Gunther Krichbaum, është përfaqësuesi më i lartë për Çështjet Evropiane i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Evropian dhe deputet në Parlamentin gjerman, i cili i është përkushtuar gjatë opozitës shqiptare prej vitit 2013, përfshi dhe krizën e vitit 2017, dhe më pas bojkotit të vitit 2019. 

Nuk është nga ata politikanët e rastësishëm që u bie rruga nga Tirana dhe thonë një fjalë. E njeh mirë Sali Berishën, Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe gjithë politikanët e rëndësishëm shqiptar. 

Është ndoshta politikaniiI vetëm gjerman që dhe kur Edi Rama ishte në ditët më të mira me kancelaren Merkel, ky i bënte gjëmën me raporte kundër ecurisë së Shqipërisë, në raport me kushtet e plotësuara për hapjen e negociatave.

Sulmi i tij publik ndaj Sali Berishës nuk është as çështje lobimi dhe as konsideratë personale. Gunther Krichbaum i ka hequr sot stolin ku Berisha ka hipur dhe shpreson se do shpëtojë nga varja. Ja ka hequr stolin Sali Berishës, në emër të së djathtës më të rëndësishme evropiane dhe njëkohësisht më pro shqiptare.

Stoli në të cilin Berisha ka hipur t’i bëjë gjyq drejtësisë shqiptare, me shpresë se do ta sfidojë atë, sot i është kthyer në stol ku sipër kokës ka një litar. Dhe duke ja hequr, i japin fund dërdëllitjeve të tij.

Ai nuk doli në konferencë shtypi me Lulzim Bashën, që të mos i japë ngarkesën politike të qëndrimit të Evropës kundër Berishës, Lulzim Bashës, por nga ana tjetër i tregoi atij dhe gjithë politikanve të tjerë të opozitës në Shqipëri, se e djathta evropiane i ka prerë njëherë e mirë punët me Sali Berishën dhe është në mbështetje të fortë të SPAK në procedimin ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Evropa po e trajton Sali Berishën njësoj si SHBA në përshkrimin që i ka bërë sekretari Blinken, kur e ka shpallur “non grata” familjarisht, duke e konsideruar një politikan që ka minuar demokracinë, që është përfshirë në korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij dhe që ka shantazhuar drejtësinë. Por meqë Evropa nuk ka një standard ndëshkimi si ajo e SHBA për “non grata”, po e bën këtë duke mbështetur SPAK në Shqipëri, për të njëjtat akuza.

Por dhe Sali Berisha me sa duket, i mbetur keq, “njësoj” po i përgjigjet Evropës siç ju “përgjigj” SHBA. Ashtu siç e çoi sekretarin Blinken në gjyq në Francë, ashtu do ta çojë dhe njeriun më të rëndësishëm të së djathtës gjermane në Parlamentin Evropian. Do ta padisë për shpifje.

Mirë do ishte ta padiste në SPAK dhe të bashkoheshin çështjet në një çështje me 17 kullat, se aty ka mundësi të provohen dhe faktet, por me siguri nuk e bën, se nuk e njeh SPAK. 

As në Gjermani nuk e bën dot, se ata e kanë nisur para SPAK hetimin për milionat e dhëndrit të investuara nga llogaritë bankare të dhëndrit për blerje shtëpish, për mbesën në Gjermani.

Kështu që Franca i ka mbetur prapë si vend ku mund të ankohet. 

E vetmja e keqe e Francës është që nuk të kthen as përgjigje kur i çon letër. Por nuk është se Berishës i duhet ndonjë përgjigje. Sa më vonë të vijë, aq më mirë, se mund t’i gënjejë këta trushpëlarët se do vijë përgjigjja një javë para zgjedhjeve të vitit 2025. 

Puna është se deri atëherë mund të ketë ndërruar adresë shtëpie dhe s’ka për ta marrë në dorë.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se administrata e tij është “gati të ndërmarrë veprime të mëtejshme” pas sulmeve nga grupet e lidhura me Iranin kundër trupave amerikane të vendosura në Irak dhe në Siri.

Një deklaratë të tillë, ai e bëri në një letër drejtuar kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Letra del në dritë pasi Pentagoni njoftoi se avionët luftarakë amerikanë kishin nisur sulme në dy objekte të përdorura nga Garda Revolucionare, një organ elitar i ushtrisë iraniane dhe “organizatat e lidhura me to” në Sirinë lindore.

“Më shumë se 300 mjekë shqiptarë nga Maqedonia kanë shkuar të punojnë në spitale jashtë vendit në pesë vitet e fundit. Vetëm këtë vit, ky numër është më shumë se 50.”

Këtë e bëri të ditur për Alsat, kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë, Nevzat Elezi.

Sipas tij, jo vetëm mjekët e rinj, por edhe mjekët në moshë dhe personeli tjetër mjekësor si infermierët, fizoterapistët dhe gjinekologët po largohen.

“Ka disa faktorë për këtë situatë. Një nga arsyet pse mjekët e rinj largohen nga vendi janë kushtet e këqija. Ata rrallë shkojnë në specializim, nuk regjistrohen në konkurse. Këtu janë edhe specializimet e gjata, të cilat zgjasin gjithsej 6 vjet…”, theksoi Elezi.

Sipas shoqatës, në nivel shtetëror, më së shumti mungojnë pediatër, gjinekologë dhe psikiatër. Shumë spitale si Tetova, Kumanova, Struga dhe Kërçova kanë mungesë të specialistëve në fusha të ndryshme.

Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gatishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Në një koment për Zërin e Amerikës, Departamentit i Shtetit tha se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha. Në intervistën që kryediplomatja e Kosovës i dha koleges Garentina Kraja të premten , ajo tha se një zbatim i pjesshëm nuk do të sillte përparimin e synuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, Kryeministri Kurti e pranoi, por nuk e nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit. Përse kryeministri Kurti e lidh krijimin e Asociacionit në Kosovë me nënshkrimin e marrëveshjes nga Beogradi për obligimet e veta nga ky proces?

Donika Gërvalla: Po tani në fakt Kryeministri çfarë i ka ofruar dje Kancelarit gjerman, Presidentit francez, Kryeministres italiane dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri, i cili ka ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili i respekton shqetësimet që i kemi shprehur gjatë dy viteve rreth substancës së atij mekanizmi dhe kryeministri Kurti i ka treguar partnerëve ndërkombëtarë që nëse ata do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve që kemi lidhur atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në implementimin e tyre.

Zëri i Amerikës: A mund të ndani me ne çfarë parashikon modeli i ri i asociacionit? Deri dje e keni quajtur asociacionin të vdekur, ndërsa tani e keni pranuar.

Donika Gërvalla: Por ky është problemi kur edhe mediat serioze shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje të intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi biseduar në intervistën të cilën ju e citoni, kemi biseduar për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, të cilin siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene. Pra ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Me anë të një deklarate, udhëheqësit e Francës, Italisë, dhe Gjermanisë i bën thirrje palës kosovare të fillojë procesin e zbatimit të asociacionit pavarësisht nga Beogradi. A do të fillojë Kosova procesin e zbatimit të asociacionit, zonja Gërvalla?

Donika Gërvalla: Nëse marrëveshja e lidhur në Bruksel zbatohet si e tëra, ajo përfshin nenet 7 dhe 10, dhe në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Marrëveshje ose copëza të marrëveshjes, të cilat Beogradi madje as nuk i pranon, nuk kanë për të sjellë normalizimin e dëshiruar, normalizimin e nevojshëm mes dy shteteve tona dhe prandaj janë të pakuptimta. Marrëveshja zbatohet si e gjitha, përndryshe copëzat e saj nuk do të sjellin progres.

Zëri i Amerikës: Para sulmit të 24 shtatorit, qeveria juaj ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për presion të padrejtë ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. A keni vërejtur ndonjë qëndrim ndryshe të Bashkimit Evropian dhe në tërësi të bashkësisë ndërkombëtare që atëherë?

Donika Gërvalla: Mendoj që jo vetëm qeveria jonë, por edhe shumë vëzhgues të proceseve në Ballkan, shumë studiues, shumë gazetarë, media serioze kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian si të njëanshme në raport me Kosovën dhe në kërkesën në vazhdimësi që Kosova të bëjë lëvizje të mëdha ndërkohë që ka pasur njëfarë mirëkuptimi të vazhdueshëm për Serbinë, e cila jo vetëm në rastin e Kosovës nuk lëviz, por nuk përmbush obligimet e saj ndërkombëtare as në raport me Rusinë dhe luftën e saj në Ukrainë dhe as në raport me të tjera fenomene që lidhen me forca të cilat nuk janë pjesë e strategjisë të Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit në përgjithësi. 24 shtatori ka treguar që Kosova ka pasur të drejtë, që Serbia ndërkohë që ne përpiqeshim të arrinim rezultate në dialog, Serbia ka qenë duke përgatitur trupa paramilitare për t’i dërguar në Kosovë për të pushtuar territorin e Kosovës, prandaj ne shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare më në fund të jetë më e vendosur në kërkesat e saj në dënimin e agresorit, por gjithashtu edhe në kërkimin e rrugëve të cilat mundësojnë një zgjidhje afatgjatë.

Zëri i Amerikës: Megjithëse zoti Kurti pranoi asociacionin, udhëheqësit e BE-së në deklaratën pas takimit të djeshëm e fajësuan njësoj Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. Cili është komenti juaj për këtë vlerësim?

Donika Gërvalla: Dua ta theksoj edhe një herë se nuk e di për cilin pranim e keni ju fjalën. Unë u përpoqa në detaj t’ju shpjegoj se çfarë ka ndodhur dje, cili ka qenë zotimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër më lejoni të theksoj që Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashme të BE-së nuk është hera e parë që është shumë i njëanshëm në vlerësimin e situatës. Zoti Borrell edhe në të kaluarën është shquar për deklarata të cilat nuk e kanë pasqyruar realitetin e dialogut, nuk e kanë pasqyruar realitetin e qëndrimeve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur dy palë dje. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata në të cilën ndodhemi dhe atë rrugë e ka refuzuar Presidenti i Serbisë dhe t’iu them të drejtën as nuk presim që Presidenti i Serbisë të tregohet konstruktiv në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni ju nga ky proces? Cili është vizioni juaj për rrugën përpara, zonja Ministre?

Donika Gërvalla: Rruga tutje është forcimi i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, respektimi i interesave të qytetarëve të të gjithë Republikës tonë, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, fetare, rajonale apo çfarëdo qoftë tjetër. Rruga tutje është përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për të ngritur sundimin e ligjit, për të forcuar demokracinë edhe për t’i ofruar gjithmonë të gjithë fqinjëve mundësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kjo është ajo çfarë është në dorën tonë. Të gjitha të tjerat nuk janë vetëm në dorën e Republikës së Kosovës dhe prandaj shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysninë e duhur, të shprehë sanksionet e duhura ndaj Serbisë me qëllim që të kemi një mundësi të lëvizjes në normalizimin e marrëdhënieve tona.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara shpesh gjatë këtij viti kanë përsëritur se ekziston një trysni kohore për ta përmbyllur marrëveshjen me Serbinë. A ka ende mundësi që marrëveshja të përmbyllet para zgjedhjeve vitin e ardhshëm në Amerikë?

Donika Gërvalla: Sa i përket Republikës së Kosovës, ne e kemi treguar rrugën se si mund të përmbyllej menjëherë. Kryeministri Kurti ka ofruar mundësinë që që dje të finalizohej marrëveshja me nënshkrimin e të dyja palëve në prani të të gjithë liderëve evropianë. Një mundësi e tillë nuk është shfrytëzuar dje; të shohim se a do të ketë mundësi të ngjashme, parimore dhe të suksesshme për Republikën e Kosovës në të ardhmen. Kjo nuk varet, e thashë edhe një herë, vetëm nga ne. Kjo varet shumë edhe nga cili pozicion do të marrë bashkësia ndërkombëtare, do të marrin partnerët, miqtë dhe aleatët tanë në raport me kërkesat e drejta të Republikës së Kosovës, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për t’i ikur negociatave dhe për të forcuar agresionin ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi edhe një herë çështjes së modelit të ri që është ofruar nga të dërguarit e posaçëm ndërkombëtarë për asociacionin. A mund të na detajoni çfarë e bën të pranueshëm këtë model për Republikën e Kosovës?

Donika Gërvalla: Shumë e thjeshtë: modeli i ri, i cili na është prezantuar, respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës. Mendoj që ky është detyrim i çdo qeverie të çdo vendi demokratik.

Zëri i Amerikës: Dhe a ndiheni që modeli i ri respekton këto parime bazë?

Donika Gërvalla: Më duket që e theksova tre herë gjatë kësaj bisede të përbashkët që patëm, që ky është ndryshimi bazë i propozimit që na ka ardhur dhe kjo është arsyeja pse Kryeministri Kurti në një ofertë shumë të sinqertë dhe shumë parimore dje në Bruksel ka ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes bazike të planit të implementimit dhe në kuadër të saj të implementimit edhe të nenit 7, i cili parasheh një mekanizëm të vetmenaxhimit për serbët e Kosovës.

Dikur njeriu më i pasur në Rusi, pastaj i burgosuri politik më i famshëm i vendit, Mikhail Khodorkovsky, tani shpreson se Ukraina do të fitojë luftën kundër vendit të tij.

Ai dëshiron t’i bashkojë rusët në mërgim për t’u ballafaquar me regjimin e Putinit.

“Njerëzit në Perëndim duhet të kuptojnë se Putini dhe Rusia nuk janë e njëjta gjë”, tha ai për mediet skandinave, transmeton RTKlive.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, për pranimin e draftit të Bashkimit Evropian për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti është pajtuar që ky draft i prezantuar në Kosovë e Serbi nga pesë diplomatë perëndimorë, të jetë bazë për diskutime rreth zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy shteteve.

E lidhur me këtë ka reaguar Rama, duke thënë se është “vërtetë pikë kyçe”.

“Përgëzoj kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

Sali Berisha ka komentuar sot një deklaratë të Edi Palokës, i cili është shprehur se “i është kërkuar që të rrokin armët”.

Në një konferencë për gazetarët, i pyetur a është dakord që qytetarët të marrin armët, ai tha se mbeshtet versionin e “mosbindjes civile”.

“Protesta do të jetë paqësore por çdo version i mosbindjes civile nuk mund të ndalohet, por është i mirëpritur” ,– tha Sali Berisha i cili vijon t’i shmanget përballjes me Drejtësinë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, do të qëndrojnë sot në Bruksel. Takim të nivelit të lartë s’do të ketë, megjithatë Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Siç shkruan Associated Press, Bashkimi Evropian do ta rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit për të normalizuar raportet, duke kërkuar kështu nga Scholz, Macron dhe Meloni që të bëjnë një shtytje të madhe për t’i detyruar Kosovën dhe Serbinë t’i lënë mënjanë dallimet.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pak para fillimit të takimeve ka thënë se nuk negociojnë në mënyren “merre ose lëre”.

Ai foli rreth pritshmërive të tij lidhur me takimin e sotëm në Bruksel duke thënë se Lajçak tha se ka pritje të larta.

“Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara”, tha Lajçak, raporton Gazeta10.

Tutje ai tha se presin edhe implementimin e marrëveshjes. I pyetur nëse është dita e një dokumenti për marrëveshjen “merre ose lëje”, Lajçak tha se nuk negociojnë në atë mënyrë.

“Ne nuk negociojme më mënyrën “Merre ose lëre, kjo duhet të jetë pajtim mes dy palëve në të cilën jemi duke iu ndihmuar”, tha ai.

Mbi 700 minatorë po vazhdojnë grevën për të tretën ditë me radhë. Në dy ditët e para, disa prej tyre u është përkeqësuar gjendja dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi ka thënë se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave: Ekzekutimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit dhe sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të punës. Ndërkohë, Menaxhmenti i Trepçës ka dalë dje me një reagim ku ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të grevës, duke e quajtur edhe jo ligjore. Nga Qeveria kanë heshtur për këtë çështje.