullin në: