Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje paraprake për lirimin e dhjetëra grave dhe fëmijëve të mbajtur peng në Gaza, në këmbim të një pauze pesë-ditore.

Lirimi i pengjeve, i cili mund të fillojë brenda disa ditëve të ardhshme mund të çojë në pauzën e parë humanitare që nga fillimi i konfliktit në Gaza.

Sipas kushteve të një marrëveshjeje të detajuar prej gjashtë faqesh, të gjitha palët në konflikt do të pezullojnë operacionet luftarake për të paktën pesë ditë, ndërsa 50 ose më shumë pengje do të lirohen çdo 24 orë

Nuk ishte e qartë se sa nga 239 personat që besohej se po mbaheshin peng në Gaza do të liroheshin sipas marrëveshjes.

Ndalimi i luftimeve synon gjithashtu të lejojë kalimin e më shumë ndihmave humanitare, përfshirë karburantin, për të hyrë në enklavën e rrethuar nga Egjipti.

Sipas diplomatëve arabë dhe të tjerë, marrëveshja u përpilua gjatë bisedimeve disa javore në Doha, Katar midis Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit, të përfaqësuar indirekt nga ndërmjetësuesit e Katarit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të udhëtojë sot në Sarajevë, si fazë e parë e turneut të tij nëpër katër vende të Ballkanit Perëndimor.

Të martën pasdite ai pritet të mbërrijë në Shkup, ku do të qëndroj për dy ditë, përcjell INA.

Siç njoftoi NATO-ja, turneu nëpër rajonin e Stoltenberg do të fillojë me një darkë pune me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, ndërsa nesër do të ketë takime me përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare për BeH, Christian Schmitt dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.

Pas këtyre bisedimeve, Stoltenberg do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në BeH, në selinë e NATO-s në Sarajevë.

Nga Sarajeva, personi i parë i Aleancës nesër pasdite do të udhëtojë drejt Prishtinës për takime me Presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Më pas ai do të vizitojë Komandën e Forcave të NATO-s në Kosovë, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash dhe me Drejtorin e Ekipit Ndërlidhës Këshillimor të Aleancës, gjeneral brigade Christian Ludwig von Hammerstein, dhe do të ketë një fjalim pranë ushtarëve të angazhuar në misionin e KFOR-it.

Të martën në mëngjes, Stoltenberg do të jetë në Beograd për bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pasdite nga Beogradi do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takohet me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe do të ketë një fjalim para deputetëve në Kuvend.

Të mërkurën në mëngjes, Kovaçevski dhe Stoltenberg kanë planifikuar të takohen në Shkup me liderët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni: presidentin kroat Zoran Milanoviç dhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Sllovenisë, Robert Golob dhe të Malit të Zi, Milojko Spajiq.(INA)

Palestina është një prej shteteve të Lindjes së Mesme që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Diplomatët që përfaqësojnë Palestinën në Serbi në vazhdimësi në takimet që kanë me zyrtarë të shtetit serb ripërsërisin qëndrimin e tyre në “respektim të integritetit territorial të Serbisë”. Përveç kësaj ata s’ngurrojnë as që të takojnë edhe politikanë si Vojsillav Sheshel i cili është edhe i dënuar edhe për krime lufte.

Përqafimi me Sheshelin- Ambasadori i ri i Palestinës e vazhdon traditën në Beograd

Historia tragjike e rajonit i sheh të pandara figurat e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit. Megjithatë kjo s’ka paraqitur problem ndër vite për ambasadorët palestinezë në Beograd, të cilët e kanë shndërruar në traditë takimin me politikanin radikal serb, Vojisllav Sheshel.

Ish-ambasadori i Palestinës në Beograd, Muhamed Nabhan, që ka përfunduar mandatin e tij gjatë këtij viti, në 2020-ën edhe përkundër pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 i kishte shkuar Sheshelit në zyrë të partisë për ta takuar.

Nabhan edhe pse fillimisht ishte përshëndetur me grusht nga Sheshel shkaku i pandemisë, kishte zgjatur vetë dorën për t’i shtrënguar më pas me radikalin serb.

Këta të fundit në një komunikatë që kishin lëshuar atë kohë e kishin konsideruar si një takim “të përzemërt” e “miqësor” në të cilin ambasadori palestinez kishte thënë se “miqësia ndërmjet Serbisë dhe Palestinës është e pathyeshme dhe se Partia Radikale Serbe, si parti politike tradicionale dhe antiglobaliste, është një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes popullit serb dhe palestinez”.

Ndërkohë Sheshel në këtë takim e kishte falënderuar ambasadorin palestinez për qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës.

Traditën e takimeve me Sheshelin e ka vazhduar edhe pasardhësi i Nabhan, Muhamed Al Namur. Video e përqafimit të tij me politikanin famëkeq serb ka bërë gjiron nëpër rrjete sociale.

Sheshel nuk kishte ngurruar që në këtë takim ta hidhte rreth qafës së tij shallin karakteristik palestinez. Ky takim dhe përfqafim me Sheshelin është komentuar jashtëzakonisht shumë në rrejte sociale.

Ambasadori i ri palestinez në fillim të misionit të tij në Beograd ishte takuar edhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, të cilës i kishte shprehur respektin dhe mbështetjen për “sovranitetin dhe integritetin territorial”./GazetaExpress/

“Tifozat Kuq e Zi”: Ëndërruam, sakrifikuam dhe në fund u kualifikuam, Gjermani po vijmë

Kombëtarja e Shqipërisë siguroi sonte edhe matematikisht kualifikimin për në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kombëtares shqiptare i mjaftoi një barazim 1:1 me Moldavinë, për të siguruar vendin në mesin e 24 kombëtareve më të mira në Evropianin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani, shkruan Gazeta Express.

Rreth kësaj kanë shkruar edhe tifozët më besnikë të Shqipërisë, “Tifozat Kuq e Zi”.

“Ëndërruam, sakrifikuam, dhe në fund u kualifikuam. Më të bashkuar se çdo herë tjetër, “TKZ po vijnë” për të pushtuar tokën gjermane, për të stolisur Euro 2024 me ngjyrat Kuq e Zi. Ne ja dolëm, por ky është vetëm fillimi…”, thuhet në postimin e “TKZ”.

Të enjten në mëngjes, 500 policë gjermanë filluan një bastisje të madhe në të gjithë vendin.

Sipas gazetës gjermane Bild, policia ka bastisur 58 ndërtesa të lidhura me komunitetin islamik.

Ndër të tjera në Hamburg, ku 200 oficerë bastisën 32 ndërtesa, duke përfshirë Akademinë Islamike të Gjermanisë dhe Shoqatën e Mbështetësve të një Xhamie slamike në Hamburg.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Qendrën Islamike në Berlin.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, bastisja ka për qëllim identifikimin e grupeve që mbështesin grupin terrorist Hezbollah.

Autoritetet në Gjermani kanë kontrolluar më shumë se 50 ndërtesa. Tani duhet të sqarohet nëse këto Qendra islamike bashkëpunojnë me lëvizjen Hezbollah.

Autoritetet dhe politikanët gjermanë kanë dyshuar prej kohësh në xhaminë Imam Ali në Hamburg dhe sponsorin kryesor të Qendrën Islamike për lidhjet me regjimin e Iranit.

Kjo ka ndodhur me kërkesë të disa politikanëve gjerman të cilët kanë kërkuar ndalimin e Qendrës Islamike, veçanërisht pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Kështu bëjnë të ditur disa media gjermane.

Qëllimi i kërkimeve, sipas agjencisë së lajmeve DPA, është të hetojë nëse qendra bashkëpunon me lëvizjen Hezbollah në Liban të mbështetur nga Irani, e cila është e ndaluar në Gjermani.

“Sidomos tani, kur shumë hebrenj ndihen veçanërisht të kërcënuar, nuk tolerojmë propagandën islamike apo qëndrimet antisemite dhe anti-izraelite,” thotë Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, nga partia SPD.

Gjatë kontrolleve, policia ka grumbulluar kompjuterë, celularë dhe dokumente, të cilat tashmë duhet të kontrollohen.

Vetë Qendra Islamike në disa raste ka hedhur poshtë pretendimet se kishte një lidhje me regjimin iranian dhe Hezbollahun. Sipas Der Spiegel, organizata ka deklaruar se “dënon të gjitha format e dhunës dhe ekstremizmit dhe gjithmonë ka mbrojtur paqen, tolerancën dhe dialogun ndërfetar”.

Megjithatë, tashmë ka prova që nuk mban ujë, thuhet në kundërpërgjigjen e autoriteteve, të cilët i referohen një libri me titull “Shteti Islamik”, botuar në gjermanisht nga Qendra Islamike. Autori është ish-udhëheqësi fetar në Iran, Khomeini, dhe në libër bën thirrje, ndër të tjera, për gjuajtje me gurë për tradhti bashkëshortore dhe varje të homoseksualëve.

Që në vitin 2022, autoritetet në Hamburg dëbuan një figurë udhëheqëse të Qendrës Islamike nga Gjermania me arsyetimin se ai kishte lidhje me Hezbollahun.

Këtu në Danimarkë, një xhami mban të njëjtin emër me xhaminë e cila ishte objekt kontrollimi në Gjermani, domethënë Xhamia Imam Ali në Kopenhagë.

Duke qenë tepër të zënë me shqyrtimin e problemeve të krejt botës dhe duke haruar problemet e shumëta që kanë me pushtetin maqedon, Shqiparëve të Maqedonisë së Veriut si prej qielli ju rra kryqi 10 metra i lartë në Kodrën e Diellit mbi Tetovë.

Në Kodrën e Diellit në Tetovë, në oborrin e kishës Shën Naumi i Ohrit është vendosur një kryq mbi 10 metra i lartë.

Fotografitë e bëra nga vendi i ngjarjes ngjallën reagime të shumta në opinion, sidomos banorët e Tetovës, qytet ky i përbërë me shumicë absolute shqiptarë të përkatësisë fetare islame.

Sipas burimeve të Televizionit Koha, vendimi për vendosjen e kryqit e ka marr bordi kishtar i kishës Shën Naum i Ohrit ndërsa ndërtimi mendohet të jetë pa leje adekuate për ndërtim.

Burimet tregojnë se kryqi është bërë me mjete vetanake të Kishës. Më shumë informacion në lidhje me këtë lajm do të mund të ndiqni në edicionin qendrorë të lajmeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.

Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq, Dushko Peroviq dhe Nenad Popoviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq nga Serbia./REL

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, shkruan “Novinite”.

“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.

“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime.

“Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani atë ndihmë dhe vëmendje për shumë vende, pastaj ka shumë sfida, shumë sfida humanitare. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi për të treguar se ka diçka që nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve. Të shpallen zgjedhjet jokushtetuese. Të rrëzohet sërish qeveria aktuale. Të rrëzohet qeveria pro-evropiane”, ka thënë Zelensky.

Fjalët e Zelenskyt mund të jenë të vërteta. Vetë presidenti i etnitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, prej kohësh synon dhe i ka deklaruar planet shkëputëse që do të çonin në destabilizim të Bosnjës dhe gjithë rajonit. Udhëtimet e tij gjithnjë e më të shpeshta në Moskë tregojnë se ka mbështetje për politikat e tij. Përveç lojës me integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës, Dodiku së fundmi përmendi edhe Malin e Zi.

“Serbët në këtë shekull duhet të formojnë një shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Srpska dhe Mali i Zi”, ka thënë Dodik.

Në fund të shtatorit pati një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës parandaluan sulmin dhe konfiskuan një arsenal të tërë armësh. Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pjesëtarët e grupit paraushtarak serb që sulmuan në Banjskë kishin për qëllim aneksimin e veriut.

Olta Gixhari është një personazh shumë i përfolur në publik.

Aktorja u bë akoma më e famshme pas pjesëmarrjes së saj në Big Brother VIP Albania, por së fundmi edhe në spektaklin e kërcimit “Dancing with the Stars Albania” si antare jurie.

Ajo është shumë aktive në rrjetet sociale, me postime të ndryshme. Në fotografinë e fundit ajo shihet e veshur me një fustan të gjatë gri të fiksuar mbas trupit duke treguar format perfekte të aktores. 

Performancat nga TNT, Grupi 403 dhe Armadillo kanë qenë vetëm një pjesë e mbrëmjes muzikore “Jam Session”, i organizuar në “7 Arte” në Mitrovicë.

Mbi 20 instrumentistë e solistë performuan këngë e pjesë instrumentale të njohura nga skena e rokut në qytetin që njihet pikërisht për këtë zhanër muzikor. 

“Qendra e qytetit të Mitrovicës mbrëmë vibronte nga ritmet e zjarrta dhe shpërthyese të tupanëve e kitareve elektrike. Ndërtesa e ish-Bankos, me një arkitekturë brutaliste, sikur mirëpriste zërat e fuqishëm të solistëve që këndonin me plot passion”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Përveç emrave të dëshmuar, skena mirëpriti edhe talentë të rinj. 

“Natës i dhanë shpresë edhe talentet e rinj të dalë nga Mitrovica Rock School, të cilët në shoqërimin e mentorëve të tyre të dikurshëm shpalosën një valë të re shpreseje dhe pranuan përkrahjeje të vazhdueshme nga të pranishmit. Kjo ngjarje e veçantë, rimbledhi dhe rikujtoi gjeneratat e para dhe pasluftës, që rokun e kishin mjetin më të lehtë shprehës për të komunikuar e shpalosur emocionet e mesazhet e tyre”, njofton “7 Arte”.